• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mesazhi i ministres së Arsimit Lindita NIKOLLA për Festën e 7 Marsit

March 7, 2016 by dgreca

Sot është dita që të sjell urimet e festës nga nxënës, prindër e kolegë: nëse ende nuk e ke marrë nga një ish kolege, atëherë unë jam e para që të uroj:Gëzuar 7 Marsin! Gëzuar festën e mësuesit dhe shkollës shqipe! Unë e di pasionin, dashurinë dhe përkushtimin që Ti ndan çdo ditë me nxënësit e tu. Ëndrra për çdo nxënës fillon nga një mësues. Kështu ka qenë edhe për mua.

Nuk e ke filluar edhe ti ëndrrën tënde nga mësuesja jote? Unë po. Njoh mësuesen, mësuesit që i dhanë krah dhe jetësuan edhe ëndrrën e sime bije.Shpesh pyes veten nëse në 16 vitet e mia të mësimdhënies u shërbeva dhe unë nxënësve të mi, siç u kërkova dhe mësuesve të sime bije.

Nuk di a ia dola që përmes punës së pandalur dhe të vërtetave të përbotshme të kultivoja dijen, po aq sa edhe sjelljen e qytetarisë demokratike.Sa nxënës ndihmova të mësonin ndryshe përmes bashkëpunimit, debatit e të të ushtruarit?Sa arrita të ngjall dëshirën për të ndryshuar edhe tek të tjerë, që në të kundërtën  do të ishin në rrugë e problematikë për shoqërinë?

Përgjigjet përpiqem t’i gjej duke punuar së bashku me çdo mësues për kurrikulat dhe tekstet e reja, për programet e ndihmës për nxënësit e talentuar dhe me nevoja të veçanta, te klasat inteligjente, te shkolla qendër komunitare etj.Mirënjohje edhe për kontributin tënd.

Si drejtuese e arsimit  e di se Ti meriton edhe më shumë mbështetje. Vendosja e sistemit të ri të emërimit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, është një pikë e rëndësishme kthese, por ende kemi shumë për të bërë.Vijojmë me një skemë të re kualifikimi, pasi, siç Ti e di, vlerësuam nevojat e secilit prej jush me një testim kombëtar.

Jam shumë e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe larguar politikën nga shkolla, por më duhet edhe ndihma jote.Nëse shkolla është vendi ku e ardhmja hedh rrënjë, atëherë po shkolla është vendi ku e tashmja kërkon përfshirjen e të gjithëve.Ndjesë për emocionet e mia, por dhe më shumë ndjesë nëse diku nuk ia kam dalë të jem edhe zëri yt.

Gëzuar dhe suksese!

 

Filed Under: Featured Tagged With: 2016, Lindita Nikolla, Mesazhi i Ministes, Per 7 Marsin

Në Vitin e Ri 2016 lufta për ndriçimin e gjenocidit serb në Kosovë vazhdon

December 31, 2015 by dgreca

Nga Bardhyl Mahmuti/
Në muajin shkurt të vitit 2015 lexuesit shqiptar iu ofrua libri që zhvesh propagandën serbe kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe luftës çlirimtare të Kosovës në veçanti. Siç e kam theksuar në faqen e parë të librit «Mashtrimi i Madh», ky studim u realizua me ndihmën dhe kontributin e një numri të konsiderueshëm të miqve të mi. Falë mbështetjes dhe kontributit të tyre, argumentet shkencore për gjenocidin serb në Kosovë dolën në dritë.
Por, publiciteti ishte i domosdoshëm që përmbajtja e librit të njihej sa më shumë nga lexuesi shqiptar. Shfrytëzoj rastin në këtë fundviti t’i falënderoj përgjegjësit e mediumeve të ndryshme në gjuhën shqipe të cilat i dhanë një vend të rëndësishëm publicitetit lidhur me botimin e librit tim apo duke më dhënë hapësirën e nevojshme që ta shpalos përmbajtjen e librit në intervistat televizive. Një falënderim i veçantë u takon edhe bartësve të institucioneve të arsimit të lartë që më mundësuan të bëj promovimin e librit në Universitete të shumta publike dhe private dhe në manifestime të ndryshme kulturore në nivel komunal (në Kosovë dhe në Maqedoni) apo të karakterit ndërkombëtar siç ishte rasti kur albanologu tetovar ua shpërndau librin seminaristëve të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë në Prishtinë.
Meqenëse propaganda antishqiptare ishte e përmasave ndërkombëtare kufizimi vetëm në botimin e argumenteve në gjuhën shqipe nuk mjaftonte. Me qëllim që kjo vepër t’i ofrohet opinionit publik ndërkombëtare një numër gjithnjë e më i madh i miqve u mobilizuan rreth këtij projekti. Në mesin e tyre edhe bashkëveprimtarë të moçëm, aktualisht bartës të institucioneve të Kosovës. Angazhimi gjithnjë e më i madh i miqve bëri që të përfundojë përkthimi i librit në gjuhën angleze dhe atë frënge. Madje, në fillim të dhjetorit, ndërmarrja “Dukagjini” nga Peja shtypi 1500 ekzemplar falas të cilat kanë filluar të shpërndahen falas në qarqet diplomatike dhe njerëz me influencë në fusha të ndryshme. Lufta politike vazhdon.
Serbia kreu gjenocidin në Kosovë dhe ende nuk është dënuar për krimin më të rëndë që njeh njerëzimi. Faktet nuk flasin vet! Ato duhet t’i bëjmë “të flasin” për të nxjerrë në shesh të vërtetën e plotë për atë që përjetoi populli shqiptar i Kosovës. Por, mbështetja ndërkombëtare në përpjekjet për të ngadhënjyer drejtësia është jetike. Për të rritur gjasat e mbështetjes ndërkombëtare zhveshja e mashtrimit të madh që është bërë me opinionin publik ndërkombëtar lidhur me luftën e Kosovës është e domosdoshme. Madje, kusht paraprak.
Në kontekstin e kësaj lufte politike shpërndarja e librit në sa më shumë gjuhë botërore është i domosdoshëm. Ky projekt është bërë projekt i përbashkët i shumë miqve të mi, të cilët rreth çështjeve tjera shquhen për divergjenca të shumta në mes veti. Uroj që në Vitin e Ri 2016 të realizojmë suksese të reja në luftën tonë politike për ngadhënjimin e të vërtetës lidhur me gjenocidin serb në Kosovë.
Me respekt të thellë dhe mirënjohje të veçantë për secilin nga miqtë e mi. Uroj për të gjithë shqiptarët, kudo qofshin në botë, një Vit të Ri plot suksese individuale dhe kolektive.

Filed Under: Analiza Tagged With: 2016, genocid serb, lufta per ndricimin, ne Kosove

Përvjetore historike gjatë 2016

December 27, 2015 by dgreca

Gjatë vitit të ri 2016 do të shënohen një numër përvjetoresh për zhvillime politike të rëndësishme, si dhe arritje të mëdha shkencore. Në 2016 do të kujtojmë 75 vjetorin e sulmit në Gjirin e Perlave, 25 vjetorin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe fillimit të luftrave në ish-Jugosllavi, si dhe 20 vjetorin e klonimit të deles së quajtur Dolly. Po në 2016 do të mbushen 70 vjet që nga hapja e festivalit të Kanës dhe 50 vjet që kur Anglia fitoi Botërorin në finale përballë Gjermanisë.
Më 20 janar 1981 Irani liroi 52 amerikanë të mbajtur peng për 444 ditë, disa minuta pasi presidenca kaloi nga Xhimi Karter tek Ronald Regani.
52 amerikanët ishin marrë peng në ambasadën amerikane në Teheran në vjeshtën e 1979. Presidenti Xhimi Karter humbi mjaft mbështetje nga kriza e pengjeve duke humbur edhe zgjedhjet përballë rivalit republikan Ronald Regan.
10 vjet më pas Iraku pushtoi Kuvajtin. Më 17 janar 1991 filloi operacioni Desert Storm – Stuhia e Shkretëtirës, ku forca të një koalicioni ndërkombëtar sulmuan objekte qeveritare në Bagdat.
Fushata ajrore u pasua nga një ofensivë tokësore duke nxjerrë brenda 100 orësh irakianët nga Kuvajti. Por amerikanët e ndalën ofensivën pa rrëzuar Sadam Huseinin.
Sulmet e 11 shtatorit 2001 e rikthyen vëmendjen tek Sadam Huseini si përkrahës terrorizmi. Kundërshtimi i tij për të lejuar kontroll të plotë nga OKB-ja për armë të paligjshme u bë justifikim për luftën që filloi më 20 mars 2003. Brenda tre javësh nga ndërhyrja nën udhëheqjen amerikane, qeveria e Sadamit u rrëzua. Vetë Sadam Husein u kap dhjetorin e atij viti.
Më 5 korrik 1996 u shënua një lindje e pazakontë. Një qingj i quajtur Dolli lindi në Institutin Roslin në Skoci. Ai hyri në histori si delja e parë e klonuar nga qeliza të marra nga një dele e rritur, të cilat më pas ri-programojnë veten si qelizat bazë për të formuar një krijesë të re.
Shkencëtarët arritën të provojnë më pas se delja Dolly mund të riprodhohej. Por klonimi mbetet një proces i debatueshëm, pasi me kalimin e viteve Dolli shfaqi probleme shëndetësore që nuk vëreheshin në dele të tjera të së njëjtës moshë.
Në ish-Jugosllavi një figure e re politike erdhi në pushtet në 1991. Pak pas marrjes së pushtetit, Sllobodan Millosheviçi u bë shkak për një luftë të gjerë që solli shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
Më 25 qershor 1991, Kroacia dhe Sllovenia shpallën pavarësinë. Sllovenia ishte e para, duke u bërë shkas për një luftë ballkanike 10 vjeçare. Pas shpalljes së pavarësisë nga Kroacia, grupe paraushtarake serbe u mobilizuan dhe filluan të luftojnë me forcat kroate. Një luftë katër vjeçare la pas shkatërrime masive dhe viktima të shumta deri kur Kroacia e fitoi luftën në 1995 duke rimarrë territoret e pushtuara.
Më 18 korrik do të mbushen 80 vjet nga kryengritja e Gjeneral Frankos dhe forcave nacionaliste që shkaktuan Luftën Civile Spanjolle 1936-1939. Gjen. Franko nxiti ushtarët në rebelim kundër qeverisë majtiste demokratike, lufta shpërtheu duke shkaktuar 500 mijë të vdekur dhe duke sjellë Frankon në pushtet për afro katër dekada.

Përkrahësit e gjeneralit e shohin atë si udhëheqësi që ruajti unitetin kombëtar dhe shpëtoi vendin nga bolshevizmi. Kritikët e quajnë diktator që mbajti fashizmin gjallë në vend për 30 vjet pas Luftës II Botërore.

Në 2016 mbushen 50 vjet që nga dita kur Anglia fitoi Botërorin duke mundur Gjermaninë. Geoff Hurst shënoi tre gola kundër Gjermanisë në finalen e 30 korrikut në stadiumin Wembley të Londrës.

Më 19 gusht 1991 do të mbushen 25 vjet nga tentativa për grusht shteti që çoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Tentativa nga një grup komunistësh të vijës së ashpër filloi me vënien e udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov nën arrest shtëpie, pasi mendohej se ai do të miratonte një marrëveshje që u jepte sovranitet të gjerë republikave sovjetike. Publiku u mobilizua; dhjetëra mijëra vetë u mblodhën në qendër të Moskës. Mbeten të paharruara pamjet kur Presidenti Boris Jelcin hipi në tank në mes të turmës. Grushti i shtetit dështoi, Gorbaçovi u kthye në Moskë, por u bë shpejt e qartë se nuk gëzonte më të njëjtin kontroll. Estonia, Letonia dhe Lituania fituan pavarësinë dhe në dhjetor 1991 Bashkimi Sovjetik nuk ekzistonte më.
Më 20 shtator 1946 filloi për herë të parë Festivali i Kanës, i cili gjatë gjithë ekzistencës së tij 70 vjeçare ka qenë sinonim i luksit dhe yjeve të kinemasë si Sofia Loren, Pablo Pikaso e të tjerë.
Në tetor të 2016 do të kujtojmë 60 vjetorin e fillimit të protestave studentore në Hungari. Më 23 tetor 1956 filloi një lëvizje kundër regjimit që u shndërrua në përleshje me armë ku gjetën vdekjen 2800 hungarezë dhe 700 trupa sovjetike, të sjella për të shtypur revoltën. Pas revoltës, greva dhe protesta vazhduan për javë me radhë deri kur sovjetikët e shtypën me dhunë kryengritjen në janar 1957.
Rreth 200 mijë hungarezë u arratisën nga vendi; mbi 200 vetë u ekzekutuan për pjesëmarrje në revolucion, përfshirë Imre Nagin, udhëheqës i revoltave. Qeveria komuniste mbajti pushtetin deri në 1989.
Në 2016 mbushen 10 vjet nga vrasja e gazetares ruse Anna Politkovskaja, e cila u qëllua për vdekje më 7 tetor 2006 në ndërtesën ku banonte. Shkrimet e saj në Novaya Gazeta kishin kritikuar ashpër Kremlinin për qëndrimin ndaj Çeçenisë dhe për shkelje e të drejtave të çeçenëve. Në 2014 një gjykatë shpalli fajtorë pesë vetë, katër prej të cilëve çeçenë, por ende nuk është zbuluar se kush dha urdhër për vrasjen.
Më 8 dhjetor 1941 Shtetet e Bashkuara u futën në Luftën II Botërore, pasi Kongresi i shpalli luftë Japonisë, një ditë pas Gjirit të Perlave.(VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: 2016, Pervjetoret historike

MAQEDONI- MAFJA DHE VITI I ZI 2016

December 17, 2015 by dgreca

Nga Shpetim POLLOZHANI/

Në të gjithë botën shtetet e kanë mafjen e vetë. Në Maqedoni mafja e ka shtetin e vetë.Si shpesh herë edhe kësaj radhe,  Struga është në fokus të opinionit. Mos haroni se në Enciklopedinë e ish Armatës jugosllave, Struga ishte një ndër tetë pikat geostrategjike dhe politike të ish Jugosllavis;, e cils kishte mbi 3000 kilometra kufi. Struga e ka Qafën e Thanës dhe nbi 40 kilometra zonë kufitare me Shqipërinë, të cilin e ruajnë disa qindra bashkëpunëtorë të shërbimeve sekret të ushtrisë (3) dhe të policisë (5).

Përveç disa dhjetra vrasjeve të shqiptarëve, në Strugë kanë ndodhur edhe tre vrasje të maqedonasve në vitet e nëntëdhjeta. Për asnjërën vrasje nuk është burgosur askush. Kanë ndodhur edhe mbi djetë vrasje të hallexhinjve shiptarë, shtetas të Shqipërisë. Askush nuk është dënuar për ato vrasje. As edhe shteti shqiptar nuk e luajti as edhe gishtin e vogël, sikurse dë e do puna.

Në Strugë veprojnë mbi tridhjetë fajdexhinj. Pushteti i njeh të gjithë por nuk i ngacmon. Në Strugë qarkullon drogë  dhe lloj lloj narkotikësh të tjerë. Pushteti nuk reagon, edhe pse për çështje të fajdeve dhe të drogës pa pasur edhe disa vrasje, pushteti përsëri nuk reagon.

U zaptuan të gjithë plazhet e qytetit, pushteti përsëri nuk reagon. Në Strugë ka shtypshkronja për shtypjen e numrave të falsifikuar të veturave, pushteti përsëri nuk reagon. Në Strugë ka shumë grindje individualle dhe familjare, pushteti përsëri nuk reagon. Edhe rasti i i tre vrasjeve të Vitit të Zi  2015, e ka gjenezën, dialektikën dhe epilogon e vetë. Sikur pushteti të kishte marë masa me kohë, tre djem të ri akoma do të ishin të gjallë. Eshtë evidente se pushtetit qëndror e stimulon dhe i konvenon kjo gjendje anarkiste në Strugë. I konvenon, pasi në atë mënyrë më së miri e kontrollon krimin dhe politikën, të cilët janë si binjakët sijamezë.Vetë inspektorët e sigurimit të shtetit, deklarojnë se funksionarë dhe politikanë shqiptarë nga Struga  kanë dosje kriminale, e cila mbërin një metër kub material. Kanë dosje për vepra të rrënda, të cilat gjykatat nuk i aktivizojnë pasi, këto persona janë të mbrojtur nga politika. Kur një vepër penale nuk aktivizohet duke e hedhur në gjyq, kjo është evidente se cilin e mbron ai gjyq. Në Strugë ndodh kjo që ndodh për arsye se mbi 80% të votave i kanë në dorë shërbimet sekret nëpërmjet të mafiozëve të vetë, të cilët i orientojnë votat. Duke e ditur se tek ne akoma sundon mentaliteti fisnor dhe lokalist, dhe se shumica e votave të shqiptarëve janë në fshatra, atëherë rezultati i votava del në mënyrë shumë të lehtë.

Nuk është e rastit që të gjitha veprat kriminale në Strugë ndodhin përpara sezonit turistik ose përpara festave. Kjo bëhet me qëllim që mysafirët ose pushuesit e rastit të orientohen në Ohër. Rezultatet janë evident. Në këtë moment janë disa qinda turistë nga Shqipëria që pushojnë në Ohër. Stacioni policor i Strugës nuk mundet të hapë gojën pa marë leje nga Ohri. Ohri ka statusin e Sektorit, kurse Stacioni policor i Strugës ka kompetenca sa një stacion policor i një fshati.

Prenotimet nëpër objektet turistikpër Vitin e Ri  2016 janë pesëdhjetë me një në dobi të Ohrit. Pushteti lokal është i xhveshur nga të gjitha kompetencat. Nga 28 drejtori, vetëm tre e kanë selinë në Strugë, edhe pse Struga ka më shumë banorë se Ohri, kjo falë regjionalizimit administrativ të Maqedonisë. Vizitorët e Ohrit në krahasim me ata të Strugës janë pesëdhjetë me një, në dobi të Ohrit. Dirigjent i ngjarjeve tragjike në Strugë janë Shërbimet sekret të shtetit. Instrumentet janë shqiptarët. Në Strugë ka edhe tek maqedonasit krim të organizuar. Prej zhvatësve dhe fajdexhinjve maqedonas dridhen edhe vetë maqedonasit. Pushteti përsëri hesht. Mijalkovi, i cili u bë simbol i mafjes në të gjithë vendin, ka pesë konaqe në Strugë, edhe pse takimet gjithnjë i bën në Ohër. Të mos harrojmë se edhe Ratko Mladiç, I dënuar për krime të luftës në ish Jugosllavi kishte disa konaqe në  rrethin e Strugës.

Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2005 në Strugë, kryetari i atëhershëm i LSDM, Vlado Buçkovski pati deklaruar se cilët dy kandidatët shqiptarë nuk mundet ti fitojnë zgjedhjet për prefekt, duke treguar se cili do të zgjidhet. U tha, u bë. Shëërbimet sekret e kontrollojnë, në veçanti Strugën, me ndihmën e disa qindra bashkëpunëtorëve të vetë të korruptuar. Diçka është e korruptuar në Danimarkë klithi Marsellusi në Hamletin e Shekspirit. Gjithçka është e korruptuar në dërzhavën e Maqedonisë do klithte shqiptari jo tru hu.

I gjithë krimi në Strugë , është i kontrolluar dhe i dirigjuar nga pushteti qendror. Kjo vërtetohet ma faktin se të gjithë të dënuarit me burg nga Struga për këto 25 vjetët e fundit, nuk kanë marë më shumë vite burg se dy të dënuar të rastit të fabrikuar Monstra.

Struganët le t’ia vënë gishtin kokës kur e hedhin fletën në kutinë e votimit. Krimi nesër mundet të trokasë në derën e çdokujt. Për këta politikanë nuk ka para të pista, as edhe para të pastra. Për këtë soj sorollopi, sallahana, vagabonta, rriqna e mikroba të këqinj (fjalë nga Gomari i Babatasit të Gjergj Fishta)  ka vetëm para. Mos u bëni para dhe gjak i këtij pushteti dhe të kësaj politike kriminale. Këta politikanët e sotëm , i zëvendësuan ata fallxhoret e famshme të Leskovecit të Serbisë, të cilat vinin nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe kërkonin nga gratë që të mbyllin sytë, pasi kështu falli zënka më mirë. Derisa e zonja e shtëpisë e dëgjonte fallin me sy të mbyllur, shoqeja e fallxhores i  bënte një kontroll të mirë shtëpisë. Edhe ti që i lexon këto reshta, nesër mundet të jesh viktima e radhës e këtyre fallxhorëve të krimit dhe të politikës, qoftësi qytetar, qoftë si kalimtar, qoftë si sehirxhi, qoftë si mysafir në ndonjë restorant.

Të gjithë ne jemi fajtorë për këtë gjendje. Mos u besoni falxhorëve, të cilët deklarojnë:  kur jemi ne në pushtet, shqiptarët janë më të sigurtë sa i takon pronës dhe jetës. Le të shkojnë këta jaranë të pites dhe le t’i pyesin familjarët e viktimave të Kumanovës, të procesit ,, Monstrun”, të montuar nën dirigjimin e një ministreje monstrum, e cila nuk ka më shumë se një kusiçkë mish (shprehje e marë nga shtypi maqedonas). Ka mbi një mijë shtëpi ku munden ta bëjnë këtë pyetje por,  përveç dajakut nuk do të marrin asnjë përgjigje tjetër,

Rasti i vrasjes dhe i plagosjeve të fundit ishte vetëm një pasojë. Shkaku i kësaj gjendje  është pushteti dhe vetëm pushteti, prandaj shqiptarët nuk duhet të bien në grackat e Shërbimeve Sekret  të këtij pushteti kanxhallos. Edhe sa vare duhet të hapen që shqiptarët ta gjejnë mendjen. Esëllohu o shqiptar, esëllohu!!!. Gjendja nuk ndryshon vetë. Ne duhet ta ndryshojmë, duke u ndryshuar. Nesër –TI- mundet ta kesh radhën.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: 2016, Mafja dhe viti i zi, Shpetim Pollozhani

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT