NGA ALFONS GRISHAJ*/
Koha është diktuesi i nevojës së ndryshimit të rregullave të lojës dhe mënyrës së të sjellurit në organizata, parti të ndryshme dhe në të tjera grupime shoqërore. Por sa më tepër që e kërkojmë përsosmërinë aq më e largët duket ajo, kur transportin modern e zëvendësojmë me qerret e luftrave të Trojës.
Nga inercia nostalgjike ndodh që shumë gjëra ne nuk i konceptojmë në momentin e duhur. Kështu zhvillimi ndalon dhe degradimi në regres bëhet i paevitueshëm. Për fat të mirë, një grusht patriotësh Vatranë me në krye Dr.Gjon Buçaj,Agim Rexhaj,Naum Prifti etj, e kuptuan imperativin e kohës për ndryshim. Me një strategji sa klasike aq dhe moderne hapen portat e rimëkëmbjes duke ringritur disa degë në Amerikë dhe duke rikuperuar kohën e humbur, prestigjin dhe emrin tradicional. Një nga degët e ringritura në këtë frymë është dhe e Michiganit. Sëbashku me miqtë e mi e ringritëm këtë degë, jo për ta bërë bishtin më të rëndë se sopata, por për të kontribuar në ato vlera që prindërit tanë na i mëkuan që në fëmijëri.
E kam thënë dhe më parë, shoqëria e Vatrës, është një shoqëri elitare dhe si e tillë, ajo duhet t’ u paraprijë zhvillimeve dhe përgjegjësisë shoqërore e kombëtare. Emigracioni e lindi Vatrën me synime historike të qarta: t’ i jepte shoqërisë shqiptare lidershipin e munguar që të prezantonte çështjen kombëtare shqiptare në botë, kur nuk ekzistonte ende qeveri shqiptare apo dhe kur autoriteti i saj ishte i papërfillur në arenën ndërkombëtare. Historia e vendosi Vatrën në piedestalin e kohës, duke kaluar me sukses etapa të ndryshme.
Ruajtja e këtij misioni ka qenë i vështirë. Edhe sot e kësaj dite nuk është e lehtë të mbahesh në lartësitë e sfidave të kohës. Kërkesat e shekullit XXI ndaj Vatrës dhe Vatranëve janë më të mëdha se kurrë. Ndër më seriozet, për shkak të vetë natyrës sonë shqiptare që karakterizohet nga pasioni pas polemikave iracionale, është ruajtja e imazhit ikonik që Vatra ka gëzuar historikisht. Në prurjet e shumta që ka diaspora këtu në Sh.B.A, natyrisht që ka dhe individë apo grupe individësh, të cilëve nuk u vjen për mbarë prestigji i Vatrës. Por nuk duhet kërkuar tek Vatra shkaku i mosmarrëveshjeve që ndodhin nganjëherë në mjediset shqiptare. Sepse Vatra nuk ka qëllim rivalitetin për lidership në diasporë, ka vetëm çështjen kombëtare. Nëse prestigji i emrit të saj ngjet me një eklips historik, historia është histori dhe nuk zhbëhet e as injorohet, përkundrazi mësohet dhe respektohet si pasuri, përvojë dhe model. Kjo përvojë na bën të jemi të vëmendshëm ndaj farës së përçarjes që hedh urrejtja armiqësore e duarve të njohura. Është ende e freskët koha kur armiqtë e Shqipërisë e shihnin Vatrën si rrezikun më të madh për ta. Është e trishtë, por ato duar janë ende aktive.
Sot kemi dy qeveri brenda një shteti të ndarë padrejtësisht. Në zgjidhjen e kësaj çështjeje konsiston kontributi aktual i Vatrës. Në dukje, për çdo organizim nacionalist, anagazhimi në këtë çështje ngjan një punë luksi, por është një sipërmarrje e vështirë, e cila nuk ka të bëjë dhe aq me jehonën propagandistike të retorikës nacionaliste, sa me vetë rolin shekullor tëVatrës.
Në traditën e vet demokratike Vatra ka respektuar çdo kritikë të arsyeshme që ka ardhur në adresë të saj, veçmas kur kritika ka shenjuar një alternativë bindëse për një çështje të caktuar. Askush prej nesh nuk i ka parë autorët e këtyre kritikave si armiqtë tanë, përkundrazi janë konsideruar miq me sinqeritet të plotë. Por nuk mund të tolerojmë askënd nëse shan,fyen, shpif kundrejt personaliteteve të Vatrës, sepse këto jo vetëm që nuk përbëjnë alternativë por hedhin në erë debatin mbi demokracinë brenda komunitetit shqiptar. Ne e dimë që në kompleksin e inferioritetit arsyeja nuk funksionon kurrë mjaftueshëm, prandaj dhe kërkon të kompensohet me anë të shpifjes, fyerjes apo cënimit të dinjitetit të tjetrit që ka zgjedhur të qendrojë mbi një realitet vulgar e meskin. Akoma më të patolerueshëm janë ata që mbjellin “teza lokaliste dhe krahinoriste”. Këta përbëjnë dhe precedentin më të rrezikshëm, sepse i ndajnë shqiptarët në: “shqiptarët e Shqipërisë” dhe “shqiptarët e …”.Vatra u duket një pengesë serioze për punën e tyre. Po pse? Patriotët e vërtetë nga të gjitha trevat e Shqipërisë e dinë fare mirë çfarë ka bërë Vatra për Shqipërinë, gjakprishurit jo! Që të mos bëhet epidemi, sëmundja vjetër e krahinorizmit duhet luftuar me antidotën e unitetit kombëtar. Duhet dënuar mendësia e atyre njerëzve që artikulojnë diskriminim, sipas të cilëve, “Shqiptarët e Shqipërisë” nuk kanë të drejtë të flasin për komb, nuk kanë të drejtë përparimi, nuk kanë të drejtë të hapin gojën kur u bëhet e padrejtë, nuk kanë të drejtë të shkojnë në ndërmarrjet ku punojnë ata, të shkojnë në qendrat e kultit ku shkojnë ata, në kafenetë që frekuentojnë ata, absolutisht, as në VC ku përmjerrin ata! Është sigurisht injorancë të ngatërrosh vetëdijen krahinore me vetëdijen kombëtare, por është edhe një rrezik shumë i madh për unitetin kombëtar në diasporë dhe për vetë identitetin kulturor të shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë në çdo cep të globit.
