Studiues, Dr. Paulin Marku /
Prishja e Teatrit Kombëtar do të mbetet një kujtesë e hidhur historike për shqiptarët. Jo se është e vetmja vepër e shkatërruar nga qeveria e Kryeministrit Rama gjatë këtyre 7 viteve qeverisje, por për mënyrën e dhunshme dhe tinëzare që përdoren në prishjen e kësaj godine të rëndësishme historike. Shembja e teatrit, më 17 maj 2020 në orën 4.30 të mëngjesit, me ndërhyrje të shumë forcave policore, të cilët përdorën dhunë ndaj artistëve, shoqërisë civile dhe mediave për t’i hapur rrugë prishjes së godinës. Kjo më ngjallë, në kujtesën historike veprat e dhunshme të regjimit diktatorial, kur arrestoheshin e dhunoheshin natën “në emër të partisë si tradhtar të popullit”. Për më tepër, kjo ndodhi në momentin më kritik, ndërkohë që e gjithë Bota po përballet me pandeminë e Covid 19 dhe me menaxhimin e krizës, dhe në të njëjtën kohë qeveria shqiptare kishte shpallur zonë të kuqe Tiranën, me urdhër njerëzit s’duhet të dilnin nga shtëpia. Por, në pabesi nga ana tjetër vërshojnë ekskavatorët për të rrafshuar teatrin dhe për të çuar deri në fund realizimin me sukses të misionit të ndërmarrë prej vitesh nga partia-shtet. Edhe pse Teatri Kombëtar i rezistoi tërmeteve të ndryshme ndër dekada, mjafton të kujtojmë dy tërmetet e fundit të datës 21 shtator e 26 nëntor 2019, ku morën disa jetë njerëzish dhe shkatërruan shumë pallate të reja dhe të vjetra, teatri qëndroi përsëri në këmbë nga forcat mbinatyrore por jo nga dora ekzekutuese e qeverisë Rama. Pra, tërmeti testoi rezistencën e teatrit dhe hodhi poshtë alibinë e fundit që na ishte thënë se Teatri Kombëtar po bie brenda, pasi ishte i ndërtuar me cilësi të dobët.Shpesh dëgjoj të artikulohen shprehje të ndryshme në drejtim të shqiptarëve, si: “çdo popull udhëhiqet nga qeveria që meriton”, “shqiptarët janë mësuar me dajak gjatë diktaturës komuniste, ndaj vetëm dhunë i vë në vijë ata” apo kulmi është kur dëgjon se, “shqiptarët janë dele dhe mirë ua bën kryeministri Rama”, etj… etj.
Jo, joooo unë nuk e gjej vetën në asnjë nga këto shprehje indinjuese, për më tepër nuk e konsideroj veten dele, po ashtu nuk mendoj se, seicili që e lexon këtë shkrim të konsiderojë veten si një dele e kryeministrit Rama. Përkundrazi, mund të pohohet me plot gojën se jemi racë e zgjuar dhe të mirë formuar në fusha të ndryshme shkencore e shoqërore, brenda dhe jashtë vendit, madje shumë veta të diplomuar nëpër universitetet më prestigjioze që ka Bota. Për të vërtetuar këtë, mjafton të kujtojmë këtë periudhë pandemie që po përjetojmë, kur pamë, me zë e me figurë, mjek, infermier, asistent shëndetësorë, forca të rendit apo gazetarë shqiptar nëpër shtete të ndryshme të Botës, të cilët shërbenin me profesionalizëm dhe korrektësi.
Po ashtu, ekziston një tezë tjetër që “shqiptarët nënshtrohen lehtësisht”. Nuk pajtohem me këtë, pasi ne si popull, nuk iu nënshtruam as sundimeve e pushtimeve të ndryshme, edhe atëherë kur na dhunuan fenë, gjuhën, kulturën, traditën, etj, por gjithsesi rezistuam e luftuam për Liri e Pavarësi.
Shqiptarët reaguan edhe gjatë periudhës komuniste, e cila ishte mjaft e ashpër, me vrasje, persekutime, internime e deri në izolimin totalitar të Shqipërisë. Përsëri ia dolëm të mbijetojmë dhe të kthehemi në një pseudodemokraci artificiale dhe me një pluralizëm politik. Pra rezistuam me shekuj ndaj dhunës së të huajve dhe të tanëve.
Këtu lindin disa pyetje spontane: Si arriti ky njeri të nënshtrojë këtë popull atdhedashës që luftoi për Liri e Pavarësi, të cilët nuk kursyen as jetën për interesa Kombëtare, kundër çdo pushtimi?!
Si arriti të realizojë autokracinë z. Rama në të gjithë Shqipërinë!?
A e meriton Shqipëria që pas 30 vitesh, të kthehet në regjim komunist, ndërkohë që akoma plagët e diktaturës janë të hapura dhe muret e burgjeve janë ende të freskëta nga gjaku i shqiptarëve që kundërshtuan apo nuk u bënë palë me regjimin?!
Duhet ta pranojmë publikisht që për fatin tonë të keq, Shqipëria po rrëshqet drejt një sistemi monist, njëpartiak, ku e gjithë Shqipëria sundohet nga një njeri i vetëm, i cili ka kapur çdo institucion, përjashto presidencën e Shqipërisë (?).
Z. Rama na paraqitet në çdo televizion, në çdo kohë e në çdo orar, herë shfaqet si Skënderbeu, herë si Ismail Qemali, e herë-herë si Babai i Kombit, por fatkeqësisht, Ai është një autokrat dhe s’ka asnjë lidhje me figura të ndritura të Kombit Shqiptar. Falë mungesës së sistemit të drejtësisë,duke përfituar në reformimin e gjyqësorit, kapja e të gjitha pushteteve, vendore e lokale nga qeveria-Shtet, si dhe inegzistenca e opozitës reale në tempullin e demokracisë dhe dalja e tyre nga aktiviteti politik i ligjshëm, i jep mundësinë dhe forcë Kryeministrit Rama të instalojë dhunë, frikë dhe të degradojë vendin në një sistem totalitar komunist.
Një tjetër akt i vrasjes së pluralizmit politik në Shqipëri, ishin votimet e vitit 2019 (të cilat nuk kishin mundësi zgjedhje me kandidat alternativ të opozitës), si dhe mos zbatimi i datës së shtyrjes së zgjedhjeve të dekretuara nga Presidenti Meta, i dhanë pushtet të pakundërshtueshëm duke marrë Bashkitë me të gjithë këshillat bashkiak.
Po ashtu, forcën e autokracisë e dëshmoi qartë gjatë qeverisjes së tij, me arrestime dhe dhunime të qytetarëve, mjafton të kujtojmë aktin e fundit të barbarizmit lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar. Edhe pse artistët së bashku me shoqërinë civile ishin kthyer në roje të mbrojtjes nga shembja e teatrit Kombëtar për 27 muaj me rradhë, thuajse do të vërshonin të huajt për të shembur nga inati pasurinë tonë Kombëtare, e jo Kryeministri i vendit që duhet të ishte i pari njeri në mbrojtje të teatri, për më tepër vjen që vjen nga bota e artit. Por, Rama dëshmoi se është i fortë edhe para forcës së ligjit, duke mos pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi Kryetari i Shtetit që duhet të jetë dhe Garanti i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta e kishte dërguar çështjen e Teatrit Kombëtar në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, pa kaluar as 72 orë nga depozitimi i kërkesës së z. Meta, teatri u kthye në një shesh beteje midis forcave të policisë dhe artistëve të mbështetur nga shoqëria civile, ku për pasojë e drejta e tyre mbeti nën gërmadhat e teatrit.
A imagjinon dot njeri se çfarë do të ndodhte nëse do të prekej një pllakë e një vepre monumentale, e jo të prishet që nuk konceptohet as në imagjinatë, në “Teatro dell’Opera” në Romë, “Il Palais Garnier e la Sede Storica dell’Opera Parigina”, “Konzerthaus Berlin”, apo Teatri Kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, etj., se çfarë tërmeti do të shkaktonte?!
Kjo ngjarje nuk do të ndodhte kurrë pasi do të ishte vetë qeveria e para që do të mbronte në çdo monumente kulturore historike.
Ndërsa, në vendin tonë ndodh e kundërta, pasi është vetë qeveria ajo që e shkatërron historinë e Shqipërisë. Pra, ky është edhe kulmi i absurditetit, për të mos i hyrë çështjes, pse duhet të ndërtohet një teatër i ri mbi atë ekzistues, i cili mbarte një histori në vete. Shembja e teatrit kombëtar dhe mosmarrja në konsideratë e rezistencës për mos prishjen e objektit, e as vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, pasi mund të jetë Pro apo kundër dhe dhuna e përdorur ndaj shqiptarëve ishte një demonstrim i pastër, i shfaqjes publike se në Shqipërinë është rikthyer diktatura dhe kryeministri Rama s’pyet për asnjeri.
Sot, në Shqipëri është vrarë shpresa, arti, fjala e lirë dhe çdo term tjetër që karakterizon demokracinë.