Noli dhe shtypi shqiptar në vitet 30-40/ Letërkëmbim arkivash/ Noli dhe idetë tij prej patrioti demokrat/
Nga Agim Xh. Dëshnica/
Më 6 janar 1882, lindi në Ibrik Tepe të Turqisë Fan S. Noli. Ky shkrim dokumentar synon të paraqes vetëm një pjesë nga jeta e larmishme e këtij patrioti të madh demokrat.
Në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, “Shqipënija më 1937”, me rastin e kremtimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në kreun për historinë e kultures, shkruhet: “me të janë lidhur emnat më të bukur e më të mallëngjyer të shkrimtarëve t’onë të kaluar. Çdo alfabet pati një serë të gjatë asi shkrimtarësh, po mbi të gjithë vetëm katër shkëlqejnë si yje të pa shoqë, Naimi, Fishta, Konica e Noli,” Në albume të përkryer me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, ndrinte dhe portreti i hijshëm i Fan S. Nolit. Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të flasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore në një varg lajmesh, ndihet shqetësimi i madh i Nolit për fatin e Atdheut përballë fashizmit dhe komunizmit. Ai është i gatshëm të bashkëpunojë me të gjithë ata që janë ngritur dhe përpiqen për shpëtimin e popullit shqiptar nga çdo rrezik. Për mungesë hapësire japim vetëm pak njoftime që nisin nga viti 1939 deri më 1968.
Dielli, 7 dhjetor 1939. Nën titullin „Flamuri ynë”, shënohet.“ „U ngrit më 28 nëntor 1912 – u robërua prap më 12 prill 1939… Fjala e Peshkop Nolit i shton shpresat e popullit për çlirimin e Shqipërisë“…Lufta që po bëjnë aleatët në Evropë, ka për qëllim mbajtjen e qeverimit demokratik edhe shpëtimin e kombeve të vegjël nga robëria e fuqive lakmonjës. Shqiptarët duhet të punojnë për lirinë e tyre kombëtare, se liria nuk fitohet pa sakrifica.“
Dielli 27 mars 1943. Pas marrjes së letrës nga Tajar Zavalani F. S Noli shkruan kryeartikullin: „Origjina, shvillimi, dhe e pritmja e Bashkimit të Shenjtë“:…Atëhere puna mbeti t’i flisja Faik Konitzës dhe t’a fitonja për idenë e Bashkimit të Shenjtë. Konitza kundërshtoj me rreptësi Bashkimin e Shenjtë me Zogun në krye… Luftova disa dit’ e net me radhë që t’i mbushnja mendjen që s’kish tjatër më e mirë se kjo. Më në funt Konitza u bint. U bint dhe qendroj në fjalën e tij gjer në orën e vdekjes.“
Dielli 11 gusht 1943: „Lufta në Shqipëri nukë pushoj kur shkelnë italianët Shqipërinë të Premten e Zezë. Populli shqiptar nukë dha armët atë ditë të zezë; i fsheu a i hodhi mi sup dhe mori malet.“ Po në këtë datë njoftohen emrat e komandantëve antifashistë: „Kapiten Hysni Lepenica, Myslim Peza, Dr. Safet Butka, Kolonel Bajraktari, Baba Mustafa, Kristo Peshtani dhe Karagjozi etj.„
Dielli 18 shtator 1943: „Mbreti Zog kërkon hyrjen e Shqipërisë në rrethin e Kombeve të Bashkuara.“
Dielli 25 shtator 1943: Balli i Çlirimit Kombëtar dhe Zogu kërkojnë si dhe tërë patriotët e vërtetë bahkimin e gjithë Shqipërisë.
Dielli 2 tetor 1943: „Fjalë e Imzot Nolit në radio ka bërë përshtypje të madhe në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.“
Noli dhe idetë tij prej patrioti demokrat
Ashtu si më parë edhe pas vitit 1946, Fan S Noli nuk ka pasur asnjë iluzion për sistemin komunist, si në Shqipëri ashtu dhe në botë. Mjafton të lexohen letrat e dërguara Konicës, ku zhvlerson librat “Kapitali”e “Manifesti Komunist.” Manifesti i vërtetë i Nolit, është krijimi i ndritur, Hymni Flamurit. Për idetë që mbart kjo poezi optimiste mjaftojnë vetëm dy strofa:
O Flamur gjak, o Flamur shkabë,
O vënt e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, Flamur i zi !
Flamur që lint Shën Kastandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin ,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.
Më 1944 me urdhër të E. Hoxhës, pas torturash shtazarake, do të vritej patrioti demokrat, ish kryetari i Shoqërisë Bashkmi Zai Fundo, teksa luftonte krahas nacionalistëve shqiptarë për lirinë e Kosovës. Për këtë akt barbar Noli u shpreh: “Ç’i mbetet Shqipërisë, po i prishëm njerëz të mëdhenj, si Fundoja?”
Në 18 tetor 1951, Noli bënte të ditur: „Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë një anëtar i një organizate komuniste. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam bërë një predikim komunist ose prokomunist ose antiamerikan. Përkundrazi unë kam lartësuar udhën demokratike Amerikane të jetës dhe theksova faktin historik se Shqipëria i detyrohet për indenpendencën e saj krye krye Amerikës e në mënyrë të veçantë Presidentit Uillson. Kurrrë kisha ime, as unë nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Synodhe ose Patriarkati të huaj, komunist ose tjatër. Si Kishë Orthodokse Shqiptare në Amerikë, të cilin e kryesoj, kjo është në pikpamjen administrative indipendente. Unë nuk kam të bëjë as me emërimet as me dorëheqjet e peshkopëve ose të arkipeshkopëve në kishat orthodokse të Shqipërisë. Kështu që, unë nuk jam përgjegjës në asnjë mënyrë për dorëheqjen e Kryepeshkopit Kisi dhe emërimin e pasardhësit të tij, Kryepeshkopit Vodica.
Në librin origjinal „Album-II 1966“ Boston të Nolit, fshehur prej syve të lexuesve në kohën e diktaturës, në parathënien e ish kryeredaktorit të Diellit, Qerim Panariti del në shesh e vërteta rreth poezisë satirike‚ “Sulltani dhe Kabineti“, botuar në gazetën Dielli më 1961, kundër diktatorit Hoxha dhe qeverisë së tij, e komentuar krejt ndryshe nga analistët komunistë: Po në këtë parathënie shkruhet edhe për ngjarjen aq shumë të përfolur, e mbërritjes së një legate apo grupi diplomatësh sovjetikë në Tiranë, pa dijeninë e kryeministrit Noli dhe ministrit të jashtëm e shpërdoruar nga historianët komunistë, si një fakt simpatie ndaj BS: „Kundërshtarët e Nolit“-shkruan Panariti– „s’kanë hequr dorë as sot që t’i ngjitin vulën e kuqe; s’kanë hequr dorë as sot, kur Noli s’është më me neve që të mpronjë veten. Po të kishin kundërshtarët e Nolit vetëm një çerek derhemi mënt në kokë dhe pakëz fisnikëri, do ta merrnin me mënt, që dhe sikur të deshte Noli të lidhte relacione diplomatike me Bashkimin Sovjetik , kushtet politike në Shqipëri në Dhjetor 1924, ishin aq të mërzitura sa Noli pothuajse po pregatitej t’i linte shëndet Shqipërisë përgjithëmonë.“ Këtë problem e ka trajtuar edhe Prof. Robert C. Austin. Pas shqyrtimit të mjaft dokumenteve arkivore, ai arrin në përfundimin, se në një kohë, kur midis shteteve europiane dhe Bashkimit Sovjetik ishin vendosur lidhje diplomatike, gjithashtu dhe qeveritë shqiptare, kishin zhvilluar bisedime për lidhje të njëjta, pa pritur e pa dijeninë e Nolit më 16 dhjetor 1924 një delegacion diplomatësh sovjetikë mbërriti në Tiranë. “Ministria e Jashtme”,- shkruan Prof. Austin– “njoftonte më 17 dhjetor Nolin se vizat i kishte dhënë konsulli në Vjenë…Më 18 dhjetor u njoftuan Përfaqësitë Diplomatike se, për shkak të situatës ndërkombëtare, delegacionit sovjetik prej tetë vetësh i ishte kërkuar të largohej dhe i gjithë grupi ishte nisur për në Itali po atë mbremje… “
At Artur Liolin në shkrimin Noli dhe komunizmi“ sqaron: “Pasi Noli mësoi mbi egërsitë e regjimit komunist në Shqipëri, ai u distancua, gjë që duket qartë, kur ai nuk pranoi të kthehej asnjëherë në Shqipëri, as për të marrë titujt e ofruar nga Qeveria Komuniste- pa tjetër për qëllime të errta komprometuese–dhe as për hulumtime shkencore, as për të hyrë në çështje të mjegualluara fetare.Në fund , si mund ta ftonte senati i shtetit të Masaçusetsit Nolin për të dhënë bekimin e hapjes së sesioneve të vitit 1963, nëse Noli do të ishte një „komunist?“ Apo si mund ta ftonte Nolin „komunist“ presidenti Lindon Xhonson posaçërisht në Shtëpinë e Bardhë në korrik 1964 për të bekuar në Uashington dhe për të dhënë fjalimin me rastin e 400 vjetorit të Shekspirit? Argumentet ndryshe nuk pinë ujë.“
Letërkëmbim arkivash
Seria e letrave zyrtare me Qeverinë Komuniste për çështje të rëndësishme kombëtare gjatë vitit 1946, na bën me dije për shqetësimin e madh të Nolit për Atdheun. Në fund të atij viti, ndihet zëmërimi i tij ndaj sjelljes së delegatëve që dërgonte E. Hoxha për bisedime me porosi të rrepta. Pas kritikave dhe lajmeve të hidhura që arrinin nga Shqipëria, më 1947 “bekimet” e marrëdhëniet diplomatike të Nolit kanë marr fund. Vatra patriotike do të cilësohej:“organizatë reaksionre që kaloi në mbrojtje të politikës antishqiptare të qeverisë Amerikane. Në vitin 1960 pjesa patriote u largua prej saj dhe krijoi organizatën “Shqpëria e Lirë.”(?!) Pra, një shtrëmbërim ky, kur dihet se kjo organizatë, u krijua me nxitjen e ndihmën e qeverisë komuniste. si kundërshtare e Vatrës Një dokument domethënës, botuar në gazetën Dielli, janar-mars 2003, flet qartë për sa u tha më lart:
RPSH
Ministia e P. të Jashtme V.F.L.P.
N. 353-19 Res. Pers. Tiranë 1947
Promemorie
Shokut Thedhor Heba
Nga informatat e sigurta që kemi, na rezulton se ndër Shqiptarët e Amerikës, të cilët e kanë simpatizuar lëvizjen t’onë nacional-çlirimtare po shënohet një ftohtësi ndaj Pushtetit Popullor, dhe është frikë që kjo ftohtësi me kohë të marrë proporcione të gjera…Ki parasysh se ka edhe disa reaksionarë, që me propagandën e tyre, po mundohen t’a ushqejnë ftohtësinë në rradhët e shqiptarëve ndaj nesh…
Do të marrç kontakt me të gjithë ata që kanë një farë influence dhe do të jeç në lidhje të vazhdueshme me krerët e Shoqërisë Vatra dhe Organizatës Shqipëria e Lirë. Po fshehurazi besimin duhet t’a mbështetësh vetëm ndër krerët e “Shqipërisë së Lirë”..“Vatra“ dhe „Dielli“ kanë një histori dhe të kaluar të shkëlqyer dhe lidhen tepër ngushtë me traditat kombëtare. Prandaj është zor që ato të vazhdojnë të përkrahin regjimin t’onë tek i cili çmojnë vetëm luftën e çlirimit po nuk pranojnë ideologjinë dhe sistemin e tij.
Shokut Dr. John T. Nasse,*) do t’i dorëzosh të hollat**) dhe do t’i rrëfesh, vetëm sa për të marrë njoftim të përmbajtjes së saja, letrën që i drejtohet atij dhe i bashkangjitet kësaj Promemorie.”
P. Ministri i P. të J
Hysni Kapo d.v)
P.S –*) Dr. J T Nase, përkrahës i regjimit komunist në Shqipëri. Kryetar i Shoqërisë Shqipëria e Lirë me gazeten, ”Liria.” **). 5000 dollarë.
/Përkujtimi i Nolit /
Me rastin e 100 vjetorit të lindjes, në vitin 1982 Federata Vatra dhe UNESKO, përkujtuan me nderim Fan S. Nolin, në mbledhje të posaçme shkencore, ashtu siç i takonte birit të Kombit Shqiptar. Asokohe në Shqipëri u botua një shkrim fyes ndaj tij, në gazetën Bashkimi, përgatitur nga kalemxhijë me gjasa “nolistë”, nënshkruar nga diktatori E. Hoxha. Për anëtarët e partisë ky shkrim qe një urdhër, të mos merrej pjesë në Konferencën përkujtimore! Shumë ftesa u anulluan. Salla e Kuvendit e caktuar më parë, u zevendësua me sallën e vogël të Institutit të Lartë të Arteve. Në qendër të presidiumit, ngrihej busti i diktatorit i ndriçuar nga prozhektorët. Lart në këndin e djathtë, fotografia e Nolit e zvogëluar tej mase me urdhër të sekretarit shkencor të Akademisë së Shkencave, kish humbur në muzg. Për cilin bëhej mbledhja përkujtimore, për Fan Nolin apo Enver Hoxhën? Ata që ishin ulur lart, u njoftuan të zbrisnin poshtë dhe së bashku me dëgjuesit në fund të sallës të afroheshin në katër radhët e para. Në ato çaste kur hidhje sytë drejt fotografisë në kënd e dëgjoje kumtesat e profesorëve, kishe përshtypjen se Noli, në shenjë proteste, ishte larguar nga salla. Për Nolin në Shqipëri, nuk u ngrit asnjë përmendore. Emri i tij nuk u vendos në asnjë institucion shkencor, madje në asnjë shkollë të mesme. Me anën e botimeve të cunguara u kuptua se numëri i veprave të Nolit nuk duhej të kapte nivele të larta. Në ndërtesën e Akademisë së Shkencave fotografi të shumta të diktatorit vareshin kudo dhe busti i tij zbardhte në ballë të sallës së mbledhjeve. Befas një punonjës i Akademisë, zbuloi në Qendrën Arkeologjike, ndërmjet arkash të mbuluar nga kartona, letra dhe pluhur, bustin e Skenderbeut, vepër e skulptorit të shquar Odhise Paskali. Të rimkëmbur e mbarti për në Akademi. Kohët ndryshuan, perdja e hekurt u gris, muri i Berlinit u shëmb, shtatoret e tiranëve u rëzuan. Në selinë e Akademisë së Shkencave, fotografitë dhe busti i bardhë i diktatorit u zhdukën. Tashmë çdo vizitor atje merr frymë lirisht tek sodit Skënderbeun dhe Fan S Nolin.
Dielli në kohën e re/
Federata Panshqiptare Vatra me gazetën Dielli në fillim të viteve 90, u shpërngul në Nju Jork. Kryetari i sotëm i Vatrës është patrioti Dr. Gjon Buçaj. Kjo organizatë atdhetare, me gazetën e historike Dielli, vijon të jap ndihmesën e saj për çështje të ndryshme kombëtare. Vatra dhe Dielli janë burime të pashtershme në shërbim të historisë së vërtetë të Shqipërisë dhe të figurave të shquara të kombit. Në përfundim nga shkrimet përkujtimore veçojmë: Dielli, Janar –Mars 2005.
Konica për Nolin: „Ç’humbje, që nuk i jepet rasti të organizojë në Shqipëri një universitet popullor. Leshzi me sy të mprehtë, një fizionomi e qeshur , gati të pres një shaka dhe ta kthejë me uzure, mendjehapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave. Atë Noli nga kultura dhe karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes Italiane.“
Ernest Koliqi: „Stefan Stilian Noli, një ndër personalitet ma të spikatuna qi shprehi nga gjini i vet kombi shqiptar, paraqitet si nji fytyrë poliedrike, d.m.th. e shumanëshme.“
Hasan Dosti: „Fan Noli ka qenë një fytyrë qendrore në historinë e vendit tonë. Ky simbolizon sinthezën e virtyteve të racës arbërore.“
Agim Vinça: „Noli nuk qe asnjëherë indiferent karshi dramës tragjike të popullit shqiptar të mbetur padrejtësisht jashtë kufive shtetërorë, pas vitit 1913, edhe pse kishte lindur jashtë atdheut, në një koloni në Turqinë Evropiane , ai do ta shohë Shqipërinë, jo si torzo të vitit 1913-s, por si tërësi etnike. Si krijues, si publicist edhe shpirtëror, por edhe si burrë shteti, ai e ngriti zërin kundër dramës tragjike në Jugosllavi dhe në Greqi, në regjimet e tyre monarko-fashiste, në vitet 20-30 të këtij shekulli, por edhe më vonë. Kosova dhe Çamëria ishin për të plagë që kullojnë gjak në trupin e kombit.“
Prof. Robert C. Austin: „Zëdhënësi kryesor i një Shqipërie republikane dhe të demokratizuar ishte Peshkop Fan S Noli, i vendosur të ç’rrënjoste trashëgimin 500-vjeçare të sundimit osman. Edhe pse pa dyshim ishte e dukshme për momentin fitorja e përkohëshme e Nolit përfaqësonte mundësinë e fundit për ndryshimin e doktrinës qendrore të politikës së brendëshme dhe të jashtme të Shqipërisë.“
Leka i I: „Lajmi i hidhët i humbjes së patriotit të madh të Monsinjor Nolit na shqetësoi së tepërmi . Shërbimet e mëdha, që ka sjellë Atdheut kanë qenë e mbeten përgjithmonë të çmueshme . Shpirti i Tij u qetësoftë në paqe e qetësi. „
Princi Skënder Zog:“Fan S Noli ka qenë një patriot dhe shkrimtar i madh.”
Të “fortët” profesorët e djeshëm, këto shkrime e deklarata nuk dëshirojnë t’i prekin. Dje u digjeshin duart, sot u mpihen.
Rrëfimi i Nolit, vargu i gjatë i dokumeteve dhe i shkrimeve nga autorë të shumtë, hedhin dritën e së vërtetës, për jetën e tij politike në përputhje me fazat e zhvillimit të ngjarjeve historike. Udha e shkelur prej këtij atdhetari të madh, duket qartë tek shkon drejt përëndimit të praruar europian dhe amerikan, për lumturinë e popullit dhe lulëzimin e Atdheut.