Nga Albert Z.ZHOLI/
Sa hyri, u mbështet pasdere. Këmbët s’e mbanin. Balli i qe mbuluar me djersë, që i rridhnin nën mjekër. Gruaja e fëmijtë e shihnin me dhimbje, pa guxuar t’i afroheshin për ta ndihmuar. E dinin që ai kërkonte një minishkak për sherr. Duke u mbajtur pas murit mezi arriti të ulej në divan. Djali pesë vjeç dhe vajza tetë vjeçe rrinin të strukur në gjirin e nënës. Era e uzos mbushi me kutërbim gjithë shtëpinë. Heshtjen e prishi gruaja, Elsa:
-Shkoni nga dhoma tjetër se do të bisedoj pak me babanë-urdhëroi ajo fëmijtë e saj.
Ata hynë në dhomën e gjumit dhe mbyllën derën. Elsa iu drejtua të shoqit:
-Si nuk të vjen turp që vjen në këtë gjendje para fëmijëve! Ç’edukatë do të marrin ata nga ne si prindër?!
-Mos më mëso ti mua, u bë bishti më i madhe se sqepari…
-Nuk po të mësoj por dua të të them se je baba fëmijësh dhe ke muaj pa shkuar në punë.
-Nuk gjej dot punë. Në ndërtim nuk shkoj, nuk kam ardhur të le kockat në Greqi.
-Të paktën mos luaj bixhoz e mos pi trutë.
-Boll tani, boll, shko fli…
-Do shkoj por më parë më jep librezën se do shkoj të paguaj qeranë nesër. E kërkova por nuk e gjeta.
-Ç’e do librezën ajo është bosh.
-Si!-shqu sytë ajo nga habia. Trupi nisi t’i dridhej. Aty ishin 600 mijë dhrahmi.
-Ishin por s’janë. I humba sot në lojë-bixhozi. Në fillim fitova dy duar, pastaj i humba të gjitha. Kupton bixhozi është bixhoz.
-S’të vjen turp! Jo vetëm nuk punon por… -nisi të lotonte.
-Mos më folë me atë gjuhë mua-turfulloi ai.
-Ta them njëqind here turp, turp, turp. Luan bixhoz me bukën e fëmijëve.
-Qepe të them! Po sikur të fitoja kështu do më flisje!
Hapet dera e dhomës dhe hyn Sidorela tetë vjeçare. Ajo, me lotë në sy i drejtohet të jatit:
-Babi, mami ka të drejtë. Ajo punon ditë e natë e ne jemi më të varfër nga gjithë shqiptarët që njoh unë. Unë as çantë të re nuk bleva si gjithë shoqet e mia. Atyre u punojnë babët…-dhe qau me ngashërim.
I jati shtangu. Nuk i priste ato fjalë nga fëmija e tij. Ajo ishte rritur brenda javës, apo ishte bërë ai i vogël deri në moshën e një fëmije?!