• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kanina dhe Vlora përkujtojnë 567-vjetorin e dasmës së Skënderbeut me Donikën

April 23, 2018 by dgreca

Një festë-dasmë e rrallë dhe e pazakontë. Një improvizim që të çon thellë në histori për të njohur dasmën më të rrallë shqiptare/1 donika

Kanina dhe Vlora përkujtojnë 567-vjetorin e dasmës së Skënderbeut me Donikën/1 Gravura

Nga Albert Z. ZHOLI/1 KaninaNjë festë-dasmë e rrallë dhe e pazakontë. Një improvizim që të çon thellë në histori, për të njohur dasmën më të rrallë shqiptare  në themelet e kalasë së vjetër të Kaninës legjendare. Dje, në datën 22 prill 2018, ora 12:00, në Kalanë e Kaninës, Deputeti dhe djali i Kaninës, Fate Velaj, realizoi një ëndrrën e tij të vjetër. Në bashkëpunim me Shoqatën Patriotike “Kanina” , si dhe me Lëvizjen “Foleja Kombëtare Shqiptare” dhe Bashkinë e Vlorës, ai organizoi për herë të parë në histori, “DASMA E SKËNDERBEUT”, ashtu siç mund të jetë festuar në atë kohë. Në këtë festë merrnin pjesë, ministri Gjiknuri, deputeti i PS Vullnet Sinaj, kryetari BSHKISË Vlorë, Dritan Leli, Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj, Kryetari i Shoqatës “Labëria” Prof. Ago Nezha, Prof. Sulejman Muça, historianë, shkrimtarë, studiues si dhe shumë grupe polifonike dhe grupe të ndryshme folklorike të ardhur nga Kosova  si dhe me pjesëmarrjen e një delegacioni special, prej 60 vetash, të ardhur nga Arbëreshët e Italisë, në përbërje të së cilëve ishte dhe Loris Castriota Scanderbeg – stërnipi i Gjergj Kastriotit. Kalaja e vjetër e Kaninës ishte zbukuruar si kurrë ndonjëherë. Rreth 100 flamuj kombëtare dhe 50 banderola me simbolet e flamurit kishin zbukuruar gjithë këtë kala me histori qindravjeçare. Në fjalën e hapjes së dasmë-festës, deputeti Fate Velaj theksoi rëndësinë e kësaj dasme, por mbi të gjitha përcolli mesazhin se pse duhet ta përkujtojmë këtë ditë dhe kush është rëndësia e saj ën ditët e sotme kur historia po deformohet. Një festim madhështor për të na kthyer plot  567 vjet më pas  për të festuar në mënyrë imagjinare  567-vjetorin e dasmës më historike të kombit shqiptar si dhe 590-vjetorin e lindjes së Donika Gjergj Arianitit në Kaninë. “Çifti  Skënderbe- Donika” hynë në kalanë e plot ngjarjeve mbi kuaj të bardhë të ndjekur nga dhjetëra “luftëtarë”. Me kurorat mbretërore, ata përcollën tek pjesëmarrësit ritet e dasmës së Heroit tonë Kombëtar Gjegj Kastriot Skënderbeu. Pas uljes së çiftit mbretëror në poltronet mbretërore filluan gëzimi, kënga, daullet dhe hareja.  Festimeve ju bashkua dhe grupi polifonik i Kaninës, ansambli i këngëve dhe valleve të Vlorës si dhe miq e dashamirës nga trevat shqiptare të Kosovës. Dje Kanina solli në kujtesë një ngjarje të madhe, një ngjarje që ka lënë gjurmë në historinë e Vlorës por edhe të gjithë kombit shqiptar. Dje Kanina e lavdishme përjetoi si asnjëherë  vendin e saj në historinë shqiptare. Koncerti me këngë të grupeve të ndryshme polifonike, këngët dhe vallet arbëreshe si dhe këngët dhe vallet e grupit Lëvizja “Foleja Kombëtare Shqiptare” gjatë gjithë kohës u ndoqën, u duartrokitën dhe u shoqëruan nga mbi 1000 pjesëmarrës. Pas përfundimit të koncertit, në shenjë kujtimi, përjetësimi dhe vazhdimi të traditës në themelet e hyrjes së kalasë u mboll një pemë ulliri, e cila do të vazhdojë të mbillet për çdo vit, për të nxitur respektin dhe vëmendjen e kësaj feste të rrallë. Brezat që do vijnë, do na jenë mirënjohës. Mbas festimeve të Kaninës, në orë 16:00, pjesëmarrësit në festë-dasmën u nisën për tek Manastiri i Ardenicës, aty ku Skënderbeu dhe Donika kurorëzuan martesën e tyre në kishë.

Kush ishte Donika Arianiti (Skënderbeu)

Andronika (Donika) Kastrioti ishte gruaja e Skënderbeut. Ajo ishte bija e princit të famshëm Gjergj Arianiti, njërit prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit osman. Andronika ishte një dukeshë. Ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin, kryekapedanin e Lidhjes Shqiptare, pothuaj një mbret pa kurorë, dhe u bë princeshë. Në gjuhën e sotme protokollare Andronika Kastrioti ishte gruaja e parë e Arbërisë. Andronika lindi në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç. Andronikes i thërrisnin dhe Donika. Ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë.[1] Me gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës. U martua me Skënderbeun më 23 prill 1451; dasma në Kaninë zgjati tri ditë, 21-23 prill. Për dasmën e këtij çifti të shquar të Arbërisë ka gojëdhëna, vargje popullore, të dhëna historike. Thonë se Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Kënga dhe vallja buçiti dhe kalaja e Kaninës llamburiti nga pishat dhe fenerët e shumtë. Aty u bë shkëmbimi i unazave. Në Qishbardhë (Kishën e Bardhë) afër Kaninës, çiftit iu dha bekimi ungjillor. Më pas ceremonia vazhdoi në manastirin e Ardenicës, në afërsi të Lushnjes, dhe më pas në kalanë e Beratit. Populli buçiste e duartrokiste kudo ku shkelte çifti. Ja disa vargje folklori për dasmën e tyre:

“…Ç’dasmë që bë

Araniti /Atë natë kalaja ndriti, /Kënga dhe vallja

buçiti /Çelën llamba, ndezën pisha /Plot tryeza me të

gjitha,/ Mish dashi, Labërie, / Verë Parge Çamërie…”

Vargu i dasmorëve lebër e përcolli çiftin, deri tej

Vjosës. Më 26 prill 1451, atyre iu dha kurorëzimi në

Berat. Për bukurinë e këtij çifti kanë folur,

pikturuar e vargëzuar shumë njerëz të artit, midis

tyre dhe poeti i madh Naim Frashëri: “…Dhëndëri si

dielli ndriste,/ Edhe nuseja që prunë, / Porsi hëna

vetëtinte,/ Dritënë në dritë e shtunë…”

Filed Under: Reportazh Tagged With: Albert Zholi, daska e Skenderbeut, Donika, Kanina, Vlora

Koço Kota – Për një Shqipëri oksidentale

November 8, 2017 by dgreca

Libri i ri “Koço Kota – Për një Shqipëri oksidentale”, një ridimensionim i leximit real të historisë shqiptare/1 Koco Kota

 Prof. dr. Bardhosh Gaçe & Albert Z. ZHOLI/Sado që kohët kanë ecur përpara, kanë lëvizur me një progres të habitshëm, janë zbuluar arkiva shtetërore, arkiva familjare, na kanë ardhur në kronikat e të vërtetave dokumente dhe opinione jashtëzakonisht me vlera të nevojshme, në opinionin vlerësues njerëzor dhe të vërtetave historike është shtuar referenca e anashkaluar, mohuar dhe refuzuar për një kohë relativisht të gjatë. Ditë pas dite e kohë pas kohe në duart e lexuesit shqiptar po vijnë libra të rëndësishëm historiko-politik, histori të pazakonta, të cilat po u vijnë në ndihmë shumë çështjeve që ose kanë qenë të errësuara, ose kanë qenë të pastudiuara, ose janë harruar fare. Pavarësisht një prurjeje të shumtë, veçmas pas viteve ‘90-të, të një lloj letërsie dhe historie tematikisht të nevojshme për zhvillimet e kohës dhe të çlirimit për të qenë të lirë në të shprehurin për shumë çështje të prekshme dhe të përjetueshme nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, që kishin lidhje kryesisht me kompleksin totalitar, gjatë këtyre dy dekadave e më shumë ka pasur dhe një prurje të rëndësishme historiografike dhe monografike, e cila ka plotësuar një lloj boshësie të dukshme dhe djerr, e cila në historiografinë shqiptare, ose është lënë ashtu, ose është mbushur me temën e propagandës. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht me dëshminë dhe tregimin e nevojshëm të personaliteteve të dijes dhe të aktivitetit politiko-shtetëror të paraçlirimit të vendit. Ndërmarrje të tilla dhe për figura emblematike të politikës dhe të historisë shqiptare është një zhvillim pozitiv gjatë kësaj periudhe, pasi, edhe pse ka pasur një prurje të veçantë, në letërsi dhe në përvojën e të shkruarit, koha është një mekanizëm racional dhe efektivisht veprues në verifikimin dhe seleksionimin e tyre, në këtë rrjedhë të vrullshme dhe të shumtë librash, ne kemi pasur fatin e mirë të na vijnë libra të rëndësishëm, të cilët kanë zënë vendin e vet në historinë shqiptare, pavarësisht se vonë, siç është edhe studimi monografik “Koço Kota –Për një Shqipëri oksidentale” të autorit të mirënjohur, Harallamb Kota.

Në historinë e popujve të vegjël dhe të njohur në botë, ka raste unikale të mekanizmave dhe fakteve të çuditshme se si është shkruar historia e këtyre popujve dhe vendeve. Kështu në historinë më emblematike të Izraelit ka një fakt të çuditshëm, që lidhet me konsideratën e mirë, shpeshherë dhe preferenciale të një personi të vetëm, i cili gjatë jetës së tij kishte ruajtur me mijëra dokumente të natyrave të ndryshme, për t’i paraqitur si dëshmi të nevojshme në shërbim të vendit të tij dhe historisë së Izraelit. Në këtë lloj rrugëtimi bashkëkohor, lexuesit shqiptar po i vjen dhe njëri nga librat më të rëndësishëm të tij, që lidhet me njërin nga personalitetet intelektuale, politike, shtetërore, diplomatike, sociale, Koço Kota të studiuesit Harallamb Kota.

Deri në vitet ’90-të Koço Kota nuk njihej, dhe nëse njihej, mbi të rëndonte anatema politike, etiketimi politik i ndërtuar mbi perceptimin ideologjik-politik të sistemit totalitar, nëse njihej, ai konsiderohej armiku i pushtetit popullor, ndërsa e gjithë vlera e tij, e cila ka ardhur në librin “Koço Kota- Për një Shqipëri Oksidentale”, të autorit Harallamb Kota, nuk ishte e mundur të bëhej e njohur, pronë shoqërore dhe historiografike, e për më tepër në një botim voluminoz, në të cilin kërkohet të thuhet gjithçka lidhet me të, referuar kohës, politikës, zhvillimeve kombëtare dhe ballkanike, në një lidhje dhe konvencionalitet të thellë shkencor dhe interpretues. Libri që po i vjen në dorë lexuesit shqiptar përmbush një detyrim shoqëror dhe historiografik, pasi në të nuk flitet për Koço Kotën në vetvete, as për bëmat e tij, as udhëtimet, raportet e tij me dijen dhe kulturën, por përmes tij ka një valorizim të gjerë në të gjithë historinë tonë kombëtare, një jetë dhe një veprimtari që lidhet me një kohë relativisht të gjatë dhe aktive, të përfshirë nga zhvillimet historike, politike, të qeverive dhe mbretërisë, të marrëdhënieve me Lindjen dhe Perëndimin, të problemeve të thella jetike të natyrës së besimit, të ligjit dhe të zhvillimit. Koço Kota është një personalitet i përfshirë dhe i gjendur në zhvillimet më të rëndësishme të Shqipërisë, që nisin që në fillimin të shek. XX për të vazhduar me një temp të jashtëzakonshëm deri në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Fillimvitet 1900, e gjatë tre dekadave të para të shekullit të kaluar kanë qenë të mbushura me zhvillime jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, që nga Shpallja e Pavarësisë, e cila kulmoi të gjithë aktivitetin dhe veprimtarinë kulturore, politike, historike, shoqërore, luftarake dhe intelektuale të Rilindjes Kombëtare, e cila me të drejtë është konsideruar njëra nga epokat më të arta të historisë shqiptare, pas kohës së Skënderbeut. Koço Kota ka lindur në një kohë (1886) dhe zhvillimet politike e shoqërore të viteve 1900 e kanë nxënës të pjekur, të shkolluar dhe një intelektual universitar, i cili më shumë se kushdo mund ta “lexonte” realitetin brenda vendit dhe rrethanat dhe zhvillimet rajonale dhe ato ndërkombëtare. Harallamb Kota është gjendur para një “mali” të madh veprimtarie, aktiviteti dhe kontributesh të Koço Kotës, që ishte i shkolluar si mos më mirë, që nga Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë, pastaj në gjimnazin e njohur “Zosimea”, studimet në Universitetin e Athinës për Shkenca Politike-Juridike-Administrative, arsimin pasuniversitar në Boston të SHBA-ve, mbrojtja e gradës shkencore “Doktor në Jurispondencë” po në SHBA, të cilat e bëjnë të rëndësishme veprimtarinë e Koço Kotës në Shqipëri, e cila fillon që nga viti 1911, si kryetar i shoqërisë “Malli i Mëmëdheut” në SHBA, pastaj si bashkëthemelues i Federatës Panshqiptare “Vatra” po në SHBA, e më pas i gjithë aktiviteti i tij (1912) në Shqipërinë e mbushur me ngjarje, beteja politike, luftarake, koniunktura dhe kthesa të jashtëzakonshme për shkakun e raporteve të lëkundura me fqinjët, për shkakun e koniunkturave të politikës dhe diplomacisë së kohës me Perëndimin, brenda zhvillimeve të qeverive dhe shtresave të shoqërisë shqiptare. Aktiviteti jetësor, patriotik në SHBA dhe në Shqipëri, aktiviteti shtetëror që nga vitet 1912 deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste, përbëjnë një prerje historike dhe analitike të zhvillimeve shqiptare përmes një personaliteti, shtetari, dhe politikani kalibri, i cili ka arritur ta njohë në imtësi dhe në detaj çdo zhvillim, që në historiografi është interpretuar në asnjë rast me të njëjtin kriter, e për këtë arsye në historiografinë shqiptare gjithmonë ka pasur vakume.

Koço Kota ka lindur në Korçë, një qytet i njohur për kulturë dhe traditë qytetare dhe arsimore, qytet i dijes dhe i njerëzve reformatorë, qyteti i intelektualëve dhe mërgimtarëve të ndritur, të cilët mbajtën lidhje të forta gjithmonë me vendin dhe qytetin e tyre, me fatin e njerëzve dhe me perspektivën e vendit të tyre. I dalë nga një familje me dashuri dhe sakrificë për dije dhe arsim, ai e ruajti, e përçoi dhe e reklamoi mjaft mirë këtë shembull familjar, duke u treguar një atdhetar i spikatur në të gjitha mjediset patriotike brenda dhe jashtë vendit. Në studimin monografik të Harallamb Kotës, gjithashtu personaliteti i tij shpërfaqet më së pari si një patriot i vërtetë, duke e vënë në shërbim të vendit dhe të prosperitetit të gjithë dijen që ai mori në familje dhe në shkollë, brenda dhe jashtë vendit, duke iu vënë në shërbim vendit që në Shpalljen e Pavarësisë me Plakun Ismail Qemali, e më pas në të gjithë zhvillimet politike dhe qeverisëse të vendit, duke qenë një qeveritar dhe një udhëheqës i vazhdueshëm.

Koço Kota ka qenë senator, deputet, prefekt, ministër, kryetar parlamenti dhe kryeministër, pra, ka qenë një nga personalitetet e politikës dhe të drejtimit të vendit në të gjitha shkallët e hierarkisë. I pranishëm në të gjithë këtë diapazon politik dhe qeverisës të vendit, Koço Kota duket si një pasqyrë reale në të cilën janë reflektuar mirë të gjitha këto zhvillime, të cilat siç janë të njohura në historinë e vendit tonë kanë qenë të vështira, të ngadalta në zhvillimet e veta e në shumë raste konfliktuale. Në këto zhvillime, siç dhe zbulohet përmes njohjes së veprimtarisë së Koço Kotës, ka pasur një sërë faktorësh, të cilat lidheshin me traditën turke të politikës dhe drejtimit të vendit, me koniunkturën ballkanike, e ndihmuar dhe nga koniunktura ndërkombëtare, me mungesën e njohur të drejtimit të vendit me ligje të dala nga parlamenti i zgjedhur me votën popullore, me mungesën e theksuar të shkollës dhe të nivelit arsimor dhe një sërë faktorësh të tjerë, që zbulohen herë drejtpërsëdrejti dhe herë kontekstualisht, në këtë monografi. Lidhur me një çështje të tillë, mjafton të prekim tangjentalisht një lloj pasqyre që autori Harallamb Kota na jep në referencën mbi reformat që Koço Kota bëri gjatë të qënit të tij si kryeministër i vendit si: krijimi i Policisë e Sigurimit Botnor, hapja e shkollës së policisë, hartimi i programit 5-vjeçar i Ekonomisë Kombëtare, vendosja e monopolit të shtetit mbi pasurinë kombëtare, krijimi i ministrisë së Kulturës Popullore, ndërtimi i ministrive, ndërtimi i Bulevardit të Madh, përurimi i Sheshit “Skënderbej”, ndalimi i martesave të nëpunësve dhe ushtarakëve me gra të huaja, ndërtimi i stadiumit kombëtar, ligji i heqjes së mbulesës tek gratë, hapja e kurseve falas kundër analfabetizmit, zyrtarizmi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare (1937), ligji mbi ndryshimin e emërtesave me origjinë të huaj, orientimi dhe marrëveshjet me qeveritë perëndimore si SHBA, Itali dhe Angli etj.

Libri i Harallamb Kotës “Koço Kota për një Shqipëri Oksidentale” është interesant për lexuesin dhe historiografinë shqiptare, pasi ai ka nën interpretim dhe analizë të thukët zhvillime të rëndësishme të vendit që nga Pavarësia, lufta e vazhdueshme e fqinjëve në bashkëpunim me Fuqitë e Mëdha për ta zvogëluar sa të mundeshin Shqipërinë, Konferencën e Londrës, ndarjen e kufijve, luftërat për çlirim kombëtar, Konferencën e Parisit, Luftën e vitit 1920, si lufta e parë imperialiste e fashistëve italianë për pushtimin e Shqipërisë, zhvillime të tjera ballkanike dhe evropiane. Koço Kota ka qenë njëri nga politikanët, shtetarët, qeveritarët dhe intelektualët që i kanë përjetuar, janë përballur dhe kanë kontribuar në këto zhvillime në favor të Shqipërisë. Libri voluminoz, i ndërtuar mbi shumë detaje të kësaj natyre, e kanë çuar studiuesin Harallamb Kota në dokumente, ngjarje, dëshmi dhe burime të tjera preferenciale që i vijnë në ndihmë dhe shumë fakteve të tjera historike. Po ashtu, që nga Ismail Qemali, i quajtur “Babai i Kombit” e në shumë raste nga autori “profeti Ismail Qemali”, më pas Princ Vidi, ngjarjet luftarake dhe zhvillimet e brendshme politike në kohën tranzitore deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore, ngjarjet e Kongresit të Lushnjës (që me të drejtë është quajtur parlamentarizmi i parë shqiptar, ku Koço Kota është shpallur senator), pastaj zhvillimet e Revolucionit Demokratike të 1924, që krijuan një nga zhvillimet politike më interesante në vend, me Nolin, figura të tjera të njohura, me Ahmet Zogun, duke qenë Kryeparlamentar dhe Kryeministër, duke qenë ndër aktorët më të rëndësishëm të Kushtetutës së parë shqiptare, promovuar nga Mbretëria Shqiptare, Koço Kota nyjëton dhe reflekton në personalitetin, në jetën dhe veprimtarinë e tij, pjesën më të rëndësishme, më problematike dhe më emblematike shqiptare zhvillimet në historinë, të cilat kanë qenë vërtetë të vështira për t’u reflektuar në trilogjinë e autorit. Të gjitha këto kohë të brendshme shqiptare dhe të jashtme diplomatike ndërkombëtare, e bëjnë librin të peshuar mirë, të orientuar në fakte, argumenta, në lexime të gjerësishme dhe të thella, në një diapazon gjithëpërfshirës, ku kuptohet lidhja e ndërsjelltë e individit social-historik, Koço Kota, me vendin dhe të vendit me kontributin e tij. Është një marrëdhënie e ndërsjellë, ku asnjëra nuk bën pa tjetrën, të cilën autori e ka kuptuar mirë. Harallamb Kota në faqet e kësaj monografie na sjell ndërmend lëvizjen më madhore shqiptare, e cila përbën dhe themelin më të qëndrueshëm të historisë sonë kombëtare për atë që Shqipëria dhe kombi shqiptar vazhdoi rrugën e tij më pas, kryesisht Rilindjen Kombëtare, e cila u mishërua në një front të gjerë të zgjimit kombëtar dhe të ideologëve të saj të shquar, që përbënë njëkohësisht dhe thelbin e saj iluminist. I mbështetur si një model i mrekullueshëm, autori është përpjekur që në dritën e zhvillimeve të shekullit kur veproi njëri nga njerëzit e ditur Koço Kota, ta rindërtojë “metaforën” e veprës iluministe të Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” dhe në kushtet e reja të zhvillimeve historike, politike dhe shoqërore të vendit. Kësisoj autori përveçse ruan një lidhje të fortë me vijimësinë e zhvillimeve politike dhe kulturore të Rilindjes në kushtet e reja, ajo I shërben atij për ta nxjerrë më në pah figurën e Kotës, e cila nyjëtohet në tri etapa të rëndësishme kohore mbështetur në zhvillimet e reja. Ka një të vërtetë që nuk mund ta mohojmë në këtë rast, sepse natyra rilindëse e zhvillimeve politike dhe historike të fillimviteve 1900 është gati e natyrës së viteve 1878 e në vijim, qoftë në natyrën kulturore, atë politike për çlirim, dije dhe pavarësi, po ashtu dhe zhvillimeve të brendshme edhe ato të jashtme. Epokat ndarëse të modelit të Sami Frashërit, Harallamb Kota i ndan sipas ngjarjeve historike, që nga lashtësia e në vijim. Kështu pjesa e parë “Shqipëria ç’ka qenë” elementin kohën mes viteve 1443 deri në vitin 1912. Është një periudhë e gjatë, disashekullore, e cila është shkruar ngjeshur dhe me referenca të njohura, por të interpretuara mirë nga autori. Pavarësisht natyrës njohëse që ka vepra, pasi natyra monografike e saj, e cila “qerthullohet” rreth një personazhi historik të njohur, siç është Koço Kota, autori është treguar racional dhe interesant në mbushjen e skeletit historik të librit me ngjarje dhe elementë të tjerë racional, interpretues dhe analitik. Harallamb Kota kërkon ngjarje dhe dukuri interesante në këto zhvillime, siç janë ato që lidhen me legjendën dhe mitologjinë, të dhëna, dëshmi dhe vlerësime origjinale për Skënderbeun (bien në sy 65 këshillat e tij para vdekjes), pashallëqet shqiptare, lëvizjet shqiptare për vetëqeverisje, lëvizja “Unite”, një lëvizje interesante e hershme, për të cilën është folur shumë pak, lëvizja për një “Kish shqiptare”, çështjet e ringjalljes së kombit, profeti Ismail Qemali, Fan Noli etj. Në këtë pjesë të rëndësishme të librit “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” hyn dhe pjesa e lindjes, shkollimit, përfshirja në aktivitetin politik dhe intelektual të Koço Kotës, takimi dhe njohja me Ismail Qemalin, ngjarjet historike në jugun dhe në veriun e vendit, të cilat përkojnë me aksionin politik më të rëndësishme të Shqipërisë, me luftën për çlirim kombëtar dhe për ruajtjen e territoreve tokësore të vendit. Pjesa e dytë e trilogjisë “Shqipëria ç’është?” shtrihet në hapësirën kohore 1912-1920, e cila me të drejtë është konsideruar periudha më e vështirë dhe me zhvillime të brendshme për fatet e shqiptarëve, të Shqipërisë, eksponentëve të politikës dhe lëvizjes për çlirim kombëtar. Harallamb Kota ka arritur të sjellë në vëmendje të lexuesit momente kyçe, njerëz të niveleve të ndryshme të dijes dhe të luftës, të mendimit dhe të diplomacisë, ku shkëlqen si diell Ismail Qemali. Koço Kota ka qenë përfaqësuesi i “Vatrës” krah Ismail Qemalit në shpalljen e Pavarësisë, duke dëshmuar mbështetjen e madhe të kombit më të përparuar në botë, të kombit amerikan. Në këtë pjesë autori sjell në vëmendje ndjeshmëritë dhe përjetimin e këtij fakti të madh (atë të Shpalljes së Pavarësisë) në jugun e vendit, në qendrën e njohur kulturore të Beratit, Korçës, Voskopojës, duke qenë ndërkohë dhe nëpunësi i parë i qeverisë së Vlorës si nënsekretar i Ministrisë së Arsimit dhe këshilltar i Luigj Gurakuqit. Në këtë kapitull të konsiderueshëm dhe të ngjeshur me ngjarje dhe zhvillime interesantë në reflektimin e aktivitetit dhe veprimtarinë e Koço Kotës janë insinuatat e njohura që lidhen me personazhet historikë të kohës si Esat Toptani, Ahmet Zogu (1913), shënime të natyrës: “Noli mbështet qeverinë e Vlorës”, “Esat Pasha kundër Ismail Qemalit”, “Noli program për lëvizjen kombëtare”, “Ismail Qemali mbështet Vidin”, “Lufta e Parë Botërore” etj.

Dhe në historiografinë shqiptare dilemat dhe interpretimet e natyrës, për çështje të kësaj natyre kanë qenë të pranishme, për shkakun e lënies në hije të figurave të nivelit të Koço Kotës. Në këtë pjesë duket se Harallamb Kota i jep një këndvështrim të ri jo vetëm Nolit dhe Ahmet Zogut që në të ardhmen do të jenë figura të rëndësishme të politikës, por dhe për çështje të tjera të brendshme të zhvillimit shoqëror, siç janë çështje të asimilimit, koha e depërtimit francez në Korçë dhe në Shkodër, të cilat janë parë në një qasje ndoshta më afër realitetit për shkakun e një personazhi aktiv dhe aktualizues si Koço Kota. Në këtë pjesë, Harallamb Kota përpiqet të hedhë dritë mbi çështje të rëndësishme të zhvillimeve kombëtare si: “Takimi i Zogut me Pashiqin” (1918), “Misioni amerikan në jug të Shqipërisë”, “Memorandumi i Aleksandrisë”, drejtuar Konferencës së Paqes në Paris (1918), i përgatitur në Kajro, anëtarë i të cilit ishte dhe Koço Kota. Pjesa e tretë e trilogjisë së librit “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” zë një hapësirë të konsiderueshme, duke marrë në konsideratë dhe interpretuar një opinion interesant për Koço Kotën si ideator i civilizimit të politikës shqiptare, periudha kohore ku preket dhe shkëlqimi i Koço Kotës në majë të politikës dhe drejtimit të vendit që nga Kryeparlamentar e deri Kryeministër, pastaj rënia dhe eliminimi i tij, shtrihet në hapësirën analitike të veprës nga viti 1921 deri në vitin 1947. Në këtë pjesë vërtetohet se historia e shtetit shqiptar është dhe vepër meritore prej shtetari dhe njeriu të aftë dhe të ditur dhe e Koço Kotës.Në këtë periudhë zhvillimesh thelbësore, pavarësisht konflikteve dhe mjedisit në të cilin zhvilloheshin debate politike, lëvizjet dhe reformat, Shqipëria ka përfituar dhe ka vendosur gurë të rëndë në themelet e shtetit, që në një mënyrë apo tjetër ata i kanë rezistuar kohës deri në kohët moderne. Qeveritë e njëpasnjëshme, herë të rrëzuara dhe herë të dorëhequra, përplasjet mes Nolit dhe Ahmet Zogut kanë qenë sfida dhe horizonte gjithashtu të një zhvillimi të pazakontë në orientimin politik dhe ekonomik të vendit në kushtet e një prapambetje të madhe të Shqipërisë. Koço Kota ka qenë njëri nga njerëzit e përfshirë realisht në këto zhvillime, duke qenë ndër udhëheqësit më jetëgjatë politik në parlamentin e kohës, në detyrën e kryeministrit të kohës, në rolin e deputetit të kohës, i cili solli në vëmendjen e kohës, dhe shtroi për zgjidhje çështje thelbësore për vendin, që nga rendi, arsimi, shëndetësia, rrugët, zhvillimet e qytetit, financat dhe bujqësinë.

Detajet e natyrës“Situatë politike parazgjedhore”,“Grupimi i Koço Kotës tërhiqet nga kandidimi”,“Memorandumi i të krishterëve shqiptarë”,“Laicizmi dhe toleranca fetare”, “Zogu dhe Noli: mbrojtësit e Shqipërisë”, “Dr. Koço Kota, përkrahës i lëvizjet Unite”,“Dr. Koço Kota, deputet i Prefekturës së Korçës”,“Rritja e pushtetit të Ahmet Zogut”,“Koço Kota, përkrahës i Kishës Ortodokse Autoqefale”, “Ahmet Zogu Kryeministër”,“Ushtar i Mbrojtjes së Shtetit Ligjor”,“Koço Kota, Kryeministër i Parë Mbretëror” (1928-1930), “Platforma liberale e

Mbretit Zog I” dhe shumë zhvillime të tjera, të cilat gjejnë një pasqyrim të gjerë në këtë libër, sjellin një kontribut madhor për një figurë emblematike shqiptare në një hapësirë kohore gati 40-vjeçare në zhvillimet politike të Shqipërisë.

Libri monografik “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” për shkakun e natyrës gjithëpërfshirëse, pasi ai zë një kohë të zhvillimeve më delikate dhe më të larmishme të Shqipërisë, është një libër që duhet të studiohet dhe jo të lexohet, pasi brenda tij ka një informacion të dendur historik, politik, kulturologjik, social, i cili është referuar në këto zhvillime interesante dhe shumë të rëndësishme të vendit. Rrugëtimi i një personaliteti si Koço Kota është një rrugëtim prej udhëheqësi,njeriu reformator, i një njeriu të ditur dhe të pushtetshëm, i cili në një mënyrë apo tjetër ishte i lidhur me zhvillimet, me faktorin e jashtëm dhe të brendshëm, me autoritetet e besimit dhe të dijes, me zhvillimet shpirtërore njerëzore, me njerëzit e ditur dhe politikanët e shquar të kohës, kështu që trilogjia e Harallamb Kotës është një kontribut i rëndësishëm dhe një referencë po e rëndësishme për dijen historike shqiptare. Figurën e Koço Kotës nuk e bën emblematike vdekja e tij në mënyrën më tragjike të mundshme në burgun famëkeq të Burrelit, por veprimtaria e tij, aftësitë e tij të sprovuara si gurë themeli në funksionimin e shtetit shqiptar, në krijimin dhe vënien në punë të ligjeve shqiptare, në investimin intelektual dhe mendor në arsim, financa, politikë dhe sektorët jetikë të një vendi, në bashkëpunimin e rëndësishëm prej shtetari të vërtetë me të gjithë udhëheqësit e kohës, pavarësisht diferencave ideologjike dhe fetare, standardit për drejtësi dhe drejtim të vendit, çfarë e bëjnë Koço Kotën një figurë që shkëlqen sa herë i duhet të kthehemi historisë sonë.

Libri i Harallamb Kotës “Koço Kota – Për një Shqipëri Oksidentale” është një lloj thirrjeje qytetare, një ridimensionim i leximit real të historisë shqiptare, një lloj rimësimi për politikën dhe qeverisjen e vendit dhe në kohët moderne.

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Zholi, Bardhosh Gace, Harallamb Kota, Koço Kota - Për një Shqipëri oksidentale

POEZIA E ILIRIANA SULKUQIT NË KLUBIN POETIK”TIRANA”

November 1, 2017 by dgreca

1 Iliriana SulkuqiNga Albert ZHOLI/

Klubi poetik “Tirana” është një grupim poetesh dhe pasionantësh të poezisë, i cili ka vite që organizon veprimtari artistike me krijimtari poetike dhe filma por gjithherë jashtë vëmendjes se mediave që preferojnë më së shumti jetën roze, skandalet dhe jetën e vip-ave surrogat të krijuar artificialisht dhe shterpësish në këto vite tranzicioni në kryeqytetin tonë. Në ditët e fundit të tetorit ky grupim realizoi një takim poetik në kafe “Lux” në Tiranë. Duhet thënë se më parë Klubi Poetik “Tirana” i organizonte takimet në kafe bar “Muza” te Selvia në rrugën e Dibrës, që u mbyll dhunshëm dhe u kthye në një zyrë e një partie politike, sepse më shumë ndjehet nevoja për politikë se sa për poezi në këtë vend. Takimi me poezinë i ishte kushtuar poetes Iliriana Sulkuqi, që dashurinë e saj e ndan( në të vërtetë poetikisht do të thuhej më mirë i bashkon) në mes të Shqipërisë dhe Amerikës ku ka vite që jeton. Por nuk harron të vijë çdo vit e çdo vjeshtë në Shqipëri ku gjen një frymë të ngrohtë për poezinë e saj por ajo edhe përpiqet të krijoj një mjedis artistik gjatë ditëve të qëndrimit në Atdhe. Nëse do te hedhim një vështrim ndër vite do të gjejmë mjaft veprimtari dhe punë të bukura me nismë nga poetja . Pak vite më parë ajo bashkë krijoi me poetin Kolec Traboini, por dhe mbështeti financiarisht një botim të veçante “Kujto poetin”, kushtuar poetëve që nuk rrojnë më fizikisht, por vepra e tyre i bëjnë të jenë gjithë herë në mes nesh. Po në frymën e kujtesës të atyre që bënë traditën poezisë, Iliriana Sulkuqi përgatiti vitin e kaluar një botim të veçante përkujtimor për poetët Frederik Reshpja, Ndoc Gjetja, Murat Isaku, Betim Muço dhe Milanov Kallupi. Në këtë kuadër ajo me kolegët poetë të Klubit Poetik Tirana organizoi takime përkujtimore kushtuar këtyre poeteve në Shkodër dhe Elbasan. Vëmë në dukje se nuk mungojnë takimet e poetes edhe në Tetovë. Ky vit solli diçka të re në prurjet artistike të poetes Iliriana Sulkuqi, e njohur edhe për poetikën për vendlindjen, qytetin e Elbasanin për të cilin përgatiti dhe botoi me shpenzimet e veta Kalendarin e Kujtesës për njerëzit e penës e të kulturës të këtij qytet me tradita kulturore dhe atdhetare. Atje u organizuan takime e biseda edhe në shkolla ku poetja e shpërndau falas kalendarin që kishte përgatitur me të dhëna për të gjithë autorët e fjalës së shkruar të këtij qyteti. Duke parë këtë veprimtari të bukur në vazhdimësi, Klubi Poetik Tirana organizoi një takim me poezinë e Iliriana Sulkuqit në të cilin takim ishte e pranishme dhe poetja. Me të vërtetë një veprimtari e bukur. Poetja Iliriana sapo ishte kthyer nga takimet e saj në Elbasan dhe për ta prurë ngrohtësinë e bujarinë e qytetit te saj të vendlindjes kishte sjellë e vënë mbi tryezë për çdo pjesëmarrës një ballakume tradicionale Elbasani. Ballakumet janë për pranverën, atë të sjellin ndërmend, tha ajo, por unë ua solla në këtë takim të bukur sepse poezia është gjithmonë pranverë. Mbledhjen e hapi gazetari e shkrimtari Albert Zholi, i cili duke qenë pranë Ilirianës në të gjitha veprimtaritë e saj artistike foli për pasionin e poetes dhe përkushtimin për kolegët shkrimtarë që nuk jetojnë më e që të mos i mbuloje pluhuri i harrimit sepse e vërteta është që institucionet shtetërore që duhet ta kishin detyrim, nuk i kujtojnë vëmendje artit letrar që pjesë e shpirtit të popullit pasuri kombëtare e kërkon përkujdesje. Poeti dhe kineasti Kolec Traboini në emër të Klubit Poetik Tirana falënderoi Iliriana Sulkuqin për të gjithë ato veprimtari të bukura në vazhdimësi që duhet të mos jenë të veçuara por te na nxisin që frymën e bukur te poetike ta mbajnë gjallë në takime me lexuesit, edhe kur ata ngurojnë të vine pranë poezisë, të bëhemi ne nismëtarë të këtij afrimi sepse poezia shkruhet për njerëzit dhe jeton tek njerëzit. Arti poetik modern, vazhdoi Traboini, nuk i përjashton përvojat e mëparshme poetike mbarë botërorë, përkundrazi i bashkon tashmë që koha e eksperimenteve shpesh abstrakte me poezinë është punë e kryer. Në këtë kuptim tek modernia gjejmë edhe klasiken, gjejmë edhe frymën e mrekullive të krijuar nga arti i popullit i skalitur perla nëpër shekuj dhe solli shembuj nga poezia popullore e jugut dhe e veriut të Shqipërisë që konsiderohen monumentale. Tek Iliriana Sulkuqi i gjejmë mrekullisht të shkrira frymën popullore, zërin e kumrive e shpirtin e Isuf Myzyrit me klasiken dhe modernen, vazhdoi Traboini duke e konkretizuar mendimin e vet me poezitë e poetes ”Më zu nata në vendlindje” dhe “Trokit e zgjo” të cilat i recitoi për të pranishmit. Në takimin poetik ishte e pranishme dhe aktorja e njohur Margarita Xhepa, “Nderi i Kombit”, e cila fjalën e saj e gërshetoi me recitime poetike që emocionuan të pranishmit. Ajo kujtoi veprimtaritë e organizuara nga Iliriana në të cilat është ndodhur dhe ka dhënë ndihmësen e vet përherë artistja e madhe e skenës dhe e filmit. Madje kur para pak vitesh pa një film qe po përgatitej kushtuar veprimtarisë poetike te Iliriana Sulkuqit, shqip-anglisht, të realizuar nga skenaristja Angjelina Xhara, operator Mjeshtri i Madh Ilia Terpini dhe regjisor Kolec Traboini, ajo i kërkoi grupit realizues të mos e mbyllnin filmin se donte ti recitonte ajo poezitë e Ilirianës. Kështu që filmi u desh të punohej sërish dhe tashmë ai është me zërin e mrekullueshëm të Margarita Xhepës. Të pranishëm në takim ishin edhe emigrantë krijues nga Greqia dhe Italia, Ilir Mborja dhe poeti Aqif Hysa, por kishin ardhur edhe krijues nga Elbasani. Folën shumë pjesëmarrës duke shprehur kënaqësinë për këtë veprimtari. Klubi Poetik Tirana kishte përzgjedhur tridhjetë poezi lirike të autores të cilat u recituan nga pjesëmarrësit. E morën fjalën Ilia Terpini, Eduard Cala, Klejda Plangarica, Vehap Xhindole, Thanas Tane, Dodona Qose, Kozeta Zavalani, Bardhyl Toda, Harallamb Kota, Myslym Ndroqi e tjerë. Ishte një mbrëmje tiranase e bukur, një takim i ngrohtë poetik në prag të largimit të poetes në Amerikë, në New York ku jeton me familjen, por me premtimin se së shpejti do mblidhemi sërish me prurje të reja të cilat krijojnë atë mikroklimë artistike emocionale, e cila aq shumë u mungon poetëve të kohës sonë e jo vetëm në kryeqytet.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Albert Zholi, ne Klubin poetik Tirana, Poezia e Iliriana Sulkuqit

Donika Mustafaj:Misteret e filmit “Kur kënga nuk kishte Pazar”

December 17, 2016 by dgreca

PERSONAZH/ Flet regjisorja e mirënjohur Donika Mustafaj: Dikur kënga ishte një qëllim më vete,  sot qëllimi është fitimi i parasë/2-donika-mustafaj

-Ja misteret e filmit “Kur kënga nuk kishte Pazar”

– Të gjitha këngët e dashurisë sot janë këngë mekanike, nuk  kanë  shpirt

-Këngëtarët sot shesin më shumë imazhin  se sa këngën

Nga Albert Z. ZHOLI/

Kënga për dashurinë është burim i kulluar i ndjenjave të shpirtit. Ajo të çon drejt virtytit, ndjenjës së pastër, mallit të përvëluar, kufijve të sentimentit njerëzor me dimensione të hiperbolizuara jashtë paragjykimeve dhe barrierave të shoqërisë. Ajo e lartëson bukurinë e vashës në tempullin e ndjenjës dhe dashurinë e djalit në himnin e lidhjes fizike dhe shpirtërore, me një temp perëndish. Kënga, e kthen realitetin në idealizëm dhe idealizmin pjesë  të kënaqësisë së të jetuarit. Ajo është ankth, mall, përshpirtje, lartësim, ikjemendje drejt skutave të vetvetes. Kush jemi pse jetojmë? Si na kanë dashur dhe sa dashurojmë ne në jetën tonë?! Jo vetëm Nepor edhe të tjerë!. Asnjëherë populli nuk e ka shkruar eksperiencën e tij jetësore, më shumë se në zhanrin e këngës. Një përballje shpirti dhe mbi të gjitha brezash ndër vite, genesh dhe gjenetike të një populli, që ka ditur ta bëjë shpirtin të flasë me notat e këngës së tij. Duke rrjedhur nga kjo tokë e virgjër, brendësore e malaksur vetëm me natyralitet, kënga lartësohet në interpretimin e një këngëtari virtuoz dhe të talentuar. Është kjo lidhje e madhe shpirtërore e poezisë popullore me interpretimin, që ka krijuar në Shqipëri një plejadë këngëtarësh me emër që i kanë dhënë këngës për dashurinë emrin dhe talentin e tyre. Dhe pse muzika është kthyer në një mall tregu, këngëtarët më të talentuar ndjehen larg këtij manierizmi duke patur si pasion intelektual muzikën e vërtetë, muzikën e pastër, muzikën autoktone shqiptare, tekstin e bukur të mbështetur në folklorin shqiptar. Është pikërisht kjo shtresë intelektualësh e cila krijon një veçansi me interpretimin e saj. Por nuk është vetëm kjo. Është dhe e kundërta e saj, kur kënga për dashurinë përcillet me një muzikë absurde dhe një tekst pa kuptim në emër të komercializmit. Kështu foklori përjashtohet, teksti poetik shpërdorohet, muzika tradicionale mohohet. Të gjitha në emër të parasë….

Kënga për dashurinë dje dhe sot. Çfarë është në folklorin shqiptar, si ruhej kjo muzikë dje dhe si është sot kjo këngë magjike?

-Tek këngën për dashurinë  para viteve ’90 dhe pas viteve ’90, nuk kanë ndalur ende kritikët, apo muzikologët ta analizojnë. Kënga ka shumë komponentë. Kënga nuk është përqendruar  vetëm tek teksti. Kënga është si çdo art tjetër që tregon se kush jemi. Kënga brenda ka edhe motivin e dashurisë. Unë jam përqendruar tek kënga e dashurisë dhe  në film kam përcjellë tek shikuesi  këngën e lehtë dhe atë popullore. Këto janë të gjitha këngë dashurie, për të  parë ndikimin e dashurisë në këngët bashkëkohore. Duke parë si kanë ndikuar këngët e dashurisë në këngët bashkëkohore unë ndërtova  këtë film duke e parë si ka qenë më përpara dhe e krahasoj me sot. Kam respektuar personalitete që kanë  emër në  fushën e artit si Jorgo Papingji, Flamur Shehu, Arben Duka, Pandi Laço. Këto janë personalitete që flasin. Konkluzioni im është: Nuk mund të  mendosh që kultura jonë individuale, është  thelbi kryesor i kulturës së këngës së dashurisë. Kënga është  ajo që e çon kulturën  tonë drejt një regresi apo progresi dhe më tej drejt një  analize. Duke ballafaquar të dyja këngët para viteve ‘90 dhe  pas viteve ‘90, kam si shënjestër dallimet ms tyre…Pra kam bërë një analizë të  këngës në përgjithësi. Këngët pas viteve 1990 janë të  gjithë këngë problematike, ka një marramendje të  këngëve. Shumë njerëz mund të mendojnë se nuk është vetëm  dashuria që duhet të marim në konsideratë se kemi edhe  probleme të  tjera, se  ka edhe këngë shumë të bukura që nuk kanë  dashuri. Unë shpjegoj në film se përse kemi zgjedhur këngë dashurie. Pse publiku jonë  ka më   shumë  neps, sesa gjykim. Tërheq më shumë publikun me këtë  pasion që ka  brenda vetes dhe që e ka  të identifikueshme se sa me pasione të  tjera. Sepse është  forcë që t’ia thuash vetes tënde dobësitë që ke. Një pyetje nga një  gazetar  ishte, se kë  këngë pëlqeja! Unë jam  për të  gjitha shijet. Nëqoftëse dikur kënga ishte një qëllim më vete, kënga sot është  kthyer për të arritur  një qëllim dhe  fitimi i parasë. Kjo mund të  ketë pasoja në  peizazhin muzikor shqiptar. Unë jap një sinjal dhe një  alarm. Këta  këngëtarë e kanë shpërfytyruar të qenit art dhe  ne këtu duhet të ndalemi dhe ti  biem  fort këmbanave. Kemi  shkuar drejt një  uniformizimi të  kulturës dhe progresit të  saj meqenëse bëhen vetëm  këngë të  njëjta. Këngët  zgjidhen për ti pëlqyer rinisë. Rinia është masa më e madhe dhe më evulive e shoqërisë dhe  duhet ti përgjigjemi me gjuhë bazike. Por kur dëgjon këngët sot? Të gjitha janë këngë mekanike. Këngët mekanike nuk  kanë  shpirt.

Më përpara ne këngët i kemi pasur me tema të shumëllojshme dhe me poezi brenda. Po këngët e dashurisë sot?

Në këtë kohë kënga nuk ka asnjë lloj frymëzimi. Është gjetur një kallëp që po të realizojë diçka për fitim ka garantuar suksesin. Ata shesin më shumë imazhin  se sa këngën. Kjo  bëhet më shumë që ata të flasin për veten e tyre. Ata nuk  e kanë  më problemin e këngëve. Kënga është bërë  konsum në masë. Më parë nuk  ishte  konsum, ishte kënaqësi. Mund të  them se pjesa më e madhe e fajtorit është  media, sepse ajo është edukative. Akoma nuk e kemi kuptuar se thelbi i kulturës jepet nëpërmjet medies. Kam studiuar dhe dëgjuar shumë se këta këngëtarë i bëjnë  edhe heronj. I thërrasin nëpër studio, ku ka këngëtar të  tjerë  që kanë  më shumë vlera dhe nuk i fton njeri. Sot këngët e mëparshme  nuk  transmetohen, ato  kanë  ngelur të  ngrira  nëpër sirtarë.

Deri para  viteve  ‘90 të  gjithë kompozitorët  dhe poetët  kanë  krijuar  dhe  kanë  shkëputur nga  e kaluara, nga folklori. Kanë ecur përpara. Por sot shohim një peizazh krejt tjetër, ku nuk  pyet asnjeri për folklorin dhe traditën dhe akoma më keq kanë vënë  fëmijët  që të  këndojnë këngë që nuk u përkasin dhe kjo është e tmerrshme. Këta lloj këngëtarësh thjesht nuk bëjnë art por  bëjnë  këngë për të  fituar para.

Kush është  mesazhi  që përcjell në këtë film?

Unë e dua  shumë  këngën. Kur kam qenë e vogël kam kënduar.  Jam rritur duke kënduar. Kënga është  elementi  thelbësor i kulturës. Dhe të  gjithë  personazhet që kam në  dokumentar janë të  gjithë të  shqetësuar për këtë  gjë: Ku  po shkon  kënga sot?!  Pra ky është mesazhi…

-Kush është  bërë  pengesë e kësaj rrokopujë që po ecën kënga e dashurisë…?

E para është  media.  Dikur në media kënga ishte art  dhe vlerat përcaktoheshin nga profesionalizmi i një kënge, ndërsa sot është paraja  në mes. Profesionalizmin nuk e sheh as me dylbi, poetikën e vargjeve nuk e shijon askund në horizont…

-Përse femrat  kanë  pasur sukses më  shumë në këto lloj këngësh?

Sepse femrat  shesin imazhin. Kënga është  kthyer në një pjesë të ëndrrave tona. Atë që ne nuk  na  e  jep libri apo filmi, sot kënga na e jep për 5 minuta. Por na e jep me një imazh të përmbysur, ku derdhet lumë paraja. Sheh një klip, ku derdhet shampanjë,  vetura superluksoze, helikoptera etj, etj.

Populli një  pjesë e shikojnë, (pra nuk e  dëgjojnë ) në televizor, kompjuter apo celularë. Duke e parë vazhdimisht këtë lloj kënge që përsëritet  për 10 vjet, ajo patjetër që kthehet në një  shije. Sigurisht që populli do ta  pëlqejë dhe këtë shije të hidhur. Këtë bën reklama negative.

-Kush është lufta kryesore për tu  zhvendosur ndaj këtyre lloj këngëve ?

Duhet të  ketë  censurë nga specialistët e këngës. Duhet  të  ketë  censurë  niveli. Zgjidhjen  duhet ta  japin  ata  që janë  të asaj  fushe, unë  kam bërë  vetëm  studimin. Një këngë  pa mesazh, ku  do ta  çojë  këtë  brez?! Si po edukohet ky  brez, dhe  çfarë po i japim  këtij brezi? Kjo lloj kënge është  shkëputja  totalisht  nga  folklori. Folklori nuk  vlerësohet  se është sqimatar, ka marrë vulën dhe vlerën e popullit, sot  nuk ka  se kush  paguan për të. Media  jep atë që paguan. Thjesht media është  bërë  komerciale. Të gjitha këto i vuan folklori, muzika, kënga e bukur që është zhdukur në pluhurin e harresës.

 

***

“Kur kënga nuk ishte Pazar”

Në veprën më të fundit, “Kur kënga nuk ishte Pazar”, Donika Mustafaj bën një ndërthurje të zbërthimit të estetikës së këngës me zbërthimin sociologjik të përmbajtjes së saj, duke mbajtur gjithnjë në qendër të vëmendjes si artiste problematikën e saj të parapëlqyer rreth identitetit të shqiptarit dhe tronditjeve që ka pësuar ky identitet nën presionin e fortë të shoqërisë së konsumit. Ajo zgjedh kësaj here një element të përjetshëm, sa universal aq edhe individual, përbashkues për të gjithë njerëzit pavarësisht moshës dhe gjinisë, e njëherësh burim i pavdekshëm frymëzimi për muzikantët, poetët e këngëtarët, që është dashuria. Përtej prapambetjes ekonomike apo edhe prapambetjes arsimore, gjendjes në liri apo i pushtuar nga të huajt, shqiptari i ka kënduar në mënyrë të magjishme dashurisë, duke nxjerrë në pah si ndjeshmërinë e tij të lartë shpirtërore, aftësinë për ta shprehur artistikisht me mjeshtëri impresionuese këtë ndjeshmëri, si edhe respektin publik ndaj dashurisë si burim energjish pozitive, qoftë edhe kur bëhej fjalë për një dashuri të mbetur pa përgjigje. Dashuria ka etikën e vet, në sajë të së cilës ajo e ndihmon njeriun fuqishëm të përsoset si njeri në anët e tij më të mira, ato që ofrojnë me të tjerët. Përballë këtij koncepti për dashurinë, që na vjen nga këngët e traditës, Donika Mustafaj na vendos këngët e sotme të dashurisë, ku dominon instinkti, seksi i egër dhe ku marrëdhënia intime përjetohet më së shpeshti si një traumë më pasoja të rënda për individin. Autorja nuk merr përsipër të gjykojë mbi cilësinë artistike të tekstit dhe as të muzikës së këtyre këngëve. Shqetësimi i saj si krijuese lidhet me përmbysjen e madhe, që ka pësuar vetë koncepti i dashurisë së pasqyruar në këto këngë, të cilat mishërojnë një ndërprerje brutale të traditës. Qëllimi i saj nuk është, megjithatë, ta shtrojë këtë ndërprerje të traditës si një çështje të zhvillimit estetik të këngës, për të nxjerrë përfundimet e veta nëse ky zhvillim është në rrugë të mbarë apo të gabuar. Qëllimi, drejt të cilit ajo ecën me kërkimet e veta, është krejt tjetër.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Zholi, Donika Mustafaj, filmi, Kur kenga nuk ishte pazar

Ema QAZIMI:Vaçe Zela mbetet idhulli im

February 20, 2016 by dgreca

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur, “Mjeshtrja e Madhe e Punës”, Ema Qazimi/
*Në Festivalin e 8-të, kam kënduar së bashku me Vaçe Zelën/
*Kam marrë pjesë në rreth 4 000 shfaqje/
*Me vajzën time dikur kam eksperimentuar një duet tek “Kënga Magjike”/
*Studjova për aktore dhe pse ndoqa rrugën e këngës/
Nga Albert ZHOLI/
Ka vite të tëra pa u prononcuar në shtyp, njëkohësisht ishte hera e parë që këngëtaren e mirënjohur Ema Qazimi po e intervistoja. Kjo për vetë faktin se shumë kërkesave të gazetarëve ajo u përgjigjej me modesti “Tani skam asgjë për të thënë”. Ndërsa ditët e fundit, ajo për punën e bërë, për zërin e saj melodioz, për punën e saj të përkushtuar në Festivale, në një aktivitet të Institutit të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, ajo merr nga Presidenti i Republikës titullin e nderuar , “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Ajo u ngjit në skenë për të marrë dekoratën e akorduar nga Presidenti Topi, me rastin e ditës së 20 Majit, plot emocion, duke u përkulur përpara qindra spektatorëve në TOB, ku ishte dhe trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, personalitete të artit, shkencës, sportit, biznesit. Ndërsa intervista me të ishte plot mbresa. Edhe në bisedë, ajo fliste qartë, pastër, bukur, sikur
këndonte. Herë pas here gjatë bisedës, në sytë e saj shihje lotë, që ajo mundohej ti fshihte, por më kot. Jeta e saj e mbushur me ngjarje, zëri i saj i fuqishëm ëndrrat e saj, dekorimi i fundit e ngacmonin, saqë ajo ish e detyruar të përpinte lotët. Emocionet që ajo përcillte në skenat shqiptare, tashmë s’duan koment. Zëri i saj diskutohet me endje mes kolegësh, por më shummë mes fansave të saj, të cilët shprehen hapur se, Ema Qazimi do të mbetet një ndër zërat më të spikatur të muzikës shqiptare..
Znj, Ema, ju para disa ditësh u dekoruat me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Punës”. Si u ndjetë në atë moment para Presidentit dhe një auditori të zgjedhur?
Isha shumë e emocionuar, pasi u ndodha para një fakti që ndodh shumë rrallë në jetë. Evenimete të tilla, dhe raste të tilla, ndodhin rrallë, shumë rrallë, jo vetëm në jetën e artistit, por edhe të personaliteteve të ndryshme. Ishte më shummë do të thoja një surprizë, një surprizë nga më të bukurat e jetës sime, pasi thuajse s’isha fare në dijeni. Isha e emocionuar se po vlerësohej puna ime, zëri im dhe më dukej vetja paksa borxhlije para atyre duartrokitjeve, përpara atyre autoriteteve, përpara Presidentit Bamir Topi. Pra më dukej se po vlerësohesha maksimalisht, kur njeriu ka ende për të dhënë, për të arritur përsosmërinë, apo idealen që mendohet por kurrë nuk preket.
Kjo do të thotë që ju s’ishit e përgatitur për këtë dekoratë?
Jo. S’isha e përgatitur, pasi kërkesën për dekorim e bëri z. Ilir Cumani, Kryetar i Institutit të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Ishte ideja e tij, për ndihmën modeste që kam dhënë unë për këtë shtresë të shoqërisë shqiptare, pasi një pjesë të jetës edhe unë e kam kaluar në shtëpinë e fëmijës “8 Nëntori”, në Tiranë. Unë e mora vesh momentin e fundit këtë dekorim. Jo për të qenë modeste, por është një vlerësim shumë i madh që më është dhënë, por nga ana tjetër, ky titull më vë para përgjegjësive të mëdha. Cdo gjë duhet justifikuar, për të parë para, për të dhënë më shumë për shoqërine, sidomos për fëmijët jetimë. Titulli i marrë më vë akoma përpara përgjegjësisë dhe e bëri akoma më komplekse këtë ditë për mua, pasi dekorata mu dha në prezencë të Presidentit, përpara një auditori shumë të zgjedhur, si trupi diplomatik i akredituar në Tiranë dhe shumë personalitete të artit, kulturës, shkencës, sportit, biznesit.
Ju keni marë pjesë në shumë aktivitete të Instituti të Integrimit të Fëmijëve Jetimë, çfarë ju lidh me këtë Institut?
Më lidhin shumë gjëra. Jo vetëm meazhi dhe misioni i këtij Instituti që ndihmon fëmijët jetimë, por lidhet dhe me fëmijërinë time. Unë një pjesë të fëmijërisë, 4 vjet i kam kaluar në Shtëpinë e Fëmijëve 8 Nëntori, sot “Zyber Hallulli”. Kam bërë 4 vjetët e shkollës fillore aty, duke qenë se familja ime kishte probleme sociale dhe ekonomike. Në jetimore unë kam qenë bashkë me 3 motrat e mia. Në klasën e 5 u shkëputa pasi doli një ligj, që në Shtëpitë e Fëmijës do të rrinin ata fëmijë që s’kishin asnjë prind, ndërsa ata që kishin një prind dhe të afërm, si hallë, dajo, teze, do të largoheshin. Unë kisha babanë, kisha gjyshen, kisha halla, kështu u largova. Ruaj mbresat më emocionale dhe të dhimbshme njëkoësisht, në ato 4 vjet. Kam një nostalgji për atë kohë, për atë jetë, ndjej emocione kur e kujtoj, aq emocione, saqë nuk i kam ndjerë as në skenë.
-Kur keni pasur në jetë, emocione të kësaj natyre?
-Janë të pakta. Kur jam martuar, kur kam lindur vajzën, dhe kur jam ngjitur për herë të parë në skenë.Edhe vajzës i kam folur për këto vite të fënijërisë sime, që ajo të njihej me këtë pjesë jete. Biles e kemi çuar me bashkshortin edhe në Shtëpinë e Fëmijës, kur ajo ishte e vogël. Doja që dhe ajo të dinte se ku kam kaluar një pjesë të fëminisë, kushtet, ambientin, etj… Unë doja që vajza ime të bëhej e ndjeshme ndaj këtij fenomeni, ndaj kësaj pjese të shoqërisë.
-Po kënga si lindi tek Ema, kush ishte zbuluesi i zërit tuaj?
Ishte një ditë e veçantë. Isha në klasë të pestë. Kisha ditlindjen. Mësuesi im kujdestar (na jepte muzikë), në Kamëz organizoi ditlindjen time, pasi unë s’kisha mundësi ta bëja, s’kisha mundësi ekonomike. Të gjithë shoqet dhe shokët e klasës ishin munduar të më sillnin diçka, që unë të ndihesha mirë. Dikush një laps, dikush një gomë, dikush një penë, dikush një fletore, ishin munduar të më sillni çaste gëzimi, duke menduar se isha vetëm, pa njerëzit e familjes siç ishin ata. Mbaj mend, se unë kisha qëndruar në cep të klasës e shikoja një lule që po kacavirrej në murin e dhomës. Isha tejet e emocionuar që ata po përpiqeshin të gjithë të më gëzonin, të më kënaqnin, të më hiqnin vetminë. Në fakt dhe pse isha jetime, ndjeja një lloj krenarie dhe në këto momente mora krahë dhe e ndjeja veten të barabartë, paçka se s’kisha mundësinë t’ju jepja një karamele shokëve të klasës.
S’dija si ti shpërbleja…Ja një moment…I pashë me radhë të gjithë, dhe papritur thashë: Unë do këndoj. Të gjithë në klasë shtangën. Heshtje..S’e besonin. Mësuesi Paulin Mikeli më pa fort në sy. Sytë e tij xixëlluan. Ai ishte mësues muzike dhe gëzimi për të do ishte i shumfishtë. Do këndoj këngën e nënës thashë. Heshtja u bë më e madhe. Do këndoja për nënën. Do këndoja për atë që se kisha. Për atë që më mungonte më shumë. Fillva të këndoj. Të gjithë më shihnin të habitur. Mësuesi më shumë se nxënësit. Fillova të lëviz dhe duart. Të kombinoja lëvizjet me muzikën. Teksti ishte shumë i dhimbshëm. Pra, po intrpretoja. S’kisha më emocione. E gjithë klasa më dukej se ishte në zemrën time. Këndoja lirshëm. Më dukej se isha vetëm me imazhin e nënës sime. Unë dhe ajo. Më dukej se s’isha në klasë…Kur mbarova, gjithë klasa filloi të duartrokasë fuqishëm. Vetëm nga
duartrokitjet erdha në vete. Athere pashë se isha në klasë.Që atë moment, mësuesi më aktivizoi me grupin e shkollës, por edhe me estardën amatore të Kamzës.
-Cfarë kujton nga aktivitetet e shkollës?
Kujtoj atë që kurrë nuk kam kënduar këngë për fëmijë, por këngë për të rritur. Për mua pikë referimi në këngë ishte Vaçe Zela. Ajo ishte dhe është idhulli im. E adhuroj. Ajo mbetet ende busull për mua në mënyrën e të kënduarit. At’here kishte pak radio, ndërsa televizione ku e ku më pak dhe kur më jepej rasti të dëgjoja Vaçen duke kënduar, merrja lapsin dhe një fletore dhe mundohesha të shkruaja tekstin. Mundohesha të kapja fjallët të plota, që, pastaj ti vendosja në gojën time. Pra, kam qenë shumë shumë e apasionuar pas këngës, shumë e gjallë, shumë çapkëne, impulsive dhe aktivitetet me trupën amatore të Kamzës shkoja dhe në turrne ku këndoja këngë të Vaçes. Dhe në këto turrne, kënga e nënës nuk m’u nda.
-Flitet se Ema ka shkelur skenën e Festivalit në Radio Televizion kur ka qenë shumë e re, ndoshta ndër më të rejat e të gjitha kohërave?
Po. Kam qenë shumë e re kur mora pjesë në Festivalin e RTSH-së. Isha në klasë të 8-të., pra 14 vjeç, kur mora pjesë në Festivalin e 8-të në RTSH. Dhe kush është çudia? Unë kam qenë dublante me idhullin tim, Vaçe Zelën. Athere një këngë këndohej nga dy këngëtarë. Atë që unë adhuroja arrita ta kisha në krah dhe ta dubloja. E kupton çfarë emocioni? Kënduam këngën “Ylli Partizan” me kompozim të Agim të Krajkës me të cilën zumë vend të dytë. Këndova dhe një këngë të dytë “Letër nënës” një kompozim i Avni Mulës. Pra që në Festivalin e parë u paraqita me dy këngë. Ishte viti 1968
-Kështu vazhdoi maratona e gjatë e Festivaleve të RTSH-së, ku ju nga viti në vit bëheshit më e pëlqyer?
Emocionet e para kaluan. Festivali i 8-të ishte Festivali i provës për mua. Pas atij festivali u rritën kërkesat për të më dhënë këngë, siç u rrit dhe përgjegjësia ime. Pas atij Festivali kam mmarrë 3 çmime të para, ndërsa në të gjitha festivalet e tjerë kam marrë çmime të dyta dhe të treta. Pra këngët që kam marrë çmim të parë:
Çmimi të parë “Gjurmë të arta””, “Buka e duarve tona”, kompozuar nga Kujtim Laro, “Këputa një gjethe Dafine” . Pastaj dua të them se kam marë pjesë në të gjitha koncertet e Majit, anketat muzikore, koncertet e Pranverës. Në vitin 1982 fillova punë në Estradën e Tiranës, pasi që në klasë të tetë kam kënduar në Esradë si e jashtme.
-Ju këndonit ndërsa studimet e larta i kryet për aktrim…Paksa e çuditshme?
Është e vërtetë…Unë studimet e larta i kam kryer për aktore, pranë Institutit të Arteve (sot Akademia e Arteve) ku pas studimeve kam punaur dy vjet në Teatrin Kombëtar ku kam luajtur role të ndryshme të rinjsh. Pastaj kam punuar 4 vjet në Radio Tirana si redaktore e programeve muzikore. Kisha programet e muzikës popullore që fillonin nga ora 5 e ëfjesit dhe mbaronin në 22-00.
-Aktivietet tuaja janë të shumta. A keni pasur të takoni udhëheqsit e asaj kohe?
Enver Hoxhën se kam takuar asnjëherë. Por pas mbarimit të Liceut Artistik për teori muzike, donin të më çonin në Estradën e Tiranës, pa bërë shkollën e lartë. M’u desh të takoja Manush Myftiun. I thashë që dua të vazhdoj studimet e larta. Estrada kishte nevojë shuë dhe donte patjetër të më merrte. Ai më priti shumë mirë. Menjëherë dha urdhër që të vazhdoja shkollën. Më vonë, i bëra një kërkesë ish-Kryeministit Mehmet Shehu që të më jepte bursë studimi, pasi familja ime nuk e përballonte dot mbulimin tim me shpenzime për shkollën e lartë. Ai më akordoi një bursë speciale, ku unë paguhesha dhe pse isha në Tiranë.
-A ke pas moment të vëvshtirë në skenë?
Skena është e magjisdhme. Unë kam pas emocione, por jo momente të ëvshtira. Kur dilja në skenë e zaptoja të gjithë sallën nga cepi në cep. I shihja të gjithë nga rreshti i parë tek i fundit dhe humbisja në këngë. Spektatorët dhe kënga shkriheshin të gjitha në një. Për mua skena mbetet shumë e magjishme. Emocionet e mia kanë qenë vetëm pozitive dhe se kam ndjerë veten keq. Do të thosha se vetëm në periudhën e seleksionimit të Festivalit, nuk kisha atë entusiazëm sa ditën që dilja në skenë.
-Shumë Festivalee në periudhën postkomuniste janë bërë me CD, jo live. Mendimi juaj për këtë mënyrë të kënduari?
-Këngëtari kurrë nuk mund të formohet nqs nuk këndon live. Ai s’mund të krijoj indetitetin e tij, karierën e tij, mburojën e tij, fansat e tij duke kënduar me CD (superpozim, pleibek) në skenë. Ne, brezi im, se njohim këtë lloj të kënduari, ndaj nuk di çtë them. Ne jemi formuar duke kënduar drejt në skenë. Këngëtari i vërtetë i takon skenëës së vërtetë.
-Shpesh shihen huazime në drejtim të muzikës së lehtë, mendimi juaj për këtë?
Eshtë një krizë në këtë drejtim. Të rinjtë që krijojnë sot kanë shumë hapësira, kanë shumë pika referimi, kanë shumë lidhje me botën, dëgjojnë shumë rryma. Dixhitalizimi dhe në muzikë ka bërë që të shihet shumë nga e huaja, të kopjojnë dhe të largohen nga lapsi, nga krijimtaria e vërtetë, të largohen nga pentagrami dhe të hedhin notën aty. Kjo ka sjellë njëfarë shpërndarje tek krijuesit, të mos shohin më shumë tek vetvetja, por tek ato që shohin si gjysëm të gatshme. Kjor sjell një rutinë dhe anashkalon individualitetet e reja në muzikë.
-Afërsisht 35 vjet në skenë shumë çmime, a keni ndonjë peng në jetë?
Kam këtë peng, që shumë nga aktivitetet tona janë të padokumentuara. Pra flas për këngëtarët e brezit tim. E them këtë sepse shumë herë ku kam kënduar me Estradën e Tiranës apo nëpër rrethe, nuk janë filmuar, nuk janë incizuar. Pra skam një arkiv timin që të shoh ato që kam realizuar në skenë përveç, Festivaleve. Është tragjike…Sepse në koncertet e ndryshme në rrethe ka qenë kontakti direkt me spektatorin e thjeshtë, duartrokitjet e tyre më emocionin. Unë kam marrë pjesë në rreth 4000 shfaqje.
-Vajza juaj a do ndjekë rrugën e nënës, pra rrugën e bukur të këngë?
Jo. Ajo ka ndjekur tjetër rrugë. Ka studiuar për piano, ka mbaruar masterin teori muzike, dhe tashmë punon në Zvicër. Dikur me të kam eksperimentuar. Ishte një ide e Ardit Gjebresë që ne të bënim një duet tek “Kënga Magjike”, Ishte një duet që u mirëprit, por vajza nuk donte të vazhdonte më tej se e ndjente që skishte atë që ajo kërkonte tek vetja. Të jesh fëmijë i një artisti është e vështirë të formosh shpejt personalitetin tënd të veçantë. Kjo sepse të ndjek hija e prindit dhe atë shohin si individ me vete dhe është e vështirë të formosh portretin tënd. Ndaj Eshela (majë mali në Dukagjin) zgjodhi rrugën e muzikës jo të këngës.
-Parë në këndvështrimin tuaj, femra shqiptare a e ka zënë pozicionin e duhur në jetë?
Femra shqiptare po bën shumë përpjekje. Eshtë shumë kurajoze, shumë vitale, me shumë përgjegjësira mbi vete, është shumë aktive, një femër që është për t’u patur zili. Ajo po fiton çdo ditë terren.
-Dmth që shoqëria shqiptare nuk është shoqëri maskiliste?
Femra tashmë po punon, studion, është në politikë, në administartë, kjo do të thotë që maskilizmi nuk ka më atë formën e tij standarte. Femra me punë po imponohet në jetë, shoqëri, familje.
-Po për politikën shqiptare postkomuniste, a ka ndonjë përkufizim apo mendim të veçantë Ema?
Nuk jam marrë dhe nuk mirrem me politikë. Ata që miren me këtë profesion të jenë po aq të përgjegjshëm sa këngëtarët për këngën.
-Sot në Shqipëri ka shumë këngëtarë dhe këngëtare. Eshtë në të mirë të këngës shqipatre ky numër?
Për mua po. Rritet konkurenca. Koha do bëj seleksionimet. Ata që do formojnë individualitetin e vet, do ti rezistojnë kohës dhe do veçohen. Skena e ndan shapin nga sheqeri.
-Megjithatë këngëtaret më të spiaktura dhe më të shumta janë të rreshtuara në këngën popullore. Pse?
Kënga popullore është më e kultivuar. Ka shumë eksperiencë. Kënga e muzikës së lehtë është kultivuar tashmë vonë. Festivali i parë i Këngës në RTSH është bërë në vitin 1961. Por dhe ajo po fiton terren. Bile shumë. Ka fansat e saj. Brezat do ta zhvillojnë më shumë në të ardhmen, duke ruajtur traditën që formoi Vaçe Zela dhe shumë këngëtarë të tjerë. Tashmë kjo këngë themelin e ka të fortë.
-Sot flitet shumë për bashkjetesën. A është Ema për një bashkjetesë para martese?
Vetë jam për një familje tradicionale. Më pëlqen martesa si nocion. Por brezi i ri ka shumë alternativa për jetën. Mund të them se bashkjetesa mund të quhet si fejesa që ka qenë traditë në familjet shqiptare.Eshte diçka e re për familjen shqiptare që dhe brezi im duhet ta pranojë. Por ajo që dua të them, nocioni martesë nuk ka për t’u zhdukur kurrë. Ajo formon familjen, qelizën bazë të shoqërisë në çdo sistem ekonomiko-shoqëror.
-Në kohën e lirë me se merret Ema, dëgjon muzikë, lexon gazeta apo libra?
Më shumë libra. Ndjek shumë dhe dokumentarët historic. Por lexoj dhe gazeta kur kanë artikuj intersant.
-Ushqimi i preferuar?
-Domatja (qesh).
-Si i kujtoni këngëtarët e brezit tuaj?
-Me shumë nostalgji. Kemi pas një shoqëri të shkëlqyer dhe i jepnim forcë njër-tjetrit. Kujtoj me mall dhe dashuri Vaçe Zelën, pastaj ata që kam kënduar vazhdimisht Luan Zhegun, Liljana Kondakçi, Irma Libohovën, Alida Hiskun, Kozma Dushin, Lindita Theodhorin, Myfarete Lazen dhe shumë të tjerë….Secili prej këtyre këngëtarëve kishte individualitetin e vet artistik, ngjyrat e veta të zërit, auditorin e vet, ne kemi dhënë shpirtin në çdo këngë.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Zholi, Ema QAZIMI, mbetet idhulli im, Vace Zela

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT