• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“PULENËT” E MILLOSHEVIQIT E “REHABILITOJNË” ISH-SHEFIN E TYRE”

August 18, 2016 by dgreca

Nga Adil FETAHU/

Ka disa ditë që nga mediat  serbe nuk zbresin titujt “bombastik” : “Rastësisht apo qëllimisht, Haga e ka liruar Millosheviqin nga akuza”; “Perëndimi po heshtë, por u rrëzuan gënjeshtrat për gjenocidin, krimet…”; “Daçiqi e Vullini vërtetojnë se  Tribunali i Hagës e ka liruar Millosheviqin nga dyshimi i pastrimit etnik”; “Daçiqi: Nëse Perendimi heshtë për Millosheviqin – Serbia nuk guxon të heshtë”: “Daçiqi: Nuk janë fajtore RF e Jugosllavisë dhe Serbia”, etj.etj. Me deklaratat e tyre, dy ministrat në Qeverinë e Serbisë, që ishin funksionarë të lartë edhe në regjimin e Millosheviqit, e “argëtojnë” popullin e vet me rrena, për abolimin e ish-shefit të tyre.

Gjithë kjo “ujdurmë” ka ardhur pas interpretimit tendencioz e mashtrues të aktgjykimit të Tribunalit të Hagës, me të cilin është gjykuar krimineli Radovan Karaxhiq, për gjenocidin dhe krimet e kryera mbi myslimanët boshnjakë. Nga konteksti i arsyetimit të gjatë (mbi 3000 faqe tekst) të aktgjykimit të shkallës së parë, me të cilin Karaxhiqi u dënua me 40 vjet burgim, “interpretuesit” nxjerrin përfundime të rrejshme, me të cilat e gënjejnë popullin e vet, gjoja se ajo Gjykatë e paska liruar Millosheviqin , RF të Jugosllavisë dhe Serbinë nga përgjegjësia për gjenocidin dhe krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, pastrimit etnik etj, që kanë krye në Bosnje-Hercegovinë. Për të qenë ma “të bindshëm” në gënjeshtrën e tyre, citojnë disa paragrafe nga arsyetimi i aktgjykimit, ku gjykata, në kontekst të ngjarjeve e rrethanvae të ndryshme, konstaton se për ngjarjen e caktuar faji nuk mund t’i atribuohet personit të caktuar. Me këso interpretime, Daçiqi etj, përpiqen të “argumentojnë” me vendim (jo të plotëfuqishëm) të Tribunalit, kinse ushtria, policia e forcat tjera (paramilitare) të RFJ e të Serbisë, nuk janë involvuar në luftën në BeH. Këto gënjeshtra nuk mund t’ia shesin askujt, ngase të gjithë e dinë se luftën në BeH e kanë planifikuar, udhëheqë (komanduar), zhvilluar e përfunduar forcat nga e ashtuquajtura RFJ (Serbi+Mali Zi), me tërë potencialin operativ dhe arsenalin e armatimit. Nëse më vonë ato forca kanë ndërruar emrin, gjoja si “ushtri e serbëve të Bosnjes”, kjo asgjë nuk e ndryshon të vërtetën për angazhimin e APJ-së e të forcave tjera nën komandën e saj. Edhe sot e kësaj dite, oficerët e APJ-së (Mlladiqi etj.) të cilët kanë udhëhequr operacionet luftarake në Bosnje, marrin pensionet nga Serbia, e jo nga Federata e BeH, as nga ajo kreatura gjenocidale e quajtur “Republika srpska”.

Aktakuza dhe aktgjykimi i adresohen Karaxhiqit, e jo Millosheviqit

Pa marrë parasysh se çfarë fjalie përmbanë arsyetimi i aktgjykimit kundër Karaxhiqit, pa marrë parasysh se a përmendet emri  dhe në çfarë konteksti përmendet emri i RFJ, Serbisë apo Millosheviqit në arsyetimin e aktgjykimit, kjo nuk i  shpallë ata emra as fajtor, as të pafajshëm, sepse aktakuza nuk ishte dhe as gjykimi nuk është zhvilluar kundër tyre, dhe se dispozitivi aktgjykimit adresohet me emër e mbiemër vetëm – kundër Karaxhiqit, atij monstrumi që e pat ndërruar edhe fizionominë dhe u shndërrua në majmun, për t’i ikur kapjes dhe ekstradimit në Tribunalin e Hagës. Prandaj, aktgjykimi kundër Karaxhiqit, as  de iure, as de facto, nuk e liron Millosheviqin as RFJ-në e Serbinë nga faji as përgjegjësia për gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet e tjera të kryera në BeH.

Millosheviqi ishte i akuzuar për krimet në KosovëNë deklaratën e tij, lidhur “me lirimin” e Millosheviqit nga fajësia për pastrimin etnik në BeH, Daçiqi konkludon se “Gjykatës së Hagës nuk i ka konvenuar ta përfundojë gjykimin kundër Millosheviqit, sepse ai do të lirohej nga akuzat, siç u lirua me aktgjykimin e Karaxhiqit, dhjetë vjet pas vdekjes”.

Jo o Daçiq, bashkëpunëtori më i ngushtë i Millosheviqit. Sado që nuk preferoj të paragjykoj se çfarë vendimi do të merr gjykata në një proces gjyqësor, në bazë të akuzave dhe provave që ka ofruar Prokuroria e Tribunalit të Hagës për grupin të cilit i printe Millosheviqi në aktakuzë, e të cilin e përbënte kreu politik, ushtarak e policor i shtetit të RFJ-së dhe Serbisë,- jam shumë i sigurt, madje “më tepër se 100%”, se sikur të kishte jetuar Millosheviqi deri në përfundimin e procesit, do të  shpallej fajtor dhe do të merrte dënimin kapital që shqipton ai Tribunal. Sepse, të gjitha pistat e fajit në pikën e fundit (të kreut), do të arrinin në emrin dhe funksionet e tij. Ai ishte kryetar i RFJ, komandant supreme i forcave të armatosura, kryetar i Këshillit të Mbrojtjes së Jugosllavisë, ku janë bërë planet dhe janë caktuar operacionet e pastrimit etnik (dëbimit) të popullsisë shqiptare, dhe të krimieve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, në shkallë gjenocidi.  Grupit të “ndërmarrjes së përbashkët të kriminale”, që ishin në të njëjtën aktakuzë me Millosheviqin, u janë shqiptuar dënimet:

  • Për deportim (pastrim etnik), që paraqet krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 5(d) të Statutit të Tribunalit,
  • Vrasje, që paraqet krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 5(a) të Statutit të Tribunalit,
  • Vrasje, që paraqet krim të shkeljes së ligjeve dhe zakoneve të luftës, i dënueshëm sipas nenit 3 (1) (a) të Konventës së Gjenevës, dhe
  • Dëbimi (i popullsisë) në baza politike, racore ose fetare, që paraqet krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 5(h) të Statutit të Tribunalit të Hagës.

Për këto krime, me vendim të plotëfuqishëm ( të shkallës së II, më 26 janar 2014), Gjykata u ka shqiptuar këto dënime: Nikolla Shainoviqit, ish- nënkryetar i Qeverisë së RF të Jugosllavisë, 18 vjet burgim (nga 22 sa a kishte caktuara shkalla e parë); Nebojsha Pavkoviqit, ish-kryeshef i Shtatmadhorisë së APJ, 22 vjet burgim (nuk i ka zbritur asgjë); Sreten Llukiqit, kryeshef i Policisë për Kosovë, 20 vjet burgim (nga 22 sa ia kishte caktuara shkalla e parë); dhe Vlladimir Llazareviqit, komandant i Korpusit të  APJ në Prishtinë, 14 vjet burgim (nga 15 sa ia kishte caktuar shkalla e parë). Kryekrimineli Millosheviq dhe bashkëkrimineli ministri i policisë (Vllado Stojilkoviq), nuk e pritën përfundimin e procesit, ngase  Stojilkoviqi bëri vetëvrasje (me plumb në kokë, 2002) para ndërtesës së Kuvendit Popullor të Serbisë, ditën kur Kuvendi miratoi Ligjin për Bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, kurse Millosheviqi vdiq në paraburgim në Hagë (2006), për cilin propaganda serbe thotë se e “mbyti Tribunali”. Prandaj, sipas parimit juridik të prezumpcionit të pafajasisë derisa të mos vërtetohet faji me vendim përfundimtar të gjykatës, ata shkuan në ferr –  de iure   të “ pafajshëm”!

Grupi i Millosheviqit u cilësua nga Tribunali si ndërmarrje e përbashkët kriminale, i cili ka planfikkuar, nxitur, urdhëruar dhe kryer ose në mënyrë tjetër ka ndihmuar dhe kontribuar planifikimit, përgatitjes dhe kryerjes sistematike të krimeve, me qëllim të spastrimit etnik të popullsisë shqiptare, që u bë në bazë të operacionit “Potkovica” (Patkoi) e që, sipas disa autorëve të huej, konsiderohet se ky operacion ishte aktualizimi dhe realizimi përfundimtar i Elaboratit të Vasa Çubrilloviqit (1937), që ia kishte paraqitur për ta realizuar në atë kohë qevria e Stojadioviqit. Gjatë operacionit “Potkovica”, forcat e ndërmarrjes së përbashkët kriminale serbe, me format ma makabre të dhunës kundër popullsisë civile,  arritën të dëbojnë jashtë Kosove afro një million shqiptarë, me synim që njëherë e për gjithmonë ta pastrojnë Kosovën nga shqiptarët! Edhe dhuna seksuale ndaj femrave, bëhej në funksion të spastrimit etnik. Rrugës gjatë dëbimit, krahas torturës dhe vrasjeve, plaçkitjes së parave apo të stolive, ua merrnin edhe dokumentet personale të identifikimit, për t’ua zhdukur identitetin e qytetarëve të Kosovës, që të mos mund të ktheheshin më. Të gjitha këto i ka vërtetuar Tribunali i Hagës në aktgjykimin e kreut të shtetit të RF të Jugosllavisë e Serbisë. Në krye të asaj ndërmarrje kriminale ishte vet Millosheviqi, i cili përpos autorizimeve formale të funksioneve që kishte, ai kishte kontrollin dhe ndikim faktik të pakufishëm mbi të gjitha resoret dhe institucionet e shtetit, ekonomisë dhe financave. Gjykimi i Nikolla Shainoviqit e implikon drejtpërdrejt përgjegjësinë e Millosheviqit, ngase, siç ka vërtetuar Tribunali, ky ishte bashkëpunëtori më i afërt dhe më i besueshëm i Millosheviqit, dhe njeni nga pjesëtarët kyç të ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Për here të pare në punën e Tribunalit u dokumentuan dhe vërtetuan të gjitha pretendimet që ofroi aktakuza dhe u vërtetua ekzistimi i ndërmarrjes së përbashkët kriminale, e përbërë nga kreu politik, ushtarak dhe policor, dhe terrori shtetëror që u është bërë shqiptarëve. Të gjykuarit nga grupi i përmendur, janë gjykuar për përgjegjësi komanduese, jo si ushtarë apo police të thjeshtë që i janë shmangur kontrollit, por si udhëheqës përgjegjës të resorëve të caktuar të shtetit. Prandaj, Millosheviqi  nuk ka pasur gjasa minimale t’i shpetojë  përgjegjësisë dhe dënimit. Millan Millutinoviqi, që asokohe ishte kryetar i Serbisë, u lirua nga përgjegjësia, sepse Gjykata e ka vërtetua se atë nuk e pyeste kush për asgjë, madje ai “as nuk është përzier në punët e veta”! Të gjitha vegëzat e krimit i kishte në dorë vet Millosheviqi, me grupin e përmendur të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Dhe, derisa u gjykua kreu politik, ushtarak e policor i RFJ/Serbisë, kjo do të thotë se është gjykuar politika dhe shteti.  Millosheviqi ishte kryetar i partisë në pushtet (PSS) dhe njëkohësisht ishte edhe kryetar i shtetit. Të gjykuarit ishin funksionarët më të lartë të resorëve të caktuar të shtetit. Prandaj, janë të baza “nebulozat” e Daçiqit, kur flet për lirimin e RFJ/Serbisë nga faji për pastrim etnik dhe krime të luftës e krime kundër njerëzimit. Përkundrazi, për këto krime u gjykua kreu i shtetit të RFJ/Serbisë. Se sa janë dënimet adekuate me peshën e fajit dhe me përmasat e krimit, që ka të gjitha tiparet e gjenocidit,  kjo është çështje tjetër, që i përket politikës ndëshkimore dhe politikës globale që ndjek ai Tribunal.

Me propagandën për gjoja lirimin e RFJ/Serbisë dhe Millosheviqit nga fajësia për pastrimin etnik në Bosnje-Hercegovinë, Daçiqi, Vullini dhe pulenë e zyrtarë tjerë të nomenklaturës së asaj kohe, dhe kësaj të sotme, po tregojnë se këta nuk janë penduar as shkëputur nga ajo politikë kriminale e gjenocidale, por përkundrazi, duke rehabilitua atë politikë dhe ata kriminelë që i ka gjykuar Tribunali i Hagës, janë për vazhdimin e të njëjtës politikë.  Duke ditur politikën që kanë ndjekur dhe vazhdojnë ta ndjekin Daçiqi, Vuçiqi, Nikolliqi… me bashkëpunëtorët e bashkëmendimtarët e tyre, nga të gjitha proviniencat e shtetit dhe të shoqërisë në Serbi, nuk do të çduditeshim që një ditë ish-shefin e tyre, Millosheviqin, ta nominonin për Çmimin Nobel – për Paqe

Filed Under: Opinion Tagged With: Adil Fetahu, i Milloshevicit, Rehabilitimi

A DO TE ZGJIDHET JEREMIQI SEKRETAR I KOMBEVE TË BASHKUARA?

August 12, 2016 by dgreca

NGA Adil FETAHU/

Nëse respektohen kritere objektive, Jeremiqi nuk duhet te zgjedhet. Ai është një prepotent grindavec, pa karakter as vlera për ta drejtuar OKB-në. Pas 61 vjetëve të (9) sekretarëve meshkuj, është koha të zgjedhet një femër/

Funksioni dhe zgjedhja e sekretarit të përgjithshëm të KB/

Karta e Kombeve të Bashkuara, që është në fuqi prej 24 tetor 1945, me disa amandamente të miratuara më vonë, ka përcaktuar gjashtë organe kryesore të asaj Organizate të përgjithshme ndërkombëtare: l) Asambleja e Përgjithshme; 2) Këshilli i Sigurimit; 3) Këshilli Ekonomiko-Social; 4) Këshilli i Kujdestarisë; 5) Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë; dhe 6) Sekretariati (neni 7 i Kartës). Më tutje është caktuar përbërja, kompetencat dhe mënyra e zgjedhjes së organeve. Në kuadër të OKB-së veprojnë edhe shumë organizma tjera botërore: komitete, komisione, agjensi e organizata të specializuara etj. Në këtë shkrim nuk kemi për qëllim të shpjegojmë historikun as punën e OKB-së në tërësi, por do të përqëndrohemi në rolin, funksionin, zgjedhjen dhe mandatin e Sekretarit të Përgjithshëm të asaj Organizate.

Sipas radhitjes së organeve, që jepet në nenin 7 të Kartës, Sekretariati, në kuadër të të cilit është paraparë edhe funksioni i Sekretarit të Përgjithshëm, është radhitur në vendin e gjashtë të rangimit të organeve të OKB-s, dhe se ai Sekretariat përbëhet nga një Sekretar i Përgjithshëm dhe nga personeli i nevojshëm i Organizatës (neni 97). Sekretarin e Përgjithshëm e zgjedh Asambleja e Përgjithshme, në bazë të rekomandimit të Këshillit të Sigurimit. Karta e KB nuk e ndalon që në praktikë të ndodhë që Këshilli i Sigurimit të mos e rekomandojë asnjë kandidat, për shkak se nuk është arritur pëlqimi i nevojshëm, prandaj  mbetet që vet Asambleja e Përgjithshme ta zgjedh sekretarin, pa pasur rekomandim të KS. Mirëpo, nëse ndonjëra nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit bënë veto, as Asambleja e Përgjithshme nuk mund ta zgjedhë kandidatin për të cilin ka votë paralizuese-veto.

Sekretari i Përgjithshëm është funksionari më  lartë i Organizatës. Praktikisht, ai është personi dhe “organi” kryesor i tërë OKB-së, gjë që është një anomali dhe  tregon karakterin byrokratik të asaj Organizate. Edhepse ka pasur inisiativa dhe kërkesa për reformim të asaj Organizate “gllomaze” e të paefekt, edhepse kushtet politike dhe reale në botë kanë ndryshuar shumë prej kohës së themelimit të saj, nuk është arritur të bëhet asgjë në reformimin e saj. Dikur kryeministri i BRSS (Nikita Hrushçov) kishte propozuar që funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm ta kryejë një “trojkë”, e përbërë nga një përfaqësues prej të dy blloqeve dhe një i të painkuadrurarëve, por ai propozim nuk u miratua. Në cilësi të funksionarit më të lartë, Sekretari i Përgjithshëm merr pjesë, ka autorizime dhe vepron në mbledhjet dhe vendimet e të gjitha organeve të  përmendura në nenin 7 të Kartës, dhe ushtron çdo funksion tjetër që i ngarkohet nga ato organe. Asamblesë së Përgjithshme i paraqet raport vjetor për punën e Organizatës (neni 98). Ai ia tërheq vërejtjen Këshillit të Sigurimit për çdo çështje që, sipas mendimit të tij, kërcënon ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare. Nuk duhet të kërkojë as të pranojë udhëzime nga asnjë qeveri apo autoritet i jashtëm. Për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të personelit të Sekretariatit, veç kritereve tjera, një vëmendje e duhur i kushtohet kriterit të përfaqësimit të shtrirjes gjeografike më të gjërë. Në nenin 8 të Kartës është përcaktuar se “Organizata nuk vendos asnjë kufizim përsa i përket zgjedhjes së burrave dhe grave, për të ushtruar në çfarëdo cilësie dhe në kushte të barabarta të gjitha funksionet në organet e saj kryesore dhe ato ndihmëse”.

Të gjithë sekretarët e deritashëm ishin meshkuj

Sekretari i Përgjithshëm zgjedhet nga Asambleja e Përgjithshme e KB. Në rast se ndonjë nga anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit venë veto për kandidatin e caktuar, Asambleja nuk mund ta zgjedh atë akandidat. Është praktikë që Sesionet e Rregullta të Asamblesë së Përgjithshme fillojnë të marten e tretë të muajit shtator, ashtu që kur është në radhë zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm, zgjedhja bëhet gjatë sesionit të rregullt, kurse Sekretari detyrën e merr më 1 janar. Në nenin 8 të Kartës së KB është përcaktuar se “Organizata nuk vendos asnjë kufizim përsa i përket zgjedhjes së burrave dhe grave, për të ushtruar në çfarëdo cilësie dhe në kushte të barabarta të gjitha funksionet në organet kryesore dhe ato ndihmëse”. Mirëpo,  praktika e deritashme gjashtëdhjetenjëvjeçare e zgjedhjes së sekretarëve të përgjithshëm, ka treguar se realizimi i këtij parimi është 9:0 në favor të meshkujve. Të gjithë seketarët e deritashëm, që nga vitit 1945 deri më 2016, kanë qenë meshkuj, dhe ata ishin: Ser Gledvin Xheb, nga Mbretëria e Bashkuar (i përkohëshëm, 1945-1946); Trigve Li, nga Norvegjia (1946-1952, ka dhënë dorëheqje); Dag Hamarsheld, nga Suedia (1953-1961); U Tant, nga Burma/Majanmar (1961-1971); Kurt Valdhajm, nga Austria (1972-1981); Havijer Perez de Kuelar (1982-1991); Butros Butros-Gali, nga Egjypti (1992-1996); Kofi Anan, nga Gana (1997-2006), dhe Ban Ki-Mun, nga Korea e Jugut (2007-2016). Është praktikë që Sekretari i Përgjithshëm e merr detyrën më 1 janar, dhe e përfundon më 31 dhjetor, qoftë se mbanë një mandat, dy apo tre. Asnjë Sekretar i Përgjithshëm deri më tash nuk e ka ushtruar këtë funksion tre mandate; Perez de Kuelari vet ka refuzuar të kandidojë për mandatin e tretë, ndërsa Butro Butros-Galit i ka vënë veto Amerika për mandatin e dytë. Dag Hamarsheldi i Suedisë, ka vdekur (shtator 1961) në një aksident ajror në Rodezinë e Veriut (tash: Zambia).

Kandidatët për Sekretarin e dhjetë me radhë

Sivjet duhet të zgjedhet Sekretari i dhjetë me radhë i Kombeve të Bashkuara. Duke respektuar parimin e “rotacionit gjeografik”, është  orientimi që Sekretari i Përgjithshëm i KB për mandatin e ardhshëm të zgjedhet nga zona e Evropës Lindor. Deri me kalimin e afatit për paraqitjen e kandidaturave (qershor 2016), janë paraqitur 12 kandidatë për këtë funksion: Vuk Jeremiq (Serbi), Vesna Pusiq (Kroaci), Danillo Tirk (Slloveni), Igor Llukshiq (Mali Zi), Sërgjan Kerim (Maqedoni), Irina Bokova (Bullgari), Mirosllav Llajçak (Sllovaki), Antonio Guteresh (Portugali), Natalija German (Moldavi), Helena Klark (Zelanda e Re), Suzana Malkora (Argjentinë), Kristijana Figueres (Kostarikë). Shumica e kandidatëve të paraqitur ishin ose janë shefa të diplomacive të shteteve të tyre, e të tjerët janë funksionarë të organizmave të ndryshme të KB.  E radhita Jeremiqin të parin, sepse ai është paraqitur i pari, madje është vetëparaqitur, akoma pa e pasur vendimin as pëlqimin e shtetit të vet. Është praktikë që kandidatin e propozon qeveria e shtetit. Por, Vuk Jeremiqi, ka shfrytëzuar lidhjet dhe dallaveret, ashtu që e  ka paraqitur kadidaturën e vet, pa e pasur as pëlqimin e qeverisë së tij. Më vonë (12 prill të këtij viti) Qeveria e Serbisë e ka dhënë pëlqimin dhe mbështetjen që Jeremiqi të jetë kandidat për Sekretar të Përgjithshëm nga Serbia. Me kandidatët e paraqitur është mbajtur një debat publik, një si testim i kandidatëve, për të dëgjuar programet e tyre për mandatin që konkurojnë. Në atë “testim” bëhet rangimi i kandidatëve, dhe vet Jeremiqi dhe simpatizantët e tij lavdërohen se ai paska marrë 9 nga 15 votat e mundshme të Komisionit Vlerësues, ashtu që ka pretendime serioze për t’u zgjedhur në atë pozitë. Kjo nuk është për t’u besuar, sepse vlerësimi i “testimit” nuk publikohet, por mbetet si sekret i brendshëm, sado që informatat rrjedhin nëpër kanale të ndryshme. Ka pasur informacione, se kandidatët: Helena Klark nga Zelanda e Re, dhe Antonio Guterash nga Portugalia ishin kandidatët më të suksesshëm.  Jeremiqit nuk është për t’i besuar për asgjë. Ai  është një gënjeshtar i paskrupullt. Dallaveret për kandidimin e tij, akoma pa e pasur vendimin as pëlqimin e qeverisë së vet, i ka realizua në saje të lidhjeve që ka krijua gjatë kohës sa ishte kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të KB (shtator 2012-shtator 2013), dhe lobimit kompleks e të pandërprerë për atë pozitë.

Gafet dhe skandalet Jeremiqit që e bëjnë të padenjë për pozitën që konkuron

Edhe gjatë kohës sa ishte ministër i punëve të jashtme të Serbisë (2007-2012), edhe gjatë mandatit njëvjeçar sa ishte kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të KB (2012-2013), Jeremiqi është treguar person i padenjë për pozitën dhe detyrën që kishte. Ai ishte një karrierist prepotent, i paskrupullt, kapriçioz, inatxhi dhe grindavec. Janë të shumta gafet e Jeremiqit, disa prej të cilave janë edhe skandaloze. Po, gjatë tërë kohës ka punuar me synim për ngritjen në karrierën e tij personale, dhe kjo i ka shkua përdore, deri sa arriti të zgjedhej kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të KB, pa kurrëfar merite. Duke e shfrytëzuar atë pozitë, Jeremiqi ka bërë shumë gafe, ndërsa dy prej tyre mund të quhen skandaloze. Njëra është, se në ambientet e Ist Riverit ka organizuar intonimin e këngës çetnike “Marsh na Drini”, me të cilën çetnikët serbë, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe gjatë luftës së fundit (1992-1995), kanë bërë krime e gjenocid ndaj Myslimanëve në Bosnje-Hercegovinë. Për këtë skandal ka pasur shumë reagime të ashpra nga Bosnja, por edhe nga jashtë, madje edhe nga vetë Serbia, veçse Jermiqi nuk hoqi pasoja?! Skandali tjetër edhe më i madh, që drejtpërdrejt binte ndesh me pozitën që mbante, është ai që e bëri nga pozita e kryesuesit të AP të KB. Me rastin e lirimit nga Tribunali i Hagës të gjeneralëve kroatë (Gotovina e Markaç), Jeremiqi organizoi një debat në Asamblenë e Përgjithshme të KB, për të degradua e komprometua punën e Tribunalit për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, bile me pretendim që  edhe të merret një vendim për mbylljen e atij Tribunali. Në atë debat, e ftoi kryetarin e Serbisë (Tomisllav Nikolliq), dhe anëtarin e Kryesisë së Federatës së Bosnje-Hercegovinës (Radmanoviq), që ata të flasin për punën e Tribunalit. Atyre iu dha fjalën jashtë çdo rendi e rregulli, ndërsa ata duke shfrytëzuar foltoren e Asamblesë së Përgjithshme, vollën vrerë, me fjalët më përbuzëse e të ulëta për punën e Tribunalit. Ndërkaq, përfaqësuesve Myslimanë të Bosnjë-Hercegovinës  dhe atyre të Kroacisë, Jeremiqi nuk ua dha fjalën për debat! Madje, edhe vet Jeremiqi deri sa ishte në atë pozitë, disa herë në rrjetin social “Twiter” ka shkruar me përbuzje kundër  Tribunalit të Hagës, se  është gjyq politik, i njëanshëm, që po gjykon vetëm serbë!

Në qarqet diplomatike Jeremiqi është cilësua si grindavec, arrogant dhe cinik, ndërsa “Wikiliksi” e ka cilësua si diplomat që s’i plotëson premtime. Duke iu përgjigjur anketës së gazetarëve serbë, për punën e Jeremiqit, shkrimtari serb Svetisllav Basara u kishte thënë: “Jeremiqi prej se ka arritur në postin e ministrit, vetëm për vete ka fituar, ndërsa Serbinë e ka dëmtuar, me gafet që ka bërë”.

Si minister i jashtëm i Serbisë, por edhe si kryesues i Asamblesë së Përgjithshme të KB, Jeremiqi ka pasur opsesio Kosovën, dhe tërë kohën është konfrontuar me politikën e ShBA-ve dhe të BE lidur me Kosovën. Ai në mënyrë aggressive ka kundërshtuar çdo integrim e përfaqësim të Kosovës në organizmat ndërkombëtare. Në një rast pat thenë: “Kosova mund të hyjë në KB vtëm duke kaluar mbi kufomën time”, ndërsa shkrimtari ynë, Ismail Kadare iu përgjigj me këtë thënie: “Voglush, pak si tepër po i jepni rëndësi asaj kufomës suaj”!

Unë kam botuar në mediat serbe ma se dyzet komente të ndryshme, duke ironizuar punën, gafet dhe skandalet diplomatike të Vuk Jeremiqit dhe qëndrimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës, sidomos në rastin e ngritjes së kërkesës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe Rezolutës së paraqitur OKB-së lidhur me Mendimin e Gjykatës, por edhe për shumë raste tjera, të braktisjes së mbledhjeve të rëndësishme ndërkombëtare, për shkak se në to merrnin pjesë përfaqësuesit e Kosovës. Me rastin kur Jeremiqi kishte dërguar 80 letra në adresa të shteteteve të ndryshme, me lutje që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës, unë në komentin e botuar në “B=92 (28 janar 2009), ndër të tjera i shkrova: “Edhe po ta mbushë një kompozicion treni të Herkurudhës Transiberiane me letra të tilla, Jeremiqi nuk do të mund ta ndalë njohjen dhe përparimin e Kosovës së pavarur”.

Për ata që nuk dinë, prejardhjen prej nëne Jeremiqi e ka nga familja e ish-funksionarë të lartë shtetëror të Jugosllavisë, vëllëzërit Hamdija dhe Hakija Poderac. Nëna e Jeremiqit është Sena, e bija e Sadeta dhe Sherif Bulubashiq, të cilët kanë jetuar e punuar në Beograd (Sadeta ka qenë motra e vëllezërve Pozderac), kurse Sena është martuar me Mihaillo Jeremiqin, babain e Vuk Jeremiqit. Po Jeremiqi, një antimusliman fanatik, ishte bashkëpunëtor i ngushtë me kryebanditin aktual të asaj kreaturës gjenocidale, të quajtur “Republika srpska”,  Millorad Dodik, për çfarë i është tërhequr vërejtja shumë herë nga qarqet diplomatike. Jeremiqi ishte kandidat për nënkryetar të Partisë Demokratike të Serbisë (të Boris Tadiqit), por nuk arriti të fitojë (2010), ndërsa në vitin 2013 u përjashtua prej partie, për shkak të shkeljes së statutit dhe mosrespektimit të vendimit të këshillit qendror të Partisë.

Një kuadër i tillë, që nuk ka autoritet dhe nuk  mund të arrijë as postin e zëvendëskyretarit të një partie minore në vendin e tij, e duke pasur parasysh skandalet dhe gafet e përmendura më lart, dhe shumë të tjera, nuk meriton as të kandidojë, e lere më të zgjedhet për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Dhe nuk besoj se Amerika dhe Britania e Madhe do ta japin pëlqimin e tyre, gjegjësisht se do ta lejojnë që Jeremiqi të zgjedhet në atë pozitë, jo vetëm për shkak të karakterit të tij joparimor dhe tejet i njëanshëm,  por edhe për shkak se Serbia si shkaktari i tri luftërave të përgjakshme në Ballkan, në periudhën 1991-1999, nuk e meriton t’i bëhet një nderë, duke e zgjedhur përfaqësuesin e saj për pozitën më të lartë të organizatës më të madhe në botë. Besoj se në moszgjedhjen e Jeremiqit duhet ta kenë ndikimin e tyre edhe Aleanca e NATO-s dhe Bashkimi Evropian. Por, shpresën më të madhe e kam te vetoja e ShBA-ve dhe Britanisë së Madhe. Është koha që në atë pozitë të zgjedhet një grua, e në mesin e kandidatëve ka të tilla që meritojnë, dhe kjo do të ruante relacionet në Këshillin e Sigurimit, që të mos vie deri te mospajtimi rreth kandidatit për Sekretar të Përgjithshëm. Nga kandidatët meshkuj, ka njerëz me autoritet, reputacion e përvojë për atë pozitë, por Jeremiqi – jo, jo dhe jo!

Filed Under: Analiza Tagged With: A DO TE ZGJEDHET JEREMIQI SEKRETAR I KOMBEVE, Adil Fetahu, te Bashkuara

PERSONALITETE TË NJOHURA KANE THENE PER SERBINE

August 8, 2016 by dgreca

(kanë thënë për serbët e Serbinë, gjatë luftës në ish-Jugosllavi/

  1. “Serbët duhet t’i gjunjëzojmë” (Klaus Kinkel, ministër gjerman i punëve të jashtme, 27 maj 1992)
  2. “Kundër serbëve do të zhvillojmë luftë diplomatike, ekonomike, politike, propaganduese dhe psikologjike” (Xhejms Bejker, sekretar i shtetit, ShBA, në TV, qershor 1992),
  3. “Serbët bëjnë tregti me organet e njerëzve, viktimave të tyre, për të fituar para për luftën e tyre; do të duhej djallëzisht ta bombardojmë Beogradin” (Pol Xhekson, redaktor i gazetës “Kalgari sun”, “Fanistar”, 13 tetor 1992),
  4. “Serbët janë popull dydimenzional, të pagëdhendur; kafshët i shfrytëzojnë resurset e veta dukshëm në mënyrë më të arsyeshme se këto krijesa të mbrapshta, përkatësia e të cilëve racës njerëzore është në vonesë të madhe” (Sir Piter Justinov, aktor dhe ambassador në UNESCO, “The European”, 10 qershor 1993),
  5. “Serbia është padyshim agresor dhe do të duhej të detyrohet me rezolute të KB për të bartur barrën e reparacioneve” (Josif Brodski, poet-disident ruso-ebraik dhe nobelist, “International Herald Tribune”, 5 gusht 1993),
  6. “Ndalini serbët, menjëherë dhe përgjithmonë” (Margaret Theçer, kryeministre e Britanisë së Madhe, “The NewYork Times”, 4 maj 1994),
  7. “Shkaku esencial i konfliktit është ideologjia e pastrimit etnik, të cilën e ka ripërtërirë zotëri Qosiqi, kryetar i Serbisë” (Zhak Delor, kryetar i BE-së, maj 1994, në TV françez),
  8. “Është dashur t’i fusim në karantinë, gjithnjë deri sa të mos t’iu hiqet virusi që kanë” (David Gompert, drejtor për Evropën në Këshillin për Siguri Kombëtare në Adminstratën e Bushit, “Forin Afers” korrik-gusht 1994),
  9. “Nuk ka paqe për derisa Serbia të mos mundet ushtarakisht” (Serxha Popoviq, avokat serb, “Globus”,Zagreb, tetor 1994),
  10. “Serbët janë njerëz të pamëshirshëm, të gatshëm të të presin me thikë, për çka mund t’i falënderohen prejardhjes së tyre sllave” (Fransoa Kremio, pjesëtar i forcave franceze të SFOR-it, maj 1995),
  11. “Lutem që zjarri i qiellit të lëshohet mbi serbët” (Ati Pjerr, klerik, humanist, në konferencën për shtyp pasi u kthyer nga Sarajeva, pas bombardimit në Markale),
  12. “Serbët janë popull pa ligje e pa fe” (Zhak Shirak, kreytar i Francës, në takimin me shefat e qeverive të shteteve anëtare të BE-së, qershor 1995),
  13. “Serbët janë kriminelë bothëkrye” (Riçard Holbruk, Njujork, 6 nëntor 1995),
  14. “Serbët e Bosnjeës, sipas nesh, gjithnjë kanë qenë dhe kanë mbetur vetëm bandë cubash dhe vrasësish (Johan Fric, drejtor i gazetës “Dipresse”, Vjenë),
  15. “Fatkeqësisht, që s’i kam vrarë të gjithë serbët”! (Tomisllav Merçep, nga fjalimi në Kongresin e Partisë Popullore Kroate, “Feral Tribjun”, 1995),
  16. “Propozoj që fëmijëve serbë t’iu ndalohet në shkolla mësimi i poezisë kombëtare” (prof.dr Ralf Diter Kluge, drejtor i Seminarit të Sllavistikës, Universiteti Tibingen, 1997),
  17. “Sa u përket serbëve… këta janë një popull i sëmurë” (Gjenerali Zhak Kot, ish-komandant i UNPROFOR-it në B-H, revista mujore ushtarake “Difens Nacional”, Paris, qershor 1997),
  18. “Është dashur t’i bombardoni serbët” (Papa Pavli i Dytë, i ka thënë Klintonit në Denver),
  19. “Ishte koha e fundit për të bombarduar Jugosllavinë; shpresoj të mos jetë tepër vonë” (Gynter Gras, shkrimtar-nobelist, më 26 mars 1999, në Panairin e Librit në Lajpcig),
  20. “Kjo është luftë midis të mirës e të keqës; nuk do të lejojmë që e keqja ta mund të mirën” (William Kohen, sekretar shtetëror i mbrojtjës, ShBA, pranverë 1999),
  21. “Lufta kundër serbëve nuk është më vetëm një konflikt ushtarak; është kjo luftë midis të mirës e të keqës, midis civilizimit dhe barbarisë” (Toni Bler, premier i Britanisë së Madhe, gjatë bombardimeve të NATO-s, 1999),
  22. “Serbët po bëjnë terror e po dhunojnë fëmijët shqiptarë (Bill Clinton, president i ShBA-ve, në fjalimin e mbajtur me rastin e 50-vjetorit të Paktit NATO, Washington, 23-25 prill 1999),
  23. “Serbët duhet t’i bombardojmë qetë-qetë, se shpejtë do ta harrojnë të gjithën” (Xhejmi Shia, portparoll/zëdhënës i NATO-s, mars 1999).

(Nga libri i Zoran Petroviq-it: “Izbrisati srpski virus”; www.intermagazin.rs)

* * *

Më tepër se të gjitha deklaratat e personaliteteve të përmendura, autorit të librit i dhemb një deklaratë e Zoran Gjingjiqit, ish-kryeministër i Serbisë, të cilin e vranë (12 mars 2003) me snajper, në atentatin para hyrjes në ndërtesën e Qeverisë (atentator ishte Zvezdan Jovanoviq, pjesëtar i Njësisë për Operacione Speciale i MUP-it të Serbisë). Gjigjiqi, në një intervistë dhënë gazetës gjermane “Der Shpigl”, gjatë bombardimeve të NATO-s (1999), paska thënë: “Jugosllavia duhet të bombardohet… vetëm vazhdoni ta bombardoni, se ata do të lëshojnë pe”. Këtë deklaratë të Gjingjiqit autori i librit gjoja  e paska marrë nga “Njujork Tajms-i”… Dhe, për t’ia shtuar akoma më tepër dhembjen autorit të librit, deklaratën e Gjingjiqit “e paska nënshkruar” edhe kryetari (aktual) i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ai i njëjti që e ka njohur  (edhe) pavarësinë e Kosovës!

Në fund të librit, autori jep tri porosi: kurrë mos harro; kurrë mos fal; gjithmonë mbaje mend!

(Zgjodhi dhe përkthei nga shkinishtja: Adil FETAHU)

Filed Under: Komente Tagged With: Adil Fetahu, per Serbine, Personalitetet e njohura

ELITAT SERBE QË NXITËN DHE JUSTIFIKUAN GJENOCIDIN

August 6, 2016 by dgreca

Gjenocidi ndaj shqiptarëve në Ballkan/

Nga Adil FETAHU/

Se ndaj shqiptarëve në Ballkan është kryer gjenocid nga regjimet fashite të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, kjo është e ditur botërisht dhe mund të vërtetohet me mijëra argumente, dëshmi e dokumente të pamohueshme, edhepse deri më sot nuk kemi asnjë rezolutë apo aktgjykim për këtë lloj krimi më të rëndë që njeh drejtësia ndërkombëtare.  Dhe ai gjenocid është kryer në disa valë, në vazhdimësi qe afro dy shekuj. Por, në qarqet zyrtare të shteteve që kanë kryer gjenocidin, as në ato ndërkombëtare, madje as në ato shqiptare, akoma nuk ekziston një mendim i prerë, një rezolutë apo deklaratë relevante zyrtare për gjenocidin e kryer ndaj Shqiptarëve. Gjenocid është bërë edhe ndaj Boshnjakëve, edhe ndaj Gjermanëve të Vojvodinës. Derisa ndaj  Shqiptarëve dhe ndaj Gjermanëve është kryer gjenocid  kryesisht në baza kombëtare, ndaj Boshnjakëve  është bërë në baza fetare. Për planifikuesit dhe ekzekutorët e gjenocidit, Shqiptarët dhe Boshnjakët duhej zhdukur nga faqja e dheut, apo duhej nënshtruar që kurrë të mos bëhën faktor i cili “paraqet rrezik” ose pengesë për projektet hegjemoniste të Serbisë së Madhe, Greqisë së Madhe apo Malit të Zi. Ç’është më keq, asnjë institucion shtetëror, shkencor, kulturor apo fetar i shteteve gjenocidale, nuk e ka gjykuar gjenocidin, as nuk ka kërkuar falje (ndonëse kërkimfalja nuk do të thotë asgjë). Përkundrazi, ato  me platformat, planet dhe programet e tyre, e kanë nxitur e ndihmuar përgatitjen dhe kanë justifikuar zbatimin e gjenocidit. Krimet e gjenocidit, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, i kanë reduktuar e adresuar si krime të individëve apo të grupeve joformale, “të pakontrolluara nga shteti”, gjë që nuk është aspak e vërtetë, ngase ato i kanë kryer organizmat e shtetit: ushtria, policia, formacionet e tjera të organizuara, të financuara dhe të kontrolluara nga shteti. Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, edhepse kishte prova e argumente të mjfatueshme për ta kualifikuar luftën në Kosovë si gjenocid, edhepse në aktgjykimet e veta kundër kreut politik, ushtarak e policor (dmth. kreut shtetëror të Serbisë/RFJ), shqiptoi kualifikimin “ndërmarrje e përbashkët kriminale”,  ajo Gjykatë nuk e fajësoi as dënoi  shtetin apo ndonjë organizatë politike, fetare a kulturore për gjenocidin, veçse përgjegjësinë e individualizoi në disa persona, të cilëve iu shqiptoi dënime të lehta në krahasim me krimet e kryera në shkallë gjenocidi. Gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve, të viteve 1876/78, 1912/14/18, 1941/45, e 1998/99, nuk e dënoi as pranoi ndonjëherë asnjë organizëm apo individ në Serbi. Ndonjë individ i dënoi krimet monstruoze të soldateskës serbe, pa e përmendur fjalën gjenocid, si Dimitrije Tucoviqi, Kosta Novakoviq, Dushan Popoviq e ndonjë tjetër gjatë luftërave ballkanike, apo Natasha Kandiqi për luftën e fundit, por ata janë zëra të vetmuar, të izoluar e të urryer nga shteti, nga kisha, nga shkenca dhe nga populli i ushqyer me urrejtje patologjike ndaj Shqiptarëve si komb, dhe ndaj Islamit si fe. Një rezolutë për gjenocidin e kryer në Srebrenicë në vitin 1995, e miratuar nga organizmat ndërkombëtare,  nuk i mbulon as përsëafërmi përmasat e gjenocidit të kryer ndaj Boshnjakëve gjatë luftës së fundit. Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek, është zëri i parë nga fatorët ndërkombëtarë që publikisht e ka thënë, në një intervistë  në TV-n publike gjermane ARD, se “Asnjë qeveri nuk ka vepruar me minoritetet ashtu siç ka bërë Millosheviqi në Kosovë, ku ka vrarë, dëbuar dhe ushtruar gjenocid ndaj popullsisë shqiptare”.

Për krimet dhe gjenocidin grek të kryer ndaj shqiptarëve në Çamëri ( prej vitit 1913 deri më 1945), dy-tre shkencëtarë, historianë grekë, në studimet e tyre argumentuan dhe pohuan se ndaj Çamëve (myslimanë) është kryer gjenocid. Këtë e kishte bërë i pari profesori grek në Universitetin Yale (ShBA), z.Stathis Kalivas, ndërsa herën e dytë këtë e bënë profesorët grekë të Universitetit Pandio (të Greqisë): Lambros Buciotis dhe Konstatinos Ciceliqis (dhjetor 2009). Mirëpo, edhe ata janë zëra të vetmuar, pasi politika, shteti dhe kisha greke jo se e pranuan dhe dënuan gjenocidin, por çdoherë e mohojnë se çamëve  bile as u janë shkelur të drejtat fare! Shoqata Demokratike “Çamëria”, me seli në Holandë, në shkurt të këtij viti ia ka paraqitur Gykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, dosjen me katër kërkesa për popullsinë e Çamërisë: l) që Gjykata të vërtetojë se ndaj popullsisë çame shteti grek ka kryer gjenocid, 2) që të gjykojë krimet kundër njerëzimit që ka bërë qeveria (qeveritë) greke, në vazhdimësi prej vitit 1913 deri më 1945, 3) që t’i urdhërojë shtetit grek, të lejojë riatdhesimin e popullsisë së shpërngulur me dhunë e terror, dhe 4) që popullit të Çamërisë t’iu kthehen pronat e marruna.

Krimet monstruoze që kanë kryer mbi shqiptarët regjimet fashiste të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, përmbajnë të gjitha tiparet, elementet dhe motivet të cilat  cilësohen si gjenocid, në kuptim të (nenit 2) Konventës së OKB-së për Ndalimin dhe Ndëshkimin e Gjenocidit (rezoluta Nr.260, datë 9 dhjetor 1948). Sipas definicionit të asasj dispozite, gjenocid paraqet veprimi që ka për qëllim: 1) zhdukjen e tërësishme ose të pjesërishme të ndonjë grupi kombëtar, etnik apo religjioz, si  dhe vrasja e anëtarëve të grupit; 2) lëndimi (dëmtimi) i rëndë i integritetit fizik apo shpirtëror të anëtarëve të grupit; 3) imponimi i qëllimshëm i kushteve të jetesës, me synim të zhdukjes fizike të plotë ose të pjesërishme; 4) masat me qëllim të parandalimit të lindjeve  në kuadër të grupit; dhe 5) zhvendosja e dhunshme e fëmijëve prej një grupi në tjetrin. Secili veprim (krim) i përmendur në dispozitën e cituar, veç e veç, paraqet gjenocid në vete. Ndërkaq, në rastin e shqiptarëve nën pushtimin sllavo-grek, gjenocidi është kryer në katër format e para (1-4) të përmendura më sipër. Serbia ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në vitet 1876-77, kur ka vrarë shumë shqiptarë dhe i ka shpërngulë me dhunë e terror nga rajoni i Toplicës. Ka kryer gjenocid gjatë luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore (1913-1918), gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-45), dhe në luftën e fundit (1998/99). Por, ajo ka kryer  veprime e krime gjenocidi në forma të ndryshme edhe gjatë kohës së paqes, me terrorin që ka bërë, për t’i detyruar shqiptarët të shpërngulën në Turqi, sipas marrëveshjes së lidhur me atë shtet. Greqia ka kryer gjenocid mbi shqiptarët e Çamërisë prej vitit 1913, në vazhdimësi deri në vitin 1945, kur me vrasje e terror, i ka detyruar të gjithë shqiptarët myslimanë të shpërngulën, njëherë në Turqi (vitet 1922-1925), e së fundi në Shqipëri (vitet 1944-1945). Edhe Mali Zi, prej pushtimit të viseve shqiptare, ka bërë gjenocid mbi shqiptarët dhe boshnjakët e mbetur nën pushtimin e atij shteti.

