-E përcjell në tre ministri, për të marrë opinionet përkatëse/
PRISHTINË, 10 Mars 2017-B.Jashari/ Qeveria e Republikës së Kosovës, pas pranimit në procedurë të rregullt nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të propozuar nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përcjellur dokumentacionin e nevojshëm në Ministrinë e FSK-së, Ministrinë e Integrimit Evropian dhe Ministrinë e Financave, për të marrë opinionet përkatëse.“Në përputhje me procedurat e parapara, dikasteret kompetente të Qeverisë do të japin opinionet e tyre, do të përgatisin deklaratën e ndikimit buxhetor si dhe deklaratën e përafrimit me legjislacionin e BE-së të këtij Projektligji”, thekson njoftimi i sapodërguar sot.Në një komunikatë dje qeveria deklaronte se, “posa të marrë nga Kuvendi Projektligjin me të cilin propozohet që FSK-së t’i jepet roli i ushtrisë, do ta trajtojë sipas rregullores nga Ministria e FSK-së, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Financave, në mënyrë që ai të jetë në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të ketë mbështetje buxhetore”.“Projektligji është propozuar nga presidenti i Republikës së Kosovës, si Komandant Suprem i FSK-së. Për propozimin e këtij Projektligji, kryeministri është njoftuar nga Presidenti më datë 5 mars, para se ai ta bënte publike këtë iniciativë në fjalimin e tij në Kazermën ‘Adem Jashari’, me rastin e Epopesë së UÇK-së”, theksonte komunikata.Qeveria e Republikës së Kosovës shprehej se, “është e përcaktuar që Kosova ta ketë Ushtrinë e saj, në suaza të hapësirës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në mbështetje dhe bashkërenditje me partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”.