Botimet ne Diaspore/
Romani “ Puthje e Pamundur” Kronikë,e pranveres 97 i shkrimtarit Kristaq Turtullit është një kronikë artistike e ngjarjeve të jashtëzakonshme të vitit 1997 në vendin tonë. Brenda një caku të shkurtër kohor shkrimtari ka mundur të japë dimensionet reale të kësaj pranvere të hidhur, ku vëzhgimi depërton në realitetin e ngjarjeve duke gjetur te ky realitet një lloj absurdi tragjik. Shkrimtari e jeton këtë realitet, ka vëzhgime të holla dhe ka përpunuar emocionet negative që përftohen prej tij. Ai gjen ato fakte, ato probleme e ngjarje që i japin atij mundësi për t’i kthyer në të vërteta artistike, me vlera estetike.
Pas një ripunimi të veprës së botuar në vitin 2003: ‘Çësht jeta e një njeriu’ Shkrimtari Kristaq Turtulliiu iu kthye edhe njëherë këtij libri me vlera të veçanta për ti a paraqitur lexuesit të gjërë.Personazhet e romanit kanë individualitetin e tyre shpirtëror si dhe karakterin përgjithësues, pas tyre mund të qëndrojë çdo njeri tjetër, që ka ato emocione, ato brenga etj. Personazhet janë dhënë në një periudhë të shkurtër kohe, kështu që ata nuk e ndryshojnë dot as rrjedhën e ngjarjeve, as edhe veten e tyre. Ata shfaqin kuptimin që kanë për jetën, hamendësojnë, fajësojnë, thonë një të vërtetë dhe japin një mesazh. Janë, pra, në jetën dhe fatin e tyre.
Shkrimtari Kristaq Turtulli depërton me një mjeshtëri në botën shpirtërore të personazheve, me një realizëm dhe surealizëm tronditës na paraqet realen dhe jorealen, fantastikën dhe tragjiken. Lutjen për identitet dhe mohimin. Krizën e shoqërisë dhe farsën e saj.
Edhe pse ngjarja dhe personazhet janë dhënë në një periudhë të shkurtër kohore, përsëri këto personazhe të kushtëzuar nga ngjarjet e mëdha e tronditëse, nga elementë origjinalë që e mbajnë lexuesin peshë dhe shtjellimi i mëtejshëm është shumë intrigues e të mban ngrehur deri në fjalët e fundit të veprës. Kompozicioni i romanit i ngjeshur, konciz me mjete të fuqishme figurative, me metafora dhe krahasime të goditura, me monologë e dialogë funksionale gjë që e bëjnë romanin edhe më tërheqës dhe intrigues.
Romani është kompozuar me ato linja e detaje që mundësojnë shprehjen e ideve, s’ka mbingarkesë në linja të tepërta e në pasazhe jofunksionale.
Romani “ Puthje e Pamundur” Kronikë,e pranveres 97 ” është një roman realist ku realja gërshetohet dhe me irealen.
Redaktori i romanit
Muharrem Xhaxho, kritik letrar.