Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në shënim të Ditës së Flamurit:
I nderuari ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, z. Qemal Minxhozi,
E nderuara presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konjufca,
E nderuara zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme znj. Donika Gërvalla Schwarz,
Të nderuar ministra të Qeverisë e deputetë të Kuvendit,
I nderuari profesor Rexhep Qosja,
I nderuari kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi,
I nderuari kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ramush Haradinaj,
I nderuari kryetar i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama,
Shkëlqesi ambasadorë,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Ju uroj në emër të Qeverisë dhe në emrin tim personal ditën më të madhe, ditën e pavarësisë së shqiptarëve dhe themelimit të shtetit shqiptar. 110 vite më parë, pothuaj nga të gjitha trojet e populluara me shqiptarë mbërritën në Vlorë, pikërisht më 28 Nëntor, firmëtarët e pavarësisë, firmëtarët e shtetit kombëtar. Kombin e kishim deklaruar fuqishëm edhe ndërkombëtarisht në Prizren më 10 qershor 1878. Shtetin e deklaruam fuqishëm edhe ndërkombëtarisht në Vlorën e 28 Nëntorit 1912.
Sot, kjo është data më e madhe e shqiptarëve si datë e themelimit të shtetit të kombit, andaj na shërben si datë e perceptimit të thellë. Ne duhet ta shohim dhe dëgjojmë atdheun e Ismail bej Vlorës dhe Isa Boletinit, siç ata e shihnin dhe e ndjenin atë ditë. Ata deklaruan një shtet të cilin një vit më vonë fuqitë e mëdha do ta copëtonin nën presionin e perandorisë ruse dhe fuqive të vogla ballkanike. Pyetja është: sa arritën ta copëtojnë ndërgjegjen tonë kombëtare?
Ne jemi një popull historik, por jo popull historik i llojit pushtues. Sot mbajmë mbi shpinën e kombit rezultatet e epokës së pushtimeve dhe konferencave të territoreve. Por ndërgjegjja jonë nuk u ndrydh edhe kur kampi ideologjik na përfshiu dhe u përpoq të na e rrudhte vetëdijen. Muret i ngre pushtimi dhe i mban gjallë frika. Është e sigurt se muret e perandorive, muret e ideologjive, muret e pushtimeve bien kur mbahet gjallë vetëdija.
Ne nuk jemi popull historik i llojit pushtues, por jemi popull historik i llojit çlirimtar. Ajo që na lipset është një sfond botëror drejtësie. Duhet të punojmë posaçërisht për këtë.
Ne jemi popull që i admiron dhe përthith vlerat e zhvillimit shoqëror dhe politik. Prandaj edhe sot, po besoj se edhe në emrin tuaj, po shtroj pyetjen e çdo 28 nëntori:
A janë shqiptarët më të përfaqësuar në shtet?
A janë më të shprehur shoqërisht?
A janë më pjesëmarrës kulturalisht?
A janë më të dinjitetshëm ekonomikisht?
A kanë moral e vetëdije më të lartë?
A janë të faktorizuar, siç do të pyeste Arbën Xhaferi?
Me marrëveshjet tona ndërshtetërore ne po vëmë në zbatim parimet e shoqërive sociale dhe liberale demokratike, atyre vlerave që në gjysmën e shekullit të shkuar e ndërtuan Perëndimin si një bazë të shëndetshme për demokracinë. Me marrëveshjet tona ndërshtetërore ne po punojmë për integrimin evropian. Por drejtësia demokratike globale, ndjenja e lirisë gjithëpërfshirëse, pa efektin e duhur në të gjithë rruzullin, vuan po ato cilësi të atmosferës. Presionet më të larta diku sjellin stuhi. Andaj edhe dallimet e mëdha mes politikave shtetërore në vlera shoqërore e të drejta njerëzore nuk bën të tolerohen. Politika nuk mund të tejkalohet nga ekonomia, universalizimi i vlerave nuk mund t’i nënshtrohet globalizimit të ekonomisë. Ekonomia shpesh barazon pavarësisht vlerave dhe dinjitetit njerëzor. Pa vigjilencën politike, ekonomia dhe financa janë harresë. Dhe asisoj nis një epokë tjetër pushtimesh dhe muresh.
Ne do t’i japim siguri e paqe Ballkanit dhe Evropës nëse integrohemi sipas vështrimit të Ismail Vlorës dhe bashkëfirmëtarëve të tij. Nëse Kosova mbërrin synimin e saj të anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, shqiptarët do të jenë edhe më të integruar në vlerat e demokracisë perëndimore. Sepse ne besojmë në këto vlera, por për këtë arsye duhet të jemi më të zëshëm, më të njëzëshëm. Çdo 28 Nëntor duhet të masim bashkërisht cilësinë dhe forcën e këtij zëri.
Një shekull më parë ishim të qartë mbi atë çka na duhej. Sot jemi jo vetëm të qartë, por kemi edhe forcën shtetërore të bëjmë gjithçka për të mos toleruar rikthimin e praktikave të pushtimeve dhe pretendimeve territoriale. Në një shekull të drejtësisë botërore, popull historik nuk duhet të jetë më ai që pushton, por ai shtet që mbron aktivisht të drejtat e njeriut, pluralizmin politik dhe barazinë mes njerëzve.
Edhe diçka. Mos të harrojmë se historia shkruhet në vetën e parë kolektive në vetën e parë shumës, por se duhet të lexohet në vetën e parë individuale, në vetën e parë njëjës. Si popull historik i drejtë, ne e kemi një maksimë që prej Rilindjes së Sami Frashërit: një shtet që nuk e respekton përmasën e vet kombëtare, nuk mund ta sigurojë lulëzimin e vet shoqëror. Kjo maksimë duhet të jetë vazhdimisht në qendër të integrimit tonë shqiptar dhe të integrimit evropian e euroatlantik.
Edhe një herë ju uroj ditën më të madhe shtetërore të Kombit.
Gëzuar 28 Nëntori!