• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vazhdimësia e politikës amerikane në Ballkan dhe faktori shqiptar

March 22, 2018 by dgreca

1 akri Cipa

Nga Akri Çipa/

Kur i referohen angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, mjaft zyrtarë dhe analistë kanë tendencën të thonë se Ballkani iku nga harta gjatë administratës së Presidentit Obama dhe vazhdon akoma të mos figurojë . Teksa ky pohim mbart në vetvete një të vërtetë në lidhje me një zbehje të politikës amerikane në rajon në lidhje me disa çështje të caktuara dhe problematika të tejzgjatura të hasura nga vendet e rajonit, nuk mund të mohohet se ka një kontinuitet në interesat e shfaqura amerikane dhe në angazhimin e patjetërsuar deri më sot të instituticioneve të politikës së jashtme amerikane për stabilitetin dhe balancën gjeopolitike në gadishull.

Gjatë administratës së tanishme, në rajone të caktuara të botës politika amerikane ka implementuar një sërë ndryshimesh substanciale bazuar në objektivat e deklaruar nga Presidenti Trump në fushatën presidenciale dhe më tej. Rishikime të politikave për rajone specifike kanë qënë të dukshme në Lindjen e Mesme, ku administrata e re ka ndjekur një strategji kryekëput të ndryshme në  krahasim me ato të administratave të mëparshme dhe ka insistuar për të ndryshuar statuskuonë në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez. Në të njëjtën mënyrë, SHBA ka transformuar marrëdhëniet me vendet arabe dhe ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Iranit.

Është e pamohueshme se, përtej ndryshimeve të qasjeve ndaj disa rajoneve, SHBA ka bërë edhe tërheqje nga rajone të caktuara të cilat nuk paraqesin interes të drejtpërdrejtë për SHBA. Përgjithësisht, tendenca është që Ballkani të kategorizohet në këtë grup. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Angazhimi amerikan në Ballkan ka qënë në zbehje gjatë administratës së kaluar, veçanërisht në mandatin e dytë të Presidentit Obama, por që kurrsesi nuk ishte një tërheqje.

Kjo vazhdon të jetë e vërtetë  edhe për  administratën aktuale. Pavarësisht se ditët e interesit të drejtpërdrejtë amerikan në Ballkan janë të largëta, kontinuiteti në politikat e sigurisë, angazhimi për stabilitetin e rajonit, kundërvënia ndaj influencës ruse dhe surrogatëve të asaj influence, si dhe mbështetja për aleatët strategjikë janë elemente thelbësore dhe të pamohueshme që reflektojnë pulsin e prezencës amerikane në gadishullin ballkanik..

Kjo u vërtetua plotësisht në vizitën e javës së kaluar të Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Wess Mitchell. Në një tur që përfshiu vizita në Prishtinë, Shkup, Beograd, Athinë dhe në Nikosia, Ndihmës Sekretari Mitchell ritheksoi qëndrimin e pandryshuar dhe koherent të Shteteve të Bashkuara për rajonin dhe ndaj vendeve të rajonit.

Administrata e Presidentit serb Vuçiç ka kohë që tashmë po përpiqet të rregullojë marrëdhënien me SHBA. Zgjedhja e Presidentit Trump ka përkuar me një intensifikim të përpjekjeve serbe në këtë drejtim. Në këtë kontekst duhet parë dhe deklarata e shtatorit e Presidentit Vuçiç pas takimit me Presidentin Trump në New York në vazhdën e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, kur presidenti serb konfirmoi pranimin e ftesës së presidentit amerikan për të vizituar Serbinë.

Por, vizita e Ndihmës Sekretarit Mitchell dhe deklarata e tij pas takimit me Vuçiç se SHBA jo vetëm që mbetet mbështetës i Kosovës, por mbështet fuqimisht dhe formimin e ushtrisë së Kosovës, e kundërshtuar me forcë nga Serbia dhe administrata Vuçiç, është një dëshmi e pakundërshtueshme se vizioni amerikan për rajonin nuk ka ndryshuar dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ndryshojë.

Politika amerikane në Ballkan mbetet një gur-themel stabiliteti. Përpara pak muajsh, Council on Foreign Relations, një nga qendrat kryesore amerikane për analizimin e zhvillimeve ndërkombëtare dhe që vazhdimisht këshillon dhe bën rekomandime për instituticionet zyrtare të politikës së jashtme amerikane, paraqiti raportin e përvitshëm për rajonet e rrezikuar për të degraduar në dhunë dhe në konflikte të armatosura për vitin 2018. Raporti i ndante rreziqet në tre kategori, në varësi të intensitetit dhe mundësisë për t’u materializuar. Teksa në nivelin e parë shfaqeshin rreziqe të tilla si sulmet terroriste, Korea e Veriut, Irani, etj., ajo çfarë binte në sy ishte fakti se në nivelin e tretë listohej edhe Ballkani. Raporti vlerësonte si shqetësuese tensionet e mundshme ndërmjet disa vendeve të rajonit.

Rreziqe të tilla për Ballkanin janë pak të ekzagjeruara, për shkak se banorët e shteteve ballkanike janë tashmë të lodhur nga konfliktet dhe të shqetësuar nga ekonomia dhe perspektiva për të ardhmen. Por, ajo cka është e rëndësishme ka lidhje me idenë se në Washington, qoftë në politikën zyrtare të SHBA dhe qoftë në punën e institucioneve joqeveritare, ka një interes dhe vëmendje të veçantë për Ballkanin. Interesi amerikan është që Ballkani të mos bëhet pre e destabilitetit dhe gjasat janë që angazhimi në rajon do vazhdojë të jetë i pandryshuar për ta garantuar atë.

Problemi i vetëm me qasjen e politikës amerikane është se e ka deleguar plotësisht misionin dhe përgjegjësinë për demokratizimin dhe forcimin e instituticioneve në vendet e rajonit te Bashkimi Europian. Deri më tani, BE-ja është treguar tejet dritëshkurtër në këtë drejtim dhe madje e paaftë për të shtyrë proceset e demokratizimit dhe të forcimit të institucioneve të pavarura. Është pikërisht kjo paaftësi që ka forcuar pozitat e Vuçiç dhe politikanëve të tjerë autoritarë dhe të korruptuar sivëllezër të tij në vende të caktuara ballkanike. Nëse do ishte për BE-në, më shumë mundësi sot në Maqedoni Gruevski dhe rrjeti i tij i korruptuar do ishte akoma në pushtet dhe duke i fryrë nacionalizmit arkaik. Ishte padyshim ndërhyrja amerikane nëpërmjet Brian Hoyt Yee që solli zgjidhjen e krizës politike që kaploi Maqedoninë pasi Gruevski dhe shërbëtori i tij politik, Presidenti Ivanov, refuzonin të lejonin formimin e qeverisë së re.

Mike Pompeo pritet të konfirmohet së shpejti nga kongresi amerikan për të zëvendësuar Rex Tillerson në postin e Sekretarit të Shtetit. Pavarësisht ndryshimit në krye të Departamentit të Shtetit, të gjitha gjasat janë që politika amerikane në raport me Ballkanin të ketë kontinuitetin që nuk e patën mjaft rajone të tjera të botës me ardhjen e administratës së re. Kjo është me rëndësi të veçantë për faktorin shqiptar në Ballkan pasi ka një përforcim të dukshëm të pozitave në rajon. Ligji i gjuhës shqipe që kaloi në Maqedoni pak ditë më parë është një shenjë e drejtpërdrejtë se kemi një momentum të rëndësishëm që vjen prej vazhdimësisë së politikës amerikane. Mbështetja që Ndihmës Sekretari Mitchell shprehu për Kosovën dhe krijimin e ushtrisë së saj është një tjetër indikacion domethënës.

Forcimi i institucioneve demokratike në vendet ballkanike do vazhdojë me shumë gjasa të jetë një proces i ngadaltë, sa për shkak të pengesave të krijuara nga elitat e korruptuara të Ballkanit, aq edhe për shkak të paaftësisë së Bashkimit Europian për ta ngritur diskursin politik në këto vende. Dhe kjo është padyshim e vërtetë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën. Por, nga ana gjeopolitike, stabiliteti i Ballkanit vazhdon të jetë drejtpërdrejtë investim i SHBA. Kontinuiteti i politikës amerikane është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën dhe politika e jashtme e dy shteteve shqiptare në Ballkan (pa harruar edhe faktorin politik shqiptar në Maqedoni) duhet të vazhdojë të ketë si synim kryesor intensifikimin e bashkëpunimit me institucionet amerikane. Dhe duhet të vazhdojnë pashmangshmërisht të lobojnë për një përfshirje sa më të madhe të SHBA në rajon, si siguria më e madhe për stabilitetin e rajonit dhe forcimin e pozitave të faktorit shqiptar në një kohë ndryshimesh të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, Ballkan, Faktori shqiptar, politika amerikaner

Për figurën e Skënderbeut dhe seriozitetin tone të munguar

September 3, 2017 by dgreca

1 akri Cipa

Nga Akri Çipa/Nju Jork/

Çështja e trajtimit të figurës së Skënderbeut, e ngritur rishtazi në diskursin publik për arsye të ndryshme dhe shpeshherë të palidhura me njëra-tjetrën, megjithëse mund të duket anakronike në pamjë të parë, është tejet e rëndësishme për Shqipërinë e ditëve tona. Pikërisht prej këtij fakti ajo është një çështje që duhet trajtuar me seriozitet dhe, mbi të gjitha, përtej patetizmave nacionaliste dhe ndasive artificiale.

Skënderbeu është figura më përbashkuese e një populli të vogël por me diferenca të mëdha. Ndërmjet shqiptarëve ekzistojnë diferenca të theksuara kulturore ndërmjet atyre që jetojnë në Shqipëri dhe atyre që jetojnë në Kosovë. Ekzistojne ndasi ndërmjet veriut dhe jugut të vendit. Ekzistojnë diferenca të qënësishme në bazë të përkatësisë qytetare, bindjeve politike, historive familjare. Sikurse, në kohët e fundit, ka filluar të theksohet edhe diferenca fetare. Por, përtej këtyre elementëve përçarës, jemi një komb që ka ditur të qëndrojë bashkë, qoftë edhe në kohërat më të errëta. Dhe aftësinë për të qëndruar bashkë nuk e kemi fituar vetvetiu, por e kemi si pasojë e një procesi të gjatë formues dhe përbashkues.

Në këtë proces përbashkues elementët më dominantë janë gjuha shqipe dhe, jam i bindur për këtë fakt, figura e Skënderbeut. Gjuha për arsye se, që në gjenezë të kohërave, është ura e komunikimit ndërmjet individëve me njëri-tjetrin dhe me komunitetin. Figura e Skënderbeut për shkak se pozicionon një histori të përbashkët dhe identitare ndërmjet shqiptarëve të të gjitha krahinave, evidenton një filiz identiteti europian në një periudhë ku historia e rajonit mëtonte drejt shtypjes së këtij identiteti dhe është një gurthemel i qënësishëm i trajtëformimit të shtetit shqiptar duke përbërë rastin më të shkëlqyer të tejkalimit të tribalizmit.

Duke mos patur çfarë t’i bëjnë gjuhës shqipe, anonimë tastierash, por edhe persona me peshë në diskursin tonë shoqëror, kanë shënjestruar shpeshherë figurën e Skënderbeut për të vënë në pikëpyetje identitetin shqiptar. Problemi i çmitizuesve të figurës së Skënderbeut është se gjithmonë e anashkalojnë faktin që vlera e tij është tek figura. Për shkak se nuk dëshirojnë ta sulmojnë direkt figurën e tij, revizionizmin e tyre e nisin tek jeta e Gjergj Kastriotit. Kështu, kanë vënë në dyshim origjinën e tij, synimet strategjike të tij, vërtetësinë e luftës së tij ndaj Perandorisë Osmane dhe kanë mëtuar të ngrejnë hipoteza të rrezikshme për të supozuarën luftë fetare.

Gjykoj që popujt duhet të kenë gjithmonë guximin të përballen me të vërtetat historike. Por, në këtë rast, nuk bëhet fjalë për një lloj të vërtete që do të na bëjë të lirë. Zhurmnaja që ngrihet herë pas herë është ose rezultat i provokatorëve dhe historianëve auto-didaktë, ose kryqtarëve çmitizues të figurës, të cilët nuk nisen me idenë e gjetjes së të vërtetës historike, por me qëllimin e vetëm të demontimit të figurës.

Që figura e Skënderbeut është glorifikuar mbi figurën reale të tij, kjo është e pamohueshme. Përtej Marin Barletit dhe biografëve të hershëm të Skënderbeut, rilidasit u kujdesën për këtë fakt. Por, ky mitizim, nuk ka qënë ndonjëherë i dëmshëm. Përkundrazi, sikurse e thashë dhe më parë, ishtë një lartësim që ndikoi në themelimin e shtetit shqiptar. Të gjitha lëvizjet shtetformuese në Ballkan dhe më gjerë kanë shfrytëzuar lartësimin e figurave historike për të pasqyruar bashkimin kulturor dhe historik të krahinave të ndryshme brenda një elementi të unifikuar shtetëror.

Skënderbeu nuk duhet të ketë dhe nuk ka nevojë për kult. Por, bashkë me Ismail Qemalin, ai mbetet figura më përcaktuese e shtetit shqiptar. Më shumë se aq: Skënderbeu i jep një dimension historik Shqipërisë. Një dimension të cilin vendet përreth nesh përpiqen dëshpërimisht ta krijojnë në mënyrë fiktive. Ndërkohë që Shqipëria e ka në mënyrë të patjetërsueshme. Në fakt, edhe vetë revizionistët e historisë nuk e mohojnë dot figurën dhe dimensionin historik që Skënderbeu përfaqëson dhe prandaj përpiqen thjesht të deformojnë elementë të vegjël karakterizues dhe e kontekstualizojnë në mënyrë dashakeqe.

Në vazhdën e këtij serioziteti të munguar ishte dhe debati i ngjallur prej raportimit të mediave online për mbulimin e statujës së Skënderbeut ditën e djeshme. Thuajse të gjithë besimtarët myslimanë të gjendur në atë shesh nuk e vënë në dyshim qënësinë e Skënderbeut si hero kombëtar dhe mëvetësine unitare të figurës së tij. Fatkeqësisht, në debatin e ngritur, qoftë në mënyrë naive, qoftë në mënyrë tendencioze, ky fakt u vu në dyshim. Ajo çfarë duhej diskutuar realisht në atë situatë, ideja nëse elementët përbashkues dhe laikë ishin mbuluar për shkak të riteve fetare, u la në harresë. Sikurse pritej, gjithë trumpetuesit online dhe jo vetëm e futën debatin në hulli sa qesharake, aq edhe destruktive.

Sikurse e thashë në fillim, trajtimi i figurës së Skënderbeut nuk ka nevojë për patetizma. Ai nuk ka nevojë për të patur një vit të përkushtuar ndaj tij. Ai nuk ka kurrfarë nevoje. Jemi ne si shoqëri të cilët kemi nevojë të ndërgjegjësohemi për vlerën identitare që përfaqëson Gjergj Kastrioti. Nuk mund t’u fshihemi të vërtetave historike dhe duhet të përballemi me to. Por, të vërtetat historike nuk vijnë nga provokatorë të rëndomtë. Ndaj këtyre individëve duhet të sillemi me indiferentizmin që meritojnë. Fatkeqësisht, ngaqë nuk kemi ende një diskurs të shëndoshë publik, shpenzojmë tepër kohë duke ndjekur rrjedha fiktive dhe, mbi të gjitha, të padobishme dhe të pavlera të cilat thjesht na largojnë nga e vërteta. Kjo është mungesa e seriozitetit që duhet ta tejkalojmë.

Filed Under: Politike Tagged With: Akri Çipa, dhe seriozitetin, Për figurën e Skënderbeut, tone të munguar

Transformimi i Europës dhe marrëdhënia me Ballkanin

July 28, 2017 by dgreca

1 akri Cipa

Nga Akri Çipa/Europa e bashkuar e ka humbur sot sharmin dhe imazhin e dikurshëm të saj. BE-ja e re në kontinentin e vjetër është sot një figurë që nuk pasqyron idealizmin që premtonte projekti europian në gjenezë të tij. Megjithatë, edhe pse nuk ngjall të njëjtin entuziazëm dhe nuk përqafon më të njëjtin idealizëm politik, Europa mbetet sot një faktor tejet i rëndësishëm dhe pozitiv në rajonin e Ballkanit.

Kriza ekonomike ndihmoi në zbehjen e imazhit, por ringritja e kohëve të fundit dhe pritshmëritë e një performance ekonomike në rritje në vitet e ardhshme nuk mjaftuan për ta rikthyer atë. Kjo për shkak se nuk ishte vetëm çështja ekonomike që solli këtë zbehje. Europa e bashkuar hoqi dorë nga idealizmi i saj. Teksa burokratët në Bruksel u vinin përsipër politika austeriteti vendeve në të cilat ekonomia kishte marrë të tatëpjetën, ata frustronin banorët e thjeshtë të këtyre vendeve dhe nuk përmendnin asnjëherë elitat e korruptuara dhe të paafta që i çuan ato ekonomi në atë pikë.

Teksa dështoi të tregonte vullnet për të vënë nën kontroll dhe përpara përgjegjësisë Viktor Orban në Hungari dhe për të mos lejuar shndërrimin e tij në një autokrat të vogël në zemër të kontinentit, Bashkimi Europian konfirmoi cinikisht se, përpara përballimit të valës së emigrantëve dhe ringritjes ekonomike, demokracia mund të kalojë edhe në plan të dytë. E njëjta gjë vlen dhe për rastin e Polonisë, ku së fundmi Kaczynski dhe partia e tij po projektojnë vënien në kontroll të të gjitha pushteteve. Edhe në këtë rast, Europa po e bën një vesh shurdh dhe, megjithë fjalët e korridoreve për përdorimin e Artikullit 7 (artikull që heq të drejtën e votës për vendet e BE-së që shkelin të drejta themelore), po e lë kastën politike polake të degjenerojë gjithë proceset demokratike në vend.

Europa e bashkuar është sot një entitet që e ka mendjen tek shenja e euros më shumë se sa tek standardi demokratik. Artikulli 2 i traktatit të Lisbonës, i cili konfirmon themelimin e Bashkimit Europian në vlerat e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, respektimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut, është sot më shumë një stilemë letrare se sa një princip të cilit i drejtohen zyrtarët e BE-së në deklaratat e tyre publike. Ky transformim i Bashkimit Europian nuk është i rastësishëm. Në fakt, është një zgjedhje që liderët politikë europianë të dekadës së fundit e bënë sa nën presionin e zhvillimeve të jashtme, aq edhe në mënyrë të vetëdijshme.

Por, pavarësisht trajtës së re cinike, Europa e bashkuar vazhdon të jetë një magnet i fuqishëm për vendet ballkanike. Megjithëse BE-ja ka humbur aftësinë e saj për të përmirësuar nivelin e demokracisë në vendet ballkanike, ajo ia ka dalë të përmirësojë marrëdhëniet diplomatike ndërmjet këtyre vendeve. Në atë nivel që as SHBA dhe asnjë aktor tjetër ndërkombëtar nuk mund ta arrijë.

Nuk do të mund të përfytyrohej dot një afrim i Serbisë me Kosovën pa qënësinë dhe ndërmjetësimin e BE-së. Pranimi de facto nga lidershipi politik serb i pavarësisë së Kosovës në ditët e fundit duhet parë si vijueshmëri e impaktit të BE-së në rajon dhe si rezultat i drejtpërdrejtë i Samitit të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Trieste vetëm dy javë më parë. Pa fondet e vëna në dispozicion nga BE-ja, nuk do kishim as planifikimin e një mbledhjeje të përbashkët qeverie ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë. Edhe kjo dukej e paimagjinueshme pak muaj më parë.

Paqtimi i Ballkanit kalon përmes llogarive bankare të këtyre vendeve. Një aleancë ekonomike si Europa e ditëve tona e ka kuptuar mjaft mirë këtë fakt. Marrëdhënia e vendeve të Ballkanit me Europën është bërë transaksionale. Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi e shikojnë Europën si bankomatin në të cilin tërheqin fonde për të rindërtuar infrastrukturën. Politikanët e këtyre vendeve e shikojnë Europën si legjitimim dhe mbështetje për të bindur masat e gjëra të votuesve të tyre se realisht po punojnë. Europa, nga ana e saj, i shikon këto vende si fëmijë të cilët duhen mbajtur të kënaqur (por jo shumë) dhe të qetë (sa më shumë).

Bashkimi Europian ka potencialin të rikthehet të jetë një bashkim principesh po aq sa bashkim interesash ekonomike. Sikurse ka të gjitha aftësitë të rikonfirmojë vlerat e shprehura në artikullin 2 të traktatit të Lisbonës dhe të garantoje qënësinë e atyre vlerave, jo vetëm ndër vendet anëtare, por edhe ndër vendet që aspirojnë të jenë të tilla. Por, deri atëherë, duhet të pranojmë se, edhe thjesht si aleancë pragmatiste, Europa ka mundësinë dhe fuqinë të garantojë stabilitetin në Ballkan dhe normalizimin e marrëdhënieve shpesh të acaruara ndërmjet vendeve të këtij rajoni tragjik. Dhe kjo nuk është pak.

Filed Under: Opinion Tagged With: Akri Çipa, dhe marrëdhënia, me Ballkanin, Transformimi i Europës

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT