
Sa herë na bie rasti të dëgjojmë të përmendet emri “Nanë Loke” të gjithëve na vjen në mëndje një nanë e moçme malësore me flokë të thinjur, me rrullat ballit, e me peshën e viteve mbi supe. Vite të cilat i kanë shoqëruar nëpër shtigjet e jetes plot halle e mundim, e ndër të cilat kanë mbijetuar me dinjitet nën hijen e kullës dhe të Malit që i fisëronte. Ishin Nanë Loket e Malësisë ato që në shekuj mëkuan bijt e bijat e tyre me virtytet më të larta të humanizmit, të besës, të bujarisë, të nderit e të fisnikërisë, me të cilat identifikohen sot e mot malësorët. Në këtë frymë u rritën e skaliten edhe gratë e Shoqatës “Jehona e Malësisë”, të cilat pata fatin t’i takoj në naten festive “Babë e Bijë” për çka falenderoj z. Peti Camaj, që më mundësoi të shoh nga afër realitetin malësor në diasporë.
E mrekulluar nga atmosfera plot shkëlqim dhe zërat e gëzueshëm të vajzave të vogla që vallëzonin me baballarët e tyre, më ra në sy prokupimi i disa grave, të cilat kujdeseshin deri në detaje për mbarvajtjen e kësaj darke festive.
Çdo detaj i ambjentit në sallë dhe kostumografisë së princeshave, personazhe të filmave më të dashur për vajzat, merrte kuptim përtej asaj që dukej. Dashuria babë e bijë tejkalon të gjitha ndjesitë e krenarisë, ndaj çdo gjë ishte realizuar me kujdes. Angazhimi i vajzave Amanda Nucullaj në rolin e Princes Cinderella, Gabriela Dedvukaj në rolin e Princes Belle, Linda Ivanaj në rolin e Princess Aurora dhe Valentina Dedivanaj në rolin e Princess Ariel, të veshura me fustanet e priceshave e bënë këtë ballo akoma më magjike për vajzat pjesmarrëse, e njëkohsisht nxit angazhimin e gjeneratave të reja në manifestime kulturore e kombëtare në diasporë. Megjithatë, lumturimi i vajzave dhe baballarëve nuk ishte gjithçka për këto gra, pasi prokupimi i tyre real lidhej me një kauz akoma më të madhe.
Mbledhjen e fondeve për të ndihmuar fëmijët me autizëm në Malësi ishte detyrë patësore për to. Si nëna e si motra, me vetbesimin dhe qëllimin e lartë për ata fëmijë, nën strehën e Shoqatës “Jehona e Malësisë” kishin dalë krah burrave të tyre për ta përmbushur këtë mision, duke kërkuar mbështetjen e bashkatdhetarëve për mbledhjen e sa më shumë fondeve. Dhe jo vetëm kaq, ato i kishin privuar vetes edhe jetën e luksit duke kursyer nga të ardhurat e tyre personale e familjare për t’i çuar këto para në arkën e shoqatës e për të dhënë shembullin e tyre personal në komunitet. Modestia e tyre në bisedë gjatë takimit me disa prej këtyre aktivisteve ishte shumë prezent. Ato nuk pranonin kurrsesi të dëshmonin kush nga ato ka punuar më shumë, pasi e quanin punë në grup për një qëllim të përbashkët. Këtij misioni i ishin bashkuar aktivistet:
Sylvia Dedivanaj, Nora Dukaj, Vera Camaj, Shaqe Berishaj, Irena Vulaj, Xheni Alibashi, Nora Juncaj, Albina Gojçaj, Ardjana Gojçaj, Maria Ivanaj, Leonora Sinishtaj, Lisa Micakaj, Maria Dushaj, Marina Ivezaj, Marina Lulgjuraj, Lidia Camaj, Martina Camaj, Sofia Gjelaj, Viki Sinishtaj, Viktoria Dedivanaj, Kristina Gojcaj dhe Lina Gojçaj të cilat nuk ndaleshin së mbledhuri fonde edhe gjatë atyre ditëve.
Si bija, si motra e mbi të gjitha si nëna, këto gra fisnike e largpamëse, me shëmbullin dhe shpirtmadhësinë e tyre kërkonin të edukonin edhe fëmijët, të cilët i kishin angazhuar edhe ata në këtë kauz humane.
Ky sensibilizim familjar për këto gra ishte kthyer në një respekt zinxhir që ngre lart dinjitetin e tyre në komunitet, gjë që e dëshmoi lista e gjatë e donatorëve, si dhe shuma e mbledhur e cila i kishte kaluar pritshmëritë në krahasim me një vit më parë. Ky ishte vetëm një rast pasi në aktivitetin e Shoqatës “Jehona e Malësisë” ato ishin shumë aktive në mbështetje të “Trimave të Shoqatës” siç i quanin ato në dialektin e pasur geg që vazhdojnë ta ruajnë dhe kultivojnë me fanatizëm të folmen e të parëve të tyre, malësorët e Malësisë në diasporë. Për hirë të vërtetës “Jehona e Malësisë” është ndër më të rejat shoqata në diasporë, por ndër më aktivet dhe produktivet sa i takon humanizmit dhe kontributit të saj në sipërmarrje konkrete, që lidhen me çështje kombëtare e sociale në diasporë e në Malësi, në të cilat nuk ka munguar për asnjë çast kontributi dhe mbështetja e grave të Shoqatës.
“Jehona e Malësisë” frymon vlera atdhetare e me vlerat e saj krenohen e nderohen edhe grate e Shoqatës “Jehona e Malësisë”, të cilat për kulturë e dinjitet u përngjajnë “Lokeve të mira të Malësisë”. Ato janë nëna, janë bija, janë motra e gra plot virtyte, me të ciat krenohet Malësia e me shembullin e tyre nderohet kombi dhe gjithë shqiptaria.
Nga Rita Shkurtaj.
Prill 2025