
PRANVERË
Mbi velin e kaltër shtrohen sofra lulesh,
krahët e mëndafshta të puhizave
na dhurojnë aromat
që u shuejnë etjen shpirtnave.
Flladet shërojnë plagët e zogjve
që shkrihen ndër melodi t’pafund.
Pranverë,
ti stinë e dritës dhe e melodisë së jetës.
LAMTUMIRA E STINËS NË IKJE
Cegmi shtyn
kah viset e ngrohta të jugut
grinë e heshtun të qiellit.
Nji flauri rosash t’egra
kalon me kuje nalt,
lamtumirë e stinës në ikje.
NË ZEMËR MË NGRINË NJI PLAGË
Ktheva në shtëpi
Si gjethi i zverdhun
Qi era hjedh për dhe.
Ndigjoj trokitjet e nallave të nanës
Në oborrin e shtëpisë së heshtun
Si kumbimet e bekueme
Qi binin mbi fmininë time.
Ajo s’asht ma.
Dhe as qeni nuk asht,
I miri im!
E mbyti malli.
Tani po përtypi
Lehjet e tij të mirëseardhjes
Si kafshata të njelmëta malli.
Vetëm kumbulla, po,
Më përshëndet me nji fëshfërimë të blertë
Qortimi prozhmues.
Në zemër më ngrin nji plagë
Prej bryme e bore
Rishtas e hapun.