5 Perfaqesues te deges se Vatres ne Michigan ishin te ftuar ne shtepine e Konsullit te Nderit te Shqiperise per Michiganin, z Ekrem Bardha , per tu takuar dhe kremtuar fitoren dhe ditelindjen, e senatorit ne Michigan Z Gary Peters./
Nga Mondi Rakaj/ Sekretar i deges se Vatres ne Michigan/
5 Perfaqesues te deges se Vatres ne Michigan ishin te ftuar ne Shtepine e Konsullit te Nderit te Shqiperise, Z Ekrem Bardha , per tu takuar dhe kremtuar fitoren dhe ditelindjen, e senatorit ne Michigan Z Gary Peters.
Ne Takim me Senatorin ishin ftuar disa nga kontribuesit me kryesore per fitoren e tij. Gjate kesaj mbremje ne nje atmosfere te ngrohte dhe shume te kendshme , u distkutuan edhe problemet e shqiptareve, si ato politike dhe ekonomike, per gjendjen aktuale .
Senatori Z Gary Peters shfaqi interesimin dhe premtoi perkrahjen e shqiptareve, kudo qe ndodhen.
Per gjendjen aktuale ne Shqiperi, per situaten politike dhe ekonomike , senatorin e informoi, kryetari i Vatres per degen e Michigan, anetari i Keshillit te Federates Panshqitare te Amerikes VATRA, Pishtari i Demokracise, Z Alfons Grishaj.
Per padrejtesite qe ju behen shqiptareve ne Malin e Zi , shkeljen e te drejtave njerezore, informoi Avokati Joseph Dedvukaj.
Konsulli i Nderit te Republikes se Shqiperise ne Michigan, athdetari I palodhur I Ceshtjes Kombetare, Z Ekrem Bardha,e informoi senatorin per kontributin e tij dhe te Diaspores Shqipetare ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes, kontribut qe dhane per ceshtjen kombetare shqiptare. Z. Bardha falenderoi me gjithe zemer senatorin Peters , kete mik te madh te Kombit Shqipetare, falenderoi Shtetet te Bashkuara te Amerikes, qe i jane gjendur Kombit shqiptar, qysh me mbrojtjen e Pavaresise se Shqiperise ne Konferencen e Paqes, deri ne njohjen e Shtetit me te Ri Kosoves.
Per Nder te Senatorit Gary Peters, Konsulli i Nderit, z.Ekrem Bardha shtroi nje darke ne Shtepine e Tij, ku merrnin pjese: Kryetari I deges se Vatres ne Michigan Z Alfons Grishaj, Meshtari i Kishes Zoja Pajtore Don Ndue Gjergji, Sekretari i deges se Vatres ne Michigan Z Mondi Rakaj, anetari i Keshillit te Vatres Z Kujtim Qafa , perfaqesuesi i Kishes se Shen Palit dhe Vatrani Z Petrit Doda , vatranoa dhe aktivistja e dalluar Donika Bardha , avokati dhe aktivisti per Ceshtjen Kombetare Joseph Dedvukaj ,
bisnesmeni si dhe aktivisti Agim Lumani.
Senatorit Peters iu dhuruan disa dhurata simbolike . Ne emer te deges se Vatres ne Michigan , Kryetari z. Alfons Grishaj, i dhuroi nje Glob. Senatori tha se do ta vendoste en zyren e tij ne Washington D.C.
Ne emer te Kishes se Shen Palit dhe personalisht te famullitarit Don Fran Kola, anetari i Keshillit te deges se Vatres ne Michigan, z Petrit Doda , i dhuroj senatorit pikturen “Dasma Shkodrane” te Kole Idromenos .
Per Kishen Zoja Pajtore, Don Ndue Gjergji i dhuroi 2 Libra , jeten dhe vepren e Shejtnores Nene Tereza dhe Kanunin e Leke Dukagjinit.
E zoja e Shtepise Donika Bardha , Kishte bere nje surprize per ditelindjen e Senatorit Peters. Ajo kishte ftuar nje Pianist me origjine Bjelloruse , per ti kenduar Happy Birthday to you, senatorit me rastin e ditelindjes.
Ne fund u servir edhe Torta, qe Ishte pergatitur per Diteldinjen e Senatorit Peters.
Senatori Peters falenderoi pjesemarresit. Ai tha edhe: “Nuk do ta harroj kurre kontributin tuaj , qe me ndihmoi per te fituar vendin ne Senatin Amerikan. Do te jem gjithmone prane jush miqte e mi , dhe prane popullit shqiptar. “
Prologu dhe epilogu i miqësisë së Kuqe
Nga Alfons Grishaj/*
“I would rather walk with a friend in dark, than alone in the light”. Kështu shprehej për miqtë Helen Keller.
Miqësia është një vlerë shoqërore, e cila përmban në vetvete karakterin, mirësinë, shpirtin dhe traditën.
Si koncept filozofik dhe psikologjik, shpesh herë kam përseritur rreth kësaj vlere, të cilën nganjëherë njerëzit e nëpërkëmbin, e injorojnë, ose më saktë, nuk janë të aftë për ta mbajtur atë. Për ta kuptuar dhe mbajtur miqësinë duhet të jesh tip Sanguin, të gëzosh si kusht primar të katër komponentet që përmenda më lart. Pa to njeriu është një hap larg nga kafshëria dhe bota instiktive.
Në vitet e jetës sime, kam parë shumë njerëz të sferave të ndryshme në të gjitha rrethanat, të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, në paqe e në luftë, në liri dhe izolim. Dhe mund të them pa asnjë kompleks se e di përmendsh të plotë rregjistrin e tipave dhe karaktereve njerëzore. Këtu përfshij edhe ata, me të cilët jam ballafaquar në experiencën e re të emigracionit, dhe, i zhgënjyer totalisht mund të përsëris me bindje thënien lapidare që e përdornim dikur (autorin nuk e mbaj mend): “Sa më tepër njoha njerëzit aq më tepër desha kafshët!”.
Liria është ajo pjesë e qiellit, ku njerëzit që e kanë nuk e njohin, kurse atyre që u mungon e adhurojnë. Por çfarë u ndodhi në rrethanat e reja disa të njohurve të mi të cilëve u mungoi liria për 47 vite, porsa u ballafaquan me të? Fillimisht, u sollën si të trembur, konfuzë dhe të dëshpëruar. Pasi u kaloi kjo fazë, filluan të shijonin të mirat e lirisë dhe u bënë miqësorë, (nuk mungonin në fotografitë e darkave që organizonim ndër festa kombëtare apo tradicionale). Më vonë ata zunë të bëhen “seriozë”, të trashnin zërin, biles u shihej dhe ndonjë akt vagabondazhi i vonuar, apo ndonjë trimëri jo paralele.
Kafeja filloi të degjenerojë. Në sfond, u shfaqën mungesa e karakterit, e mirësisë, e shpirtit dhe e traditës, gjë që tregon, se përveç rastësisë asgjë më tepër nuk kishim të përbashkët. E para, ata vinin nga një traditë e përlyer familjare që nga e kaluara dhe deri në ditët e lirisë, të cilët si vegla të verbëra pa identitet, me pseudonime të pështira, i shërbyen rregjimit të Enver Hoxhës me zanatin më të urryer në perëndim, atë të spiunit. Megjithëse disave ua njihnim të kaluarat familjare dhe personale, shoqëria që krijuam dhe buka që hëngrëm si bashkatdhetarë e lanë prapa pjesën e tyre të errët. Për mua, kishte shumë kuptim ky akt, sepse miqësia që mbështetet në fisnikëri, eshte akoma më e shenjtë. Por, siç thotë një fjalë e urtë popullore: “Ai që është mësuar, nuk rri pushuar!”, dalngadalë, “miqtë” iu kthyen veseve të vjetra të spiunllëkut dhe intrigave. Velloja që mblulonte miqësinë tonë të rrejshme, u gris dhe fytyrat e vërteta të “miqve” dolën lakuriq! Përsëri u mundova t’i justifikoja dhe për asnjë çast nuk mendova keq për ta, sepse mëshira është më e madhe se urrejtja.
E kam shkruar dhe më parë, njerëzit e vegjël nuk mund të bëhen kurrë të mëdhenj, aq më pak të gëzojnë një vlerë fisnike siç është miqësia.
Vlerën e miqësisë e gëzojnë të gjithë ata njerëz që besojnë në kodin e fisnikërisë i cili mbetet instrumenti më i drejtë për të matur sjelljet tona në raport me njëri-tjetrin dhe moralin shoqëror në tërësi.
A mund të bëhet miqësia një lojë mjeranësh dhe trutharësh? Për një kategori, po. Pas një kohë studimi të karaktereve të dobta në shoqërinë e emigracionit, verejta se: Njeriu i ri i komunizmit u shpërnda gjithandej pas rënies së diktaturës. Në fillim, hiqej zvarrë pa ngritur kryet. Më vonë mësoi të ecte me duar dhe këmbë si kafshë e butë. Porsa kuptoi se në perëndim nuk e njohu kush, filloi zakonin e vjetër, dhe pse jo, të pretendonte tashmë të bëhej dhe udhëheqës në emigrim, në atë vend që e shau me rracë e me koc dikur.
Kalimi nga një rregjim totalitar në ballafaqimin me vlerat e lirisë është vetiu një ngërç në vetvete. Një pjesë e çimkave që i shërbyen me zell diktaturës, porsa kalojnë provën e mirëseardhjes dhe harresës, implementojnë mikrobin e kuq, i cili mori miliona jetë njerëzish anë e kënd botës. Ky mikrob nuk është më diktatura e proletariatit, se pushteti që e mbante atë ka vdekur. Por, është prodhimi i thashethemeve dhe i intrigave si pjesë përbërëse e armës së propagandës së kuqe. Ata përdorin portalet e turpit për të gjykuar tavolinat e nderit me pandershmërinë e tyre. Gjakpirësit, gjykojnë njerëzit që kanë dhënë gjak për lirinë. Gjykojnë të vuajturit, viktimat e spiunllëqeve të tyre. Gjykojnë priftërinjtë e hoxhallarët, të cilët u përndoqën prej ateizmit tyre. Gjykojnë Konsuj e Ambasadorë të lirisë, pikërisht ata që i shërbyen persekutimit dhe izolimit. Gjykojnë Vatren ,patriotë e atdhetarë, shkrimtarë e poetë e çdo gjë me vlerë, pikërisht ata të cilët janë vetë e keqja më e madhe kohës dhe e shoqërisë sonë. Gjykojnë e ç’nuk gjykojnë, por kurrë veten dhe familjarët e tyre që njihen nga fshatarë e qytetarë për bëmat mortore e inkuizitive, mbi të cilat, u mbajt për dekada me rradhë një rregjim çnjerëzor. Kutërbimi i kësaj rrace gjakprishur ka sjellur erë të keqe dhe ketu në perëndim…
* Autori eshte kryetar i deges se Vatres ne Michigan
TRAGJEDIA E 2 PRILLIT
23 vjet nga vrasja e Arben Brocit dhe tre studentëve nga Sigurimi i Shtetit gjatë mitingut antikomunist/
Skenari i Gramoz Ruçit në masakrën e 2 prillit/
Nga Alfons GRISHAJ/
Më 1 prill 1991, demokratët e Shkodrës vërshuan para selisë së PD-së, me lot në sy pyesnin për rezultatet. Dikush ishte dhe i acaruar. “Prapë këta kriminelë!”. U munduam t’i qetësonim. Folën para selisë Kolec Ndoja, Viktor Martini, Azem Hajdari. Azemi ishte shumë i qartë në fjalën e tij… Më kërkuan disa herë që të flisja. Isha shumë i lodhur, kisha netë pa gjumë. Ngarkesa dhe barra më e madhe binte mbi mua, jo vetëm për njohjen e madhe me të rinjtë e Shkodrës, por dhe si një demokrat që nuk njihja kompromise me ish-kastën e kuqe.
Është e vërtetë që Dilaveri dhe Gjeka erdhën e kërkuan “bashkëpunim”, për të qetësuar situatën. Por, cila ishte arsyeja e vërtetë? Vetë prania e tyre ngjallte neveri tek demonstruesit. Ata nuk shihnin tek Dilaveri dhe Gjeka figurat e rendit kushtetues, por kukullat e metalta të një rendi antikushtetues dhe ilegjitim, të cilët me serumet e trurëve të tyre të lara i shërbenin një kaste gjakpirëse e delirante që, për 47 vjet kishte burgosur, torturuar e vrarë.
Pse duheshin shqetësuar aq shumë këta policë, kur demonstruesit po demonstronin si qytetarë të një bote të lirë? Ata po protestonin për manipulimin e votës së vjedhur dhe ata nuk protestonin për veten e tyre, por për Shqipërinë se, Shkodra nuk ishte Republikë më vete, ashtu siç kërkonin bashibozukët e Sigurimit, që hidhnin parulla serbe: “Shkodra Republikë!”, etj… Pse nuk u shqetësuan këta zotërinj, kur makinat e tyre të policisë dhe të ushtrisë shkonin për të votuar, sa në një zonë në tjetrën për të manipuluar?
Në lagjen “Xhabije”, populli gati sa nuk u konfrontua me këta mjeranë, që për të dytën herë donin të votonin. Vetë Sokol Shazi, përfaqësues i Frontit Demokratik, ky një njeri kurajoz dhe i ndershëm, i tha oficerit mustaqemi: “Ju keni votuar dhe njëherë, çfarë doni këtu!?”.
Devocioni i tepruar i këtyre zanatlive të pafe, që për ta nëna dhe babai ishte PP-ja, ky devocion katetonik do ta çonte në kolaps shtetin komunist.
Gjeka duhet ta dinte se, Shkodra ka qenë fuçi baruti për antikomunizëm.
Atje janë zhvilluar dy lëvizje të mëdha antikomuniste ’45-’46. Si i kishte harruar Gjeka të gjithë ata priftërinj e hoxhallarë shkodranë, që ishin burgosur e martirizuar?
Pra, as Dilaveri dhe as Gjeka, nuk e njihnin historinë antikomuniste të Shkodrës. Ata vinin si diletantë për të nakatosur dhe jo për të qetësuar.
Për t’i kujtuar Gjekës, se Dilaveri u plagos më 13 dhjetor, pikërisht se ai nuk e njihte situatën dhe ajo ishte një shenjë e mirë për t’i treguar atij se Shkodra nuk ishte Puka.
Më 1 prill kemi ndenjur deri në 10:30 të natës, duke qetësuar demonstruesit para KPP. Kemi qenë disa përfaqësues të PD-së: Unë, Arben Broci, Eduard Perjaku, Kolec Ndoja, Nikolin Thana, Pjetër Arbnori, Artan Broci dhe Eduard Grishaj. Me ne ishte dhe Dilaver Papare. Dilaveri tha: “Se, nëqoftëse nesër mblidhen demonstrues para KPP-së, ne do të veprojmë ndryshe”. “Cila ishte arsyeja që ky njeri që i dridheshin duart duke dredhur cigaren të ishte në atë ankth? Kush e kishte urdhëruar dhe përse!?”. Dy prilli do të ishte përgjigjja më e mirë. Pas shpërndarjes së demonstruesve, shkuam tek selia jonë. Për të nesërmen u caktuan të hapnin zyrën Arben Broci dhe Eduard Grishaj, me ta u bashkuan dhe Frano Gjergji dhe Fatmir Bërdica, përkatësisht anëtarë të Këshillit të PD-së.
Përpjekjet e zëvendësministrit Hajredin Shyti, për t’u kapur si i mbyturi pas fijes së kashtës, siç tha në gjyq, që gjoja PD e ka çuar Arben Brocin tek KPP-së Shkodër, i duhet një përgjigje e saktë këtij rrufjani. Tek KPP, nuk ka qenë vetëm Arben Broci, por ka qenë dhe Frano Gjergji, Fatmir Bërdica, Eduard Grishaj, Eduard Përjaku, unë dhe më vonë Ali Spahia dhe Pjetër Arbnori. Jam i bindur se Arben Broci, ishte piketuar që në takimin me Ramiz Alinë. Mbase, ishte i vetmi, në atë takim që e injoroi Presidentin komunist.
Shumica e të pranishmëve në atë takim ia dhanë dorën Ramizit, kurse Arben Broci jo.
Si mund të harrohej ky injorim që i bëri Arbeni të paprekshmit Ramiz Alia? Shpeshherë Arbeni shprehej: “Këta kriminelë kanë me u vra!”. Meqë rrinim dhe në një lagje ishim më afër njëri-tjetrit. Unë, Arbeni dhe Kujtim Asllani, bisedonim dhe jashtë mbledhjes për problemet e PD-së.
Të njëjtën shprehje do ta dëgjoja më vonë prej mikut tim, të paharrueshmit Hajdari, i cili një ditë më tha: “Alfons, kriminelët e Nanos janë duke u përpjekë me më vra dhe kan me e ba. Nëse gjaku im ka me i shërby demokracisë dhe Shqipërisë, ja kisha ba hallall, por nëse jo, do më vinte keq!”.
Si nisi
2 prilli filloi me një protestë model të shkollave të mesme “Jordan Misja”, “Oso Kuka” dhe “29 Nëntori”. Kjo protestë mund të krahasohej vetëm me protestat e vendeve të civilizuara botërore. E ardhmja e Shqipërisë kishte zgjedhur një model civilizues për të protestuar. Ishte një krenari dhe habi për këtë organizim ideal. Siç duket këto nxënës kishin menduar ta zbusnin klimën e protestuesve dhe komunistëve. Mbase dora e Zotit po mundohej të çlironte atë atmosferë (megjithëse komunistët nuk besojnë në Zot), të rëndë.
Çdo qytetar shkodran që e ka parë këtë skenë është mallëngjyer.
Por, jo! Engjëjt e lirisë nuk i njihnin mirë skeletonët e komunizmit. Si bisha të tërbuara u hodhën bashibozukët mbi nxënësit e pambrojtur… Pse e gjithë kjo egërsi mbi fëmijët që ishin të ulur mbi çantat e tyre!? Bashibozukët laramanë, shumica ishin pa uniformë policie, praktikë kjo e vendeve diktatoriale. Vetë kjo përzierje tregon për një taktikë dinake të përpunuar mirë nga Çapajev Thaçi dhe vartësit e tij…, shkodranët duke parë këtë skenë, u hodhën për të mbrojtur fëmijët e tyre. Babai për fëmijën, komshiu për komshiun, shoku për shokun dhe kështu reaksion zinxhir si bomba me hidrogjen plasi kjo demonstratë. Demonstrata e 2 prillit ishte e katërta brenda një viti. Nga përmasat ishte demonstrata më e përgjakshme në historinë e pluralizmit politik shqiptar. Hebrejtë kanë një shprehje, “Helkath-Hazurim”, që do të thotë, “fushëbetejë”. U vranë pesë anëtarë të PD-së dhe jo katër. Këtë e kam thënë dhe e kam shkruar në shkrimet e tjera për 2 prillin: Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe vdiq më vonë prej plagëve Artur Gila. U plagosën mbi 100 demonstrues, shumica me armë zjarri dhe pjesa tjetër me mjete të forta. Nuk mund të lë pa përmendur Harris Moranën, që mori plumbin në gjoks para Komitetit të PP-së, Shkëlqim Lisin, që nuk ishte më shumë se 12 vjeç, mori plumbin në bark dhe ashtu i plagosur ngrinte dy gishtat lart. Çlirim Bajri, mbeti i paralizuar, nga dy plagë zjarri etj. Mirë se këto ishin trima, po me vajzat çfarë patën ata të panderë e të pafe? Po përmend disa vajza që shkuan deri në humbje ndjenjash: Marsida Bruceti, Suela Basha, Blerina Tuzi, Elida Nika, Sidola Vata, Aida Krroqi, Flora Kurbini. Këto vajza nuk e kalonin moshën 17-vjeçare. Pra, siç shikojmë ishte një verbim total i Sigurimsave me dhe pa uniformë… Pse e gjithë kjo verbëri?!
Ballë për ballë me Çapajev Taçin
Gjatë ngjarjes së 2 prillit Blerim Çela, Kolec Ndoja, Agustin Shqalsi dhe unë, shkuam dy herë për t’i kërkuar Çapajev Taçit, që policia mos të qëllonte më me armë, as në ajër dhe as mbi popull. Kërkuam që forcat e policisë të tërhiqeshin brenda objekteve të tyre. Mbi tavolinën e tij kishte një kallashnikov dhe pesë karikatorë me fishekë. Kolec Ndoja e pyeti në mënyrë të ashpër: “Pse e mban këtë automatik dhe këto krëhëra me fishekë mbi tavolinë, për të vrarë!?”. Hyri menjëherë Agustini, që me qetësi shmangu një debat të pangeshëm. Çapajevit i shpjegova situatën, duke i kërkuar maturi dhe mençuri për kërkesën tonë, se për çdo rëndim të situatës, përgjegjësia do të binte mbi të. Ai me një triumfalizëm tha: “Forca të reja po vijnë nga Tirana, për të marrë situatën në dorë!”. U larguam për të vazhduar detyrën tonë…
Martirët e 2 prillit
Arben Broci
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Bujar Bishanaku
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Nazmi Kryeziu
Mosha: 22 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
Besnik Ceka
Mosha: 21 vjeç
Profesioni: Student
Vrarë: 2 prill 1991
Vendi: Shkodër
Motivi: Politik
(Botoi Dielli-Arkiv, 2 prill 2013)
Otomanomania dhe Shqiptarët
Nga Alfons Grishaj/
Tek po bisedoja me një mikeshën time, e cila nuk ka dëshirë t’ ia përmend emrin, më tregoi se si dritëshkurtërit e kohës sonë “Shqiptarë Vehabistë” e kanë humbur busullën, dhe se të tjetërsuar ata vetë, kërkojnë të tjetërsojnë dhe denigrojnë historinë e vendit. Përkufizimi i saj “Vehabizmi është si Internacionalizmi Proletar!”, u bë shkas i këtij shkrimi…
Historia nuk është vetdija e një personi, apo e disa personave, por memorja dhe udha e jetës nëpër të cilën ka kaluar dhe kalon njerëzimi, dhe, nuk mund jetë pasion, kult, apo religjion fanatik, por tregues faktik, ku dëshira dhe vullneti për tjetërsim, është verbëri dhe turp. Shqiptarët nuk janë Serbë, Bullgarë, Grekë, Italianë, Austriakë, apo Turq.
Historia ka treguar se si Mamlukët dhe më pas Turqit Selxhukë dhe Turqit Otomanë, në fazën e ekspansionit të tyre barbar, vërshuan mizorisht drejt qytetërimit në tre kontinente, duke vrarë, djegur, plaçkitur e rrënuar kudo ku u shkelte këmba. Ligji i pengjeve të fëmijëve të familjeve të princërve dhe mbretërve të mposhtur ishte një nga aktet më të shëmtuara të kësaj barbarie. Kështu ndodhi dhe me Gjon Kastriotin, Princin Shqiptar, i cili u detyrua t’ua jepte djemtë e tij peng Otomanëve duke mbetur përherë i shtrënguar të hiqte dorë nga përpjekjet për liri.
Rrënimi i vlerave shekullore tek popujt e pushtuar, sidomos tek Ballkanasit, zëvendësohej me antivlera, siç ishin martesat poligamike, martesat midis pjestarëve të së njëjtës familjes apo të së njëjtit fis, ndërrimi i emrit dhe i kombësisë, humbja e gjuhës, dhe më themelorja humbja e lirisë dhe identitetit.
Këtu nuk bëhet thjeshtë fjalë për kultin Otoman që u ngrit, por parimin themelor të lirisë që u varros prej dhunës. Barbaria është vrasësja e lirisë, në të gjitha drejtimet, psikologjike, emocionale, jetike, humane, kulturore dhe nacionale.
Kështjellat e qytetërimit Ilir janë të lashta 2500-3000 vjeçare. Shumë qytetërime të tanishme, nga janë kthyer për ndikim disa shqiptarë, në atë kohë jetonin në epokë fisnore (parahistorike), pa ngulime territoriale, ndër pyje, apo nëpër çadra në shkretëtirë. Duke iu referuar historisë, dhe sipas Muhamed Ali, në vendet arabe, shumica e foshnjeve vajza përfundonin të varrosura në shkretëtirë pa parë dritën e diellit! Pikërisht këta baballarë që kishin harruar se ishin lindur nga nënat, varrosnin nënat e ardhshme. Prej kësaj rrace dolën dhe Mamlukët e Turqit Selxhukë, e më pas Turqit Otomanë që qendruan si pushtues të disa vendeve për 600 vjet.
Sipas librave të Hugh Kenedy “The Great Arab Qonquests”, dhe “The Arabs”, të autorit Eugene Rogan, apo teksteve të tjera historike, pushtimi arab vjen pas vdekjes së Muhametit 632, një fakt që vlen për t’u theksuar.
Arabët jetonin të mbyllur në shkretëtirën mes kufijve të Sirisë dhe Irakut. Pjesa më e madhe e Sirianëve flisnin Greqisht ose Aramaisht; në Irak, pothuajse gjithashtu, Persisht ose Aramaisht; në Egjipt flitej Greqisht ose Koptisht; në Iran flitej Palhavisht; në Afrikën Veriore flitej Latinisht, Greqisht ose gjuha Berbere. Asnjë prej këtyre vendeve nuk ishin Islam dhe arabishtja as që njihej. Gjithashtu, Irani dhe Afganistani nuk njiheshin. Pas pushtimit arab, në më pak se një shekull, të gjitha këto vende dhe të tjera vende si Spania, Portugalia, Uzbekistani, Turkmenistani dhe jugu i Pakistanit (Sindi), filloi konvertimi masiv popujve autoktonë në religjionin Islam.
I pari Sultan i Selxhuk Turk ishte Tugrul Bey (1055-63). Turqit Selxhukë vinin nga fisi i Tartarëve që origjinën e kishin nga qendra e Azisë.
Pas dobësimit të Selxhukëve, shohim të ngrihen Otomanët Turq. Në vitin 1299 shohim sulltanin e parë Otoman, Osmani i Parë, dhe i fundmi Sulltan i Otomanëve ishte Sulltan Mehmeti i VI, në vitin 1922.
Në Shqiptari, Otomanët erdhën si pushtuesit më të egër në historinë e pushtimeve mbi tokën tonë. Luftërat që zhvilluan Shqiptarët kundër Turqve ishin të ashpra, që nga Gjergj Kastrioti deri tek Kara Mahmud Pashë Bushatlliu. Otomanët përdorën më së miri, trurin e Grekërve, Izraelitëve dhe Shqiptarëve. Nëse tek dy kombet e para, ata, shikonin vetëm mençurinë, tek Shqiptarët, përveç mençurisë shikonin dhe trimërinë. Dinakëria e Otomanëve, si Romakët dikur, e përdorën Shqiptarin si pararojë të ushtrisë Turke. Sipas E.Tarle, në librin “Napoleoni”, kur Bonoparti pushtoi Egjiptin dhe fitoi luftën kundër Mamlukëve, me 4 Mars 1799 marshoi në Jafe. Pas një rezistence të fortë të një garnizoni në Jafe, oficerët francezë, e lajmëruan Bonopartin, se pushtimi i asaj fortese do të kishte një kosto të lartë, prandaj mbrojtësve u duhej premtuar falja e jetës në rast dorëzimi. Bonoparti premtoi t’ua falte jetën. Pas premtimit, mbrojtësit e Jafes u dorëzuan. Oficerët lajmëruan sërish Napolonin, se nga katër mijë vetët e dorëzuar, pjesa dërmuese ishin Shqiptarë. Bonoparti mendonte se ishte marrëzi t’i falte këta ushtarë që nuk luftonin për vendin e tyre të robëruar, por për interesin e pushtuesit. Pas një hezitimi tre ditor, ai dha urdhër të pushkatoheshin të gjithë. Një nga oficerët francez do të shprehej: “Nuk i uroj askuj të provojë atë që kemi ndjerë ne duke parë këtë ekzekutim”. Si shihet dhe në këtë ngjarje, Shqiptarët përdoreshin nga Perandoria Otomane, në vendet më të rrezikshme të luftimeve, arsyeja ishte e thjeshtë, Shqiptarët ishin ushtarë të fuqishëm dhe si të tillë, për Perandorinë ishin si makina lufte jo të kushtueshme, dhe se jeta e skllevërve Arrnautë nuk ishte e vlefshme si e Osmanëve. Disa laramanë të shekullit të sotëm, po stisin broçkulla fëmijësh, se Otomanët ishin aleatë të Shqiptarëve etj. Unë e di se ka shumë budallenj në botë, madje edhe të shkolluar sepse tekefundit, keqformimi s’është tjetër veçse një formë e injorancës, por nuk ka në asnjë vend të botës së qytetëruar njerëz që guxojnë t’i thurin kaq lavde pushtuesve si në Shqipëri.
Populli Shqiptar dhe pse i pushtuar, i privuar nga e drejta për të shkruar dhe për t’u shkolluar në gjuhën e vet, e ruajti me fanatizëm gjuhën Shqipe, dhe falë burrave të mençur të të dyja feve, nuk munguan librat, edhe pse jo aq të shpeshtë sa i nevojiten kultivimit të një gjuhe. Mund të thuhet se triumfi i parë i vërtetë ndaj Otomanëve shënohet nga Rilindja Kombëtare, dhe ai është triumfi i gjuhës së shkruar. Shqiptarët e fituan me sakrifica të mëdha të drejtën për ta shkruar gjuhën e të parëve pas shumë shekujsh robërie. Shumë qytetërime e humbën gjuhën dhe kulturën, por jo Shqiptarët.
Shqiptarët filluan të ndërronin fe në shumicë rreth viteve 1750 –1800. Taksa e gjakut, i shtrëngoi Shqiptarët e krishterë të ndërronin publikisht emrat, por jo besimin e tyre për një kohë të gjatë. Kjo dukuri njihet nga historia si laramanizëm dhe njerëzit të cilët të cilët iu nënshtruan kësaj praktike njihen si kripto-katolikë apo kripto-ortodoksë. Më vonë, bash këto kripto ndërruan fe me kalimin e viteve duke gëzuar toka më të mira dhe taksa më të ulta. Kjo ishte mbase zgjidhja më e lehtë në atë kohë të errët pushtimi, por sot askush nuk duhet të gjykojë keq për vëllaun e vet që mendoi ndryshe, apo tjetri të rrahë gjoksin për qëndresë. Lëkura e trupit duket njësoj, por nuk duron njësoj. Sot, kemi një realitet tjetër, krejt tjetër. Nuk jemi të detyruar t’i paguajmë haraç të huajit, dhe më pak, të servilosemi dhe të përkulemi para varreve të Sulltanëve, apo Knjazve, pushtuesve tonë shekullore.
Çfarë po ndodh sot me një pakicë Shqiptarësh, të cilët e paraqesin si shpëtimtare fytyrën e djallit pushtues, biles akoma më keq, shkojnë deri atje sa kanë ta quajnë vëlla!? Po kjo pikë e zezë në shekullin njëzetenjë!?
Grekët jetuan nën pushtimin Otoman që nga viti 1453 deri në vitin 1821. Bullgaria jetoi 500 vjet e pushtuar nga i njëjti pushtues. U pushtuan nga Turqit një pjesë e mirë e Spanjës dhe Ballkani në përgjithësi. Megjithëse pjesa Grekët dhe Izralitët gëzonin një status më të lartë se arrnautët në Perandorinë Otomane, pasardhësit e tyre asnjëherë nuk thanë dhe nuk thonë që janë vëllezër me Turqit! Spanjollët dhe Bullgarët po ashtu. Të gjithë Ballkanasit dhe Europa e qytetëruar i quajtën Turqit pushtues dhe barbarë, vetëm disa trutharë shqipfolës, po na i quan vëllezër të një gjaku. Nëse me të vërtetë, këta njerëz nuk janë të shitur që punojnë kundër Dardanisë dhe Shqipërisë mëmë, atëherë mund të themi fare thjeshtë se këta njerëz nuk janë Shqiptarë, por Serbë, Mamlukë, Selxhukë apo Otomanë Shqipfolës. Ekzistenca e tyre është evidente. Paraqitja fodulle nëpër TV me deklaratat ogurzeza, dhe aty-këtu me shkrime pa brumë tregojnë rrezikun e regresit. Feja e gjithsecilit është personale dhe duhet respektuar si e tillë, por jo si diktat dhe qëllim në vetvete.
Opinioni i qytetëruar, Qeveria Dardane dhe ajo Shqiptare, duhet t’i luftojnë me forcën e ligjit rrymat dhe individët që cënojnë vlerat e qytetërimit Shqiptar dhe identitetin kulturhistorik të Shqiptarëve. Aq për më tepër kur këto rryma dhe këta individë nuk asgjë të përbashkët as me fenë Muslimane as me fenë e Krishterë të Shqiptarit.
Harmonia fetare është pa dyshim vlera më e çmuar që gëzon shoqëria shqiptare. Martesat mikste kanë ekzistuar edhe në kohët kur fanatizmi otoman synonte t’i mbante të përçarë Shqiptarët, ndërkohë që në ditët e sotme ato janë shtuar, duke e konsoliduar akoma më tej këtë harmoni, meqënese, siç është botërisht e njohur, familja është themeli i çdo shoqërie.
Ungjilli dhe Kurani, burimin e kanë nga e njëjta traditë e shenjtë. Mjafton vetëm të shohësh rolin e profetëve në të dy tekstet për të kuptuar se në thelb ngjashmëria është shumë më e madhe se diferenca: Abrahami është Ibrahimi; Ishaq është Isaak; Jozefi është Yusufi; Moisiu është Musai; Gjoni është Yahya e kështu me rradhë. Njëherë, tek bisedoja me një Imam, e pyeta se cili është babai i Muslimanëve, ai m’u përgjigj: “Ibrahimi”!. Pas kësaj përgjigje e pyeta se cili është babai i Kristianëve dhe i Hebrejve. Ai m’u përgjigj: “Abrahami (Ibrahimi)”! Atëherë i thashë, “Çfarë faji ka babai se i dalin fëmijët kështu siç janë sot?” Imami më shikoi drejt e në sy me një buzëqeshje të menduar, ku brenda ishte dhe përgjigja.
As Krishti dhe as Muhameti nuk thanë që të vriteshin njerëzit të pafajshëm nëpër avione, të hidheshin kullat e NY në erë, e të varroseshin për së gjalli me mijra njerëz. As Muhameti as Krishti nuk thanë, që njeriu të urrente njeriun si sot.
Bota e qytetëruar e ka pranuar fenë e Krishterë dhe të Krishterët e kanë pranuar vëllaun e vet Muhamedan. Roma persekutore e Kristianizmit, që martirizoi një milion të krishterë, do të bëhej më pas qendra e botës së Katolicizmit. Po me respekt lejoi të ndërtohej Xhamia më e madhe e fesë Islame në botën perëndimore, bash në Romë. Lind pyetja, nëse Katolikët ta kërkonin të njëjtin privilegj në Arabinë Saudite, cila do të ishte përgjigja?
Fëmijët tanë nuk e kanë të shkruar në ballë se çfarë janë. Ata besojnë në një Zot, atë Zot që ndërton mirëkuptimin dhe dashurinë midis njerëzve, por jo në Zotin e dhunës dhe të përçarjes, që nuk dihet se ku e ka folenë.
Nuk ka Shqiptar që e sheh vëllaun e vet katolik apo musliman ne rrezik dhe nuk e merr pushkën për të mbrojtur gjakun e të parëve. Ashtu, nuk do kishte Dardani (Kosovë), sikur mos të ishte ky vllazërim mes Shqipërisë Etnike, diasporë dhe anekënd botës.
Në Shqipëri u strehuan mbi një milion shqiptarë të Dardanisë, gjatë genocidid Serb mbi viset Shqiptare. Askush nga këto familje brilante Shqiptare, nuk rrahu gjoksin, duke thënë se çfarë bëmë për vëllezrit dhe motrat tona, siç bëjnë disa mburracakë që rrahin gjoksin, “Çfarë kemi bërë ne!”. Nëse dikush bën detyrën ndaj kombit të vet, nuk ka pse të mburret, sepse në çastet e martizimit të kombit, asnjë akt nuk ka vlerë të heroizohet.
Porchia, do të shkruante: “In full heart is room for everything, and in an empty heart there is room for nothing.”
Shqiptarët nuk kanë ngjasim me fiset që u bënë kombe me dhunë, as me kulturën e djallit. Shqiptarët nuk jetojnë në poligami, as nuk marrin mbesat apo kushërirat për gra, siç bëjnë Arabët, apo të tjerët rreth tyre. Lëkura e Shqiptarit është e fisme, e bukur, e zgjedhur se, bash dora e Zotit e krijoi dhe zbukuroi.
Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më afër Europës dhe ëndrrës së bashkimit nacional. Shqiptarët e kulturuar kanë inteligjencen në klasin e duhur, ata, e njohin mirë historinë e tyre dhe nuk ka asnjë shans që kjo qytetari të infektohet prej thirrjeve të tradhëtarve të kombit, kundër simboleve nacionale.
Mos vallë Otomanët e sotëm, kanë dëshirë t’i tregojnë botës së qytetëruar, se lufta që zhvilloi ushtria e perëndimit kundër pushtuesit Serb, paska qenë e gabuar?!
Mos vallë Otomanët Shqipfolës, në aleancë si atëherë me Mbretin e Serbisë, Brankoviç, i prenë rrugën Gjergj Kastriotit, që të mos bashkohej me ushtrinë e Europës kundër Turqisë, duan t’ia ndalin hovin Dardanisë drejt bashkimit me Shipërinë mëmë dhe Europën? !
Mos vallë këta njerëz, kanë dëshirë që ta kthejnë Dardaninë e lirë në arenë gjaku përsëri?
Një Gjeneral Amerikan, tek dëgjonte se çfarë flitet e shkruhet kundër simboleve Kombëtare Shqiptare, dhe, kundër Nënës së botës së dhimbjes, Nënë Tereza, tha: “Sigurisht këta njerëz që shkruajnë dhe flasin kështu për Nënë Terezën nuk janë Shqiptarë, se nëse ata janë Shqiptarë. He, dmth, ne paskemi luftuar për lirinë e armiqve të humanizmit!”
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, dhe t’i tërheqim veshin verbërisë. Thirrjet e verbëra po udhëtojnë në kancelaritë e botës së qytetëruar, dhe nuk do jetë çudi që nesër, t’i thonë popullit martir Dardan dhe qeverisë së Prishtinës, se kushtet nuk janë plotësuar për pavarësinë e plotë dhe se Serbia i ka plotësuar kushtet për të hyrë në Europë. Kjo faturë e rrezikshme dhe fatale pikërisht prej prostitucionit politik e shpirtëror të disa mbeturinave të Otomanomanisë, që nuk përkojnë me luftën që bëri UÇK, Europa, dhe, veçanërisht Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe NATO për të pasur sot lirinë e fituar.
Flamuri Shqiptar nuk është me ngjyrë blu, as me ngjyrë jeshile dhe as me yll e hënë, por kuq e zi. Kushdo që pretendon për flamur tjetër nuk është Shqiptar!!!
GEZUAR DITELINDJEN ALFONS GRISHAJ!
Festohet ditëlindja e kryetarit të Deges së Vatrës Michigan/
Mbrëmjen e ditës së mërkurë, të datës 11 Shtator 2013 në Kafe “ KUVENDI”, në vazhdën e takimeve të tilla të mëparshme, u festua ditëlindja e Kryetarit të Degës së Vatrës Michigan, “Pishtarit të Demokracisë”, njërit prej më të parëve të Levizjes Demokratike Shqiptare, poetit dhe publicistit, Alfons Grishaj. Disa nga vatranët e kësaj dege, si Kujtim Qafa, Pjeter Jaku, Mondi Rakaj, Julian Qefa, Vasel Ujkaj etj. organizuan darken festive, duke ftuar edhe disa nga miqtë dhe bashkëpunëtoret e tij. Në darkë mori pjesë edhe famullitari i Kishës së Shën Palit, Don Fran Kola, i cili me një përshëndetje të shkurtër, por domethënëse i dhuroi Alfonsit librin “ Udha e kryqit”. Don Frani, në përshëndetjen e tij theksoi: “ Ju Alfons dhe shumë si ti, vuajtet në ferrin komunist jo për fajin tuaj. Ju vuajtet se nuk e duruat diktaturen, vuajtet se nuk e duruat mohimin e fesë dhe të besimit, vuajtet për gjithëçka u mungonte shqiptarëve në liritë që Zoti ia kishte dhuruar gjithë njerëzimit!”
Alfonsin e uruan dhe pershëndeten me këtë rast Julian Çefa, Vasel Ujkaj, Kujtim Qafa, Pjeter Jaku, Ndue Gjekaj, Elinda Marku, Mondi Rakaj etj. duke i uruar jetë të gjatë dhe suksese në aktivitetin e tij. Nga të afërmit e Alfonsit merrte pjesë bashkëshortja Mirela dhe djali Almi, të cilët u ftuan pas fillimit të darkës nga të pranishmit. Artisti Ndue Gjekaj solli disa vargje për vendin prej nga vinin të parët e Alfonsit, duke e gjallëruar atmosferen gazmore të kësaj mbrëmje.
Alfonsi nga ana e tij falenderoi të pranishmit, duke i marrë emër për emër dhe duke evokuar kujtime nga njohjet me secilin prej tyre. Një falenderim te veçantë pati për Don Fran Kolen, i cili gjeti kohë të marrë pjesë në këtë mbrëmje miqësore festive.(P.Jaku)
GEZUAR DITELINDJEN, ALFONS GRISHAJ
Kryesia e Vatrës dhe Gazeta Dielli urojnë kryetarin e Degës së VATRËS në Michigan, z. Alfons Grishaj, me rastin e ditëlindjes. Gëzuar i dashur Alfons, pac shëndet, gëzime e lumturi në Jetë së bashku me familjen!