Shkruan:Eugen SHEHU/
Në gjelbërimin e atyre kodrave të buta,nën malin e Krujës,në ato djepe që prej erës ende kërcasin e këndojnë bëmat e shenjta të Gjergj Kastriot Skenderbeut,ndodhen akoma rrënojat e një kulle të vjetër,të harruar,gati të mbuluara prej barit dhimbës në moshën e shekullit.Në gjoks të tyre,në fshatin e vogël Skuraj,do të lindëte në majin e vitit 1900,Prenga ai djalosh i zgjuar e trim i cili do të arrinte gradën e gjeneralit në moshën 43 vjeçare,pasi shërbeu plot 25 vjet në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. I paisur me një natyrë tepër studioze,Preng Previzi dërgohet prej prindërve të vet,në Shkodër ku nën ndikimin e konfesionit kristian,mëson në shkollën fillore e mandej qytetëse të Shkodrës.Në rrethet shkollore bie në sy urtësia e tij,gati-gati e shenjtë,një butësi,a thua të futur në shpirt prej prindërve apo kodrave të bukura të Skurajt,qarkuar me ullinj të përjetshëm. Më tej studion në Seminarin Severian të Shkodrës.
Ishin ditë të mbushura me ngjarje.Vitet 1912-1914,fitorja e pavarsisë shqiptare,ngritja e flamurit në Vlorë,nuk mund të kalonin pa u ndjerë edhe në Shkodër.Ky djep kuluture e tradite të hershme e përjetoi ngritjen e flamurit në Vlorë përmes krismave të armëve që trimat e Malësisë së Shkodrës e Dukagjinit,“u dhuronin“ trupave serbo-malazeze që mbanin të rrethuar qytetin.Sidoqoftë,nëse në seminarin Saverian në Shkodër,edukatorët përpiqeshin të mbyllnin sa më tepër nxënësit,brenda mureve të skolastikës së ngurtë,të rinjtë kristianë jetonin kohën në krejt dramën e vet.Mbase duhet të veçojmë një fakt tepër domethënës nga jeta e Preng Previzit në këtë periudhë.Ndonëse ishte tepër i ngjeshur programi shkollor,biri i krujës kurdoherë gjente kohë të lexonte literaturë të huaj në Italisht e Gjermanisht.Mandej në bangat e Seminarit Saverian,Preng Previzi lidhet në një miqësi të ngushtë me atdhetarin Gjergj Fishta,miqësi që do të vazhdonte për decenie të tërë.Fishta i madh i cili jepte mësim në këtë Seminar,do të pëlqente pos të tjerave tek karakteri i butë i Previzit,ato shkëndija të një bote të madhe,të paqme,hyjnore.Nën ndikimin e mësuesit të vet,Preng Previzi do të thellojë njohuritë e veta jo vetëm në rrafsh të kulturës e qytetërimit perëndimor,por edhe lidhur me ngjarjet e fundme në trojet etnike shqiptare.Mësimet në Shkodër i ka mbaruar me rezulltate të shkëlqyera në pranverën e vitit 1914,me ç’rast përmes emocioneve do të dije se çdo të bëhet me të ardhmen e tij.Pranvera dhe vera e vitit 1914,do të shkonte në Shqipëri përmes ngjarjeve tragjike me një densitet të jshtëzakonshëm.Forcat regresive të yshtura prej Beogradit dhe Athinës,përpiqeshin të mbytnin ate shtet-foshnjë,të dalë me aq dhimbje e mundime prej lëvizjeve të shqiptarëve për independencë.Sikur të mos mjaftonin fqinjët shoven,ndaj kufijve shqiptarë u vërsulën edhe diplomancitë e fuqive të mëdha evropiane me ç’rast trazirat ballkanike sa vinin e shtoheshin. Preng Previzi,falë aftësive dhe intuitës shkollore,ka fituar ndërkaq një bursë austriake prej administratës së Princ Vidit.E vërteta është se fillimisht,birin e Krujës e ka kapluar trishtimi ngase kjo bursë ishte për shkollë kadetësh me ç’rast sikur virej në konflikt me shpirtin e butë e delikat të Prengës.Por i etur për libra e shkollë,për qytetërim,shpirti i djaloshit 14 vjeçar do ta kapërcente shumë shpejt këtë ligështim.Në shtatorin e vitit 1914,shkon në Austri dhe nis studimet në shkollën ushtarake të kadetëve të Uellsit e cila padyshim asaj kohe ishte ndër më të dëgjuarat në Evropë.Edhe këtu,Preng Previzi,ai djalosh trim i Skurajt,ajo natyrë e qetë dhe studionjëse,do të ishte model në çdo aspekt.Në mes të kursantëve nga vise të ndryshme të Evropës,Preng Previzi,do të binte në sy,sidomos për etjen e tij në përvetsimin e dijeve.Tashmë modelet ushtarake të dhjetar betejave,organizimi dhe drejtimi i tyre,do të shpinin „kristianin shqiptar“ në vitet e largme të luftërave duke e paisur ate me die e nocione të reja për rolin dhe organizimin e ushtrisë shqiptare.Kthehet në Shqipëri në nëntorin e vitit 1918,me një diplomë të shkëlqyer të shkollës së Uellsit dhe me rekomandimet përkatëse për të vazhduar më tej studimet ushtarake.Tashmë Preng Previzi njeh disa gjuhë e kultura,ka njohuri të thella për Artin Ushtarak bashkëkohor,por njëherazi nuk ka hequr dorë nga studimet e tij në rrafsh të letërsisë evropiane.Kanë mjaftuar vetëm disa ditë pushime pranë familjes e më tej,me gradën e togerit,me uniformën e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Previzi i është drejtuar viseve Shqiptare të Dibrës,Lumës dhe Hasit.
Në dimrin 1918-1919,në këto vise do mësynin mijëra forca serbo-malazeze,me ç’rast kërkonin daljen e tyre në Adriatik.Qeveria shqiptare e Turhan Pashës,duke mos qenë e zonja t’u bënte ballë këtyre vërshimeve të mëdha,u bëri një thirrje patriotëve shqiptarë për të mbrojtur kufijtë e tyre nga një copëtim i mëtejshëm,duke dërguar në këto vise edhe disa dhjetra ushtarë dhe oficerë të ushtrisë kombëtare.Preng Previzi,në krye të repartit të tij,ende 18 vjeç,pa përvojë,do të ndjente së mbrendshmi nevojën e bashkëpunimit të tij me kapedanët popullorë të këtyre trevave.Në veçanti,ai do të bashkëpunonte me forcat e Elez Isufit të këtij trimi nga Nëntë Malet e Dibrës.Një varg dokumentash historike,flasin për ate lidhje të vazhdueshme të Preng Previzit,me Elez Isufin dhe Alush Lumën,përgjatë vijës së Drinit ku më së paku,në çdo muaj janë zhvilluar rreth 25 ditë luftime me serbët pushtues.Në këto luftime ku njoftohej çdo ditë për të vrarë e plagosur nga të dy palët ndërluftuese,karakteri i Prengës u burrërua.Ai fitoi tanimë dimensionin e qëndresës,të mos përkuljes ndaj çdo vështirësisë,përballë çdo fatkeqësie.Njëherazi,ky bir i Krujës,do të mësonte jo vetëm ligjet e luftës,por edhe trimërinë e pashoqë të dibranëve të cilët në çdo rast dijtën të vënë interesat e Shqipërisë përballë interesave të vogla të kullave të tyre.Në këto luftime,pos Elez Isufit,Preng Previzi do të lidhej ngushtë gjithashtu,me nipin e tij,Cen Elezin.Luftërat kundër serbëve do vëllazëronin më shumë këto burra paçka se njeri mysliman e tjetri katolik.Ende pa u shuar zjarri i luftërave në Lumë e Has,në vjeshtën e vitit 1919,Preng Previzi thirret në Tiranë dhe komanda eprore duke falenderuar për trimëritë dhe aftësitë e treguara,mjafton pjesmarrjen e tij në mbarëvajtjen e punimeve të Kongesit të Lushnjës.Duke mos diskutuar aspak mbi rreziqet aty,Preng Previzi,në krye të pak ushtarëve niset sërish drejt Lushnjës dhe vendoset në afërsi të fshatit Vajkan prej nga pritej sulmi i mundshëm i forcave italiane.Pa u ndalur në vendimet historike të Kongersit të Lushnjës,në polemikat e debatet e zhvilluara aty,une mund të ndalem vetëm me pak rreshta që Mid’hat Frashëri,në cilësinë e deputetit të shoqatës mbarëshqiptare „Vatra“ i dërgon ato ditë në Paris,drejtorit të një gazete të përditshme,Pol Luisit,një artikull.Pos të tjerave në këtë letër shkruhet ;
„Shqiptarët nuk kanë rreshtur së manifestuari dëshirën e tyre të vendosur për pavarsinë e plotë të vendit të tyre dhe sovranitetin e rikonfirmuar pa asnjë ndërhyrje nga jashtë.Një provë për këtë është qeveria e re, e dalë nga Asambleja Kombëtare,mbajtur në Lushnjë më 28 janar.Pra në rast se duam të sigurojmë paqën në Ballkan dije të frenojmë lakmitë imperialiste,ne duhet të mbajmë parasysh edhe aspiratat shqiptare“.( Arkivi Qendror i shtetit, fondi 35 , dosja 112 , fleta 1 ).
Në krye të ushtarëve të Mbrojtjes Kombëtare,në janarin e vitit 1920,për gati një muaj rresht,Preng Previzi mbajti qëndrim të vendosur në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës.Provokacioneve italiane si edhe bashkëpuntorëve të tyre,Prenga iu përgjigjej ftohtësisht por edhe trimërisht duke u dëshmuar aytre se punimet e këtij kuvendi madhor,do të mund të ndërpriteshin vetëm nëse forcat italiane do të kalonin përmbi kufomat e gjakosura trimërisht të shqiptarëve.Më pas,në përfundim të këtij kongresi Preng Previzi së bashku me një grusht trimash matjanë do të shoqëronte Ministrin e Mbrendshëm të dalë aty,Ahmet Zogun,nëpër peripecitë e mëdha të rrugës për në Tiranë.Nëse qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjës,zhvilloi me sukses punimet dhe vajti triumfuese në Tiranë,këtu padyshim ka shkëlqyer edhe trimëria e togerit Preng Previzi.Pos trimërisë dhe vendosmërisë së terguar në Lushnjë,Preng Previzin do ta shohim në një varg detyrash të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në Tiranë.Organizator i talentuar,biri i Krujës do të ndikonte së tepërmi jo vetëm në vendosjen e një disipline të ndërgjegjshme,por sidomos në pikëpamje të modernizimit të ushtrisë kombëtare.Ndërkaq ai ka marrë gradën e kapidenit dhe emri i tij ngjall repsekt jo vetëm në mjediset e gazermave por edhe më tej,në shoqërinë shqiptare të kohës.Ngjarjet e qershorit të vitit 1924,do të përcilleshin me dhimbje në ndërgjegjen e prengës.Ajo çka historiografia shqiptare e quajti për decenie me rradhë si revolucion demografiko-borgjez,ishte në fakt një grusht shteti e disa njerëzve që ëndërronin demokraci të kulluar duke shkatërruar pikërisht qelizat e shtetit modern.E vërteta është se ky i ashtuquajtur revullucion,degjeneroi në marrjen e pushtetit prej një grumbulli njerëzish të paaftë dhe që s’mundën ta mbanin dot ate,as pesë muaj,pa fajin e Nolit i cili ishte përkushtuar diplomacisë dhe gjendej jashtë Shqipërisë.
Besnik i kulturës gjermanike,i ligjve të shtetit (pamvarësisht se ç’shkallë mund të ishtin ata) Preng Previzi,që në momentet e parë të „revullucionit“ alla markësist,jep dorëheqjen.Për më tej,duke patur besim në aftësitë politike dhe në vendosmërinë e Ahmet Zogut,ai kalon në Jugosllavi ku viret në kontak me këtë,si dhe një pjesë të madhe të gardës mbretërore.Rikthehet sërish me Ahmet Zogun në fundvitin 1924,duke kërkuar të shkojë në ate detyrë që pat dhënë dorëheqje.Në vitin 1925, Ushtrija jonë Kombëtare,do të riorganizojë në pikëpamje të strukturave me ç’rast do t’u përgjigjej më me shpejtësi situatave të turbullta që kalonte atdheu.Në bazë të këtij rikonstruktimi,Ushtria Kombëtare u përcaktua në katër zona të mëdha gjeografike dhe operative.Pikërisht në zonën e qendrës,ç’ka përfshinte Tiranën,Krujën,Durrësin,Elbasanin dhe rrethinat e tyre,me dekret mbretëror,emërohet zonëkomandant,kapiten i klasit të Parë,Preng Previzi.Në krye të kësaj detyre,ky bir i Krujës,do të shpaloste jo vetëm aftësitë e veta ushtarake por sidomos shqiptarizmën e tij.Kërkend nuk fyejti,këkend nuk shau,madje edhe në momentet shumë të vështira dijti të trajtojë me urtësi vartësit e vet.Mbase vlen të theksojmë se edhe emërimet e tjera të Ahmet Zogut,në tri zonat e tjera,ishte mjaft domethënëse.Kështu në zonat veriore dhe verilindore ishin caktuar si komandantë vendi trimat Hysni Dema dhe Muharrem Bajraktari,ndërsa në jug me qendër Korçën,ushtaraku Fiqri Dine.Të katër këta prijës ushtarakë për vite me radhë i lidhi një miqësi e pazakontë.Në konturet e kësaj miqesie,ravijëzohej qartë ndjenja e atdhedashurisë e cila kapërcente çdo lloj interesi vetiak apo pazar të bërë në dëm të marëvajtjes së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Veçanërisht me Muharrem Bajraktarin,birin e Krujës do ta lidhte miqësia e përjetshme.Bajraktari do të ndihej në shtëpinë e Prengës në Tiranë,njëlloi si në shtëpinë e vet në malet e Lumës.
Natyrisht shkollimi i Preng Previzit nuk kishte qenë i plotë.Për këtë,me bursën e shtetit shqiptar,në vitet 1930-1934,ai studion në Akademinë e Lartë të Torinos,në ate shkollë ku studionte edhe princi italian Umberto.Në Torino,merr me vete edhe familjen me ç’rast djemtë,Lekën,Valentinin dhe Gentin,i dërgon të mësojnë në shkollë.Vetë,si një prind i mrekullueshëm gjen kohë jo vetëm të bisedojë me djemtë e gruan por edhe t’u mëkojë atyre dashurinë për fshatin e vogël Skuraj,Krujën dhe krejt viset shqiptare.Diplomohet shkëlqyeshëm edhe në këtë akademi të lartë të luftës dhe në vitin 1934,në vjeshtë kthehet sërish në atdhe duke marrë edhe lëvdatat e trupës mësimore italiane të Akademisë.Kthimi i Previzit në Tiranë,u prit me admirim nga rrethet intelektuale ushtarake.Ai pat rrezatuar kulturën ende pa shkuar në Itali e tani pritej të ndikonte edhe më shumë në modernizimet e ushtrisë sonë kombëtare.Por pak kohë,Previzi mundi të qëndroi në Tiranë.Ai kishte nisur të shfaqte hapur tani tendencat antiitaliane,me ç’rast edhe nuk shihej me sy të mirë prej disa pseudopatriotëve shqiptarë.Caktohet në një detyrë në Korçë dhe plotësisht i bindur për misionin e vet,Preng Previzi dëshmon edhe në jugun e Shqipërisë aftësitë organizative ushtarake.Punon pa u lodhur e përpiqet që në çdo gazermë shqiptare të ketë një mendim e mentalitet të shenjtë për simbolet kombëtare.Festa e flamurit,do të përcillej kurdoherë në këto garnizone,përmes zërit të butë të ushtarit të lartë dashurisë atërore së tij për vartësit.Gjithsesi rregullat e ngurta të jetës ushtarake,nuk do të mund të fshinin nga shpirti i tij gjurmët e atij artisti të heshtur i cili thërret gazin dhe harenë edhe atëherë kur ato janë të padukshme.Mban korrespondencë të vazhdueshme me mësuesin e tij të dashur Fishtën dhe me një letër nga Korça i shkruan : „Mbasi Korçën pikturore e pate në stinën e dimërit,duhet të vini ta shifni edhe në verë e cila besoj se do t’u pëlqejë më tepër“.( Arkivi Qendror i shtetit,dosja 36,fleta 46 ).
Ka një interes të veçantë për Previzin në fillimvitin 1939,nga pala italiane.Por ai qëndron në Korçë duke u shprehur hapur për qëllimet italiane.Për më tej,në një bisedë që ka patur me Musolinin,mendimi i tij ka qenë i prerë se Ushtria Kombëtare Shqiptare është e zonja vetë të ruajë kufijtë e saj.Prilli i vitit 1939 do ta gjejë të dyzuar ashtu si qindra oficerë shqiptarë që patën studiuar në akademitë e larta ushtarake të Italisë.Sidoqoftë në çastet e mbrame,ai vendos të rije në Shqipëri e të kontriboje sa të jetë e mundur për ushtrinë e kombit të vet me ç’rast i pat falur vitet më të bukura të jetës.E vërteta është se ishin me dhjetra oficerë të lartë shqiptarë të cilët në fillim të viteve 40-të ringritën ushtrinë shqiptare në pikëpamje të funsionimit të saj.Preng Previzi,tashmë ka kaluar hapur në krahun e nacionalizmit shqiptar duke besuar jo vetëm programet e tyre por edhe aftësitë dhe frymën perëndimore që ata përkrahnin.Në vjeshtën e vitit 1943,del haptaz në përkrahje të ideve për një asamble kombëtare me përfaqsues të krejt viseve etnike shqiptare.Në bashkëpunim të ngushtë me Fiqri Dinën me Mid’hat Frashërin dhe Bedri Pejanin,bënë çmos që kjo asamble duke përfituar nga politikat europiane të ditës,të hedhë sytë sidomos në kufitë etnike shqiptare.Në ditët më pas,qeveria shqiptare e dalë prej kësaj asambleje,vendosi për „“organizimin e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare dhe Preng Previzi komandant i saj“.(Arkivi Qendror i Ushtrisë Tiranë,Fondi 249,dosja 11-58,fleta 155 ).
Disa ditë më pas,Preng Previzi,në këtë funksion merr gradën e gjeneralit,ç’prej atij momenti e deri më sot,gradat e gjeneralit mbetën të lavdishme në supet e atij burri që për një çerek shekulli u ra kryq e tërthor trojeve amtare.Ai dijti jo vetëm të organizoj dhe aftësoj reparte shqiptare të asaj kohe,por edhe t’i udhëheqë ato në përpjekje ndaj reparteve serbo-malazeze,bullgare e greke.Si rallëkush në histori në çerkeshekullin e formimit të Mbrojtjes sonë Kombëtare,Preng Previzi dijti të transmetonte me urtësi e largpamësi dijet e mëdha të tij,të fituara,në breza të tëra ushtarësh shqiptarë.Prandaj ato grada të gjeneralit jo vetëm që nuk mund të përfliten,por duhen shkundur prej pluhurit të viteve e të zënë vendin e tyre në shtetin amë,si simbole të një sakrifice të denjë për atdheun.E theksoi këtë die ngase çerek shekulli pune vetmohuese,nuk mund të hidhen dot poshtë me një laps,të një grupi historianësh bollshevik që kanë zhgaravitur historinë tonë duke u përpjekur të denigrojnë figura të tilla,të përmasave të Previzit.E vërteta është se qershorin e vitit 1944,biri i Krujës, e la funksionin në fjalë duke u përpjekur të mbajë kontakte sa më të afërta me nacionalistët shqiptarë.Ai parashihte luftën e rrezikshme që komunistët bënin për marrjen e pushtetit e duke mos dashur të derdhe gjak shqiptari bëri ç’mos për kompromise në të mirë të çështjes shqiptare.
Duke marrë shkas nga biseda e përfaqsuesit anglez I.Amery,me Nuredin Vlorën lidhur me situatën e krijuar në gushtin e vitit 1944,historiografia komuniste citon se :“Nuredin Vlora,pas këtij takimi,vuri në dijeni kryeministrin,Fiqri Dine,i cili së bashku me „gjeneralin“ pa ushtri Preng Previzin i cili njihej si „komandant i forcave ushtarake shqiptare“ më 18 gusht vrapuan për tek Abaz Kupi,në Krujë“.(Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme,Tiranë,dokumenta të zyrës së shërbimeve strategjike,19 gusht 1944, nr.1475 ).
Natyrisht këta kuazihistorianë të degjeneruar do të bëjnë të paditurin,ngase në mijëra faqe është shkruar se komandant i përgjitshëm atëherë ishte diktatori xhelat E.Hoxha dhe pas tij shkonin mijëra shqiptarë.Kjo ironi për Preng Previzin nuk vlen aspak,përballë asaj vepre madhore së tij,për kombin e vet.Tek e mbramja historia e fund shekullit dëshmoi këtë.
Në vjeshtën e vitit 1944,së bashku me dhjetra nacionalsitë të tjerë shqiptarë,Preng Previzi kalon në Greqi me brengën e madhe për murtajën komuniste që po mbërthente atdheun e vet.Aty,jeta e tij kalon përmes privacionesh të mëdha deri sa një ditë emigron për në belgjikë.Edhe këtu,do të jetonte duke bërë punë nga më të ndryshmet e duke shpresuar sidoqoftë në ditën e nesërme të atdheut.Në familjen Bajaraktari ende sot,ruhet një letër e dërguar prej Prengës,ku i thot Muharremit :
„Malli për Shqipninë po ma than shpirtin,por dashtë zoti e fëmijët tanë kanë mujtë me pi ujë,të lirë, në ato gurra“.
Mbyll sytë në Lelimon të Belgjikës , më 6 shtator 1977,kur ende ishte në valët e punëve për organizimin e emigrantëve shqiptarë në frontin e rezistencës antikomuniste.