• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SULEJMAN PRRENJASI, ANETARI I AKADEMISE EUROPIANE TE PIKTURES

January 16, 2015 by dgreca

-Sulejman Prrenjasi, piktori që hapi mbi 20 ekspozita në gjithë Italinë/
-Ibrahim Kodra duke shpërthyer në një bravo për piktorin e sapozbuluar nga Shqipëria thotë: Ja ku e keni Shqipërinë/
-Marrja e kartës së Antarit të Akademisë Europiane të Pikturës pati jehonë në Itali dhe Shqipëri/
Nga Albert Z. ZHOLI/
“Një jetë me dashuri për pikturën” një film dokumentar për piktorin Sulejman Prrenjasi, realizuar nga regjizori Kristaq Janushi,as.regjizor Lulzim Sula,Monrtazhi Alda Sula,Teksti Petrit Ruka dhe lexim teksti nga Agim Xheka me rastin e 80 vjetorit të Antarit të Akademisë Europiane të Pikturës. Fshati Lubonjë është fshati ku e rrit piktori, ku u edukua dhe formoi talentin e tij për pikturën.Tirana është vendi ku jetoi dhe punoi dhe vazhdon jetën piktori dhe Italia vendi ku me ndihmën e të birit hapi studion e tij. Njohja me piktorin e madh Ibrahim Kodra dhe hapja e mbi 20 ekspozitave në gjithë Italinë, përbën kulmin e krijimtarisë së tij.
Drejt vendlindjes
Sa më shume plaket njeriu, aq më shumë mendja dhe këmbët e çojnë drejt fëminisë. Artisti shkon e takohet edhe njëherë me shumë shok të fëmijërisë në rrënjët e fshatit Lubonjë në rrethin e Korçës. Megjithëse ka lindur në një fshat të Skraparit ku ka ikur 5 vjeç që andej dhe fëminia e tij është e tëra këtu. Imazhet e para plot ngjyra i ka marë në këto anë dhe në këto peisazhe që janë të shtrenjta për të. Këtu pa për herë të parë ngjyrat rrëzëllitëse të pranverës dhe të luleve, të ujrave dhe të qiellit që nuk do ti harrojë kurrë dhe po kështu botën e pikturës që e pa e e zbuloi në kishën e fshatit që u bë shkolla e parë e vizatimit të tij. Një takim magjik me pikturën që nuk e tradhëtoi kurrë në jetë.

Lubonja me bukuritë e saj
Lubonja me bukuritë e saj, me afresket e kishës së saj mbeti e para dhe fundit shkollë e ngjyrave për piktorin e ardhshëm, i cili nuk do të bëjë shkollim akademik. Këtu ai filloi vizatimet e para duke shkuar çdo ditë pas mësimit në tre kishat e Lubonjës. Muret e tyre plot afreske dhe piktura u bënë e para dhe e fundit akademi artesh në zemrën e tij. Aty zbuloi linjat e pafundësisë së ngjyrave. Këtu zemra e tij bëri magji me këtë art të mrekullushëm dhe kjo magji e ndoqi tërë jetën,duke i hapur hap pas hapi rrugën drejt suksesit.

Piktori naivist
Fati nuk e deshi që të mbaronte as liceun e as Akademinë e Arteve, por kjo nuk e pengoi të ndjekë pasionin e tij të madh, botën e ngjyrave. Dështimi në një konkurs, ku fati luan trillet e rastit dhe të rrethanave nuk e trishton, nuk e thyen nuk e brengos. Eshtë një njeri i thjeshtë dhe pasi ka punuar gjithandej pas ushtrisë vendoset në Tiranë.Punon si në ndërmarje të zakoneshme ndërtimi dhe më vonë si elektricist dhe duke bërë një jetë të varfër dhe plot mundime, por sapo mbaron punën e tij këmbët i hanë të dal nga Liqeni i Tiranës, të pikturojë dhe të ndjehet i lumtur. Ekspozita e tij e parë është hapur në vitin 1997,e cila korr një sukses te merituar. Të gjithë janë të emocionuar nga kjo pikturë naiviste, plot gjetje dhe ngjyra. Piktori nuk vjen nga bota akademike, nga bota e studiove, përkundrazi është rropatur me një jetë plot varfëri, dhe kushte për tu marë me art që së paku kërkon një jetë normale. Por nëqoftëse jeta e tij është zakoneshme arti i tij flet për dhunti dhe talent të jashtëzakonshëm.

Emigracioni i të birit dhe fati
Ikja edjalit në emigracion dhe brengat janë derdhur në disa nga pikturat që vizitorët i shikojnë për herë të parë. Madje shumë kush nga ata nuk e di që disa nga telajot kanë vizat e dyshekut të djalit që i ka ikur në emigracion dhe babai i ka kthyer në telajo për të derdhur shpirtin e tij të madh. Më në fund duket sikur rruga e suksesit është hapur dhe Sulejman Prenjasi i vijnë ftesa për të hapur ekspozita të tjera me punët e tij në Itali. Fati e ka bërë të vetën. Piktori takon në Milano të famshem Ibrahim Kodra dhe piktori me famë botërore entuziazmohet nga piktura e tij duke shpërthyer ne një bravo të madhe për piktorin e sapozbuluar nga Shqipëria. Ja ku e keni Shqipërinë thotë Maestro Kodra duke drejtuar dorën nga punimet e tij. Dhe me ndihmën e tij i vijnë ftesat me radhë për të hapur ekspozita ngado në gjithë Italinë. Sulejmani tani gjendet tashmë në faqet e shtypit italian dhe atij shqiptar,duke shijuar pas kaqe vjetesh sakrifice dhe vullneti kenaqesine qe jep flaka e pasionit qe nuk u shua kurrë. Marja e kartës së Antarit të Akademisë Europiane të Pikturës pati jehonë në Itali dhe Shqipëri
Admirimi për piktorin e madh Ibrahim Kodra
Admirimi që kishte (dhe ka) për piktorin e madh Ibrahim Kodra e çoi ti bënte një dhuratë (kur ishte gjallë) mjeshtrit shqiptar me famë botërore, duke e vendosur midis trungut të një lisi shekullor që duket sikur ka mbirë në mes të sheshit Skënderbej në mes të Tiranës. Ndërsa në veprat e reja e në ekspozitat e tjera shfaqet gjithmonë e më shume drama e Kosovës që aso kohe ëprjetoi tragjedinë e saj të fundit në luftën çlirimtare. E kuqja e flamurit shqiptar ndihet dhe përflak kudo në tabllotë e tij të kesaj kohe. Eshtë ngjyra e bukur që vjen qysh prej fëminisë, nga tjegullat dhe zjarri i dimrave të tij, prej Lubonjës së Korçës.

Filed Under: Kulture Tagged With: Albert Z. Zholi, në gjithë Italinë, piktori që hapi mbi 20 ekspozita, Sulejman Prrenjasi

Vlonjatët e Mat’hauzenit pa lapidar dhe pa memorial

December 2, 2014 by dgreca

* Një bisedë interesante me fëmijët e të vrarëve në kampin famëkeq të Mat’hauzenit. Flasin Jorgo Papingji dhe Lefter Gjyli/
*Jorgo Papingji: S’kam ku ti vë një lule babait, asnjë lapidar për të vrarët vlonjat të Mat’hauzenit/
Ne Foto:Jorgo Papingji/
Nga Albert Z. ZHOLI/
Një histori e rrallë, një histori e pabesueshme, një histori që përcjell dhimbje të patregueshme. Jorgo Papingji dhe Lefter Gjyli janë dy vlonjatë, baballarët e të cilëve u vranë nga bisha naziste në Mat’hauzen së bashku me 308 burra të tjerë vlonjatë. Arrestimi I tyre u bë në mesnatën e 15 Mars 1943, u mbajtën një natë në burgun e Vlorës dhe të nesërmen u nisën për në Prishtinë dhe prej andej në Austri. Jorgo atëherë ishte vetëm 6 muajsh ndërsa Lefteri vetëm 4 vjeç. Lajmi për vdekjen e baballarëve e morën vesh në qershor 1945 me anë të një liste të Kryqit të Kuq Shqiptar. Ata u rritën pa baba, por nga ana tjetër dhe pse prindërit janë shpallur dëshmor, për të 308 të vrarët vlonjat në Mat’hauzen, nuk ka një lapidar ku fëmijët të vendonin një lule (pasi ata janë pa varr).
Lefter Gjyli
Kush nga familja Gjyli është vrarë në Mat’hauzen dhe si është ngjarja?
Nga familja jonë janë vrarë dy vëllezër, Kristaq Dhimitër Gjyli, me të vëllain Kristofor Dhimitër Gjyli. Pra që të dy janë vrarë në Mat’hauzen.
Ne kemi banuar në Vlorë prej kohësh dhe babai im, ishte tregtar i mesëm. Ne jemi një familje patriotësh. Në kohën e luftës, babai nuk shkoi direkt në luftë, në front, por ai ndihmonte luftën me të holla, me veshmbathje dhe me ushqime. Madje në dyqanin e tij bëheshin mbledhjet e ilegalëve dhe vinin të gjithë udhëheqësit kryesorë të luftës në Vlorë. Ai kishte rënë ën sy. Gjithmonë e ndiqnin spiunët megjithëse ai ruhej. Kryetar i Ballit në Vlorë ishte Vizhdan Risilia i cili e ka spiunuar. Në sajë të këtyre spiunimeve që ishte përkrahës i luftës, gjermanët kishin kohë që e kishin vënë babanë në rreth të kuq për ta arrestuar. Një natë në orën 12 babanë vijnë dhe e arrestojnë papritur. Së bashku me babanë e Vaso Godos, Lito Godon, babanë e Aranit Berberit babanë e Jorgo Papingjit dhe shumë të tjerë në lagje.

Të kanë treguar ditën apo javën që ka ndodhur?
Me atë që më ka treguar nëna dhe të afërmit më vonë, ka qenë rreth 15 mars I vitit 1943. Pra fillim pranvere. Askush nuk e priste të vinin në atë orë, askush nuk e mori me mend se do ti arrestonin ashtu befasisht.

Ku i çuan në fillim?
Në fillim i çuan në burgun e Bashkisë në Vlorë që ishte përballë Bashkisë, I ndante vetëm rruga. Pas një apo dy ditësh i hipën në makina dhe I çuan në Prishtinë. Mësuam vetëm kaq se nga Prishtina do ti nisnin në stacionet më të afërta të trenit për në Austri. Kaq mësuam, asgjë më shumë. Atëherë nuk kishte këtë ndërlidhje që ka sot. Kristofor Gjyli, ishte xhaxhai im, pas 9 muajsh e arrestuan dhe atë dhe e çuan në Prishtinë. Edhe xhaxhai ndihmonte shumë luftën dhe spiunët kishin bërë punën e tyre. Xhaxhain e arrestuan në janar 1944. Edhe xhaxhain e çuan në Prishtinë dhe më vonë në Mat’hauzen. Pra të dy vëllezërit nga një derë ën Mat’hauzen. Aty u vranë të dy, aty gjetën vdekjen të dy duke lënë familjet dhe fëmijët vetëm.
Ju që nga ajo ditë nuk kishit asnjë lajm prej tyre?
Jo. Asnjë, fare. Nuk dinim çfarë bëhej, por prisnim. Unë isha I vogël se kisha idenë shumë. Por shija nënën që qante ditë e natë.
Kur e morët vesh për vdekjen e tyre?
Në vitin 1945, nga muaji shkurt, ne na erdhi në shtëpi një njoftim i qeverisë, apo më mirë të themi mandatet e vdekjes që I kishte marrë kryqi I kuq në Mat’hauzen. Ne hapëm derën e shtëpisë 40 ditë për vakinë. Gratë filluan të qanin për të dy vëllezërit. Pra një vdekje në mungesë. Unë atëherë isha vetëm katër vjeç dhe nuk I shoshitja mirë gjërat, por e dija çfarë ndodhi. Shtëpia u shtrua me qilima dhe mindere për pritjen e njerëzve. Të dy familjet u mblodhën tek ne madje edhe dy vëllezërit e tjerë që ishin gjallë. U bë gjithë rituali sipas zakoneve tona, sipas traditave tona.
Po nga qeveria shqiptare a u nderuan dy vëllezërit babai dhe xhaxhai juaj?
Po, u nderuan, ju dha titulli “Dëshmor i atdheut”. Ato ditë erdhën në shtëpinë tonë të gjithë drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv dhe Komitetit të Partisë së Vlorës.
Me statusin e dëshmorit morët ndonjë shpërblim?
Morëm disa vite, më pas qeveria Berisha na e hoqi këtë shpërblim, dhe nuk e kemi kuptuar kurrë se përse.
Nga Mat’hauzen çfarë dokumentesh keni që vërtetojnë vdekjen e babait tuaj?
Ne me anë të kryqit të kuq dhe të njerëzve kemi marrë të fotokopjuara të gjitha dokumentet origjinale, ku përcaktohej vendi, rrethinat, numri I të burgosurit dhe të dhënat e tjera që përputhen katërcipërisht me identitetin e babait. Ishte dhe një matrikull metalik me numër për identifikim sa më të saktë. Të gjitha këto, ja i kam këtu në një dosje të veçantë.
Jorgo Papingji
Babai im ishte simpatizant i lëvizjes, ishte njeri që e ka ndihmuar me të gjitha mundësitë lëvizjen, pasi ne historikisht kemi qenë një familje patriotike. Babai im punonte në doganën e Vlorës, si spedicioner. Kishte vite që punonte aty dhe e njihnin dhe kishte miqësi të madhe në Vlorë. Madje babai dinte dy gjuhë të huaja. Me ato pak kursime që kishte (siç më thoshte nëna) ai ndihmonte me tërë mundësitë e tij lëvizjen nacional çlirimtare. Ndihma e tij kishte rënë në sy ndaj ai ishte etiketuar nga gjermanët nëpërmjet spiunëve që kontrollonin çdo lëvizje.
Në të njëjtën kohë me babanë e Lefterit?
Ajo ishte dita e gjëmës. Besoj se atë ditë 15 Mars 1943 pasi ajo ishte nata që u bënë më shumë arrestime në Vlorë. Nëna nuk e mbante mend mirë nga stresi I madh që kaloi, por sipas shumë kujtimeve të miqve, besoj se ajo ditë ka qenë. Edhe im atë natën është arrestuar, sit ë gjitha arrestimet e tjera.
Çfarë moshe kishe në atë kohë?
Unë atëherë isha vetëm 6 muaj, isha në pelena (qesh) dhe as dija çfarë bëhej. As kur u bëra një vjeç se kisha idenë. Kur u rrita dhe doja babanë shihja se ndryshe nga shokët e mi babai më mungonte. Më vonë e mora vesh se si ishte e vërteta. Mbaj mend pastaj ku u rrita dhe pyesja nënën vazhdimisht si është historia e babait. Ajo më thoshte ishte natë, ora 12. Ishim në gjumë. Kur dera bie me forcë. Nuk hapëm sytë mirë kur na e shqyen derën dhe u futën brenda. Ishin sulur nga gardhi i shtëpisë dhe jo nga dera e oborrit. Babai nuk kishte arritur të vishej me rrobat e tjera por ishte me rroba nate. Unë vura kujën më tha nëna, por s’kisha çfarë të bëja. Ata e lidhën dhe e morën me vete sikur të ishte kafshë.
Pra babanë e ke njohur vetëm nëpërmjet tregimeve të nënës?
Po. Unë nuk i kurseja pyetjet dhe nëna me durim më sqaronte çdo gjë që unë kërkoja. Nëpërmjet tregimeve të saj kisha krijuar dhe kam një ide të qartë se kush ka qenë babai im.
Çfarë të veçante ju ka thënë nëna për babanë?
Para se të lindja unë, nëna kishte lindur dy motra. Babai e kishte merak të lindte një djalë për të vazhduar jetën e trashëgimisë familjare. Kur linda unë babai u gëzua shumë, shumë më thoshte nëna. Pas lindjes time ai u bë më i gëzuar. Tani i tha nënës jam i qetë. E kam trashëgimtarin. Tani dhe ju jeni të sigurt. Sikur e parandiente. Sikur diçka dinte.
Si e përjetoi nëna jote këtë gjëmë?
Shumë keq, Jashtëzakonisht keq. Më thoshte se të nesërmen e arrestimit, ne u mblodhëm shumë gra (pasi u bënë shumë arrestime) dhe bëmë demonstratë përpara burgut (tek Bashkia), por më kot. Ata i nisën për në Kosovë dhe më vonë i çuan në Austri. Pastaj nuk morën vesh asgjë. Kjo deri sa erdhi lajmi në vitin 1945.
Kush ishte iniciatori i zbulimit të së vërtetës?
Ishte Kryqi i kuq Ndërkombëtar në përkrahje të të cilit ishte dhe Kryqi i Kuq Shqiptar. Ata shkuan në Austri dhe aty morën dokumentacionin e plotë. Madje ata morën listat e plota, listat e sakta ku dhe si kanë qenë. Me ato lista ato erdhën ën Shqipëri.
Si i sollën dhe ku i vendosën mandatet?
I solli kryqi i kuq me listë të vërtetuara katërcipërisht dhe me vulën e institucionit ku i kishin marrë. Gjithë lista u vendos në merkato në qendër të Vlorës. Ishte një dokument origjinal i marrë në vendin e ngjarjes. Ishte një ditë që për Vlorën ka ngelë në kujtesë. Njerëzit shtyheshin për të parë të vërtetën. Duhet të dimë se në ato ditë arrestimesh u çuan në Mat’hauzen dhe kampet e shfarosjes mbi 308 burra nga Vlora. Ky lajmërim mban datën 28 qershor 1945. Në merkaton e Vlorës atë ditë u kthye në ditë zie. Kam një kopje të origjinalit të atij lajmërimi n ku babai im Perikli Papingji mban numrin rendor 10.
Në sistemin monist a janë vlerësuar dhe përkujtuar këto figura?
Po. Babai u shpall “Dëshmor I Atdheut” dhe në 5 maj tek ne vinin veteran dhe drejtues të pushtetit në Vlorë. Më pas u lanë në harresë. Kur u shpall dëshmor u bë një ceremoni shumë e madhe nga pushteti vendor dhe Komiteti I Partisë. Na dhanë dhe një shpërblim 5 mijë lekë të reja më vonë por na e hoqën prapë. Ai shpërblim ishte ndihma që na jepte babai për patriotizmin e vetë, pasi nuk na la gjë tjetër dhe ne u rritëm jetimë.
Në gjithë këtë ngjarje kush është pjesa më e dhimbshme?
Është ajo, që ne nuk dimë ku të qajmë prindërit tanë. Nuk dimë ku të vëmë një tufë lule, Nuk dimë se ku të gjejmë një çast prehje në kujtim të prindërve. Është thënë se do të bëhet një lapidar, se do të bëhet një Memorial, apo një përmendore. Është thënë shumë, janë marrë shumë nisma, por asgjë nuk është bërë. Duhet një lapidar i veçantë. Nuk janë përkujtuar asnjëherë, nuk është bërë diçka e veçantë. Ja tani përkujtojmë 70-vjetorin e çlirimit, ku të shkoj ti vë një tufë lule babait, ku? Unë të gjitha dokumentacionin e babait e kam marrë në Austri, ka shkuar vetë mbesa ime dhe e ka marrë me saktësi të plotë.
Ku duhet të bëhet ky memorial?
Aty nga i nisën, përballë Bashkisë ku ka qenë burgu i vetëm. Aty ku kanë qarë me qindra gra për burrat e tyre. Unë 70 vjeç dhe skam ditur ku ti vë një tufë lule babait.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, dhe pa memorial, e Mat’hauzenit pa lapidar, vlonjatet

“…VARRI I TIJË DY KONTINENTE…”

September 10, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. Zholi/
Ishte ditë vjeshte, por dielli digjte si në gusht. Këmbët më cuan përpara një dyqani ëmbëlsirash. Në vitrinë më tërhoqi vëmendjen një portret i njohur, vendosur në një kornizë. E kisha për herë të parë nëpër faqet e librave të shkollës. Ashtu i lodhur sic isha, i pluhurosur e i leckosur , qëndroja para vitrinës dhe nuk ngopesha së pari. Ishte ajo fytyrë, ajo mjekër hijerëndë, ata sy fisnikë, ajo hundë si shqiponjë, ajo vështrim ëndërrimtar …Para meje ishte Ali Pasha …
-Ti qitas? ( cfarë shikon)- foli pronari i dyqanit, duke menduar se po lëpija, nga jashtë xhamit, ëmbëlsirat e tij.
-Pashanë e Janinës shikoj- iu përgjigja unë krenar e zëfortë, në ato dy fjalë të pashqitëshme…
Pronari më pa i cuditur, pastakj dic tha nëpër buzë e hyri brenda…” Këto i lexova tek një libër i pa botuar ende i Kzharkallit. Dhe brenda trurit nisën të lëviznin me jehonë, vjershat e këngët, historitë e gojëdhënat për Ali Pashë Tepelenën e Janinës… Që edhe pse kish vdekur më 5 shkurtin e 1822-shit po jetonte në dy jetë : Jetën e luftës e jetën e këngës… Dhe jeta e dytë e këngës, ishte më e madhërishmja, më e pavdekshmja. Por e vecanta e këtijë njeriu me dy jetë është se ai i kishte të gjitha nga dy: Dy gjuhë, dy vende, dy fe, dy pashallëqe, dy gra, dy djem, dy varre…
Kjo e vecantë për të gjithë njerëzit që kanë bërë histori , është përjetuar edhe në këngë
“… Ali Pasha me dy varre,
Në dy shtete, në dy qytete,
Varri I tij, dy kontinente …” Tepelena e lindi, Janina I mori kokën.
Të parën e shkeli këmbëzbathur, të dytën e bëri vetë …
“ Janinë, Janinë e shkretë,
Të pacë ndërtuar vetë,
S’të gëzova as unë as djemtë…”
Të rëntë zjarri të djegtë…”
Hija e tijë është e kudoshtrirë, sa gjithkush, duhet t’I hedhë me kujdes hapat, për të mos e shkelur…
Por ai është e njëherësh fshihet e bëhet I padukëshëm. Dhe në momente kur po populli ka ethe e zjarrëllëk shpirti e kërkon që të shfaqet me dy jetët njëherësh:
“…Ku je Ali Pashë ku je?
Mblidhi trimat ku i ke?!…

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Z. Zholi, dy kontinente, varri

BIXHOZXHIU

August 26, 2014 by dgreca

Nga Albert Z.ZHOLI/
Sa hyri, u mbështet pasdere. Këmbët s’e mbanin. Balli i qe mbuluar me djersë, që i rridhnin nën mjekër. Gruaja e fëmijtë e shihnin me dhimbje, pa guxuar t’i afroheshin për ta ndihmuar. E dinin që ai kërkonte një minishkak për sherr. Duke u mbajtur pas murit mezi arriti të ulej në divan. Djali pesë vjeç dhe vajza tetë vjeçe rrinin të strukur në gjirin e nënës. Era e uzos mbushi me kutërbim gjithë shtëpinë. Heshtjen e prishi gruaja, Elsa:
-Shkoni nga dhoma tjetër se do të bisedoj pak me babanë-urdhëroi ajo fëmijtë e saj.
Ata hynë në dhomën e gjumit dhe mbyllën derën. Elsa iu drejtua të shoqit:
-Si nuk të vjen turp që vjen në këtë gjendje para fëmijëve! Ç’edukatë do të marrin ata nga ne si prindër?!
-Mos më mëso ti mua, u bë bishti më i madhe se sqepari…
-Nuk po të mësoj por dua të të them se je baba fëmijësh dhe ke muaj pa shkuar në punë.
-Nuk gjej dot punë. Në ndërtim nuk shkoj, nuk kam ardhur të le kockat në Greqi.
-Të paktën mos luaj bixhoz e mos pi trutë.
-Boll tani, boll, shko fli…
-Do shkoj por më parë më jep librezën se do shkoj të paguaj qeranë nesër. E kërkova por nuk e gjeta.
-Ç’e do librezën ajo është bosh.
-Si!-shqu sytë ajo nga habia. Trupi nisi t’i dridhej. Aty ishin 600 mijë dhrahmi.
-Ishin por s’janë. I humba sot në lojë-bixhozi. Në fillim fitova dy duar, pastaj i humba të gjitha. Kupton bixhozi është bixhoz.
-S’të vjen turp! Jo vetëm nuk punon por… -nisi të lotonte.
-Mos më folë me atë gjuhë mua-turfulloi ai.
-Ta them njëqind here turp, turp, turp. Luan bixhoz me bukën e fëmijëve.
-Qepe të them! Po sikur të fitoja kështu do më flisje!
Hapet dera e dhomës dhe hyn Sidorela tetë vjeçare. Ajo, me lotë në sy i drejtohet të jatit:
-Babi, mami ka të drejtë. Ajo punon ditë e natë e ne jemi më të varfër nga gjithë shqiptarët që njoh unë. Unë as çantë të re nuk bleva si gjithë shoqet e mia. Atyre u punojnë babët…-dhe qau me ngashërim.
I jati shtangu. Nuk i priste ato fjalë nga fëmija e tij. Ajo ishte rritur brenda javës, apo ishte bërë ai i vogël deri në moshën e një fëmije?!

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Z. Zholi, Bixhozxhiu

LARGIMI

August 25, 2014 by dgreca

Nga Albert Z. ZHOLI/
Burrë e grua kishin mbi një orë që shihnin, të heshtur, akrepat e orës. Ai rrinte i shtrirë, me këmbën e djathtë të prerë deri mbi gju dhe ajo rrinte në karrige, aty pranë. Kur vinte ndonjë zhurmë nga koridori, ata sytë i mbërthenin te dera. Ora shënonte 23-30. Emanuela, fëmija e vetme, ende nuk ishte kthyer. Në dy-tre muajt e fundit, qyshkur babai kish prerë këmbën, ajo kthehej gjithmonë e më vonë. Pas mbarimit të gjimnazit e ndaloi vazhdimin e shkollës, por edhe punë nuk po kërkonte. Nëna e kish parë disa herë me një rom-grek, një mustaqelli të zi, këmishëlëshuar e gjithmonë në shregullt, siç duken të gjithë romët e botës. Ulërima e motorit “JAMAHA” para shtëpisë dhe ajo pamje e romit mbi motor e tërbonin nënën e Emanuelës. Disa herë i kish bërtitur të bijës, por më kot. Kur ora donte edhe tre minuta të shkonte 24 u dëgjua “ulërima” e motorit. Dy-prindrit u lehtësuan disi, në heshtje dhe sytë akoma nuk ia ndanin derës. Dera u hap dhe vajza hyri pa thënë asnjë fjalë. I pa të dy në sy dhe i dha një qeshje buzës së poshtme.
-Pse më shihni sikur do më hani të gjallë?
-Si u flet kështu prindërve?
-Sikur të jem kriminele, ç’ju kam bërë?
-Ende nuk po e kupton? Në shkollë nuk po shkon, në punë-jo, bredh e nuk mblidhesh në shtëpi…
-Dhe shoqërohesh me një njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me ne-vazhdoi nëna.
-Ai ka para dhe më trajton mirë.
-Si të mos të të trajtojë mirë, ku do gjente një vajzë të tillë?!
-Pse të mos gjejë kur ka para. Me para sot blihet shteti e jo një femër.
Ata pane njëri-tjetrin në sy. Nuk mund të kuptonin logjikën e atyre fjalëve. Ajo fliste me siguri të plotë.
-Po ne kemi tjetër moral moj bijë, ne gjithmonë kemi bërë jetë të qetë e të varfër-dhe fërkoi këmbën e cunguar.
-Atëhere ishte ndryshe jeta, ishte tjetër sistem. Nuk kishte as celular, as vetura, as vila, as xhinse, as banane pa le koka-kola.
-Ne robëtohemi në punë për të të siguruar ti jetën. Babai mbeti sakat për tërë jetën-foli nëna duke lotuar.
-Ç’më kini dhënë?!Ju punoni sa për qeranë e shtëpisë e për të ngrenë, pse kjo është jeta?!
-Por aq janë mundësitë tona, me punë të ndershme nuk mund të vesh miliona.
-Dhe unë nuk duroj dot që shoqet e mia ta jetojnë jetën e unë vetëm të shikoj. Kur më lindët nuk e menduat?!
Babait i erdhi dhoma rrotull. Këto fjalë si mund t’i dëgjonte nga goja e vajzës së tij. U ngrit në të ndenjura dhe i bërtiti:
-Turp, turp të kesh! Nuk e meriton të jesh vajza jonë-dhe pështyu në drejtim të saj.
-Turp për juve që nuk jini të zotë t’i siguroni një jetë normale vajzës së vetme,-foli ajo dhe u ngrit – unë s’kam për të shkelur më në këtë shtëpi. Doli. Burrë e grua mbetën me sytë nga dera…
Ajo derë tashme u dukej si nje bunker hermetik.

Filed Under: ESSE Tagged With: Albert Z. Zholi, Largimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT