-Rreth 15 mijë veta kanë marrë pjesë në protestën e sotme në Prishtinë, sipas Policisë së Kosovës/
-Protesta e opozitës përfundon me thirrje për 27 shkurt nëse nuk dorëhiqet qeveria/
-Mustafa e Thaçi: Qeveria nuk do japë dorëheqje, e ka mandatin e votës së lirë të popullit të Kosovës/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 17 Shkurt 2016/ Protesta e opozitës kosovare në Prishtinë u shpall e përfunuar dhe qetë me paralajmërimin për protestë tjetër në 27 shkurt nëse deri atëherë nuk dorëhiqet qeveria e nuk shpallen zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare. Por, protestuesit u ftuan në shesh edhe për të premtën, kur është seanca e Kuvendit të Kosovës, mbajtjen e së cilës e kundërshton opozita e bashkuar, e cila po bllokon seancat që nga fundvera e kaluar edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën plenare e jashtë saj. Qytetarët u ftuan që të pamundësohet zgjedhja eventuale e Presidentit nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas komunikatës së përbashkët të tre partive organizatore, të dërguar pak më parë, më shumë se 100.000 qytetarë të Republikës së Kosovës dolën sot në protestën e thirrur nga opozita e bashkuar, për shtet me sovranitet dhe kundër qeverisë antikushtetuese.
“Pjesëmarrësit kanë ardhur prej të gjitha anëve të Kosovës, prej qyteteve e fshatrave, e masivisht prej kryeqytetit, Prishtinës. Protesta nisi në orën 14:00 te Biblioteka Kombëtare dhe vazhdoi në formë marshimi deri te Sheshi Skënderbe. Aty qytetarëve iu drejtuan me fjalime deputetë e udhëheqës të subjekteve opozitare, Nismës për Kosovën, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje”, thekson deklarata.Populli i Kosovës, vijon opozita e bashkuar, është ngritur në këmbë, masivisht, për t’i kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, dhe për ta kundërshtuar këtë qeveri që me çdo kusht po i shtyn këto marrëveshje përpara. “Një qeveri që e ka shkelur 23 herë Kushtetutën e vendit, nuk ka legjitimitet e as legalitet ta udhëheqë vendin”, thuhet në deklaratën e opozitës.Sipas opozitës së bashkuar, marrëveshjet tashmë janë anuluar prej verdiktit popullor, dhe kësaj qeverie i mbetet vetëm të largohet, menjëherë. “Këtë po e kërkon sot populli i Kosovës, në sheshet e Prishtinës, në protestën më të madhe të pasluftës në Kosovë. Nëse qeveria nuk e dëgjon fjalën e popullit, atëherë protestat do të bëhen intensive e të pandërprera. Sot populli me prezencën dhe zërin e tij e ka shkarkuar qeverinë e Kosovës”, përfundon komunikata e opozitës.
Rreth 15 mijë veta kanë marrë pjesë në protestën e sotme në Prishtinë, sipas Policisë së Kosovës, derisa sipas organizatorëve, opozitës së bashkuar, ishin mbi 100 mijë.
Policia e Kosovës thekson se protesta e sotme është mbajtur nga ora 14:00 deri 16:00. “Policia e Kosovës njofton se protesta e mbajtur sot në Prishtinë ka qenë e qetë dhe nuk është shënuar asnjë incident. Në këtë protestë sipas vlerësimeve afërsisht kanë marr pjesë rreth 15 000 protestues”, thekson komunikata e dërguar.
Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi në një konferencë shtypi pas protestës së opozitës theksuan se qeveria nuk do japë dorëheqje se e ka mandatin e votës së lirë të popullit të Kosovës.
Ata u shprehën se, qeveria e Kosovës është e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatit që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit”.
Foto- Prishtine 17 Shkurt 2016. Foto Gazeta Dielli-Behlul Jashari/