
Dr. Dorian Koçi/
“Ra një vesë e zbuti dhenë,
Zbriti Tafili në Tepelenë…”
Këto vargje popullore, të mbajtura gjallë në kujtesën e popullot, janë dëshmi e nderimit dhe kujtimit që populli shqiptar i ka bërë figurës së Tafil Buzit (1792–1866), njërit prej udhëheqësve kryengritës më të spikatur të shekullit XIX. Me përurimin e monumentit të tij në qytetin e Tepelenës, historia e tij merr një vend të merituar jo vetëm në kujtesën lokale, por edhe në kujtesën kombëtare. Tafil Buzi ishte udhëheqës i disa kryengritjeve të rëndësishme antiosmane në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Tepelenës dhe Labërisë. Kryengritjet e tij (1830, 1833, 1834 dhe 1847) nuk ishin vetëm reagime sporadike ndaj taksave të rënda apo shkeljes së privilegjeve vendore, por shfaqje e një ndërgjegjeje të re politike dhe administrative për të ruajtur autonomie dhe vetëqeverisjejen brenda Perandorisë Osmane.
Tafil Buzi ishte një figurë që bashkonte traditën e luftëtarit popullor me ndikimin e aristokracisë lokale të Jugut shqiptar. Ai nuk ishte thjesht prijës ushtarak, por një zë i fortë i pakënaqësisë popullore, që përmes kryengritjeve të tij pasqyronte aspiratat për liri dhe për vetëvendosje.
Shekulli XIX në Shqipërinë e Jugut shënon një periudhë të veçantë, kur aristokracia lokale shqiptare kishte marrë një fizionomi të qartë politike dhe ushtarake, sidomos në vijim të kohës së Ali Pashë Tepelenës. Ky segment shoqëror – bejlerët, agallarët dhe prijësit krahinorë – jo vetëm kishin krijuar lidhje të ngushta me Perandorinë Osmane, por kishin fituar edhe një traditë të ushtrimit të pushtetit dhe të vetëqeverisjes krahinore.
Pas rënies së Ali Pashës (1822), shumë prej këtyre familjeve e prijësve kërkuan të ruanin hapësirat e pushtetit që kishin fituar në kohën e tij. Kryengritjet e Tafil Buzit duhen parë pikërisht në këtë kontekst: si përpjekje për të mbrojtur traditën e vetëqeverisjes lokale, të trashëguar që nga koha e Pashallëkut të Janinës, dhe për të kundërshtuar centralizimin e reformave osmane të Tanzimatit.
Kryengritjet e Tafil Buzit dhe të bashkëluftëtarëve të tij janë pjesë e një procesi më të gjerë rezistence shqiptare, që shënon kalimin nga reagimet lokale ndaj pushtetit qendror në një lëvizje që, dekada më pas, do të ushqejë idenë e pavarësisë kombëtare. Megjithëse ato nuk arritën gjithmonë të kenë sukses të plotë ushtarak, rëndësia e tyre qëndron në faktin se i dhanë popullit shqiptar përvojën e organizimit politik dhe ushtarak, duke e bërë atë pjesë të rrjedhave të mëdha historike të shekullit XIX.
Sot, kur në Tepelenë përkujtohet Tafil Buzi me monument të realizuar nga skulptori Vladimir Llakaj ky gjest nuk është vetëm nderim për një figurë historike, por një akt i kujtesës kolektive që na kujton se rezistenca, vetëqeverisja dhe liria janë vlera të trashëguara thellë në kulturën shqiptare. Ai mishëron një epokë të tërë ku aristokracia dhe populli, male e fusha, pushkë e këngë, u bashkuan në një ideal të përbashkët.Monumenti i Tafil Buzit është një thirrje që kujtesa historike të mos mbetet vetëm në libra, por të jetojë në sheshe, në këngë dhe në mendjen e brezave të rinj.