• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESË- 2 prilli, Masakra e Parashikuar dhe Roli i Kriminelëve të Sigurimit

April 2, 2016 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja. Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.
Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.
Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?
Në lagjen “Xhabije”, populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: “Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?”.
Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.
Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.
Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste ‘45-‘46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?
Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.
Për t’i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t’i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.
Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: “Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe”. “Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?”. Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.
Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.
Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.
Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: “Këta kriminelë kanë me u vra!”. Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.
Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: “Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!”.

Si nisi
2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Oso Kuka” dhe “29 Nëntori”. Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.

Pllakati i kësaj ngjarjeje
Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.
Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur… Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Thaçi dhe vartësit e tij…, shkodranët duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, “Helkath-Hazurim”, që do të thotë, “fushëbetejë”. U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë… Pse e gjithë kjo verbëri?!

Ballë për ballë me Çapajev Taçin
Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t’i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: “Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?”. Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: “Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!”. U larguam për të vazhduar detyrën tonë…

Dezinformimi dhe manipulimi, formë dhe mjet i Sigurimit të Shtetit
Kam shkuar shtrat më shtrat tek të plagosurit, duke shënuar emrat e të vrarëve dhe të plagosurve (së bashku me doktor Spahinë dhe doktor Grezdën regjistruam rreth 60 të plagosur që ishin paraqitur për mjekim), të cilët tregonin plagët e tyre. Më vonë lista do të rritej…
Atë pasdreke po u jepja intervistë gazetarëve të huaj. Njëkohësisht po komunikoja direkt me Frrok Çupin, i cili shënonte ato çfarë thoja. Emrat e martirëve ia komunikova të saktë, por një spiun i Sigurimit më gjeti “fjetur”, ose më mirë ma hodhi (e shpjegova më lart kisha netë pa gjumë), më tha për Bujar Bishanakun: “Nuk është emri i tij Bujar, por është Ilir Leshanaku”, duke u përbetuar se ishte i afërm i tij.
E hëngra nga Sigurimsi për herë të dytë dhe të fundit. I thashë Frrokut të ndryshonte emrin. Shikoni se si shokët e Gjekës nuk luftonin vetëm me pushkë, por dhe me dezinformim. Siç doli dhe më vonë në Parlamentin shqiptar, shkrimi im dhe i Rudolf Markut nuk ishin të saktë… Makina propagandistike e Sigurimit nuk ngurroi që, mbas këtyre vrasjeve të shkruante në muret e Shkodrës se, Arben Brocin e vrau Arbnori. Gënjeshtrat, sajimet, manipulimet, dezinformimet ishin shpeshherë një armë e fuqishme propagandistike në duart e mjeshtrave të Sigurimit. Por, kjo lojë e pabesë nuk eci tek shkodranët demokratë.

Martirët e 2 prillit
Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
*Autori eshte kryetar I Deges se VATRES ne Michigan(Dielli-Arkiv)

 

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, KUJTESË- 2 prilli, Masakra

DEGA E VATRËS NË MICHIGAN U TAKUA ME SENATORIN GARY PETERS

March 14, 2016 by dgreca

DEGA E VATRËS NË MICHIGAN U TAKUA ME SENATORIN GARY PETERS/

Sic na njofton zv/Kryetari i degës së Vatrës në Michigan, z. Mondi Rakaj, të dielën me 13 Mars 2016, një përfaqësi e degës së Vatrës në Michigan, e kryesuar nga Kryetari z. Alfons Grishaj, u takua me Senatorin Gary Peters. Bashkë me kryetarin Grishaj në takim ishin edhe zv/Kryetari Mondi Rakaj dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të Vatrës, z.Kujtim Qafa.

Është kënaqësi kur në zyrën e Senatorit amerikan të pret një shqiptare si Elisa Malile, e cila punon për zyrën e Senatorit Peters..

Gjatë takimit me senatorin Gary Peters u fol rreth problemit të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Senatori i falenderoi mysafirët për suportimin e vazhdueshëm të Vatranëve të Michiganit, ndërsa vatranët e falenderuan senatorin për mbështetjen që ai jep për cështjen shqiptare.(Korresp. i Diellit)

 

 

Filed Under: Vatra Tagged With: alfons Grishaj, Gary Peters, Vatra Michigan takim me senatorin

Alfons Grishaj në Sofrën Poetike të Diellit

March 14, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

 Haramxhinjtë/

 Të gjallë, por vdekur , jetë nuk japin kurrë !/

Haramxhinjëve , nuk mund tu thuash burrë. /

Bash prej kësaj rrace i “fuqishmi” kryetar,/

Amanita bisporigera* për Shqiptarë./

 

Rrekado e qymyrit me energinë diellore?!/

Bastardët e kohës prej t’ njëjtës dashnore./

Paguan populli i mjerë për një kodosh,/

E më pas zvarritet nga një kokë bosh…/

 

Fryhen në karrige të paudhët haramxhi ,

Që ferrin e Dantes e bënë Shqipëri.

Hilerojnë   sharlatanët e lerosur,

Apel diaspores për “jetën e pasosur”.

 

Tallen prej ikjes së popullit të mjerë…

Mos harroni !Karma do zbres n’ tyren derë.

  • Amanita bisporigera, është një këpurdhë e helmët, që po të hahet sjell vdekjen e ngadaltë . Të paktë janë ata që mbijetojnë pas konsumimit të kësaj këpurdhe. Biles, është pakëzuar dhe me emrin “Destroying angel”… Referenca është marrë nga libri “ What if ? “, i autorit Randall Munroe. 1 New York Times Bestseller .

Shpjegim i imi.

Jemi mësuar

Tërë jetën…

Jemi mësuar të fajsojmë të tjerët.

Dhe kur ata janë larg ,

Dhe kur janë afër,

Dhe kur nuk i njohim fare.

Fajsojmë fëmijët tanë,

Vëllezërit e motrat aty për rreth,

Barin e rritur shumë dhe pemët

kur nuk kanë gjeth.

Jemi mësuar ta fajsojmë nënën,

Dhe atë Zotin “mistrec” që ndrysh s’e bëri hënën!

Faji njeriut nuk është kurr faj,

Për sa kohë turpin e rrëkëllen si çaj.

 

Shkodrani i Vjetër/

 Me tespihe Shkodrani burrë

Mendon mbi gurin e latum,

Ça me thanë në jetën tjetër

Për kto vite që shkun si gurrë.

 

A me thanë si qe Shkodra

Me ato trima n’ at zaman,

Fush’, liqen,lumenj e kodra.

Bukurinë ka pas me nam.

 

Nuk ka ma trëndafila,

Lule vile , lule borë,

Lule sahat e as karafila.

Mjaft pak njerëz të përkorë.

 

Bash buzë njasaj ure

Që kulmon andja klasike,

Bariste vasha plot nure.

Sa e mistershme, sa magjike!

 

Rrugës së Bexhisteni

Një rregull ligj prej Zoti,

Barceleta gaz kuvendi

Sa prej syve qeshte loti.

 

Dhe syt i treti larg , larg …

Tespihe i lëshoi përdhe,

Patat i çuan në qiell varg

Në gji të qiellit përmbi re.

 

Ja , shih! Ylberi u ba urë.

Me dorë grish dashni e jetës,

Ajo vasha plot dritë e nurë.

Për në jetën e të vërtetës…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj, Haramxhinjtë, Jemi mësuar, Shkodrani i Vjetër

Liria dhe Besimi Kundër Mureve

February 26, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Zogjtë nuk kanë mure, nuk kanë kufi, nuk kanë dilema. Ata janë të lirë të ulen në tokë, të këndojnë në pemë, të fluturojnë, pra të gëzojnë hapësirën e pafund si asnjë qenie tjetër. Njeriu me xhelozinë që e karakterizon nuk mjaftohet me praninë dhe bukurinë e tyre, me muzikën natyrale, por ka dëshirë t’i izolojë nëpër kafaze (burgje),  t’i shfrytëzojë në mënyrë origjinale çfarë tregon traditën e sojit të tij. Ai, pra njeriu, pretendon që përveç zogjve dhe kafshëve të kufizojë lirinë e vetvetes.

Shën Françesku i Asizit, fliste me zogjtë, kafshët dhe me peshqit. Kur fliste me zogjtë, Ai u drejtohej më fjalët: “Vëllezër e motra”. Zogjtë e dëgjonin me ëndje dhe kënaqeshin me praninë e Tij, duke e rrethuar  dhe i zbritur mbi  krahë, prehër e kudo mbi trupin e Shenjtit.  Të njëjtën gjë bënte me kafshët, biles  një herë, Ai bindi ujkun që të sillej si njeri (Tranzicioni i shpirtit…). Ujku kishte sjellë shumë telashe në zonën e Gubbios. Shenjti shkoi në atë zonë dhe në prani të një mase populli i doli para kafshës së egërsuar duke bërë shenjën e kryqit! Shën Françesku do t’i drejtohej me këto fjalë: “Hajde tek unë vëlla ujk. Në emër të Zotit dhe Jezu Krishtit, të urdhëroj, mos lëndo   askënd më”!  Atë moment, ujku i egërsuar, pasi dëgjoi fjalët e Shenjtit, u zbut dhe u shtri buzë këmbëve të Tij. Shën Francesku bëri pakt me popullin e Gubbios, që ujkun ta ushqenin shtëpi për shtëpi me rrallë. Ujku u ushqye nga banorët e Gubbios deri sa vdiq…

Megjithëse kanë kaluar pothuajse 790 vjet, kur Shën Françesku i tregoi botës se frymorët kanë një krijues dhe para krijuesit çdo frymor është i barabartë. Njeriu shpesh herë i kalon kufinjtë, tregohet super frymor,  dhe pse jo,  “pretendon” për fronin e Zotit!

E kam thënë dhe më parë se  fjala e Tomas Hobs, është aktuale dhe sot, “Njeriu është ujk për njeriun”, paçka që Shën Françeskun, ukjun e bëri me arsye për të bashkëpunuar me njeriun-ujk.

Pas 790 vitesh, shfaqet një tjetër Françesk, jo shenjt, por Papë. Ai nuk e gëzon dhuntinë të flasë me zogjtë, me peshqit dhe kafshët, por flet si mos më mirë me njeriun e për njeriun… Ai është brum i përdheshëm siç ishte dhe Shën Françesku i Asizit. Papa i sotëm  shkon tek të varfërit tek të burgosurit. Predikon për një botë sa më pak të varfër, të mos ketë luftra, të mos ketë urrejtje ndërfetare dhe etnike, paqe e dashuri midis njerëzve. Papa Françesku, duke njohur historinë e emrit të tij, është i përkushtuar në ekstrem për fatet e njeriut. Ai, kur dëgjoi teorinë e Donald Trump për të ngritur mure …,  u shpreh: “Kristianët nuk ngrejnë mure”!

Reagimi i Atit të Shenjtë pati një jehonë të madhe në opionionin botëror. Por, disa media shpesh degjenerojnë për interesa që vetë ato nuk i shpjegojnë dot. Në emër të “profesionalizmit mediatik”, një pjesë e shtypit u përpoq të fuste opinionin botëror nën grackën e sofizmave. Ky kah mediatik e komentoi Papën si Socialist, dhe Donald Trump si kundërshtarin e tij, duke harruar besimi në Zotin tek Amerikanët është parësor në gjthçka, dhe reflektohet gjithandej përfshi edhe dollarin, ku shkruhet: “In God We Trust”. Donald Trump, do të shprehej se Papa Françesku është “Great Guy”. Gjithashtu Trump nuk i kurseu kritikat ndaj medias. Shqetësimi i Tramp është një hallkë e zinxhirit të kohës dhe jo Eureka! Po,  për çfarë shqetësohet Papa Françesku dhe pse ai është kundra mureve midis shteteve?! A nuk ishte një mur i tillë që ndante Gjermaninë përgjysëm? Papa Voitila dhe Presidenti Regan, punuan për ta rrënuar atë mur që populli gjerman të bashkohej dhe të gëzonte të drejtat e veta. Atëherë, përse duhen të ngrihen mure të tilla sërish, dhe sidomos kur mendohet se më tepër popull latin ndodhet brenda Amerikës se jashtë saj?

Mure! Në shekullin XXI mure?! Enver Hoxha kishte bërë një mur të madh për t’u mbrojtur nga “armiqtë” e jashtëm, por realisht, ai, ngriti një burg të madh për popullin e vet. Absurditeti, apo paradoksi  është manteli i të dobtit, kurse zgjuarsia dhe racionaliteti  është fraku i njeriut të fortë.

Tramp, mendon të ngrejë një mur që me kalimin e kohës mbase do ta quaj një mendim të shpejtuar, Po, shembulli i kombit tonë ekziston realisht. A nuk është një mur i tillë që ndan popullin shqiptar midis Tiranës dhe Prishtinës?

Budallenjtë, dhe dashakëqinjtë do të pyesi: “ku është muri që nuk e shohim?”. Po zotërinj! Është muri i njeriut, që ngre mure dhe brenda këtyre mureve, muros frymë njerëzish si inkuizitori Tomas de Torquemada …

Papa Françesku, me frymën e Zotit dhe ndihmën e Shën Françeskut të Asizit, duhet të prononcohet hapur dhe për popullin shqiptar të ndarë në dy pjesë. Liria dhe besimi duhet të jetë kundër mureve dhe “muret” duhen të jenë të barabarta për çdo vend. Raporti i lirisë në krahasim me raportet e tjera është më i larti dhe më i çmuari. Për njeriun, muri është si shall i metaltë rreth qafës dhe perde e errët …

Shpresoj se zëri i të vërtetës do ta zgjojë qenien e njeriut si mision për të rifituar qëllimin dhe jo rastësinë, për të rifituar barazinë frymore dhe jo ngurtësinë materiale. Siguria dhe paqja vjen prej frymës dhe jo prej gurit-murë.

Shpendi është sinonimi i lirisë, prandaj  Shën Françesku shkonte midis tyre dhe fliste me ta… Ndjekja e shembullit të shpendëve do ta çlironte njeriun përgjithmonë prej ngurtësisë së objektit të rrethuar…

 

Filed Under: ESSE Tagged With: alfons Grishaj, Kundër Mureve, Liria dhe Besimi

Kryetarja Bashkisë Shkodër ,Voltana Ademi në Vatër

February 16, 2016 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/*
Së bashku me zv/Kryetarin e Degës së Vatrës Michigan, Mond Rakaj, u nisëm për NY, për të takuar Kryetaren e Bashkisë Shkodër Znj.Voltana Ademi në një takim të ngushtë me Kryesinë e Vatres.Ajo e kishte planifikuar takimin me Mondin në Vatër me datën 13/02/16, rreth orës 10:00 të mëngjezit.
Tek aeroporti na priti miku ynë Dritan Mishto, i cili komunikoi me Editorin e Diellit Z. Dalip Greca.
I palodhuri Dalip Greca , Editor i Diellit , me prokupacionin dhe shqetësimin e tij që gjithnjë e karaktizon si kronograf i Vatres , ishte zgjuar me kohë dhe së bashku me Dritanin pregaditën dekorin e pritjes.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës e shoqëruar nga mbesa e saj , Hyrjana Dibra u shfaqën tek Vatra në orën korrekt. Z. Alfons Grishaj e priti tek dera zonjën e nderuar Ademi, duke i prezentuar me rrallë të pranishmit . Ajo i njihte një pjesë të tyre, duke përfshirë ish-Konsullin e Pergjithshëm të Shqipërisë Zotni Dritan Mishto. Aktualisht Z.Mishto , është anëtari i Kryesisë së Vatrës dhe gëzon një respekt absolut në hapësirën e diasporës dhe në atë të Vatrës.
Kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj , “Nderi i Kombit” me Zonjën Nikoleta Buçaj, shfaqet me humor duke thënë, “ Më parë paskan ardhur miqtë se i zoti i shtëpisë”! Ai pasi përshëndeti Kryetaren e Bashkisë dhe i uroi mirëseardhjen, duke bërë dhe një historik të shkurtër të Vatres … Zonja Voltana Ademi, pasi përshëndeti të pranishmit dhe falemnderoi për pritjen e Vatrës , bëri një ekspoze të Bashkisë se Shkodrës dhe Komunave përreth .Gjatë kësaj eksopzeje hyn në sallë dhe këngëtari i madh shqiptar Frederik Ndoci , i cili përshëndet të pranishmit me rrallë. Atmosfera disi ndryshon dhe humori shkodran sipas zakonit zë vendin me finesë dhe në takimet e llojit zyrtar.
Z. Asllan Bushati, me korrektesën dhe seriozitetin që e ka në natyrë merr fjalën si zv/Nënkryetar i Vatrës .Paraqet në mënyrë dinjitoze të pranishmit duke prezantuar dhe njëherë një për një në atë takim . Ai shfaqi mendimet e tija për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe diasporë.
Pati disa ndërhyrje të Z.Grishaj , kur pyetjet ishin të konsumuara nga përgjigjet e dhëna me korrektësi dhe mprehtësi nga Kryetarja Ademi.
Në sallë ishin të pranishëm dhe Vatranët legjendarë Zef Përnocaj, Zef Balaj , Lekë Mirakaj, të cilët bënë pyetjet e tyre . I pranishëm ishte dhe Televizioni Albanian Culture i NY me Drejtor Adem Belliu dhe televizioni i ACTV i Michiganit me Drejtor Eduard Aliko dhe me President Ndue Ftoni , të cilët dhanë sugjerimet dhe propozimet e tyre … Pyetjet që iu drejtuan Zonjës Voltana Ademi ishin nga më të ndryshmet dhe përgjigjet ishin në lartësinë profesionale dhe zyrtare.
Z. Greca , në rolin e cicëronit shpjegon me përpikmëri çdo foto që nga themelimi i Vatrës deri tek foto e Bill Klinton , që pat vizituar Vatrën një ditë para ndërhyrjes ushtarake në Serbi…
Duke u përshëndetur si miq të vjetër me Kryetaren e Bashkisë Shkodër , Voltana Ademi dhe të mbesen e saj Ana , siç e thërrisnin miqtë e saj short form, premtuam për një takim të dytë , për të konsoliduar planet dhe ndihmesën e diasporës sipas programit dhe planit të Bashkisë Shkodër. Më pas Z.Asllan Bushati , shtroi një darkë për miqtë Vatranë të ardhur nga Michigani.
* Edhe grupi i kryebashkiakeve te tjere,qe ishin per vizite ne SHBA, me ane te shoqeruesit,u interesuan per nje takim ne Vater, dhe Kryetari Bucaj, u ofroi si alternative oren 4 pm,por te ftohtit dhe axhenda e ngjeshur e tyre, nuk e mundesuan kete takim. Vatra e ka deren hape per cdo vizitor.

Filed Under: Vatra Tagged With: alfons Grishaj, Kryetarja Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ne Vater

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 28
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT