• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tv Kultura Shqiptare, çerekshekull në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë

December 10, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 4 Dhjetor 2022 – Televizioni Kultura Shqiptare festoi çerekshekull transmetime dixhitale në shërbim të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një festë madhështore në Bronx, media e drejtuar nga Adem Belliu përfshiu shumë bashkëpunëtorë ndër vite, profesionistë të medias, veprimtarë të komunitetit shqiptar, miq e të ftuar të familjes televizive. Televizioni Kultura Shqiptare u themelua më 28 Nëntor 1997 në Bronx New York. Ishte pjesë e rrjetit të televizionit publik Bronxnet. Ky televizion ka ndjekur çdo veprimtari të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke qenë një memorie televizive, historike, dixhitale e shqiptarëve të Amerikës. TV Kultura Shqiptare ka në plan në bashkëpunim me organizatat shqiptare kryesore në New York që në pranverë të organizojë një festë madhështore për komunitetin shqiptar. TV Kultura Shqiptare është televizioni më i vjetër shqiptar në Amerikë dhe ka një arkivë shumë të pasur të jetës komunitare të shqiptarëve të Amerikës. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta Dielli i shpreh mirënjohje dhe falenderim të përzemërt për bashkëpunimin, dedikimin, përkushtimin dhe profesionalizmin.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Adem Belliu

TV KULTURA SHQIPTARE, 29 TETOR-MBREMJE GALA PER 20 VJETORIN

September 16, 2017 by dgreca

1 reklama Adem

Me 29 tetor 2017, TV Albanian Culture, me rastin e 20 vjetorit të themelimit,do të organizojë një  mbrëmje Gala në Symphony Space në Manhattan.Ju, së bashku me familjet tuaja, me miqtë amerikanë e shqiptarë,mund të bëheni pjese e ketij eventi duke telefonuar në Tel: 212- 864-5400.Cmimi i biletes $40.00.Për rrugëtimin 20 vjeçar të këtij televizioni, që është bërë aq i dashur jo vetëm për shqiptarët e Amerikës, por edhe në Kanada e Europë, editori i Diellit intervistoi producentin Adem Belliu.Ndiqeni:

19-ademi ok

Gazeta “Dielli”- TV Kultura Shqiptare po mbush 20 vjet mes shqiptarëve të Amerikes. Si ndjehet producenti, krijuesi, pronari Adem Belliu?

1 Adem me Markunadem DioGuardi1 Interviste astorino1 adem7Bronx NetKeshilli i Vatres 30 gusht 1118

Adem BELLIU:- Më duket si ëndërr që Albanian CultureTV është në vigjilje të festimit të 20 vjetorit. Shpeshherë më drejtohen me tituj të ndryshëm kur flasin për të. Njerëzit që më njohin më drejtohen si producent, director, pronar i këtij TV. Këto janë disa tituj që më vishen mua si person në lidhje me këtë TV, dhe me modesti mendoj se i kam fituar me punën time në këto 20 vjet në studjot e TV Albanian Culture. Jam i vetedijshëm që kam bërë një punë kolosale në këto 20 vjet, dhe se kamerat e TV Albanian Culture TV kanë regjistruar të plotë historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan.Por shpeshherë më mundon fakti për emrin që unë i kam vënë këtij televizioni para 20 vjetëve. Dhe gjithmonë i bëj pyetjen vetes “Në këto 20 vjet a e kam justifikuar punën për emrin që ky TV mbart?”

Pasi “Albanian Culture” është një emër që përmban një përgjegjësi të madhe mbarëkombëtare për ne si diasporë.

Dielli:- Si lindi ideja e hapjes së kësaj dritareje bashkuese për Shqiptarët e Amerikës? Mund të sillni detaje, nga projekti deri tek realizimi?

Përgjigje:- Familja ime emigroi në NY në Janar të 1994. Si për të gjithë emigrantët, edhe për ne fillimet ishin të vështira, jo vetëm ana ekonomike por edhe shoqërore e kulturore. Në atë periudhë çdo të djelë transmetohej 1 orë program në gjuhën shqipe i përgatitur nga studjoja “Viktoria” me pronarë vëllezërit Osmani. Me mbylljen e studjos Viktorja u krijua një boshllëk për emigrantët shqiptarë. Në këto kushte, unë mendova të vazhdoja shkollën për produksion televiziv me qëllim që të mundësoja prodhimin e një emisioni televiziv në gjuhën shqipe. Kisha dëshirë të vazhdoja traditën që bashkatdhetarët të vazhdonin të shikonin emision në gjuhën shqipe çdo të djelë pasdite.

Dielli-Trasmetimin e parë, si e kujtoni?

Përgjigje:- Deshiroja që transmetimi I parë ti përkushtohej 85 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Pasi e diskutuam në rrethin familjar, menduam që në transmetimin e parë të shfaqnim filmat Skënderbeu & Nëntori I Dytë në 28 Nëntor të 1997. Atë ditë nuk kam për ta harruar. Na dukej si ëndërr që shikonim një film shqip në stacionet televizive të Nju Jorkut.

Dielli- I kujtoni mbështetësit e parë?

Përgjigje – Gjithmonë. Për mua mbështetësit kryesorë që kanë qenë prezent në çdo kohë, kanë qenë shikuesit. Reagimin për emisionin javor unë e merrja nga të gjithë bashkatdhetarët që e ndiqnin këtë televizion në mënyrë të rregullt çdo të djelë e të mërkurë. Ata ishin pasqyra ime. I ruaj me fanatizëm mesazhet që më kanë lënë shikuesit e TV Albanian Culture në makinën e mesazheve të telefonit.

Dielli- Si kanë qenë marrëdhëniet me Komunitetin, me shoqatat, sa e kanë gjetë veten në ekran ato, dhe sa e kanë mbështetë atë?

Përgjigje:- Komuniteti ynë shquhet për një larmishmëri në drejtim të ekzistencës së shoqatave e organizatave të cilat mbështeten në pikëpamje politike apo në rrethana krahinore. Siç e thashë edhe më parë emri Albanian Culture TV ka një peshë të madhe jo vetëm për mua si producent I tij por për të gjithë ata që unë jam munduar tu shërbej. Flasim këtu për një ndjenjë mbarëkombëtare. Si busull kam thënjen e të madhit Pashko Vasa “Feja e Shqiptarit është shqiptaria”. Pra, Jam munduar të mbajë një ekuilibër në komunitet, të paraqes në ekranin e TV Albanian Culture veprimtarinë e mjaft organizatave e shoqatave shqiptaro-amerikane pa dallim krahine apo pikëpamje politike. E kam parë si një detyrim që më duhet ti shërbej komunitetit tim jo vetëm për ruajtjen e kulturës kombëtare por edhe ta ndihmoj atë sadopak në integrimin në jetën e përditshme në vendin ku jetojmë.

Dielli- Keni menduar ndonjëherë se mund të tërhiqeshit, pra e keni ndjerë lodhjen?

Përgjigje:- Po, kam pasur momente që në familje kam thënë “Nuk do vazhdoj më me televizionin”, por mendoj se kanë qenë të çastit. Si çdo njeri edhe unë I bëj analizën vetëvetes, dhe mendoj se kam arritur në konkluzionin se TV Albanian Culture është një pjesë e shpirtit tim. Bashkëshortja, Mimoza, shpesh më thotë që kamera e televizionit më ka zëvendësuar trompën, dhe se TV më mban gjallë shpirtin e artit.

Nuk mund ta pranoj që televizioni më jep lodhje pasi ndjej që marr jetë dhe energji kur dal dhe filmoj një aktivitet apo intervistoj dikë në studjo apo në terren.Çdo intervistë më jep një frymëzim dhe diçka të re në jetën time të përditshme.Mosha bën të vetën jo në plakje por në rritje të eksperiencës.Këto vitet e fundit e kam organizuar punën në mënyrë të tillë që punët janë ndarë në mes të dy studjove të TV Albanian Culture në NY & Tiranë. Konkretisht editimet dhe programimi bëhen nga studjoja e TV Albanian Culture në Tiranë që më ka lehtësuar mjaft ngarkesën e punës.

Dielli- Sa e përfshirë është Familja Belliu në këtë TV? 

Përgjigje:- Pa familjen time nuk mendoj se mund ta bëja. Nuk flas vetëm për anën financiare. Për mua më e rëndësishme ka qenë suporti emocional e puna konkrete e bashëshortes Mimozës, djalit Gertoldit dhe vajzës Vera, të cilët kanë punuar vullnetarisht në përgatitjen e emisioneve të TV Albanian Culture.

Po të analizojmë ecurinë e këtij televizioni, do shikoni që ka rritje nga emisioni në emision. Dhe kjo është falë syrit kritik të familjes në radhë të parë. Në çdo ambjent shtëpiak të familjes sime, gjithmonë është menduar që duhet të kishim mobilim që do t’i përshtatej setit për filmim të emisionit. Ky ishte proritet dhe vihej si kusht nga ana ime kur kemi lëvizur në apartamente të ndryshme. Dhe së fundi kur blemë shtëpinë, u vendos që do ndërtonim studjon televizive të përhershme për TV Albanian Culture, që tashmë ka marrë formë të plotë në Nju Jork. Por s’mund të lë pa përmendur faktin se ata me mbështetën plotësisht edhe për studjon e TV Albanian Culture në Tiranë.

Dielli- Kur i shihni, tani pas 20 vitesh kronikat, programet, çfarë ndjenje provoni?

Përgjigje:– Krenari. Mendoj se kam një pasuri mjaft të madhe. Kam një pjesë të historisë së komunitetit shqiptaro-amerikan të viteve 1997-2017. Do të desha të bëja një analogji jo modeste, ta krahasoja arkivin  shumë të pasur të TV Albanian Culture për 20 vjet jetë të komunitetit shqiptar të Amerikës me arkivin e 105 vjeçar të Vatres, veçanërisht për shqiptarët e Amerikës në periudhën e para Luftës së Dytë Botërore.

Kush viziton Vatren do të mësojë historinë e shqiptarëve të Amerikës dhe konsolidimin e komunitetit shqiptaro-amerikan,kush do ketë durim të shikojë arkivin e TV Albanian Culture do të mësojë se komuniteti shqiptaro-amerikan në periudhën 1997-2017 ka pasur një jetë me aktivitet të larmishëm në ruajtje të identitetit kombëtar dhe integrimit në vendin e ri.

Dielli- TV Kultura Shqiptare ka regjistruar thuajse të gjitha veprimtaritë kryesore të Komunitetit,veçanërisht të atij që jeton Trishtetshin, NY, NJ, CT, cilat do të veçonit?

Përgjigje:- Siç e thashë edhe pak më parë, unë jam munduar të mbaj një ekuilibër në punën time 20 vjeçare. Jam munduar të trajtoj çdo aktivitet me të njëjtën rëndësi. Pasi në fund të fundit çdo aktivitet është pjesë e jetës sonë të përditshme. Megjithatë po ta konsideroj TV Albanian Culture si një individ që shkon përditë në punë, por të djelën do të shkojë në dasëm dhe do të veshi rrobat më të mira, atëherë mund të them që edhe TV Albanian Culture ka patur mjaft aktivitete të cilat kanë qenë speciale në vartësi nga koha dhe tema që kanë mbuluar. Do desha të përmendja mbresat që më kanë lënë intervistat që kam marrë në Royal Regency Hotel në 1999 ushtarëve të batalionit Atllantik që do të niseshin të merrnin pjesë në luftën e Kosovës. Po ashtu do desha të përmendja, aktivitetet e organizuara nga NAAC, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerkane për nivelin e lartë të organizimit,festën dyditore të 100 Vjetorit të Vatrësetj… Lista e shoqatave është e gjatë, dhe unë nuk dua të zbuloj para kohe libretin e mbrëmjes Gala Albanian Culture Award që do të organizohet në 29 Tetor në Symphony Space në Manhattan. Shpresoj shumë që t’i shoh vatranët dhe lexuesit e Diellit në këtë mbrëmje, ku do të mësojnë në detaje përgjigjen e plotë të pyetjes suaj.

Dielli- Diçka për arkivin, që është një pasuri me vlerë, si ruhet ai dhe sa shfrytëzohet?

Përgjigje:- Arkivi është historia 20 vjeçare e komunitetit shqiptaro-amerikan për vitet 1997-2017,që përfshin valën e tretë të emigrimit të shqiptarëve në Amerikë. Për mua është thesar, “Flori kaluar floririt o Tunxh” po të përdorim shprehjen e Dhaskal Todhrit(Interpretuar prej aktorit të madh të Kinematografisë Shqiptare, Sandër Prosi) te filmi “Udha e Shkronjave”.Arkivi është i pasur,i   pazëvendësueshëm, dhe ruhet mjaft mirë në disa sisteme teknologjike.Momentalisht,me që jemi në vigjilje të festimit të 20 vjetorit kemi filluar të shfaqim pjesë nga arkivi në mënyrë të rregult në TV Albanian Culture.

Dielli- TV KULTURA SHQIPTARE-Emër domethënës, sa e pranishme është Kultura shqiptare në ekran?

Përgjigje:- Eshtë një pyetje që ia bëj vetes shpesh. Kur u vendos për emrin e këtij televizioni 20 vjet më parë, ne menduam thjesht si shqiptarë të  dalloheshim nga komunitetet e tjera.  20 vjet më parë me “Albanian Culture” unë nënkuptoja simbolet dhe integritetin kombëtar.

Por kohët ndryshojnë. Me kalimin e viteve ndryshojnë edhe qëllimet e pozicionet që merr në jetë. Kështu që momentalisht fjala “Culture” apo “Kultura” ka një kuptim më të gjerë dhe të thellë. Kultura është ruajtja e identitetit. Në Kohën e sotme kjo është mjaft e rëndësishme jo për brezin tonë, por për gjeneratën e fëmijëve tanë që në një mënyre apo tjetër po integrohen në këtë vend me hapa shumë më të shpejta se ne. Është detyra jonë si prindër, por mbi të gjitha si shqiptarë që të transmetojmë tek ata identitetin kombëtar shqiptar.

Dielli- Përveç Nju Jork-ut, ju keni edhe studion tuaj në Tiranë, ndërkohë që keni një bashkëpunim të ngushët me TV Pasqyra në Toronte. Sa ndihmojnë këto dhe si janë pritur nga teleshikuesit?

Përgjigje:- TV Albanian Culture filloi si entitet i familjes Belliu por që do ishte në shërbim të komunitetit. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të isha i suksesshëm po të punoja I vetëm. Qëllimi im për këtë TV ka qenë që të paraqisja në ekran jetën e shqiptarëve të Amerikës dhe Diasporës shqiptare në botë. TV Pasqyra në Toronto me producent Ilir Lena pasqyron jetën e shqiptarëve të Kanadasë, të cilët janë pjesë e diasporës. Studjoja e TV Albanian Culture në Tiranë përgatit emisione për aktivitete që kanë rëndësi për komunitetin shqiptar të Amerikës si dhe është përgjegjës për programimin e transmetimit të emisioneve.

Dielli- 20 Vjetori, nuk është vetëm festa e televizionit, por gjithëpërfshirëse për Komunitetin, si keni menduar për t’i  bërë pjesë të festës Shqiptarët e Amerikës, organizatat, artistët, amerikanët?

Përgjigje:- TV Albanian Culture ka 20 vjet veprimtari jo vetëm në Nju Jork por në tërësi në komunitetin shqiptar të Amerikës. Ky televizion mbanë historinë 20 vjeçare të jetës shqiptaro-amerikane për periudhën 1997-2017.Kështu që ky përvjetor është festa e komunitetit për periudhën 1997-2017.Në këto 20 vjet, ne kemi kaluar mjaft gëzime e hidhërime së bashku, dhe këto të gjitha janë regjistruar nga lentja televizive e TV Albanian Culture. Si grup organizues kemi menduar të ftojmë të gjitha organizatat e komunitetit që kanë lënë një vend të shënuar në historinë e këtyre 20 vjetëve në komunitetin shqiptaro-amerikan.Ky eveniment është konceptuar si një mbrëmje Gala,që ne e kemi quajtur Albanian Culture Award, që do të mbahet me 29 Tetor në sallën e teatrit Symphony Space në Broadway Manhattan.

       Dielli-  A mund të përcjellim detaje për lexuesit e Diellit, se si do të jetë spektakli fetsiv i 29 Tetorit, ku të kulmojë festa, programi, artistët pjesmarrës, ekipi që po punon për këtë qëllim?

Përgjigje:- Grupi i punës,i përbërë nga Vera Belliu,Andis Gjoni,Valentin Veizi, Marjana Bulku,Flora Nikolla, Pranvera Çobo & Adem Belliu mblidhet në mënyrë të rregult. Eshtë menduar që do jetë një mbrëmje me një koncert artistik, ku do të marrin pjesë artistët shqiptaro-amerikanë me banim në Amerikë, që janë pjesë e kësaj historie 20 vjeçare,do të ketë ndarje çmimesh dhe jo fjalime.

       Dielli: – Atëherë, mesazhi në pragfestë?

       Përgjigje: Bashkatdhetarë, kjo nuk është festë vetëm për TV Kultura Shqiptare, as vetëm për ekipin televiziv, as vetëm e Familjes Belliu, kjo është festa Juaj.Ejani, bëhuni pjesë e spektaklit.

     -Dielli: Faleminderit për Intervistën!

Përgjigje: Ishte kënaqësi intervista me gazetën më të vjetër të botës Shqiptare, Diellin e Vatrës. Faleminderit Juve!

Intervistoi:Dalip Greca

Filed Under: Featured Tagged With: 20 vjet, Adem Belliu, dalip greca, Interviste, Tv Kultura Shqiptare

TELEVIZIONI KULTURA SHQIPTARE ME SHQIPTARËT E ALASKËS

November 11, 2014 by dgreca

SI E BASHKOI TELEVIZIONI KULTURA SHQIPTARE NË NEW YORK, KOMUNITETIN E ALASKËS ME PJESËN TJETËR TË DIASPORËS NË AMERIKË…/
NGA DALIP GRECA
Shqiptarët e Alaskës! Sa janë ata në numër. Kur shkoi atje shqiptari i parë? Me se merren ata? Si janë të organizuar!
Para pak kohësh pyetje të tilla debatoheshin në forumet e të rinjëve shqiptar në rrjetet sociale, por secili jepte përgjigje hamendësuese.
Sinan Kamberaj, gazetari nga Kosova,ish k/redaktori i Gazetës Shqiptaro-amerikane Illyria,që e nisi botimin në qershor 1991, dhe gazetar i hershëm i Televizionit të Prishtinës, që jeton në Nju Jork, më pat përcjell një informacion të detajuar për shqiptarët me origjinë nga Kosova që jetonin në Alaska, por jo për pjesën tjetër,- veçanërisht shqiptarët e Maqedonisë që përbëjnë shumicën e komunitetit shqiptar në Alaskë. Gazetari së bashku me ish kryetarin e athershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrustem Ibraj, kishin shkuar në Alaskë në mars të vitit 1995.Qëllimi i udhëtimit ishte organizimi i degës së LDK-së dhe një reportazh e abonime nga gazetari.
– Ishin shumë të përmallur për të takuar shqiptarë, qofshin dhe ata që jetojnë në shtete të tjerë të Amerikës. Dolën në aeroport dhe na pritën me shumë vetura dhe flamuj shqiptar dhe amerikan, kujton gazetari.Na pritën bujarisht. Qëndruam vetëm tri ditë, e kishim problem se nuk u mesuam me raportet nate-dite, dielli dukej se s’perendonte.Duhej krijuar erresira me masa artificiale.
Sinani pohon se në atë kohë numri i shqiptarëve në Alaskë ishte i pakët, jo më shumë se 100 dhe gati të gjithë ishin të grumbulluar në Anchorage, një nga qendrat më të banuara të Alaskës.Por deri atë kohë askush nuk pat shkruar për ata. Tregojnë se Shqiptari i parë në Alaskë ka shkuar nga kOrca dhe quhej Kosta, por ai kishte vdekë shumë kohë paar se të shkonim ne dhe nuk ia gjetëm gjurmët, vec emrin.
Në Alaskë ka shkuar edhe Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane,Joe DioGuardi. Edhe ata në mes vitet ’90. Pas kësaj asgjë nuk u dëgjua për shqiptarët e Alaskës, deri në fillimet e luftës në Kosovë. Pikërisht me 26 Maj 1998, amerikanja Stacy Sullivan, krahas shqiptarëve të tjerë, do të përmendte në specialen e botuar në The Washington Post, edhe emrin e një shqiptari të Alaskës, Jesse Musliu, që kishte udhëtuar 12 orë me avion nga Alaska, për të kontribuar për mbledhjen e fondeve në ndihmë të lirisë së Kosovës. Musliu kishte thënë se edhe shtëpinë e shiste për të ndihmuar Kosovën dhe se komunitetit të Alaskës do t’ia dëgjoni zërin. Dhe e mbajtën fjalën. Ishte komuniteti i shqiptarëve në Alaskë, ai që nisi më shumë armatime drejt Kosovës, përfshi dhe prodhimet më të fundit të snajperëve. Jesse alias Njazi Musliu, u kthye në Alaskë dhe iu fut punës, duke bërë për vete edhe amerikanët. Askush nuk foli më pas për Njaziun me shokë. Askush nuk i falenderoi për avionët e ngarkuar që andej me armë e municione, me ndihma e medikamente. Por ata nuk u zemruan, nuk e morën mëni Kombin, vazhduan të punojnë për çështjen Kombëtare. Po mbetën ashtu të pazëshëm, të pafjalë. Dhe sërish në rrjetet sociale shtrohej pyetja: – A ka shqiptarë në Alaska? Sa janë? Askush nuk përgjigjej….
Pronari i Televizionit, Adem Belliu, u dha fjalën se do të shkonte vetë në Alaska me ekipin e tij. Dhe ashtu bëri, bashkoi pjesën e izoluar të komunitetit shqiptar në skaj të botës, Alaska, me pjesën tjetër të diasporës. TV Kultura Shqiptare do të do të sillte me figurë e zë shqiptarët e Alaskës.
Më 11 shtator, ekipi i TV Kultura Shqiptare, mori avionin dhe kamerat dhe pas dymbëdhjetë orë fluturim u gjendën mes shqiptarëve të Alaskës, të cilët për një javë ofruan miqësi, bujari, ngrohtësi e shqiptarizëm dhe përcollën copëza nga jeta e përditshme dhe treguan historitë e tyre.

SA ËSHTË NUMRI I SHQIPTARËVE NË ALASKA

Më tregon Adem Belliu:- Para se të nisesha dikush më pat thënë se duhet të jenë nja 200-300 shqiptarë në Alaskë, dikush pat shkruar në internet se numri i shqiptarëve shkonte deri në 500, ndërsa Njazi Musliu nga Kosova, aktivist ndër më të njohurit atje, i papërtuar dhe tepër bujar, pohoi para kamerave se jetojnë më shumë se 1200 shqiptarë atje dhe gjeografikisht ata përfaqësojnë Shqipërinë Etnike pasi kanë shkuar aty edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova, shumë nga Maqedonia e më pak nga Mali i Zi.(Nje reportazh te zgjeruar do te lexoni ne Diellin special te 28 Nentorit, qe kete here del me 108 faqe)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Adem Belliu, me Shqiptaret ne Alaska, televizioni Kultura Shqiptare

TAKIM NË KONSULLATËN E KOSOVËS NË NEW YORK

April 14, 2014 by dgreca

KRYETARIT TË DEGËS SË VATRËS NË JACKSONVILLE-FLORIDA,Z. ADRIATIK SPAHIU, IU DHURUAN LIBRA PËR SHKOLLËN SHQIPE QË DO TË HAPET SË SHPEJTI NGA DEGA E VATRËS/
Ditën e hënë me 14 Prill, kryetari i degës së Vatrës në Jacksonville-Florida, z. Adriatik Spahiu i shoqëruar nga editori i Diellit Dalip Greca dhe drejtori i TV Kultura Shqiptare, Adem Belliu, u pritën në Konsullatën e Kosovës nga ambasadori Bekim Sejdiu dhe ndihmësi i tij, Konsulli Korab Mushkolaj. Ambasador Sejdiu i uroi mysafirit nga Florida mirëseardhjen dhe e përgëzoi për punën e palodhur në cështjen Kombëtare, për veprimtaritë e degës së Vatrës, si dhe për inisiativën që kjo degë dhe kryetari i saj kanë marrë për hapjen e shkollës shqipe në Jacksonville, ku jetonë më shumë se 7-8000 shqiptarë. Ambasadori u ndal edhe në regjistrimin e domosdoshëm të shqiptarëve kudo që ndodhen në SHBA. Më pas ai foli për përparësinë që merr hapja e shkollave shqipe për të ruajtur gjuhën e Kombit nga vijmë, kulturën dhe traditat kombëtare.
Kryetari i degës së Vatrës në Jacksonville informoi për punën atdhetare që po bën dega e Vatrës atje, duke plotësuar një boshllëk të ndjeshëm në komunitetin shqiptar atje. Ai tha se insiativa për krijimin e degës pat filluar që në 100 vjetorin e Vatrës, por ditëpërditë ajo u rrit dhe tash ka rreth vetes një komunitet të shumtë, që po vjen duke u shtuar. Spahiu informoi edhe për festimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në Jacksonvillë, tha Spahiu, jetojnë rreth 150 shqiptarë të Kosovës. Ata po i afrohen përditë e më shumë Vatrës. Vetëm në ditën e festës për pavarësinë e Kosovës, u anëtarësuan në Vatër 15 veta. Shkolla shqipe që do të hapet së shpejti do ta gjallërojë akoma më shumë degën e Vatrës dhe do t’i bëjë më të intëresuar shqiptarët e atjeshëm.
Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit Shqiptaro Amerikan, z. Martin Shkreli. U bisedua gjatë për cështjen Kombëtare dhe bashkërendimin e shoqatave që veprojnë në Amerikë.
Duke i dhuruar librat për Shkollën Shqipe në Jacksonville, ambasador Bekim Sejdiu, falenderoi edhe një herë për inisiativën, ndërsa zoti Spahiu falenderoi shtetin e Kosovës për librat e dhuruara.

Filed Under: Vatra Tagged With: Adem Belliu, Adriatik Spahiu, ambasador Sejdiu, dalip greca, ne New York, TAKIM NË KONSULLATËN E KOSOVËS

NJË JAVË MES SHQIPTARËTVE TË ALASKËS

October 4, 2013 by dgreca

NGA ADEM BELLIU/

Ne Foto: Adem Belliu, trasmetim nga Alaska per TV Kultura Shqiptare, new York/

Prej kohësh më ka munduar pyetja: A ka shqiptarë në Alaska? Intersimi im diku gjeti një përgjigje, një mik ma dha kontaktin dhe menjëherë e mora vendimin; Do të shkoj! Dhe kështu bëra; më 11 shtator, mora avionin dhe pas dymbëdhjetë orë fluturim u gjenda mes shqiptarëve të Alaskës, të cilët për një javë më ofruan miqësi, ngrohtësi e shqiptarizëm.

Që lart në ajër Alaska të shfaq një pamje të magjishme. Është shtet tepër i vecantë, jo vetëm për raportet ditë-natë, as për stinët, as për rrugët e akullta,as vetëm për eskimezët dhe jetën e tyre, as vetëm për të ftohtit e acartë, që s’është i pakapërcyeshëm, por  mbi të gjitha, unë gjeta të vecantën tek shqiptarët e atjeshëm,- që nuk ishin aq të paktë sa c’komentojnë në distancë,- një shqiptarizëm të shkallës sipërore.

Para se të nisesha dikush më pat thënë se duhet të jenë nja 200-300  shqiptarë në Alaskë, dikush pat shkruar në internet se numri i shqiptarëve shkonte deri në 500, ndërsa Njazi Musliu nga Kosova, aktivist ndër më të njohurit atje, i papërtuar dhe tepër bujar, më tha se janë më shumë se 1200 shqiptarë dhe gjeografikisht ata përfaqësojnë Shqipërinë Etnike pasi kanë shkuar aty edhe nga Shqipëria, edhe nga Kosova, shumë nga Maqedonia e më pak nga Mali i Zi..

Alaska ndodhet në skajin veriperëndimor të Kontinentit të Amerikës së Veriut, në kufi me Kanadanë në Lindje, Oqeanin Arktik në Veri, dhe Oqeanin Paqsor në Perëndim e Rusine (Siberinë) në Jug. Alaska është shteti më i madh në SHBA, por pak i populluar. Gjysma e popullsisë jetojnë në zonën metropolitane të Anchorage, ku banojnë aktualisht dhe pjesa më e madhe e shqiptarëve. Ekonomia e Alaskës dominohet nga nafta (gjeta atje edhe inxhinierë shqiptarë, që mbanin poste drejtuese), gazit natyror, peshkimi etj. Turizmi është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e ekonomisë në Alaskë. Dikur Alaska ishte e dominuar nga indigjenët,të cilët sot gëzojnë privilegje. Shtetet e Bashkuara arritën ta blejnë Alaskën nga Rusia më 30 mars 1867, për $ 7.200.000, që i bie rreth dy cent për acre . Emri “Alaska” në rusisht (Аляска) ishte huazuar gjatë periudhës koloniale ruse.

Mes shqiptarëve të Alaskës u ndjeva tepër i respektuar. Të lënë jashtë vëmendjes të shteteve nga vijnë, vendlindjet, edhe pse kanë dhënë shumë Kontribute, vecanërisht financiare dhe materiale, ata u ndjenë tepër të vlerësuar para kamerës të Televizionit Kultura Shqiptare.(Reportazhin e plote mund ta lexoni ne Diellin e printuar)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Adem Belliu, nje jave ems shqiptareve, te Alaskes

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT