KOSOVA PARA 20 VITEVE-RUGOVA BETOHEJ: TËRË FUQINË PËR PAVARËSINË/
-Kosova para 20 viteve, në 16 korrik 1998, Kuvend në kohë lufte. Presidenti Ibrahim Rugova: Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj…/
-Deputetët: Betohem se do të angazhohem me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës…
-Pas zgjedhjeve të 22 marsit 1998 e para seancës konstituive të Kuvendit, më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton/
-Para 20 viteve, në 16 korrik 1998, raportova drejtpërdrejtë nga seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës në kohë lufte dhe ndërhyrja aty e forcave serbe/
-Raportimi i 16 korrikut 1998: Ne Prishtine u konstitua Parlamenti i Republikes se Kosoves/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI(Per me shume foto shkoni ne Facebook(dielli vatra)
PRISHTINË, 16 Korrik 2018/ Ishte luftë, dhe edhe pikërisht para 20 viteve, në 16 korrik 1998, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova betohej se tërë fuqinë e tij do ia kushtojë arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës. Ai betohej në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, që arriti të mbahej pak para se të arrinin forcat serbe me armatim të rëndë lufte, me blinda e tanke…
Korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI Behlul Jashari, atëherë si korrespondent i Agjencisë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – ATSH, ishte ndër gazetarët e paktë në atë seancë Kuvendi në kushte e rrethana të jashtëzakonshme dhe e rikujton:Kosova në kohë lufte, para 20 viteve, mbajti zgjedhje në 22 mars dhe në 16 korrik 1998 konstituoi Kuvendin që nuk kishte arritur ta konstituonte pas zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 majit 1992 të Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Seanca konstituive e Kuvendit u mbajt në shtëpinë e shkrimtarëve, që u shndërrua në seli të Presidencës e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, në sallën që ishte e vogël për ngjarjen e madhe, ku ishte gritur flamuri kombëtar shqiptar dhe u intonua Himni i Flamurit.
Deputetët, të zgjedhurit e popullit që kishin ardhë edhe nga zonat e luftimeve, zgjodhën me aklamacion akademik Idriz Ajetin për kryetar të Kuvendit dhe tre nënkryetarë, ndërsa u betuan se, “do të angazhohen me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Zgjedhjet ishin edhe presidenciale dhe i zgjedhuri për herë të dytë, Presidenti Ibrahim Rugova, dha poashtu betimin: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Betohem”.
Në seancën e nisur në orën 12:30, ku u bënë nderimet më të larta për të rënët për lirinë e pavarësinë e Kosovës, u miratua propozimi që Kuvendi të nxjerrë një Deklaratë për gjendjen në vend, e cila theksonte se, Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës.
“Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhej fillimisht në Deklaratë.
Theksohej se, “i dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës”, po nxirrte Deklaratën.
Seanca konstituive e Kuvendit zhvillohej nën shtetrrethimin ushtarako-policor që Beogradi kishte vendosur në Kosovë që u dyfishua edhe me rrethimin nga forcat serbe me armatime e makineri luftarake që mbërritën te ndërtesa, madje edhe hynë brenda dhe konfiskuan dosje e dokumete… Raportoja drejpërdrejtë për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë -ATSH e Radio Televizionin Shqiptar – RTSH dhe me një kasetofon special të vogël e të fshehur, që ma kishte dërguar vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, bëja gjithë audioincizimin e zhvillimeve, ku dëgjohej edhe uturima e blindave-tankeve serbe. Pjesë e zhvillimeve, derisa vazhdonte ndërhyrja e forcave serbe, ishte edhe ardhja e shpejtë brenda selisë, ku ishin Presidenti Rugova e deputetët kosovarë, e diplomatëve amerikanë – e Nikollas Hill, sekretar i parë në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, që ndodhej atë ditë në kryeqytetin kosovar dha nga Zyra Amerikane në Prishtinë, që ishte hapur nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 6 qershor 1996 dhe shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.
Në prag të zgjedhjeve kosovare parlamentare e presidenciale të para 20 viteve, Kongresi Amerikan kishte miratuar një rezolutë, në të cilën, krahas kërkesës që SHBA-të të mos lejojnë të përsëritet një Bosnje tjetër në Ballkan, kërkohej që zgjedhjet në Kosovë të mos pengoheshin. “Ne kemi një shprehje në anglisht: ‘zgjedhje në hije’. Por, ne presim me padurim që kosovarët të mbajnë zgjedhje në dritën e diellit”, deklaronte Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit, Strob Talbot.
Pas zgjedhjeve të 22 marsit 1998 e para seancës konstituive të Kuvendit, më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Dhe, në mbrëmjen e 24 marsit 1999, kur ndodhi ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s me bombardimin e caqeve të forcave kriminale serbe, në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve të goditjeve nga qielli të aviacionit të forcës më të madhe planetare shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodhë në Kosovë është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.
Njëmbëdhjet vite më vonë, në 1 nëntor 2009, në Kosovën e lirë, Presidenti amerikan Bill Clinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në Sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton gjatë vizitës në Kosovë.
Kosova para 28 vitesh, në 2 Korrik 1990, miratoi në Kuvend Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e saj. Më pas, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990. Në fundshtatorin 1991 Kosova mbajti Referendumin për pavarësi, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.
Kosova është e lirë 19 vite, nga 12 Qershori 1999, kur nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s. Pavarësia e Kosovës, e shpallur para 10 viteve, në 17 Shkurtin historik 2008, është njohur deri tani nga 116 shtete të botës anëtare OKB-së
DEKLARATË E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
-Le të bashkojmë në një unitet të sinqertë të gjitha forcat politike shqiptare, të gjitha potencialet fizike e mendore, morale e politike, në frontin e përbashkët të qëndresës dhe të pavarësisë sonë. Të bashkëpunojmë më tepër dhe të bashkërendojmë përpjekjet me të gjithë ata që mund dhe duhet të na ndihmojnë, me Republikën e Shqipërisë, me viset shqiptare jashtë saj dhe me diasporën/
PRISHTINË, 22 KORRIK 1998
Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli sot një Deklaratë nga mbledhja konstitutive e datës 16 korrik 1998. Në Deklaratën ë nënshkruar nga kryetari i Kuvendit, akademik Idriz Ajeti, shprehen qëndrimet e organit ligjdhënës të Republikës për çështje dhe probleme të ndryshme të aktualitetit të Kosovës.
Në tekstin e deklaratës përkujtohet mes tjerash se Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës.
Më posht po e japim të plotë Deklaratën.
D E K L A R A T Ë
Nga mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës
Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës.
I dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarës, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Është dhe do të jetë:
– institucion që artikulon qartë dhe fuqishëm aspiratat dhe vendosmërinë e popullit të Kosovës për liri e pavarësi;
– institucion që shpreh dhe orienton interesin dhe veprimin e popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të Kosovës për zhvillim të lirë e demokratik;
– organ i bashkimit politik të popullit të Kosovës dhe i orientimit të përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes së Kosovës parësisht me rrugë politike e me mjete paqësore, në bazë të rezultateve të Referendumit të vitit 1991, në mbështetje të parimeve të vetvendosjes e të demokratizimit dhe të parimeve të tjera të vlefshme në raportet e sotme ndërkombëtare.
Pikërisht si shprehje e aspiratave për pavarësi dhe e vendosmërisë për realizimin e saj, si institucion dhe faktor i pavarësimit, Kuvendi i Republikës së Kosovës është përfaqësues i të gjithë atyre për të cilët pavarësia dhe demokratizimi janë orientime themelore, përtej përkatësive politike e partiake dhe dallimeve të tjera eventuale.
Për t’i kryer funksionet e veta themelore në rrethanat konkrete,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
do të përpiqet të jetë:
– institucion i bashkimit politik dhe i konsenzusit thelbësor të të gjitha forcave politike në Kosovë;
– institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës;
– organ i besimit të mirë dhe i bashkëpunimit të barabartë të të gjithë popujve të Kosovës;
– organ i afirmimit të mëtejshëm ndërkombëtar të përpjekjeve tona çlirimtare në përputhje dhe në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare;
– organ i normëzimit demokratik të marrëdhënieve dhe i garantimit të lirive dhe të të drejtave individuale e kolektive, politike e kombëtare.
Kuvendi i Republikës së Kosovës u konstituua dhe po fillon të funksionojë në rrethana tejet të rënda, komplekse dhe të rrezikshme. Sundimi serb po e shtyp Kosovën me tërë peshën, me qëllim që ta nënshtrojë popullin e saj. Kosova tashmë po hynnë një luftë, që mund të jetë shumë më e përgjakshme dhe më rrënimtare. Për Kosovën dhe të ardhmën e saj këto janë ditë vendimtare.
Humbjet e përgjithshme politike dhe ushtarake të Serbisë në Kosovë, shtimi i rrezistencës së përgjithshme të popullit të Kosovës, zgjerimi dhe fuqizimi i shpejtë i UÇK-së, dënimi ndërkombëtar i pretendimeve të Serbisë, izolimi i saj, ashtu si dhe angazhimet e shtuara ndërkombëtare, paralajmërojnë disfatë të sigurt të hegjemonizmit serbomadh. Megjithatë, deri në çlirimin përfundimtar mbetet për t’u bërë një punë e mundimshme dhe me flijime të reja. Prandaj, tash më shumë se kurrë nevojiten përkushtimi, vendosmëria dhe bashkëpunimi i të gjithëve për realizimin e pavarësisë.
Përkundër kësaj gjendjeje që po kalon Kosova, mundësitë e dialogut dhe të zgjidhjes paqësore, edhe pse tani jo të shumta, nuk janë shpenzuar tërësisht. Prandaj, pa hequr dorë nga syçeltësia dhe vetmbrojtja, të përpiqemi t’i shfrytëzojmë ato.
Për të arritur e realizimin e këtyre synimeve është e domosdoshme të jemi unikë dhe të vendosur. Le të bashkojmë në një unitet të sinqertë të gjitha forcat politike shqiptare, të gjitha potencialet fizike e mendore, morale e politike, në frontin e përbashkët të qëndresës dhe të pavarësisë sonë.
Të bashkëpunojmë më tepër dhe të bashkërendojmë përpjekjet me të gjithë ata që mund dhe duhet të na ndihmojnë, me Republikën e Shqipërisë, me viset shqiptare jashtë saj dhe me diasporën.
Të bashkëpunojmë me miqtë tanë kudo që të jenë. Me angazhimin, me pjekurinë, me përgjegjësinë dhe vendosmërinë nëqëndrimet dhe në veprimet tona ta meritojmë mirëkuptimin dhe ndihmën e faktorëve ndërkombëtarë dhe të mekanizmave të tjerënë të gjitha instancat e veprimit të tyre.
Konstituimi dhe funksionimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës le të jenë faktor i kapërcimit të zënkave, faktor i një bashkëpunimi të ri cilësor, i një kthese thelbësore pozitive në orientimet dhe në veprimtaritë tona, thuhet në deklratën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nënshkruar nga Akademik Idriz Ajeti, kryetar.
****
RAPORTIMI I 16 KORRIK 1998:
https://groups.google.com/forum/#!topic/soc.culture.albanian/z54WAisyNOw
Ne Prishtine u konstitua Parlamenti i Republikes se Kosoves
-Rugova dhe deputetet bejne betimin –
PRISHTINE, 16 korrik – Korresp. i ATSH-se, Behlul Jashari,
njofton: Sot ne Prishtine u be konstituimi i Parlamentit te
Republikes se Kosoves, qe ka dale nga zgjedhjet e 22 marsit
te ketij viti ne Kosove, pas skadimit te mandatit te Parlamentit
te pare demokratik shumepartiak te Kosoves, qe doli nga zgjedhjet
e 24 majit 1992 dhe i cili ne rrethanat teper te renda te Kosoves
nuk ishte konstituar.
Mbledhja e sotme konstituive e Parlamentit te Kosoves, me
pjesemarrjen e deputeteve te te gjitha partive parlamentare, u
mbajt mbasdite ne ambientet e Presidences se Kosoves dhe te
LDK-se, per shkak se godina e Parlamentit kosovar, qe nga fillimi
i korrikut 1990, mbahet i pushtuar nga regjimi ushtarako-policor
i Beogradit.
Deputetet qe kishin mbushur sallen, kryen te gjitha
prozedurat e konstituimit te Parlamentit dhe te komisioneve te
tij, ne baze te Kushtetutes se Republikes se Kosoves.
Kryetari i Parlamentit te Republikes se Kosoves u zgjodh
akademiku Idriz Ajeti, deputet i LDK-se. U zgjodhen tre
nenkryetare te Parlamentit: Gjergj Dedaj i Partise Liberale, Zef
Morina i Partise Shqiptare Demokristiane dhe Iljaz Kurteshi i
Partise Socialdemokrate. Sekretar i Parlamentit u zgjodh Fatmir
Sejdiu i LDK-se.
Ne betimin e tij, presidenti i Republikes se Kosoves,
dr.Ibrahim Rugova, tha: “Betohem se tere fuqine time do t’ia
kushtoj arritjes dhe ruajtjes se Pavaresise se Republikes se
Kosoves ne teresine territoriale te saj, sigurimit te lirive dhe
te te drejtave njerezore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes
se Kushtetutes dhe ligjeve, ruajtjes se paqes dhe mireqenies se te
gjithe qytetareve te Republikes se Kosoves dhe me ndergjegje e
pergjegjesi do t’i kryej te gjitha detyrimet e mia”.
Edhe deputetet e Parlamentit te Kosoves bene betimin
solemn, duke thene njezeri: “Betohem se do te angazhohem me
pergjegjesi dhe me ndergjegje per pavaresine dhe sovranitetin e
Republikes se Kosoves, per realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe
te drejtave njerezore e kombetare te qytetareve te saj, ne
perputhje me Kushtetuten dhe ligjet e Republikes se Kosoves”.
Kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit te Kosoves,
akademiku Idriz Ajeti, falenderoi deputetet per besimin e madh qe i
dhane.
Konstituimi i Parlamentit te Kosoves u be ne rrethana te
jashtzakonshme te gjendjes se luftes ne Kosove dhe pa ndonje
paralajmerim publik per konstituimin e tij sot, per t’iu shmangur
ndalimit me dhune nga forcat serbe.
Pas perfundimit te punimeve te Parlamentit, forca te medha
serbe, me armatim lufte, rrethuan ndertesen e me pas hyne me
shume provokime e kercenime ne ambientet ku u zhvilluan punimet.
Forcat serbe dhe pjesetare te sigurimit shteteror serb bastisen
ambientet dhe konfiskuan materiale te punimeve te parlamentit e
te tjera. Nderkohe, atje mberriten edhe diplomate te Shteteve te
Bashkuara, te akredituar ne Beograd dhe qe ndodheshin ne
Prishtine dhe nga Zyra Amerikane ne kryeqytetin e Kosoves.
http://www.hri.org/news/balkans/ata/1998/98-07-16.ata.html
[14] Kosova Albanians inaugurate their parliament -Rugova and deputies
swear oath of allegiance- PRISHTINE, July 16/ATA correspondent Behlul Jashari reports:
The Parliament of the Republic of Kosova, emerging from the elections of March 22 this year in Kosova, was inaugurated in Prishtine today.
The elections were held after the expiry of the mandate of the first democratic pluralistic Parliament of Kosova, which emerged from the May 24 elections of 1992 and which could not convene under very grave conditions of Kosova.
Today’s meeting to inaugurate the parliament of Kosova, with the participation of the deputies of all parliamentary parties was held in the Presidency of Kosova and the Democratic League of Kosova (DLK) headquarters, as the building of the Kosova parliament has been occupied by the Belgrade military and police regime since the beginning of July 1990.
The legislators carried out all the procedures of inaugurating the Parliament and its commission, based on the Constitution of the Republic of Kosova.
Academician Idriz Ajeti, LDK deputy, was elected speaker of parliament.
Gjergj Dedaj, deputy of the Liberal Party, Zef Morina of the Albanian Christian-Democratic party, and Iljaz Kurteshi of the Social-Democratic Party were elected deputy speakers.
Fatmir Sejdiu, LDK deputy, was elected secretary of Parliament.
In his oath of allegiance, the president of the Republic of Kosova, Dr. Ibrahim Rugova, said that he will energetically devote himself to achieving and safeguarding the Independence of the Republic of Kosova in its territorial integrity, to ensuring human and civil rights and freedoms.
The Kosova parliament was inaugurated under extraordinary war state conditions in Kosova and without any public announcement of its inauguration today, so that the Serbian forces could not prevent it convening.
After the end of the parliament’s proceedings, Serbian forces, backed by armaments, surrounded the building and later, through many provocations and threats entered it.
Serbian forces and participants of Serbian state security members confiscated armloads of documents.
Meanwhile diplomats of the United States, accredited to Belgrade and who were in Prishtine and representatives from the U.S. Office in the Kosova capital also arrived there. /sh.dha/pas/lm/
Albanian Telegraphic Agency