• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

4 KORRIKU DHE MIQESIA E SHQIPTAREVE ME AMERIKEN

July 2, 2017 by dgreca

3 BislimNGA FATON BISLIMI*/

Miqësia e vërtetë dhe e sinqertë me SHBA-të për ne shqiptarët është si buka e uji. Miqët tanë amerikanë nuk na dojnë e përkrahit pahir. Ata na mbështesin sepse ne dhe shumë gjenerata paranesh shtruan rrugën e kësaj miqësie.Bislimi-AmbAmerikanLu

Që nga koha e Nolit e Konicës, vizionarët modern të kombit shqiptar gjithëherë e kanë parë ekzistencën jo vetëm politike, por edhe natyrale / biologjike të kombit tone si të ndërlidhur dhe të ruajtur direkt nga SHBA-të. Ata që atëherë, qysh në themelet e para të shtetit të shqiptar, sado i cunguar territorialisht që ishte, e bënë për vete dhe e kthyen në favor të së drejtës kombëtare shqiptare një vend me ndikimin më të madh në botë—bënë që Washingtoni të jetë zë që përcon kërkesat e drejta shqiptare në botë dhe njëkohësisht përkrah direkt realizimin e tyre.

4 Bislim

Në historinë tonë më të re, miqësia jonë strategjike dhe e përherëshme me SHBA-të u bë platformë e pazëvendësueshme politike e rezistencës aktive paqësore kundrejt okupuesit serb nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit Historik të vendit. Por edhe deri tek kjo ripërtritje e miqësisë sonë me SHBA-të nuk erdhi rastësisht, sikurse nuk kishte ardhur rastësisht as miqësia e Konicës e Nolit me Presidentin Wilson të SHBA-ve në fillim të shekullit XX. Qysh në atë kohë, shqiptarët e Amerikës kishin mbledhë fonde të mëdha për të përkrahur fushatën e Wilsonit dhe për t’i arsimuar sic duhet njerzit kyc të tij mbi cështjen shqiptare. Edhe në kohën e historisë sonë moderne, lidhjet e Kosovës me Washingtonit u mundësuan nga njerzë që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i kontribuajnë kualitativisht kësaj marrëdhënie speciale. Ndër ta, kryesor dhe i pazëvendësueshem ishte Kongresisti Joseph DioGuardi, shqiptaro-amerikani me prejardhje nga arbreshët e Italisë së jugut. Ai hapi dyertë por edhe zemrat e Senatorëve dhe Kongresistëve më të rendësishëm amerikanë kundrejtë kauzës sonë, duke sjellë Rugovën në takime zyrtare në Washington për here të parë, e mandej edhe duke kthyer në favor të UCK-së dhe luftës së lavdishme clirimtare të popullit nën udhëheqjen e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, njerzit kyc të politikës së jashtme amerikane, e cila përfundimisht solli edhe intervenimin ushtarak të NATO-s që rezultoi me clirimin e Kosovës.Ishte dhe vazhdon po kjo miqësi strategjike me SHBA-të, e ndërtuar dhe trasuar në vazhdimësi nga lobi ynë në SHBA, nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane nën udhëheqjen e DioGuardit dhe znj. Cloyes, që bëri Presidentin Bush të njoh pavarësinë e Kosovës, që siguroi përkrahjen e pashterur amerikane për demokratizimin e Shqiptarisë dhe anëtarësimin e saj në NATO, si dhe që mbajti në radar të politikës së jashtme amerikane cështjen shqiptare në Mal të Zi, Maqedoni, dhe Luginë të Preshevës.

Ky vit shënon 15 vjetorin e angazhimit tim me Ligën dhe punën e drejtpërdrejt me z. DioGuardi e znj. Cloyes si dhe me shume miq tanë në Kongres e Senat, duke përfshirë personalitete si Dole, McCain, Rohrabacher, Biden, etj., (si dhe shumë që nuk janë më ndër ne, si Lantos, Gilman, Hyde, etj.).  Nuk ka asnjë lloj karriere apo pozite (qoftë edhe shtetërore) që do të më kishte dhënë një privilegj e kënaqësi më të madhe. Nuk ka cmim apo kompenzim që paguan për ndjenja të tilla sic kam pasë rastin unë të kem—vizita e takime me njerzë shumë të mëdhenjë në Washington, DC, New York City, Boston, Chicago, Miami, Atlanta, San Francisco, Detroit, e gjithandej Amerikes e botës; takime zyrtare e vizita në Kongres e Shtëpi të Bardhë; në Senat dhe OKB; si dhe në rezidencat private të disa figurave kyce të politikës amerikane.

Tri ditët e fundit më bënë të reflektoj mbi këtë marrëdhënie kaq strategjike në mes shqitparëve dhe SHBA-ve dhe të ndihem mëse i nderuar që vlerësimet më të mira për punën tone tanimë i kanë dhe po i bëjnë edhe përfaqësuesit e SHBA-ve në Ballkan. Për nder të ditës së pavarësisë së SHBA-ve, të enjtën, pata nderin e vecante dhe kënaqësinë të jem prezent në pritjen zyrtare të Ambasadorit amerikan në Shkup, z. Bailey, kurse të premtën në festën e kësaj ditë të rendësishme me Ambasadorin amerikan në Tiranë, z. Lu (festë kjo që koincidoi në të njëjten kohë me atë në Prishtinë). Kurse, mbrëmë ishim bashkë me Ambasadorin e Kanadasë në Kosovë, z. Maksymiuk,  përfaqësuesin diplomatik të një shteti aleat mirëfilli jo vetëm i Kosovës por edhe i SHBA-ve.

Andaj, përgjerësa populli ynë gëzon miradinë Amerikane (edhe të botës perëndimore në përgjithësi), ne do të ecim drejt progresit e zhvillimit, pamarrëparasysh sfidat politike me të cilat ballafaqohemi. Miqësia jonë strategjike me SHBA-të vecsa do të forcohet dhe ne jemi të përkushtuar ta bëjmë këtë, sikur dje, ashtu edhe sot e nesër! E nesërmja do të jetë më e mire; të mirat dhe risitë nuk do të mungojnë… Ju premtoj!

*Faton Bislimi
Anëtar i Bordit të Drejtërove
Koordinator për Ballkan
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane
New York dhe Washington, DC

2 Korrik 2017

Filed Under: Featured Tagged With: 4 korriku, Faton Bislimi, miqesia shqiptaro-amerikane

4 korriku, festë kombëtare edhe në hapësirën shqiptare

July 4, 2016 by dgreca

Nga Suzana Tahiri*/

Çdo 4 korrik amerikanët kremtojë kryefestën e tyre të Pavarësisë, që daton nga viti 1776. Pikërisht atëhere shtetet kryengritëse mundën Britaninë e Madhe duke shënuar betejën e parë të kolonive për pavarësi. Kuvendi i Filadelfias hartoi kushtetutën bazë, e cila më 17 shtator 1787 i bëri shtetet e ndara pjesë të një republike të vetme me një qeveri qendrore. Karta e të Drejtave, e përbërë nga 10 amendamentet e para kushtetuese si garanci e të drejtave dhe lirive themelore qytetare, u ratifikua më 1791. Në shekullin e XIX, SHBA fitoi të tjera hapësira nga Franca, Spanja, Anglia, Meksika dhe Rusia, si dhe u bashkuan me të Republika e Teksasit dhe ajo e Hawait. Mosmarrëveshjet mes dy pjesëve të vendit (Veriut të industrializuar dhe Jugut agro-bujqësor) çuan në Luftën Qytetare Amerikane të viteve 1860. Fitorja e Veriut parandaloi ndarjen e përhershme të vendit dhe çoi drejt përfundimit të skllavërisë së ligjshme në SHBA. Lufta Spanjollo-Amerikane dhe Lufta I Botërore konfirmuan statusin e vendit si fuqi ushtarake, ndërsa më 1945, ajo doli nga Lufta II Botërore si vendi i parë me armë bërthamore, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB si dhe themeluese e NATO-s. Shqiptarët, më proamerikanët në planet Nuk është sekret të pohohet se shqiptarët njihen aktualisht si populli më proamerikan në planet. Dhe pikërisht këtë gjë e ka sintetizuar më 1 nëntor 2012 Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Hillari Klinton, ku u shpreh në Tiranë se “SHBA qëndruan me ju për 100 vitet e para të pavarësisë dhe do të qëndrojnë me ju edhe për 100 vitet e ardhshme, edhe për 100 të tjera pas tyre, edhe ato pas këtyre”. Përkrahja e SHBA nuk u ka munguar shqiptarëve në çastet më të rrezikshme për ta dhe sidomos me mbarimin e dy luftrave botëre, kur diplomaci të tjera e vinin në dyshim edhe atë pak shtet të cunguar, të gllabëruar egërsisht prej fqinjëve. Ka merita të padiskutueshme në mbrotjen shqiptare Xhorxh Fred Uilliams, ish-përfaqësues diplomatik i SHBA-ve në Greqi dhe Mal të Zi. Ai erdhi në 1914 në Shqipëri si i pari misionar diplomatik amerikan pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit. Po ashtu një diplomat i shquar amerikan Uilliam Uoker, në cilësinë e kryevëzhguesit të OSBE-së në Kosovë në 1998, do të sensibilionte opinionin mbarëbotëror për masakrat serbe në mes të Europës. Janë të njohur përpjekjet e tre presidentëve të fundit amerikanë Bush dhe Klinton në dimensionin e ri që mori faktori shqiptar në Ballkan, çka popullsia autoktone e këtyre viseve do t’i jetë përjetë mirënjohës. Në këtë kuptim 4 korriku i amerikanëve është de fakto kryefestë për shqiptarët në Kosovë, më Shqipëri, më Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri, në Preshevë dhe në çdo shtet tjetër ku ka përkatësi shqiptare.

* E dergoi per Diellin Cerciz Loloci

Filed Under: ESSE Tagged With: 4 korriku, edhe në hapësirën shqiptare, festë kombëtare, Suzana Tahiri

4 Korriku, dhe një fishekzjarr për Ambasadorin Lu

July 3, 2016 by dgreca

Nga Rafael Floqi*/

Sot, kur po mbushen 240 vjet nga Pavarësia e SHBA-së , dua të uroj më fort 4 Korrikun, ditën kur Shtetet e Bashkuara festojnë Ditën e Pavarësisë, e cila shënon lindjen e këtij vendi 240 vjet më parë. Ishte 4 Korriku i 1776, kur 13 kolonitë e asaj kohe shpallën pavarësinë dhe lirinë e tyre nga qeverisja britanike. Ndaj kur të jeni duke parë fishekzjarrët të shpërthejnë në ajër më 4 Korrik, ju mund të filloni të ndiheni disi më patriotë si amerikanë dhe si shqiptarë duke vlerësuar lirinë, pavarësinë dhe drejtësinë për të gjithë. Amerika ka bërë një rrugë të gjatë për të arritur të bëhet ky vend i madh, ndoshta  në asnjë mënyrë krejt i përsosur por në përmirësim. Dhe ky 4 Korrik, mes fishekzjarrëve na le të kuptojmë se demokracia është një udhëtim drejt lirisë pa kthim.

Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve është njëri ndër dokumentet, ndoshta dokumenti politik më me rëndësi në botë, që përcaktoi fatin dhe kornizën për mbijetesën dhe rritjen e këtij vendi, por është gjithashtu edhe dokumenti, i cili frymëzoi lëvizje të njëjta për pavarësi, anë e mbanë botës.

Në këtë datë të shënuar historike e politike për mbarë njerëzimin, e sidomos, për shqiptarët e veçanërisht për ne shqiptaro-amerikanët Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një nga ngjarjet e cila përjetohet me ndjenja të veçanta vlerësimi dhe mirënjohjeje nga populli shqiptar i Shqipërisë, Kosovës dhe i kudondodhur në trojet e veta dhe në diasporë.

Të kalojmë tani në Shqipëria. Në këtë kohë krize politike, ka një përpjekje për të kanalizuar debatin rreth kundërshtarëve të reformës dhe mbështetësve të saj, duke i etiketuar, disa si “ proamerikanë ” dhe disa si “antiamerikanë”. Në fakt në tërësi ky klasifikim është spekulativ dhe shumë larg së vërtetës. Thelbi i debatit nuk është se kundërshtarët e reformës janë kundër SHBA e BE, meqë Brukseli dhe Uashingtoni mbështesin reformën në Shqipëri. Thelbi i krizës është se, a duhet të jenë ndërkombëtarët, apo partitë politike shqiptare, përzgjedhëse të gjyqtarëve dhe prokurorëve? Por ç’na mëson 4 Korriku për këtë. Shpallja a pavarësisë së SHBA-ve, shënon lindjen e modelit shtetëror të bazuar në vlerat universale të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit. Gjatë gjithë historisë, popujt kanë besuar se të drejtat e tyre vinin nga qeveria, mbreti ose pushteti, dhe si të tilla ato mund të shkeleshin e të mohoheshin sipas dëshirës e qejfit të qeverisë, ose mbretit, pasi, sipas tyre, ato ishin privilegje që akordoheshin e hiqeshin sipas dëshirës së pushtetit në fuqi.

Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara hodhi e poshtë këtë besim ose nocion, një herë e mirë, duke shpallur se të drejtat, personit dhe popullit nuk i jepen nga qeveria, por nga vetë Krijuesi. Përveç rëndësisë historike, vetë fjalët e shprehura në Deklaratën e Pavarësisë kanë një domethënie të madhe. Fjalët e 33- vjeçarit, Thomas Jefferson, se “të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, dhe gëzojnë nga Krijuesi disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat ato të jetës, lirisë dhe përpjekjeve për lumturi,” të botuara nga Kongresi Kontinental më 4 Korrik 1776, janë vetëm një shembull i frazave kuptimplote të Deklaratës së Pavarësisë.

Ky dokument nuk ishte as deklaratë lufte, dhe as deklaratë e pavarësisë amerikane nga sundimi britanik:”Shtetet e Bashkuara kishin vepruar si një vend i pavarur edhe para Pavarësisë. Prej më se 1 viti vazhdonte lufta kundër sundimit britanik. Por më 4 Korrik 1776 u bë një deklaratë zyrtare se nuk do të kishte kthim prapa”.

Që nga ai moment amerikanët e kanë marrë shumë seriozisht lirinë. Megjithatë, amerikanët nuk e shohin origjinën e tyre si komb të lidhur me fitoren ushtarake. Në vitin 1776, kur u shpall Pavarësia, duheshin ende 6 vjet para se Britania të pranonte disfatën. “Në atë kohë John Adams, një prej baballarëve të kombit amerikan, pat thënë se aspekti ushtarak nuk ka rëndësi, dhe se revolucioni i vërtetë ishte ndryshimi që ndodhi në zemrat dhe mendjet e amerikanëve para vitit 1775”.

Me gjithë rëndësinë simbolike që kishte 4 Korriku për amerikanët, Kongresi nuk e shpalli atë si festë kombëtare deri në vitin 1870. Ndërkohë, kjo datë ishte shndërruar në një simbol të lirisë në një mënyrë të paparashikuar më parë.

Një simbol lirie kaq aktual tani për gjendjen në Shqipëri tani. Ambasadori amerikan, Donald Lu, i cili ka qenë shumë aktiv në inkurajimin e PD-PS për t’i dhënë fund odisesë me reformën në drejtësi, ka lëshuar disa ditë më parë (kur i ka ardhur në majë të hundës) një deklaratë, ku pohon se hartuesit e këtij drafti po përballen me presione politike. Diplomati amerikan apelon që ndryshimet kushtetuese të zbatohen me përpikmëri, ndërsa politika të punojë ditë e natë për të miratuar sa më shpejt reformën në drejtësi. Deklarata e tij erdhi gjatë një konkursi për historinë amerikane. “Në Shqipëri po ndodhin ndryshime të rëndësishme, tha ai. Kohët e fundit pata një bisedë me një mik timin shqiptar. Ai është një prej atyre që punojnë për reformën në drejtësi, duke shkruar ndryshimet kushtetuese, të cilat shpresojmë se do të ndryshojnë vendin.. Shpresoj që do të ndihmosh të shkruhet historia e njerëzve të zotë që sakrifikuan çdo ditë, për muaj dhe vite për reformën, për të ndryshuar këtë vend. Ashtu si Hamilton-i në SHBA edhe ata po punojnë nën presionin e kolegëve të tyre dhe politikanëve të fuqishëm për të shkruar Kushtetutën e këtij vendi, e cila do të zgjasë për shekuj”. Ambasadori Lu i bëri thirrje politikës të punojë për ta përfunduar  këtë reformë. “Shqipëria po kalon faza shumë të mira. Prandaj i bëj thirrje politikës të punohet ditë e natë për reformën gjyqësore. Reforma gjyqësore duhet të zbatohet që të ketë rezultate”, apeloi ai.

Por pse 4 Korriku është aktual për shqiptarët?. Si shqiptaro amerikan kur mësoj nga lajmet se ambasada amerikane, ka shtypur një projekt- kushtetutë të Shqipërisë dhe ua ka shpërndarë deputetëve, ndjehem i dyzuar midis dashurisë për vendin tim të vogël dhe vendin tim të madh. Nga njëra anë më vjen rëndë, se si luhet me fjalët sovranitet e ç’ kuptim u japim. Dhe me kujtohet fjala e një pedagogu amerikan te gazetarisë, kur me thoshte se sa relativ është ky koncept, (ishte koha e ndërhyrjes amerikane në Grenada ). Gjyko vetë, më thoshte, cili është sovraniteti i Grenadës, po ai i Rusisë?

Nuk do ta doja kurrë vendin tim, një ”republikë bananesh” dhe as asnjë ambasador për guvernator. Megjithatë është e vërtetë që në Kushtetutë të Shqipërisë, do sanksionohet dorëzimi i një pjese të sovranitetit të vendit nga politikanët shqiptarë tek institucionet perëndimore. Nuk është një gjë e këndshme, por është një nevojë për të shkuar drejt një drejtësie më të pavarur, pasi aty kemi mbërritur.

Por duke lënë jashtë dyzimit tim pikërisht ne këtë 4 Korrik E kuptoj pse bëhet kjo ndërhyrje në pamje të parë e pa takt, e kuptoj se pa një sistem të pavarur drejtësie nuk ka shtet të mirëfilltë, se shteti ka rënë. E kuptoj se kjo ndërhyrje është një “tough love” e një vëllai të madh, për një vëlla komb të vogël, që si fëmija ka nevojë për dorën e dikuj që të mësojë të eci. Atëherë kuptoj më mirë. Më mirë sesa një palo, apo palaço-parlament, pse bëhet kjo ndërhyrje jo aq diplomatike.

Dhe 4 Korriku më bën ta kuptoj më mirë atë. Ta kuptoj edhe përgjigjen e asaj pyetjes latine për gjyqtarët dhe drejtësinë , “Quis ipso custodiem?”(Kush do t’i kontrollojë gardianët?)

E kuptoj dhe ambasadorin Lu,  pse përmend Hamiltonin, e kuptoj pse ai u drejtohet të rinjve shqiptarë, e kuptoj pse ai është i zhgënjyer nga levantizmi i politikës sonë. E kuptoj atë që edhe ai e ka kuptuar, se fjala besë ka lindur aty ku nuk ka besë. E kuptoj më mirë dhe pesimizmin e Konicës që thoshte se “Shqipërinë e bënë idealistët, shpëtoi nga rastësia dhe po e varrosin politikanët” Dhe besoj se edhe pa e ditur thënien e këtij shqiptaro-amerikani të madh Ambasadori Lu, kuptoj  gjë që dhe politika amerikane e ka kuptuar, ndaj e toleroj dhe i jam mirënjohës, në emër të gjithë shqiptarëve, që nuk po e lë Shqipërinë të bjerë në atë që s’ia thoshte dot goja Konicës, në vetë- shkatërrim, në “self-distruction”.

Ndaj kur u kthehem fjalëve të amerikanit të madh, Aleksandër Hamilton,e kuptoj më mirë rëndësinë e 4 Korrikut, i kuptoj më mirë dhe fjalët e një prej etërve  të vendit tim të madh, kur në letrat “Letrat e Federalistit, në faqen 78, shkruan,“…pavarësia e gjyqtarëve mund të jetë garanci thelbësore ndaj pasojave të depresioneve të rastësishme të shoqërisë, jo vetëm në rastin e shkeljeve të Kushtetutës. Nganjëherë këto shkelje nuk janë më shumë sesa cenime të së drejtave private të kategorive të veçanta të shtetasve për shkak të ligjeve të padrejta dhe të njëanshme. … Çdo njeri i matur duhet të çmojë gjithçka që synon të krijojë ose të forcojë këtë frymë në gjykatat, pasi askush nuk mund të jetë i sigurt se nesër nuk do të jetë viktimë e frymës së padrejtësisë, paçka se sot ai mund të nxjerrë ndonjë përfitim prej saj. Çdo njeri duhet ta ndjejë tani se prirja e pashmangshme e kësaj fryme [të padrejtësisë] është gërryerja e themeleve të besimit publik dhe privat dhe zëvendësimi i tij me mosbesimin dhe pasigurinë e përgjithshme.” Duken si fjalë të shkuara për Shqipërinë sot, vërtet, apo jo?.

Ndaj nuk më duhen, as mua, as Shqipërisë pavarësisht prirjeve politike, as fjalët e sheqerosura në hipokrizi triumfatore e elokuente, rilindase të Ramës, as kapja pas qimes së kashtës dhe paranoja e Bashës, as manovrat tinzare “me sovranitet” prej skileje plakë të Berishës, e as fjalët plot miradije dhe me torba bosh të Metës. Shqiptarëve u duhet super-njeriu që kërkoi më kot Migjeni, i duhet ai që lind nga një ideal pozitiv, për një kohë të re , që s’qenka aq e re, na duhet ajo, çka amerikanet po na e mësojnë. Ajo që ata e dinë prej 240 vjetësh, se liria individuale sigurohet, kur “Populli vihet përpara Shtetit”.

Në frazën ndoshta më të famshme të nxjerrë nga teksti i Shpalljes së Pavarësisë Amerikane, mete cilën fillojnë dhe pyetjet e provimit të nënshtetësisë amerikane, thuhet se , “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë”.

Mesazhi kryesor i kësaj dite si për amerikanët ashtu edhe për popujt anë e mbanë botës është se këto mund të jenë fjalët më me rëndësi në historinë e njerëzimit – “se Perëndia dhe natyra, dhe jo qeveria, mbreti ose parlamenti – jo vetëm amerikanëve por të gjithë njerëzve kudo, u ka falur të drejta themelore dhe të pamohueshme. Dhe se qeveritë krijohen nga populli për të vetmin qëllim e që është për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave natyrore dhe në ushtrimin e tyre në mbështetje të qytetarëve”.

Sot 4 Korriku për shqiptaro-amerikanët është si një Ditë Falënderimesh, e cila shijohet më së miri pa bujë, por duke medituar për Shqipërinë, për Dheun e Atit, për Dheun e Nënës pikërisht para 21 Korrikut.

Sot është koha, siç thoshte Napolon Bonaparti kur “Asgjë nuk është më e vështirë dhe prandaj më e vlefshme, sesa aftësia për të vendosur.”

Prandaj le ta lëshojmë një fishekzjarr në këtë 4 Korrik sot, edhe për mikun Lu,-se, duke theksuar se liria vjen nga drejtësia.

Dhe Gëzuar!

Autori është kryeredaktor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës

Filed Under: Featured Tagged With: 4 korriku, fishekzjarre per ambasadorin LU, Rafael Floqi

4 Korriku, Ja Historia

July 3, 2015 by dgreca

Si u caktua 4 Korriku 1776, Dita e shpalljes së Pavarësisë së SHBA/
Nga Shefqet & Herion Kercelli/
Populli amerikan feston Ditën e Pavarësisë më datën 4 korrik të cdo viti. Sot, të gjithë amerikanët e shohin 4 korrikun e vitit 1776, këtë ditë të madhe, si dita që përfaqëson Shpalljen e Pavarësisë dhe lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një komb i pavarur. Në fakt ka pasur mjaft ngjarje dhe një periudhe kohore prej dhjetra vitesh deri në ligjërimin e kësaj date si dita e pavarësisë së SHBA. Fillimisht Kongresi Kontinental e formuloi dokumentin e pavarësisë së SHBA më 2 korrik 1776. Por, nuk u caktua kjo datë si dita e pavarësisë. Ndërkohë nuk u caktua as dita e fillimit të Revolucionit Amerikan, në prill të vitit 1775, si ditë e pavarësisë. As dita kur Thomas Jefferson shkroi dokumentin e parë të Shpalljes së Pavarësisë në qershor 1776. Gjithashtu as data e 2 gushtit 1776, kur dokumenti u firmos nga të gjithë delegatët dhe as nëntori i 1776, kur ju kërkua Britanisë së Madhe të njohë pavarësinë e shtetit të ri.
Cfarë ndodhi në 4 Korrik 1776?
Kongresi Kontinental e shpalli Aktin final të Pavarësisë më 4 Korrik 1776. Delegatët e shteteve federale punuan disa ditë derisa më 2 korrik 1776, ranë dakort me të gjitha redaktimet dhe ndryshimet e draftit përfundimtar, kështu e miratuan atë përfundimisht. Vërtet 4 korriku i 1776-ës, u bë dita e shpalljes së Pavarësisë, por kopja e parë e dokumentit final e shkruajtur me dorë dhe e zbukuruar u firmos në gusht 1776. (Kopja origjinale është e ekspozuar në Arkivat Kombëtare në Washington, D.C.). Në gusht 1776 mbi Bordet Dunlap, u printuan kopje të dokumentit origjinal që u shpërndanë e qarkulluan në gjithë shtetet përbërës të SHBA. Në SHBA festohet Dita e Kushtetutës më 17 Shtator të cdo viti, pra përvjetori i datës kur ky dokument themelor është firmosur, jo dita kur ajo është aprovuar. Në qoftë se do ishte ndjekur kjo praktikë e njejtë për Shpalljen e Pavarësisë, për anollogji i binte që Dita e Pavarësisë të festohej më 2 Gusht të cdo viti, pra ditën e firmosjes së këtij dokumenti themelor nga gjithë delegatët e Kongresit Kontinental.
Por si u bë 4 Korriku një ditë pushimi kombëtar?
Gjatë 15 -20 viteve të para mbas Shpalljes së dokumentit të shkruar, qytetarët amerikanë nuk e festonin atë në shumicën e tyre. Ishte një ditë shumë e re dhe mjaft ngjarje ndodhën më pas në kombin e ri. Vitet 1790 e më pas ishin periudhë e konflikteve e ndodhive të padëshërueshme, ndaj shpallja e kësaj dite ishte e diskutueshme. Ndërsa një parti, ajo e Demokrato-Republikanëve, admironte Jeffersonin dhe Shpalljen e kësaj dite, partia tjetër, Federalistët, mendonin se shpallja favorizonte ndikimin francez dhe injoronte Britanikët, pra, shkonte kundër politikave aktuale të shtetit të ri. Në vitin 1817, John Adams u ankua me një letër ku thuhej se Amerika dukej e painteresuar në të shkuarën e saj. Por, shpejt kjo situatë do ndryshonte. Pas Luftes së vitit 1812, partia Federaliste dhe partitë e reja të viteve 1820-1830 e konsideronin veten si trashëgimtare të Jefferson dhe Demokrato-Republikanëve. Kështu kopjet e printuara të Shpalljes së Pavarësisë filluan të qarkullojnë përsëri, të gjitha me datën e 4 Korrikut 1776, të vendosur në krye. Vdekja e Thomas Jefferson dhe John Adams më 4 Korrik 1826, rizgjuan dhe nxitën idenë për të caktuar 4 Korrikun si datë për të festuar shpalljen e pavarësisë. Në vitet e mëpasme festimet për 4 korrikun u zgjeruan në gjithë shtetet dhe përfshinë shumicën e banorëve. Kjo datë u ligjërua përfundimisht në vitin 1870, pothuajse njëqind vjet pas nënshkrimin të aktit të pavarësisë. Në këtë vit séanca e parë e Kongresit e deklaroi 4 Korrikun, si ditën e pavarësisë dhe ditë pushimi kombëtar, si pjesë e një projektligji që zyrtarisht njohu disa ditë pushimi, përfshirë dhe festën e Krishtlindjeve. Me tej legjislacioni për ditët e pushimit kombëtar, duke përfshire 4 Korrikun, u zgjerua në vitet 1939 dhe 1941. Dita e sotme, 4 korrik 2015, dita simbol e pavarësisë së SHBA, festohet nga gjithë populli amerikan bashkë me miqtë dhe aleatët e tij, ku populli shqiptar, vecanërisht shqiptaro-amerikanët zenë një vend nderi.

Filed Under: Histori Tagged With: 4 korriku, Herion Kercelli, ja historia, Shefqet

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT