XHUBLETA
Gjashtë xhubletat e jetës tënde,
ku i çove grua?
Vallë i trete dhe i lave
me kripën e lotëve derdhur?!
Mos ndoshta djalli t’i gëzojë,
si gjashta rrethuar në ar gishtit tënd?!
Apo në diell i tere, i dogje, i vyshke,
si këmbanore të braktisura?!
Vallë mola t’i breu,
duke prit rradhën e të mirës,
rradhën e të mirës mas të mirës,
që nuk erdhi kurrë?!
Grise pra, damkën e gjashtës
mbi shpinën tënde grua!
Ngrihu dhe hidhi tej
gjashtë xhubletat e jetës tënde.
Hidhi…
Njësoj si teshat e të vdekunve.
DROMCA
Dromcat e shpirtit të tij,
shkëputen nga toka e më arrijnë.
Më kapin prej flokësh
e duan të më heqin xarrë.
M’u në fyt më fusin thonjtë
e më mekin frymën.
Uh! Nxirë e sterosur,
marr ngjyrën e duhmës së hukatjeve të tij,
mbi qelqin e syve të fikur.
Ah! Jam ulur mbi një kokë.
Rastësisht, padijeni, por pikërisht
në vertikalen time,
dergjet thellë koka e prerë…
Të dy jemi bërë si skaje drejtëze.
Tërheqim e tendosim
me dhunë njëri- tjetrin.
Ah! Më shemb kjo dijësi,
por s’kam ç’bëj,
do vazhdoj të ulem mbi kokën e tij.
Do kacafytemi gjatë mik,
ndaj, pak mëshirë..
Nuk është faji im,
që ti le kokën nën mua
e unë ulem mbi…
Ndaj, ma liro pak fytin.
Mblidhi dromcat e tua,
ngecur fijeve të mia
dhe më ler të frymojë.
Pak ajër mik… të lutem pak ajër!
Është koha ime…
BALTË DHE UJË
Ujis ngadalë, shtruar pa ngut,
kokat tuaja ngulur baltës së ngjeshur.
Nga koka rritet trupi apo prej trupit koka,
ku është rrënja dhe fara ku!?
Qetësisht malaks fytyrat tuaja verdhur meit
dhe shoh të zgjaten tërkuz vetëm flokët.
Po ku janë gjymtyrët, që nuk po e shqyejnë baltën
dhe të hedhin shtat si bimë dheu.
Ende pikëloj ujë, dhé e gjak,
që koka të rrisi trupin, e trupi kokës t’i bëj lak.
Nga balta në baltë, nga fryma në frymë,
bimë të harlisura e vyshkura jemi.
Po po, kaq pak…një kokë ngulur në baltë.
NËNVETJA
Nga nënvetja ime shpërthejnë rrënjë të forta,
tufëza të imta, zhardhokë gjithëfarsoj.
Dhe unë, me këmbet bëre hark, i rrethos si një gardh gjigand.
Nga brinjët dalin trungje e degë të harlisura,
që hedhin e hedhin shtat.
Ndërsa duart i bëj hark kurore,
ormisur gjethe e lule deri në qiell.
Nga nënvetja ime lind jeta, vetë dashuria,
e derdhur në forma njeriu,
e derdhur në forma dhembshurie.