Qeveria e Kosovës: Vlerësimet dhe falënderimet më të sinqerta për Ambasadorin e SHBA Greg Delawie/
-Komunikata e dërguar sot thekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të miqësisë, të bashkëpunimit bilateral dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mikut më të madh të Republikës së Kosovës në botë/
PRISHTINË, 20 Shkurt 2016/ Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh indinjatë të thellë dhe dënon ashpër përpjekjet e ulëta për linçim publik, iniciativat denigruese me adresa të dyshimta dhe ofendimet ndaj personalitetit të Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mikut të popullit të Kosovës, Greg Delawie.
Qeveria e Kosovës, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh mirënjohje të përjetshme për përkrahjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për popullin dhe shtetin e Kosovës, në të gjitha etapat historike. Komunikata e dërguar sot thekson përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të miqësisë, të bashkëpunimit bilateral dhe të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mikut më të madh të Republikës së Kosovës në botë.
Qeveria e Kosovës shpreh vlerësimet dhe falënderimet më të sinqerta për Ambasadorin Greg Delawie, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, në fuqizimin e zhvillimit ekonomik, forcimin e shtetit ligjor dhe për avancimin e perspektivës euroatlantike e të demokracisë në Kosovë. Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se përpjekjet e ulëta denigruese të një numri tejet të kufizuar individësh dhe qarqesh parapolitike, të mbështetura edhe nga persona me të kaluar të errët, ndaj personalitetit të Ambasadorit Delawie dhe personaliteteve tjera në Kosovë, janë në kundërshtim të plotë me qëndrimin unanim dhe respektin e palëkundshëm të qytetarëve dhe të skenës politike shtetformuese të Kosovës ndaj personaliteteve të shquara që po e ndihmojnë Kosovën në ecjen e saj drejt vlerave demokratike perëndimore, të përfaqësuara nga SHBA-të.
Me këtë rast, Qeveria e Kosovës shpreh mirënjohje të thellë edhe për të gjithë ambasadorët e kaluar, diplomatët dhe stafin që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë, punëtorët e USAID-it dhe shumë organizatave tjera amerikane në Kosovë. Republika e Kosovës do t’i jetë përjetë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit të saj, thekson deklarata e Qeverisë kosovare./b.j/
* Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Qeveria e Kosovës në mbledhje/