• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Para 6 viteve u shua Akademik Mark Krasniqi

August 28, 2021 by s p

-Gazeta DIELLI në 29 Gusht 2015:  Mark Krasniqi ishte nje nder miqte e shquar te Vatres/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 28 Gusht 2021/  Para 6 vitve, në 28 Gusht 2015, Akademik Mark Krasniqi ndërroi jetë në moshën 95 vjeçare pas mesnate rreth orës 00:35 minuta në Qendrën Intensive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku ishte  shtri dy ditë më parë pas një përkeqësimi të shëndetit të tij.Gazeta DIELLI në 29 Gusht 2015 bashkë me shkrimin e korrespondentit në Kosovë  për shuarjen e Akademik Mark Krasniqit botonte edhe shënimin redaksional me titull “Mark Krasniqi ishte nje nder miqte e shquar te Vatres”, ku  theksohej:

 Akademiku Mark Krasniqi, qe u shua ne Kosove, me 28 Gusht 2015, ishte dhe nje mik i shquar i Federates Panshqiptare te Amerikes ”VATRA”. Ai ishte i ftuari i Vatres edhe ne pervjetorin e Pavaresise se Kosoves me 2011 dhe folesi i darkes. Bashkepunimi ka qene edhe me i hershem mes Vatres dhe akademikut Krasniqi. Te gjithe vatranet ndjehen te prekur nga ikja e akademikut Krasniqi dhe ngushellojne familjen dhe te gjithe miqte e te ndjerit. Ndiqeni kroniken qe dergoi bashkepunetori i Diellit nga Prishtina, gazetari Behlul Jashari me 28 Gusht 2015.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njoftonte në një deklaratë se,  në ora 00:35 minuta të mëngjesit, në spitalin e Prishtinës, vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dijetari, intelektuali, profesori dhe veprimtari i spikatur i kauzës sonë kombëtare, akademik Mark Krasniqi. Është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën, Akademinë, për kulturën shqiptare, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe e gjithë bota shqiptare.
Mark Krasniqi lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës, ku e kreu shkollën fillore, kurse gjimnazin e mbaroi në Prizren në vitin 1941. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), ndërsa në vitet 1946-l950 gjeografinë dhe etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua më 1950. Në vitet 1945-1946 punoi gazetar-redaktor në gazetën “Rilindja” në Prizren, ndërsa në vitet 1947-l949 gazetar-redaktor në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe).
Në vitet 1950-1961 ka punuar fillimisht si asistent e pastaj bashkëpunëtor shkencor në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd. Në vitin 1960 mbrojti doktoratën në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës. Në vitet 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri atëherë kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ushtroi disa herë detyrën e prodekanit dhe të dekanit të Fakultetit Juridik-Ekonomik, ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Ka botuar dhjetra libra shkencorë e letrarë dhe shumë tekste publicistike e shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezishë.
Me punën e tij shkencore, para së gjithash në fushën gjeoetnografike, të mbështetur në fuqinë e argumenteve shkencore, arriti ta studiojë dhe pasqyrojë realitetin kompleks hapësinor e shoqëror të Kosovës dhe ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke bërë emër përtej suazave të Kosovës dhe atyre kombëtare. Të gjitha këto angazhime të tij ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar. 
Për punën shkencore dhe angazhimin e tij në planin shoqëror, politik dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata, ndër të cilat edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga Presidenti historik I. Rugova në vitin 2003 dhe çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, B. Nishani në vitin 2014. 
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shprehte ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare…

Në 28 tetor 2010, Akademikut Mark Krasniqi, deputetit më të vjetër kosovar të të gjitha mandateve të pasluftës, iu urua 90-vjetori i lindjes në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Unë do ta shfrytëzoj rastin që edhe në emerin tim edhe të deputetëve t’ju uroj 90-vjetorin e lindjes”, iu drejtua kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniq, akademikut Mark Krasniqi, duke e falënderuar në përfundimin e fjalës së tij në deklarimet e deputetëve jashtë rendit të ditës.

Urimi i kryeparlamentarit për akademikun dhe deputetin që kishte hyrë  në dhjetëvjetëshin e dhjetë të jetës u përcoll përshëndet me duartrokitje.

Akademik Mark Krasniqi në deklaratën e tij  në seancën plenare të Kuvendit shpreh shqetësimin se “sovraniteti i Kosovës nuk është i plotë”,  duke u angazhuar që të bëhet i plotë dhe duke tëhequr vëmendjen edhe për veprimin e stukturatve të Serbisë në disa pjesë të Kosovës.

Ai shprehu shqetësimin edhe për “harrimin  e veriut të Mitrovicës” dhe bëri thirrje që mbi të gjithë të jetë interesi i shtetit të pavarur të Kosovës, mbi të gjitha interesat partiake, personale e të tjera.

Ai tha edhe se “eksterritorialiteti është heqje dorë nga pjesë të territorit të Kosovës dhe dhënie tjetërkujt që t’i administrojë”.

“Këto janë gjera që nuk duhet t’i pranojmë në asnjë mënyrë…Kur është interesi i Kosovës, i territorit, i sovranitetit, aty nuk duhet të pranojë askush asnjë gjë. Madje, këto gjëra duhet t’i vendosë Parlamenti, e jo Qeveria”, theksoi akademik Krasniqi.

Ai theksoi mbështetjen për komunitetin serb dhe të gjitha komunitetet në Kosovë dhe u angazhua edhe që “të drejtat e bartabarta të jenë  për të gjitha komunitetet e jo vetëm për komunitetin serb”.

“Ne jemi për komunitetin serb dhe për të gjithë që t’i kenë të drejtat maksimale të Evropës Perëndimore, por jo edhe të jenë në dallime shumë të mëdha me të drejtat e komuniteve tjera”, tha  akademik Krasniqi. Ai foli edhe për rëndësinë e madhe të regjistrimit të popullisë, të munguar gjatë 30 vjetëve, e që do të bëhej në vitin 2011, për domosdonë e luftës kundër korrupsionit dhe për angazhime të tjera për të mirën e Kosovës, duke u angazhuar për më shumë suksese në të gjitha fushat në shtetin e ri.

Filed Under: Featured Tagged With: akademik Mark Krasniqi, Behlul Jashari, Ibrahim Rugova

VATRA- KRONIKE E AKADEMISE PERKUJTIMORE NE NDERIM TE AKADEMIK MARK KRASNIQI NE NJU JORK

September 7, 2015 by dgreca

-Bashke me Kroniken e veprimtarise perkujtimore edhe fjala e Kryetarit te Vatres dr. Gjon Bucaj, mesazhi i Presidentit te nderit te Vatres, Agim Karagjozi dhe fjala e zv.Kryetarit Agim Rexhaj/

Me 5 shtator 2015 VATRA organizoi nji aktivitet për përkujtimin e akademik Mark Krasniqit, i cili vdiq pak ditë ma parë dhe u vorros në Prishtinë. Perkujtimi u zhvillue ne Royal Regency Hotel dhe filloi para orës 11:30 të ditës dhe zgjati rreth dy orë. Aktiviteti u zhvillue në mënyrë krejt spontane ku, përveç kryetarit Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës, folësit tjerë shprehën kujtime dhe mbresa përsonale për lidhjet miqsore, nga takimet e ndryshme që kanë pasë me Profesorin e njerë. Drejtimi i aktivitetit iu ngarkue zotit Besim Malota i cili ka pasë marrëdhanje të ngushta, edhe familjare, në shpinë e të cilit profesor Krasniqi ka ndejtë të shumtën e kohës sa herë që ka ardhë në Shtetet e Bashkueme. Në fillim ai përshëndeti dhe ngushlloi të pranishmit për humbjen e akademikut të shquem si dhe për dy kolegët tjerë të tij që mbrenda pak ditësh u ndanë nga jeta, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Mbas nji minut heshtje për të tre, ai ftoi kryetarin Dr. Gjon Buçaj i cili foli në emën të Vatrës. Agim Rexhaj mik përsonal shprehi dhimbjen e madhe dhe vlersoi plot emocion humbjen e randë me përshkrime të kontakteve të shumta miqsore që ka pasë. Liridona Malota të cilës profesor Krasniqi i ka dhanë emnin kur ka lindë, në vjetin 1991 ai gjindej në Amerikë “tue kërkue lirinë”, dhe i dha emnin Liridona, emën me të cilin i ati u pajtue me kënaqsi. Harry Bajraktari i cili kishte marrë pjesë në vorrim përshkrou nderimet që Akademikut iu banë në Kosovë dhe solli kujtime nga bashkpunimi me të ndjerin. Ai gjithashtu solli për Vatrën nji ekzemplar të librit të fundit, i cili u botue me shpenzimet e tij në mënyrë të përshpejtueme nji ditë para vdekjes. Idriz Lamaj, Marjan Cubi, Tomë Paloka edhe Mithat Gashi vlersuen lart veprën e profesor Krasniqit dhe përpjekjet e tij të palodhshme deri në fund të jetës për Kosovën, për kombin shqiptar dhe për bashkimin e trojevet etnike. Profesor Mithat Gashi lexoi poezinë “Kosovës” të shkrueme kur autori ishte 22 vjeçar, student në Itali me bursë të Ministrisë së Arsmit të Shqipnisë. Në fund nipi i Profesorit, Martin Krasniqi, falënderoi të pranishmit dhe, prej këtij tubimi, i drejtoi mirënjohjen Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës për përcilljen shumë dinjitoze të axhës Mark në pushimin e mbram. Gjatë programit, i cili ishte i lirë dhe folësat u shprehën simbas deshirës së tyne, u treguen disa pjesë filmike të përgatituna mjeshtrisht nga z. Dritan Haxhia, ku fliste vetë Akademik Krasniqi. Në të mramin fragment filmik, për realizimin e botimit të librit të fundit ai falënderon Hajdar Bajrakarin dhe redaktorin Bajrush Morina. Me zanin e lodhun shqiptoi porosinë për shqiptarët: Mos hiqini dorë kurrë nga Bashkimin Kombëtar. 

FJALA E DR.GJON BUÇAJ KRYETAR I VATRES MBAJTUR NE AKADEMINE PERKUJTIMORE/

Në përkujtimin e Akademik Mark Krasniqit – 5 shtator 2015, New York

Me rastin e vdekjes së Akademik Mark Krasniqit, lindi spontanisht ideja për organizimin e nji përkujtimi këtu, në komunitetin shqiptaroamerikan të New York-ut me rrethe, për të tregue respektin tonë për këtë atdhetar të shquem dhe mirënjohjen për kontributin që Ai i ka dhanë kulturës shqiptare dhe, në mënyrë të veçantë, arsimit dhe luftës për liri e pavarësi të Kosovës. Fatkeqsisht, lajmet për humbje të randa nga Kosova nuk u ndalen me kaq, mbrenda nji muejit u shuen edhe dy figura të tjera, kolegë e miq të Mark Krasniqit, akademikët Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi. Gjithashtu në Kroaci vdiq edhe studiuesi arbëresh, Alekander Stipçeviq, ilirologu ma i madh bashkëkohor.

Në tubimin e sotëm, ata që e njohën nga afër ose e admiruen nga larg profesor Markun, qoftë në Kosovë ose gjatë vizitave të Tij në Amerikë, do të kenë rastin të sjellin kujtime dhe mbresa përsonale, kurse në nji rast të përshtatshem ma vonë, mund të organizohet nji konferencë shkencore, ku do të ndigjojmë studiues dhe njohës të kualifikuem, mbi jetën dhe veprën e këtij përsonaliteti kombëtar të shumanshëm.

Megjithatë, lypet që këtu të njifemi, shkurtimisht, me disa të dhana biografike të jetës së tij. Ai lindi me 19 tetor 1920 në katundin Gllaviqicë, që tash thirret shqip Shëngjon, në rrethin e Pejës, në nji familje me origjinë prej krahinës Nikaj e Mertur. Shkollën fillore e kreu në katundin e lindjes, kurse gjimnazin në Prizren më 1941. Prej atij viti deri në 1943 ka studiue letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), e prej 1946 ka studiue Gjeografinë dhe Etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku ka diplomue me 1950. Prej 1950 deri 1961 ka punue në Akademinë e Shkencave në Beograd, asistent e mandej bashkëpunëtor shkencor. Në vitin 1960 ka doktorue në Universitetin e Lubljanës, sepse në Beograd ia refuzuen temën që trajtonte aspekte të ndryshimevet bashkëkohore gjeografike shoqnore në Kosovë. Prej vitit 1961 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri sa pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga arsimi në vitin 1981. Për studentat dhe për kolegët ka mbetë gjithmonë Professor Marku ose Baca Mark, i nderuem dhe i dashtun. Baca Mark e thërriste me respekt edhe President Rugova, të cilit Baca Mark i ndejti gjithmonë përkrahës besnik.

Ka qenë nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, disa herë prodekan e dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, antar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipnisë deri në fund.

Si autor ka shkrue shume libra shkencorë, letrarë, publicistikë dhe tekste shkollore. Posta e Porositur, Lepuri analfabet; monografitë etnografike Rugova, Lugu i Beranit (koautor), Rrënjët tona etnike, Gjurmë e gjurmime – studime etnografike, Besa në traditën shqiptare, Toleranca në traditën shqiptare dhe Mikpritja në traditën shqiptare, Jehona e Kohës (përmbledhje poezishë për të rritun), Reagime (polemika), janë disa nga titujt e veprave të tij. Ka botue edhe librin Kujtime e Përjetime, me shenime autobiografike, si dhe librin e fundit që doli nga shtypi nji ditë para vdekjes, Porosia ime per shqiptarët: Mos hiqni dorë kurrë nga Bashkimi Kombëtar. Ka ba disa përkthime në gjuhën shqipe nga autorë të ndryshëm. Si polemist njifet sidomos me shkrimet që botoi në mprojtje prej sulmeve nga intelektualët shovenista dhe pushtetarët serbë në vitin 1966, me forcën e fakteve dhe të guximit përsonal, si e tregon tema “Qëndrimet shkencore në thumb të politikës antishqiptare”. Guximi i tij ishte mbështetje e fortë morale edhe për intelektualët tjerë shqiptarë të Kosovës në kohë presioni dhe persekutimi. Në vitin 1992 paraqiti raportin “Kosova sot” (Kosova Today) në Senatin Belg në Bruxelles, në mbrojtje të çashtjes së Kosovës. Nji vepër tjetër me vlerë të madhe kombtare asht edhe roli i tij gjatë procesit historik të pajtimit të gjaqeve në Kosovë.

Burrë i ndershëm, i sinqertë, i kandshëm në shoqni, i ambël në biseda, cilësi këto që shumë prej jush i keni shijue, patëm kënaqsinë me i shijue ma se nji herë edhe në Vatër. Agim Karagjozi i pat dhurue nji libër me dedikimin:

“Akademik Mark Krasniqit me admirim e mirënjohje për kontributin madhor që ka dhënë kulturës shqiptare dhe mbrojtjes së të drejtave të Kosovës. Kujtim nga Vatra.”       

Agim Karagjozi

New York, 20 prill 2004

Akademik Mark Krasniqi ka marrë shumë çmime e vlersime akademike kombëtare e ndërkombtare. Ai asht nderue me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit nga Presidenti Rugova dhe me medaljen Nderi i Kombit nga President Nishani.

Ai ka meritën e madhe të ngritjes së monumentit të Skënderbeut në Prishtinë, si inisjatori dhe organizatori i palodhshëm deri në realizimin e qellimit. Kam pasë kënaqsinë me qenë pjesë e publikut të gëzuem në tubimin festiv të asaj dite plot emocion të 28 nandorit 2001 në Sheshin ku u ngrit monumenti.

Bashkimi Kombëtar ishte synim i tij jetsor, ai asht edhe AMANETI i Tij i fundit për shqiptarët.

I letë i qoftë dheu i tokës së ambël të Kosovës!

I paharrueshem qoftë kujtimi i Tij!

FJALA E ZV/KRYETARIT TE VATRES, Z. AGIM REXHAJ NE AKADEMINE PERKUJTIMORE

Miq te nderuar, para se të them diçka për mikun tim, për mikun tonë, të madhin Mark Krasniqin, do t’iu them edhe njëherë ngushëllime, të gjithë juve këtu dhe familjes së tij, ngushëllime për humbjen e të shtrenjtit tonë, të profesorit të pashoq Mark Krasniqi. 
 
Këtu dhe tash, më duhet t’ua them se profesorin e njoh, ashtu siç e njohin gjeneratat e shqiptarëve, që nga fëmijëria ime, qëkur e kam mbajtur me respekt në duar librin antologjik të poezisë shqiptare për fëmijë, “Postën e porositur”, librin me të cilin jemi rritur dhe me porositë e të cilit jemi edukuar ne shqiptarët, që jetonim nën tutelën komuniste, me të cilën kurrë nuk është pajtuar profesor Marku  .
 Por unë, unë kam pasur fatin e madh që profesorin tonë ta njoh tash e një çerek shekulli, që nga viti heroik, një nga vitet më të mëdha të historisë shqiptare, që nga viti i Pajtimit të Shenjtë Kombëtar, që nga viti 1990, kur profesori Mark, bashkë me intelektualët dhe figurat  më të shquara shqiptare, si Anton Çeta, Bajram Kelmendi, Azem Shkreli etj., kishte arritur në New York me një mision të shenjtë, me misionin e pajtimit të shqiptarëve dhe të faljes së gjaqeve.
 Që nga ato ditë të korrikut të vitit 1990, profesor Marku është bërë pjesë e jetës, e preokupimit, e mendimit tim dhe, ashtu siç koha lind dhe krijon personalitetet të mëdha jo rastësisht, ai, bashkë me të madhin e të mëdhenjve, me President Rugovën, si burra të pashoq të shqiptarizmës, u bënë pjesë jo vetëm e jetës sime, por e të gjithë neve që përpiqeshim për Kosovën e për Shqipërinë, për Shqiptarët dhe për çlirimin e demokratizimin e tyre.
 Dhe, kurdoherë që ndjehesha i pafuqishëm, kurdoherë që punët dhe çështjet e kombit nuk na shkonin mirë dhe ndjehesha i dobësuar, i pashpresë dhe i zhgënjyer, më kujtoheshin këta burra të burrave, Rugova dhe profesor Marku dhe, prapë, ndjehesha me fat, fuqizohesha, trimërohesha dhe bashkë me shokët e mi të punës e të idealit,  vazhdonim rrugën tonë të madhe.
 Shkuarja në amshim e profesor Markut, e njeriut i cili kishte lindur si njeri i kombit dhe për kombin, është një humbje e pazëvendësueshme dhe sot, edhe nëse ligështohem sot ose nesër, unë do ta ndjej mungesën e fjalës së tij, të këshillës së tij, të urtisë së tij, shumë dhe thellë. 
 
Miq të nderuar, sigurisht se unë, po edhe ju, do ta keni në çdo prag-feste një boshllëk, një zbrazëti, dhe ato festat tona, në të cilat i këmbenin urimet dhe mesazhet tona të mbarësisë, Festa e Kërshëndellave, Festa e Pashkëve, Festa e Pavarësisë, e 28 Nëntorit të madh, dhe Festa e Vitit të Ri, nuk do ta kenë më atë ngjyrë dhe atë shije që kishin kur ne këmbenim urimet tona me aq shumë shpresa e përgëzime mbarësie.
 Miq të nderuar, për mua, as vizitat në Prishtinë e në vendlindjen time në Pejë, nuk do të jenë njësoj pa profesor Markun dhe do të jenë më të varfra për shumëçka, sepse atje tash e tutje do të më përcjellë vetëm kujtimi për te, jehona e fjalëve të tij, e humorit të tij të pashoq, e gjesteve dhe e guximit të tij njerëzor e kombëtar. 
 
Zonja dhe zotërinj, megjithëse nuk dua të ligështohem dhe dua t’ia zë pritën vajit e lotit për humbjen e madhe të të madhit, profesor Markut, edhe nëse ligështohem, dua të ma falni, se udhëtimi për në amshim i të shtrenjtit tonë, na lë neve këtu ku jemi, në Amerikë, shqiptarët e tjerë kudo ku janë, në secilin cep të trojeve shqiptare, na lë pra ne shqiptarëve më të varfër, na lë pa demokratin e madh, pa atdhetarin e shtrenjtë, na lë për një hap a për më shumë hapa më larg idealeve të shenjta shqiptare. Sepse ai ishte një nga ato shtyllat e mëdha të kombit, të demokracisë, të pajtimit të njëmendët kombëtar, të pavarësisë dhe përparimit të shqiptarëve.
 
Zonja dhe zotërinj, miq të nderuar, edhe njëherë ngushëllime familjes dhe miqve të profesor Markut, të gjithë juve këtu, për jetë e mot lavdi dhe i qoftë dheu i lehtë.
Agim Rexhaj, 5 Shtator 2015

Filed Under: Vatra Tagged With: akademik Mark Krasniqi, Gjon Bucaj, me 5 shtator, ne Nju Jork, Vatra perkujtoi

Akademik Mark Krasniqi, sherbesetari i ceshtjes kombetare,emblema e shqiptarizmit

September 6, 2015 by dgreca

Shkruan:Dr. Sadik ELSHANI-Filadelfia/*
Me 28 gusht u nda nga kjo bote Akademik Mark Krasniqi, intelektuali dhe burri i rralle i Kosoves dhe gjithe Shqiptarise. Akademik Mark Krasniqi tere jeten, tere vepren e tij ia perkushtoi ceshtjes dhe idealeve kombetare ­ ky ishte misioni fisnik e atdhetar i jetes se tij. Akademiku i nderuar ishte nje figure e ndritur poliedrike, njeri i gjithanshem. Ishte: gjeograf, etnograf, shkrimtar, pedagog, gazetar, perkthyes e se fundi edhe politikan. Se bashku me Esad Mekulin, Hivzi Sulejmanin, Idriz Ajetin, Anton Cetten, Skender Rizajn, Ali Hadrin e disa te tjere, perbejne brezin e pare te intelektualeve shqiptare te Kosoves, qe sikur vellau i madh ne familje, edhe keta e barten barren me te rende per ta arsimuar, edukuar popullin e Kosoves dhe ishin bartes te zhvillimeve te jetes kulturore, artistike e shkencore te Kosoves. Vepruan ne kushte tejet te veshtira, kur regjimi jugosllav, kupto serb, dhe aparati i tij famekeq i sigurimit, UDB­ja, po ushtronin nje trysni te padurueshme, nje terror mbi popullsine shqiptare te Kosoves dhe viseve tjera shqiptare ne ish Jugosllavi, siq ishin Aksioni per mbledhjen e Armeve dhe shperngulja me dhune per ne Turqi, etj.
Edhe keta intelektuale i ndoqi fati i Kosoves, ne lekuren e tyre e perjetuan ate trysni te rende, ishin te perndjekur, te vezhguar e te kercenuar panderprere. Por kurre nuk e ndalen punen, perpjekjet, misionin e tyre per ta cuar perpara ceshtjen shqiptare, per ta mbrojtur te verteten dhe te drejtat historike te popullit tone, per ta emancipuar popullin tone. Dijetaret, shkencetaret, shkrimtaret e Kosoves si Mark Krasniqi me shoke, gjithmone i ka karakterizuar guximi intelektual e burreror.
Ata nuk e ndoqen rrugen e lehte e te beheshin servil te interesave serbomadhe, antishqiptare, por e ndoqen rrugen e veshtire, rrugen e nderit e te dinjitetit njerezor, rrugen e drejte per t’i sherbyer ceshtjes se Kosoves, popullit te Kosoves dhe interesave madhore kombetare. Si dikur Rilindesit tane mendjendritur, edhe ata i kishin ngarkuar vetes nje mision me te larte, qe t’ia ndriconin rruget e erreta e t’i prinin popullit, t’ia ngrenin fuqite prej gjumit ­ sic do te shprehej poeti Esad Mekuli.
Se bashku me popullin e ndane fatin e Kosoves dhe Kosova ishte me fat qe ne castet kyce te historise se saj ne gjirin e saj kishte keta burra te medhenj. Shkencetarit, dijetarit, intelektualit nuk i ka hije qe t’i perkulet, t’i nenshtrohet injorantit, sado diktator qofte ai. Intelektualet e Kosoves kurre pa u perkulur, pa u lekundur, me fakte, me forcen e argumenteve shkencore i dolen zot popullit te vet. I tille ishte ai brez, i tille ishte Akademik Mark Krasniqi, i cili misheron vlerat tona kombetare, vlerat e intelektualit te pergatitur mire profesionalisht dhe te begatuar me virtytet me te mira njerezore. Kosova ka mbijetuar ate drame te tmerrshme historike fale qendreses heroike te popullit, por edhe fale perpjekjeve dhe angazhimit te intelektualeve qe permenda me lart. “Pesha e viteve te mia eshte pesha e popullit tim, i cili ka qene i roberuar ne kohen e sundimit te gjate otoman, ne kohen e kralit, persekutuar edhe ne kohen e Marshalit e te qeverise shoviniste te Serbise” ­ eshte shprehur Mark Krasniqi ne nje interviste te dhene me 2012. Gjate jetes se tij, gjate punes se tij shumevjecare, Akademik Mark Krasniqi se bashku me koleget tjere kane edukuar breza te tere te intelektualeve, shkrimtareve, shkencetareve te rinj, te cilet, sikurse mesuesit e tyre edhe keta i kane sherbyer dhe jane duke i sherbyer Kosoves me perkushtim e besnikeri.
Mark Krasniqi ka lindur me 19 tetor, 1920 ne fshatin Gllavicice (Shengjon) afer Pejes. Shkollen fillore e kreu ne fshatin e lindjes, kurse gjimnazin me 1941 ne Prizren (te dyja ne gjuhen serbokroate). Ne vitet 1941 ­ 1943 ka studiuar letersine ne Universitetin e Padoves, e prej vitit 1946 ­ 1950 ka studiuar gjeografine e etnografine ne Universitetin e Beogradit. Me 1945 ­ 1946 ka qene gazetar­redaktor i gazetes Rilindja ne Prizren, bashke me Esad Mekulin e Omer Cekrezin, kurse prej vitit 1947 ­ 1949 ka punuar ne Radio Beograd (Redaksia e emisioneve ne gjuhen shqipe) gazetar­ redaktor.
Ne vitet 1950 ­ 1961 ka punuar ne Akademine Serbe te Shkencave ne Beograd si asistent, pastaj bashkepunetor shkencor. Ka diplomuar me 1950 ne Beograd, kurse me 1960 ka doktoruar ne Universitetin e Lubjanea (Slloveni). Ne Beograd vazhdimisht e kane kercenuar, i kane bere shantazh, duke i kerkuar qe te behej bashkepunetor i UDB­se, Mark Krasniqi kete e ka refuzuar kategorikisht. Po ashtu, sekretari gjeneral i Akademise Serbe, Petar Jovanoviq, i ka propozuar dhe ka insistuar qe ai ta merrte per teme te doktorates “shqiptarizimin e serbeve te Kosoves gjate shekujve nga trysnia turke e shqiptare”. Edhe kete Mark Krasniqi e ka refuzuar, duke i thene sekretarit se per kete teze nuk ka kurrefare fakte historike dhe se ai nuk eshte dele qe te shitet ne pazar. Ne vitet 1961 ­ 1981 ka qene profesor ne Universitetin e Prishtines, kur e kane larguar nga procesi mesimor, sepse ai nuk ka pranuar qe t’i denoje demonstratat e studenteve te vitit 1981. Ka qene disa here prodekan e dekan i Fakultetit Juridik ­ Ekonomik. Ka qene nenkryetar e kryetar i Akademise se Shkencave dhe Arteve te Kosoves. Kryetar i pare i Shoqates se Shkrimtareve te Kosoves (1970) dhe kryetar i Partise Shqiptare Demokristiane te Kosoves (qe nga viti 1993). Ka qene edhe anetar me korrespodence i Akademise se Shkencave te Shqiperise. Ka botuar me se 35 libra shkencore, letrare, publicistike e tekste shkollore e universitare dhe ka perkthyer disa romane
e permbledhje poezishe nga serbokroatishtja, sllovenishtja e maqedonishtja ne gjuhen shqipe.
Disa nga veprat shkencore: “Gjurme e gjurmime” (1979) ­ studime etnografikme, “Lugu i Baranit” (1985) ­ monografi, “Rugova” (1987) ­ monografi, “Nga gurra e tradites” ­ studime etnografike, “Rrenjet tona etnike” (2001).
Disa nga veprat letrare: “Jehona e kohes” (1972), “Perrallat e gjyshit” (1953), “Dita e pare” (1956),
“Posta e porositun” (1959), “Lepuri analfabet” (1974), e shume te tjera.
Mark Krasniqi ka botuar edhe shume artikuj, punime shkencore e polemika dhe eshte paraqitur me kumtesa ne shume tubime shkencore ne ish Jugosllavi dhe tubime nderkombetare.
Per breza te tere te femijve shqipare ne Kosove dhe ne trojet tjera etnike, Mark Krasniqi eshte nje poet dhe shkrimtar shume i dashur. Ne veprat e tij per femije, Mark Krasniqi me mjeshteri i ka perdorur krijimet popullore, si, perrallat, anekdotat, kenget, etj. “Femijve nuk duhet t’u jepet cdo liber ne dore, sepse libri i dobet ndikon keq ne formimin e shijes artistike te femijes” ­ ka thene ai.
Prandaj, ai ka shkruar libra te bukur! Veprat e tij jane shume terheqese dhe kane lene gjurme te thella, mbresa te pashlyeshme ne kujtesen dhe jeten e femijve tane . Nga “Posta e porositun” ende me kane mbetur ne kujtese vargjet:
“N’poste t’katundit per Vit t’Ri
Telegrame shume kane mberri
Ujku deles te fala i con
Vitin e Ri ia uron:
Ty te paca moj bardhoke….”
Ndersa delja nder te tjera i pergjigjet ujkut se, eja, por dikush te pret me pushke:
“E prej gezimit axha Cat Ka me e zbraze ate pushke te gjate.”
Dihet fort mirfe se kush ishte ujku e kush ishte delja ne ate kohe.
Ne punen e tij prodhimtare e te suksesshme shkencore, Akademik Mark Krasniqi eshte marre me studime etnografike e historike shqiptare. Me fakte e argumente te forta shkencore, me kembenguljen e shkencetarit, ai i ka luftuar te padrejtat qe i jane bere shqiptareve dhe ka nxjerr ne pah te vertetat historike. Nje punim i tij, “Syte e Simonides” ka bere jehone te madhe ne kohen kur eshte botuar. Simonida ka qene gruaja e mbretit serb Millutin dhe paska qene e njohur per syte e saj. Nje afresk me figuren e saj eshte ne manastirin e Gracanices, afer Prishtines. Por ne kete afresk syte e Simonides dikush i ka gropuar. Nje poet nacionalist serb, Milan Rakiq, ia ka kushtuar nje poezi syve te Simonides dhe ne nje varg thote se “Shqiptari t’i shpoi syte me thike”. Mark Krasniqi me fakte e verteton se kete nuk e kane bere shqiptaret, por besimtaret dhe pelegrinet serbe, sepse sipas besimit te tyre, nese dikush merr pak material nga syte e Simonides ne kete afresk dhe ia ferkon syte te verberit, atehere atij prape i kthehen syte. Pak nga pak duke vepruar keshtu, syte e Simonides jane groposur. Ky eshte vetem nje shembull, nga shume te tjere ku Mark Krasniqi me fakte dhe te verteta historike i lufton shtremberimet qe i jane bere historise sone dhe shume te padrejtave qe u jane bere shqiptareve. Serbet i akuzojne shqiptaret se po i shkaterrojne kishat dhe manastiret ortodokse ne Kosove. Perseri, Mark Krasniqi me fakte verteton se shqiptaret i kane mbrojtur, i kane ruajtur keto kisha, sepse ato nuk jane kisha serbe, por jane kisha bizantine che ne ate kohe shqiptaret kane qene ortodokse. Familjet qe i kane ruajtur keto kisha quhen Vojvoda.
Eshte marre me perkushtim me studimet e tradites sone, kryesisht me tri prej traditave tona me te cmuara, ketij trekendeshi te vlerave tona kombetare: toleranca fetare, besa, mikpritja. Se bashku me profesor Anton Cetten ka qene njeri nder njohesit me te mire te tradites, krijimtarise popullorte, etnise sone. Mark Krasniqi gjate veprimtarise se tij, me shkrimet e tij ka bere shume polemika me historiane e publiciste nacionaliste serbe, te cilet shtremberonin dhe falsifikonin historine tone, traditat tona dhe fyenin rende kombin tone.
Ne qender te vemendje se punes, vepres, jetes se tij, ai e vuri ceshtjen kombetare, e zgjoi dhe e ngriti lart ndergjegjen kombetare te shqiptareve te Kosoves dhe i dha nje trajte te re mendimit shqiptar ne Kosove, e drejtoi ate kah ceshtja, idealet kombetare. Personaliteti, vepra e tij, qendrimet e tij kane qene udherrefyes e burim frymezimi atdhetar per rinine dhe popullin e Kosoves e me gjere. Per shkak te qendrimeve te tij te forta kombetare, atdhetare, shkencore, ai tere jeten ka patur probleme me pushtetin e atehershem jugosllav/serb dhe ne keto perleshje, ai kurre nuk eshte thyer. Ceshtja kombetare, bashkimi kombetar, gjithmone e kane preokupuar ate. Per te perparuar ceshtjen kombetare, ai e ka formuar dhe udhehequr nje parti politike shqiptare ne Kosove, PSHDK. Ceshtjen e Kosoves e ka paraqitur dhe e ka mbrojtur ne shume takime shkencore nderkombetare, takime me politikane e institucione nderkombetare dhe ka qene bashkepunetor i ngushte i Kryetarit Ibrahim Rugova. Gjithmone e ka theksuar dhe ka luftuar per te drejten tone per bashkimin kombetar. “Mos me dalte shpirti pa i pare te bashkuara trojet shqiptare” ­ ka deklaruar ai. Edhe ne librin e tij te fundit, “Porosia ime per shqiptaret”, qe eshte botuar pak dite para vdekjes se tij dhe ia kane dhene ne dore nje dite para se te vdiste, ai perseri i porosit shqiptaret: “Kurre mos hiqni dore bga bashkimi kombetar!” Ai eshte tipi i pare (prototipi), shembulli i vecante i inelektualit, shkencetarit veprimtar, te angazhuar per ceshtjet kombetare. Se bashku me shoket e tij te idealit kombetar, ai ishte engjulli mbrojtes, engjulli shpetimtar i shqiptareve te Kosoves dhe trojeve tjera shqiptare ne ish Jugosllavi. Ishte nje lis i forte qe i kishte rrenjet thelle ne gjirin e popullit. Prandaj, populli yne gjithmone e ka dashur dhe e ka respektuar Mark Krasniqin.
Per familjen tone, Elshani, nga Suhareka/Theranda e Kosoves, Akademik Mark Krasniqi ka qene nje njeri shume i dashur dhe i nderuar, sepse ai disa here ka qene ne familjen tone dhe ka mbledhur materiale folklorike, etnografike, mencuri popullore nga gjyshi yne Muharrem Elshani (ndjese paste). Baba Heme, sic e kemi thirrur ne gjyshin tone, ka qene i verber ne te dy syte, por ka qene nje njeri shume i mencur, i vendosur, atdhetar i flakte dhe ithtar i arsimit e perparimit tone kombetar. Vellezerit e mi e kane takuar disa here Akademikun e nderuar dhe ai gjithmone me shume respekt e ka kujtuar gjyshin tone te mencur.
Akademik Mark Krasniqi ka jetuar, ka punuar e veprua dhe ka vdekur me dinjitet kombetar e njerezor. Ai ka lindur shqiptar, ka jetuar si shqiptar, ka punuar e vepruar si shqiptar, ka qendruar i paperkulur si burre shqiptar dhe ka vdekur e eshte varrosur si shqiptar. Edhepse katolik i lindur, ai e ka lene testamentin/amanetin qe te varroset si shqiptar, ne nje ceremoni pa prift. Ne pllaken e varrit te tij nuk ka kryq, por eshte vetem shqiponja dykrenore. Profesor Mark Krasniqi nuk i eshte frikesuar as vdekjes, para disa vitesh ai vete e ka ndertuar varrin e tij. Tani ai ndoshta eshte fikur e tretur, por nuk ka vdekur. Veprat e mira ia sigurojne n jneriut perjetesine ­ dhe Akademik Mark Krasniqi na ka lene mjaft te tilla.
I paharrueshem qofte kujtimi per Akademik Mark Krasniqin, kete figure madhore te kombit tone sherbesetarin e ceshtjes sone kombetare, emblemen e shqiptarizmit!
Shenim: Kjo kumtese u mbajt ne veprimtarine perkujtimore qe shoqata “Bijte e Shqipes” ne Filadelfia organizoi me 5 shtator, 2015, me rastin e ndarjes nga jeta te Akademik Mark Krasniqit.
Ne kete veprimtari u kujtua edhe Nene Tereza me rastin e 18 vjetorit te vdekjes. Poashtu u kujtuan edhe akademiket Esat Stavileci e Pajazit Nushi dhe profesor Aleksander Stipceviq, te cilet keto
dite u ndane nga kjo bote. Qofshin te paharruar!
Filadelfia, 5 shtatror, 2015
*Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro ­ amerikane.

Filed Under: ESSE Tagged With: akademik Mark Krasniqi, Kombetare, Sadik Elshani, sherbestar i ceshtjes

VATRA DHE KOMUNITETI SHQIPTAR NE NJU JORK PERKUJTOJNE TE SHTUNE AKADEMIK MARK KRASNIQI

September 4, 2015 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikes”VATRA” fton Komunitetin shqiptar ne Nju Jork dhe rrethina qe te marre pjese ne veprimtarine perkujtimore qe do te organizohet te Shtunen me 5 Shtator 2015 ne oren 11.00 para dite deri ne 2 pas dite në Royal Regency Hotel (165 Tuckahoe Rd, Yonkers, NY 10710)/
Njoftojmë komunitetin se të shtunën që vjen, me 5 shtator 2015, do të bahet një ceremoni përkujtimore për Akademik Mark Krasniqin, i cili vdiq ditën e premte me 28 gusht dhe u varros të dielën me datën 30 gusht në Prishtinë.
Përkujtimi do të bahet në Royal Regency Hotel (165 Tuckahoe Rd, Yonkers, NY 10710), prej orës 11:00 para dreke deri ne orën 2:00 mbas dreke.
Disa bashkatdhetarë nga New York-u me rrethe kanë shkue për varrim dhe kanë sjellë përsonalisht mesazhe ngushëllimi dhe kurora me lule.
Për shumë të tjerë që e kanë njohë Profesorin nga afër ose e kanë admirue nga larg për veprat e tij por nuk kanë mujtë me udhtue në Prishtinë, do të kenë rastin për me shprehë vëlerësimet dhe kujtimet e tyne në këtë përkujtim që organizohet pikërisht për të tregue respektin e këti komuniteti për Akademik Mark Krasniqin dhe mirënjohjen për kontributin që Ai i ka dhanë kulturës shqiptare dhe luftës për liri e pavarësi të Kosovës.
Në një rast të përshtatshëm ma vonë, do të organizohet një akademi përkujtimore, ku do të ligjërojnë studiues të kualifikuem dhe njohës të jëtës dhe të veprave të këtij përsonaliteti kombëtar të shumanshëm. – See more at: https://gazetadielli.com/vatra-do-te-nderoje-akademik-mark-krasniqi-me-nje-veprimtari-perkujtimore-ne-nju-jork-2/#sthash.Xs3OGcvl.dpuf

Filed Under: Komunitet, Vatra Tagged With: akademik Mark Krasniqi, perkujtojne, te shtunen, Vatra dhe komuniteti Shqiptar

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT