• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MITROVICA – PORTA VERIORE E KOSOVËS

February 9, 2019 by dgreca

Historia e qytetit dhe e ngjarjeve të Mitrovicës/

1 Adil FetahuShkruan: Adil FETAHU/

Dardania (Kosova) ka dy porta kryesore që e lidhin me botën: Kaçanikun në Jug, dhe Mitrovicën në veri. Dhe nuk është çudi që, për t’i lidhur këto dy porta (hyrje-dalje) të Kosovës, Perandoria Osmane në vitin 1873-1878 e kishte ndërtuar hekurudhën Mitrovicë – Hani Elezit.

Mitrovica është një nga vendbanimet e hershme të Dardanisë shqiptare; gjatë historisë e pushtuar nga pushtues të ndryshëm: romakë, bizantinë (bullgarë e serbë), otoman, gjermanë. Megjithatë, gjatë tërë kohës e ka ruajtur karakterin etnik dominues nga popullsia shqiptare, sado që një kohë, gjatë pushtimit serb (në kohën e Nemanjiqëve) shumë shqiptarë u detyruan të kovertohen nga besimi katolik në atë ortodoks dhe të asimilohen në serbë.

Përveç rëndësisë strategjike, si portë hyrëse nga veriu për në rrafshin e Kosovës, Mitrovica shtrihet në një ambient të pasur me minerale të begatshme me metale të plumbit, zinkut, argjendit,arit dhe të tjera, të njohura prej kohës së neolitit. Në shekullin VI, Perandori Justiniani I e kishte ndërtuar kalanë e Zveçanit, ndërsa në afërsi të Minierës Staritërg gjendën mbeturinat e kalasë së quajtur – Qyteti, që besohet se është ndërtuar në shekullin XIII. Në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve në rrethinën e Mitrovicës kanë punuar edhe Sasët e njohur për këto punë.

Mitrovica dhe gjithë Kosova e Maqedonia u pushtuan nga Serbia në vitin 1912, në Luftën Ballkanike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1945), Kosova që ishte e ndarë në tri zona pushtuese midis Italisë, Gjermanisë dhe Bullgarisë, Mitrovica me rrethinë ishte mbajtur zonë nën pushtimin gjerman, mu për shkak të pozitës strategjike  dhe pasurive minerale që dispononte.

Deri në vitin 1988,  komuna Mitrovicës kishte 336 km/katrore, më se 120.000 banorë, më se 77%  Shqiptarë, 10% Serbë, dhe të tjerët Boshnjakë, Romë, Turqë; me 46 fshatra, duke përfshirë  edhe Zveçanin, Zubinpotokun e Leposaviqin, të cilat më vonë u themeluan si komuna politike më vete, me përbërje të pastër etnike serbe.

Pas Luftës 1999, rajoni i Mitrovicës disi ishte lënë pasdore nga kujdesi i strukturave udhëheqëse shqiptare, ashtu që për shkak të afërsisë me Serbinë, atje ishin grumbulluar kriminelë serbë të ardhur nga Serbia, Bosnja e Kroacia. Më 4 shkurt 2000, në qytetin e Mitrovicës ndodhi “Nata e Bartolomeot”, kur bandat kriminale serbe sulmuan shqiptarët e pjesës veriore të qytetit, vranë 10 e plagosën 25 tjerë; burra, gra e fëmijë; i përzunë prej shtëpive e banesave 1564 familje, me 11364 anëtarë, duke bërë kështu spastrimin etnik të pjesës veriore të qytetit. Nën pretekstin e ruajtjes së qetësisë, forcat e KFOR-it (francez), u vendosën mu te Ura e Ibrit, duke ndarë komunikimin e qytetarëve dhe praktikisht e ndau qytetin, që edhe sot e kësaj dite qëndron ashtu i ndarë.

Në tollovitë që ndodhën më 17 mars 2004, kur u vranë 11 shqiptarë e 8 serbë, u dogjën a rrënuan ca shtëpi e kisha serbe, disa serbë nga pjesët qendrore të Kosovës ikën dhe shkuan u vendosën në pjesën veriore të Mitrovicës, në shtëpitë dhe banesat e shqiptarëve të përzënë prej andej. Kështu, në atë pjesë u koncentruan rreth 25000 serbë, më ekstremistë e kriminelë, në mesin e të ciëve ishin e janë edhe shumë ish-policë dhe ushtarë të forcave serbe. Atje, lulëzoi kontrabanda dhe krimi i organizuar, i ndihmuar nga strukturat e pushtetit të Serbisë. Vet kryetari aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një takim me punëtorët serbë të Trepçës iu dha mesazh kurajimi: “Sa të jetë Serbia, “Trepçën” askush nuk do t’ua grabis”!

Mitrovica dhe bisedimet Kosovë – Serbi

Bisedimet midis Kosovës e Serbisë, që filluan gjoja si  për zgjidhjen e problemeve “teknike”, me lëshimet dhe mungesën e dijes dhe përvojës së palës shqiptare, dalëngadalë “degjeneruan” dhe u shndërruan në negociata politike e statusore, me pretendime për ndarjen e Kosovës, sipas ambicjeve të Serbisë për të marrë pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës me rrethinë, dhe natyrisht komunat tjera serbe: Zveçan, Leposaviq e Zubinpotok, për t’ia bashkangjitur Serbisë, dhe me garancione shtesë për serbët që mbetën në Kosovë dhe eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse.

Në bisedimet e zhvilluara deri më tash, që janë nënshkruar afro 30 marrëveshje në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, Serbia asnjë obligim prej atyre marrëveshjeve nuk e ka përmbushë, ndërsa tërë kohën  kakarisë, përse akoma nuk është realizuar Marrëveshja për formimin e Bashkësisë (së 10) komunave serbe, me të cilën synon të krijojë një pykë në Kosovë, sikur  ajo e ashtuquajtura Republika Serpska, në Bosnje, me qëllim të destabilizimit dhe pengimit të funksionimit të shtetit të Kosovës.  Angazhimet tjera të politikës së shtetit dhe dipomacisë së Serbisë, për ta izoluar e penguar Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare, janë kapitull i veçantë i mospërmbushjes së obligimeve ndaj marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.

Pretendimet e Serbisë, në bisedimet me Kosovën nuk kanë të sosur,dhe janë një absurd sui generis. Serbia tërë kohën vërteton se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, që nënkupton se Kosovën e konsideron pjesë të Serbisë, të cilën një ditë, në rrethana të favorshme ndërkombëtare, do ta kthejë nën sovranitetin e vet.  Nga ana tjetër, në bisedime kërkon pjesën veriore të Kosovës, bashkë me gjysmën e Mitrovicës. Atë pjesë e kërkon për shkaqe strategjike dhe ekonomike. Strategjike është për shkak të pozitës dhe lidhjeve të komunikacionit rrugor dhe hekurudhor me Serbinë. Lakmia ekonomike përqëndrohet në minierat dhe kapacitetet e “Trepçës” dhe të Liqenit të Ujmanit (“Gazivoda”), liqen ky që shtrihet nja 10-15% në territor të Serbisë, por pjesa tjetër është në territor (aktualisht) të Kosovës, dhe që është i ndërtuar nga Kosova, me investime e hua prej Bankës Botërore, për nevoja të Elektroekonomisë dhe të Bujqësisë së Kosovës (72000 ha tokë pjellore të Kosovës ujiten nga uji i atij liqeni).

Pala kosovare në bisedime, si gjithmonë shqiptarët që nuk kanë qenë unikë kur kanë pasur bisedime me ndërkombëtarët, dalin me qëndrime të ndryshme, me përfaqësime të ndryshme. Kryetari Hashim Thaçi flet për “korrigjim të kufijve”, “ndërrim të territoreve” e përralla tjera. Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës janë kundër ndryshimit të kufijve, sikur që për këtë deri më tash më kategorik ka qenë edhe Gjermania. Arsyetimet e Thaçit, që ta merr Luginën e Preshevës për Veriun e Kosovës, janë krejtësisht të pabaza, sepse Serbia nuk e jepë atë “korridor” përmes të cilit ka daljen në Selanik dhe Egje. Mund të jep disa fshatra pranë kufirit me Kosovën, por jo edhe ato që shtrihen pranë  ose mbatanë rrugës dhe hekurudhës që shkon për Selanik.

Kosova është e njohur në kufijtë që kishte sa ishte në kuadër të Jugosllavisë, dhe nuk duhet biseduar për ndryshim kufijsh.  Fundja, kufijtë e Kosovës janë çështje gjithkombëtare shqiptare dhe nuk janë vetëm çështje e Kosovës e aq më pak çështje e Hashim Thaçit. Sepse për kufijtë etnikë shqiptarë kanë luftuar të gjithë shqiptarët prej kohësh, e posaçërisht pas Lidhjes së Prizrenit.

Sido që të zhvillohen bisedimet, Mitrovica si qytet, me rrethinën e saj me fshatrat etnike shqiptare, me pasuritë e saj minerale të “Trepçës”, Staritërgun,  Ujmanin/Gazivoda,  apo çfarëdo pjese tjetër e Kosovës, nuk duhet të jenë fare temë bisedimesh as marrëveshje me Serbinë. “Kurrigjim kufiri” mund të bëhet  vetëm për disa fshatra serbe të komunës aktuale të Leposaviqit, të cilat në vitin 1959, me njëfar riorganizimi territorial të Serbisë, i janë dhënë Kosovës, për qëllime politike, në mënyrë që brenda Kosovës të ketë paksa më shumë serbë.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, e kosoves, MITROVICA – PORTA VERIORE

SHKOLLAT SHQIPE DHE MËSUESIT SHQIPTARË TË ÇAMËRISË

January 11, 2019 by dgreca

Shkruan: Adil FETAHU/

Vetë lavdërohemi, por edhe studjues e historianë të huaj e pranojnë se Shqiptarët, si pasardhës të pellazgëve, ilirëve e arbënorëve, janë raca dhe populli më i lashtë në Ballkan dhe në Europë, që dikur kishte një shtrirje të gjërë. Përkundër kësaj, në historinë më të re kemi ngelur ndër popujt më të prapambetur në Europë, në pikëpamje ekonomike, sociale, arsimore, shkencore e kulturore. Kjo prapambetje jona është pasojë e pushtimeve të perandorive dhe fuqive të huaja pas rënies së Mbretërisë Ilire, tkurrjes së hapësirës jetësore dhe zhvillimit të vonshëm të shkollimit dhe arsimit në gjuhën amtare, shqipe.Në kohën e Perandorisë Osmane, hapësira etnolinguistike homogjene shqiptare shtrihej nga Sutomore dhe Pazari i Ri deri në Gjirin e Prevezës (në vijën veri-jug), dhe nga deti Adriatik dhe Joni deri në Preshevë (në vijen perëndim-lindje). Në këtë hapësirë etnolinguistike bënë pjesë edhe Çamëria dhe i tërë Epiri, deri në Artë e Prevezë, i banuar me shqiptarë autoktonë. Gjuha shqipe e popullit të Çamërisë dhe Epirit është një dialekt i shqipës që ka ruajtur format arkaike qysh prej gjuhës ilire, të cilën poeti ynë i madh Naim Frashëri e quanë “gjuhë e perëndive”: “Eni vjen pej Çamërie/, me ato milëra fjalë/e me gjuhë Perëndie”.

Sami Frashëri, në Enciklopedinë e tij (1889), kur bënë fjalë për Shqipërinë, në zërin “Arnavutlluk”, shkruan: “Bregu jugperëndimor i Shqipërisë thirret Çamëri. Ka pamje parajse, me ullinj, portokalle, limona e kullota të bukura dimërore. Në brendi ka lugina shumë të bukura midis maleve, pllaja e fusha të larta, siajo e Janinës”. Ndër të tjera, Samiu thotë: “Viset më të begatshe të Shqipërisë janë fushat e Myzeqesë (1000 km/katrore), ndërsa më e  bukura është Çamëria (5000 km/katrore)”.

Historia e Çamërisë është e dhembshme, por edhe krenare, me personalitete të shquara që kanë dritësuar dhe i kanë dhënë lavdi vendit dhe kombit, prej historisë së lashtë  e deri në historinë më të re. Nuk ka një vend tjetër në botë kaq i vogël, që i t’i ketë dhënë njerëzimit aqë shumë figura të shquara,  të përmasave botërore, e të profileve të ndryshme, sikur ka dhënë Çamëria në tremijë vjetët e fundit të historisë.

Çamëria, i tërë Epiri dhe pjesa më e madhe e territorit shqiptar ra nën pushtimin e Perandorisë Osmane në vitin 1449. Pushtimi osman shkaktoi valë të migrimit të popullsisë së Çamërisë dhe gjithë Epirit, në drejtim të ishujve të Greqisë dhe në Itali (Arbëreshët).  Megjithatë, Çamëria deri në vitin 1944 është dominuar nga popullsia autoktone shqiptare, veçse pa të drejta elementare kombëtare për gjuhën, arsimin dhe kulturën e vet, e shtypur nga regjimet fashiste të  Greqisë. Sipas statistikës turke, në vitin 1910 Sanxhaku i Çamërisë kishte 72999 banorë, prej të cilëve 60897 ishin Myslimanë dhe 29593 Ortodoks (A.Baltuçi). Ndërsa sipas statistikës greke, në vitin 1937 Çamëria kshte 279 fshatra, me 112619 banorë, nga të cilët vetëm 20200 ishin grekofonë.

1.Politika arsimore e Perandorisë Osmane  Pas reformave të Tanzimatit, me një Rregulloren për Arsimin  e Përgjithshëm (1869), arsimi u fut në mbrojtje të shtetit, do të thotë se shkollat themelohen, financohen dhe mbikqyren nga shteti, ndonësese lejoheshin edhe shkolla private. Rregullorja përcaktonte  që në  çdo fshat të ketë shkollë fillore të ciklit të ulët, katër klasëshe (“Iptidayie Mektebi”); çdo fshat, vendbanim apo qytet me mbi 500 familje, ta ketë shkollën fillore të ciklit të lartë (“Rushtiye Mektebi”), e cila zgjaste 6 vjet dhe pas saj mund të vazhdohej shkolla e mesme; çdo qytet me mbi 1000 familje, një shkollë të mesme (“Idadiye Mektebi”), ndërsa në qendrat e mëdha nga një shkollë e lartë (“Sulltaniye”). Për mësuesit dhe arsimtarët parashihej të kishin kualifikimin “Darulmualim”, që nënkuptonte të kenë të kryer universitetin. Rregullorja kishte paraparë edhe shkolla profesionale (industriale) dhe shkolla ushtarake. Mirëpo, shqiptarët, përveçse të shkolloheshin në shkolla të huaja e në gjuhë të huaj (turqisht, greqisht, gjermanisht, italisht),  nuk përfituan nga ajo Rregullore, ngase atyre  nuk iu lejohej hapja e shkollave në gjuhën shqipe.  Nga ajo Rregullore përfituan “miletet” tjera: greke, bullgare, serbe, rumune, po edhe Austrohungaria dhe Italia, të cilat, për interesa të veta e me synime djallëzore,  zgjëruan rrjetin e shkollave të tyre edhe në tokat shqiptare.  Që prej shekullit 15, me islamizimin e një pjese të popullsisë, shqiptarët ishin të ndarë në tri fe, dhe ata vetëm gjuhën e kishin të përbashkët. Ndërsa  Perandoria osmane bazohej në sistemin e “mileteve” e  jo të kombeve.  Milet quhej kombi i përkufizuar sipas besimit fetar (myslimanë ose të krishterë: ortodoksë e katolikë). Dhe me qenë se shqiptarët ishin shpërndarë në tri fe, ata nuk ishin një “milet”, prandaj mund të ndiqnin shkollat në gjuhë turke (me alfabetin arab), në gjuhën greke, sllave ose latine, me alfabetet e tyre. Në fund të shekullit 19, në katër vilajetet shqiptare, kishte 1187 shkolla turke (1125 shkolla fillore, 57 shkolla “plotore”- fillore të ciklit të lartë, dhe 5 të mesme), kishte më se 1000 shkolla greke dhe mbi 300 në gjuhën serbe e bullgare, si dhe disa tjera në gjuhën italiane ose gjermane (austriake). Kështu, Perandoria otomane ua kishte mohuar shqiptarëve jo vetëm lirinë dhe pavarësinë kombëtare,  por edhe gjuhën, pasi nuk iu lejonte shkolla, administratë as aktivitete kulturore në gjuhën shqipe. Edhepse shkollat e hueja iu shërbenin qëllimeve dhe interesave tjera, shqiptarët që u shkolluan në to përfituan dije e kulturë. Disa sish punonin në shkollat ose administratat e hueja, dhe ata që kishin ndjenja kombëare, dijen e tyre e shfrtyëzonin për t’i ndihmuar popullit të vet; ata  fshehtas ua mësonin gjuhën  shqipe fëmijëve e të rriturve. Këtë e bënë veçmas në periudhën e Rilindjes kombëtare.

2.Roli i rilindasve në përhapjen e arsimit shqip

Rilindja kombëtare shqiptare, si një lëvizje e përgjithshme, që veproi prej vitit 1931-1912, e sidomos pas Lidhjes së Prizrenit (1878), të cilën Engelsi e quante se ishte lëvizja më përparimtare në Ballkan,  në programin e saj politik kishte çlirimin nga pushtuesi otoman, pavarësinë dhe bashkimin trojeve shqiptare, ndërsa në fushën ideologjike e sociale kishte – hapjen e shkollave, zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe  të kulturës mbarëkombëtare. Rilindasit e njohur,si: Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Anastas  Kullurioti, Dhaskal Thodri, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Hoxhë Tahsini,Pashko Vasa, Jani Vreto, Zef Jubani, Koto Hoxhi, Thimi Mitko, Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Pandeli Sotiri, Nuçi Naçi, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji e  shumë të tjerë,  përkundër vështirësive, pengesave dhe rreziqeve që iu kanoseshin,  bënë punë të mëdha në formimin e klubeve dhe shoqërive kulturore,  hapjën e shkollave, botimin dhe përhapjën e librave e gazetave në gjuhën shqipe. Porta e Lartë dhe kisha greke merrnin të gjitha masat dhe bënin çmos për të mos lënë shkolla në gjuhën shqipe. Në vitin 1867, një delegacion i popullit shqiptar, i përbërë nga K.Kristoforidhi,Pashko Vasa, Hasan Tahsini dhe Ismail Qemali, i kërkoi perandorit osman çeljen e shkollave shqipe, por Porta e lartë jo se lejoi ato, veçse ndërmori masa më të rrepta për ndalimin e tyre. Edhe në ato kushte, fshehurazi mësohej  shkrim-këndimi i gjuhës shqipe.

Një frymëmarrje më e lehtë për të hapjen e shkollave dhe zhvillimin e mësimit në gjuhën shqipe u krijua pas “Hyrjetit” ( korrik, 1908) kur, me ndihmën e shqiptarëve, xhonturqit erdhën në pushtet,   dhe filloi çelja e shkollave gjithandej nëpër Shqipëri,  veçse ajo periudhë nuk zgjati. Sepse, programi politik i xhonturqëve ishte i kundërt me ineresat kombëtare shqiptare. Haki Pasha, në mbledhjen e parë të qeverisë së tij (1911), pasi u bë kryeministër, kishte deklaruar: “Rreziku më i madh nga të gjitha kombet që rrojnë nën imperatorinë tonë janë shqiptarët; ky komb mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe mos përkëmbet, mos marrë diturinë dhe gjuhën e vet, se atëherë e mori lumi Turqinë Evropjane, madje shqiptarët që kanë zënë të hedhin temelet e kombësisë me anë të shkrimit e këndimit shqip, një ditë mund të vënë tërë Turqinë në dorë”!

3.Hapja e shkollave  dhe mësuesit në Çamëri

Si të gjitha viset shqiptare nën pushtimin otoman, edhe krahina e Çamërisë ishte në situatë të vështirë, sa i përket  shkollimit dhe arsimimit të popullit në gjuhën amtare. Bile ishte në pozitë edhe më të keqe, për shkak se përveç pushtetit turk, gjuhën shqipe e urrenin akoma më tepër kisha dhe shteti i Greqisë. Në të vërtetë në Çamëri asnjëherë nuk pati një sistem të mirëfillt të shkollimit dhe arsimimit në gjuhën shqipe. U bënë disa përpjekje, fshehtas e herë-herë edhe haptas për të mësuar shkrim-lexim e për të çelur shkolla në gjuhën shqipe, por përndiqeshin me ashpërsi, arrestoheshin, persekutoheshin ose likuidoheshin aktivistët,  mësuesit, shpërndarësit e librave dhe përkrahësit e përhapjes së gjuhës shqipe.

Lidhja Kombëtare Shqipatare i kishte dy qendra kryesore patriotike në Çamëri: Preveza (në jug) dhe Filati (në veri),  nëpërmes të cilave zhvilloi aktivitetin e vet, si në pikëpamje të luftës për liri e pavarësi, ashtu edhe në përpjekjet për ruajtjen, mësimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Përhapja e mësimit të shkrim-leximit dhe të librave në gjuhën shqipe bëhej kryesisht nga klubet dhe shoqëritë atdhetare, të mëdha e të vogla,  që ekzistonin ose formoheshin asokohe: në Stamboll, Sofje, Bukuresht, Selanik, Shkup,Manastir,Janinë, Elbasan, Korçë, Berat, Delvinë, Gjirokastër, Filat, Prevezë, etj. Dhe ky aktivitet mori hov pas Revolucionit xhonturk (1908).   Në Prevezë, Sheh Sabri Preveza, formoi shoqërinë “Dituria” dhe në teqën e tij çeli “shkollën” shqipe. Në Filat, atdhetari Rexhep Demi  mbante lidhje të dendura me klubet dhe shoqëritë shqiptare të Stambollit, Bukureshtit, Sofjes, Janinës, Aleksandrisë etj, dhe menjëherë pas Hyrjetit (korrik 1908), formoi klubin “Vëllazëria”, duke mundësuar kështu që përmes klubit të përhapte aktivitetin e mësimit të gjuhës shqipe. Ai edhe vet punoi si mësues në Konispol, Gjirokastër, Libohovë etj. Veç kësaj, u angazhua kundër shpërnguljes së çamëve për në Turqi. Shkolla e parë në Filat u çel më 7 shtator 1908, ku mësues të  parë  ishin Qamil Izet Çami dhe Hamit Demi. Pas kësaj,  deri më 1910 u çelën edhe disa shkolla tjera,  në Luros, Mallakastër, Konispol, Ninat, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek, etj. Qamil Çami bëri përpjekje edhe për hapjen e një shkolle të mesme në Filat, për të përgatitë mësues për shkollat shqipe.  Përveç mësimit të fëmijëve gjatë ditës në shkollë, mësuesit mbanin edhe kurse  të natës, për të mësuar  edhe të rriturit shkrim e lexim shqip. Me insistimin e aktivistëve dhe të popullit të Çamërisë, gjuha shqipe nisi të mësohej edhe në shkollat turke dhe  në ato greke, ndonëse me fond të vogël orësh dhe e nënçmuar nga udhëheqësit e atyre shkollave. Një formë të mësimit të shkrim-leximit në gjuhën shqipe e ndihmuan edhe “mësuesit shetitës”. Shkollat shqipe (1908-1912) i ndihmuan me libra e financa klubet dhe shoqëritë atdhetare brënda e jashtë atdheut, ndërsa populli i lëshoi shtëpitë për shkolla. Ndihmë të veçantë asokohe dha Dervish Hima, doktori Asaf Çami-Ajdonati po edhe shumë të tjerë. Rasih Dino mbante me financat e tij katër shkolla dhe paguante nga 350 grosh në muaj tre mësues “shetitës”, për t’ua mësuar njerëzve shkrim-këndimin, dhe kishte filluar ndërtimin e një godine shkollore në Filat. Rexhep Demi, në moshën 62 vjeçare kreu kurse për mësues. Dhe këta mësues e aktivistë, sa bënin luftë për gjuhën, poaq bënin për alfabetin latin,  pasiqë xhonturqit ua impononin alfabetin arab, ndërsa kisha greke alfabetin grek.

Duke vlerësuar punën në mësimin e gjuhës shqipe në periudhën prej Lidhjes së Prizrenit,  Sami Frashëri në librin e tij: “Shqipëra ç’ka qenë, ç’është, e ç’do të bëhet”(1899), shkruan:“Shkollat nuk u shtuan e të vinin mbarë si duheshe, po shkronjat shqip u përhapnë nëpër gjithë anët e Shqipërisë, edhe burra e gra, djem e vasha, gjithë mësuanë në pak kohë të shkruajn’ e të këndojnë gjuhënë shqip. Më njizet vjet shkronjatë shqip lëshuanë aqë  rrënjë të shëndosha e zun’ aq themele të fortë, sa s’mund të çkulet e të rrëzohet kurrë. Ky dru q’u vu njizet vjet më parë, u lulëzua edhe dha pemë fort t’ëmbla e të bukura”.

Por ai proces, ai aktivitet dhe ai enthusiazëm i popullit të Çamërisë e gjithë Shqipërisë për mësimin e gjuhës dhe për shkollën shqipe, u ndërpre me shpërthimin e kryengritjeve të armatosura për çlirimin e vendit dhe me Luftën Ballkanike,  me ndarjen e Çamërisë nga Shqipëria, të cilën Konferenca e Londrës (1913) ia dha Greqisë, e cila jo se nuk lejoi shkolla shqipe, por bëri terror mbi popullsinë myslimane të Çamërisë, duke i detyruar të shpërngulën për në Turqi, Shqipëri e deri në Amerikë, ndërsa shqiptarët e krishterë duke i asimiluar në grekë.

4.Periudha mes dy luftërave botërore

Gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitin 1917 Çamëria ishte nën pushtimin e ushtrisë italiane. Për ta joshur e qetësuar popullin, Komesariati i Përgjithshëm Italian lejoi përdorimin e Flamurit kombëtar shqiptar dhe hapjen e shkollave shqipe. Menjëherë u çelën shkollat në Filat dhe Gallbaç, por kjo situatë nuk zgjati, pasiqë Greqia iu bashkua fuqive të Antantës, ashtu që ushtria italiane e la Çamërinë përsëri në zotërim të ushtrisë e të pushtetit të egër fashist grek. Me politikën raciste e fashiste, Greqia bëri gjithçka që myslimanët e Çamërisë të shpërngulën prej vendit të tyre, ndërsa orthodoksët të asimilohen. Për shkolla shqipe as që mund të bëhej fjalë më.

Pas shpalljes së Republikës së Shqipërisë (21 janar 1925), po edhe pas shpalljes së Mbretërisë Shqiptare (1 shtator 1928), qeveria shqiptare shumë herë  paraqiti ankesa në Lidhjen e Kombeve,  për diskriminimin e shqiptarëve të Çamërisë nga sheti grek.  Pas shumë ankesave,  në vitin 1926, u arri një marrëveshje reciproke  midis qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë, për mësimin e gjuhës shqipe për minoritetin shqiptar në Greqi dhe minoritetin grek në Shqipëri, por edhe ajo sabotohej nga regjimi i Greqisë. Në vitin shkollor 1936/37, në Çamëri u hapën 6 shkolla, me 10 mësues, për mësimin e gjuhës shqipe, por kjo bëhej në shkollat greke, dhe nga mësues grekofonë! Megjithatë, prej vitit 1929 deri më 1939, në disa qytete e fshatra të rrethit të Pramithisë dhe të Filatit, në Çamëri,  funksionuan disa shkolla fillore për nxënës dhe kopështe për fëmijë, diku të ndara veçmas për myslimanë, e diku të përziera. Kështu, bie fjala, në vitin shkollor 1937/38, në  shkollat e Çamërisë mësonin gjuhën shqipe 387 nxënës,në: Filat (85), Lopës (75), Smartë (14), Nistë (40), Solloëi (27), Gurrës (16), Mazarek (80), Grikohor (50), ndërsa për shkollat në Karbunara dhe Vrohona nuk kishte mësues. Edhepse  ai nuk ishte një sistem i shkollimit kombëtar, sadopak e mbajti gjallë gjuhën shqipe. Asokohe, nxënës nga Çamëria u shkolluan edhe në shkollat në Shqipëri. Në këtë drejtim, një kontribut të veçantë të shkollimit të çamëve e dha Konvikti ”Çamëria”, në Sarandë, i cili  funksionoi prej vitit 1928 – 1941, dhe gjatë asaj kohe shumë nxënës nga Çamëria, me shpenzimet e shtetit shqiptar,  kryen shkollimin cilësor në shtetin amë. Shqipëria e asaj kohe i kishte kushtuar  vëmendje të posaçme shkollimit të popullit, duke përfshirë edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë (Kosovë, Çamëri e vise tjera). Shteti investonte në shkollimin brënda dhe jashtë vendit. Në periudhën 1925-1939, në gjithë Shqipërinë ishin çelur 643 shkolla fillore dhe 18 shkolla të mesme, të cilat i kryen mbi 60000 nxënës. Se sa ishte e lartë cilësia e mësimit në shkollat shqiptare të asaj kohe, tregon fakti se me diplomën e shkollës së mesme të Shqipërisë, pranoheshin pa konkurs në studime kudo në shtetet e Europës: Itali, Austri, Francë, Angli, Gjermani, Turqi, Rumani, Greqi. Sheti shqiptar i paguante mirë mësuesit dhe oficerët e ushtrisë. Në pyetjen e një gazetari të huaj, përse shteti i stimulon veçmas këto dy kategori, Ahmet Zogu ishte përgjigjur: “Mësuesi e ndriçon mendjen e kombit, ndërsa oficeri i ruan kujftë e atdheut”.

5.Periudha 1941-1944

Gjatë Luftës së Dytë Botëtore,  shqiptarët jashtë Shqipërisë  londineze pushtimin Italian dhe gjerman (1941-1944) e përjetuan si çlirim nga regjimet fashiste serbo-malazeze dhe greke. Sepse pushtuesit e ri lejuan bashkimin e trojeve shqiptare,  hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e simboleve kombëtare. Ministri i arsimit në qeverinë e Shqipërisë, Ernest Koliqi, ndërmori masa të menjëhershme për hapjen e shkollave dhe dërgimin e mësuesve në “trojet e çliruara”, në Kosovë, Çamëri e Maqedoni. Në Çamëri u hapën shkollat shqipe në rrethin e Filatit, Gumenicës, Margëlliqit e Paramithisë. Pa patur të dhëna tjera, për numrin e shkollave e të nxënësve dhe funksionimin e atyre shkollave, për to po shënojmë vetëm emrat e  24 mësuesve veteranë të asaj periudhe, që punuan në Çamëri, e të cilët presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, i dekoroi në vitin 1994, me motivacion: se hapën dhe shërbyen në shkollat shqipe të Çamërisë, gjatë periudhës 1941-1944.  Ata mësues të dekoruar janë (për rrethin e Filatit): Dino Aqif Abedin, Zeqiraj Mehmet Abdyl, Sejko (Zelfo) Mahmut Abdul, Sejko (Adem) Jakup Shefqet, Sejko Beqir Fejzi, Duçe Mete Ilaz, Demi Avdi Isa, Feçi Ismail, Çumani Sulo Jakup, Sejko Rahmi, Husa (Niza) Riza, Muharremi Alush Sami, Muharremi Halim Sadik, Vëllazërori Nikollë Spiro, Dino Vesel, Çomi Hamza Zenel; (për rrethin e Margëlliçit): Çeço Hasan, Dauti Jahja, Mehmet Halil Jasin; (për rrethin e Gumenicës): Rusi Kasi Musa, Sejko Abdul Qamil, Beqo (Meço) Duro Shaban;  dhe (për rrethin e Paramithisë): Saliko Hasim Sadik (*emrat e mëspipërm për të dekoruarit, janë marrë nga libri i Tahir Z.Berishës: “Emra që nuk harrohën III”, Prishtinë, 2005).

Dhe vëtetë, emrat e atyre rilindasve, atyre atdhetarëve që luftuan me pushkë e me penë, për çlirimin e atdheut e për  ruajtjen e gjuhës shqipe dhe të ndjenjave kombëtare, qoftë në cilësi të udhëheqësve të klubeve e të shoqërive atdhetare,  atyre mësuesve, atyre që dhanë pa kursim për mësimin e gjuhës dhe arsimimin e popullit, atyre që lëshuan shtëpitë për shkolla, atyre që përhapën librin shqip, duke sakrifikuar e rrezikuar jetën e vet e të familjeve të tyre, duhet të kujtohen e të mos harrohën kurrë, të shkruhen e të ruhen për brezat e ardhshëm.

Filed Under: Histori Tagged With: Adil Fetahu, Shkollat ne Cameri

PËRMENDORJA E TURPIT, NË KAMPUSIN E UNIVERSITETIT

November 18, 2017 by dgreca

-Si u ndertua Kisha Serbe ne brendesi te Universitetit?/

-Ardhja e Papoviqit në detyrën e rektorit, ishte rast i volitshëm për peshkopin Pavle  që ta realizonte synimin e tij satanik për ndërtimin e kishës ortodokse serbe në zemër të Universitetit të Prishtinës.  Në dhjetor 1992, në mënyrë shumë “triumfale”  kishës iu vu gurthemeli dhe kryqi i madh në themel, në prani të forcave të mëdha të policisë, popave e qytetarëve të shumtë serbë që kishin ardhur gjithandej nga Serbia e vise tjera, me flamuj e ikonografi çetnike. Ishte ky një akt jo vetëm  i paligjshëm e diskriminues, por  edhe shumë provokues për shqiptarët.   Peshkopi Pavle, më vonë u zgjodh patriark i Kishës Ortodokse Serbe, sigurisht për meritat e tij të veprimit antishqiptar. Edhe Papoviqin, regjimi i Koshtunicës e emëroi rektor të Universitetit (serb) në Mitrovicë, dhe kundër atij emërimi pat reaguar UNMIK-u dhe Asociacioni i Universiteteve të Evropës. Në ndërtimin e kishës u punua deri në vitin 1999, kur  arriti në gjendjen në të cilën është sot, e papërfunduar,  që mbeti një shëmti e neveritshme në atë vend….

1 Kisha Serbe

NGA Adil FETAHU/

Titullin për këtë shkrim e mbaj mend tash e afro tri decenie, nga një shkrim i Hilmi Ismailit,  profesor  në pension i Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Dhe vërtetë, ajo mbeti përmendore e turpit, po edhe mollë sherri në politikën dhe drejtësinë kosovare. Fjala është për Kishën ortodokse serbe mu në qendër të hapësirës së Universitetit “Hasan Prishtina”, në qendër të Prishtinës. Për godinën e asaj kishe është shkruar e folur shumë, qysh prej se ka filluar ndërtimi i saj. Pas mbarimit të luftës në Kosovë, janë shfaqur mendime e propozime të ndryshme. Pala serbe konsideron se kisha është ndërtuar me leje të rregullt dhe duhet të lejohet përfundimi i punimeve dhe vënia në funksion për “besimtarët” e vet. Pala shqiptare, si gjithmonë, jo të një mendje: shumica thonë se ajo godinë duhet të rrënohet me themel e të hiqet nga kampusi, sepse nuk e ka vendin aty,  ndërsa  disa zyrtarë të nivelit qendror dhe lokal thonë se duhet të presin vendimin e gjykatës, pasi Unviersiteti ka ngritur padi për heqjen e saj. Ka edhe mendime të disa profesionistëve e “dashamirë të kulturës”, se godina duhet të mbetet, por t’i ndërrohet destinimi e të shërbejë si galeri e kulturës, dhe simbol i një kohe të okupimit të Kosovës.

Si u ndërtua kisha në hapësirën e Universitetit

Ndërtimi i kishës në  hapësirën e kampusit të Universitetit të Prishtinës u bë në kohën e okupimit të egër serb, kur në mënyrë antikushtetuese dhe antiligjore ishte suprimuar statusi kushtetues-juridik i Kosovës, ishin aplikuar masa dhe ishin caktuar organe të dhunshme në të gjitha organet, organizatat, ndërmarrjet dhe institucionet qendrore e lokale, kur miratoheshin ligje e nxirreshin vendime diskriminuese kundër shqiptarëve.  Në Universitetin e Prishtinës masat e dhunshme u aplikuan  së pari në Bashkësinë Punuese (më 26.XI.1990), me ç’rast  u shkarkua sekretari i përgjithshëm, Destan Halimi, dhe në vend të tij u emrua sekretari i dhunshëm Ranko Gjokiq, ndërsa në vend të Këshillit të Punëtorëve të Bashkësisë Punuese u emrua grupi prej tre personave të dhunshëm: Shçepanoviq Sava, Simiq Ruzhica dhe Çuk Natasha (Vendimi: RS-nr.87, dt.26.XI.1990; “Gazeta Zyrtare e RS”, nr.13, dt.16.XI.1990). Më 27 qershor 1991, u aplikuan masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës, me ç’rast  Skënder Karahoda u shkarkua nga detyra e rektorit, dhe Dali Emërllahu nga detyra e prorektorit, e në vend të tyre u emëruan organet e dhunshme: Radivoje Papoviq, rektor, Doshliq Misha, prorektor, Doganxhiq Stanoje, prorektor. Ata nuk quheshin rektor e prorektor, por quheshin: “organ i përkohshëm punëdrejtues”.  Në vend të Pleqësisë së Universitetit, u emrua grupi tjetër prej tre anëtarësh: Shçepanoviq Lubisha, kryetar, Vukoviq Vlladeta, anëtar dhe Samarxhiq Dragan, anëtar (shih: Vendimi i Kuvendit të Serbisë, RS-nr.152, dt.27.VI.1991; “Gazeta Zyrtare e RS”, nr.37, dt. 22.VI.1991). Sipas Ligjit për masat e përkohëshme, mandate i organeve të përkohëshme ka mund të zgjatë më së tepërmi një vit, por Papoviqi mbeti në krye të Universittit deri në vitin 1998!

Në kohën kur Papoviqi ishte rektor, u përjashtuan prej objekteve të fakulteteve të gjithë studetët shqiptarë. Bile, as pas “Marrëveshjes për normalizimin e arsimit dhe kthimin e nxënësve e studentëve në objektet shkollore”, që u nënshkrua më 1 shtator 1996 (Marrëveshja Rugova – Millosheviq), Papoviqi me kembëngulje nuk lejoi kthimin e studentëve nëpër fakultete, prandaj studentët më 1 tetor 1997 organizuan protestën, e cila u prit me dhunën  më brutale  nga policia serbe.

Ardhja e Papoviqit në detyrën e rektorit, ishte rast i volitshëm për peshkopin Pavle  që ta realizonte synimin e tij satanik për ndërtimin e kishës ortodokse serbe në zemër të Universitetit të Prishtinës.  Në dhjetor 1992, në mënyrë shumë “triumfale”  kishës iu vu gurthemeli dhe kryqi i madh në themel, në prani të forcave të mëdha të policisë, popave e qytetarëve të shumtë serbë që kishin ardhur gjithandej nga Serbia e vise tjera, me flamuj e ikonografi çetnike. Ishte ky një akt jo vetëm  i paligjshëm e diskriminues, por  edhe shumë provokues për shqiptarët.   Peshkopi Pavle, më vonë u zgjodh patriark i Kishës Ortodokse Serbe, sigurisht për meritat e tij të veprimit antishqiptar. Edhe Papoviqin, regjimi i Koshtunicës e emëroi rektor të Universitetit (serb) në Mitrovicë, dhe kundër atij emërimi pat reaguar UNMIK-u dhe Asociacioni i Universiteteve të Evropës. Në ndërtimin e kishës u punua deri në vitin 1999, kur  arriti në gjendjen në të cilën është sot, e papërfunduar,  që mbeti një shëmti e neveritshme në atë vend.

Sado që pop Sava Janjiqi e popat ose zyrtarë tjerë serbë thonë se kanë pasur lejen për ndërtimin e kishës, ajo leje, edhe nëse ekziston, ajo është dhënë nga organet e dhunshme,  në bazë të ligjeve e veprimeve diskriminuese të okupatorit serb, gjatë kohës së okupimit,  dhe si e tillë juridikisht është e pavlefshme. Majkëll Daksner, udhëheqës i Departamentit për Arsim e Shkencë në Administratën e UNMIK-ut pati kërkuar lirimin e hapësirës së Universitetit nga të gjitha objektet të cilat nuk e kanë vendin aty, por duket se Qeveria e Përkohshme e Kosovës, për shkaqe të panjohura, nuk e rrënoi kishën as objektet tjera (barakat, në të cilat akoma ka banorë).

Organizata e Kombeve të Bashkuara,  përmes administratës së vet të vendosur në Kosovë (UNMIK-ut) dhe  përfaqësuesit të vet special (Bernard Kushner),  me Rregulloren nr.1999/24, respektivisht nr.2000/59,- i ka shfuqizua ligjet e regjimit serb në Kosovë të periudhës para 23 marsit 1989,  ashtu që  “ligje në fuqi në Kosovë (për atë periudhë e tutje) kanë mbetur vetëm ato që kanë qenë në fuqi deri më 22 mars 1989”. Kjo do të thotë, se ligjet, vendimet dhe veprimet e organeve të dhunshme të okupatorit serb, të nxjerra pas suprimimit me dhunë të autonomisë së Kosovës, të cilat ose ishin haptas diskriminuese, ose zbatoheshin në mënyrë selektive diskriminuese, janë të pavlefshme, sikur që janë të pavlefshme edhe efektet juridike që kanë krijuar ato ligje, vendime e veprime. Në paragrafin 2 të Rregullores së përmendur, është përcaktuar se: “Me dispozita juridike, nëse një gjykatë, një organ ose një person prej të cilit është kërkuar të zbatohet rregullativa e ligjit  vendos se lënda apo situata nuk është trajtuar në përputhje me ligjet që janë cekur në nenin 1.1. të kësaj rregulloreje, por në mbështetje të ndonjë ligji tjetër në fuqi në Kosovë pas 22 marsit 1989, e që nuk është diskriminues dhe që është konform me nenin 3 të kësaj rregulloreje (në nenin 3 është fjala për instrumentet juridike ndërkombëtare kundër diskriminit,a.f.),- gjykata, organi ose personi – përjashtimisht mund ta zbatojë atë ligj”.

Edhe Qeveria e Kosovës, që asokohe ishte në egzil, me një Vendim të vetin, i ka shpallë të pavlefshme të gjitha ligjet, vendimet, kontratat e marrëveshjet e organeve të dhunshme serbe, me të cilat bëhen ndryshime në strukturën pronësore të pasurive shoqërore e publike në Kosovë (shih: gazeta “Bujku”, dt.19.03.1993).

Sido që ta marrësh, në daç nga aspekti i ligjeve diskriminuese serbe, të miratuara pas 22 marsit 1989, në daç nga aspekti i qëllimit diskriminues që kishte Kisha ortodokse serbe në bashkëpunim e bashkëveprim të ngushtë me rektorin e dhunshëm, antishqiptar i përbetuar, në daç nga lokacioni ku është ndërtuar,- del se vendimi dhe veprimi i ndërtimit të asaj kishe nuk ka bazë juridike të vlefshme për të qëndruar aty, dhe si e tillë, praktikisht, duhet të rrënohet e zhduket prej kompleksit të kampusit të Universitetit, ndërsa toka e uzurpuar nga kisha, me sipërfaqe 4,27,16 ha, t’i kthehet Universitetit në shfrytëzim të lirë e të papenguar.

Përfaqësuesi i autorizuar (apo ai ligjor) i Universitetit, i cili nuk ka shkua në séancën gjyqësore për ta mbrojtur me argumente interesin e Universitetit, duhet t’i heqë pasojat e këtij neglizhimi, pa marrë parasysh arsyetimet e tij të pajusitifikueshme të cilat i ka përmendur, e që edhe gjykata e shkallës së dytë ia ka refuzua si të pabaza.

Duket se, për shkak se çështja e kishës së përmendur, pa të drejtë ka marrë konotacione e dimensione politike, gjykata mezi ka pritur që çështjen ta mbyllë pa marrë vendim meritor, por ka nxjerrë një aktgjykim sikur paditësi është tërhequr nga padia e ngritur. Natyrisht, ky aktgjykim, që nuk është vendim meritor (aktgjykim kondemnator, konstituiv apo deklarativ), nuk e ka mbyllë çështjen në meritum, por vetëm se e ka shty  e zvarritë edhe për disa kohë. Dhe deri sa të vendoset definitivisht siç e meriton, godina e kishës që do të qëndrojë  aty,  do të bëhet objekt grindje politike e diskutime të pafund, do të jetë një përmendore turpi i atyre që ndërtuan, atyre që nuk e rrënuan me kohë, atyre që nuk i dolën zot pronës së vet në shfrytëzim, po edhe i gjykatës që për shkaqe banale procedurale, len pa e zgjidhur një çështje të rëndësishme jo vetëm për Universitetin.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, NË KAMPUSIN E UNIVERSITETIT, PËRMENDORJA E TURPIT

Elitat Shkencore e Kulturore Serbe dhe urrejtja patologjike ndaj shqiptarëve

November 5, 2017 by dgreca

1-adil-fetahu-300x180

Stereotipet dhe diskursi i intelektualëve serbë për shqiptarët/

Nga Adil FETAHU/

Cilido që ka lexuar veprat dhe shkrimet e elitave shkencore, letrare-kulturore a kishtare serbe, sidomos ato prej gjysmës së dytë të shekullit 19 deri më sot, ka mund të vërejë, të  kuptojë e të bindet se çfarë urrejtje patologjike kanë krijuar ata autorë ndaj popullit shqiptar, çfarë shkence, politike, ideologjie, diplomacie e propagande shoviniste e raciste kanë zhvilluar e përhapur kundër shqiptarëve. Ata gjithmonë janë paraqitur me një epërsi, imperializëm  kundrejt popujve fqinjë, po ndaj shqiptarëve nuk kanë pasur masë as kriter. Historianë, etnografë, gjeografë, shkrimtarë, publicistë, kishtarë, gazetarë, politikanë të njohur serbë,të cilët konsiderohen si pionierë  dhe klasikë të shkencës e të kulturës serbe, në shkrimet, në veprat dhe në diskursin e tyre në përgjithësi, kanë promovuar idetë raciste, duke e quajtur  popullin serb si racë superiore, ndërsa popullin shqiptar racë inferiore në çdo pikëpamje. Në bazë të këtij lloj imperializmi kultural e kësaj propagande raciste antishqiptare, janë hartuar tekstet shkollore, formuar politikat e janë formuluar projektet dhe planet  e politikës shtetërore dhe janë ndërmarrë veprimet për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e veta dhe kolonizimin e trojeve të pushtuara me elementin sllav.  Janë të shumtë autorët e këtij “zhanri” , por  është vështirë të veçosh se cili ishte më racist në mesin e tyre. Jo vetëm ata më të hershëm, por edhe më vonë gjatë tërë shekullit 20, madje edhe tash  shumë intelektualë serbë në të shumtën e rasteve shkruajnë sipas stereotipeve të caktuara për Shqiptarët, si popull primitiv, kriminel, shkatërrues, gjenocidal, i paaftë për t’u konstitua si komb  e për të pasur shtet të pavarur.

Dimitrije Bogdanoviq në librin e tij për Kosovën (“Knjiga o Kosovu”, 1985) dhe në inatervistat e shumta pas botimit të atij libri,  përhapë  tezën “se shqiptarët kanë ardhur në tokën serbe prej shekullit 17 deri në ditët e sotme, duke plaçkitur, vrarë e ndjekur serbët prej tokës së tyre; se shqiptarët kanë plane për zhdukjen fizike të serbëve; se lëvizjet politike shqiptare ishin agresive, pushtuese, revanshiste, konservative dhe nacionaliste, që kishin për qëllim ta zhdukin popullin serb përmes vrasjeve e përndjekjeve, t’ua grabitin tokat serbe dhe t’ua zhdukin vetëdijen historike”. Ai thotë se “teza për prejardhjen ilire të shqiptarëve është raciste dhe ka për qëllim të vërtetojë të drejtën e përparësisë së territorit”. Radovan Samarxhiq (1989) thoshte se “Arbanasit qysh në shekullin 16 ishin ekspanziv, të cilët Turqit i futën si pykë në atëdheun e vjetër, ashtu që shtypën popullin serb duke vrarë, plaçkitur, djegë fshatra të tëra, marrë tokat dhe duke islamizuar me dhunë”. Marko Mlladenoviqin (1989): “nuk është konatestuese që shqiptarët kanë bërë gjenocid dhe apart-hejd në Kosovë, ndërsa përralla për prejardhjen ilire të tyre është vetëm një mjegull arkeologjike. Sepse, shqiptarë në Kosovë nuk ka pasur kurrë deri në shekullin 17, ndërsa deri në Luftën e Dytë Botërore nuk ishin shumicë, por këta duke lindur shumë fëmijë duan të krijojnë epërsi numerike”. Atanasije Jevtiq thotë se “qëllimi i shqiptarëve në Kosovë qysh moti ka qenë: sa më shumë tokë, sa më shumë fëmijë dhe sa më shumë armë”. Ai thotë “se fëmijët e shqiptarëve nuk janë të manipuluar ashtu ad-hoc, por janë të ushqyer me urrejtje për gjithçka që është serbe dhe e krishterë në Kosovë e Metohi, dhe se këtë ua kanë ngulitur në mendje prindërit dhe mësuesit, në frymën primitive fisnore dhe myslimane” (Jevtiq, 1992).  Nikolla Samarxhiq i karakterizon  “shqiptarët  se kanë natyrë të egër, kanë fuqi fantastike për reproduksion, kanë urrejtje jonjerëzore, zbatojnë orgji gjakatare” (N.Samarxhiq, 1990). Miodrag Joviçiq, në Përmbledhjen e punimeve të AShAS (përkth.:“Serbët dhe Shqiptarët në shekullin 20”), thotë se “Arnautët janë zullumçarë dhe shkatërrimtarë, të cilët dhunën e kanë në gjak;  se në të gjitha shtresat e shqiptarëve u ka hyrë në gjak dhuna dhe urrejtja kundër popullsisë serbe, e cila është fajtore vetëm pse është gjallë; se Shqiptarët në Mbretërinë Jugosllave  as përsëafërmi nuk e kanë larë borxhin që ua kanë pasur Serbëve për zullumet e kryera gjatë kohës së sundimit turk. Pakica Shqiptare nuk e ka meritua autonominë, veçse qysh prej vitit 1945 është dashur të vëhet në një karantinë të posaçme, deri sa të dëshmojnë se  janë të gatshëm  për bashkëjetesë të civilizuar. Shqiptarët janë armiqë të përbetuar të  Serbisë dhe janë bartës të shovinizmit dhe racizmit agresiv, gjë që tregon se me ta nuk mund të bashkëjetohet. Zgjidhje për këtë gjendje është vetëm në ndryshimin e strukturës etnike të Krahinës, kthimin e të shpërngulurve, kolonizimin e ri dhe suspednimin e autonomies” (Joviçiq, 1991). Batakoviq  shkruan (1992) për “gjenocidin e hapur ndaj popullit serb, që në shekullin 19 është kryer duke plaçkitur, vrarë, dhunuar, grabitur gratë të cilat pastaj janë konvertuar në islam. Mostoleranca etnike e fetare ndaj serbëve ka qenë në themel të të gjitha lëvizjeve arbanase”, thotë ky autor. Gllushçeviq shkruan (1992), se “Nacionalizmi dhe separatizmi  i egër dhe agresiv shqiptar, zakonisht merr hov kur prishet ekuilibri demografik, gjë që është në natyrën e organizimit primitiv fisnor”. Kurse babai i kombit serb, Dobrica Qosiq (1992) shkruante se “në përndjekjen e Serbëve, Shqiparët kanë qenë më radikal  dhe më të pashpirtë se vëllezërit tanë tjerë; ata janë shërbyer me mjetet më brutale, sipas traditës së vet turko-muhamedane, fashisto-balliste”.

Shqiptarët janë serbë të “arbanizuar”, Skënderbeu ishte serb

Gënjeshtrat e disa “shkencëtarëve dhe intelektualëve elitor e klasikë” serbë nuk kanë kufi as masë. Njëfar prof.dr.Jovan Deretiq, i  cili vetëlavdërohet për tituj e poste të lara shkencore në përmasa planetare,  në veprat dhe shkrimet e tij shkon më së largu me teza “fascinuese”: se “populli serb është populli më i vjetër  dhe numerikisht ishte më i madhi në botë;  se këtu nuk kanë ardhur prej dikah tjetër, veçse ishin autoktonë; se dikur moti e kishin pushtuar Indinë dhe atje e kishin vu demokracinë; se kultura helene në të vërtetë është kultura serbe, por Grekët si lavire të vjetra  i zhdukën gjurmët e saj dhe  u stolisën me “pendla të hueja”; se  sundimtarët e dikurshëm bizantinë si mikpritës të mirë i kishin pranuar Shqiptarët (në vitin 1040) por vetëm si barinjë në viset malore Rabana, e që sipas atij vendi i quajtën Rabanas, e më vonë Arbanas; se historani Plini i Vjetër ka qenë historian serb; se Aleksandri i Madh, si dhe Skenderbeu kanë qenë serbë;  se në shekullin 16 në ushtrinë turke gjuha serbe ka qenë para gjuhës turke”, etj.etj, floskula  si këto.

Stereotipe për Shqiptarët si Serbë “të arbanizuar” hasim  në shkrimet dhe veprat e shumë autorëve të elitës intelektuale serbë, dhe aty  ndryshojnë vetëm numrat (përqindjet) e këtij konvertimi. Derisa  Samarxhiqi (1989) konsideron se “në fund të shekullit 19 në Kosovë ishin 30-40 përqint “Arbanas” të prejardhjes sllave”, Mlladenoviq (1989) këtë shifër e ngritë në 2/3 e Shqiptarëve të Kosovës,  kurse Veselin Gjuretiq (1992) e përcakton në përqindje të plotë : 80 përqind!. Udhëpërshkruesi Millojeviq (1871), thotë se “duke kaluar kufirin turk në “Serbinë e Vjetër”  (Kosovën e Maqedoninë Shqiptare,af.), pashë tipa serbë të pastër të turqizuar, që tash quhën Arnautë, të cilët  janë bërë nga përzierja e të gjitha racave më të ndyta e kutërbuese në një;  se muhamedanët e Vushtrrisë janë kriminelët, dhunuesit dhe gjakpirësit më të mëdhenj të serbëve”. Sipas tij, “në Kosovë nuk kishte Shqiptarë, por vetëm Serbë të arnautizuar”.  Edhe udhëpërshkruesi tjetër  i asaj kohe, Gopçeviq (1890),  mbështetë tezën se “Shqiptarët nuk ekzistojnë, se Arbanasit janë ose Serbë, ose Turqë, ose Grekë ose Hebrejë”.  Ivaniq (1906) dhe Haxhi-Vasileviq (1909), thonë se “Shqiptarët janë Serbë të arbanizuar që nuk kanë vetëdije kombëtare, dhe për Serbët ata janë më armiqë se Turqit”.  Jovan Tomiq (1913), edhepse thoshte se “elementi më i keq ishin Serbët e arbanizuar; megjithatë  ka shpresë që kur të pushojë plaçkitja si zanat i tyre, do t’i kthehen profesionit të të parëve të tyre (lexo: serbëve) të vyeshëm, vendi i të cilëve është fushë drithi e kopshtijesh”. Më së largu me tezën e tij për prejadhjen serbe të Shqiptarëve e ka zhvilluar Toma Oraovac (1923), i cili vërteton se “fiset, farefisninë, apo bajraqet nuk i lidhë vetëdija  kombëtare, sepse dihet, dhe ata vetë e dijnë se nuk i lidhë  gjaku as prejadhja, as doket e njëjta”. Oraovac  thotë se “Lekë Dukagjini ka qenë serbë, sikur edhe të gjithë dukagjinasit tjerë; se Shkodra gjithmonë ka qenë serbe, se Malësorët janë Serbë të pamohueshëm, sikur edhe Mirëditasit, Shaljanët, Gashët, Berishët, Hotët, Kelmendët, Kastratët e të tjerët, se edhe vetë sot e kësaj dite e pranojnë se janë me prejardhje serbe, e që as për nga zakonet, as përkah vetitë as përkah soji heroik serb nuk mund të quhen Arbanas, vetëm për shkak të fatkeqësisë së tyre që është dashur ta marrin gjuhën shqipe, e që nuk është as nuk mund të jetë kriter për përcaktimin e kombësisë Arbanase, derisa kombësi e tillë nuk ekziston, veçse ky është emër vendi, nocion gjeografik, që nuk e zgjidhë çështjen e kombësisë”. Ai është “i bindur” në konkludimin e vet se “ata (lexo: Shqiptarët) ishin edhe tash janë – jo Arbanasë, as Arnautë, as Albanezë, por Serbë të pastër, veçse të konvertuar”. Se “Skënderbeu  dhe bashkëluftëtarët  e tij  nuk ishin  shqiptarë, por ishin  serbë”, këtë  “e vërteton” udhëpërshkruesi  Gopçeviq (1890). Ai thotë se “Skënderbeu edhe nga babai edhe nga nëna ishte  serb”. Vlladan Gjorgjeviqi (1913) me stereotipet e tij ishte më ironik. Ai edhepse “e pranon” se Skënderbeu ka qenë Serb, Gjorgje Kastriotiq,  thotë se “na vjen keq që këtë të vetmin trim të cilin Arnautët për  mija vjet mezi e fituan, duhet t’ua marrim, edhepse në luftën tonë gjashtëshekullore, prej Kosove deri në Kumanovë, na kemi aqë shumë trima, sa që një si ky edhe nuk na është dashur fare,  porse për shkak të dashurisë ndaj Arnautëve nuk mund të lejojmë të falsifikohet historia”. Kështu, varg e vi, pseudoshkencëtarë, intelektualë, udhëpërshkruesë e historianë serbë, mohojnë identitetin, autoktoninë, përkatësinë kombëtare të shqiptarëve.

Shqiptarët nuk janë popull shtetformues

Tezat stereotipe të intelektualëve serbë, për përkatësinë serbe të Skënderbeut, lidhen edhe me tezën  aq shumë të përsëritur, se “ Shqiptarët nuk janë as nuk mund të jenë popull shtetformues. Prandaj, është e kuptueshme, se një shqiptar nuk do të mund ta kishte mbajtur të pavarur  shtetin e tij midis Perandorisë Osmane, por ai duhet të ketë qenë serb! Njëfar Aleksijeviq (1878) “u jepte të drejtë Shqiptarëve ta formojnë shtetin e tyre në jug dhe në perëndim të Drinit, vetëm nëse për këtë kanë kushte morale dhe në qoftë ndonjëherë ka ekzistuar ndonjë shtet i hajnave të fëmijëve dhe i plaçkitësve”.  Luba Jovanoviq  shkruante se “gjendjen në Serbinë e Vjetër (lexo: Kosova dhe Maqedonia Shqiptare) e kanë krijuar Arnautët e pandalshëm dhe të egër, të cilët as Stambolli nuk mund t’i qetësojë, të cilët mund t’i ndalë vetëm Serbia, e cila me çlirimin e Serbisë së Vjetër do t’i jepte fund  zhdukjes së banorëve të atjeshëm serbë. Shqiptarët nuk kanë të drejtë në tokën në të cilën janë futur në mënyrë të egër. As shkenca juridike nuk ua njeh të drejtën që me përvetësim të tillë mizor të mund të fitohet e drejta e çfarëdo pronësie, prandaj Sërba mund të mos e pranojë gjendjen e krijuar në atë vend të rëndësishëm të atdheut tonë”, thoshte ky intelektual serb qysh në vitin 1910!

Qëllimi kryesor i popullit dhe shtetit të Serbisë ka qenë (dhe mbetet) dalja në det, edhe në Detin Egje përmes  Selanikut, edhe në Adriatik përmes Durrësit. Prandaj këtë qëllim ata e kanë arsyetuar me teza të ndryshme: edhe  me shkaqe ekonomike të ekzistencës së shtetit të tyre,  po edhe me paaftësinë e shqiptarëve për të krijuar e mbajtur shtet të pavarur. Në aspektin ekonomik, thoshin se Serbia nuk mund të ekzistojë ekonomikisht as politikisht si vend kontinental, pa dalje në det. Nga ana tjetër, konsideronin se shqiptarët nuk janë të aftë për jetë të pavarur shtetërore, dhe se “si popull primitiv dhe i paaftë për shtet, do të ishte në dobi të tyre të jetojnë në bashkësi me popullin e civilizuar dhe në shtetin serb”. Pothuajse nuk mund të gjendej asnjë intelektual serb, i cili do t’u jepte të drejtë Shqiptarëve që ta kenë shtetin e tyre. Përkundrazi, ata thoshin se “lufta e serbëve për liri  duhet të shpërblehet edhe me territore të cilat nuk iu përkasin atyre, ndërsa  banditizmi shqiptar duhet të dënohet, me privimin e të drejtës për të fituar shtetin e tyre. Kërkesa e shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre është e panatyrshme dhe e padrejtë, dhe është e orientuar kundër Serbisë dhe përparimit të saj’, thoshin e thonë intelektualët e proviniencës nacionaliste serbe, atëherë e tash! Jovan Cvijiq (1912), me rastin e luftërave ballkanik, kishte botuar disa shkrime me të cilat arsyetonte pushtimin e tokave shqiptare dhe daljen në  Adriatik përmes Shkodrës, Lezhës e Durrësit, duke theksuar se “ushtria serbe duke dalur në ato vende, nuk ka hasur në kurrëfar rezistence të Mirditorëve, të cilët janë fisi më i egër në Evropë”. Radoniq (1912), ndër të tjera theksonte se “kombësia shqiptare nuk ka ekzistuar kurrë, se shqiptarët absolutisht nuk e ndiejnë nevojën për të pasur as që mund të krijojnë shtet të vetin, se ata nuk kanë shfaqur kurrëfar përpjekjesh kulturore, kurrëfar dëshire as aftësie për të krijuar çfarëdo tërësie shteti; se ata jo vetëm se jetojnë si në shekullin e mesëm, veçse me mizoritë e tyre këto deceniet e fundit kanë shkuar edhe ma larg për të keq”.

Nuk di njeriu se cili nga ata intelektualë ishte më nacionalist, më urrejtës e përbuzës i Shqiptarëve. Vlladan Gjorgjeviq (1914), pasi “shqiptarët i quante “lëkurëkuq evropianë”, Durrësin skele (liman) serb, ndërsa shtetin shqiptar të cilin me zor të Zotit duan ta themelojnë Austria dhe Italia, e konsideronte një episodë të mjerueshme në eposin e përgjakshëm por madhështor ballkanik”. Ai shtron pyetjen, “a mos tërë përpjekja e Austrisë dhe Italisë për t’ua krijuar shtetin këtyre lëkurëkuqve evropianë, do të bëhet kot, a mos po i bëjnë vetvetes dëm kolosal, sikurse po u bëjnë me këtë edhe shteteve ballkanike? Sepse, primitizmi i shqiptarëve është pengesë  e pakalueshme për të krijuar shtetin, për ata njerëz që s’dijnë çka është kripa, ndërsa për sheqerin mendojnë se është dëborë.  Me këta njerëz të egër shtetet e mëdha duan të krijojnë shtet vetëm sa për ta penguar përparimin e Serbisë e të popujve tjerë të vyeshëm e trima”. Duke  vlerësuar se  “shqiptarët  akoma janë në nivelin parahistorik të zhvillimit”,  Gjorgjeviq konsideron se “kolonizimi është e vetmja zgjidhje për problemin shqiptar, dhe se ata së paku edhe njëqint vjet duhet të presin deri sa të mund të quhen komb”.  Po atë vit, edhe një intelektual tjetër serb, Stojan Protiq, me pseudonimin “Balkanikus” ,  ndër tjera thoshte  “vetëm Shqiptarët kanë mbetur në shkallën e zhvillimit në të cilën kanë qenë para mijëra vjetëve”. Përplot sarkazma, “dëshmon se nuk janë të aftë për jetë të pavarur shtetërore, sepse ata dijnë vetëm për arbitrarizëm, për liri në male, ndërsa për liri shoqërore as nuk kanë pasur as nuk kanë ndjesi”. Duke dashur të shtijë përçarje midis shqiptareve të konfesioneve të ndryshme, ky autor gënjen se “në luftërat ballkanike, kundër serbëve kanë luftuar vetëm  Arbanasët muhamedanë, kurse Arbanasët e krishterë pothuajse   çdokund  i kanë pritur serbët si çlirimtarë! Formimi i shtetit shqiptar është vetëm paravan kundër zgjërimit territorial të Serbisë”, konkludon ndër të tjera Protiq (1913).

Pas themelimit të shtetit shqiptar, shumica e intelektualëve dhe publicistëve serbë orvateshin për të vërtetuar se shteti shqiptar nuk ishte rezultat i përpjekjes  së shqiptarëve “as që kishin kushte për formim të formuar shtetin, prandaj shteti as që është formuar për ta, veçse për  ta bërë Siujdhesën Ballkanike koloni  gjermane” (Cemoviq, 1913); se “ideja për autonomi të shqiptarëve nuk ka mund të vjen prej  shqiptarëve, veçse ka ardhur nga  jashtë, dhe se në një Shqipëri të tillë (muhamedane) nuk do të mbetet asnjë serb, asnjë i krishterë, madje edhe asnjë turk” (Jasha Tomiq, 1913); se “Austria përmes bakteriologëve të vet (lexo: shqiptarëve) dëshiron ta shumëzojë kulturën e cubave të pa  ide, të cilët i nevojitën për luftë më të lehtë me Serbinë, Malin e Zi dhe Greqinë” (Stepanoviq, 1913). Oraovac thotë se “Shqiptarët nuk kanë ide për shtetin. Ata i kanë mbetur besnik vetvetes dhe përherë kanë jetuar me jetën e tyre të vjetër, të pakulturuar e pacivilizuar, prandaj ky popull nuk ka mund të mbushet mend as të bëjë përpjekje, e lere më të formojë shtet. Ata dijnë vetëm për liri personale e fisnore, e kjo është liria e të bërit qejf, kërkesave personale, grabitjes, vrasjeve, shkatërrimeve dhe dhunës së çdo lloji, dhe se për veprime të tilla askujt dhe asnjëherë të mos i përgjigjen”.  Formimin e shtetit shqiptar  në Ballkan, Oraovac e konsideron si  “vënie e vezës së qyqes në fole të huaj, prandaj nuk është e mundur të krijohet shteti shqiptar, përveç  nëse duan t’i shpërngulin të gjithë popujt e tjerë ballkanikë”. Ai konsideronte se “Serbisë i takon pjesa më e madhe e të ashtuquajturës Arbania, sepse ky  është popull (lexo: populli serb) që ka dëshmuar me shekuj përshtatshmërinë për jetë të pavarur, kulturë e civilizim. Në anën e kundërt të tyre janë shqiptarët si populli i mundur, i cili kurrë nuk ka dhënë shenja jete, dhe se nuk ka ndodhur kurrë që  fituesi fisnik (populli serb,a.f.) të privohet nga e drejta e shfrytëzimit të tokave të fituara me gjak, e ndaj humbësit të tregohet kaq konsideratë e njerëzi, sa që t’i jepet edhe diçka që ai nuk e kërkon. Edhe po t’u jepej  shqiptarëve autonomia, ata të gjithën do ta rrënonin e shkelnin, dhe kështu vetëmse do të shpërblehej për zullumin e paparë, egërsinë, plaçkitjet, shkatërrimet, grabitjet, dhunimet mbi  popullin serb, dhe do të ndihmohej të ketë shtetin një popull krejtësisht i paaftë, poqese edhe mund të quhet popull”, konkludon ky  intelektual-shovinist, Oraovac (1913). Propaganda, stereotipet dhe diskursi i  përhapur kundër shqiptarëve, u zhvillua në plane e programe shtetërore për shpërnguljen dhe zhdukjen e shqiptarëve dhe pushtimin e copëtimin e tokave të tyre midis monarkive fqinje. Akademiku e politikani serb, Vasa Çubrilloviq me Elaboratin e tij famkeq, që i paraqiti Qeverisë së Mbretërisë SKS në vitin 1937, dhe ia përsëriti  qeverisë së re komuniste në vitin 1944, kishte përpunuar në hollësi mënyrën dhe metodat më brutale se si duhet të veprojë pushteti, për ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë problemin me shqiptarët (Qubrilloviq, 1937; 1944). Shkrimtari e nobelisti serb Ivo Andriq, kishte përpunuar një Elaborat për Çështjen Shsqiptare, në të cilin kishte paraparë pushtimin dhe ndarjen e Shqipërisë midis Jugosllavisë e Greqisë, që pastaj lehtë do të arrihej shpërngulja e shqiptarëve myslimanë për në Turqi, dhe asimilimi i asaj pakice që do të mbetej (Andriq, 1939).

 

 

Karakteri i Shqiptarëve

Stereotipet dhe diskursin e urrejtjes ndaj shqiptarëve, intelektualët e përmendur serbë, dhe jo vetëm ata, e kanë “mëlmuar” edhe me diskursin për karakterin dhe vetitë etnopsikologjike dhe etnokulturore, madje edhe etnoantropologjike, natyrisht duke “gjetur”, sajuar  e theksuar ekskluzivisht vetitë më negative e degraduese. Këtë e kanë bërë kryesisht ata autorë e pseudoshkencëtarë,  të cilët asnjëherë nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë  as nuk i kanë njohur shqiptarët për së afërmi. Sepse, ata që  i kanë takuar personalisht, qoftë si studjues, udhëpërshkrues apo edhe si ushtarakë, janë shprehur me lëvdata për vetitë dhe karakterin e shqiptarëve, përveç rasteve të nacional-shovinistëve më ekstrem e të përbetuar.

“Ndër shqiptarët gjaku është më  lirë se kudo, dhe se Neroni ka qenë një pigmej  (minor, a.f.) në krahasim me gjakpirësit  arnautë, të cilët janë të etshëm për gjak; këto fise të egra që duan ta çrrënjosin një popull të ndershëm, të pambrojtur e të paarmatosur” (Ivaniq, 1906). Edhe Branisllav Nushiqi, i cili  më vonë i ka njohur shqiptarët nga afër, si konsull që ka qenë në Kosovë (1923-24),  shkruan se “nuk kanë besë, fjala e tyre nuk është e besueshme, feja e tyre nuk është e fortë. Arnauti të bëjnë pobratim (vëllam) vetëm sa për të të hy në shtëpi, për shkak të gruas, motrës a vajzës (Nushiq, 1903). Më ekstremi ndër të gjithë duket se ka qenë intelektuali e mjeku serb, Vlladan Gjorgjeviq. Si të tjerët, edhe ky e shpjegon dhe arsyeton domosdoshmërinë e kolonizimit  dhe  daljen e Serbisë në  det,” në limanin serb të Durrësit”. Pasi shtron pyetjen, se a ka vërtetë popull arnaut, është aq i pa skrupulla në përshkrimin e cilësive dhe karakterit të  tipit të shqiptarit si “thatanik, i vogël, në të cilin ka diçka jevgje, finiçane. Arnautët na kujtojnë jo vetëm në finiçanët, po madje edhe në njerëzit e parë nga koha parahistorike, në ata njerëzit të cilët për shkak të frikës nga bishat e egra, flenin në druj në të cilët mbaheshin me bishtat e tyre për të mos rënë në tokë. Vetëm në mesin e arnautëve duket se edhe në shekullin 19 jeton ende ndonjë njeri me bisht”. Gjorgjeviqi i shkruante konsullit austriak Han, se “janë dy lloje: asi me bisht-kali dhe bisht-dhije”.  Pohonte se  “këta nuk kanë as gjuhë të vet, as alfabet, as histori  popullore. Tërë historinë e Arbanisë e përbëjnë vetëm pushtimet e huaja në këtë tokë. Nuk kanë shkrim, as nuk e duan shkollën; nuk lahën sepse frigohen mos ftohen e marrin ethe. Kundër serbëve kanë luftuar si  egërsira, në mënyrë tinzare e tradhtare. Shqiptarët e plagosur shtinin mbi mjekët ushtarakë serbë të cilët ua lidhnin  plagët, vrisnin pas shpine, bile një arnaut i plagosur e kafshoi një motër medicinale së cilës ia  shkëputi një copë të faqes me dhëmbët e tij prej bishe. A prej bishave të tilla Austro-Hungaria  do të krijojë shtet”, pyet ky  mjek “humanist” serb, dhe shton: “Ia pafshin hajrin”! (Gjorgjeviq, 1913). Po atë vit, Jovan Tomiq i kualifikonte shqiptarët si “popullii më mizor, sinonim i përhershëm  i çrregullimit dhe anarkisë, dhunues e plackitës”. Një Tomiq tjetër, shkruante se “Shqiptarët i ndërrojnë konfesionet si ndërresat, sepse feja te ta gjithmonë ka qenë çështje  tregtie. Janë plackitës e dhunues, të cilëve u janë frikësuar edhe turqit” (Jasha Tomiq, 1913).

Ka pasur prej intelektualëve serbë, të cilët kanë shkruar edhe për veti të mira të shqiptarëve. Bile ka edhe raste ambivalente, kur të njëjtit autorë  që kishin shkruar me termat më përbuzëse e negative , më vonë kur kishin pasur kontakte të drejtëpërdrejta me shqiptarët, kishin shkruar për vetitë pozitive, herë-herë duke i cilësuar me veti më të mira se vet serbët. Kështu, Ivan Ivaniq, për shqiptarët e Kaçanikut thoshte “janë njerëz të bukur, të mëdhenjë, të njohur për trimëri;  këngët e dashurisë së shqiptarëve janë plot ndjenja;  mysafiri në shtëpinë e shqiptarit ka imunitet të plotë dhe se gratë e tyre janë të pacënueshme” (Ivaniq, 1903). Haxhi-Vasileviq i lavdëron shqiptarët se “janë të vyeshëm, arat dhe vreshtat e tyre janë më të mirat, më së miri i ruajnë bagtinë, janë zanatli më të mirë, veçse nuk zgjedhin mjete për t’ua garbitur serbëve diçka që është e mirë. Kur kanë mjaft mjete për jetesë, janë të urtë, fqinjë të mirë dhe miq të besueshëm; janë të shëndoshë, të zhdërvjelltë, nuk flasin shumë, por lavdërohen shumë, janë krenarë por edhe me sujetë. Janë të qetë, të matur,  mikpritës, të sjellshëm, të kthjelltë, por edhe dinakë dhe lakmues. Nuk pijnë tjetër përveç kafesë, ushqehen më mirë se serbët dhe më tepër kujdesën për pastërtinë, janë të bukur, ndërsa të shumtën gratë nuk i kanë të bukura; ato që janë të bukura, janë nga “kryqëzimi” i vajzave të bukura serbe të muhamedanizuara, ngase dihet se arnautët gjithmonë kanë grabitur vajza të bukura serbe” (Haxhi-Vasileviq, 1909). Takimin e parë me shqiptarët Stojan Novakoviq e përshkruan kështu: “janë të thatë, të shëndoshë dhe të fortë si stralli. Syri dhe mendja të ndalet para asaj se çfarë vetishë u japin njerëzve ato male. Produkti i tyre është poashtu i mrekullueshëm siç janë ato vetë. Po megjithatë është për ta vajtuar  atë mrekulli të atyre njerëzve, sepse ata janë që sapo ta takojnë fshatarin serb ia marrin gjithë çka ka, e shpeshherë edhe jetën” (Novakoviq,1906). Edhe Jasha Tomiq ua pranonte “cilësitë luftarake, se janë luftëtarë të shkathtë dhe se për ta  mund të thuash çdogjë, por jo se janë qyqarë, nuk i ngucin gratë, janë mikpritës. Arnauti mbyllet në shtëpinë e tij dhe lufton, ai të vret edhe në pritë, por  kur të pranon si mysafir në shtëpi nuk të vret, veçse të mbron deri në pikën e fundit të gjakut” (Jasha Tomiq,1913). Babai i kulturës serbe, Vuk S.Karaxhiq, duket se nga zilia i lavdëronte shqiptarët, se “ata janë solidarë midis bashkëkombasve të vet, pa marrë parasysh dallimet fetare, dhe të gjithë janë kundër serbëve”. Kur filologu slloven Kopitar e kishte ndihmuar Karaxhiqin ta botonte librin me këngë popullore, e kishte porositur të mblidhte edhe këngë shqipe, por ky ziliqar e hilexhi, i kishte mbledhur vetëm dy këngë të shkurtëra e të pakuptim prej një murgu serb në Pejë, dhe i kishte shkrua Kopitarit  “shqiptarët nuk kanë këngë të gjata trimërie, siç kemi na serbët” .  Edhepse thoshte se shqiptarët nuk janë për shtet, Oraovac e pranonte se këta janë autoktonë në Ballkan, se kanë qenë në mesin e popujve të kulturuar e të civilizuar, se janë popull i shëndoshë, spirituoz dhe i kthjelltë, dhe është çudi se si ndaj tyre nuk ka pasur ndikim kultura  e gjithë atyre popujve me të cilët kanë qenë në kontakt të pandërprerë” (Oraovac 1913), ndërsa Dragisha Vasiq duke krahasuar Shqiptarët me Bullgarët, për të parët thotë se kundrejt të dytëve janë “pakrahasueshëm më të ndershëm dhe më humane” (Vasiq, 1919).

Një diskurs tjetërfare

Do ishte e pandershme, sikur të mos përmendim, se përkundër asaj shumësie të autorëve e intelektualëve serbë me paramendime, paragjykime e stereotipe imperialiste superiore për popullin serb, e aso më negative të ksenofobike e inferiore për popullin shqiptar, në popullin serb ka pasur dhe ka zëra të kundërt, të cilët me ide politike, me fjalë, me penë e me vepra kanë treguar se ishin kundër diskursit të urrejtjës ndaj shqiptarëve. Shkrimet e social-demokratëve serbë:  Svetozar Markoviq, Dimitrije Tucoviq, Dushan Popoviq, Kosta Novakoviq e ndonjë tjetër, në shtypin e kohës (“Radnicke novine”, “Borba” etj.) për krimet e ushtrisë serbe të kryera kundër shqiptarëve gjatë Luftës Ballkanike, dhe libri  Srbija i Arbanija  janë dëshmia më e mirë e qëndrimit të tyre kundër politikës hegjemoniste e kriminale të Serbisë. Edhe në Serbinë e këtij shekulli kishte dhe ka personalitete të cilat kanë koncepte tjera për marrëdhëniet midis shqiptarëve e serbëve, veçse për dallim nga ata imperialistët e elitës intelektuale e pseudoshkencore, të cilët zënin pozita të larta në pushtet, këta të fundit janë zëra të vetmuar të ndërgjegjës së tyre individuale  intelektuale, profesionale e shkencore, bile shumë të izoluar e  të anatemuar nga politika dhe opinioni i gjërë i Serbisë. Në mesin e disa emrave të personaliteteve intelektuale e shkencore bashkëkohore, që kanë një qëndrim tjetërfare ndaj shqiptarëve, Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, duhet të përmendim: Olivera Millosavljeviq, Zagorka Golluboviq, Dubravka Stojanoviq,  Ana Popov, Natasha Kandiq, Sonja Biserko, por ka edhe shumë të tjerë intelektualë e publicistë, të cilët mund të radhitën krahas këtyre emrave, që janë zëri i ndërgjegjës dhe nderit të popullit serb. Po të vepronte politika e shtetit në pajtim me konceptet e socialdemokratëve të përmendur, sot populli Serb, Shqiptar dhe të gjithë popujt e Ballkanit do të ishin në gjendje më të lumtur e të sigurt.

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, Elitat serbe, urrejtja ndaj shqiptareve

PËRBALLJE-QËNDRIMI I SHQIPTARËVE, SERBËVE DHE GREKËVE NDAJ HEBREJVE

October 18, 2017 by dgreca

Shqiptarët dhe  Hebrejtë/1 Shtepia e Rezniqi-40 hebre

Ne Foto:Shtepia e Rezniqve ne Kosove, ku u strehuan 40 hebrej.

1 varrezat e hebrejve

Ne Foto-Pjese e varrezave te hebrejve ne Prishtine./

Ester-Vituli-Priptik-eshte-prane-varreve-te-Hebrenjve-ne-varrezat-e-perbashketa-ne-Tirane

Ne Foto:Ester-Vituli-Priptik ne kete fotografi eshte prane varreve te Hebrenjve ne varrezat e perbashketa ne Tirane.(arkiv)Festa-pesach-me-Hebrenjte-e-fundit-ne-Shqiperi-ne-shtepine-e-familjes-VituliNe Foto:Festa pesach me Hebrenjte e fundit ne Shqiperi ne shtepine e familjes Vituli(foto-arkiv)/

Nga Adil FETAHU/

1 shkolla KavajeShqiptarët dhe Hebrejtë janë dy ndër popujt më të lashtë në historinë e njerëzimit. Dhe këta dy popuj të lashtë, kanë një histori të ngjajshme: qysh heret kishin shtetet e tyre të forta, por në ndërkohë u pushtuan  dhe vuajtën për më se dymijë vjet nën pushtime të popujve e perandorive të ndryshme. Megjithatë, falë vitalitetit dhe veçantisë së tyre, me shume vuajtje e sakrifica ruajtën substancën, u ringjallën si feniksi, u organizuan dhe në shekullin e kaluar përsëri formuan shtetet e tyre. Shqiptarët humbën shumë njerëz e territore, por megjithëse  të pushtuar, mbijetuan si autokton në një pjesë të territorit të vet.

1 Familja AbravanelNdërkaq, Hebrejtë  ishin të shpërndarë nëpër botë, por të lidhur  fort e të ndihmuar mes vete, punëtorë të zellshëm, formuan komunitete të forta, elita dhe individë që zunë majat e strukturave ekonomike, politike e diplomatike, dhe mbajtën gjallë idenë e kthimit dhe formimit të shtetit të tyre. Shqiptarët përjetuan përndjekjet, vrasjet, djegëjet, gjenocidin.  Hebrejtë  përjetuan antisemitizmin,  inkvizicionin, përndjekjet dhe hollokaustin. Periudhën më të vështirë Hebrejtë e kishin prej vitit 1933, kur në Gjermani erdhi në pushtet regjimi nacist, e sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1944), kur ndodhi holokausti dhe zhdukja në masë e hebrejve, në mënyrën më mizore.Ka të dhëna, se disa individë e familje Hebreje kanë ardhur në mesin e Shqiptarëve qysh nga koha e inkvizicionit dhe përndjekjes së tyre të madhe nga Spanja mesjetare. Në defteret turke të vitit 1526, është shënuar se në Novobërdë jetojnë gjashtë (6) familje hebreje. Novobërda asokohe ishte qendër e rëndësishme e zhvillimit të xehëtarisë. Hebrejtë e përndjekur nga Spanja e Portugalia (1492 e 1496), kanë ardhur e janë shpërndarë në Gadishullin Ilirik, më së tepërmi nëpër qytete  të bregdetit Adriatik, prej Dalmacie deri në Durrës,  Vlorë e Selanik, por edhe në brendësinë kontinentale (në  Sarajevë e Vojvodinë). Në Shqipëri kanë ardhur hebrejë më së tepërmi në kohën e qeverisjes së Mbretit Ahmet Zogu, deri në vitin 1939. Aty nuk kishte antisemitizëm as urrejtje fetare. Përkudnrazi, regjimi kishte pranuar hebrejtë si komunitet fetar, bile ishte i gatshëm  të pranonte edhe më shumë hebrejë. Ambasadori amerikan në Shqipëri  (në vitet 1930-1933), Herman Brenstein, që vet ishte hebre, kishte biseduar me Mbretin Zog për vendosjen në Shqipëri të familjeve hebreje nga Austria e Gjermania.  Hebrejtë që erdhën, u pritën mirë, iu dha  leje qëndrimi e leje pune, madje edhe shtetësia shqiptare. Bile, mjeku i familjes mbretërore dhe fotografi zyrtar i Oborrit mbretëror ishin hebrejë (dr.Ourinovski, mjek dhe Wilhem Weitzman,fotograf). Shumë refugjatë hebrejë prej Shqipërie kanë emigruar në Italinë e Jugut dhe në Amerikë. Flitet, por nuk është dokumentuar, se edhe vet Albert Einsteini, në vitin 1930, kaloi nëpër Shqipëri, para se të largohej për në ShBA.  Në vitin 1938, ishte lidhur marrëveshja midis Austrisë e Mbretërisë Shqiptare për heqjen e vizave midis këtyre dy shteteve, dhe kjo stimuloi ardhjen në Shqipëri të shumë familjeve hebreje të rrezikuara.

Është thënë e vërtetuar nga qarqe të ndryshme edhe hebreje, se Shqiptarët kanë pasur një qëndrim korrekt e tolerant ndaj hebrejve gjatë gjithë kohës, dhe se Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë, prej nga në fund të Luftës së Dytë Botërore kanë dalë  dhjetëfish më shumë hebrejë, se sa ishin në fillim të asaj lufte, edhe për shkakun se  shumë hebrejë kishin ikur nga shtetet tjera dhe kishin gjetur strehim e mikpritje te shteti dhe populli shqiptar. Kur them Shqipëria,  mendoj në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët si shumicë absolute, sepse gjatë periudhës 1941-1944, të gjitha trojet shqiptare ishin bashkuar, dhe ndonëse ishin të pushtuara nga Italia e Gjermania, kishin një administratë të veten shqiptare dhe një “sovranitet relativ”. Hebrejtë kryesisht ishin të strehuar nëpër familje. Një nënë shqiptare, Lime Balla, nga fshati Shëngjergj i Durrësit, tregon: Në muajin e Ramazanit të vitit 1943, në fshatin tonë erdhën nga Tirana 17 hebrejë, të cilët qëndruan aty 15 muaj. Ne i morëm në shtëpinë tonë tre vëllëzër që quheshin Lazar. Flisnin një gjuhë që ne s’e kuptonim, i veshëm me rroba fshati, punonim dhe ushqeheshim bashkë, si anëtarë familje. Policia lokale e dinte, por nuk trazoi njeri. Në dhjetor të vitit 1944 u larguan, u nisën për në Prishtinë, të cilët i ndihmoi një nipi ynë që ishte partizan”. Më 4 tetor 1992, Yad Vashem e vlerësoi Destan Ballen dhe bashkëshorten e tij, Lime Balla, me çmimin: “Fisnik mes Kombeve”. Raste te tilla ishin të shumta në Shqipëri,   në Kosovë e gjithandej në trojet shqiptare.

Nuk dimë sa hebrejë ka sot në Shqipëri, por në Kosovë janë të regjistruar nja 56 hebrejë që jetojnë në Prizren, e  mund të ketë edhe nëpër qytete tjera, dhe ekziston një Shoqatë e Miqësisë Shqiptaro-Hebreje, me seli në Prizren.  Në Prishtinë janë të njohura, të rrethuara e të ruajtura varrezat e hebrejve, ndërsa në oborrin midis ndërtesës së Parlamentit e të Qeverisë, në vendin ku deri në vitin 1963 ka qenë sinagoga, është ngritur  një pllakë përkujtimore (2013), në të cilën  është shkruar (shqip, anglisht, hebraisht dhe serbisht): “Populli i Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë”. Ai Memorial ruhet aq shumë, sa që nuk më lejuan ta fotografoja për këtë shkrim,  prandaj po ia bashkangjes  një fotografi të varrezave.

Serbët dhe Hebrejtë

Hebrejtë kanë ardhur në Serbi, atëherë kur kanë ardhur edhe në vendet tjera të Ballkanit,  më së  shumti në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane, dhe janë marrë kryesisht me tregti e zejtari. Atëherë nuk kanë pasur problem me vendasit. Problemi për Hebrejtë dhe për Shqiptarët është paraqitur kur Serbia ka fituar pavarësinë (1878, në Kongresin e Berlinit). Atëherë është shfaqur ideja e krijimit të shtetit të pastër nacional ortodoks serb, pa minoritete të përkatësive tjera kombëtare e fetare. Elitat intelektuale dhe ajo kishtare zhvilluan dhe përhapën politikën e urrejtjes nacionale kundër kombësive e feve tjera, e në këtë kontekst edhe antisemitizmin dhe urrejtjen kundër Hebrejve. Me propagandën e tyre antisemite, i fajsonin Hebrejtë për të gjitha të këqiat që iu kanë ndodhur popullit serb.  Kështu, me terma të ndryshme që ua mveshnin Hebrejve: masoneria, kapitalizmi, demokracia, pacifikimi, komunizmi, etj, përhapnin defetizëm, frikë,  urrejtje e mostolerancë ndaj supremacisë intelektuale dhe ekonomike të Hebrejve. Kisha Ortodokse Serbe, nga ana e saj, Herbejtë i quante njerëz të pa fe, pa etikë e pa moral, “opozitë e Zotit”, dhe trup i huaj në kombin serb, që duhet të menjanohet (politikani Dimitrije Lotiq, peshkopi Nikollaj Velimiroviq, e shumë të tjerë). Këta e të tjerë, në prag të Luftës së Dytë Botërore (1938), thoshin se Hebrejtë meritojnë ndëshkimin. Botonin libra e gazeta, në gjuhën gjermane e serbe, me të cilat nxitnin urrejtje e mostolerancë të hapur dhe agresive kundër hebrejve (“Erwache” – Zgjohu; “Angrif” – Sulm; “Novi put” – Rrugë e Re; “Nash put” – Rruga jonë, etj). Këtë tendencë e pranoi pushteti i atëhershëm, prandaj nuk ishte i rastësishëm holokausti që pësuan Hebrejtë në Serbi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Menjëherë pas okupimit gjerman të Jugosllavisë (prill 1941), pushteti kuisling i  Millan Nediqit, që ishte bashkëpunuesi më i afërt me Rajhun e Tretë,  publikoi Urdhëresën e Komandës Ushtarake të Gjermanisë (maj 1941), që brënda afatit prej dy javësh, të gjithë hebrejtë të lajmërohen në stacionet e policisë serbe (për t’i regjistruar)  dhe detyrimisht të bartin në dorën e majtë shenjën dalluese – shiritin e verdhë me mbishkrimin: “Hebre”. Sipas urdhëresës, të gjithë hebrejtë e punësuar në administratën apo në institucionet publike, menjëherë duhet të pushohen prej pune. Hebrejtë nuk mund të kryejnë as punë private profesionale: të avokatit, mjekut, dentistit, farmacistit, veterinerit. Në paragrafin 18 të Urdhëresës, trajtim i njëjtë sikurse për Hebrejtë, ishte caktuar edhe për Romët, të cilët gjithashtu duhet të mbanin shiritin me mbishkrimin “Rom”. Komesari për Administratën e Brendshme të Serbisë (Millan Aqimoviq), publikoi një Deklaratë (16 maj 1941), në të cilën, ndër të tjera thuhet:”Kemi dhënë fjalën në emrin tonë dhe të popullit tonë, se ashtu do të veprojmë. Jemi falënderues për qëndrimin korrekt të ushtrisë gjermane ndaj popullit tonë, dhe besoj se një premtim të tillë e mbanë edhe tërë populli”.

Pas kryerjes së regjistrimit, vazhodi aksioni intensiv i arrestimit dhe dërgimit nëpër kampet e përqëndrimit: në Sajmishte e Banjicë të Beogradit, në Shabac e Nish, por edhe në kampet e shteteve tjera të Europës (Aushvic, Dahau, Bergen-Belsen, etj). Kampet e përqëndrimit për Hebrejtë në Serbi janë instalua para atyre në Poloni. Kështu, nga 33577 Hebrejë që ishin në Serbi e Vojvodinë në vitin 1941, mezi kishin shpëtuar të gjallë 6533 sish në  mbarim të luftës, të cilët ose kishin arritur të ikin jashtë Serbisë (në Kosovë,  në Shqipëri apo gjetkë), ose u ishin bashkuar çetave partizane. Në periudhën mars-maj 1942, 6280 fëmijë, gra e pleqë hebrejë në Kampin “Sajmishte”, janë ngulfatë në kamionat special me karbon-monoksid, dhe pastaj janë hudhë në varrezë kolektive në Jajince. Pushteti kuisling serb dhe Rajhu gjerman lavdëroheshin se Beogradi ishte kryeqyteti i parë në Europë “që kishte zgjidhur çështjen hebreje”. Pas luftës,  ata hebrejë që kishin shpëtuar gjallë, nëse donin të shpërnguleshin në shtete tjera, detyroheshin të nënshkruanin deklaratë, se heqin dorë nga shtetësia serbe dhe nga pasuria e tyre, në favor të shtetit të Serbisë. Kështu, me pasurinë e konfiskuar hebrejve gjatë luftës, dhe me mbajtjen e pasurisë së atyre që u shpërngulën pas luftës, Serbia kishte arritur përfitime materiale marramendëse nga pronat e tyre. Kuvendi i Serbisë, më 12.02.2016, ka miratuar Ligjin për Restituimin e Pasurisë së Hebrejve, ashtu që në 25 vjetët e ardhshme (2017-2041), t’ia paguajë Lidhjes së Komunave Hebreje në Serbi nga 950.000 euro në vit. Kështu, Serbia ka marrë përgjegjësinë për krimet  që regjimi i mëparshëm ua ka bërë Hebrejve. Se a është ky kompensim adekuat, është çështje tjetër, por heret a vonë kështu Serbia duhet t’ua kompenzojë dëmin  të cilin  regjimet e mëparshme serbe u kanë shkaktuar edhe Shqiptarëve.

Grekët dhe Hebrejtë

Në tokën e Greqisë së sotme, konkretisht në qytetin e Selanikut, po edhe në qytete tjera,  Hebrejtë kanë ardhur prej dy rrymave: Ashkenazët kanë ardhur në vitin 1376, ndërsa  Sefardët në vitin 1492 kur janë përndjekur nga Spanja dhe Portugalia. Selaniku atëherë ka qenë qyteti i dytë përkah rëndësia i Perandorisë Osmane. Ardhja e Hebrejve është mirëpritur. Asokohe koncentrimi më i madh i Hebrejve ishte  bërë në Selanik dhe në Stamboll. Në Selanik jetonin pjesëtarë të kombeve të ndryshme: Turqë, Shqiptarë, Herbejë, Maqedonë, Vllahë, e më së paku kishte Grekë. Komuniteti Hebrait ishte më i forti, që me punën e vet kishte përcaktuar jetën ekonomike e kulturore të qytetit, por edhe pasurinë e Perandorisë Osmane. Prandaj, gjuha hebreje dominonte në qytet. Hebrejtë kishin një kuart të tërë të vetin në qytetin e  Selanikut. Historiani grek, Jorgos Margaritis, profesor në Universitetin “Aristotel” të Athinës, në librin e tij: “Bashkëatdhetarët e padëshiruar” (2010), trajton fatet e komunitetit të hebrejve prej fillimit të pavarësisë së Greqisë (1821), pastaj në vitin 1891 dhe 1931. Autori paraqet fakte tronditëse të shkatërrimit të komunitetit hebraik në Greqi, që arriti kulmin gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1944).

Gjatë Luftës Ballkanike (1912), kur ushtria greke hyri në Selanik, për popujt jogrek erdhën ditë të zeza, veçmas për Turqit, Shqiptarët dhe Hebrejtë. Pastaj Selaniku u mbush me ardhacakë grekë, sidomos pas Marrëveshjes së Lozanës (1926) për shkëmbimin e popullsisë midis Turqisë e Greqisë. Kështu, Selaniku u dominua plotësisht nga elementi grek, dhe u acaruan marrëdhëniet me komunitetet e tjera, për shkak të mostolerancës fetare e kombëtare. Në prag të Luftës së Dytë Botërore, në Selanik kisht 60 000 deri 70 000 Hebrejë. Pas pushtimit gjerman të Greqisë, qeveria kuislinge dhe forcat e gjeneralit Napoelon Zerva bashkëpunuan ngusht me trupat gjermane SS dhe arritën t’i deportojnë Hebrejtë e Selanikut, Janinës, Volos e Korfuzit, dhe Shqiptarët e Çamërisë.  Derisa ndaj shqiptarëve bënë masakra e gjenocid, duke vra, pre e djegë rreth 5000 veta, e përzënë nga pronat e tyre më se 25000 veta, që ikën dhe u vendosën në Shqipëri,- hebrejtë i grumbulluan dhe deportuan në kampet naciste Auschwitz Birkenau. Sipas të dhënave gjermane, nga Selaniku për në kampet e zhdukjes janë deportuar 43850 hebrejë, me 19 kompozicione hekurudhore (www.portalnovosti.com). Ndërkaq, sipas shënimeve tjera, nga Greqia janë zhdukur 57000 deri 60000 hebrejë (Wikipedia, broj zidovskih zrtava/numri i viktimave hebreje). Greqia me shumë dëshirë i ndihmoi nacistët në identifikimin, arrestimin dhe deportimin e hebrejve, ndaj të cilëve kishte zili dhe urrejtje, për shkak se hebrejtë ishin shtresa më e pasur, të cilët zotëronin ekonominë, veçmas tregtinë dhe financat, dhe se ishin komuniteti më i madh, më kompakt dhe e më i fortë hebraik në Ballkan. Po, hebrejtë në Greqi edhe sot janë të rrezikuar, në dy aspekte. Në aspektin ekonomik janë nën presion të madh, për shkak të krizës financiare të shtetit grek. Dhe në aspektin e sigurisë, për shkak të mostolerancës fetare e kombëtare, antisemitizmit dhe ekstremizmit agresiv të organizatës “Agimi i Artë”, pjesëtarët e së cilës edhe sot e kësaj dite përndetën si nacistët, ndërsa Kisha Otodokse Greke nuk toleron asnjë fe tjetër në Greqi.

Edhepse shteti grek është anëtar i BE-së, NATO-s dhe të gjitha organizmave ndërkombëtare, nuk e ka sanksionuar mohimin e holokaustit, kurse deputeti i Parlamentit grek, përfaqësues i “Agimit të Artë”, haptas e mohon holokaustin dhe numrin e viktimave të hebrejve.

Në Greqi praktikisht u luajt  “tragjedia antike greke” kundër Hebrejve dhe Shqiptarëve!

 

  • Varrezat e Hebrejve në Prishtinë, dhe pllaka mbi një varr, me shkronja hebraite.

2-Festa pesach me hebrenjte e fundit ne Shqiperi ne shtepine e familjes Vituli

Filed Under: Featured Tagged With: Adil Fetahu, hebrejte, Serbet e greket, shqiptaret

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT