Nga Astrit Lulushi/
Për qindra vjet tiparet e fytyrës së tij u tretën, ose u ndërruan deri në mosnjohje; fotografia nuk ishte shpikur, por njerëzit e mbajtën gjallë duke kujtuar heroizmat e tij. Si dukej në të vërtetë Skenderbeu? Përgjigjia është evazive, edhe studiuesit ngrenë supet. Por nga sot e shohim ndryshe këtë Princ evropian, Kryezotin e Arbërit, Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, ashtu siç e fiksoi drejtpërdrejt piktori Gentile Belini, ulur përballë heroit në vitin 1465 në Venecia. Bëmat e tij dihen, pamja e tij mes shqiptarëve erdhi në fund: “Skënderbeu” i Belinit, është zbulim i rrallë historik i Ikonografisë, që nga koha mbi 100 vjeçare kur Konica zbuloi pamjen e flamurit. Kjo pikturë skënderbegiane vjen nga studiuesi me sqimë e virtuozitet Fotaq Andrea. Puna e tij, dhe e studiuesit Dritan Muka, duke rrëmuar nëpër ankande dhe në arkivat mesjetare në Europë, nxjerr në dritë nga pluhurat e kohës portretin e Skënderbeut, krijuar në kohë reale 556 vjet më parë, ndërsa Gjergj Kastrioti ndodhej për një vizitë pune në Venedik. Piktura me titull “Scander Beco” doli në ankand në Nju Jork më 2020, dhe sot ndodhet – besojmë – në duart e ndonjë koleksionisti shqiptar, është nënshkruar nga Gentile Belini, piktor i njohur i Rilindjes Evropiane, bashkëkohës i Skënderbeut. Fotaq Andrea shkëlqeu përsëri pas një serie studimesh të shkruara mbi Heroin Kombëtar.