Për krimet e gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve, ka argumente e dëshmi të dokumentuara. Ato ekzistojnë në arkivat shtetërore, diplomatike e ushtarake të shteteve të ndryshme, në shtypin e kohës dhe në libra të autorëve të ndryshëm. Për krimet dhe gjenocidin e kryer ndaj Shqiptarëve, në luftërat ballkanike, të dhëna më të plota gjendën në librin: “Srbija i Albanci – pregled politike Srbije prema Albancima od 1878. do 1914.godine” (Sërbia dhe Shqiptarët – pasqyrë e politikës së Serbisë ndaj Shqiptarëve prej vitit 1878 deri më 1914), Libri i Parë, botim i Revistës “Çasopis sa kritiko znanosti”, Lublanë, prill 1989). Argumentet e paraqitura në atë libër janë mbështetur kryesisht në burimet serbe. Shumë prej tyre gjendën në librin e social-demokratit serb, Dimitrije Tucoviq: “Srbija i Arbanija – jedan prilog kritici zavojevacke politike srpske burzoazije” (Serbia dhe Shqipëria – një kontribut kritikës së politikës pushtuese të borgjezisë serbe, botim: “Kultura: Beograd-Zagreb” 1946), me parathënien e Millovan Gjillasit. Nga shtypi i huaj, të dhëna më të plota për gjenocidin janë përfshirë në librin e ish-deputetit austriak Leo Frenundlich: “Albania’s Golgotha – indictment of the exetrminators of the Albanian people” (Golgota e Shqipnisë – aktakuzë kundër shfrarosësve të popullit Shqiptar).  Argumente për synimet dhe qëllimet e gjenocidit gjendën në projektet, platformat, planet dhe programet e shumta të  shtetit të Serbisë e të Greqisë, qysh prej “Naçertanies” dhe “Megaliideas” (1844), deri te plani i Operacionit “Patkoi”, për shfarosjen dhe dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova (1999). Marrëveshjet e Greqisë e të Serbisë/Jugosllavisë për shpërnguljen e Shqiptarëve në  Turqi, gjithashtu kishin këtë qëllim dhe ishin në këtë funksion. Të dhëna të shumta e me interes në këtë temë janë përfshirë edhe në librin e Elena Kocaqit-Levanti, me titull: “ Planet për zhdukjen e shqiptarëve”. Klubi: “Forum-Index.hr”, në një shkrim me titull: “Genocid nad Albancima na Kosovu, zasto se cuti o ovome?” (Gjenocidi mbi Shqiptarët në Kosovë – përse heshtet për këtë?), jep nje pasqyrë kronologjike të krimeve serbe, të kryera prej 28 shkurt 1998 deri më 22 maj 1999, kryesisht për numrin  e të vrarëve në fshatra e vendbanime të ndryshme në Kosovë, krime këto që tejkalojnë pragun e gjenocidit, pa përmendur dëbimin e organziuar në regji të shtetit, të ma se 900.000 shqiptarëve nga Kosova! Disa libra të profesorit Nusret Pllana, edhe në gjuhë të hueja, me shifra, fakte e fotografi dëshojnë dhe akuzojnë gjenocidin serb mbi shqiptarët.

Elita kishtare, kulturore e politike nxitën, shteti zbatoi gjenocidin

Në bazë të ideologjis për Serbinë e Madhe, elita politike, intelektuale dhe kishtare kanë përgatitur platforma, plane e programe të shumta, të cilat në kohë të përshtatshme për to i ka zbatuar shteti, duke kryer krime makabre, në përmasa gjenocidi. Me mijëra punime, libra, pamflete e programe të atyre elitave kanë indoktrinuar popullin serb me urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve si komb, dhe ndaj myslimanëve (islamit) si fe, dhe kanë “justifikuar” zhdukjen  dhe pushtimin e tokave dhe pronave të tyre. Ka shënime, se sëpaku janë 24 plane e programe, të hapta e të fshehta, për zhdukjen e shqiptarëve, duke filluar nga “Naçertania” e Ilija Garashaninit (1844); “Gorski vijenac” i P.P.Njegoshit (1846); “Srbi svi i svuda” i V.Karaxhiqit (1849), projektet e Jovan Cvijiqit (1912 e 1921), të përpunuara më vonë nga Vasa Çubrilloviqi në elaboratin e tij: “Manjinski problemi u Jugoslaviji” (1937; 1944); “Elaborat o Albaniji” i Ivo Andriqit (1939); “Homogena Srbija” e Stevan Moleviqit (1941); Programi i  çetnikëve të Drazha Mihajlloviqit (1941); deri te plani “Patkoi” (1999) për zhdukjen dhe dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova! Për zhdukjen e popullsisë dhe pushtimin e tokave të shqiptarëve, ekzistojnë edhe marrëveshje ndërkombëtare, të hapta e të fshehta, siç janë marrëveshja midis Greqisë e Turqisë (1923) dhe ajo midis Serbisë (MSKS) e Turqisë (1938), për shkembimin, respektivisht shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Po, ekzistojnë edhe marrëveshje të fshehta midis shteteve ballanike, madje dhe midis fuqive të Antantës dhe Italisë (Marrëveshja e fshehtë e Londrës, 26 prill 1915), për copëtimin e Shqipërisë midis shteteve fqinje. Vetëm falë Zotit dhe Amerikës, shqiptarët janë sot si  një komb e si  dy shtete, por në territor pesëfish më të vogël se ai që ishte i tyre në shekullin XIX, ndërsa shtetet fqinje: Serbia, Greqia dhe Mali u zgjëruan duke pushtuar tokat shqiptare, e duke zhdukur shqiptarët prej vendit të tyre.

 Roli i orientalistëve serbë në justifikimin e gjenocidit

Shkencëtari i njohur amerikan, dr Norman Cigar, në veprën-studimin e tij: “Roli i orientalistëve serbë për justifikimin e gjenocidit ndaj muslimanëve në Ballkan” (botimi shqip, “Logos-A”,2003), që në hyrje të librit konstaton se “orientalistët serbë kanë pasur lidhje direkte me politikën e spastrimit etnik (fq.9); se krijimi i atmosferës antiislame mundësoi rrëshqitjen e mëtutjeshme në gjenocid (fq.17),… dhe se zbatimi i veprimeve gjenocidale dokumentohet me mijëra dokumente autentike të proviniencave të ndryshme” (fq.18). Cigar përmend orientalistët më të njohur serbë: Aleksandar Popoviq, Darko Tanaskoviq, Mirolub Jevtiq, Nada Todoroviq, të cilët në kundërshtim me etikën morale e shkencore, islamin e trajtojnë si retrograde dhe shkaktar kryesor të kërcënimit të  modernizimit dhe civilizimit në përgjithësi, e të Serbisë në veçanti. Qëndrimet e orientalistëve, autori Cigar i vërenë të lidhura ngushtë, në një aleancë e simbiozë të strukturës së nacionalizmit serb, me  Kishën Ortodokse Serbe, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, mediat, politikën, financat,  dhe forcën ushtarake. “Fillesa kyçe e kampanjës orientalistike (në Serbi,a.f.) është përqëndruar mbi idenë që muslimanët i takojnë një religjioni dhe kulturës ekzotike e të huaj, dhe kështu ata kurrë nuk do të kishin pasur vend në Evropë” (fq.20). Orientalisti Mirolub Jevtiq, thotë se “Shqiptarët janë epropian të rrejshëm, ndërsa muslimanë të vërtetë” (fq.23). Në një intervistë dhënë revistës “Vojska”, orientalisti Darko Tanaskoviq ka deklaruar se “është duke e vërejtur xhihadin ekonomik, diplomatik e në veçanti xhihadin demokgrafik”, si rrezik për shkatërrimin e Serbisë dhe ordoksizmit (fq.37). Vojin Dabiq, muslimanët e Bosnjes, Sanxhakut, Shqiptarët e Kosovës dhe pakicën turke në Bullgari e në Greqi (?) i konsideron rrezik për Evropën (fq.41). …”Kështu, orientalistët ndihmuan që gjenocidi të bëhet realitet”(fq. 54), përfundon shkencëtari, publicisti e hulumtuesi i njohur amerikan, dr Norman Cigar.

Padia e Thaçit, për konsum të brendshëm         

Një deklaratë e presidentit Hashim Thaçi, se Kosova së shpejti do ta paditë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, për gjenocin e kryer në luftën e fundit (1998/99), në mediat dhe në qarqet politike të Serbisë krijoi “cunami në një gotë ujë”! Ajo deklaratë më tepër ishte për konsum të brendshëm, por dhe për të krijuar nervozë në qarqet serbe, se sa ka të bëjë me realitetin. Sepse, Hashim Thaçi nuk mundi ta shtyjë  në rend dite as në Kuvendin e Kosovës, miratimin e një rezolute për gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë në luftën e fundit, të cilën e pat propozuar Lëvizja Vetëvendosje (3 gusht 2015).

Nuk di sa ka njohuri zotëri Thaçi dhe këshilltarët e tij, por Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, edhepse nuk është gjykatë penale,  ka standarde të larta e kritere  rigoroze për të cilësuar krimin si gjenocid e për të shqiptuar aktgjykim për gjenocid. Me gjithë mbështetjen ndërkombëtare, mezi e pranoi padinë e BH për gjenocidin në Srebrenicë, por e refuzoi për vendet e tjera (26 shkurt 2007). Dhe, përkundër faktit që Gjykata ka vërtetuar se “Serbia ka pasur ndikim   të caktuar policor, ushtarak e financiar në luftën në  BeH dhe ka pasur dijeni se gjenocidi mund të ndodhë”, megjithatë Gjykata e “amnestoi” Serbinë nga përgjegjësia për gjenocid! Aktgjykimi ishte një kompromis, dhe jo aq koherent, por edhe ajo Gjykatë në punën e saj ka parasysh interesat e politikës globale. Ndërkaq, padinë e Kroacisë kundër Serbisë, dhe kundërpadinë e Serbisë kundër Kroacisë, për gjenocid (1991-1995) ajo Gjykatë i ka refuzuar tërësisht (më 3 shkurt 2015), me arsyetim se “asnjëra palë nuk ka ofruar prova të argumentuara se ka ekzistuar konspiracioni apo qëllimi për të kryer gjenocid”?!

Krimet e luftës dhe krimet e gjenocidit nuk parashkruhen, dhe heret a vonë, kur të jemi përgatitur mirë për të argumentuar e dokumentuar,  dhe kur ta fitojmë përkrahjen ndërkombëtare për një rezolutë ndërkombëtare dhe një padi për gjenocid, atëherë duhet ta ngrisim padinë. Sepse, në rastin tonë ka, dhe është shumë më lehtë të ofrohen prova historike, teorike dhe  praktike, me të cilat vërtetohet se Serbia ka pasur për qëllim  zhdukjen e tërësishme ose të pjesërishme të shqiptarëve, duke planifikuar, përgatitë, nxitë, kurajuar, ndihmuar, shtytë dhe kryer gjenocidin, për të krijuar Serbinë e Madhe në trojet shqiptare.

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, ELITAT SERBE QË NXITËN DHE, JUSTIFIKUAN GJENOCIDIN

ÇAMËRIA– FIDANISHTE E FIGURAVE TË SHQUARA

July 22, 2016 by dgreca

Mirela Kondi: Figura të shquara të Çamërisë, Tiranë, 2016/

NGA Adil FETAHU/

Epiri dhe Çamëria, kjo krahinë më vitale e kombit tonë, gjatë historisë së bujshme të saj e deri në rilindjen e vonshme,  i ka dhënë kombit, po edhe Greqisë, Ballkanit, perandorive të kohës (Osmane, Bizantine, Romake), Evropës dhe Botës, dinasti e personalitete spikatura të strategjisë së luftës, të  fushës së arsimit, shkencës, artit, kulturës, fesë. Vështirë se mund të gjeni një vend e shembull tjetër në botë që, në proporcion me territorin dhe numrin e popullsisë, t’i ketë dhënë kombit e njerëzimit kaq shumë figura të shquara të fushave të ndryshme. Në nderim të atyre figurave, zonja Mirela Kondi, si një bletë punëtore, ka vjelë e mbledhë të dhëna historike, të një periudhe të gjatë kohore, për të kompletuar biografitë e 56  nga ato personalitete dhe u ka ofruar lexuesve në librin e saj me titull: “Figura të shquara të Çamërisë”.

Pas fjalës së redaktorit (Arben Kondit), libri fillon me prezantimin historik të biografisë së Mbretëreshës Olimpia, një nga gratë më të shquara e më të bukura të botës antike, e lindur në vitin 375 para epokës së re, prej familjes së fisit të Aikaidëve të Epirit, me rrënjë pellazge të Akilit legjendar. Nga martesa e saj me Filipin II, u lindën dy fëmijë: Aleksandri i Madh (ai nuk lindi i madh, por u bë i Madh) dhe Kleopatra. Olimpia mbeti në histori e njohur jo vetëm si nëna e Aleksandrit të Madh, por edhe si grua epirote e ngritur në fronin mbretëror. Libri vazhdon me Aleksandër Molosin, vllain e Olimpisë, i cili e zgjëroi mbetërinë e Molosve, me qendër në Dodonën e lashtë. Nën udhëheqjen e Pirros, Epiri arriti pikën më të lartë të lulëzimit ndër shekuj. Ai krijoi mbretërinë e tij, si një federatë e tre fiseve më të njohura ilire: molosve, kaonëve e thesprotëve.  Sot shumica e njerëzve për Pirron dinë vetëm nga thënia: “Fitore e Pirros”, por pakkush e di se si ka mbetur ajo thënie. Në vitin 280 p.e.r, në betejën e Erakleas dhe Askulit, Pirro doli fitimtar mbi ushtrinë romake dyherë më të madhe, por aty humbi aq shumë ushtarë e oficerë, sa që klithi: “Edhe një betejë (fitore) tjetër si kjo, dhe më duhet të kthehem në Epir”! Çamëria dhe Epiri kanë dhënë edhe shumë strategë luftarakë e komandantë trima, heronjë, në luftërat për lirinë dhe bashkimin kombëtar, por edhe për çlirimin e të tjerëve, në rend të parë për çlirimin e Greqisë. Mirëpo, ka pasur edhe mercenarë të rryer, të cilët janë ftuar në luftëra të ndryshme, për llogari të shteteve të kohës nëpër Evropë: Itali, Francë, Gjermani, Spanjë, që në ato beteja kanë korrë fitore mahnitëse, por edhe i kanë lënë kockat e ushtarëve të vet, si puna e Pirros, Merkur Bue Shpatës etj.

Është e pamundur që në një vështrim si ky, të pasqyrohen të gjitha të bëmat dhe kontributi i personazheve të shumtë të librit. Cilin ta veçosh nga ata princa, ata strategë, luftëtarë trima e heronjë, duke filluar nga princër e luftëtarë: Pirro i Epirit,  Pjetër Losha, Gjin  Bue Shpata (për këtë princ e luftëtar të shquar,shkrimtari Arben Kondi ka shkruar e botuar romanin historik: Gjin Bue Shpata), Merkur Bua Shpata, Gjon Zenevishti, Dionis Filozofi, Gjergj Karaiskaqi, Ibrahim Pasha, Marko Boçari, Odhise Andruco, Haxhi Mehmet Dalani,  Muharrem e Haki Rushiti, Osman Taka, Daje Sako, Merrushe Nelo, Aziz Çami, Daut Hoxha, Rexho Plaku, Teme Sejko. Epiri i ka dhënë njerëzimit jo vetëm mbretër, princa e luftëtarë të njohur, po edhe klerikë të rangut më të  lartë, si Shën Eleuteri, Mihal Artioti, Dionis Filozofi (edhe klerik edhe prijës kryengritjesh), Atenagora i Parë. Gjithashtu, ka dhënë  figura brilante të arsimit, shkencës, artit e kulturës: Mihal Artioti, Muhamet Kyçyku-Çami, Haxhi Murat Çami, Mihal Anagnosti, Hasan Tahsini, Elena Gjika, Abedin, Rasih, Ali e Arif Dino, Rexhep e Musa Demi, Kolë Idromeni, Faik Konica, Abaz Dojaka, Niko Stilo, Bilal Xhaferri, tj.

Principata e Artës e princit Pjetër Losha shtrihej prej gjirokastre deri në Korinth. Në aleancë me princin Gjin Bue Shpata, në vitin 1358 e mundën ushtrinë bizantine të princit serb Niçifori II, në betejën e Akaleut, në të cilën u vra edhe vet princi serb. Gjin Bue Shpata ishte princi më i zoti, që zotëroi hapësirat më të mëdha të Epirit, përveç Janinës ku sundonte shqiptarovrasësi Toma Preluboviq, i cili ishte në aleancë me ushrinë osmane në luftë kundër princërve shqiptarë. Ai tiran ia kishte dërguar Gjin Bue Shpatës shportën me sytë e nxjerrur e vëshët e prerë të fëmijëve shqiptarë! Gjon Zenevishti, sundimtar i Principatës e cila shtrihej prej Gjirokastre në Luginën e Drinos dhe Delvinës. Ishte dhëndër dhe besnik i Gjin Bua Shpatës. Merkur Bua Shpata, fitoi beteja, tituj e shpërblime, me ushtrinë e tij të rryer në luftëra (stratiotët, mercenarë), sa herë u ftua për t’i ndihmuar në luftë Vendikut, Spanjës, Francës, Gjermanisë, gjithmonë doli fitues. I ftuar nga Franca, në vitin 1515 e theu ushtrinë zvicërane, e cila prej 1500 vjetësh nuk kishte njohur disfatë! Ibrahim Pasha, vezir i lartë e komandant sprem i ushtrisë osmane (i martuar me motrën e sultan Sulejmanit), e pushtoi Beogradin, Budapestin e Rodosin. Në vakëfet e tij në Bullgari (Razgrad), në tri fshatra janë vendosur ortodoks të Çamërisë, të cilët edhe sot e flasin “çamërishten”. Donis Filozofi, peshkop i Thesalisë, nxiti dy kryengritje të mëdha të shqiptarëve kundër osmanëve. Kur ushtria osmane e shtypi kryengritjen e dytë, zuri peshkopin, e rjepi për së gjalli dhe lëkurën e tij të mbushur me kashtë, bashkë me kokat e 200 kryengritësve ia dërgoi mbretit në Stamboll (asokohe osmanët masën e  suksesit të betejës e llogaritnin me numrin e kokave të prera)! Haxhi Mehmet Dalani nga Konispoli u bë guvernator i Libanit (1826) dhe si strateg ushtarak, me 800 kalorës e 3 anije luftoi për çlirimin prej Perandorisë osmane. Marko Boçari, kapiteni suliot, komandant i përgjithshëm, strateg e hero i revolucionit për çlirimin e Greqisë (1821), për artin ushtarak u edukua dhe aftësua në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Për këtë trim suliot është shkruar shumë (edhe shkrimtari Arben Kondi për këtë ka shkrua romanin historik: “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”). Arben Rakipi, në një shkrim të vetin, me apo pa të drejtë (?) Boçarin e cilëson si vrasës të shqiptarëve myslimanë.  Marko Boçari u vra (1823) në luftë kundër ushtrisë së pashait të Shkodrës (Mustafë Pashë Bushatlia).  Odhise Andruco që i qëndroi besnik Ali Pashë Tepelenës më tepër se dy djemtë e pashait, dhe që në vitin 1824 luajti rol vendimtar në çlirimin e Athinës, por që në fund e vranë autoritetet greke, në mënyrën më mizore. Gjergj Karaiskaqi, që ishte zënë rob nga ushtria e Ali Pashës, u vu në shërbim të tij dhe i mbeti besnik pashait deri në fund, dhe bashkë me Andrucon si komandant luftoi për çlirimin e Greqisë, por Asambleja greke ia hoqi të gjitha postet dhe gradat, dhe vdiq nga plagosja në rrethana të dyshimta në betejën e Akropolit. Muharrem Rushiti ishte simbol i trimërisë dhe zgjuarsisë, i cili prej vitit 1902-1920 udhëhoqi njëqint beteja, kundër pushtuesit osman dhe andartëve grekë, në të cilat mori 12 plagë në trup (e quanin Isa Boletini i Çamërisë). Alush Take, bashkëluftëtar me Muharrem Rushitin, tërë jetën dhe pasurinë i vuri në shërbim të atdheut; ai i furnizonte me armë dhe i mbante me shpenzime të veta mbi 300 ushtarë. Daut Hoxha, i cili luftoi 27 vjet rresht, ishte tmerr për andartët grekë, sa që prefekti grek i Paramithisë i kishte thënë Jori Sulit: nëse djali i tij Koço, që ishte në çetën e Dautit Hoxhës, do ta vriste Dautin, qeveria do ta bënte kolonel e do t’i jepte të holla të shkojë e ta kalojë tërë jetën në Athinë, por Jori ishte përgjegjur: “Nëse ime shoqe Koçon e ka me mua, ai nuk vret Dautin, edhe sikur t’ia jepni tërë Greqinë dhe ta vëni në fronin e mbretit”. Kishte edhe shumë luftëtarë trima tjerë të Çamërisë, të cilët luftuan kundër pushtuesit osman, kundër bandave greke, por edhe kundër pushtuesve italian e gjerman; si oficeri  artilerisë komandanti Haki Rushiti, i cili pastaj kaloi në grupimin e Ballit Kombëtar, apo komandanti Rexho Plaku, i cili në kohën e komunizmit vuajti 33 vjet burgim, bashkë me shumë çamër tjerë. Në luftë kundër bandave greke, bashkë me trimat e Muharrem Rushitit morën pjesë edhe femra çame: Daje Sako, Merrushe Nelo etj.

Çamëria i ka dhënë edhe krishterizmit figura të shquara. Papa i trembëdhjetë me radhë ishte Shën Eleuteri,  papa i parë me origjinë shqiptare, nga Nikopoja e Çamërisë, i cili përhapi krishtërizmin deri në Angli. Sipas disa të dhënave, ai qëndroi në fron dhe kreu me sukses detyrën e papës 15 vjet (175-189), në një kohë të vështirë të luftës së kristianizmit me paganizmin. Shën Donati ishte një tjetër shenjëtor çam i Paramithisë (shekulli IV e.r.) i cili, pas mbarimit të studimeve në Butrint,  gjithë jetën shërbeu me titullin e peshkopit të dioqezës së Çamërisë. Për nderë të tij, qytetin e Paramithisë populli e quante Ajdonat. Mihal Artioti, nga qyteti i Artës, ishte një nga viganët e mendimit humanist të Rilindjes Europiane. I ftuar nga Cari rus (1515), përktheu librat e shenjtë nga greqishtja në rusisht. Ishte humanisti i parë në Rusi, që hapi shkollë humaniste italiane dhe shtypshkronjën e parë të rregullt. Për shkak të qëndrimit liberal ndaj fesë, u akuzua si heretik dhe qëndroi njëzet vjet i izoluar në një manastir. Ka më se 150 tituj vepra e punime të botuara në tema filozofike, etike e pedagogjike.

Në periudhën e Rilindjes, nga Çamëria dolën personalitete të spikatura të shkencës, artit, kulturës, arsimit. Çdo komb do të krenohej ta kishte të vetin Hasan Tahsinin, të cilin mund ta quajmë kryerilindas i Evropës. Lindi në Ninat (1811). Si nxënës i medresës i kishte mahnitur mësuesit dhe nxënësit me zgjuarsinë e tij, dhe aty mori epitetin “Tahsin” (i shkëlqyeshëm), të cilin e mbajti dhe arsyetoi me meritë tërë jetën. Në Paris e Sorbonë qëndroi me studime e punë 12 vjet, ku doktoroi për shkencat fizike e natyrore. U emërua rektor i parë i Universitetit të Stambollit, por për shkak të pikëpamjeve liberale e demokratike u etiketua si “kaur” (pa fe) dhe u shkarkua nga posti i rektorit. Në institutin (medresën) që themeloi, nxënës-student të tij ishin: Pashko Vasa, Ismail Qemali, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami e Abdyl Frashëri etj, të cilët i njohim si rilindas të spikatur të çështjes kombëtare. Burimet turke e kanë quajtur – njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, ndërsa Sami Frashëri thoshte: “Njeri si Hoxhë Tasini i vjen Shqipërisë një herë në 1000 vjet”. Kur lexon për  Hasan Tahsinin, leximin duhet ta bësh me dorë në zemër, nga respekti për te, atëherë, sot e mot. Mihal Artioti, klerik e dijetar i shquar poliedrik. Muhamet Kyçyku-Çami, një arsimdashës, mësues, shkrimtar, përkthyes, autorë i shumë veprave. Poema e tij “Erveheja” (e përkthyer nga gjuha arabe) ishte lektyrë shkollore deri në ditët tona. Elena Gjika (Dora D’Istria), nga familja Gjika, me rrënjë nga Parga, nga udhëtimet, shkrimet dhe letërkëmbimet me personalitet më të njohura të kohës, u bë ambasadore e shquar e çështjes shqiptare. Ajo cilësohej si  njëra nga gjashtë gratë më të famshme të shekullit XIX. Abedin Dino, ministër i punëve të jashtme në Perandorinë Osmane, u angazhua që Çamëria të mos i shkëputej Shqipërisë, ka shkruar, përkthyer e botuar vepra të ndryshme. Osman Taka,  në saje të artit të valles “çamika” që luajti para valiut, shpëtoi nga dënimi me varje! Tahir Mete, përfaqësues i Çamërisë në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, punoi për hapjen e shkollave dhe organizimin e shoqërive kulturore. Rexhep Demi gjithë jetën e shkriu për shkollën shqipe, mblodhi ndihma edhe për Normalen e Elbasanit. Sheh Sabri Preveza, në shkollat turke u mësonte nxënësve fshehurazi edhe shqipen. Kolë Idromeni ishte piktor duarartë. Faik Konica cilësohet si një ndër njerëzit më të ditur në kulturën shqiptare në kohën e tij, të cilin Noli e quante: “bibliotekë lëvizëse”. Tërë veprimtarinë e tij diplomatike e publicistike ia kushtoi çështjes kombëtare. Musa Demi, mësuesi i parë në shkollën e Filatit. Spiro Çalluka, avokat e intelektual i nivelit të lartë, mik i Ismail Qemalit, Nolit e Hasan Prishtinës. Ali Dino, piktor dhe një nga karikaturistët më të mirë në Evropë. Arif Dino poet, aktor, regjisor, skenograf, përkthyes i njohur në Turqi e Greqi, e shumë të tjerë e tjerë. Për të mësuar më shumë për jetën dhe veprat e të gjitha këtyre personaliteteve,  lexonie librin e Mirela Kondit “Figura të shquara të Çamërisë”.

Të gjithë ata princa, ata ushtarakë, dijetarë, filozofë, klerikë, ishin personalitete të njohura e të respektuara, të cilët lan gjurmë të pashlyeshme në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, në kohë e  hapësirë dhe në rrethana të ndryshme. Shqiptarët në përgjithësi, dhe çamërit në veçanti, ishin populli më aktiv në luftën kundër pushtuesit osman, por ata kishin arritur suksese të admirueshme edhe në fushën e arsimit, shkencës, artit e kulturës. Ata sakrifikuan pasurinë dhe jetën, e për këto meritojnë lavdinë e përjetshme.

Me librin e saj, “Figura të shquara të Çamërisë”, Mirela Kondi ka kryer një akt simbolik të kujtimit dhe respektit për ato personalitete që janë për krenari. Po, përmes asaj galerie figurash të shquara, autorja ka paraqitur një mozaik procesesh e ngjarjesh të historisë së Çamërisë e më gjërë, në një periudhë të gjatë kohore. Leximi i librit “Figura të shquara të Çamërisë”, të krijon një ndjenje respekti për ato figura dhe krenarie që ato i përkasin kombit tonë dhe gjith përparimit të njerëzimit në fusha të ndryshme.

Ky është libri i dytë i Mirela Kondit, krejt i ndryshëm nga libri i parë, që ishte libër i lëmit të kulinarisë: “Kuzhina çame”, por që tregon se autorja është denjësisht e lidhur për trevën e Çamërisë. Sikur e thotë vet autorja, libri është një “sprovë historike-letrare…”, vazhdimin e së cilës e paralajmëron në fund të librit, sepse ka edhe shumë figura tjera të cilat meritojnë të kujtohen e të mos harrohen. Për hartimin e librit ka shfrytëzuar një bibliografi të pasur, prej afro 150 njësi bibliografike. Libri është shkruar me një gjuhë të pastër e stil të qartë e të rrjedhshëm, e me përdorimin aty-këtu të ndonjë shprehje karakteristike të çamërishtës, asaj “gluhe” e të folme të ëmbël, për të cilën poeti ynë Naim Frashëri (në poezinë “Dallëndyshe”) thotë:  “Eni vjen prej Çamërie / me ato milra fjalë / me atë gluhë perëndie/.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Adil Fetahu, ÇAMËRIA– FIDANISHTE E, FIGURAVE TË SHQUARA

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT