• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kronikë e një mjerimi të paralajmëruar

September 3, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Po bisedove me mërgimtarët tanë se cili është dallimi kryesor që vërejnë këtë verë në Kosovë krahasuar me herat e tjera kur vinin për pushime, pothuajse të gjithë të përgjigjen se janë të tronditur nga zhgënjimi i shtuar i qytetarëve, nga gjendja e pashpresë që lexohet në sytë e tyre. Nuk ka dyshim që kjo ka një bazë objektive: varfëria është thelluar e papunësia është zgjeruar sepse çmimet janë ngritur ndërkohë që shumë kollaj e humbet vendin e punës dhe shumë vështirë arrin të gjesh një vend (tjetër) pune. Shpenzimet mesatare për ushqim nga të ardhurat e qytetarëve në Kosovë arrijnë në plot 38%. (P.sh. në Zvicër kjo shifër është vetëm 7%, ani se ushqimet atje janë dukshëm më të shtrenjta dhe zviceranët kursejnë shumë më pak sesa kosovarët kur vie puna te konsumimi i ushqimit më cilësor e më të shëndetshëm.) Në anën tjetër, në Kosovë, jo vetëm që paga minimale nuk respektohet nga punëdhënësit, jo vetëm që ajo është tepër e ulët, por edhe me kalimin e viteve ajo nuk ngritet së paku aq sa është e nevojshme për ta mbuluar inflacionin vjetor. Kur kemi parasysh që paqen sociale e mirëmban kryesisht solidariteti familjar atëherë është e qartë që edhe ata me paga mbi mesataren, në fakt, përfundojnë në drejtim të pagës minimale porsa që me të ardhurat e tyre iu duhet të mbështesin edhe anëtarë të tjerë të familjes.

Numri i qytetarëve që viteve të fundit kanë rënë nga klasa e mesme në atë të varfër është gjithsesi shumë më i madh sesa i atyre pak individëve që mund të jenë ngjitur lart tek të pasurit. Kështu, pesëvjetori i pavarësisë së Kosovës përveçse solli bilancin negativ të standardit të jetesës së qytetarëve më parë sesa pjesëmarrjen e tyre në kremtimet e jubileut, paralelisht i përballi qytetarët me shpresat tashmë të humbura të vitit 2008 për zhvillim ekonomik e sovranitet, për mirëqenie e dinjitet. Sepse pa dyshim që zhgënjimi qytetar në Kosovë nuk është vetëm zhgënjim për shkak të të këqijave që kanë ndodhur, por edhe për shkak të të mirave që nuk kanë ndodhur.  Bazës objektive të zhgënjimit patjetër që i shtohet edhe aspekti subjektiv: ndryshimi i pritur me shpalljen e pavarësisë nuk është vetëm ndryshim i dëshiruar i gjendjes por, mbi të gjitha, edhe ndryshim i trendit të gjithëmbarshëm. Njerëzit besuan që gjërat do të ecin mbarë, do të nisin të ecin mbarë, dhe orientuan jetën e tyre me optimizën andejpari. Mirëpo, njerëzit mund të besojnë edhe në një model alternativ, në modelin e pesimizmit: gjërat nuk do të shkojnë mirë, që nuk do të bëhet më mirë se kaq, se e nesërmja do të jetë edhe më keq, se e keqja ka marrë hov e sa vie e do të rritet, se përgjithësisht bëhet fjalë për drejtim të keq. Sigurisht që numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës i cili dikur i përkiste modelit të optimizmit, mbase edhe për shkak se i përkiste atij modeli, tashmë ka kaluar në pesimizëm.

Dy çështje më duken posaçërisht të rëndësishme të theksohen këtu. Së pari, struktura e optimizmit paraprak. Njerëzit në Kosovë janë bërë aq të pashpresë pikërisht sepse duan rezultate të shpejta dhe njëkohësisht pse nuk besojnë në rezultate të shpejta. Prania e mjerimit dhe mungesa e shanseve në shoqëri është rritur aq shumë saqë s’bëhet dot mirë së shpejti. Mirëpo, në njëfarë mënyre, e gjithë kjo qasje është disi tregtare e financiare, dhe jo prodhuese. Dihet që financat, tregtia dhe shërbimet, janë degë të ekonomisë që e kanë kthimin e menjëhershëm. Nëpërmjet tyre trajnohesh të jesh i shkathët, por jo edhe aq të kesh vizion, të përpilosh plane, e të organizosh prodhimin. Mendësia e nevojshme e qytetarit aktiv që me angazhimin e vet e ndryshon për të mirë gjendjen e rëndë në të cilën  ndodhet, është ajo e bujkut që mbjell e korr dhe bashkëpunon me të tjerët në zinxhirin e kultivimit e prodhimit.

Populli nuk është i varfër e i papunë për shkak të kulturës e historisë së tij, gjeografisë e gjeologjisë së vendit të tij, por për shkak të orientimit aktual të gabuar ekonomik. Një ilustrim për këtë është qysh Qeveria e Kosovës, veçanërisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, lavdërohen se si qenka zvogëluar numri i ditëve të nevojshme për regjistrimin e biznesit në Kosovë. Thua se në Kosovë kishim vullnete të ndrydhura ndërmarrësie nga burokracia shtetërore! Në fakt, nga mbi 60 mijë ndërmarrje në Kosovë, rreth 80% syresh kanë vetëm një të punësuar, që është edhe vetë pronari i saj. Më shumë ndërmarrësi se kaq, s’është fer të kërkosh. Kosova nuk lëngon nga mungesa e ndërmarrësisë individuale të qytetarëve, dhe as nga pengesat për këtë ndërmarrësi, por nga orientimi i gabuar dhe i padrejtë ekonomik, i cili nuk sjell as zhvillim përmes prodhimit e punësimit dhe as mirëqenie përmes drejtësisë e barazisë.

Rimëkëmbja nuk do të jetë aspak e lehtë meqenëse njerëzit janë tjetërsuar e tëhuajësuar aq shumë nga të qenit qytetar i dinjitetshëm e punëtor i Republikës. Varfëria bëhet totalisht degraduese kur, ta zëmë, duhet të zgjedhësh nëse duhet t’i ushqesh fëmijët ose duhet ta ngrohësh dhomën. Jeta e dinjitetshme nis atëherë kur nuk bën (këso) zgjedhje. Pra, kuptimi i lirisë së zgjedhjes konsiston më shumë në çështjen e zgjedhur, sesa të lirisë për të zgjedhur. Mund të jesh i lirë pikërisht kur nuk bën zgjedhje (të atilla). Vetëm liria nga zgjedhje (të tilla) shënon fillimin e (vetë) zgjedhjeve të lira.

Për liri të vërtetë të zgjedhjeve që nuk të poshtërojnë, liria e zgjedhjet duhet të jenë për të gjithë e jo për disa, gjë që na sjell te barazia, te kërkesa dhe nevoja për barazi. Kjo është ajo që i nevojitet shoqërisë sonë për t’u ngritur e përparuar. Kur qeveritarët na flasin për përqindjen e rritjes ekonomike sivjet duhet shikuar se kush përfitoi nga ajo rritje e në kurriz të kujt. Tashmë s’ka dyshim që rritja ekonomike e vendit lidhet me mirëqenien e qytetarëve të shtetit po aq sa lidhet liria e kapitalit me lirinë e njerëzve, që do të thotë se më shumë janë të palidhura sesa të lidhura. Po ashtu, le të mos harrojmë që edhe vetë betejat për demokraci përgjatë historisë, në thelb, ishin beteja për (më shumë) barazi. Nga e drejta e votës për gratë dhe zezakët e deri te tatimi progresiv në Skandinavi. Të qenit të barabartë nuk do të thotë të jemi identikë. Por, gjithsesi, nuk jemi aq të ndryshëm që të jemi kaq të pabarabartë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti, e nje mjerimi, kronike, te paralajmeruar

Pabarazia e shpërfillur

September 2, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Pas krizës financiare të vitit 2008 që u quajt edhe krizë globale, janë shtuar aq shumë studimet që tregojnë se rritja e pabarazisë në shoqëri e rrit numrin e vrasjeve, numrin e të burgosurve për 1.000 banorë, dhunën në përgjithësi, obezitetin, problemet shëndetësore, numrin e tinejxhereve shtatëzëna, analfabetizmin, etj. Kur analizojmë ekonominë është pabarazia ajo së cilës i duhet kushtuar shumë më tepër vëmendje dhe jo vetëm bruto produktit vendor e bruto produktit vendor për kokë banori. Mirëpo, Qeverinë e Kosovës sigurisht që nuk mund ta kemi aleate: synimi ekonomik i saj nuk është punësimi i popullsisë (si njerëz), por  rritja ekonomike (si shifër).

Pabarazia e qytetarëve në aspektin socio-ekonomik është ose pabarazi në të ardhura, ose pabarazi në pasuri, ose të dyja këto (jo vetëm për shkak se vijnë të ndërlidhura). Dallimi në të ardhura përkthehet në dallim në pasuri, i cili mandej rritet: fundja, dallimi në qera e rrit dallimin e pronave që ipen me qera. Pabarazia socio-ekonomike që mbetet e paadresuar konsiston edhe në sistem legal e juridik të pabarabartë, i cili më shumë sesa që i korrigjon pabarazitë, i formalizon dhe i pasqyron ato në jetën politike, shoqërore dhe institucionale duke i sforcuar ato.

Dëshira për të bërë para e individëve, dëshira e pervertuar sepse e kufizuar te mjeti i shkëmbimit, nëse nuk kufizohet nga institucionet dhe shoqëria, i shpie në theqafje të dyja këto. Është pikërisht tatimi progresiv ai i cili na shpëton të gjithëve, madje edhe të pasurit. Duke i pasur njerëzit të pabarabartë në shoqëri, nuk paraqet kurrfarë drejtësie shoqërore trajtimi i barabartë i njerëzve. Kjo është arsyeja pse Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE! parasheh tatim progresiv në të ardhura duke mos i parë të ndara Shtetin Zhvillimor dhe Shtetin Social, përkatësisht prodhimin dhe barazinë. Natyrisht që me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do ta bëjmë tatimin progresiv në llogari të luftimit të informalitetit, por njëkohësisht duke e luftuar në mënyrë të pakompromis informalitetin e duke e zgjeruar bazën tatimore. Prandaj, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social e kanë të bashkangjitur aty edhe shtyllën tjetër – Shtetin e së Drejtës.

Barazia në ekonomi nuk është thjesht çështje etike e zelli moralizues, por edhe funksionim efikas e sukses përfitues. Tregu kosovar gjithsesi do të funksiononte shumë më mirë e do të rritej ndjeshëm nëse do të kishim më shumë barazi. Të pasurit blejnë pse munden edhe gjëra që nuk iu nevojiten, sidomos gjëra që nuk iu nevojiten. Shpenzimet kryesore i kanë për mallra luksi të cilat nuk i prodhojmë ne vetë në Kosovë. Më shumë barazi në Kosovë, do të rriste edhe fuqinë blerëse aktuale, edhe kërkesën agregate, edhe prodhimin vendor.

Pabarazia është ofenduese. Kur njerëzit trajtohen në mënyrë të pabarabartë, ata fyhen dhe vuajnë. Kjo mandej lë pasoja në ndërtimin dhe zhvillimin e tyre emocional dhe intelektual. Duhet të kemi mirëkuptim për njerëzit që janë të kushtëzuar nga rrethanat e vështira jetësore, por edhe për ata që vuajne pasojat e zgjedhjeve të gabuara në jetë. Ky mirëkuptim i yni duhet të shprehet në politikat sociale dhe ndarjet buxhetore.

Ata që janë të pasur a të sukseshëm, përgjithësisht, besojnë që kjo është për shkak se ata janë të veçantë (për të mirë) përkundër sistemit (i cili është aq larg nga të qenit i përsosur). Mirëpo, po këta njerëz nuk duan t’i shohin të varfërit a të pasuksesshmit si viktimë të po atij sistemi (aq të papërsosur), por sërish si njerëz të veçantë (për të keq). Tipike neoliberale: gjykim i të varfërve me moralin e të pasurve. Kundrim i asistencës sociale duke presupozuar e duke ua përshkruar të tjerëve lakminë e vetvetes së tyre. Mirëpo, s’do mend se kjo gjë tashmë është kontradiktore.

Individualizmi, të cilin e kanë aq shumë për qejf neoliberalët, shikon e thekson dallimet midis njerëzve e jo ngjashmëritë dhe të përbashktën e tyre. Individualizmi mbetet i verbër për sa i përket shkakut dhe karakterit të suksesit të individëve. Nuk e sheh dot qysh edhe aftësia njerëzore, edhe produktiviteti njerëzor, janë shoqërore për nga natyra. Multimiliarderi amerikan, Warren Buffett, është ndër të paktit i cili e pranoi këtë gjë kur deklaroi se po të kishte lindur në Bangladesh, nuk do të bëhej tjetërçka përveçse bujk.

Duke e konsideruar pabarazinë fakt të kryer dhe duke ia vënë barrën e argumentimit dhe arsyetimit atyre që afirmojnë idealin dhe nevojën për barazi, kjo njëmend dëshmon që shoqëria jonë ideologjikisht ndodhet nën kthetrat e neoliberalizmit, por, njëkohësisht, edhe dëshmohet se te pabarazia si fakt i kryer s’ka asgjë të natyrshme dhe gjithçka është e imponuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti, e shperfillur, pabarazia

‘Tradhtarët’ e mirë të klasës së mesme

August 6, 2013 by dgreca

Shkruan: Albin Kurti  /

Problemet ekonomike dhe sociale janë të njëjta dhe të ndryshme. Të njëjta në kuptimin që vështirë të gjesh se ku fillon njëra e ku përfundon tjetra. Dhe, të ndryshme në kuptimin që shkaqet janë ekonomike kurse pasojat janë sociale. Mirëpo, problemet ekonomike dhe sociale janë të ndryshme jo vetëm ashtu në vetvete apo në raport me njëra-tjetrën, por edhe për shkak se këndvështrimet e njerëzve janë të ndryshme. Pra, janë të ndryshëm njerëzit që flasin për gjërat dhe jo, thjesht, gjërat. Kështu, klasa e pasur në Kosovë përgjithësisht nuk sheh as probleme ekonomike dhe as probleme sociale – sipas tyre Kosova po përparon, duke shtuar eventualisht që ky përparim mund të mos e ketë shpejtësinë e mjaftueshme. Në fakt, kur kjo klasë flet për shpejtësinë ajo realisht flet për klasat e tjera për të cilat Kosova nuk po përparon. Pamjaftueshmëria e shpejtësisë së përparimit të Kosovës e konstatuar nga klasa e pasur duhet lexuar si pamjaftueshmëri e shtrirjes dhe gjerësisë së përparimit edhe në klasat e tjera (përveç asaj të pasur). Prandaj, porsa i ndezim televizorët që t’i ndjekim edicionet e lajmeve, ajo që më së shumti shohim e dëgjojmë aty janë premtimet e klasës së pasur për të tjerët. Ata që jetojnë shumë mirë në të tashmen (qeveritarët dhe miqtë e tyre) u premtojnë jetë (më) të mirë në të ardhmen të tjerëve (qytetarëve).

Në anën tjetër, klasa e mesme dhe klasa e varfër e popullsisë besojnë që Kosova ka edhe probleme ekonomike edhe probleme sociale. Mirëpo, përderisa klasa e mesme e shoqërisë identifikon probleme ekonomike, ajo e varfër konstaton probleme sociale. Dhe, më tutje, përbrenda klasës së mesme, në shtresën e epërme të kësaj klase, problemet shihen si ekonomiko-sociale, ndërkaq në shtresën e poshtme të klasës së mesme si socio-ekonomike.

Klasa e pasur, në rastin më të mirë, dëshiron të diskutohet QYSH po ikin qytetarët nga Kosova për në kampet e burgjet e Hungarisë, dhe PSE policia s’arrin dot t’i ndalojë ata. Klasa e mesme dhe e varfër, në rastin më të keq, do që të diskutojë PSE po ikin qytetarët tanë kur i kemi më shumë se 14 vjet çlirim e më shumë se pesë vjet pavarësi prapa vetes, dhe QYSH duhet të ndryshohen politikat ekonomike e sociale për ta bërë vendin tonë të jetueshëm për të gjithë. Klasa e pasur bluan mendjen se si t’ia bëjë që qytetarët të mos kenë MUNDËSI të ikin meqë po na e prishin imazhin e shtetit karshi ndërkombëtarëve, ndërsa klasa e mesme dhe e varfër duan zgjidhje që qytetarët të mos kenë NEVOJË të ikin nga vendi i tyre, që do të thotë që klasa e pasur mendon në mënyrë POLICORE kurse klasa e mesme dhe e varfër në mënyrë POLITIKE. Ose, një shembull nga bota e korporatave: ankesat për pagesat e larta të menaxherëve ekzekutivë janë krejtësisht të ndryshme për nga struktura varësisht nëse vijnë prej punëtorëve apo prej pronarëve. Është nënpyetja pas përgjigjes dhe jo pyetja e parë ajo që na i sqaron pozicionet e njerëzve, motivet e aspiratat e tyre. Ose, për t’u rikthyer sërish në Kosovë: ish luftëtarët e UÇK-së nuk përbëjnë tashmë aspak një kategori të përbashkët shoqërore: kemi një pakicë prej multimilionerësh midis tyre të instaluar në pushtet e shtet, dhe shumicën tjetër ku bëjnë pjesë edhe ata mbi 40 ish pjesëtarë të UÇK-së që bënë vetëvrasje pas luftës për shkak të kushteve shumë të rënda të jetesës. (Në disa raste kur isha për ngushëllime në shtëpitë e tyre vërehej qartë varfëria e skajshme: prej rrobave shumë të vjetra e shtëpisë së pasuvatuar edhe në muret e brendshme, e deri te xhami i krisur i gotës me të cilin ta sjellin ujin e pusit dhe qilimi që t’i lag çorapet meqë është i vendosur drejt e në tokë në vend se në dysheme.)

Për ndryshime politike dhe shoqërore në Kosovë, problemi më i madh është kur klasa e mesme nuk e mirëkupton ose edhe nuk e kupton fare klasën e varfër. Të merremi vesh: është e qartë dhe e pritshme që klasa e varfër dhe ajo e pasur të mos kuptohen me njëra-tjetrën. P.sh. një qytetar që ka pasuri prej disa milionë eurosh dhe një tjetër qytetar që ka mbetur me vetëm disa euro në xhep nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Ata mund të flasin të njëjtën gjuhë, p.sh. gjuhën shqipe, por ata nuk e kuptojnë njëri-tjetrin. Sepse, ata kanë botëkuptime krejt të ndryshme që vijnë prej jetesës në dy botëra aq të ndryshme e me halle po aq të ndryshme. Fundja, përvoja jonë jetësore na tregon që madje nuk ka as fakte për të cilat pajtohen të gjithë njerëzit. Mendimet e njerëzve janë të udhëhequra prej qëllimeve e synimeve të tyre, më shumë sesa prej fakteve jashtë tyre. Kjo nuk vlen për secilin rast e për çdo kohë njësoj, por nëse do të përpilonim agregate statistikore të këtyre qëllimeve e synimeve, pa dyshim që do të përfundonim tek intencat klasore. Mirëpo, kur klasa e mesme shpërfill të varfërit dhe i lë vetëm ata, aty gjendja bëhet gati e pashpresë, sepse bie potencialiteti për ndryshime. Sado të pasur që të jenë ata në pushtet dhe sado të pushtetshëm që të jenë të pasurit, kur klasa e mesme i qëndron shumë pranë masave të varfëra aty gjendja mund të jetë shumë e rëndë porse gjithsesi ka shumë shpresë për ndryshime. Të varfërit, në njërën anë, nuk kanë pasur shans për arsim cilësor, kurse, në anën tjetër, janë të kurthuar nga mbijetesa e përditshme që nuk të lë as kohë e as energji ta ngritësh kokën. Janë qytetarët që përnjëmend i duan ndryshimet e të cilët vijnë nga klasa e mesme ata që i kompensojnë mangësitë e të varfërve dhe i ndihmojnë ata në organizim e beteja politike, shoqërore dhe ekonomike. Pra, janë qytetarët e klasës së mesme ata të cilët nuk e përjetojnë realitetin thjesht si pasojë duke e kufizuar atë në shumësi problemesh sociale, por arrijnë të kuptojnë shkaqet dhe interesat ekonomike të të pasurve që prodhojnë mjerim social për të varfërit. Këta qytetarë duhet të bëhen intelektualë në kuptimin e Sartre-it, pra të ‘tradhtojnë klasën e tyre’, në drejtim të masave popullore. Për këtë gjë ka nevojë çdo vend i shtypur e i shfrytëzuar, për këtë ka nevojë edhe Kosova – pra, për ‘tradhtarë’ të klasës së mesme nga klasa e mesme. Sa më shumë këso ‘tradhtarësh’, aq më të mëdha bëhen mundësitë e rriten shpresat për ndryshimet e nevojshme.

Për fund, shpresoj që ky shkrim t’ju cysë sadopak që kur të bisedoni me të tjerët të keni parasysh që ata nuk janë vetëm persona të veçantë të popullit tonë por edhe njerëz të përgjithshëm të klasës së tyre shoqërore. Dhe, se kjo e fundit, kushedi, ndoshta i përcakton ata më shumë sesa e para. Zaten edhe këtë shkrim që porsa e lexuat nuk duhet ta kuptoni vetëm si shkrim i autorit që mban emrin e mbiemrin tim, por si një shkrim i një njeriu që i përket klasës së mesme dhe shtresës së poshtme aty. Kur lexoni shkrim të ndonjë politikani të pasur sigurisht që ai nuk është tërësisht i ndryshëm prej shkrimeve të mia vetëm për shkak se i kemi emrat e ndryshëm, apo jo?

Filed Under: Analiza Tagged With: Albin Kurti, e klases se mesme, tradhetaret

Kombi dhe feja

July 1, 2013 by dgreca

Nga Albin KURTI/

Shqiptarët nuk kanë tolerancë ndërfetare. Ndërtimi i tolerancës ndërfetare midis tyre bëhet veçse shkatërrim. Shqiptarët përherë kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë bashkëpunim ndërfetar. Nëse për botën toleranca ndërfetare është vetë suksesi, ne gjithmonë ishim përtej kësaj e kishim më shumë se kaq. Për çështjen e religjionit dhe fesë, shqiptarët janë para botës, janë shembull që duhet ndjekur të tjerët. Toleranca është durim i tjetrit, i qenies e i pranisë së tjetrit. Ajo nënkupton që ekzistojnë arsye për të mos toleruar dikë a diçka, por ja që po ndodh toleranca. Toleranca ngjan përkundër jotolerancës duke e etabluar pikërisht jotolerancën si parësore. Andaj, nga personi i toleruar pritet të jetë mirënjohës e falenderues që po tolerohet. Toleranca është vetëpërmbajtje, është mosveprim në kushtet kur veprimi do të ishte i dëmshëm. Bashkëpunimi është veprim në kushtet kur veprimi është i dobishëm.

Shqiptarët muslimanë, katolikë e ortodoksë nuk e kanë toleruar asnjëherë njëri-tjetrin sepse gjithnjë kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin. Ose, për të qenë më të saktë, nuk kishin si ta toleronin njëri-tjetrin sepse aty s’kishte tjetër. Të qenit shqiptar, pra kombi, konsiderohej vlerë përbashkësuese shoqërore e historike dhe rëndësi strategjike politike e ushtarake. Para pak ditëve, si në Detroit, po ashtu edhe në Worcester e në Boston e gjetëm flamurin kombëtar shqiptar: te Imam Shaip Gërguri, te Dom Fran Kolaj, si dhe te Imzot Nikon e Atë Liolini.

Në fund të shekullit XIX e përgjatë shekullit XX kështu mbijetuam. Të gjitha ngritjet e kryengritjet, rezistencat e luftërat çlirimtare u zhvilluan në emër të kombit e për hir të kombit. Hoxhallarë, priftërinj e klerikë të tjerë, besimtarë shqiptarë të të gjitha religjioneve e feve, bashkoheshin si shqiptarë. Njëkohësisht, edhe armiqtë e shqiptarëve nuk bënin shumë dallim se kush çfarë feje ishte kur i sulmonin shqiptarët. Armiqtë tonë ishin e janë armiq të kombit tonë. Dëshmorët e kombit i kemi të të gjitha feve në secilën luftë tonën çlirimtare.

Nga pikëpamja fetare, kombi shqiptar njëmend është heterogjen, por ai nuk është edhe aq i vetëdijshëm për atë heterogjenitet. Kjo vetëdije cytet prej jashtë, prej koncepteve, nocioneve e kategorive të importuara (kryesisht perëndimore). Ngjashëm sikurse që shqiptarët as për së afërmi nuk e quajnë e njohin veten e tyre për gegë e toskë sa e bëjnë këtë gjë politikanët e diplomatët, studiuesit e gazetarët e huaj. Ndarjet midis nesh nuk janë tonat.

Tema e fesë dhe e religjionit te shqiptarët nuk është aq e vetë shqiptarëve. Kohëve të fundit këtë temë dhe aspekte të saj po i sjellin në debatin publik gjithnjë e më shpesh qeveritarët kosovarë thua se duan të na e konfirmojnë që Qeveria e Kosovës nuk është e shqiptarëve. Medie të regjimit kohë pas kohë nxjerrin video inçizime të vjetra të klerikëve për të ndezur polemika që i sipërvendosen aktualitetit politik në shtetin e Kosovës që po dështon. Lansoje një temë fetare duke shfaqur video nga arkiva (kush e di edhe sa të tilla i mbajnë për t’i publikuar më vonë?) dhe askush s’do të flasë për një kohë për ratifikimin e marrëveshjes Thaçi-Daçiq, privatizimin e KEK-ut e të PTK-së, varfërinë e papunësinë në rritje. Mbase nuk ka se si të jetë ndryshe: tash kur Thaçi po merret vesh me Serbinë për ridimensionimin e shtetit të Kosovës nevojitet të krijohet përshtypja që armiku kryesor nuk vjen prej jashtë (Serbia) por nga brenda (islami). Dhe, kësisoj të normalizohet Serbia brenda Kosovës e të nxjerret islami jashtë, duke barazuar islamin tradicional që e kemi prej shekujsh me tendencat e pasluftës të bazuara në lexime e interpretime të tjera të Kuranit.

Në anën tjetër, posaçërisht gjatë këtyre dy viteve të fundit, Qeveria e Kosovës dhe analistët e regjimit e kanë humbur debatin me Lëvizjen VETËVENDOSJE! si për çështjet politike e kombëtare po ashtu edhe për ato sociale e ekonomike. Ata nuk kanë shpresë tjetër përveç religjionit. Kjo është karta e fundit që u ka mbetur. Duke e ditur heterogjenitetin brenda shqiptarëve që reflektohet edhe brenda subjekteve politike përfshirë këtu VETËVENDOSJE!-n, ata duan përçarje të alternativës ndaj saj për ta maskuar pafuqinë e vetë asaj. Meqenëse VETËVENDOSJE! doli të jetë kështjellë e pamposhtur në diskutimet për politikën e bashkimit kombëtar, zhvillimin ekonomik të bazuar në prodhim, dhe shtetin e së drejtës e atë social, le ta provojmë me religjionin thonë ata, sepse dihet që njerëzit mbajnë bindje e qëndrime personale të ndryshme. Ana tjetër e së njëjtës medale është që duke nxitur tensione ndërfetare e fetare të kërkojnë buxhet shtesë e vazhdim të kontratës për ShIK-un nga qarqe të caktuara amerikane: pa ShIK-un pa dyshim që PDK-ja jo vetëm se dobësohet, por me gjasë edhe zhduket fare.

Këto debate do të vazhdojnë sepse pushteti i ka mundësitë e fuqinë për nxitjen e përhapjen e tyre. Tash kur antagonizmat themelorë janë ato midis popullit shqiptar dhe Serbisë si dhe midis shumicës së varfër e të shpronësuar kundrejt privatizuesve të pasur, përmes një video sekuence të para tetë muajve por të shfaqur para disa ditëve, po përpiqen të na bindin që antagonizmi themelor e vendimtar na qenka ai midis burrit dhe gruas (sic.).

Morali nuk duhet kufizuar te religjioni e religjionet. Kosova është shtet sekular ku duhet të ketë liri të religjionit e të religjioneve pa dallim dhe ku çështjet e etikës konsistojnë te ndërgjegja e njeriut. Paralelisht me këtë, rrënjët e moralit të qytetarëve mund t’i gjejmë jashtë tyre: te gjendja sociale e materiale, te trajtimi që ua bën pushteti, te lloji i organizimit shtetëror. Në kohëra e në vende të ndryshme, në ekonomi e shtresa të ndryshme të popullsisë, nuk gjejmë morale të njëjta. Kështu, milionerët e skamnorët kanë gjykime etike fort të ndryshme ndërkaq prostitucioni është përgjithësisht skllavëri. Aty ku besojmë që kemi identifikuar shkaqet, më shpesh seç mendojmë, mund të kemi parë veçse pasojat.

Dallimi gjinor nuk bën të na e organizojë shoqërinë. Dhe, sa më shumë barazi, aq më pak dallime. Barazia shoqërore duhet ta përfshijë dhe ta nënkuptojë barazinë gjinore. Pa barazi, nuk ka dinjitet, por dominim e frikë, që do të thotë se nuk ka as liri. Barazia është vlerë: edhe pikënisje, edhe synim. Dinjiteti i grave e i burrave duhet të mbrohet e të respektohet njësoj.

Në vjeshtën e vitit 2008, pas krizës financiare me pasoja globale, në politikën botërore dhe marrëdhëniet ndërkombëtare kemi një rikthim të rolit të shtetit dhe kombit. Po nuk e kuptuam ne shqiptarët këtë gjë, do ta paguajnë shtrenjtë edhe brezat e ardhshëm. Shqiptarët janë një komb i fuqishëm por me shtete të dobëta (të Kosovës e të Shqipërisë). Bashkimi kombëtar nuk e ka kuptimin e një kombi të ri të bashkuar por e një shteti të ri të bashkuar për kombin.

Përderisa kishte mirëqenie të përgjithshme, lulëzonin organizmat e mekanizmat ndërkombëtarë, mirëpo porsa u cenua ajo mirëqenie secili popull e komb iu kthye shtetit të vet dhe kozmopolitanizmi nisi t’ia lëshojë vendin sërish nacionalizmave. Natyrisht, problemi është që edhe ai kozmopolitanizëm i mëhershëm ishte prej së larti (apo, siç thoshte me një rast një filozof francez: kur ta dëgjosh fjalën kozmopolit dije që një perandori po zgjerohet), por edhe ky nacionalizëm është përgjithësisht reaksionar meqë organizohet rreth dallimit kombëtar e lakmisë e jo çlirimit kombëtar dhe barazisë.

Shqiptarët në Ballkan nuk duhet të lejojnë as të shfrytëzohen si bedem mbrojtës i ‘Evropës së krishterë’ përpara ‘depërtimit të islamit nga lindja’ dhe as të përdoren nga ‘islamistët ekstremistë’ kundër ‘perëndimit të krishterë’. Sepse, pikë së pari, këso figurash që përbëjnë imagjinatën e ndarjes lindje-perëndim të fetarizuar janë ato të doktrinës së mbrapshtë të përplasjes së civilizimeve. Përplasja e civilizimeve është orvatje për kulturalizmin e më pas edhe fetarizimin e kundërthënieve socio-ekonomike e gjeo-politike (duke i depolitizuar ato).

 

 

Prishtinë, qershor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: Albin Kurti, Kombi dhe feja

Dorëzimi i pavarësisë me marrëveshje

June 1, 2013 by dgreca

Nga marrëveshja në marrëveshje. I këtillë është bërë dialogu Thaçi-Daçiq. Midis Qeverisë sëKosovës dhe asaj të Serbisë nuk ka më dialog në mungesë e si mungesë të marrëveshjes por ka marrëveshje të njëpasnjëshme. Një marrëveshje, disa marrëveshje, shumë marrëveshje, edhe më shumë marrëveshje për zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Thaçi e Daçiq nuk po dialogojnë më – ata po merren vesh, madje shpejt e kollaj, si asnjëherë më parë dhe ashtu siç askush nuk ka mundur ta (para)mendojë. Fjala dialog është zëvendësuar me fjalën marrëveshje.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë që retroaktivisht mund të konstatojmë se dialogu teknik e politik para 19 prillit 2013 paska qenë mosmarrëveshje. Vetë dialogu ishte marrëveshja kryesore qëtash është proliferuar në këtë inflacion të marrëveshjeve të pandërprera për gjithçka ndërkohëqë Kosovës po i mbetet pakçka prej shtetësisë e pasurisë së saj.  Dialogu ishte marrëveshja kryesore meqenëse aty u morën vesh që Serbia të mos kushtëzohet; dhe, u morën vesh që do tëmerren vesh veçse për çështjet e brendshme të Kosovës. Prandaj, ishte kjo marrëveshje kryesore ajo që edhe mundësoi marrëveshjet e tjera por edhe i imponoi ato.

Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq dhe kjo tjetra për zbatimin e saj qartazi po shpiejnë te ndryshimi i shumë ligjeve në Kosovë e jo te ndryshimi i Kushtetutës në Serbi. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi po e konsideron normale Kushtetutën e Serbisë dhe jonormale ligjet në Kosovë. Po normalizohet shteti i Serbisë brenda Kosovës dhe Kosova brenda Kushtetutës së Serbisë. Varësia aktive e Kosovës nga Serbia po përkthehet në pavarësi tëAsociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Serbia nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës përgjatë marrëdhënies me të, andaj tash Kosova po e pranon autonominë e serbëve. Marrëdhënia me Serbinë që s’na njeh jashtë saj po e normalizon Serbinë brenda nesh.

Sipas marrëveshjes për zbatimin e marrëveshjes së parë të 22 majit 2013, Serbia na tregon vetëm se kë prej zyrtarëve të saj dëshiron ajo që ta fusë në sistemin institucional të Kosovës, ndërkaq Kosova ua jep atyre aministinë dhe ua hap pozitat e postet përkatëse. Gjithçka organizohet sipas parimit etnik e territorial dhe për strukturat paralele shtetërore të Serbisë qëjanë jo vetëm ilegale, por edhe kriminale e armiqësore, tash do të paguajmë vetë ne nga buxheti i Republikës së Kosovës. Pavarësia e Kosovës e shpallur para më shumë se pesëvjetëve nuk po përdoret për ta bërë Kosovës sovrane e me integritet territorial por, përkundrazi, për ta legalizuar e forcuar Serbinë përbrenda Kosovës.

E, megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk po mjaftohet me qëndrimin dhe vendimet e saj në favor të Serbisë. Ajo synon që t’i vulosë ato në shtetin e Kosovës prandaj është paralajmëruar qëmarrëveshjet do të vijnë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Kështu, Kuvendi po instrumentalizohet nga Qeveria si organ ku legjitimohen tendencat e saj anti-demokratike, anti-kombëtare e anti-shtetërore. Demokracia po përdoret kundër kombit, shtetit dhe vetëdemokracisë. Kuvendi aktual ka aq shumë deputetë të pazgjedhur nga pozita të cilët nuk duan që Kuvendi të zgjedhë. Por, Kuvendi i Kosovës ka edhe aq shumë deputetë të tjerë nga opozita që e pranojnë Qeverinë si zgjedhë. Qeveria e Kosovës është kushti për Serbinë brenda Kosovës, mirëpo këta deputetë brenda Kuvendit janë mundësia për këtë Qeveri.

Kur para një viti e morën pushtetin në Serbi Nikoliq, Daçiq e Vuçiq, kishte të atillë në Kosovëqë thoshin se më mirë është që tani radikalët dhe nacional-shovinistët e kanë pushtetin atje sesa ta kenë atë demokratët dinakë si Tadiqi që i preferon edhe perëndimi demokratik. Mirëpo, ata mbase do të jenë befasuar me Thaçin i cili i ka rehabilituar politikanët kriminelë të luftës(të familjes së Milosheviqit e Sheshelit) duke pranuar kërkesat e aspiratat e tyre.

Tanimë Thaçi po shihet si politikan i huaj për Kosovën edhe për faktin që diskutohet se a do tëmundet që Kuvendi ta ndal marrëveshjen (përmes mosratifikimit të saj) sepse Qeveria s’mban aspak, asgjë dhe asnjëherë kur duhet të mbrohet Republika e Kosovës, interesi i vendit, vullneti i popullit e pavarësia e shtetit. Thaçi është bërë zëri i Serbisë në Kuvendin e Kosovës që s’po bëhet dot zëri i shqiptarëve.

Po qytetarët shqiptarë të Kosovës, pse ata kryesisht e zakonisht po heshtin? Si bëhet qëmynxyra politike me pasoja afatgjate e cila po e pllakos Kosovën po has në heshtjen e qytetarëve? Në fakt, duket se kjo është vetë përgjigja më parë se pyetja. Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq dhe plani i zbatimit për të janë aq të këqija saqë e vetmja mundësi t’ia dalësh disi me to është që thjesht të mos i besosh e të heshtësh për to. Vetëm duke menduar se këto nuk janë të vërteta, vetëm duke mos i besuar ato, arrin të mos përjetosh thyerje nervore. Kushedi, ndoshta pikërisht këtë gjë po e bëjnë jopak qytetarë të Kosovës. Dihet që njerëzit nëKosovë përgjithësisht janë pasivë por jo edhe indiferentë. Duket që tash gjërat janë aq keq saqë s’mund të mbetesh kurrsesi pasiv pa e instaluar me forcë indiferencën brenda vetes. Dhe, më tej, kjo indiferencë mundësohet vetëm si mosbesim i verbër ndaj shqisave tua të shikimit e dëgjimit.

28 maj 2013
Albin Kurti

 

Filed Under: Komente Tagged With: Albin Kurti, dorezimi i pavaresise, me marreveshje

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT