Ish të përndjekurit politikë të futur në grevë urie për shkak të mashtrimit nga qeveria, i drejtojnë kësaj të fundit të pranojë dhe realizojë pesë kërkesa të tyre. Ata kërkojnë një seancë plenare në të cilën Kuvendi të dënojë aktivitetin e diktatorit Enver Hoxha, mbi bazën e konventës mbi torturën, largimin nga e shkuara komuniste dhe të dënohen krimet, gjetja e eshtrave e 4500 qytetarëve të vrarë nga regjimi, ndërtimin e një varreze kombëtare në Tiranë për të pushkatuarit e diktaturës, ngritjen e një muzeumi kombëtar në Tiranë për ata që u martirizuan për fjalën e lirë dhe paqen si dhe ndalimin e botimeve të historisë së diktaturës në median televizive. Provokimi i shqiptarëve me portretet e diktatorit Enver Hoxha dhe nderimet publike të tij të bëra nga mazhoranca e majtë qeverisëse në ceremoninë përkujtimore për 70-vjetorin e Kongresit të Përmetit ka ngjallur reagimin e ish-të përndjekurve politikë. Nga Konferenca Kombëtare “Krimi komunist i padënuar ende”, njëzëri ata kërkuan që klasa politike të distancohet nga diktatura komuniste dhe reminishencat e saj. Ish-të përndjekurit politikë theksuan se ceremonia përkujtimore për 70-vjetorin e Kongresit të Përmetit dhe shfaqja e fotove të ish-diktatorit Enver Hoxha në takimin ku morën pjesë kryetari i Kuvendit dhe deputetë të tjerë të mazhorancës janë rikthimi në të kaluarën më të errët të Shqipërisë. Gjithashtu ata janë shprehur të indinjuar edhe për debatin e zhvilluar mbi enverizmin dhe simbolet e komunizmit gjatë seancës së ditës së enjte parlamentare. Mustafa Lici, kryetar i Partisë Mendimi i Djathtë Liberal, forcë politike e cila ishte pjesë e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit dënoi ashpër qëndrimin e mbajtur nga Rama e Meta në Kuvend. Ata kërkuan mbajtjen e një seance me debat në Parlament për krimet e bëra nga diktatori Hoxha, si dhe dënimin e tyre në bazë të rezolutës së miratuar nga Parlamenti shqiptar. Kështu ditën e shtunë shqiptarët u provokuan sërish me portretin e diktatorit dhe nderimet publike të tij. E majta është përkujdesur në detaje për organizimin e një aktiviteti me rastin e 70-vjetorit të Kongresit të Përmetit. Aktiviteti është organizuar në kujdesin e strukturave të Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim si dhe Bashkisë së majtë të Përmetit. Nëpër rrugët e qytetit, si rrallë ndonjëherë kalonin disa grupe njerëzish që ishin përgatitur për të pritur Ilir Metën, Gramoz Ruçin. Ata mbanin në duar portretin e diktatorit si dhe pankarta me mbishkrimet “Partia Komuniste e Shqipërisë”, “Lavdi PPSH”, “Rroftë PPSH”, ndërsa brohorisnin në kor: “Rroftë Partia Komuniste”. As Meta, as Ruçi dhe asnjë nga deputetët e majtë nuk u distancua nga kjo pritje aspak normale për një vend anëtar të NATO-s dhe që aspiron të marrë statusin e vendit kandidat. Ndërkohë, mes njerëzve që shoqëronin Metën dhe Ruçin kishte edhe fëmijë që mbanin në duar fotot e diktatorit. Pas ecjes në rrugët e qytetit të Përmetit, aktiviteti është zhvendosur në ambientet e brendshme të godinës, ku u mbajt Kongresi i Përmetit. Në sallë veteranët brohorisnin në kor Partinë Komuniste dhe Enver Hoxhën, përfaqësuesit e majtë me në krye Metën dhe Ruçin duatrokisnin.
Kërkesat
– Një seancë plenare në të cilën Kuvendi të dënojë aktivitetin e diktatorit Enver Hoxha, mbi bazën e konventës mbi torturën
– Largimi nga e shkuara komuniste dhe të dënohen krimet
– Gjetja e eshtrave e 4500 qytetarëve të vrarë nga regjimi
– Ndërtimi e një varreze kombëtare në Tiranë për të pushkatuarit e diktaturës
– Ngritjen e një muzeumi kombëtar në Tiranë për ata që u martirizuan për fjalën e lirë dhe paqen
– Ndalimin e botimeve të historisë së diktaturës në median televizive
Ish e përndjekura, 70 vjeç i bashkohet grevës
Tendës të grevës së urisë së ish-të përndjekurve i është bashkuar ditën e djeshme një tjetër protestuese. Ajo është Turbullira Jakup Shalsi, 70 vjeç. Grupi i ish-të përndjekurve në ditën e tretë të grevës së urisë janë shprehur se janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre. Ata janë vendosur përpara Parlamentit dhe në afërsi të Institutit të të Përndjekurve Politikë. Ndërkohë që Fatmir Hoxha, organizatori i grevës së urisë së ish-të përndjekurve u shpreh se janë të vendosur për ta çuar deri në fund grevën e urisë. “Nuk i shkëputemi grevës deri në vdekje. Ta marrë vesh politika shqiptare jemi të vendosur burra dhe gra deri në vdekje, të dënohet krimineli Enver Hoxha”, u shpreh ai. 15 ish-të përndjekurit që janë vendosur me çadra përpara Parlamentit dhe në afërsi të selisë së tyre hynë në grevë urie me 5 kërkesa drejtuar qeverisë. Pavarësisht se kur ishte në opozitë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ishte zotuar se do t’i kthente dinjitetin moral dhe material shtresës së ish-të përndjekurve politikë, një pjesë e tyre sot janë në grevë urie, sepse ndihen të mashtruar nga Kryeministri, qeveria e të cilit u hoqi fëmijët nga puna dhe jo vetëm nuk po dënohet figura e Enver Hoxhës, përkundrazi ai dhe simbolet e komunizmit po adhurohen dhe nderohen nga mazhoranca e majtë.
Ish Aleatët e Ramës kërkojnë largimin e tij
Vetë aleatët e Ramës kërkojnë largimin e tij si Kryeministër i vendit. Kështu të tjerë të përndjekur politikë do të nisin protesta përpara Parlamentit, pas provokimeve të të majtëve me nderimet kundrejt figurës së Enver Hoxhës. Partia e Mendimit Liberal të Shkodrës, e cila për zgjedhjet e 23 qershorit bëri aleancë me Kryeministrin Rama shprehet e penduar që i ka besuar premtimit të Ramës përtej së majtës dhe së djathtës. Ata e kanë akuzuar Ramën se së bashku me Ilir Metën duan të instalojnë sërish simbolet e diktaturës. Kryetari i Partisë Mendimi Liberal i Shkodrës, Mustafa Lici, në një intervistë televizive thekson se kjo parti ka dalë nga koalicioni pasi Rama ka shkelur marrëveshjen dhe së bashku me kreun e LSI kërkon ringritjen e bustit të Enver Hoxhës, ringritjen e diktatorëve të mëparshëm, që të gjithë të përndjekurit politikë i kanë vuajtur në kurriz. “Kur një njeri nuk të respekton marrëveshjen nuk ke çfarë bën më me të. Qe një gabim i pafalshëm. 13 mandate janë partitë politike, një nga ato parti që kam kontribuar për të marrë mandate jam edhe unë. Ky person shkeli marrëveshjen me ne, sepse e kompletoi Ilir Meta, e kompletoi një njeri, i cili po kërkon ringritjet e bustit të Enver Hoxhës, ringritjet e diktatorëve të mëparshëm që ne e kemi vuajtur në kurriz”, u shpreh ai. (Kortezi: Dorina Tile)
Jorgaq Gjonomadhi says
Solidarizohem me kerkesat e te perndjekurve politike te ngujuar ne greve urije dhe i pershendes ata duke ju uruar ne fitoren e tyre. Me kete rast desha te bej nje apel per Znj. Bazhdari dhe Z. Kola, Z. Blloshmi te cilet te ushqyer dhe te mashtruar nga Rama , ky mashtrues i madh, u bene pjese i ketij mashtrimi te qeverise ndaj te perndjekurve. Le tu dalin zot tani premtimeve te Rames dhe te tyre sepse muar persiper fatin dhe te ardhme e kesaj klase. Nuk e di se si do ti dalin perpara syve kesaj klase dhe ketij populli. JU TE TRE DHE Bashkep-unetoret tuaj jeni pergjegjes per kete mashtrim qe i bete klases me te vuajtur te Kombit. Zoti vente dore mbi ju qe kini “Kaperxyer Ylberin”. Gaqo nga San Diego CA U.S.A