Vatra ka një vetëdije dhe filozofi gjithpërfshirëse kombëtare e moral të pastër, si e tillë, nuk mund të pranojë shkapërcime logjike në dëm të çështjes së madhe, as njerëz të papërgjegjëshëm në gjirin e saj, sidomos ata që shpifin për të tjerët, mbjellin ngatërresa e përçarje, apo të tjerë që përdorin internetin për qëllime denigruese. Për këtë, unë kam shkruar artikullin “Krimbat e Internetit!”. Disa prej tyre u vetpaditen, duke e gjetur vet veten në rrjetën e kritikës sime. Megjithatë nuk dua të zgjatem, por dua vetëm të ripërsëris: morali ynë nuk ka asgjë të përbashkët me atë moral që cënon jo vetëm dinjitetin e personaliteteve tona, por dhe unitetin tonë kombëtar dhe kohezionin tonë shoqëror. Ne jemi të qartë në punën tonë dhe askush nuk do mund të na pengojë në misionin e shenjtë që koha na ka dhënë.
Vatra ka detyra të rëndësishme dhe më e rëndësishsmja është: lobimi për bashkimin kombëtar në një shtet të vetëm. Kuvendin e shkuar, pikën e bashkimit kombëtar e propozoi Dega e Vatrës Michigan, duke u ripërsëritur nga editori i Diellit, Dalip Greca dhe mbështetur nga Dr.Gjon Buçaj. Ky propozim u bekua unanimisht nga Kuvendi.
Të tjera detyra të përhershme mbeten: ruajtja dhe konsolidimi i vlerave të identitetit kombëtar, si gjuha, kultura, dhe nxitja e ndjenjës së patriotizmit tek brezi i ri i emigrantëve. Pa harruar që ne nuk mund të vemë në jetë ato plane madhore nëse nuk marrim nga shteti ynë të drejtën e votës këtu ku jemi bashkë me të drejtën për t’u zgjedhur, dhe sigurisht me këtë kuptohet që diaspora të ketë deputët e saj në Parlamentin Shqiptar. Gjithçka çfarë ishte tradicionale më parë për Vatrën, duhet t’i rikthehet pa ekuivok, politikanët që gjoja bëjnë politikë duhet ta dinë mirë këtë.
Nuk ka të drejtë askush të luajë me fatet e kombit sipas qefit. Lufta e klaneve e pushtetarëve për pasuri duhet dënuar ashpër nga Vatra. Ne nuk duhet të mbajmë asnjë krah, vetëm ata të cilët punojnë për prosperitetin e vendit duhet të respektohen dhe përkrahen. Politika nacionale dhe kombi janë boshti i Vatrës. Ne, nuk duhet të reshtim së lufuari për ato të drejta për të cilat u krijua Vatra. Puna jonë duhet të bazohet në traditën, duke u mbështetur tek institucionet fetare dhe tek shoqatat me themele kombëtare, të cilat zhvillojnë dhe mbajnë të gjalla vlerat e kombit. Vatra nuk do të bashkëpunojë me bajraktarizma dhe njerëz të verbër, të cilët rrahin gjoksin pa bërë asnjë punë kombëtare.
Ne do të bashkëpunojmë me ata njerëz që rrezatojnë vlera patriotike dhe intelektuale.
Rruga jonë është e gjatë, shumë e gjatë, për sa kohë që alemi të ekzistojë.
Vatranë e Vatrane ku do që të jeni, mos u friksoni nga armiqtë tanë!
Ju falemnderoj nga zemra të gjithëve ju që jeni këtu të pranishem, veçanerisht bashkpuntorët e mi dhe ndihmësit e Vatres ketu në Miçigan , Don Fran Kola, Kujtim Qafa, Ekrem Bardha , Mond Rakaj, Nevruz Nazarko, Dritan Mishto, Donika Bardha , Petrit Doda, Enita Hajdari, Julian Cefa , Pjeter Jaku, Gani Vila, Arben Dervishi, Valentin Lumaj , Helidon Pashaj , Imam Shuajb Gerguri, Dom Ndue Gjergji, Sele Celaj, Franz Grishaj ,Gjon Kaçaj, Everest Haxhi, Gjeto Ivezaj, Lush Popaj, Ilir Myftiu , Luvigj Sterbyci, Lulash Palushaj ,Luigj Gjokaj , Gjergj Ivezaj , Menyr Nazifi , Sotir Laço , Elisa Malile , Alma Rexha , Taulant Kadia , Vasel Ujka , Agostin Cupi , Sokol Kalaj ,Nikoll Vneshta, Gjevalin Gega, Nikoll Hysa , Pal Rakaj , Astrit Dibra, Gjergj Krasniqi, Nikoll Pepa , Zhozef Ded Vukaj , Dode Qafa , Nikoll Qafa Gjergj Filipi, Bujar Shehu , Arben Martini , Luan Kuçi e shumë të tjerë qe i dua dhe i respektoj.
Falenderoj të dy televizionet , me pronar Gani Vila dhe Ndue Ftoni.
Një nderim të veçantë për nacionalistet klasikë të Miçiganit qe nuk jetojnë më, Imam Vehbi Ismaili, Baba Rexhepi, Mark Martini, Zef Rusti, Petrit Butka, Njazi Bardha, Tajar Shasko, Din Toptani, Refat Gurazezi etj, të cilet Vatra do ti rikoujtoje e nderojë përjetë.
Ju faleminderit!
*Fjala e mbajtur ne KUVENDIN e deges se Vatres ne Michigan me 18 prill 2015-04-20
2 prilli, masakra e parashikuar dhe roli i kriminelëve të sigurimit
Nga Alfons Grishaj*/
Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja. Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.
Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.
Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?
Në lagjen “Xhabije”, populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: “Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?”.
Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.
Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.
Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste ‘45-‘46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?
Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.
Për t’i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t’i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.
Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: “Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe”. “Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?”. Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.
Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.
Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.
Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: “Këta kriminelë kanë me u vra!”. Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.
Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: “Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!”.
Si nisi
2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Oso Kuka” dhe “29 Nëntori”. Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.
Pllakati i kësaj ngjarjeje
Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.
Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur… Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Thaçi dhe vartësit e tij…, shkodranët duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, “Helkath-Hazurim”, që do të thotë, “fushëbetejë”. U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë… Pse e gjithë kjo verbëri?!
Ballë për ballë me Çapajev Taçin
Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t’i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: “Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?”. Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: “Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!”. U larguam për të vazhduar detyrën tonë…
Dezinformimi dhe manipulimi, formë dhe mjet i Sigurimit të Shtetit
Kam shkuar shtrat më shtrat tek të plagosurit, duke shënuar emrat e të vrarëve dhe të plagosurve (së bashku me doktor Spahinë dhe doktor Grezdën regjistruam rreth 60 të plagosur që ishin paraqitur për mjekim), të cilët tregonin plagët e tyre. Më vonë lista do të rritej…
Atë pasdreke po u jepja intervistë gazetarëve të huaj. Njëkohësisht po komunikoja direkt me Frrok Çupin, i cili shënonte ato çfarë thoja. Emrat e martirëve ia komunikova të saktë, por një spiun i Sigurimit më gjeti “fjetur”, ose më mirë ma hodhi (e shpjegova më lart kisha netë pa gjumë), më tha për Bujar Bishanakun: “Nuk është emri i tij Bujar, por është Ilir Leshanaku”, duke u përbetuar se ishte i afërm i tij.
E hëngra nga Sigurimsi për herë të dytë dhe të fundit. I thashë Frrokut të ndryshonte emrin. Shikoni se si shokët e Gjekës nuk luftonin vetëm me pushkë, por dhe me dezinformim. Siç doli dhe më vonë në Parlamentin shqiptar, shkrimi im dhe i Rudolf Markut nuk ishin të saktë… Makina propagandistike e Sigurimit nuk ngurroi që, mbas këtyre vrasjeve të shkruante në muret e Shkodrës se, Arben Brocin e vrau Arbnori. Gënjeshtrat, sajimet, manipulimet, dezinformimet ishin shpeshherë një armë e fuqishme propagandistike në duart e mjeshtrave të Sigurimit. Por, kjo lojë e pabesë nuk eci tek shkodranët demokratë.
Martirët e 2 prillit
Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
*Autori eshte kryetar I Deges se VATRES ne Michigan
ALFONS GRISHAJ NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT
Për Babain Tim/
Eh ,unë baba ,por pa baba!/
Mistereve të universit/
Tetë vite më parë më la…/
I lash’ tek shkonte një amanet,/
Kthehu me trego prej Shën Pjetrit…/
Besimi shëron e kurr nuk vret./
Dhe ai u shfaq i ri e i bukur./
Thirra :”jetojnë gjithë etrit,/
Shpirtërat nuk kan për tu zhdukur!”/
U pamë atë natë dhe më tha:/
“Po ,po ! Lutju për mua shëlbuesit,/
Se kurrë nuk kemi me u pa ma!”/
Afruar ta përqafoja me mall,
Dëshira e zemrës shqim në zenit,
Larg mbeta si peshku në zall.
Padashur mbeta vetëm sëri
Nën avujt pa formë , ngrit e zbrit.
Me një dhimbje ,por pa mëri.
Femijët tanë rriten sa kaq,
Do vezullojë thirrje e skeptrit,
Ne, do shkojmë nga erdhëm në paq’…
Ja cikli i jetës së robit,
Kurrë mos u bëfshim android,
Por trupi dhe gjaku i Zotit.
Abrahami me baballarët…
Në kopshtin e parajsës që ndrit,
Vend nuk ka për jo besimtarët.
Në krahun e djathtë një perri ,
Milion’ vegime,pjalm e drit’,
Engjejt me trompeta e brohori.
Jeta vazhdon si në përrallë,
Parajsa e besimit në infinit,
Shpirti ,rrënja që trup’n ringjallë!
Ja ,unë baba,por pa baba,
Ektoplazma tij vjen tu u rrit’!
Sërish bashk kemi me u pa !
——————————————————–
Këtë poezi ia kushtova babait tim sonte , në përvjetorin e largimit të tij …Por, kjo poezi nuk është vetëm për babain tim, por për të gjithë ata që kanë mbetur pa baba. Besomëni , do ti takojmë një ditë!
Alfons Grishaj
Michigan me, 20 Mars 2015
Armiqtë e Jetës
Në Parakalim armiqt e jetës…
Gëlojnë Tartarët triumfalë
Lakuriqsive të mermerit borë dymijë vjeçar.
Figurat, krehra hekuri për trupat e brishtë,
Mburoja e tyre vetëm besimi!
Dhimbje sjellin armiqt e jetës,
Me gërbujat në duart Luciferrijanve.
Krehin gjakun mu në dritë,
Krehin terrin drejt në sy,
Në vrimat e zeza të universit.
Bien daullet e armiqve të jetës,
Me tajfunin, korrektoren e mjaullimave.
Vërviten te babëzitur me thonjt e shkreptimave
Me ushqy vampirët paganë që kanë shaluar
kuajt e vdekjes.
Dilema e madhe e Koalicionit ndaj ISIS
Nga Alfons Grishaj-Kryetar i Deges se Vatres ne Michigan/
Kancelaritë e botës së qytetëruar perëndimore dhe arabe janë në një dilemë të madhe lidhur me poblemin e ditës,ISIS.
Politika perëndimore vepron me një ngadalësim klasik të problemeve arabe,duke menduar se kjo luftë u përket vendeve muslimane dhe se ata duhet të aktivizohen më tepër për të përmirësuar imazhin e islamit në rënie, pas përdorimit të keq të ISIS. Sigurisht interesat e perëndimit janë jetike në zonën e Lindjes së Mesme, por ata mundohen t’ ua kalojnë përgjegjësitë njëri-tjetrit. Arsyeja: kosto e lartë e kësaj lufte.
Megjithatë, një koalicion i përbërë prej, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Arabisë Saudite, Kanada-së, Emiratet e Bashkuara, Gjermania, Turqia, Franca, Jordania, Egjipti, Australia, Katari, Anglia, Hollanda, nuk është duke funksionuar siç mendohej. Pasi Papa Françesku, dënoi ashpër vrasjen e 21 kristianëve koptë egjiptian duke i quajtur “MARTIRË”, Italia, së fundi merr dhe ajo përgjegjësitë e veta lidhur me avancimin në Libi dhe mbrojtjen e kufirit Italian. ISIS vret dhe 45 vetë irakenë. Bota hesht!
Barak Obama, nuk ka një strategji të caktuar në këtë luftë dhe shpesh herë nuk është i qartë në thëniet e veta.
Teoritë aq të diskutuara pro apo kundër ndërhyrjes në luftë, pritja se e nesërmja mund ta sjellë me magji paqen, i ngjajnë më tepër një eksperimenti negativ që nuk ka në konsideratë dhimbjen njerëzore, në rradhë të parë të atyre mijra viktimave, të cilët, po e pësojnë pafajësisht mbi jetët e tyre, pastaj e gjithë qytetarëve të ndjeshëm të globit, të cilët, nuk mund të pajtohen kurrsesi me akte të tilla barbare në shekullin XXI.
Njeriu nuk lindi me fe. Zoti e krijoi fenë që njerëzit të jenë përgjegjës për çdo gjë pozitive e humane në jetën e tyre. Tani njeriu e përdor fenë si kult! Kështu u mundua dhe Hitleri, por dështoi me turp.
ISIS nuk është makina Hitleriane që kishte një disiplinë të hekurt dhe botës iu desh të humbte 60 milion jetë nerëzish. Nuk ka as dhe potencialet pushtetmbajtëse të regjimeve komuniste, të cilat shkaktuan 61 milion viktima. (Stalini është përgjegjës për 43 milion dhe të tjerë, pastaj vijnë Kina, Korea e Veriut, Jugosllavia, Kamboxhia etj.) Por mbështetet tek ideologjia totalitare dhe qëllimin e ka shprehur qartë përmes armëve. Pse historia duhet të përsëritet dhe të lejohet në forma të ndryshme të shkatërrohet shëmbëlltyra e zotit?
Lufta kundër ISIS është mbrojtja e vlerave dhe e të drejtave universale të njeriut në fillim të këtij shekulli. Droja se ndërhyrja ushtarake e perëndimit mund t’i japë luftës imazhin e një konflikti qytetërimesh nuk mund të justifikohet. Kjo luftë nuk është luftë fetare, por në mes lirisë dhe robërisë, në mes së mirës dhe të keqes. E në fund të fund, nëse feja është e tillë luftënxitëse, mos qoftë kurrë!
Lufta është një fakt të cilin e përjetojmë të gjithë. Fillimisht në një vatër ku kriza dhe lufta e kishin hapur terrenin. Por, ISIS po avancon dita ditës me një brutalitet dhe mizori të pa imagjinueshme, duke vrarë, masakruar e djegur çfarë t’i dalë përpara dhe duke e zgjeruar dukshëm gjeografinë e luftës.
Dilemat kanë sjellur përparimin e ISIS. Specialistët dhe Gjeneralët e luftës mendojnë se ky koalicion është i dështuar nëse nuk ndërthur sulmet ajrore me ato tokësore. Por deri më tash këto pohime janë injoruar.
Shkak tjetër që i ka dhënë ISIS-it fuqi për të avancuar është qendrimi i vetë Koalicionit Arab që mendon se duke përdorur mashën (forcat e koalicionit perëndimor) mund të shpëtojë duart e veta nga djegia e kështu loja vazhdon, midis reales dhe ireales, kulmit dhe rënies, besimit dhe mos besimit, sekretit dhe prapaskenës, thënies dhe mosthënies!
Duke shkuar prapa në histori, po jap disa shembuj që tregojnë se, lufta dhe terrori çnjerëzor ISIS nuk përkon as me origjinën dhe kuptimin e emrit por dhe as me besimin në emër të të cilit po terrorizojnë botën sot.
Emri i ISIS, është legjenda e Egjiptit. Ajo qe Zonja – Zot. Ishte vajza e parë e Zotit të tokës Geb dhe vajza e Zonjës – Zot harkut qiellor, Nut. Isis (Isida, kulti i së cilës do të përhapej edhe tek popujt e tjerë) mësoi popullin e vet me kulturën e jetës, se si duhej punuar, jetuar dhe mësuar. Njihet Zonja – Zot e rilindjes, shëndetit, martesës dhe zgjuarsisë. Ajo quhej Zonja e dhjetë mijë emrave.
Kur ballafaqon emrin e sotëm ISIS, të vjen një përzierje dhe keqardhje. A e di vërtetë udhëheqsi i ISIS, Abu Bakr al Baghdadi se emri që mban organizata e tij, i përket një njeriu të shenjtë!?
Dikur, Salahudin Eyyubi, Sulltani i Egjiptit dhe Sirisë, thoshte: “Nuk e di nëse Islami është përhapur me shpatë, por di që duhet shpatë për ta mbrojtur!” Kuptimi i këtyre fjalëve i përket udhëheqësit dhe gjeneralit më të shquar që kanë pasur Islamët. Ky sulltan, megjithëse preu koka mbretërish apo udhëheqësish, nuk preu asnjë kokë fëmijë apo gruaje, biles kur ai fitoi luftën mbi kristianët në Izrael, lejoi dhjetëmijë frymë me ushqime dhe pajisje për t’u larguar. Salahudini nuk u mjaftua me kaq, por liroi të gjithë burrat luftëtarë që ishin rob lufte duke i bashkuar me gratë që kishin dalë nga rrethimi. Ai porositi, që të mundurit t’i shoqëronin shëndosh e mirë deri tek portat e shteteve kristiane. Nuk dua të merrem me thënien e Gjeneral Salahudinit, rreth fjalës se si duhet mbrojtur Islami, se e njëjta gjë do të ishte në këndvështrimin tjetër, por do të theksoja, dhe pse thënia në vetvete është e ashpër, ai ishte fisnik dhe i qartë se lufta ka një qëllim, një fillim dhe një fund, megjithëse luftërat janë vetëshkatërruese për të gjitha palët.
Atëherë lind pyetja, kush është ISIS që lufton në emër të Allahut dhe në emër Islamit duke prerë koka fëmijësh e femrash dhe pengjesh!? Ata nuk e njohin historinë dhe fisnikërinë e Salahudin-it, njeriut më të madh që ka lindur Islami pas Muhamedit. Në asnjë faqe të Kuranit nuk lexon ato mizori që po përdor kjo organizatë terroriste që ka shkuar në 32 mijë vetë, megjithëse ata thonë se ushtria e tyre është në 200 mijë!
Unë mendoj se kjo organizate nuk ka të bëjë fare fe, por me një kult, një kult të rrezikshmëm anti-Islam, anti-Krisht (Azreti Isai ), dhe anti-human, i cili mund të quhet thjeshtë, Kulti i Satanait!
Vetë koalicioni i sotëm përbëhet prej vendeve Muhamedane, të cilët po luftojnë përkrah perëndimit, pra e kriminalizon luftën e ISIS si një luftë të padrejtë.
Çfarë po bën perëndimi me koalicionin arab për ta parandaluar këtë murtajë të shekullit 21 ?
Përpjekjet e para duken si loja e maces me miun. Funksionimi i koalicionit për ta ndënshkuar këtë grup që po hapet si grami në tokë, ngjason më tepër me manovra luftarake se sa një luftë e vërtetë. Antarët e koalicionit presin nga njëra – tjetra dhe në asnjë moment nuk luftojnë si një skuadër.
Politika Turke bën lojë shumë interesante, nga njëra anë janë me koalicionin, nga ana tjetër, lejojnë që nga kufiri i tyre të shkojnë sa më tepër njerëz për t’u bashkuar me organizatën terroriste. Turqia mendon dhe ëndërron se perëndimi do lodhet një ditë me një luftë të tillë dhe do ia lërë Turqisë zgjidhjen e rajonit. Turqia ka 315.000 trupa ushtarake aktive, sa Anglia dhe Gjermania bashkë.
Anglia ka 91,600 aktivë, Gjermania 60,562 aktivë. Turqia herë pas here ngre dhe trash zërin kur nuk i pëlqen ndonjë gjë, dhe pse është anëtare e NATOS, por jo akoma anëtarë të Bashkimit Europian,
Turqit me një president si Erdogan ëndërrojnë të fitojnë përsëri perandorinë e humbur! Pas daljes së çështjes Levante, pra ISIL, Turqia është zgjuar, duke parë rrezikun që po shkon tek portat e Stambollit. Erdogan ka qenë shumë i qartë dhe i ashpër përpara Parlamentit Turk dhe botës. Ai shprehet se nuk mjaftojnë tonelatat e bombave që bien aty këtu, por duhet medoemos një ushtri tokësore për të fshirë ISIS. Radikalistët, kanë filluar ta quajnë Erdoganin vegël të perëndimit. Unë besoj, se ai e di mirë çfarë thotë!
Siç shihet Turqia është një faktor real për zgjidhjen e problemeve në Lindjen e Mesme, megjithëse asnjë nga shtetet arabe nuk e kanë në sy të mirë, duke pasur parasysh historinë dhe kohën e shkuar të pushtimit të stërgjatë otoman.
A do të ishte një zgjidhje e mirë, sikur perëndimi të sponsorizonte Turqinë e Mustafa Kemalit, për të kotrolluar zonën e zjarrit dhe t’i jepte fund kësaj drame?
Shteti serioz i Izraelit, nuk është përfshirë në këtë konflikt! Sikur mos të kishte pasur një konflikt të hapur me Palestinën, Izraeli do të bënte shumë në këtë rast, mbase më tepër se të gjithë së bashku. Por ky konflikt nuk ngjan të jetë çështje për Izraelin, i cili, i shmanget një imazhi që do ta konsideronte si një agresor në territore dhe shoqëri të “huaja”.
Duket se Mbretëria Jordaneze është shteti i dytë serioz, anëtar i koalicionit kunder ISIS. Mbretëria Jordaneze ka një një fuqi ushtarake prej 90.000 trupash dhe 60.000 rezervë. Pas ekzekutimit të pilotit Jordanez nga ISIS, artileria e rëndë, raketat dhe avionët luftarak, goditën pa mëshirë pozicionet dhe qendrat e terroristëve, por ky sulm ngjau më tepër si një revansh se sa një ofensivë strategjike luftarake!
Emiratet e Bashkuara sollën një gjë të re në këtë luftë, një pilote femër !
Arabia Saudite, e cila ka 233.500 ushtarë, mendohet se është një nga sponsorët kryesorë të terroristëve. Edhe pse aleate e Amerikanëve, dyshohet se ajo vazhdon të bëjë lojën e saj të dyfishtë. Ngjan e çuditshme kjo, por është e vërtetë. Sikur Arabia Saudite ta merrte seriozisht, ajo do të ishte në gjendje ta zgjidhte e vetme problemin në fjalë. Arabia Saudite është në gjendje të ngre një ushtri prej 8 milion ushtarësh nga mosha 15 deri në 49 vjetësh.
Megjithëse Egjipti, me një forcë ushtarake prej 468.500 ushtarësh dhe ushtarakë aktiv dhe 800,000 rezervistë, i cili i mund të rekrutojë deri në 40 milionë ushtarë, mjaftohet me ndonjë sulm ajror. Aleat i koalicionit, ka problemet e veta të brendëshme, që në kohën e Hosni Mubarak, akoma nuk ka mundur të stabilizojë gjëndjen e saj të brendshme. Mendoj, sikur të bindej Egjipti për Lindjen e Mesme në rolin “mbajtës i shkopit të madh”, siç thoshte Ruzvelti, mbase punët do të shkonin më mirë.
Kur shikon këto fuqi ushtarake të këtyre vendeve, mundësia e eliminimit të ISIL është brenda disa ditëve, atëherë pse i gjithë ky ankth pa mbarim?
Pse e gjitha kjo dilemë? Sipas mendimit tim, arsyeja është e thjeshtë, zonat e influencës dhe nafta. Aleatët ndihen komod më këtë lojë që po vazhdon prej kohësh. Populli i kësaj zonë paguan mos seriozitetin e “koalicionit!”
Një Gjeneral Francez, do të shprehej: “ISIS-in e krijoi Amerika!” Francezët janë aleatët më të kushtueshëm të Amerikës. Amerika humbi mijëra trupa për çlirimin e Normandisë në Francë. Ata filluan luftën në Vietnam për t’i dalë zot aleatit të vjetër, duke e shlyer shumëfish borxhin ndaj Gjeneral La Fajet-it, i cili ndihmoi në pavarësinë e Amerikësl! Herë pas here del nga ky vend ndonjë bukëshkalë që të akuzojë…
Amerika, me përvojën e disa luftërave të tilla, duhet të mendojë mirë nëse ia vlen sakrifica për aleatët fallso apo inaktiv. USA, nga ana makinës luftarake është fuqia e parë në botë. Ndërsa vendi i tretë për anën numerike të ushtarëve. Ajo mund të thërrasë nën armë 145,212,012 ushtarë. Ushtri aktive dhe rezerve ka 850,880.
Sot ajo disponon 25,782 makina ushtarake lufte (AFP), (APCs), (IFVs), tanke 8,325. Eshtë vendi i parë në botë për Airkrafte, me 13,683 airkrafte sa 8 shtetet më të fuqishme sëbashku, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Indinë, Japoninë e tjerë. Vendi i parë në botë për avionë luftarak me 2,271, sa Kina dhe Rusia bashkë.
Transportues Airkraftësh, 5,222, sa njëmbëdhjetë shtete sëbashku, ku përfshihen shtetet më të zhvilluara në botë. Airkrafte carrier dhjetë, sa 8 shtete së bashku etj…etj…
Atëherë, pse Amerika shqetësohet për shtetet përtej oqeanit? Zona jetike? Sigurisht që po, por është dhe misioni i saj i demokracisë, që Zoti e bëri të tillë për t’i dalë zot kombeve të vuajtuara!
Së fundi Kongresi Amerikan është thirrur nga Presidenti Obama, për të aprovuar forcën ushtarake kundër ISIL (ISIS), dhe sigurisht aprovimi do të jetë i shpejtë dhe dilema ndaj ISIS do të marrë fund! Po sa do ta ndihmojnë aleatët Amerikën? Dhe sa mund të zgjasë lufta? Unë mendoj se kjo është një luftë pambarim…Pse?
Por sa të zbarkojnë trupat Amerikane, do të ketë një qëndresë të shkurtër! Më vonë maskat do të hiqen dhe ISIS do të fshehë armët në shkretëtirë, e në skutat më të errta dhe do futet midis popullit të thjeshtë. Mjetet e rënda do braktisen dhe ata do të bëhen vendali, dhe vendalitë e thjeshtë nga frika se historia do të përsëritet, nuk do të denoncojnë militantët të cilët do paraqiten si popull i thjeshtë. Ushtria e zezë satanike do zhduket dhe Amerikanët do të përballen me fantazmën e saj, guerrilet e sëmura dhe sulmet kamikaze. Do të rrijnë disa vjet dhe do të kthehen sërish në atdhe. Pas kësaj, loja do fillojë përsëri nga e para! Megjithëse, Amerikanët kanë dhe një strategji tjeter,për trajnimin e 25 mijë trupave Irakiane për kundërofensivë për të rimarr Mosul-in…po më tej ? Tit Livi thoshte : “ Gjithmonë sulmi ka më shumë shpirtë se sa mbrojtja.”
Të mos harrojmë se përveç ISIS, ka dhe të tjerë grupe si Al Kaida etj. që punojnë nën rrogoz dhe janë po aq të rrezikshëm sa ISIS.
Duhet një strategji gjeniale për të mposhtur të keqen, dhe kjo nuk vjen aspak prej luftërave të përkohëshme, por prej një përllogaritje aritmetike kualitative detyrë që duhet zbatuar një koalicion i gjerë forcash dhe arsenalesh ushtarake dhe politike! Megjithëse lufta është mjeti i fundit, nëse bëhet ajo, duhet të bëhet e fortë, mbase dhe përtej vijës së kuqe! Përndryshe ajo nuk duhet filluar!
John Kennedy says: “And so, my fellow Americans, ask not what your country can do for you…ask what you can do for your country. My fellow citizens of the world, ask not what America will do for you, but together we can do for the freedom of man.”
Ngjarjet në Francë, Belgjikë, Danimark etj, janë një thirrje që Europa të rizgjohet dhe ti bashkohet Amerikës , femijës saj që u bë gjigandi i lirisë në alem!
Bill O’ Reilly (Templari i shekullit XXI) , mendon se ky është fillimi një “Holy War”. Megjithë respektin që kam për këtë gazetar të famshëm, bota duhet të jetë e qetë dhe për disa vite. Numri i Kristianëve sot në botë është 2.2 bilion , sa një e treta e krejt njerzimit ! Lufta e përbotëshme do të jetë në një raport krejt tjetër , me një qëllim apokaliptik pak në origjinë , dhe shumë tek UNI-KULT, duke mos harruar numrin shtatë !!!
Reductio ad absurdum
Nga Alfons Grishaj/
Latinët , kur shikonin që dikush kalonte cdo kufi të arsyes , përdornin thënien: “Reductio ad absurdum”,që do të thotë, të çuarit deri në absurd, deri në marrëzi …Në kohën tonë kemi mjaft të tillë ,të cilët me vetëdije apo pa vetëdije zbresin në këtë thënie …
Shpirtrat e këqinj dhe mendjet e sëmura , janë në një aneks… jetojnë brenda njëri-tjetrit dhe punojnë për njëri-tjetrin me një përpikmëri të mahnitshme .Impulsiteti regresiv nuk i lejon asnjëherë të japin një mendim të vlefshëm ,të qytetëruar ,të dhimbshëm apo vizionar. Problemet që hasin në jetë qofshin dhe të bukura, mundohen ti fusin në labirinthe dhe udhë pa krye .Ata, nuk ia fillojnë prej arsyes që prodhon mencuri zgjidhje,por ia fillojnë prej absurdit që prodhon konflikt.
Njihen disa rrethana të kësaj kategorie.të cilët kanë të bëjnë me genin , por dhe me kushtet e rrethanat ku kanë jetuar më parë,ambjentin,apo rastësinë.Për mua, një rëndësi të vecantë bën pjesë zhvillimi psiko-motor që në fëmijërinë e hershme…Mesa mbaj mend unë , materialistët thonë: ”Nuk është qenia e njeriut që percakton ndërgjegjen e tij,por përkundrazi është gjendja e tij shoqërore që përcakton qenien e tij” Idealistët thonë , “Njeriu ideal nuk është produkt i rrethanave ,por trashëgimtar i genit”. Në këtë rast , aprovoj të dyja thëniet ,megjithëse jam kundërshtar i doktrinës materialiste, vlen të merret në konsideratë.
Në jetën time, kam pasur rastin të njoh disa prej tyre dhe të them të vërtetën nuk jam befasuar,duke pasur parasysh kohën e tmerrshme të diktaturës,ku i mençuri shikohej si rrezik dhe burgosej ,kurse i vonuari bëhej antar i Byrosë Politike,trimi bëhej hajdut dhe frikacaku politikan.Paradokse të tilla ndodhin në diktatura, ku stimulohet shpërfytyrimi njerëzor dhe shkatërrimi i sistemit nervor –qëndror dhe vlera bëhet antivlerë.
Habija ime vjen në kohën tonë moderne ,ku mundësitë e ballafaqimit të qytetërimeve dhe doktrinave ,të dijes dhe injorancës,te sëmundjeve nervore e ligësive shpirtërore , mendjeve dhe shpirtërave të shëndoshë ,pothuajse tashmë dallohen dhe prej fëmijëve të shkollës fillore! Përsëri ,megjithë njohjen e këtyre fenomeneve që rreshtova më lart ,biem viktima të momentit dhe rrethit …
A mund të pranojë inteligjenca të bie ne thënien : “Bellum omnium contra omnes!” ,që përkthehet, luftë e të gjithëve kundër të gjithëve! Ku do të ishte bota nëse do zbatohej ky aforizëm që u përdor pa lindur shteti? Ku do të shkonte shoqëria civile po qe se principi dhe virtyti do të transformohej në irracionalitet dhe absurditet? Në këtë analizë është homo sapiens dhe jo intiligjenca artificiale që prodhoi njeriu!
Atëherë ,si mund ta emërojmë njeriun absurd që prodhon antivlerë dhe marrëzi? Narcist(e)? ,Bipolar?,Psikopat (e),Zkizofren(e)Paranoid apo Hebefrenik(e) ? Ka nga këto që e pranojnë sëmundjen e tyre dhe marrin mjekim , por nuk shërojnë shpirtin .Ata ,ose ato jetojnë dhe në mesin tonë, që jo vetëm nuk e pranojnë difektin ekstrem ,por mundohen të shpjegojnë se ata janë njerëzit e “vërtetë” ,biles “vlera vetë” ,dhe më dhunë e fjalor pornollogjik e shpifarak kërkojnë të diktojnë dhe infiltrojnë dekompozimin psikik që vuajnë…Jo vetëm nëpër webet e sotme e shohim këtë kategori,e cila brohoret “Eureka!” ,por dhe në mesin tonë…
Megjithëse kam pak besim tek terapia mjeksore, që kurimi të jetë efikas, atyre u duhet mjekimi mendor dhe ai shpirtëror sëbashku . Nëse mjekojmë mendjen pa shëruar shpirtin , do te jetë njësoj sikur ti vesh një të verbëri gjyslykë dielli në diell.
E ilustroj me një rast të Dr.Prof.Bajram Preza, i cili u mundua të rehabilitonte një skizofren…Historia ështe reale , ma tregoi miku dhe profesori im i nderuar , Dr. Kristo Kallapolli.
Dr. Preza ,punoi intensivisht për të rehabilituar nje zkizofren.Pas një kohe relativisht të gjatë , atij iu duk se i’a arriti qëllimit! E vendosi ish të sëmurin kuzhinjer në spitalin ku ai punonte ,dhe herë pas here shkonte e shihte .
Një ditë ,Dr.Preza shkoi tek ai dhe e pyeti se si i shkonin punët .Ish-pacienti i tij, tek përziente supën e shikoi doktorin nga këmbët tek koka… “çfarë mendon ?”- e pyeti Dr.Preza,ish-pacientin i tij. Ai u përgjigj, – “po mendoj se si të ndaj në copa dhe të fus në kazanin e supës që gjella të dalë më e mirë!” – Doktori i’u përgjigj aty për aty, – “Si mund të hyj unë me rroba aty,të prish supën?! …Po shkoj të zhvishem ,të lahem dhe po vij menjëherë!” Zkizofreni i kënaqur nga përgjigjja “pozitive” pranoi propozimin e ish-mjekut të tij! Porsa doli nga kuzhina, Dr. Preza lajmëroi ekipin mjeksor dhe porositi që ish-pacienti i tij të dërgohej përsëri në koloni…
Megjithë punën disa vjecare për të rehabilituar të sëmurin psikik , Dr.Preza dështoi! Po NE ?!
Kategori e tillë ,është e rrezikshme dhe e dhunshme brenda shoqërisë dhe familjes.Në rastin kur janë prindër ,fëmijët jetojnë në frikë dhe pasiguri.Keqtrajtimi është çnjerëzor. Nëse do të shikosh në sytë e këtyre fëmijëve…ninëzat janë të zmadhuara në raport me syrin,çka tregon disorderin nervor që vuajnë.Familjet e të lartëpërmendurve jetojnë një dramë të vërtetë!
Konflikti në familje shkon deri në neveri.Reflektimi i kësaj drame përcillet dhe nëpër ambjentet shoqërore dhe në institucionet ku ato bëjnë pjesë.Si pasojë e keqja e tyre përhapet në formën e një kolere që moleps dhe njerëzit përreth…
Sëmundja e paranoizmit i bën të pavetëdijshëm dhe të papërgjegjshëm.Shpesh herë u duket vetja si shpëtimtarë ,krijues dhe udhëheqës,pa bërë asgjë ,ose duke bërë gjëra poshtë normales dhe jo normale.Gama e këtyre fenomeneve varion sipas të sëmurëve dhe diagnosës.
Ndeshemi me surpriza në mënyrë sistematike. Jo rrallë shfaqin shenja kleptomanie,të cilat i justifikojnë si të natyrshme.Ndryshime në personalitet, mënyra e budallallëkut se si shkruajnë dhe si shprehen, irracionalë , të zemëruar dhe të frikshëm për njerëzit që dojnë…Kanë alucinacione që nuk lidhen me besimin dhe misterin e Zotit.
Prostitucionin e quajnë si një akt normal dhe besën si koncept abstrakt…Janë lypcarë të paskrupullt dhe xheloz pikant. Sharlatanë të degraduar ,nuk pranojnë në asnjë mënyrë inferioritetin, gabimin e quajnë të drejtë absolute!
Nuk njohin pasqyrë reflektive ,dhe falja për ta është hakmarrje që gjeneron formatin e vërtetë të njeriut primitiv.
Mizantropia ështe një shkallë tjetër e ligësise shpirtërore, ku Uni i keq ndërsen deformimin , bllokon frymëmarrjen dhe proçesin natyral, duke aktivizuar dhe promovuar një precedent të rrezikshëm anti-human.
Këtu është dhe zhgënjimi më i madh .Nëse në rastin e mësipërm ne ballafaqohemi me shpërthime jo normale dhe mëshirojmë,rasti prezent tregon meskinitetin ,antivleren dhe mohimin njerëzor…
Albert Camus thotë: “Man is the only creature that refuses to be what it is.”
- « Previous Page
- 1
- …
- 23
- 24
- 25
- 26
- 27
- 28
- Next Page »