
Në memorien historike dhe fetare të arbërve të hershëm në diasporë, një vend të veçantë zë figura e Shën Mërkurit. Ndërsa sot emri i këtij shenjti nuk gjendet shpesh ndër arbërit dhe kisha të kushtuara atij janë të pakta në Greqi dhe në hapësirat ku u shpërngulën arbërit, në shekujt XV–XVI kultit të tij i jepej një rëndësi e madhe. Aristidh Kolia, studiues i arbërëve të Greqisë , ka shkruar se para vitit 1821, kur Shën Gjergji u bë shenjt mbrojtës i revolucionit grek dhe më pas edhe i shtetit grek, popullsia arvanitase kishte për shenjtor mbrojtës Shën Mërkurin. Ky kult lidhej ngushtë me natyrën luftëtare të arbërve dhe të stratiotëve shqiptarë, të cilët shihnin tek Shën Mërkuri figurën e shenjtorit të ushtarit dhe të fitimtarit në betejë.
Një dëshmi e qartë e këtij kulti është përhapja e emrit Mërkur ndër shqiptarët e jugut dhe sidomos ndër arvanitasit. Një nga figurat më të njohura që mban këtë emër është Mërkur Bua Shpata, një nga stratiotët më të shquar shqiptarë të shekullit XV–XVI. Ky emër, i lidhur me kultin e shenjtorit, bartte jo vetëm simbolikën e besimit të krishterë, por edhe një dimension identitar luftarak, duke i dhënë bartësit të emrit një status të lidhur me traditën e fitimtarëve dhe mbrojtësve të besës.
Figura e Mërkur Buas është një nga dëshmitë më të qarta të lidhjes ndërmjet kultit të Shën Mërkurit dhe identitetit luftarak arbëror. Bua ishte komandant i 300 stratiotëve arbër dhe shërbeu në ushtritë më të fuqishme të Evropës. Ai luftoi për perandorin gjerman Maksimiliani I, për Luigjin XII të Francës, për Venedikun, dhe mori pjesë në betejat më të rëndësishme të kohës. Në betejën e Marinjanit (1515), ku përballeshin ushtritë franceze dhe zvicerane, shqiptarët e komanduar nga ai tronditën rendin luftarak të 40 mijë zviceranëve, duke i detyruar të tërhiqeshin. Kronikat evropiane e shënojnë këtë betejë si “fitoren e gjigantëve”, ku 300 kalorës shqiptarë u dukën si një ushtri e tërë.
Historiani dhe poeti Koroneo me gjasë nfa arbërit e Greqisë shkruante për të se ishte pasardhës i Pirros së Epirit, Akilit, Eneas dhe Aleksandrit të Madh – një hiperbolë që dëshmon respektin dhe famën e jashtëzakonshme të këtij luftëtari arbër. Në betejën e Pavias (1525), edhe pse u gjend përballë ish-aleatit të tij, Mbretit Françesk I të Francës, Bua tregoi madhështi të rrallë: kur mbreti francez u mund dhe ra rob, mercenarët katalanas deshën ta vrisnin, por Mërkur Bua ndërhyri dhe ia shpëtoi jetën, duke i dhënë nderimet e një sovrani. Ky gjest përputhej me idealin e Shën Mërkurit luftëtar e të drejtë, duke treguar se për arbërit lufta kishte jo vetëm dimension ushtarak, por edhe etik e shpirtëror.
Aristidh Kolia thekson se kulti i Shën Mërkurit ndër arbërit lidhej me rolet e tyre si ushtarë të diasporës, si stratiotë në Itali, Dalmaci, Francë, Austri, Flandër, Spanjë dhe Prusi. Shën Mërkuri shihej si mbrojtës i jetës së tyre të pasigurt, si garant i fitores dhe i nderit në betejë. Kjo është arsyeja pse emri i tij u bë i zakonshëm dhe pse kisha të shumta në atë kohë i kushtoheshin atij. Fatkeqësisht, me kalimin e shekujve dhe me ndërrimin e prioriteteve të kultit fetar në Greqi, ky shenjt u zhduk pothuajse nga kujtesa kolektive. Sot vetëm rrëfimet historike dhe disa emra të mbetur në gjenealogji e dëshmojnë këtë lidhje të hershme.
Një element i rëndësishëm simbolik është edhe flamuri i dhuruar Mërkur Buas nga perandori Maksimiliani I në vitin 1510, ku përfaqësohej një shqiponjë e zezë dykrenare – simbol tipik i trashëgimisë bizantino-arbëre – dhe shenja heraldike të Dukatit të Burgonjës. Ky flamur është një dëshmi e ndërthurjes së elementit arbër me traditën evropiane, duke treguar se stratiotët shqiptarë nuk humbnin kurrë identitetin e tyre.
Kulti i Shën Mërkurit dhe figura e Mërkur Buas janë pjesë e një trashëgimie të pasur, ku historia, feja dhe identiteti arbëror përzihen në një rrëfim të fuqishëm. Shën Mërkuri si mbrojtës i arbërve, përpara se Shën Gjergji të bëhej shenjt mbrojtës i Greqisë, përfaqëson një shtresë të thellë të kulturës së diasporës shqiptare dhe të rolit të saj ushtarak në Evropë. Figura e Mërkur Buas, nga ana tjetër, mishëron idealet e shenjtorit: trimëri, besnikëri, nder dhe madhështi. Kjo lidhje e veçantë tregon se arbërit, kudo që luftuan, ruajtën jo vetëm armët dhe zakonet e tyre, por edhe një dimension shpirtëror të trashëgimisë së tyre, duke mbetur të pandashëm nga rrënjët e tyre.