• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FLAKET…

March 5, 2014 by dgreca

Mehmet Bislimi/

 Flakët/

(lexo me zë!)/

1.

sonte/

në Prekaz/

flakët e lirisë/

Komandantin përkujtojnë/

me shkëlqimin e flakës/

lirisë njerëzishëm ia hapwm derën/

më në fund, erdhën lulet/

se bashku me pranverën/

sakrificë e paparë/

e padëgjuar ndwr shekuj/

shqiptarët qëndruan të pathyer/

kurrë nuk e mohuan rrënjën e vet/

o botë e madhe a dëgjon/

këngën tonë të fuqishme

që luftëtarët e lirisë e kënduan

një shekull rrugëtim

deri me sot

sot në agim

një shekull rrugëtim i këngës sonë

për t’u kënduar sonte

tek Jasharët

me gojën tonë

tek të pavdekshmit

tek të gjallët

tek Jasharët

2.

Adem

sonte pa ty

këngët e lirisë nuk do të kishin kuptim

pa ty

pranvera nuk do të sillte lulet e lirisë

pa ty

marsi do të ishte muaj i rëndomtë

pa ty

nuk do të kishin harmoni notat e melodisë

Adem

ylli i hyjnisë

Adem

frymëzim i djalërisë

Adem

palca e shqiptarisë

 

Adem

sonte do thërrasim deri në kupë të qiellit

në Prekaz

aty ku ka lindur s’pari rrezja e diellit

3.

Adem

po

me ty erdhi pranvera

me ty

krenarinë kombëtare madhështojmë

me ty

të kaluarën e lavdishme nderojmë

në flakën e zjarrit që sonte për ty ndizet

u dogj robëria e gjatë

në Prekaz

në arenën legjendare

ku kanë rënë si me le burrat dhe gratë

atje ku themeli i lirisë është i lashtë

atje ku loza jote sonte shkëlqen flakë

atje ku lirisë i këndohet gjatë

atje ku burrat e dheut flasin pak

atje ku krisma e mitralozit të lirisë

ndihet larg

atje ku flakë do të ndezim prapë

e prapë do ringjallesh ti

për Plavë e Guci

Preshevë, Medvegjë e Çamëri

për Bujanoc Tetovë e shqiptari

atje në Prekaz

ku po linden përditë

Adema të ri

atje ku ngrihemi dhe biem me emrin Shqipëri

atje ku ëndrrat i shohim shqip

atje ku ti ke vënë këmbën mbi dhe

atje ku kemi shumë shokë e miq

atje ku trimërisht këngën e the

për liri

për atdhe

për besë e dhe

Adem flakë e rrufe

4.

sonte

zjarret do ndezim

sonte do qajmë e do qeshim

sonte do vallëzojmë deri në mëngjes

sonte lot do qesim

nga malli e mallëngjimi

për ju nëna

për ty nënëmadhja Zahide

nënë e të gjitha nënave

nënë e Mic Sokolave

nënë e zanave arbërore

sonte në gjunjë do biem për ty

lokemadhja Zahide

nusja e Shaban Plakut

motra e bacë Osmanit

nderi i konakut

nëna e Ademit djalit

nënë e Hamzës

nëna e shqipeve të malit

nëna e Zarifës e Hidajetës

nëna e Igballit e Valdetës

nëna e Igballës e Feridës

nëna e Afetës e Besimit

nëna e Selvetës e Blerimit

nëna e Fatimës e Blerinës

nëna e Adilës e Fitimit

nëna e Kushtrimit dhe Lirisë

nëna jonë

nëna e madhe e shqiptarisë

nëna e lirisë

Lavdia e Shqipnisë

5.

sonte do kujtojmë

motrat

nuset

fëmijët

baballarët

bacë Shabanin

Ademin

Hamzën

 

do kujtojmë djalërinë kryengritëse

Prekazin legjendar

pushkët e lirisë

kushtrimin shqiptar

pushkën e parë

Komandantin Legjendar

6.

në ballë të atdheut kush po prin

si gjithmonë luftë në Prekaz

bacë Shabani me martinë

po ia vret Serbisë ushtrinë

 

o ta puthsha çarkun e pushkës

mustaqen e bardhë

shallin me qeleshe

e kalin me shalë

njëherë ka lindur burri

dragua në këtë konak

ku flakët sonte prekin qiellin

për çdo yll bajrak

flamur përjetësie

mbi varr të bacë Shabanit

brezat shohin diellin

nën qiellin e përflakur

mbi këtë tokë të gjakut

të biem në gjunjë në shenjë nderimi

me respekt ta puthim

muranën e Shaban plakut

shqipen e bajrakut

e s’do i dalim hakut

rreke lumi i gjakut

gjak lirie

të lumtë ne që të kemi

ty o burrë Shqipnie

7.

sonte në Prekaz

nata është ndezë flakë

troket në ndërgjegjen tonë fort

të kujtohemi pak

për ata që ranë

për ata që gjymtyrët e trupit

peng lirie

në gjoks të atdheut

si medaljon i falën

 

i lanë

dëshmi të një kohe

testament pavarësie

flamur mbi kullë të Jasharëve

pranverë mbi tokën tonë

 

në zemër të shqiptarëve

fole dashurie bënë

ata

kurrë nuk u penduan

asgjë nuk kërkuan

kurrë nuk u hamendwn

kurrë nuk u lëkundën

respekt nga ne

respekt për këtë dhe

respekt për jetë

për duart e këmbë shkëputur të luftëtarëve

për liri të atdheut

8.

sonte t’i kujtojmë

edhe ata që nuk kanë kulm mbi kokë

edhe ata që nuk kanë sa duhet për të ngrënë

edhe ata që dita e nesërme nuk i gëzon

edhe ata që nuk kanë natën ku ta bëjnë

edhe ata që “koha” po i harron

edhe ata që skamja po i sfidon

edhe ata që në heshtje digjen zjarr

dhe gjoksi tym u lëshon

mos harroni amanetin

bacë Shabani pati thënë

lirinë të gjithë së bashku do ta ndajmë

të robëruar toka s’na pranon

sofrën thatë për askënd

mos me e lënë

ta nderojmë secilin luftëtar

të lirisë

së cilin bir të denjë të shqiptarisë

9.

sonte

dikush si hije përfton

pas hijeve të flakëve do fshihet

nata e zezë fytyrën ia mbulon

sonte dikë

flaka e lirisë e përcëllon

para bote e tall

shenjë i vë në ballë

a ka gjë më rëndë

për ata që ikin nga flaka e lirisë

për ata që mohojnë se janë bijtë e Shqipërisë

për ata që vetëdijshëm i bëjnë gropën lirisë

për ata që vrasin idealin e djalërisë

për ata që i bënë dredhi lirisë

 

10.

sonte edhe ju

pa përbuzje do ju shohim

në flakën e kuqe të kandilit

pa vrasje ndërgjegje

pa skuqje

kuqësinë tuaj do e djegim sheshazi

sonte do të takohemi

për të ia thënë njeri-tjetrit të gjitha

në sy

sonte mund edhe të mos puqemi

sonte mund edhe të skuqemi

nga gjithë kjo flakë që atdheun po e ndriçon

sonte në këtë natë zjarresh

a mbet ndonjë fjalë pa u thënë

a do të ketë lum që të ligjtë i lanë

a do të ketë flakë që ata i thanë

a do të ketë kush i qanë

 

 

11.

sonte festoni

sonte kujtoni

gjymtyrët e këputura të trupit tonë

Çamerinë

Preshevën

Medvegjën

Bujanocin

Shkupin

Tetovën

Plavën

Gucinë

Ulqinin

Peshterin

atje

ku flaka e lirisë pret të ndizet

atje

ku zjarri i robërisë po djeg liridashësit

atje

ku plaga e vjetër e atdheut tonë

peng e ndërgjegjes mbet

atje ku ajo që kërkohet nga ne

 

nuk jemi duke e dhënë

atje ku rrugët e lirisë

gjak po kullojnë

atje ku yjet vranësirat po luftojnë

atje ku një ditë mbi të ligat

do të fitojmë

përfundimisht

shqiptarisht

 

 

12.

sonte

flaka e lirisë nuk shuhet dot

e ndezi Komandanti

e ndezën Jasharajt

e ndezi Ushtria  Çlirimtare

e tokës shqiptare

sonte ushtarët e vërtetë

me flakën e lirisë në gjoks

krenarw festojnë

ata

kujtojnë ditët e mira

kur u mobilizua djalëria

kujtojnë ditët e liga

kur toka shqiptare po digjej

kur dikush po piqej

kur dikush po hiqej

kur dikush po krihej

kur dikush po zgërdhihej

kur dikush po qëndronte

kur dikush po marshonte

kur dikush po shante

kur dikush po ikte

kur dikush po dhunohej

kur dikush po masakrohej

kur dikush po vendnumëronte

kur dikush në anën e armikut shkonte

kur dikush po meditonte

kur dikush po mohonte

bijtë e atdheut

13.

sonte ata festojnë qetë

modestë e të çiltër

si gjithmonë

me shpirtin e tyre të dëlirë

zhveshur nga ligësitë

të shikojnë pa ndrojtje në sy

të vërtetën e madhe

e kanë thënë me vepra

jo me fjalë

të nderuar e të respektuar

kudo në Shqipëri

bijtë tanë më të mirë

me zjarrin e lirisë në gji

14.

si dje

edhe sot

të heshtur e njerëzorw

njerëz të tokës modestw

pjesë të historisë

të mbuluar me petkun e lavdisë

pa e tepruar sonte festojnë

të vetëdijshëm për peshën mbi supe që kanë

 

sonte ata shkëlqejnë

sonte ata nuk rrëmbehen

sonte ata flakën s’e ndalin

sonte ata mallëngjehen për më të dashurit

që shqiptarisë ia falën

me shpirtin e madh

me zemrën e kuqe si flaka

sonte ata janë nder ne

me burra

me gra

fëmijë

djem

me pleq e me plaka

me tokën

me dhe

sonte ata janë

krenaria jonë kombëtare

nëse kjo mjafton

ata

për jetë do të mbesin

dinjiteti ynë

15.

sonte

rreth kësaj flake

dikush gëzon e këndon

dikush qanë e kujton

dikush skuqet e fshihet

dikush paturpësisht zgërdhihet

dikush nëpër poret e pushtetit përbirohet

dikush hiqet si zot e nuk durohet

dikush ul kokën e turpërohet

dikush nuk digjet nga skuqja

dikë skuqja e djeg

 

dikush po ha ulur

dikush po ha në këmbë

dikush kafshon buzën

dikush zë gjuhën me dhëmbë

dikë s’e zë turpi

dikush turpin me bukë e han

dikush krenar e ballëlartë

dikush me dhimbje në asht

16.

sonte do t’i këndojmë lirisë

për një çast

s’do t’i sjellim nëpër mend

kujtimet e hidhura

 

nesër

të përpiqemi për ditë më të mira

të kujtojmë të pabërat

të gjykojmë të paburrat

të shpëtojmë atdheun nga skuqja

nga vuajtja

nga nëpërkëmbja

nga përbaltja

 

të ecim krah botës me hallet tona

si të gjithë të tjerët

të jetojmë të lirë

në atdheun tonë të shtrenjtë

të mirë

17.

sonte

ndizet flaka e madhe

në shenjë kujtimi

porosi për brezat

mos luani me fatin e atdheut

se kjo flakë ju djeg

mos luani se atdheu nuk është lojë

mos luani se për të keq

përjetësisht do t’ju kujtojmë

atdheut shërbim

atdheut nderim

mos ta shajmë atdheun

atdheun mos ta mohojmë

mos e keqpërdorin atdheun

se toka brenda

nuk do të na le

 

tunduni

fjalë e madhe është

ATDHE

18

edhe sonte

jetë e mot

flakën e lirisë do ndezim në Prekaz

në vatrën e lirisë

në kërthizën e shqiptarisë

 

sonte e përgjithmonë

do kujtojmë me dinjitet

Komandantin tonë

legjendarin

atë që ndezi flakët e lirisë

në zemër të kombit

në Prekaz

në zemër të shqiptarisë

Komandantin

Adem Jasharin do e kujtojmë

si sonte

për jetë e mot

emri i tij qoftë lavdue

për të populli ka me këndue

sa të jetë jeta me jetue…..

(pjesë nga balada në dorëshkrim- autor Mehmet BISLIMI) 

mars, 2014

 

 

Filed Under: Featured, Sofra Poetike Tagged With: Adem Jashari, Flaket, Mehmet Bislimi

KRYEHEROI ADEM JASHARI DËSHMON DIFERENCAT POLITIKE E PUBLIKE TË LULZIM BASHËS ME EDI RAMËN

November 28, 2013 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/

Në ditën e sotme të 101 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, teksa kryebashkiaku i Tiranës e lideri i PD e i opozitës së djathtë në opozitë, politikani i ri Lulzim Basha, po bante homazhe në Memorialin e Adem Jasharit,(foto 1) po mendoja se burrat e shtetit të çdo kohe e të çdo moshe përveçohen e lartohen si të tillë në karierën e tyre politike e publike edhe nga sjellja shpirtërore e jetësore në gjithanshmëri e vazhdimësi ndaj figurave emblematike të kombit. Kjo duket kjart në koft se iu bën një përballje krahasimore Edi Ramës e Lulzim Bashës me qëndrimin e tyre ndaj kryeheroit të Pavarësisë së Kosovës, legjendarit Adem Jashari.

Edi Rama, prej shtatë vitesh kryebashkiak i Tiranës e prej dy vitesh kryetar i PS e përuroi më 28 nëntor 2006 Bustin e vogël të Adem Jasharit në Rrugën e Durrësit, në anë të Bllokut të Ambasadave, (foto 2) të Cilin edhe në vizitën e parë kryeministrore në Prekaz, në shtator 2013, e cilësoi si “frymëzim e motiv për rilindje”. Kjo vepër e Skulptorit të Popullit, Thoma Dhamo, qëndroi aty, ashtu, për mbi gjashtë vite. Në 100 vjetorin e Pavarësisë, Lulzim Basha, prej dy vitesh kryebashkiak i Tiranës e, aktualisht, kryetar i PD e koalicionit të Opozitës së Djathtë, i dha përmasat meritore Adem Jasharit duke ia naltue një shtatore të madhe e të bukur, vepër e të shquarit Skulptor i Popullit, Muntaz Dhrami (foto 3). Një bust kaq i vogël për një burrë kaq të madh si Adem Jashari nuk e justifikon Edi Ramën, një piktor kariere, një pedagog të Institutit të Lartë të Arteve, një ish ministër i Kulturës në tre mandate qeverisëse, kryebashkiak me dy mandate, kryetar i ma të madhes parti të majtë në opozitë(!)

Edhe diçka tjetër dëshmon diferenca të ndjeshme të Lulzim Bashës ndaj Edi Ramës. Kryebashkiaku Edi Rama një muaj para përurimit të bustit të Adem Jasharit doli me vendim të këshillit bashkiak për ngritjen e tij, ndërsa kryebashkiaku Lulzim Basha, më 28 nëntor 2011, gjatë homazheve tek memoriali i Adem Jasharit (foto 4) premtoi publikisht se do të ngrinte një shtatore. Plot një vit kohë dhe ajo u përurue në 100 vjetorin e Pavarësisë.

Një tjetër dallim madhor: Edi Rama e kreu ceremonialitetin e përurimit të bustit me pjesmarrje pothuaj partiake. Nga Tirana zyrtare ishin kryebashkiaku Edi Rama, njëherash kryetar i PS, Fatmir Mediu, ministër i Mbrojtjes e kryetar i PR, ndërsa nga Kosova një delegacion i PDK i kryesuar nga kryetari i saj Hashim Thaçi e Fatmir Limaj (nënkryetar), Jakup Krasniqi (sekretar i përgjithshëm), Xhavit Haliti e Ramë Buja, antar kryesie. Lulzim Basha, në përurimin e shtatores së Adem Jasharit, më 27 nëntor 2012, siguroi një pjesmarje mbarëkombëtare e mbipartiake: kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, etj.; nga Kosova: presidentja Atifete Jahjaga, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, etj.; nga familja e Jasharave, Rifat Jashari, vllai i heroit; nga Maqdonia: kryetari i BDI, Ali Ahmeti, etj.; nga Lugina e Preshevës, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, etj; përfaqësues nga shqiptarët e Malit të Zi dhe nga diasporat shqiptare në botë.

Sivjet, Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës e i Partisë Demokratike, në Ditën e Pavarësisë,në këtë 101 vjetor,  bani prapë homazhe tek shtatorja madhështore e Adem Jasharit. Është një ritual i tij i përvitshëm qyshse kur u zgjodh kryebashkiak i Tiranës, është nderim e mirënjohje për Adem Jasharin e UÇK-në, është vet ndërgjegjia e përkushtimi kombëtar i tij. Krejt ndryshe ngjet me Edi Ramën ndër vite: kur ishte kryetar i bashkisë së kryeqytetit, kryetar i socialistëve e i opozitës së majtë, kryeministër i Shqipërisë, që pas përurimit të bustit u pa aty vetëm një herë.

Në të njëjtin vit, më 1998, Edi Rama kthehet nga Parisi e bahet ministër i Kulturës, ndërsa Lulzim Basha nga Hollanda shkon në Kosovë, në UNMIK-un e OKB-së. Faktikisht Lulzim Basha është nga të parët e të vetmit liderë shqiptar që iu dha kënaqësia e mundësia të shkonte shpesh në Prekaz të Drenicës, edhe para se të ndertohej tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, pasi  deri në fundvitin 2004 ishte në Prishtinë. Edhe Edi Rama ka shkue disa herë tek varri i Adem Jasharit, qyshse më 28 nëntor 2008. Po të marrim në krahasim vizitat e tyre të fundit: Lulzim Basha ishte me 12 qershor 2013 në Kosovë, kur iu dha titulli i lartë “Qytetar Nderi” i Prishtinës dhe Medaljen e Artë “Shkëlzen Haradinaj” në Deçan, bani vizita tek varri i Adem Jasharit e Ibrahim Rugovës, tek Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë e në Gllogjan të Deçanit, tek busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti. Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë më 13 shtator 2013 foli në Kuvendin e Kosovës po nuk e përmendi Ibrahim Rugovën e Adem Jasharin, ndërkohë që në fillniset e përmbyllet me Rexhep Qosjen, pati takime me liderët e Kosovës, po bani vizita vetëm tek varri i Adem Jasharit dhe i Ibrahim Rugovës. Ndaj kur fjalatha tek varri i Adem Jasharit se Prekazi është frymëzim e motiv për rilindje, duket se është ma së shumti demagogji

Mendimi, qëndrimi e veprimi edhe ndaj Adem Jasharit është një nga treguesit që dëshmon se çfarë diference të madhe kanë ndërveti Lulzim Basha me Edi Ramën, se cili është portreti e pushteti real i tyre, se cilët janë parametrat e tyre politik e publik si burrshtetas të rinj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adem Jashari, Lulzim Basha, Ramiz Lushaj

Në vend të reagimit

June 22, 2013 by dgreca

Për ngjarjen kulturore të Monodramës,,Unë Jam Adem Jashari,,botuar në gazetë Dielli online,,(më datën 20 qershor 2013)nga gazetari Beqir Sina është përvjedhur një gabim mbase pa dashje të autorit kur thuhet,,Janë gati tre vjet që punojmë me regjisorin Xhevat Limani dhe djalin tim Lebit Murtishi(!),,në vend që të thuhet (lexo:djali i aktori Jeton Murtishi),është përmendur emri i autorit të manodramës Lebit Murtishi!Për hirë të rëndësisë dhe peshës që pati ngjarja kulturo-kombëtare në Nju Jork dhe për autorin Lebit Murtishi,i cili më dekada kaloj një pjesë të jetës nëpër burgjet sllavomaqedonase për çëshjtjen e kauzës sonë kombëtare dhe për monodramën për heroin e Drenicës Adem Jashari,sikur e pati pjesë të amanetit të brezave që ranë në altarin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,përmes këtyre rreshtave (në vend të reagimit)ti kërkohet falje autorit dhe lexuesve të nderuar të gazetës,,Dielli,.

Me respekt,
Skënder Karaçica,
Çikago

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Jashari, ne vend te ragimit, per monodramen, per shkrimin, Skender karcica

NJË KRYEHERO, HERONJ E DËSHMORË

March 1, 2013 by dgreca

Ndodhem në familjen e Jasharëve,

atje ku nisi një flakë e madhërishme,

flaka e lirisë, që e ndriçoi krejt Prekazin,

e pas tij Drenicën e pas tij mbarë Kosovën.

Ajo shkreptimë e zgjoi nga gjumi Evropën dhe botën.

Shekujt kalojnë, drita e lirisë, drita e atyre që ranë

për të nuk zbehet kurrë.

Ndodhem këtu i prekur thellë, si rrallë herë në jetën time.

Marr prej kësaj shtëpie një kumt që çdo njëri kujton se e di,

por që ka nevojë që përherë të përsëritet.

Ju faleminderit, pasardhës të Jasharëve legjendarë./

Ismail Kadare/

dt. 20 nëntor, 1999/

Nga Muhamet Mjeku-New York/

Sivjet po kremtojmë 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, epokën që shembi robërinë serbe në këtë hapësirë ballkanike dhe la pas shumë vuajtje të shqiptarëve duke hapur një kapitull të ri mbi një histori të dhunshme serbe.

Në anënë tjetër, vetëm para pak muajsh, në mynyrë dinjitoze u shënua 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, një ngjarje që mund të përsëritet vetëm një shekull pas, atëherë kur ne s’ do të jemi as spektatorë. Prandaj, këta dy përvjetorë t’ i përjetojmë si gëzim, fat dhe si motiv për një të ardhshme më të konsiliduar shqiptare. Të gjitha këto s’ duhet t’ i shohim vetëm si histori, por edhe si projektim të një shoqërie shqiptare tjetër nga ajo që ka qenë dhe nga kjo që është. Shumëçka ka ndodhur në këtë hapësirë jashtë Shqipërisë londineze dhe brenda saj. Pjesa e pushtuar nga serbët, malazezët dhe grekët, përjetoi shumë dhunë dhe shumë vuajtje. Edhe përkundër mizorive që ngjanë, lufta për liri nuk u ndal asnjëherë. Me gjithë përpjekjet, fati deshi të mos jetë aleat i ynë. E ardhshmja e një populli të vogël, siç jemi ne shqiptarët, gjithnjë është varur edhe nga rrethanat e jashtme, duke mos mohuar edhe faktorin e brendshëm, i cili ka qenë i egër dhe përçarës. Një popull i vogël pa miq gjaku, i rrethuar me armiq të vjetër e ka pasur të vështirë mbijetesën historike. Dhe, pas shumë përmbysjeve shekullore, fat i shqiptarëve buzëqeshi me luftën dhe sakrificën e tyre, me mbështetjen e parezervë të Washingtonit dhe të disa vendeve të Evropës Perëndiimore.

 

***

Më 28 nëntor 1955, kur lindi Adem Jashari, Kosova ishte në dëshpërim të thellë nga mizoritë e policisë shtetërore dhe asaj sekrete serbe të kriminelit Rankoviq, dhe kush do të mendonte se, në këtë kohë të egër, djepi që po rriste këtë fëmijë në Prekaz të Drenicës, pas 43 vjetësh do të ndryshonte historinë e Kosovës dhe të një pjese të Ballkanit. Po nga Prekazi, kishin nisur edhe histori e luftërave tjera. Nga frangjitë e kullës së Ahmet Delisë, kishte filluar lufta kundër xhonturqve për çlirimin e Shqipërisë, më 1945 ishte likuiduar shtabi i çetnikëve nën maskën e partizanëve, ndërsa më 13 maj 1981Tahir Meha me forcë kundërshtoi policinë jugosllave në mbrojtje të dinjitetit kombëtar të familjes së tij, pas demostratave në Kosovë të vitit 1981, duke tronditur Jugosllavinë e AVNOJ-it. Me Prekazin lidhen edhe shumë trimëri që ndodhën në periudha të ndryshme, me motiv të njëjtë, të lirisë. Adem Jashari, është figura më sublime e këtyre ngjarjeve, i cili luftës së Kosovës i dha frymëzim, moral dhe popullaritet. Komandanti i fuqishëm i UÇK-së, hapi portën e lirisë për Kosovën, e cila ishte mbyllur forcërisht që nga viti 1912, kur kjo pjesë shqiptare u shkëput dhunshëm nga ushtria serbe e, një vit më vonë, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, pa drejtësisht ju dha Beogradit. Liria nuk vjen vetë: një gjë e sprovuar me shekuj. S’ e more, ajo rri larg. Për këtë sllogan, që nga viti 1912 e këndej, në forma të ndryshme për Kosovën, u sakrifikuan shumë breza me idealin e tyre të pa mposhtur, atdheun para vetë jetës.

***

Ngjarjet e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar në Ballkan ishin më të shpejta sesa parashikuesit e tyre. Problemet që ishin grumbulluar për pesëdhjetë vjet në kohën e komunizmit, dhe shumë më tepër nga pushtimi i gjatë serb mbi Kosovë dhe tokat tjera shqiptare- shpërthyen pandalshëm në Jugosllavinë e atëhershme kontraverze. Serbët që dominonin politikën, ushtrinë dhe kapitalin, impononin ligjet dhe forcën mbi të tjerët. Ata s’ mund të pajtoheshin me faktin se po mbyllej dera e joshjeve dhe privilegjeve të tyre. Beogradi fashist asnjeherë nuk ka menduar se një ditë do të humbte Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Kosovën, vende këto që në mes të dy luftërave botërore i konsideronte territore serbe. Politika e iluzioneve dhe e miteve serbe, që nga beteja e Kosovës 1389, kishte filluar të përmbysej në fundshekullin e kaluar, jo pse serbët nuk gëzonin admirim nga një pjesë e madhe e Bashkësisë Ndërkombëtare, por për faktin se askush më nuk ishte i gatshëm që brenda Jugosllavisë të jetonte me krimin, urrejtjen, përbuzjen dhe pretendimete tyre ekspansioniste.

Pas shkëputjes së Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjes dhe Maqedonisë për Kosovën erdhi momenti të jesh apo jo! Kjo thënie mund të lexohej edhe kështu: Liri, me dhe pa viktima”. Në të kundërtën ky sllogan do të interpretohej ikje nga ajo.

Meqenëse në Konferencën e Dayton-it më 1995 u vendos një zgjidhje për Bosnjen, çështja e Kosovës, për shkak të rrethanave politike, nuk u mor fare parasysh. Pas këtij tubimi, opcioni paqësor s’shihej si çështje e zgjidhjes së problemit të Kosovës, dhe kështu nisi intensifikimi i përgatitjeve për kryengritje të armatosur që Adem Jashari me grupin e tij, dhe luftëtarë të tjerë të UÇK-së, i kishin filluar që nga viti 1991. Grupi pas disa stërvitjesh në Shqipëri, kthehet në Drenicë dhe vazhdon ushtrimet në periferi të Prekazit. Policia serbe i bie në gjurmë këtij formacioni që përbëhej nga Adem, Rifat dhe Hamëz Jashari, pastaj Fadil dhe Ilaz Kodra, Sahit Jashari e të tjerë. Më 30 dhjetor 1991 policia serbe mësyen Prekazin, por aty has në rezistencë të këtij grupi dhe tërhiqet. Rifati pas pak ditësh ishte kthyer në Gjermani, ku ndodhej me punë atje. Nga Neë Yorku, për gazetën Illyria, me z. Rifat Jashari, realizova një intervistë, ku përshkruante përpjekjet e policisë serbe për të hyrë në Prekaz, dhe rezistencën e grupit të Adem Jasharit dhe të tjerëve që ju kishin bashkuar. Nuk mund të bësh një vepër të madhe kombëtare pa sakrificë individuale, familjare e kolektive dhe nuk mund të bësh një vepër historike pa e dashur atdheun dhe pa e kuptuar peshën e robërisë. Të tillë, heronj e dëshmorë, që u sakrifikuan për liri, në të kaluarën tonë, ka pasur dhe do të ketë, por sakrifica e familjes Jashari është diçka e veçantë, e pa kompromis dhe unikat në përmasa globale. Nuk ishte e rastit thënia e Bernard Kushnerit, administratorit të parë në Kosovë, pas luftës, se “sikur të ekzistonte çmim nobël për trimëri, do t’ i jipej kësaj familje”.

Adem Jashari ka qenë i bindur se lufta do të ndodhte, dhe se kësaj duhej përgjigjur me të gjitha mjetet, pa marrë para sysh se çfarë haraçi do të paguhej. Atë e ka mbajtur besimi për gadishmërinë e popullit për sakrificë. Ndërgjegja ndaj atdheut ka qenë mbi të gjitha për të, dhe kjo ndërdije s’ u krijua brenda ditës dhe brenda vitit. Në fakt, vetëdija e atdhedashurisë, trimërisë dhe sakrificës u brumos brenda konceptit që kishte vetë familja Jashari, në radhë të parë babai i tij, Shabani, i cili ishte edhe inspiratori kryesor i edukimit të fëmijëve të tij në këtë frymë.

Pas bërjes publike të UÇK-së nga Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi në Llaushë të Drenicës, në nëntor të vitit 1997, me rastin e varrosjes së mësuesit Halil Geci, i vrarë nga forcat serbe, u u hoq dilema se a ekzistonte apo jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pas rënies heroike të Adem Jasharit dhe Jasharajve tjerë në Prekaz, radhët e UÇK-së u shtuan shumë shpejt, jo vetëm në Drenicë dhe jo vetëm në Dukagjinë. Shumë të rinj nga të gjitha viset shqiptare u bënë ushtarë të saj: erdhën edhe nga Zvicra, Gjermania, SHBA dhe vendet tjera perëndimore. Një numër i madh i këtyre të rinjve sistematikisht ishte dëbuar nga një terror i egër shtetëror i regjimi të Millosheviqit. Tani këta po ktheheshin të luftonin për lirinë e atdheut, kundër atij që ua kishte mohuar kthimin në Kosovë. Nga ta, në fushëbetejë, ranë shumë dëshmorë. Ngjarjeve të vitit 1997 u kishin paraprirë edhe shumë të tjera. Me këtë dua të them se lufta për liri ka një kontinutet të gjatë historik. Ky kontinuitet kap shekullin por, fatkeqësisht, rrethanat e jashtme gjithherë ishin në disfavor tonin. Dhe më në fund, edhe përkundër padrejtësisve të mëdha dhe propagandës serbe se shqiptarët janë e keqja më e madhe e Ballkanit, Administrata Amerikane dhe shumë shtete të Evropës perëndimore e kuptuan të vërtetën mbi Kosovën dhe të vërtetën tjetër mb shqiptarët.

Se cila luftë për liri nxjerrë një kryehero, shumë heronj, shumë dëshmorë dhe martirë. Kryeheroi i luftës së Kosovës, është Adem Jashari dhe emri i tjij është simbol, identitet, krenari dhe mburrje për të gjithë shqiptarët dhe historinë tonë kombëtare.

Do të ishte iluzore se, përkundër sakrificës së madhe të popullit shqiptar, pa mbështetjen e sinqertë të SHBA-ve dhe e disa vendeve perëndimore evropiane, nuk do të ishim këtu ku jemi, as Koosova, as Shqipëria e as shqiptarët tjerë që jetojnë jashtë këtyre dy shteteve.

Vlerat e luftës respektohen vetëm me vlera të ndërtimit të shtetit të ligjshëm, me vlera demokratike dhe me një zhvillim ekonomie të tregut evropian. Kosova në këtë drejtim ka ecje dhe ngecje, por e ardhmja e shqiptarëve do të jetë e tyre.(Dielli, shkurt, 3013) Ne Foto:Permendorja e Heroit Adem jashari

 

Filed Under: Histori Tagged With: Adem Jashari, Kryeheroi, Muhamet Mjeku

PARA SHTATORES SË KRYETRIMIT ADEM JASHARI…

December 27, 2012 by dgreca

Nga: MURAT  GECAJ/ Këto ditë janë festë, në Tiranë dhe në qytete tjerë të Shqipërisë, por edhe më gjerë, në Kosovë e trojet tjera shqiptare dhe në disaporë. Vërej se udhët gumëzhijnë e janë të mbushura plot. Njerëzit lëvizin të qetë, dikush më këmbë dhe të tjerë me makina.  Bashkëkombësit tanë, kudo që  jetojnë e punojnë, i shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre edhe përmes urimeve. Në ditët e festave, tashmë, ato praktikohen në rrugë e me mjete të ndryshme. Ka nga ata, që e parapëlqejnë të shkojnë fizikisht dhe të takohen me familjarë, kolegë, miq e dashamirë. Disa të tjerë përdorin telefonin e shtëpisë ose celularin,i cili edhe  ka oferta të  përshtatshme, për ta realizuar një gjë të tillë. Është kjo një praktikë e mirë, që i lidhë, o afron dhe i miqëson njerëzit tanë.

Kaloj nëpër kryeqytetin Tiranë dhe ndalem para shtatores së Hasan Prishtinës, në afërsi të Muzeut Historik Kombëtar. Nuk ka shumë ditë, që u përurua dhe ende ka këtu  kurora  e buqeta me lule. Njerëz të ndryshëm ndalen e fiksojnë  fotografi, që t’i kenë kujtim. Sjell ndërmend, se pikërisht në ditët e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, aty isha bashkë me një grup kolegësh e miqësh, të cilët kishin udhatuar me autobus që nga Suedia, në Kosovë, Vlorë e kthim.  Aty bëmë së bashku disa fotografi…Më tej, udhëtoj nëpër “Rrugën e Durrësit”. Pa shkuar ende te Sheshi “Rilindja” (njihej më parë, “Zogu i Zi”), ndalem  para një shtatoreje të bukur, e cila të fton ta nderosh dhe ta respektosh. Ndoshta, nuk duhet ta shkruaj këtë gjë, por unë nuk e di emrin e autorit të saj. Prandaj i kërkoj atij falje dhe e përgëzoj për punimin e bukur, që ka bërë. Pra, ndiej kënaqësi, kur e shikoj, me atë shprehjen e saj krenare, burrërore e trimërore. Eshtë shtatorja e kryetrimit Adem  Jashari, komandantit legjendar të UÇK-së, para kujtimit dhe veprës të të cilit përulemi të gjithë. Armët i ka ngjeshur dhe vështrimin e mban larg, drejt Kosovës martire…Ndërkaq, nxjerr aparatin fofografik dhe e shkrepi për disa poza.

Ndërkaq, në kujtesë sjell vizitën, që kam bërë në Kullën e Jasharjve, në Prekaz të Drenicës, në fundvitin 2000. Kam dëgjuar asaj here për sakrificat mbinjerëzore të kësaj familjeje heroike, nga e cila u flijuan mbi 20 veta, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në shenjë respekti të veçantë për atë trung të rrallë familjar, aty bëra një fofografi me bacën Rifat, vëllain e Adem Jasharit dhe me djalin e tij, Lulëzimin. Unë e di, se ata kanë sa e sa fofografi të tilla, me vizitorë të shumtë. Ndërsa për mua ajo ka mbetur gjithnjë e paharruar dhe e kam fiksuar në disa botime të mijat.

Por, kur qendroj  në heshtje para shtatores së Adem Jasharit, sjell në kujtesë edhe vizitën time disaditore në Kosovë, në korrikun e atij viti. Me bashkëshorten time dhe  i shoqëruar nga miku nga Deçani, Qerim Pepshi, bëmë vizita në disa qytete e fshatra. Ishim edhe në Gjakovë e Pejë, Prizren e Prishtinë, në Gllogjan e Novoselë etj. Kudo gjetëm gjurmët e heroizmit masiv të popullit kosovar, në përleshje me pushtuesit gjakatarë serbë. Bëmë një vizitë edhe në shtëpinë e komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj, ku u takuam me babanë e tij. Por ishim edhe në zonën e Junikut, ku kishte bërë vizitë diplomati i shquar amerikan,  Riçard Hollbruk. Kudo na ranë në sy varre, mbuluar me kurora dhe lule të freskëta. Ishin në nderim të atyre, që e dhanë jetën e tyre të re, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjitha ato mbresa unë i përmblodha në librin, “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000).

Ndërsa meditoj për ato, që shkrova më sipër, kujtesa më shkon te gjithë të rënët, në luftërat shumëvjeçare  për mbrojtjen e vatanit, të tokës së shenjtë të të parëve tanë. Se vërtet është e natyrshme të festojmë së bashku, por dhe të mos harrojmë sakrificat mbinjerëzore, që na është dashur të bëjmë  gjatë historisë, për liri e pavarësi. Se është fakt i njohur, që populli ynë gjithnjë ka qenë paqësor dhe jo sulmues e agresiv ndaj të tjerëve, pra as ndaj fqinjëve tanë. Ndërsa të huajtë na kanë rënë në qafë me pa të drejtë. Me forcë e diplomacy të padrejtë, ata na i kanë copëtuar e marrë nga trungu amtar, disa pjesë të tokave tona dhe, gjoja, me to kanë krijuar “minishtete”. Ndërsa  tani atyre u duket e habitshme, kur ne kërkojmë bashkimin e Kombit Shqiptar, ashtu si të gjithë kombet e tjerë, në Ballkan e më gjerë. Sepse ky ishte një ideal i kahershëm i rilindësve tanë dhe platformë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Por edhe e Qeverisë së parë shqiptare, të kryesuar nga Ismail Qemali, me vendimin e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, më 28 Nëntor 1912. Me këtë mendim, në shpirt e në zemër, ranë kryetrimi Adem Jashari dhe pjesëtarët e familjes së nderuar të tij; u flijuan edhe trimat e tjerë të Kosovës, që  ajo të ishte e lirë dhe e pavarur.

Historinë tonë të lavdishme, ne e kemi dhe duhet ta kemi kurdoherë në mendje e në zemër. Për atë është shkruar në sa e sa libra, ruhet në muze dhe përjetësohet në lapidarë e shtatore të atdhetarëve e të luftëtarëve tanë, të mendjes e të pushkës. Prandaj, lipset të jemi krenarë dhe t’ua transmetojmë brezave pasardhës, si gjënë më të shenjtë, duke ua treguar luftën, përpjekjet dhe gjakun e derdhur për mbijetesë. Me këto ideale të larta, ne duhet të ecim të bashkuar përpara, duke ruajtur lirinë e pavarësinë, duke e begatuar e përparuar çdo pëllëmbë të tokës amtare shqiptare. Kështu do të hyjmë  me ballin lart në Bashkësinë Europiane, të nderuar dhe të respektuar nga shtete aleate e mike, me ShBA në krye.

Tiranë, 25 dhjetor 2012

Filed Under: Kulture Tagged With: Adem Jashari, Murat Gecaj, para Shttaores

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT