Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI/
–Të mos ndiqet tradhtia e Esat Pashës, duke ia falur Kosovën Veriore ish-Serbisë së Madhe kolonialiste dhe gjenocidale, në emër të “normalizimit të marrëdhënieve” me Serbinë dhe në emër të ashtuquajturit “korrigjim i lehtë i kufijve të Kosovës me Serbinë, sepse ajo do të ishte tradhti ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Pavarësisht se çfarë do të jetë shpërblimi ndërkombëtar për faljen e Kosovës Veriore Serbisë, historia dhe populli shqiptar atë do ta gjykojnë si akt tradhtir të rëndë dhe të pafalshme, ashtu sikurse Esat Pashë Toptanin dikur.
Ndaj, zgjohuni nga “egjra” e politikës mashtruese serbo-sllave, sepse Kosovës së Shqipërisë etnike nuk i duhen “diplomaci e hollë” dhe “diplomatë elastikë” sikurse Esat Pashë Toptani (agjent i sulltanit, aleat dhe mik i ngushtë i serbëve dhe i malazezëve, të cilëve u fali territore shqiptare) i cili, para se t’ia dorëzonte Shkodrën Malit të Zi, më 23 prill 1913, “kishte vrarë gjeneralin Hasan Riza Pasha, kryekomandantin e forcave turke dhe shqiptare vetëm pse kishte dalë në mbrojtjen e Shkdorës nga pushtimi i Malit të Zi.”
Prndaj, nuk ekziston asnjë argument valid qoftë historik, gjeopolitik, diplomatik, apo juridik i së drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare, që përfaqësuesit shtetërorë të Kosovës, të zhvillojnë kurrfarë bisedimesh me palën serbe qoftë në Bruksel, në Vjenë, në Londër, në Berlin, në Nju-Jork apo në Uashington, sepse Kosova nuk është pjesë e territorit të Serbisë, por e Shqipërisë etnike.
Pse ish-Serbia kolonialiste nuk e njeh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës (17 shkurt 2008), kjo nuk do të thotë se ndonjë pjesë e saj është pjesë përbërëse e territorit të Serbisë.
Pse ndërmjetësuesit e BE-së së Dialogut të Brukselit (2011-2019) dhe aleatët e tyre po ushtrojnë trsyni, që patjetër Kosova të vazhdojë atë Dialog të dështuar 9-vjeçar, kjo nuk nënkupton se ndonjë pjesë territoriale e Kosovës i përket Serbisë.
Pse Rusia me VETO-n e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka “betnouar” statusin e Kosovës, kjo nuk do të thotë se Kosova është provincë e Serbisë.
Pse Rezoluta 1244 e KS-së së OKB-së nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kjo nuk do të thotë se Kosova është krahinë e Serbisë.
Pse Kushtetuta e Republikës së Serbisë në fuqi (2006) Kosovën e ka sanksionuar si pjesë integrale të territorit të saj, kjo nuk do të thotë se Kosova është “koloni e ligjshme” serbe.Pra, sa më sipër, as Qeveria e as Kuvendi i Kosovës nuk kanë të drejtë ligjore e as kushtetuese, që të formojnë dhe të autorizojnë “grupe speciale” për t’i dërguar në “Dalogun tekniko-politik” në Bruksel) për të biseduar me palën serbe të Beogradit, sepse statusi politik i Kosovës së pavarur është mbyllur më 17 shkurt 2008.
Nuk nevojitet “Platformë” për copëtimin e territorit Kosovës, POR për shkolonizimin e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës nga Serbia kolonialiste (1878-2019)
Pra “diplomacia e hollë” e Prishtinës dhe e Tiranës, duhet të angazhohen për mbajtjen e një konference ndërkombëtare, që Kosova dhe Shqipëria ta denoncojnë Serbinë për kolonializmin e saj mbi territoret shqiptare (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Novi Pazar). Në këtë kontekst, PLATFORMA STRATEGJIKE e boshtit Tiranë-Prishtinë, domosdo, duhet të përfshijë edhe çështjen e shkolonizimit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi dhe në Greqi. Kjo Platformë, do të duhej bërë nga “asët” e politikës së Tiranës dhe të Prishtinës, jo të negociohet me Serbinë kolonialiste për revidimin e kufijve territorialë të Kosovës së Shqipërisë etnike, ashtu siç po dialogohet me palën serbe në Bruksel (2011-2019).
Sikur Serbia të mos kishte bërë agresion dhe gjenocid në Kosovë, me ç’rast masakroi dhe vrau mbi 12000 shqiptarë, shkretoi dhe e dogji Kosovën (1989-1999), domethënë para luftës, atëherë do të kishte pasur kuptim zhvillimi i dialogut paqësor mes Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës.
Mirëpo, sot, pas gjenocidit të kryer (1989-1999), kur Kosova me ndihmën e Amerikës u pavarësua nga Serbia kolonialiste, çdo dialog me Beogradin për statusin e Kosovës, është në kundërshtim flagrant me të drejtën historike të shqiptarëve mbi Kosovën; është në shpërputhje me normat e parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe me dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara, sepse Kosova si ish-koloni 100-vjeçare e Serbisë, në ASNJË KUPTIM nuk është territor i Serbisë, por historikisht, de fakto dhe de jure i përket Shqipërisë etnike (shek. II – XXI).
Prandaj, nga e drejta e qeveritarëve të Kosovës, që të zhvillojnë dialog me Serbinë dhe me ndërmjetësuesit e BE-së për kufijtë territorialë të Kosovës. Nga e drejta e Serbisë kolonialiste të kërkojë, ose ndarjen, ose shkëmbimin, ose korrigjimin ose ripërkufizimin gjeopolitik të territorit të Kosovës së Shqipërisë etnike?
Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës e as populli shqiptar i Kosovës, nuk duhet të pranojnë asnjë nga opsionet e theksuara politike të “fabrikuara” nga Beogradi dhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sepse Serbia nuk ka asnjë pëllëmbë hise të territorit të Kosovës, e cila 100 vjet më parë ishte vetëm plaçkë koloniale e Serbisë.
Prandaj, as Hashim Thaçi dhe, asnjë lider tjetër politik shqiptar i Kosovës, apo i Shqipërisë së Edi Ramës nuk ka kurrfarë obligimi e as të drejteje, që të negociojë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për statusin e kufijve territorialë të Kosovës, ku Serbia ka vetëm ZERO SOVRANITET në Kosovë dhe minoritetin e saj kolon serb, si dhe kishat e manastiret e tyre, të cilat janë të mbrojtura sipas Planit të Marti Ahtisarit dhe Kushtetutës në fuqi të Republikës së Kosovës (15 qershor 2008). Kjo është e tëra sa i përket Serbisë dhe serbëve në Kosovë.
Vazhdimi i Dialogut të Brukselit (2011-2019) nga ana e palës shqiptare të Kosovës, de fakto dhe de jure është legalizim, mbështetje dhe amnistim i politikës kolonialiste dhe hegjemoniste të Serbisë së madhe mbi shqiptarët dhe mbi territoret e ankesuara dhe të kolonizuara të Shqipërisë etnike: Nishi, Prokupla, Vranja, Leskovci, Bllaca, Kurshumlia, Presheva, Bujanoci, Medvegja , Novi Pazari etj., duke përfshirë edhe pjesën veriore të Republikës së pavarur të Kosovës, e cila, sipas paralajmërimit parashikues të “diplomacisë së hollë dhe elastike” të “korrigjmit të lehtë të kufijve” të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që tani mund të llogaritet se “ është akaparuar” me Beogradin, kinse për ta “këmbyer” me Preshevën, pa Bujanocin dhe pa Medvegjën.