Sokol Paja/
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra bashkoi patriotët shqiptarë nga të gjitha shtetet e Amerikës, Kanadasë e Europës në New York dhe festuan me gëzim e madhështi 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Me pjesëmarrjen ekskluzive të Ambasador Frenk Wisner, Konsullit të Nderit të Shqipërisë Ekrem Bardha, patriotit të madh Jim Xhema, ish-Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, Mark Gjonaj, Irfan Hysenbelliu, Harry Bajraktari e shumë personalitete të shquara të kombit tonë e bënë mbrëmjen patriotike të paharrueshme. Në një ceremoni mbresëlënëse patriotike: patriotë shqiptarë, autoritete fetare, veprimtarë, kontribues të çështjes kombëtare, përfaqësues të të gjitha shoqatave shqiptare, vatranë, media, familje patriotike shqiptare në diasporën e Amerikës, përfaqësues zyrtar shtetëror nga Prishtina e Tirana, deputetë, ish-kryeministra, ish-ambasadorë, profesorë, miq e të ftuar, festuan për orë të tëra nën tingujt e muzikës së mrekullueshme shqiptare me gëzim, krenari e vëllazëri. 28 Nëntori, festa e Flamurit Kombëtar si themeli dhe identiteti ynë kombëtar shqiptar bashkoi si kurrë më parë shqiptarët nën një flamur për të festuar dhe uruar njëri-tjetrin në ditën e lirisë së shtetit e kombit shqiptar. Pavarësia si datë e veçantë në kalendarin e shtetit dhe të kombit shqiptar ku Vatra ka meritë historike në të gjitha fazat historike ku ka kaluar shteti e kombi ynë. Nën drejtimin brilant të dr.Pashko Camaj, mbrëmja patriotike filloi me këndimin e dy himneve kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga Mikela Nonaj dhe himinin kombëtar të Shqipërisë nga Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh). Më pas fjalën e mori kryetari i Vatrës i cili u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe renditi në mënyrë kronolgjike rëndësinë e datës historike të 28 Nëntorit dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Vatrës në dobi të shtetit e kombit shqiptar. Imam Edin Gjoni bekoi darkën e Pavarësisë dhe u ndal ndër të tjera te kontributi i burrave të shquar të kombit në pavarësinë e Shqipërisë dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen kombëtare. Konsulli i Nderit z.Ekrem Bardha, Ambasador Frenk Wisner dhe Jim Xhema në fjalimet e tyre përshëndetëse për të pranishmit kaluan në retrospektive festimet e Pavarësisë së Shqipërisë, ndihmën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Kombit shqiptar sidomos në Pavarësinë e Kosovës dhe në mbështetjen e vazhdueshme të çështjes shqiptare në institucionet amerikane. Ata u ndalen dhe në kontributin dhe rolin e Vatrës si një instutucion i fortë atdhedashurie në mërgatën shqiptare të Amerikës, si një bashkësi patriotike historike në përpjekjen për shqiptarinë, historinë kombëtare të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këngëtarët Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh), si drejtues artistik dhe kryetar i Darkës Gala organizoi dhe performoi në mënyrë të shkëlqyer bashkë me Grupin Rozafati të drejtuar nga koreografe Angjelina Nika (Mjeshtër i Madh), këngëtaret e mirënjohur Alberie Hadergjonaj, Barbana Dini, Argjend Lloga, duke e shëndërruar këtë festë patriotike në një natë magjike me mbresa të jashtëzakonshme te të gjithë pjesëmarrësit. Si kurrë më parë, Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra udhëhoqi festimet dhe organizimet solemne të festimit të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ku Vatra ka pjesën e saj të jashtëzakonshme në historinë e shtetit shqiptar, tregoi edhe këtë herë forcën, seriozitetin, shpirtin e saj patriotik në organizimet kombëtare në nder të flamurit e historisë sonë kombëtare. Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra me rastin e Festës së Flamurit Kombëtar dhe të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nderoi me: “Mirënjohje” miq të kombit tonë, personalitete të shquara të diasporës shqiptare në Amerikë e më gjërë për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në dobi të çështjes kombëtare dhe fushave të spikatura me dobi dhe interes publik kombëtar. Drejtuesit më të lartë të Vatrës kryetari Elmi Berisha, nëkryetari Alfons Grishaj, Presidenti i Nderit Agim Rexhaj, Kryetari i Këshillit të Vatrës Kolec Ndoja, përgjegjësi për degët, lobimin, zgjerimin dhe bashkëpunimin Mondi Rakaj nderuan me Mirënjohje: Ambasador Frenk Wisner, Ekrem Bardha, Avdullah Hoti, Irfan Hysenbelliu, Adem Belliu, Beqir Sina, Dritan Haxhia, Agim Aliçkaj, Bajram Hajdarmetaj, Sandra Bojaj (Tv Boin), Lulash Palushaj, Anton Raja, Halil Mula, Ruzhdija Axhoviq. Gëzuar Pavarësinë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë Shqiptarët, Zoti i bekoftë miqtë dhe aleatët e përjetshëm të popullit, shtetit e Kombit Shqiptar.