• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“LULET E PJESHKËS”, AKTAKUZË PËR DIKTATURËN KOMUNISTE

December 31, 2017 by dgreca

32 lulet e pjeshkesok.jpg

–  Si në një skaner të kujdesshëm romani”Lulet e Pjeshkës” i Hasan Bajos, pasqyron njollat e errta dhe dukuritë më tipike në gjirin e një shoqërie në reanimacion e sipër dhe pa shpresë shpëtimi…./

NGA AGIM BAJRAMI/

Në tregun e sotëm të librit ka shumë tituj ku mund të humbasësh i tëri, pa patur, asnjë mundësi orientimi. Kjo sepse librit artistik i janë sulur shumë sot. Liria e shprehjes dhe krijimit ka zgjuar prirje dhe pasione të panjohura dhe të çuditshme deri më dje tek njerzit. Të gjithë duan të shkruajnë ,por sa dijnë ta bëjnë këtë ,kjo është një gjë tjetër. Për fat të keq shumica e tyre mbesin në kuadrin e një fotografimi të rëndomtë ,ose në hiperbola heroizmash dhe fantazish të pa cak. Prandaj edhe largimi i lexuesit nga libri artistik është një veprim i justikuar.Vepra artistike simbas Fermin duhet të ketë” disa kate” dhe shpejtësira leximesh. Me këtë pretendim zura të shfletoj edhe unë librin e Hasan Bajos “Lulet e pjeshkës”dhe nuk u zhgënjeva ,përkundrazi. Eshtë një roman që jo vetëm të mban ndehur shpejtësinë e leximit por edhe të të mbushë me një tërësi gjendjesh shpirterore:Dhimbje ,krenari dhe urrejtje… Të gjitha në harmoni dhe raporte të caktuara estetike me njëra tjetrën. Eshtë një vepër që përmban vizione të fuqishme artistike dhe historike , ku po të citonim një shprehje të Milan Kunderës ka për synim të fiksojë çaste të mëdhenj, dhe ku kontrastet e tyre kanë një funksion jashtëzakonisht të rëndësishëm.

Ka shumë pak rëndësi që Hasan Bajo nuk ka qenë një emër i njohur më parë për lexuesit. E rëndësishme është graviteti i ideve dhe mesazheve që arrin të përcjell ai për bashkëkohësin. Që në krye duhet thënë se autori ka arritur të shpërfaqë para nesh faqe të akullta nga një kohë e pakohë ,si dhe një leksion se si duhet rilexohen veprimet e njerzve në një nga diktaturat më të egra në atë kohë.                Hasan Bajo është një krijues që me frymën e tij të tejdukshmërisë ,fuqinë e  fantazisë dhe me materialet e shumtë jetësore që zotëron ,arrin të shpërfaqet i natyrshëm para lexuesit,duke thyer kështu çdo kornizë skematike.Duke qenë edhe vetë një i burgosur i ndërgjegjes për 10 vjet në burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe Qafë Barit ,duke i provuar vetë mbi shpinën e tij torturat,punën e rëndë dhe regjimin e jetës së një skllavi autori ska bërë gjë tjetër veçse të sistemojë tërë atë mori impresionesh dhe ngjarjesh të pafundme që të mbesin në mendje. Në këtë kontekst shumë kapituj të kësaj vepre mund të konsiderohen edhe si një rrëfim i sinqertë i një njeriu që kthehet nga Golgota.Por pozitive është që vepra i ka shpëtuar karakterit të një rrëfimi personalizues.Më shumë se kaq në gojën e tij janë futur mijra zëra dhe rrëfime personazhesh dhe heronjsh të tjerë.Është një vepër me tekst të korektuar por me një pafundësi gjendjesh emocionale.

Si në një skaner të kujdesshëm vepra pasqyron njollat e errta dhe dukuritë më tipike në gjirin e një shoqërie në reanimacion e sipër dhe pa shpresë shpëtimi. Servilizmi frika,spiunimi, varfëria e tejskajshme pasiguria janë pjesë e procesit të verifikimit të atij sistemi totalitar,por edhe një sprovë për verifikimin e heronjve dhe antiheronjve të tij që nuk ishin pak.

Subjekti i romanit fillon nëpërmjet një thyerje interesante. Parullat antiregjim. Janë ato që hapin romanin dhe që paralajmërojnë një subjekt me përplasje të forta. Duket se me këtë fillim parashikohet edhe fundi i turpshëm i një regjimi të dështuar , që mbahej në këmbë vetëm në sajë të terrorit. Një djalë i ri i veshur me endrra lirije dhe një kitar që emeton tinguj në një peisazh të zymtë… Një bashkërendim energjish ndonëse të pandjeshme përballë asaj që dukej si e pamundur, Diktatures.Megjithëatë autorit i mjafton simbolika për të paralajmëruar atë që pritej:Thyerjen.Ai është i bindur se ndryshimet e mëdha mund të lindin edhe nga ëndrra. Në krahun tjetër si një masë e stërmadhe me të gjithë instrumentet e tij me të sofistikuara,hetues, policë,spiunë, prostituta dhe servilë qëndron pushteti. Hija e tij është aq e rëndë sa e shoqëron personazhin ngado.Është një hije në trajtë prangash dhe dyer të rënda qelish dhe hetuesish kriminelë,si dhe provokatorësh të rrafinuar si Luli.Duke tentuar të japë me vërtetësi këtë kategori të urryer njerzish të regjimit autori kërkon ti mëshojë faktit se ishin ata dhe një kategori tjetër njerzish me karakter të dobët që e ndihmuan jetëzgjatjen e tij.Përpjekja për ta hequr qafe atë e kishte të paralajmëruar ndëshkimin.Në roman heroi kryesor krahas vetive të tij pozitive është i veshur vazhdimisht edhe me një shtresë ankthi.Ishte një kohë që kërkonte nerva të forta.Duhej guxim, shumë guxim.Në roman heroi kryesore dhe pse i vetmuar dhe i braktisur nga të gjithë është i shoqëruar nga kënga e tij shpirtërore- Shpresa. Është kjo e fundit që e shoqëron atë në çdo çast. Jo më kot simbolika e kitarës shpërfaqet herë pas here në rrefimin dhe veprimtarinë e tij. Diktatorët gjithmonë e kanë pasur zët artin.Largimi nga” kloni” i vendosur prej tyre konsiderohej shkarje, dhe faj dhe kanë qenë me dhjetra ata që e paguan me vite të tëra burgu kërkesën për tu ndier sado pak të lirë përmes artit të tyre. Kjo sepse diktaturat s’janë gjë tjetër veçse sisteme inkuzicioni.Duke depërtuar në brendi të tyre autori arrin të pikturojë jo pak atë atmosferë të zymtë ankthi që ka mbizotëruar me dekada të tëra mbi atdheun e tij të përkulur keqas nga ky lloj inkuzicioni. Të gjendur nën këtë trysni ishin shumë prej individëve siç ishin Luani, Nexhi etj., që shitën gjithçka ,gjer edhe nderin dhe dinjitetin e tyre vetëm për ca benefite të veçanta për atë kohë , ashtu siç kishte të tjerë që arritën ti qëndronin denjësisht këtij presioni siç ishte vetë autori,Lani,xha Qamili etj.Natyrisht që botëkuptimi dhe idealet e autorit do ti shihnin me neveri të parët. Për te ata s’janë gjë tjetër veçse antiheronj mjeranë. Prandaj gjatë karakterizimit të tyre filli alegorik i autorit është i dukshëm dhe mbizotërues.Hetuesit,spiuni tek ura dhe treni të mbeten gjatë në kujtesë dhe evidentojnë aftësitë e veçanta individualizuese të shkrimtarit. Kjo i jep të drejtë postulatit të njohur se kur shkrimtari ka jetuar gjatë me personazhin arrin ti hyjë atij edhe nën “lëkurë “. Ky është një shkak që duke ndjekur lëvizjet e tyre të krijohet përshtypja se edhe ti diku duhet të jesh takuar me ta. E keqja dhe ligësia që mbartin ata është aq e madhe dhe mbizotëruese sa të lerë gjurmë deformimi dhe terrori tek një popull i tërë.Ishte një kohë kur survejohej dhe frymëmarrja, është pohimi nëntekstual i narratorit. Për të shmangur disi këtë lloj atmosfere burgu të stërmadh ai detyrohet të fus herë mbas here edhe momente të bukura lirike siç ishte dashuria e tij me Senën ,apo momentet e bisedave të tij me nënën. Janë skena ku spikat aftësia individualizuse e autorit ,por edhe poetika e brendshme e prozës së tij.

Lulet e pjeshkës edhe përkundrejt titullit të saj të gjetur që simbolizon pranverën me blerimin dhe bukuritë , në tërë hapësirën e saj tekstore të kujton zbritjen brenda një kove të ngushtë drejt fundit të një pusi të thellë e me ajër të pakët. Ne e ndjemë në çdo çast gërvimën e litarit dhe përplasjen e kovës në faqet e pusit, duke e ndihmuar përfytyrimin tonë të depërtojë më në brendi të kohës dhe labirintheve të saj të ngatërruara.Ç’ndodh me të në ato çaste? E thjeshtë.Në çdo metër zbritje pamja ngushtohet dhe frymëmarrja nis të të bëhet më e vështirë. Lexuesi pret nga çasti në çast që litari të këputet dhe të ndodhë gjëma.Dhe ky parashikim kobndjellës ndodh vërtet. Protogonisti arrestohet.Skena e arrestimit dhe aktorët realizues të saj janë një nga më mbresëlënset në këtë roman.Një arkitekturë palogjikshmërie dhe egërsie shtetërore.Piktura e këtij momenti s’di pse më kujton personazhet tragjike të Arkipelagut Gulag të Solzenicinit. Të njëjtat kurthe dhe mënyra survejimi dhe arrestimesh. Të njëjtat akuza qesharake dhe publik i indoktrinuar.Lëvizjet e personazhit të kujtojnë ecjen e një udhëtari në xhungël. Në këtë rast raportet jetë ,vdekje qëndrojnë në ekuilibra të brishtë dhe delikate. Ky është një nga shkaqet që mbajtja e frymës dhe klithma e mbytur të jenë pjesë përbërëse e procesit të leximit. Subjekti narrativ i këtij romani edhe pse në vështrimin e parë i ngjan një historie individuale asnjëherë nuk mund të kuptohet si i tillë. Rrëfimi në vetën e parë është veçse një lloj “rrengu” për ta mbajtur më pranë lexuesin ,gjë që është e motivueshme.Sot kemi një numër të madh librash me kujtime nga të burgosur të ndërgjegjes me këtë temë që përkundër subjekteve të mbushur përsëri nuk arrijnë të ngjallin vemëndjen tonë. Stili i rëndomtë me të cilin janë trajtuar ato mendoj se është një nga shkaqet.Në “Lulet e pjeshkës “stili i autorit përkundrazi karakterizohet nga një zhdervjelltësi e theksuar ,linja që ndjekin dhe plotësojnë njëra tjetrën, gjuhë e gjallë, elokuencë rrëfimtare dhe frazeologji e pasur.Duket se mes narratorit dhe lexuesit nuk egzistojnë aspak distanca dhe mure.Kjo jo vetëm për shkak të prezencës së heshtur nëpër faqet e librit ,por edhe një lloj fryme intimiteti që të afron rrëfimi i tij.Romani nuk shpërqëndrohet në linja të shumta ,megjithëatë merr përsipër të trajtojë dimensione kohore të gjëra,fate njerzish dhe histori të ndryshme.Ndërtimi i dialogëve ,monologjet e shumtë dhe zbërthimet psikologjike të personazhit e bëjnë më së miri këtë. Protogonistit të librit në segmentet kohore nëpër cilat kalon i është dashur të vihet përballë alternativash të vështira jetësore, nëpërmjet të cilave ai ka arritur të evidentoj pjesë të karakterit të tij të fortë prej heroi. Individi dhe diktatura dallohen nga njeri tjetri jo vetëm nga mënyra sesi vizatohen ,por edhe nga simpatitë dhe antipatitë që rrezatojnë ata në atmosferë.Dhe kjo ja rrit vlerat kësaj vepre. Ndërsa tek i pari autori ka futur shumçka nga vetvetja,si botën e gjërë shpirtërore ,lirizmin e brendshëm ,dashurnë për jetën dhe etjen për ndryshim. ,tek i dyti ngjyrat e përshkrimit janë aq të errëta sa të kujtojnë natyrshëm një përbindësh. Personazhet pozitivë të këti romani janë njerëz me një botë të bukur ,pamvarësisht nga presionet dhe kufizimet e jetës.Sakrificat ë jetës jo vetëm nuk arrijnë ti ndryshojnë ata por në të kundërt i bëjnë më të bukur ata.Ata para lexuesit si karaktere të formuar në furtunë ,me të gjithë begraundin e tyre të plotë shpirtëror dhe moral. Parë në këtë kontekst libri shtron edhe pyetjen e njohur:Cila duhet të jetë fizionomia e një heroi në raporte me kohën që i përket?Përgjigja është e qartë: Të bëjë atë ç’ka të mundë për tu ndjerë i lehtësuar përballë vendit dhe ndërgjegjes së tij. Veprimi i parë në këtë kontekst është konturimi i qëndresës brenda vetes. Një qëndresë e heshtur por sfiduese.Personazhet e këtij skalioni e kishin të qartë se veprimet prej adoleshentësh çonin më shumë” ujë në mulli të armikut”… Kështu që ata kishin krijuar një mur ndarës me atmosferën servile që mbisundonte në atë kohë.

Mos duartrokitja e veprimeve vrasëse të regjimit është një xhest i madh distancues.Në anën tjetër ai është edhe një thirrje e nënkuptuar katarsisi për pjesën e pandërgjegjshme të turmës:Mos u bëni pjestar të krimit edhe ju o të burgosur pa pranga dhe skllevër bindjësh naive!

Heroi qendror i veprës është i prerë për ti krijuar vet vetes një estetikë të veçantë mbijetese. Ai di të jetë i ftohtë dhe i alegorik me shërbëtorët e regjimit ,por i butë dhe i dashur me njerëzit e rrethit të tij. Dashuria e tij me Senën është një lloj sfide për një ambient të tillë ku mbijetesa ishte dhe mbetej qëllimi më parësor. Fryma egzistencialiste nuk e cënon aspak profilin e tij.Ngjyrat e gjalla të jetës dhe shpresës janë ende dominuese në këtë vepër.Në çdo hap të tij autori i rrethuar gjithmonë nga dashuria e nënës ,dhe kujtimi i babait të tij.Kjo i jep protogonistit edhe një dimension më shumë force përballë provokimeve dhe presionit të hetuesve dhe zyrtarëve brutalë të organeve të diktaturës.Figura e nënës sikur del nga blloku i shenjtë i kujtimeve të tij ,sa herë që gjendet në vështirësi dhe është një nga më të realizuarat në këtë vepër. Po kështu edhe karakteri interesant i xha Qamilit, Senës. Kujtimit te çmendur etj.Tek figura e Petraqit autri shpërfaq para lexuesit një anë të njohur të hetuesive të regjimit ,aftësitë e tyre kriminale për ti shpërfytyruar kundërshtarët e tyre.Ndonëse personazhet qëndrore janë përfaqësues të një brezi të humbur,në sytë e tyre bulëzon ende shpresa. Kjo sikur e mbron romanin në çdo moment nga disfatizmi dhe deheroizmi. Vuajtjet dhe martirizimi i tyre na bën ti shohim me neveri etiketimet djallëzore të misionarëve famëkeqe të Katovicës , se gjoja në Shqipëri të gjithë kanë qenë bashkëvuajtës dhe bashkë fajtorë ,gjë që bie ndesh me faktet e njohura historike.Në këtë kontekst qëllimi parësor i autorit duket se ka qenë edhe ringritja në piedestal e heronjve të nëpërkëmbur të demokracisë shqiptare ,dhe demaskimi i antiheronjve. Fakti që në këtë vend rrjedh ende vreri i punëve të këqija të këtyre misionarëve,dhe emri demokraci është ende larg, i jep të drejtë shqetësimit të autorit Hasan Bajo.Lulet e pjeshkës duhet përshëndetur kështu edhe si një memorie e artikuluar për një kohë pa liri dhe humanizëm,por edhe një akuzë dhe kujtesë për një regjim nga më barbarët që ka provuar ky vend deri mëtani.E keqja në këtë vend nuk vonon. Rreziku i rikthimit të saj egziston fuqishëm.Sinjale janë të dukshme.Ndaj vetvetiu të vjen në mend fraza e njohur dhe sinjifikative e Julius Fuçikut: Njerëz mos harroni!

Filed Under: ESSE Tagged With: "LULET E PJESHKËS", Agim Bajrami, AKTAKUZË PËR, DIKTATURËN KOMUNISTE, Hasan Bajo

MBRËMJA E DASHURISË QË PUTHET VEÇ ME METAFORA

December 10, 2015 by dgreca

Nga Pellumb GURI/Agim Bajrami është një ndër poetët me profilin më të spikatur këto vitet e fundit në poezinë tonë. Një mjeshtër i vargut, i vlersuar nga kritika e mirfilltë letrare, por edhe i nderuar me dhjetra çmime në manifestimet poetike në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë. Poezia e Agim Bajramit është e natyrshme, njerëzore, e sinqertë, e ngjizur me një dashuri që mundohet të rrokë gjithçka. Dhe kjo shprehet thjeshtë, me një varg  të shkëlqyer, pa sforcime e deklaratizma, ashtu siç është vetë Agimi, i shtruar e i qetë  si valle çame, i butë si myshku i drunjve të Gramshit, valëzues si bregdeti jonian dhe ëndërrues si një djalosh prej Cërriku. Agim Bajrami i shkrirë me poezinë, herë duke bashkëbiseduar me dashurinë, dhe herë duke u grindur me të, herë duke u ndalur për të thithur fllad deti, e herë duke ndalur vështrimin në mëngjeset plot diell, ata ecin bashkë pa u lodhur  për të rrokur maja të tjera.

Kështu mund të thuash me plot gojë edhe për vëllimin poetik të Agim Bajramit,“Mbrëmje të puthura”,një titull mjaft metaforik e i goditur, se mbrëmja nuk puthet lehtë, jo vetëm se është tepër fluide, por se shpesh herë e pjek figuracionin e tij poetik në një terren me shtrirje të madhe gjeografike.

Tematika e larmishme jo vetëm krijon hapsira për ta mbushur poezinë me një frymarrje të gjerë, por edhe për të pulsuar jetë e njerëzillëk në të, si punëtori e cigani, ashtu edhe varri i një të persekutuari, si dallga e butë e Shkumbinit, ashtu edhe emigranti e kënga e përmallshme e kumurisë së Elbasanit, si studenti me leksione nën sqetull ashtu edhe e krijuesit artist.

Poeti Agim Bajrami, nuk stonon as nga kërcënimet e vështirësitë, por ama preket thellë nga urrejtja e pavend dhe pasinqeriteti. Kështu me vështrim të sigurtë përpara, ai ndjen domosdoshmëri jetike dhe të kaluarën ,lashtësinë në udhën e tij poetike, ndaj shkruan: “ Unë kupën plot me diell e mbusha/ Dhe pi një gllëngë me lashtësi”. arrin ta shqiiptoje ate kryeide lirike, qe shtegtoi

Vargu i Agimit rrok serbes tokën dhe detin, ledhaton gruan e paputhur dhe vjeshtën e rënduar nga frutat, këndon në tavolina gëzimesh me miqtë, e cicëron me dallëndyshen në shtëpinë e vjetër edhe kur i këndon Çamërisë së pafat me copëza frymore:“Folmë pra, moj e uruar/ Ç’të zunë sytë asaj ane?”

Ditën e verës, festën popullore të elbasansve, ai e bën të këndshme më një gjetje të veçantë, i shqetsuar, dhe s’kupton se ku i humbi mëngjezi, por shpejt  e gjen dhe e jep versionin e tij  poetik:“Siç duket e ka thirrë në zyrë kuzhinieri/  T’ju bëjë nga një tavë ballokumi “.

Nganjëherë poezia duket sikur është deklarative dhe do të shprehë një sfidë ndaj jetës kryeneçe, por kjo thyhet shpejt nga uni poetik që është i shkrirë në gjithçka që ka jetë, dhe që është njerëzisht e pashmangshme. Edhe kur kallëzon padrejtësinë e një shtetari, edhe kur ndez kalimthi një cigare në udhë e sipër, edhe kur i merret goja t’i shfaqë dashurinë vajzës që do, edhe kur ulet në tryezë e pi një dopio raki me shokët, ai reflekton sinqeritet dhe rrezaton dashuri jete. Shumë e vret atë mungesa e sinqeritetit të shokut: “Më vratë mëngjeset /me nënqeshjen e ngrirë”.

Poezia e Agim Bajramit është si era dhe të përkëdhel në shpirt, ndaj ai nuk e harron mësuesin e tij të parë, por preket edhe “për një gjethë shelgu që vdes në fund të ujit”, drithërohet nga “fëshfërima e pishave të Gjinarit”ashtu siç bëhet melankolik kur kujton”muret e avllisë së vjetër”, i vjen keq edhe “për intelektualin që u persekutua” ashtu siç “përmallohet edhe për gjolin e shteruar”.

Ndjeshmëria është filli i artë i gjithë vëllimit poetik “Mbrëmje të puthura”. Poezi që gurgullojnë nga thellësia e burimit shpirtëror të ndenjave me plot frymëzim. Është meritë e autorit që krijon situata poetike të pëlqyeshme dhe të ndjeshme, në tematikë, në stil dhe në rritjen artistike. Poeti nga njëra anë me bukurinë shpirtërore krijuese, që në çdo varg është shpirti i tij, përcjell aq emocione, e lexohet rrjedhshëm me një popullaritet mendimi plot jetë e gëzim.

Nuk duhet të harrojmë asnjëherë, se poetët janë misionarë të ëmbëlsisë shpirtërore. Ata krijojnë poezi, në të cilat e paraqesin edhe portretin krijues, shpirtëror e jetësor të poetëve, paraqesin rolin e tyre. Agimi skalit si në shkëmb, vargje shpirti, të denja që u kushtohen krijuesve të fjalëve të shpirtit, poeteve. Të bukura, me frymë origjinale janë poezitë që u kushtohen: Naimit, Agollit, Kadaresë, apo poetëve fierakë te vdekur aksidentalisht ,ashtu edhe ata që u persekutuan nga diktatura e egër komuniste. Agimi nuk bën portrete të thata, por me intuitën poetike, ndjeshmërinë ndaj së bukurës shpalos mozaikun shumëngjyrësh përmes figurash dhe krahasimeve. Ndaj edhe kur e mbyt mallëngjimi hesht, mendon e mes mallit shkruan: “ka heshtur pena mbi fletore”dhe mundohet të gjejë forca për të bërë diçka për ta, të paktën t’u hedhë një tufë vargjesh si tufë lulesh.

Agim Bajrami penën e mban të mprehur, gjoksin e mbush me dashuri, thith frymëzim nga gjithçka njerëzore, dhe ashtu vrapon në garë me kohën, s’ka asnjë çast për të humbur, dhe mundohet të sfidojë gjithçka, ashtu siç përcjell mesazhin e madh me vargjet:“ Se koha rend si pa kuptuar/ Dhe mosha vetë si tren vrapon”.                                                                      

Filed Under: ESSE Tagged With: Agim Bajrami, Mbremja e Dashurise, Pellumb Guri

NJË MISIONAR PËR MISIONARËT

March 25, 2015 by dgreca

Refleksione mbi librin e Kadri Tarellit “Misionarë në udhën e dijes” /
Shkruar nga Agim Bajrami/
Refleksione mbi librin e Kadri Tarellit “Misionarë në udhën e dijes”
Fjala mësues, gjithmonë ka zgjuar e zgjon brenda meje përfytyrimin e një njeriu me një kulturë e përmasa krejt të ndryshme nga njerëzit e tjerë, qoftë edhe me punëtorët e shkrimeve që dinë të gdhendin e ta lëmojnë fjalën. Ndofta kjo ka të bëjë me lidhjet e forta që ky emër ka me fëmijërinë dhe shkollën tonë. Aq më shumë zgjerohet ky dimension, kur një mësues është edhe shkrimtar, apo gazetar i mirëfilltë.
M`i zgjoi këto përfytyrime libri “Misionarë në udhën e dijes”, i Kadri Tarellit, mësues dhe bashkëpunëtor i njohur ndër vite në shtypin tonë pedagogjik dhe më gjërë. Dua të them që në krye, unë i jap të drejtë vlerësimit të shkrimtarit dhe studiuesit Viron Kona kur thotë: “Në shkrimet e Kadri Tarellit lexuesit gjejnë tema që u intersojnë, që prekin “telat” dhe i venë në mendime…”.
Personalisht unë jam nga ata njerëz që përpiqem të mos më shpëtojnë pa lexuar shkrimet e miqëve, shokëve, apo të njohurve të mi, të çdo fushe qofshin. Ndonjëherë i lexoj sa për të mbushur një detyrim që kam ndaj tyre, por me shkrimet e Kadriut, jo vetëm provoj kënaqësi estetike, por mundohem të mbush edhe shumë zbrazti në njohuritë e mia në fushën e bukur dhe me shumë problematika të arsimit shqip.
“Misionarë në udhën e dijes”, del në një kohë të vështirë që po kalon shkolla jonë post komuniste, kur shumë koncepte e praktika të deriatëherëshme janë zëvendësuar e lënë mënjëanë. Duke ndjekur metodën e krahasimit dhe ballafaqimit, idetë dhe vizioni që shtron ky libër para lexuesit, janë aq të shumta dhe të gjëra, sa mund të krahasohen me vlerat e dhjetra simpoziumeve dhe konferencave shkencore të marra së bashku. E gjitha kjo ndodh, sepse përpara se autori të marrë pozicionin e gazetarit, mendon dhe shpërfaq së pari, staturën e mësuesit dhe drejtuesit të vjetër e me përvojë.
Të bëjnë përvete emrat e mësuesve të vjetër të arsimit shqip, të cilët, autori me mburrje e krenari i quan “Misionarë” dhe “Shenjtorë” të shqipes, duke shtruar pyetjen: “Ç`bënë më shumë misionarët e përhapjes së karishtërimit? Më tej vazhdon: “S`besoj se mësuesit tanë, këta “apostuj” të mësimdhënies e patën më të lehtë……” Figurat e tyre në libër zenë një hapsirë të madhe. Disa janë nderuar me titullin më të lartë “Mësues i Popullit”, disa “Mësues i Merituar” dhe të tjerë “Qytetar nderi i Durrësit”. Me shumë nderim portretizohet mësuesi Sulejman Ali Zalla, i “pagëzuar” nga populli si “Sul Shqipja”, më pas Prenk Kaçinari, Petrit Velja, Agim Shehu (profesori i kimisë), Eqerem Shijaku, Sabri Tuçi “Skulptor i Merituar”, Islam Alikaj, Zyber Sallaku, etj etj.
Libri ngjan si një zbërthim deri në hollësi i thënies së vjetër të Aristotelit: “Ata që edukojnë fëmijët mirë, duhet të nderohen më shumë se sa prindërit, sepse këta i dhanë jetën, ata i dhanë artin e të jetuarit mirë”. Këto fjalë u drejtohen mësuesve të të gjitha kohëve, që u shkojnë për shtat edhe mësuesve tanë të nderuar, që me përkushtim ndriçojnë mendjen dhe pasurojnë zemrat e fëmijëve dhe të rinjëve. Edhe shkrimet kushtuar figurës së tyre, tentojnë që në mënyrë sa më të thjeshtë të nxjerrin vlerat dhe gjurmët që ata kanë lënë në kohë e hapsirë. Nuk është e tepërt kur shumë nga këta krahësohen me emrat e profetëve të cilët edhe me gjakun e tyre kanë arritur të mbjellin fidanë të shëndoshë në trpin e atdheut. Jeta dhe veprimtaria e pashembullt e tyre është model për të rinjtë, që me idealizëm guxojnë të hyjnë në rrugën e mësuesisë. Më kanë mbetur në mendje fjalët e Fadil Elezit, ish drejtor i shkollës “Met Hasa”, në Portoromano të Durrësit, si mesazh drejtuar “misionarëve” të rinj: “Një jetë e tërë e trazuar me gëzimet dhe shqetësimet që sjell puna fisnike e mësuesit. Një privilegj që i takon vetëm atyreve, që të mbeten përherë të rinj në shpirt”….
Me fotoaparatin e përditësisë, syrit të Kadriut nuk mund t`i shpëtojnë edhe mësues që s`para mburren e s`bien në sy, por që kanë një shpirt të madh e mendje të ndritur, si bie fjala: Hasan Ulqini, Lirim Harka, Mustafa Faja, Ibrahim Enesi, etj. Bukur e me ngrohtësi shkruhet për Muzemil Osmanin, me rrënjë nga Çamëria, që mban titullin “Qytetar nderi i Durrësit”, mësues e matematikan i palodhur i arsimit durrsak, hartues e botues librash. Duke ndjekur këtë hulli të vlerësimit të mësuesve, mendoj se u shkon përshtat, ndaj autori me shumë dashamirësi i quan “ambasadorë” të shpirtit dhe kulturës shqiptare, mësuesit veprimtarë, Rukije Rama në Belgjikë dhe Sokol Demaku në Suedi, që jetojnë e punojnë në mërgim, të cilët sakrifikojnë edhe nga vetja, për të mbjell farrën e shqipes te fëmijët e bashkëatdhetarëve tanë. Në një farë mënyre shkrimet për ta, janë një apel ndaj mediave tona që tregohen shumë të kursyera ndaj këtyre “Misionarëve” në diasporë, le pastaj qesëndisjen e zyrtarëve tanë, që siç thotë Kadriu: -“Ambasador”? Po si shkoi në Suedi pa “fermanin” dhe vulën tonë?”….
Duke i parë një nga një, të gjithë sa përmenden në libër, janë pesonazhe të cilët vetëm një penë dashamirëse e pakompromis si ajo e Kadriut, arrin t`i gdhendë kaq bukur. Secili prej tyre aq sa është një jetë më vete, aq mund të konsiderohet, një copë, apo fragment i çmuar në tërësinë e historisë së shkollës shqiptare.
Që në krye të librit bie në sy përdorimi i fjalëve të urta e të mençura, të qëmtuara nga personalitete të mendimit botëror dhe nga rilindasit tanë të ndritur. E gjitha përbën një punë mjeshtërore, pasuri e gjetje interesante, sepse çdo thënie të fut në brendësi, duke përcjellë mesazhin universal të mësimit dhe edukimit me norma qytetarie e shqiptarie. Duke lexuar librin, më ngjason se po bisedoj me një plak të urtë e të mençur, i cili pasi ka gjezdisur shumë në jetë, nuk pranon të flasë shumë, por të ve para pasqyrën e të vërtetës dhe të thotë: “Kjo është jeta, këta janë njerëzit, kjo është koha të cilën e kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë këta”.
Më bën përshtypje, ndaj ndjej të ve në dukje gjuhën dhe stilin e veçantë të shkrimeve, qofshin redaksionale, reportazhe, apo portrete, sepse idetë, përcillen përmes pyetjeve që në titull, shpesh pa zbukurime e llafe të shtuara. Gjykoni vetë kur të lexoni disa prej tyre: “A do të gjendet ilaçi kundër dhunës?”, “Kujt i vret veshët dhe sytë gjuha shqipe?”, “A ka doganë për fjalën e huaj? Po “doganier” kush është?”, “Pse je plakur matematikë!?”, etj. Mendoj se është gjetur forma më e mirë, për të goditur në thelbin e çështjeve. Kështu, me fjali të shkutra, rrëfimi bëhet më i kursyer. Autori, me përvojë të gjatë në arsim, gëzohet e trishtohet, ngre probleme, kërkon e shtron zgjidhje, më shumë bisedon e diskuton me lexuesin, shpreh shqetsimet, pyet dhe përgjigjen ia le po këtij të fundit t`i mendojë.
Më pëlqejnë reportazhet, jo vetëm se, që në krye ka një thënie brilante të Muamet Gazali: “Zemra dhe mendja janë dy gjëra që e bëjnë njeriun të përsosur……”, por më shumë për mesazhin që përcjellin te lexuesi, e sidomos te kolegët mësues e drejtues, se “Shkollës nuk duhet t`i humbasë asnjëherë identiteti kombëtar”. S`besoj se ka mbetur shkollë në Durrës, që mos të ketë një copëz vend në faqet e këtij libri, ku çdo shkrim veç të veçantës së gjetur, ka vlera përgjithësuese për këdo që punon, apo aspiron të bëhet mësues. Lexoni shkrimet kushtuar shkollave “Vinçenc Prendushi”, “Demokracia”, Qemal Mici, “Gj. Kastrioti”, “N. Frashëri”, “14 Nënrori” dhe “Kasa” e “Iliria” në Plazh, do të bindeni e do të më jepni të drejtë për gjykimin tim. Aq më shumë kur bëhet fjalë për koncepte të mësuesve dhe nxënësve, si bie fjala karakteristikat e nxënësve, apo ligjshmërinë në aktet normative, e më pastaj “Braktisja e shkollës”, dhe me tej akoma, detyrat dhe të drejtat e nxënsve, duke pyetur: “Kërkojmë të drejtat, po detyrat?”.
Pavarësisht se shkrimet janë publikuar kohë më parë në shtyp, (autori i shënon datat), ato tingëllojnë sikur janë shkruar sot. Kështu që me të drejtë gjykoj, se në kërkim të kohës së duhur, për të mos qënë asnjëherë vonë, pyetjet e autorit kthehen në një thirrje qortuese. Të gjitha këto i japin librit vlerën e një doracaku, për t`u përdorur e mbajtur mbi tavolinë nga çdo mësues e drejtues shkolle.
Nuk e di pse autori është ngutur të fusë në libër shkrime letrare, historike dhe analiza e reçensa librash, të cialt spikasin për tematikën e gjetur. E them këtë, se këto shkrime me vlerë artistike e njohse, duke pasur parasysh edhe shumë të tjera që autori ka e po publikon në vazhdim, mund të përmblidhen më vete, në libra të tjerë. Këtu po përmend disa tituj:, “Nga loti i nënëve deti u bë i kripur”, “Këmbana e dshurisë”, “Manastiri i “Shën Naumit”, perlë dhe plagë e historisë së shqiptarëve”, “Biro! Na e ngjallët Çamërinë. Kur këndohej kënga e Çelo Mezanit”, “Heronjtë e Kosovës Haki Taha e Bajram Gashi (Salihi), mësues në Shënavlash, etj, etj.
Në fund dua të shtoj, se “Misionarë në udhën e dijes”, i Kadri Tarellit, është një libër i rëndë, për mesazhet dhe problematikën që shtron, sepse arrin të mbjellë një frymë të re analitike e studimore në peisazhin në të cilin gjendet sot shkolla jonë, në Durrës e në shkallë kombëtare. Me këtë rast theksoj se, kur vlerësimet përzihen natyrshëm me kritikat dhe vërejtjet e drejta, dhe kur dalin prej penës së një personaliteti të njohur të arsimit e kulturës shqiptare, kanë vlera të pakontestueshme, për sot e për nesër.
Uroj autorin për libra të tjerë po kaq të mirë!(Ne Foto: me shkrimtaret durrsake)
Durrës më 24. 03. 2015

Filed Under: Opinion Tagged With: Agim Bajrami, e Kadri Tarellit “Misionarë, në udhën e dijes”, Refleksione mbi librin

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT