Familja KULLA në
WATRBURY njofton komunitetin se shërbimet funerale për njeriun e tyre të dashur
Sami KULLA, i cili ndërroi Jetë të Shtunën me 7 Shtator 2019, do të kryhen sot,
ditën e Hënë 9 Shtator 2019 nga ora 5:30 deri në 8:30 p.m. në Shtëpinë Mortore-
The Albini Family Funeral Home- që ndodhet në adresën:, 430 Chase Parkway,
Waterbury, Connecticut- 06708.
Ceremonia e varrimit do të organizohet të Martën
me 10 Shtator 2019 në Shtëpinë Funerale- The Albini Family Funeral Home, ndërsa
arkivoli me trupin e të ndjerit do të përcillet në New Pine Grove Cemetery në
Waterbury, pas ceremonisë në Funeral Home, që nis në orën 10.00 A.M.
***
Po sjell nje fragment nga shkrimi qe kam publikuar ne gazeten ILLYRIA,12 vite me pare, shkrim historik qe i kushtohet familjes KULLA. Shkrimi -dossier titullohej”“Kulla”, fisi që u ndëshkua pse priti Mbretin kur la Shqipërinë…
NGA DALIP GRECA
(Vijim)
****
Arratisja e vëllait të vogël, Nazmiut
Fati i familjes Kulla qe i paracaktuar që me arrestimin e Ganiut dhe Ajdint, që përfunduan në plumba. Pas tyre qe radha e Xhevitit që kurrë nuk arriti ta kuptoi se çfarë faji kishte kryer; më pas do ta kishte radhën që të hynte në burg Beluli. I vogli i vëllezërve, Nazmiu, e përjetoi thellë dramën e më të mëdhenjëve. Zemra do t’i dridhej kur do të mësonte pushkatimin e Ganiut dhe Ajdinit. Viti 1945 do ta gjente aty në vendlindje në Zemblak, por jo në shtëpinë që i kishin lënë trashëgim të parët. Që andej i kishin nxjerrë sapo kishin ardhur në fuqi komunistët. Ata jetonin në haur kafshësh. Jetën mezi e shtynin. Gjithçka u qe konfiksuar, pasuria, shtëpia, bagëtia. Edhe pse ua patën sekuestruar pasurinë sërish u kërkonin të paguanin tatimet e larta të shtetit. U detyruan që të shisnin deri edhe kalin e vetëm që u patën lënë. Çdo ditë jeta bëhej më e vështirë. Sa lanin një plan mbërrinte tjetri. Kërkonin t’i gjunjëzonin. U duhej që të blinin misër në treg të Elbasanit me çmim të kripur dhe të lanin planin e tatimit që u vinte shteti.Por mbi të gjitha jeta ishte e pasigurtë, cdo njerin nga fisi Kulla po e arrestonin radhazi.
– Në këto kushte Nazmiu thuri në mendje planin e arrastisjes, të cilin e realizoi me shumë kujdes. Me vete mori edhe dy nipërit, të cilët kërkonte që t’i hiqte nga thonjtë e diktaturës, e cila nuk kishte për t’u rezervuara tyre të ardhme tjetër veç atë të parardhësve që i pat rrasur burgjeve. Nipërit qenë djem të vegjël; Muhameri dhe Samiu .Rruga e vështirë e mërgimit për ta nisi me arratisjen në Greqi. Forcat e matanë kufirit, i cuan në kampin grek. Muhameri dhe Samiu, që qenë fëmijë, e ruajnë ende në kujtesë kapërcimin e vështirë të kufirit dhe vështirësitë e jetës nëpër kampet greke. Për tre vjet Nazmiu me të dy nipërit do të përballej me jetën e vështirë të kampeve greke. Pas tre vjetësh ai do të merrte rrugën për në Gjermani. Aty do të qëndronin edhe dy vjet të tjera derisa, pas dy vjetësh do t’i merrnin amerikanët dhe do t’i nisnin drejt kontinentit të largët, ku do të kalonin gati 50 vjet pa i parë dhe pa marrë lajme për pjesën tjetër të familjes e cila ndërkohë dergjej ca ndër burgje e ca ndër kampe internimi e ferma bujqësore në zona të izluara, nga ku të mos kishin mundësi që të arratiseshin. Beluli, më i madhi i djemve të Jonuzit, kaloi jetën nëpër kampe; në Peqin, në Bishqem, në rrethinate Divjakës, për të përfunduar në kampine Savrës, ku edhe do të vdiste. Në rrethinat e Lushnjës qe i internuar edhe Nesheti me Vedatin. Lufta e klasave i kositi të gjithë, edhe kushërinjtë do të përfundonin kampeve të internimit. Mediu dhe Tefiku, bijtë e Sabriut , u internua në Çermë, Savër, Gjazë të Lushnjës.
– Ditët e para të përmbysjes së sistemit komunist fisin Kulla e gjeti të shpërndarë; ca në Amerikë, ca në Kanada , ca në Austri, ndërsa një pjesë ende dergjeshin kampeve të përqëndrimit apo në zonat e izoluara bujqësore.
Sami Kulla:U arratisëm jo për të fituar dollarë
– Sami Kulla, në bisedën që bëmë të dielën pasdite me 4 prill më sqaron se është arratisur nga Shqipëria jo në moshën 12, por 15 vjeçare. Atëherë shteti e kishtë dërguar që të punonte vullnetar në hekurudhë.
– – Ndodhesha në Fushë-Mbret, kujton ai. Nazmiu qe ushtar atëherë dhe e njihte mjaft mirë vijëne kufirit. E dinte shumë mirë se kur dhe si duhet të kalohej kufirit, megjithse nuk qe gjë aq e lehtë. Na u desh që të kalonim 6 seri të minuara. Por gjithçka kaloi pa pasoja ngaqë së bashku me ta ishin edhe Bilal Kalaja me të shoqen Shega, Doko Kalaja, Alithemiu, që qe specialist i minave, përvojë që e kishte fituar në ushtri.Kalimi i kufirit u bë me 3 shtator 1950
– Bashkimi me të afrmit e tjerë, Samiu kujton se u bë në kampin e Lavros, Greqi. Ai kujton se atëherë pati një ftesë nga vajza e Ganiut, babai i sëcilës qe pushkatura me 20 qershor 1945. Ajo pat ikur shpejt në Kanada dhe e ftoi edhe Samiun që të shkonte atje. Por përgjigja e Samiut qe e prerë:- Ne nuk kemi lënë Shqipërinë për të fituar dollarë, ne kemi dalë që të armatosemi, të stërvitemi dhe të kthehemi që të çlirojmë Shqipërinë nga Komunizmi.
- Kur morëm rrugën për jashtë Shqipërisë ne kishim dëgjuar për krijimin e Komitetit Shqipëria e Lirë dhe mendonim se duhej të përgatiteshim për t’u rikthyer për ta çliruar vendin, por ashtu si rrodhën ngjarjet qe e pamundur.
Dështimi i desantimeve, tradhëtia e anglezit Filbi, kapja e Hamit Majanit , loja e Sigurimit Shqiptar, bëri që të kërkonim rrugë të tjera nëpër botë… Dhe Samiu mori rrugën drejt Francës, ku qëndroi shumë vite, më pas do të shkonte në Kanada, e pasi do të rrinte ca vite edhe atje, do të merrte rrugën drejt Amerikës…… Kudo që shkoi, Samiu la gjurmët e derës dhe fisit nga vinte. Pronari francez edhe tani e kujton sjelljen e tij ët përsosur. Madje, para ca kohësh, kur një grup specialistësh të bujqësisë(agronomë) nga Shqipëria kishin shkuar në Francë, pikërisht në zonën ku ka pas jetuar dhe banuar Samiu, pronari francez, pasi i kishte pyetur se nga vinin, kishte lëvduar shumë shqiptarin Sami Kulla, që dikur kishte punuar për të. Shqiptarët e kishin ndjerë veten të përkëdhelur në sedër dhe njëri prej tyre i kishte telefonuar Samiut. Dhe ia kishte rrëfyer me krenari lëvdatëne francezit…
Ndërsa kur ishte në Kanada, nuk numërohen rastet e bamirësisë së tij ndaj shqiptarëve. Kur gazetat e Torontos flisnin për një shqiptare që mbeti rrugëve pas aksidentimit të të shoqit, dhe pa mundësi jetese, Samiu iu gjend për shumë kohë, derisa i shoqi iu rimëkëmb. Nuk është ky i vetmi rast, ndërkohë që në Cunnectikat, ku është vendosur prej kohësh, nuk numërohen mirësitë e tij ndaj shqiptarëve të porsa ardhur.Derë e hapur këtu në Amerikë si dikur dera e madhe në Zemblak…
Syrgjynosja e së shoqes dhe të birit të Ajdin Kullës
Në kohën kur Ajdin Kulla përgatitej për jetën e përtejshme; në kohën kur ai shkruante testamentin e tij të pavdeksisë, e shoqja Fidaria, qe nuse e re. Në testamentin e tij Ajdini lë vend edhe për shoqen e jetës, fatin e tij, që e pat dashur aq shumë. I ka shkruar përmes Testamentit nënës së tij, padyshim dhe vëllezërve. U është lutur përmes rreshtave të asaj letre-testament:”Pyeteni nusen nëse mbas pushkatimit tim ajo do të dëshirojë të qëndrojë e pamartuar apo jo….”
Shoqja e tij e jetës, Fidaria nuk u nda nga fati i saj i parë, edhe pse ai kishte ikur nga kjo botë aq shpejt. Bashkshortja besnike e lidhi jetën e vet, me djalin Jonuzin dhe me vajzën Luden.Mëma e gjorë u lidh fort pas fëmijëve dhe i mbrojti ata nga të këqiat e asaj jete plot rreziqe;për 40 e ca vjet jetuan të internuar në kodrat e Dumresë, diku në rrethinat e thella të Belshit.
Pikërisht i biri i Ajdinit, Jonuz Kulla, që mban emrin e Jonuzit, luftëtarit që pat komanduar trimat e asaj ane, të cilët patën luftuar kundër turqëve, grekëve, bullgarëve, i pat treguar profesorit të shquar, historianit të Kosovës, Zekeria Cana, aktakuzën e tmerrshme”Ajdin Kulla dënohet për agjitacion dhe propagandë, koshient për Shqipërinë Etnike!” Kjo ka ndodhur atë ditë, ku gjithçka qe ndryshe: Qe shembur komunizmi si sistem(I vetmi privilegj që u krijua për të përndjekurit që zhvarrimi dhe rivarrimi).
…. Ngjarjet zhvilloheshin po atje, ku qe hapur ajo gropa e madhe, ku me 20 qershor 1945 qenë pushkatuar si tradhëtar ata trima që ranë mbi njeri-tjetrin me thirrjen :”Rroftë Shqipëria…Rroftë Flamuri! Ndërsa Ai, 32 vjeçari, Ajdin Kulla, që në çastin e largimit nga burgu drejt vendvrasjes, i pat ngritur peshë zemrat e të burgosurve antikomunistë, duke u lënë amanet Shqipërinë. Ishin të njëjtat fjalë që i dolën nga gjoksi edhe në kohëpushkatimin:Amanet Shqipërinë! Pikërisht atë ditë të ngrohtë vere të vitit 1992, mizëri njerëz qenë mbledhur pranë gropës, ku preheshin të pushkatuarit e pafajshëm pse deshën Shqipërinë. Aty pranë gropës pat ardhë atë ditë edhe Fidaria 80 vjeçare, e cila 47 vjet të shkuara, në një natë pa hënë, pat rrezikuar jetën e vet. Ajo pat ardhur aty tek gropa së bashku me gra të tjera si; të shoqen e Zyhdi Tapisë, të bijën e Sheh Qerimit dhe gra të tjera dhe pasi patën hapur gropën, secilit trup i kishin vënë përbri nga një shishe të taposur me nga një letër ku shkruhej emri i seicilit. Ditën që u gërmua gropa pas 47 vjetësh, njerëzit shtangën kur i panë dy skeletet përmbys, ku krahu i njërit ende qëndronte mbi shpatullën e tjetrit, ishin ata; xhaxha dhe nip, Xha Ganiu, i quajturi beu i Zemblakut dhe i nipi, Ajdini.
Në atë ceremoni rivarrrimi, i biri i Ajdinit, nxjerr kopjen e Vendimit të Gjyqit, ku shkruhej e bardha mbi tëzezë:”Ajdin Kulla…Gjykata Ushtarake e dënon me vdekje… koshient i Shqipërisë Etnike”…
Po çfarë mendon sot i biri Ajdin Kullës-Jonuzi(i riu)?
Jonuzi e ka përjetuar gjatë humbjen e të atit, Ajdinit. Ai qe një ndër ata që së bashku me nënën dhe të motrën e provuan në shpinë peshën e vuajtjes. Ishin me baba të pushkatuar dhe kjo ishte e mjafët për t’u futur në radhën e të padëshiruarve të rrezikshëm. Por ai nuk do të flasë për vuajtjet e veta, të motrës dhe të nënës nëpër kampet e internimit.
– Ata na kishin vënë në shënjestër dhe ne ishim të destinuar që të vuanim, ndërsa një pjesë jona qe kontigjent për vdekje, më thotë ai dhe parashtron faktet: Pas pushkatimit të Xha Ganiut dhe tim eti, i erdhi radha që të arrestohej Beluli, Mediu, Tefiku, Hymeti.Po i vinin rrotull Nazmiut, vetëm ai pat mbetur dhe si duket ata kishin pritur që të rritej dhe pak. Kur ata po i afroheshin, Nazmiu mori nipërit dhe u arratis. Mos harro se një pjesë ashtu shpëtuan, duke u arratisur; kanë ikur 60 burra dhe gra prej Zemblakut.Nga shënjestra e diktaturës nuk shpëtuan as nipërit, thotë Jonuzi dhe rreshton emrat e Kullëve të tjerë:Hado, Enveri, Sefedini, Fikriu, Selmani, Qerimi….Kush s’mundi të largohej përfundoi në pranga; Faslli Kulla vdiq në tortura, qe vetëm 17 vjeç, se ç’farë i sajuan një aktakuzë koti; ka qenë korrier i diversantëve; Shaban Kulla kaloi 10 vjet në burg, sapo u lirua, vdiq….Jo vetëm nipërit, por edhe kushërinjtë u përcaktuan të padëshiruar. S’bënë përjashtim nga ky rregull as Feridi dhe Muhameri,(jo ky që u arartis) Ibrahimi, Avniu, Mustafaj…Një pjesë vdiqën internimeve si gruaja e Mediut, Kalemi dhe Hedija prindërit e Selmanit….
Pas hesh ca çaste Jonuzi shpërthen:- A e beson se ata, Ramiz Alia me të vetët e realizuan atë që deshën? Na përzunë të gjithëve nga Shqipëria, edhe ne që qemë nëpër kampe u detyruam të merrnim rrugët e mërgimit. Nuk na kanë kthyer asgjë nga pasuria jonë. Dhe kjo është bërë me qëllim të lig. A e ke vënë re se kosovarët janë më të lidhur me Kosovën? Ata janë të motivuar, kanë atje një tokë, kanë një shtëpi, kanë diçka, ndërsa ne asgjë nuk kemi tonën. edhe shtëpinë e madhe tonën, vetëm në letra e kemi…Pse ç’është Atdheu? Ja ajo shtëpia, ajo toka, që ende se kemi toonë…Atdheu nuk është në ajër…..
Vizita e Mbretit
Pushimi i Mbretit Zog i në shtëpinë e Kullëve në Zemblak është përfolur shpesh nga shtypi. Është e vërtetë se Mbreti ka qëndruar në atë shtëpi dhe është pritur me gjithë të mirat. Aty familja mbretërore ka qëndruar një natë. Pasi ata u plotësuan me dokumentacionin e nevojshëm nga pala greke, morën rrugën për matanë. Oficeri i Gardës Mbretërore Medi Kulla si dhe Gjeneral Aranitasi, shoqëruan oborrin Mbretëror deri në Follorinë.Por nuk është e vërtetë ajo që shkruan shtypi se gjoja ishte vetëm ajo vizitë që e bëri Zemblakun fshat me biografi të keqe. E vërteta është ajo që u shkrua në radhët e këtij shkrimi:Zemblaku qe një fshat nacionalist dhe bijtë e tij u çuan në plumb, ndërsa ata që mbetën gjallë provuan burgjet, internimet dhe survejimet. Është shkruar se Kullët nuk qenë me Mbretin, por qenë të inkuadruar me Ballin. Në të vërtetë Jonuz Kulla-Plaku, qe emëruar nga Mbreti Oficer rezerve. Ai, Jonuzi, qe krenar për këtë titull dhe e justifikoi atë deri në ditvdekjen e vet.
Në vend të mbylljes…
Familja e madhe Kulla, deri në kohën kur komunizmi nuk kishte ardhur në fuqi, jetonte e bashkuar në Sarajet e veta. Kjo familje me tradita fisnike , e njohur edhe për bujari në të gjithë zonën, numëronte në radhët e veta 43 pjestarë. Ajo qe krenare se futej ndër ato familje që i kishte dhënë Shqipërisë luftëtarë në çdo brez. Jo vetëm pse, Jonuz Kulla-Plaku, qe luftëtar i njohur dhe me çetën e tij pat firmosur në të gjitha luftrat: Në Kapshticë, me 1910, 1911, 1912, në Zvezdë, Pojan pat luftuar me bullgarët, ku la të vrarë luftëtarët e tij besnik Muharremin me gjithë të kushëririn,të atin e Mazarit e të atin e Hamdiut; të cilët qenë nipër të Jonuzit. Jonuzi me çetën e tij u përpoq të merrte hak për masakrat e grekëve, të cilët pasi mblodhën burrat e Plasës së Poshtme të Korcës, i futi të gjithë në xhami dhe i kositi me plumba;kurse fëmijët e vegjël i nxori në lëmë dhe i shtypi me kuaj…Jonuzi me çetën qe krahu i djathtë i francezëve për të mbrojtur Korçën. Në ato luftime Jonuzi do të merrte një plagë në këmbën e djathtë , që do ta linte me shenjë gjatë të gjithë jetës. Kur gjenerali francez u kërkoi korçarëve një njeri besnik që ta shoqëronte Korça zgjodhi Sabrinë, vëllanë e Jonuzit, pasi vetë Jonuzi tashmë e tërhiqte zvarrë këmbën e plagosur në luftë kundër austriakëve. Pas ngritjes së Flamurit në Vlorë, ku mori pjesë edhe Jonuzi, ngjarjet u çvendosën në Korçë. Themistokli Gërmenji bashkë me Jonuzin, marshuan me luftëtarët e tyre nga Pogradeci në Pllocë, në Potgorije, Shëngjergj, Pojan, Pendavinj, hynë dhe në Korçë dhe valvitën flamurin kuq e zi me shkabën dykrenare. Ka qenë ruajtur një fotografi hyrja e tyre triumfuese, por pas ’45-sës, fotografia e Jonuzit u hoq. Atij i qe prishur biografia, edhe pse pat vdekur që më 1931.
Parimi i luftës së klasave do ta gjakoste familjen Kulla, duke u hequr të drejtën e jetës disa prej pjestarëve të saj, të tjerët i stërmundoi dhe i syrgjynosi kampeve të internimit dhe burgjeve.
Ja bilanci i masakrimit të kësaj familje:
Të pushkatuar
1- Gani Kulla 1945
2- Ajdin Kulla 1945
3- Rapo Kulla 1945
4- Fuat Kulla 1951(Varur në litar)
5- Fazli Kulla 1951(Vdiq në burg gjatë torturave)
Të burgosur
1-Xhevit Kulla
2- Belul Kulla
3- Medi Kulla
4- Tefik Kulla
5-Hymet Kulla
6-Shaban Kulla
7-Ridvan Kulla
Pjestarët e tjerë të kësaj familje provuan jetën me apel nëpër kampet e internimit, punën e vështirë në zona të izoluara të Shqipërisë dhe mohimin e arsimimit të fëmijëve
Detaje nga një pjesë e vuajtjeve do të sjellë ditari i Xhevit Kullës, të cilin do ta botojmë në origjinal në numrin e ardhshëm…