Numri i refugjatëve në Liban arrin shifrën prej mbi një milionë sirianë që përbënë një të pestën e numrit të përgjithshëm të këtij vendi.- Kushtet e strehimit janë jashtëzakonisht johumane, që as përafërsisht nuk i plotësojnë as kushtet higjienike e të mos flasim për ndonjë shtrat apo ushqim që është i pamjaftueshëm/
Nga XHAVIT ÇITAKU
Informacionet që arrijnë nga vendi i futur në luftë civile- Siria janë tronditëse dhe siç duket kjo gjendje nuk po ua tërheq vëmendjen në nivel të duhur perëndimit dhe shteteve tjera të fuqishme, të cilat këtë shtet e kanë lënë “pas dore” duke mos gjetur ndonjë zgjidhje bile të përkohshme nëse për asgjë tjetër, për hirë të atyre miliona njerëzve që tash e një kohë të gjatë jetojnë nën kërcënimin e armëve të kalibrave të ndryshëm e deri të ajo gjendje që ka raste kur vdesin edhe nga uria. Shkas për këtë sigurisht se është gjendja eksploduese në Ukrainë, e cila mund të këtë pasoja të rënda jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Ç’është e drejta, varësisht nga rëndësia dhe pesha që mund të këtë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar një rajon i krizës, perëndimi dhe SHBA-të është ajo forcë që vlerëson me këtë rast se përparësi duhet dhënë zgjidhjes së atij problemi dhe atë sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që të pengohet përshkallëzimi i situatës. Këtë përparësi dhe fokus të interesimit tash për tash e ka Ukraina e ballafaquar me aneksimin e territorit të saj nga Rusia hegjemoniste, e cila ka pretendime territoriale edhe ndaj shteteve të tjera fqinje. Megjithatë, do theksuar se ka vend për një angazhim e aktivitet diplomatik, politik dhe humanitar edhe për Sirinë të kapluar nga flakët e luftës, për të cilën gjë tregojnë informacionet që arrijnë nga vendi i ngjarjes e sidomos brengos braktisja e vendit e një numri jashtëzakonisht të madh të sirianëve. Sipas të dhënave më të reja mbi një milionë refugjatë nga Siria kanë ikur dhe janë vendosur në Liban. Gjysma e tyre janë fëmijë. Ky numër kaq i madh i këtyre refugjatëve përbënë një të pestën e numrit të përgjithshëm që ka ky vend fqinjë i Sirisë. Gjendja e këtyre njerëzve me halle të mëdha është e mjerueshme sepse është e pamundur që të gjendet ndonjë strehim që do të mund të shtyhet një ditë në tjetrën. Në të vërtetë, në vendet ku ata janë të strehuar mbretëron një gjendje johumane. Ata janë të vendosur nëpër kthina e pjesë tjera të papërshtatshme që as përafërsisht nuk i plotësojnë as kushtet higjienike e të mos flitet për ndonjë shtrat apo ushqim të mjaftueshëm. Familjet me fëmijë të vegjël janë shumë të dëshpruara për shkak se përkundër përpjekjeve maksimale për të gjetur ndonjë banesë qoftë edhe njëdhomëshe, këtë nuk po e arrijnë dot, ngaqë kapacitet e Libanit janë shumë të kufizuara për t’u dalë ballë këtyre kërkesave enorme. Nga kjo gjendje alarmante në kampet e refugjatëve lexojmë edhe një lajm tjetër tmerrues që e kanë shënuar agjenci të ndryshme të lajmeve. Fjala është për një grua e cila tenton të bëj vetëvrasje duke ia futur vetës flakën në shenjë proteste për mos afrimin e ndihmës së nevojshme për burrin e saj shumë të sëmur. Po ashtu rrëfimi tjetër është edhe më tmerrues kur një familje shtatëanëtarëshe u mbyt në det në përpjekje për të ikur nga ajo gjendje katastrofale që mbretëron në Siri.
Libanezët po e bëjnë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë fqinjëve, por humbjet e mëdha në ekonomi në shumë prej një miliardë e 700 mijë dollarësh gjatë vitit të kaluar , që janë pasojë e kësaj situate lufte në Siri, është e pamundur që të ndihmohet më shumë kjo popullatë. Turistët nuk e vizitojnë më këtë shtet nga frika se mos po iu ndodh më e keqja, ndërsa investitorët e huaj as që shprehin ndonjë interesim për të ngrit farë objekti ekonomik në këtë vend.
Njerëzit në Siri vazhdojnë ta braktisin vendin dhe t’ ia mësyjnë shteteve në kontinente të ndryshme, ndërkaq, të dhënat më të reja të organizatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut bëjnë me dije se deri me tash mbi 150 mijë veta kanë humbur jetën, prej tyre mbi tetë mijë janë fëmijë. Lufta në këtë vend ka hyrë në vitin e saj të dytë të tragjedisë. Dhe gjatë kësaj kohe fëmijët sirianë nuk përjetuan diçka më të mirë pos këtij tmerri, ndaj edhe një gjeneratë e tërë do ta humb perspektivën nëse faktori ndërkombëtar nuk reagon fuqishëm. Është e palogjikshme që Libani të bart vetëm këtë barrë kaq të rëndë të kësaj katastrofe humanitare. Ndërgjegjja po peshon mbi “ kokën” e të gjithë atyre që mund të ndihmojnë këtë popull.
Dhe krejt në fund. Lexova edhe këtë: të shkruash për islamistët dhe terroristët, kjo shkon mirë, për shkakun se kjo në asnjë rrethanë nuk parashikon një luftë të përgjithshme botërore. Sigurisht se lufta civile në Siri nuk rrezikon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, por në këtë rast kemi të bëjmë, në rend të parë, me veprime e aktivitete humane që duhet të ndërmerren për të shpëtuar atë popullatë nga ai tmerr që nuk i dihet e as shihet fundi.