• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Padrejtësia e drejtësisë

May 2, 2017 by dgreca

1-alma-Lico-ok-300x170NGA ALMA LIÇO/

Ndonëse tashmë kanë kaluar disa vite, nuk kam mundur të harroj pasojat e parikthyeshme të një krimi makabër ndaj një gruaje fatkeqe. Në rrugëtimin e trishtueshëm të atyre viteve, për shkak të detyrës që kryeja, kam parë e njohur shume raste të tmerrshme keqtrajtimesh çnjerëzore, gra të masakruara, të copëtuara, madje dhe me kokë të prera. Por nuk e di, pse atë të gjorë, të ngujuar së bashku me fëmijët e mitur në një Qendër–burg,  nuk arrita dot kurrë ta fshij nga kujtesa. Ndoshta për absurditetin flagrant të trajtimit të papërgjegjshëm dhe mizor nga  institucionet që duhet të japin e garantojnë Drejtesi, të cilat për fat të keq mbeten në të tilla nivele shkeljesh kriminale edhe sot e kësaj dite…….

…….Pas një rruge të gjatë e të mërzitshme, më në fund makina me të cilën udhëtoja, u ndal para një ndërtese që mesa dukej sapo ishte restauruar. Muret e larta rrethuese e veçonin atë godinë-burg nga hapësirat përreth. Një portë e madhe prej hekuri, mbi të cilën dalloheshin kamerat e sigurisë, ishte vendosur në pjesën anësore të atyre mureve. Shtypja e cetofonit mundësoi disa sekonda me pas hapjen e saj me kërkëllimë. Në anën tjetër të portës, një vajzë e buzëqeshur më ftoi brenda. U prezantua si punonjëse në atë Qendër. Ajo ishte njoftuar për mbërritjen time dhe po më priste. Me të njejtën kërkëllimë gërricëse, porta u mbyll sapo kapërceva pragun e saj.

Disa fëmijë që po silleshin vërdallë në oborrin e ngushtë, u ndalën dhe kthyen vështrimin e pasigurtë e të kuriozuar drejt meje. Mbërritja e një personi të panjohur në atë ambient të izoluar ishte diçka e pazakontë. Një copëz dielli, që vështirësisht arrinte të depërtonte përmes atyre mureve, arrinte të ndriçonte pakëz dhe për ta. Pasi i përshëndeta me disa fjalë përkëdhelëse, hyra në hollin e ndërtesës.

Pranë një dritareje që ndodhej në pjesën ballore të saj, një zonjë e re fytyrëvrarë, e ulur në një karrike plastike, dukej sikur po më priste. Ishte pikërisht gruaja që duhej të takoja. Aty e mbyllur në atë Qendër “integruese” që më shumë se e tillë, dukej si vend izolimi, e përhumbur, ajo po priste.

Situata e rënduar psikologjike, e ndërthurur me një lloj ndrojtjeje dhe përulësie ishte mëse e dallueshme. E zhytur në pasiguri, përgjërohej për ndihmë. Ajo e gjorë kërkonte garanci për jetën e saj të rrezikuar. Kërkonte të jetonte e sigurtë, së bashku me fëmijët e saj, jashtë atyre mureve bllokuese.

Unë as që e njihja. Duke luftuar me vetëpërmbajtjen time, u afrova pranë saj. Mbi fytyrën e drobitur e ligështuar, shquheshin gjurmët e plagëve dhe keqtrajtimit çnjerëzor. Në flokët e rralluar dallohej tek tuk ndonjë thinjë, që më shumë se për shkak të moshës, duhej të ishin pasojë e jetës së zvarritur mes ankthit dhe vuajtjeve. Pa mundur ta shmangija dot, vështrimi im u ndal në zgavrën e syrit të majtë, në të cilin ishte vendosur një topth i qelqtë. Si për të dëshmuar pa fjalë makabritetin e fatkeqësisë së saj, ajo uli kokën dhe sfera prej xhami u rrokullis në pëllëmbën e dorës së dridhur. Sendi i qelqtë, aty në pëllëmbën e saj, dukej aq i padobishëm. Ajo sferë e xhamtë “lebetitej” për atë funksion të mrekullueshëm, të cilin nuk mund ta përmbushte dot kurrë. Nuk mund t’i rikthente asaj të gjore dritën e syrit, dhuratën më të çmuar të Zotit. Ndërkaq, zgavra e mbetur bosh dukej sikur pikonte gjak dhe lot njëkohësisht. Heshturazi, ai boshllëk i panatyrshëm akuzonte gjymtimin çnjerëzor të pësuar.

Pasi e mblodhi pakëz veten, përmes lotëve dhe ngurrimit, zonja e mbijetuar më rrëfeu se martesa e saj kishte qenë një sajesë, një kombinim i pa arsyeshëm që ndodhte rëndom në familjet patriarkale të zonës nga ajo vinte. Që në fillimet e saj, asgjë nuk kishte shkuar mirë në jetën bashkëshortore të asaj vajze të gjorë. Dhuna dhe keqtrajtimi nga bashkëshorti ishin bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë që përpëlitej mes mundimeve. As ardhja në jetë e fëmijëve, nuk e kishte përmirësuar aspak atë situatë. Askush nuk arrinte të kuptonte që durimit të saj po i vinte fundi. Madje, as prindërit nuk e kishin mbështetur përpjekjen e dëshpëruar për t’i dhënë fund asaj lidhjeje torturuese. Ata e kishin konsideruar normale një sjellje të tillë në marrëdhëniet bashkëshortore. Për mentalitetin e atyre zonave, por dhe shumë viseve të tjera, vajzat dhe gratë ishin “pronë” e familjes dhe robinja të pushtetit arrogant mashkullor.

Një tentativë e dëshpëruar për t’ja mbathur së bashku me fëmijët, pa asnjë orientim, i kishte kushtuar shtrenjtë gruas së ngratë. Në kulmin e egërsisë për këtë braktisje, i shoqi e kishte ndjekur dhe në mënyrë shtazarake, i qe vërsulur me thikë në dorë, duke i shkaktuar asaj plagë të shumta në trup dhe në fytyrë. Një prej goditjeve e kishte zënë në sy. Përmes ulërimash dhe dhimbjesh të padurueshme, ajo kishte ndjerë shuarjen e dritës së tij dhe kishte humbur ndjenjat. Pas kryerjes së këtij veprimi kriminal, bashkëshorti burracak ja kishte mbathur, duke e lënë gruan gjysëm të vdekur, të gjakosur e nënshtruar nga dhembjet.

Të pranishëm në këtë skenë, të tmerruar, fëmijët kishin filluar të qanin me të  madhe e të rendnin për të kërkuar ndihmë. Një makinë që po kalonte rastësisht në atë rrugë fshati, ishte ndalur dhe kishte shoqëruar ata në spitalin e qytetit më të afërt. Shtrimi në urgjencë dhe operacioni që pasoi, konfirmuan verbërinë e plotë të syrit të dëmtuar.

Teksa dergjej ende në pavion duke luftuar me dhembjet dhe plagët,  bashkëshorti qe arrestuar nga policia. Në mungesë të së ëmës, fëmijët u strehuan tek gjyshërit, në pritje të ethshme për t’u bashkuar sa më parë me të. Ndonëse të vegjël, arrestimin e të jatit e kishin pritur me një lloj lehtësimi. Vuajtjet e së ëmës i kishin rritur e maturuar ata para kohe. Fundja, pas izolimit të të jatit, mamaja e tyre nuk do torturohej më. Por ishin gabuar të gjorët. Ndërkohë që sipas ligjit pritej dënimi së paku me dhjetë vite burg i tij, për turpin dhe papërgjegjshmërinë e Gjykatës, ai u dënua me më pak se dy vite. Si të mos mjaftonte kjo shkelje abuzive, “për sjellje të mirë”,  bashkëshorti–kriminel pas një viti fitoi lirinë.

Dalja e të shoqit nga burgu, riktheu tmerrin e hakmarrjes së mundshme të tij. Prej muajsh ajo zonjë kishte filluar procedurat e divorcit, ndërsa për shkak të dëmtimeve fizike dhe verbërisë së pjesshme po trajtohej me një ndihmë mjerane ekonomike. Të afërmit përpiqeshin ta qetësonin, se pas eksperiencës së burgut, ndoshta babai i fëmijëve të saj kishte zënë mend dhe nuk do provonte t’i afrohej sërish. Por nuk ndodhi aspak kështu. Gruaja e gjorë kishte pasur të drejtë të frikësohej nga instikti kriminal dhe agresiviteti i tij i pakontrolluar. Nëpërmjet një telefonate, ai akuzoi atë si shkaktare të burgosjes së tij. Përmes fjalësh fyese, në vijim e kërcënoi se në rastin e parë të mundshëm do t’ja nxirrte asaj dhe syrin tjetër. E tmerruar sa më s’bëhej, ajo kishte kërkuar sërish ndihmë, dhe me mbështetjen e një organizate dhe asaj të policisë, ishte strehuar prej disa muajsh në atë Qendër të mbyllur. Jeta e saj dhe e fëmijëve zvarritej brenda atyre mureve, në mungesë totale të lirisë, ndërsa për ironi dhe tragjizëm, agresori i saj bridhte i lirë e i patrazuar në ushtrimin e instiktit kriminal e ndëshkues të tij.

Një grua e pambrojtur, një nënë e zënë në kurth. Ajo ëndërronte të ishte e lirë, dhe të mundej të ndërtonte një jetë pa terror e frikë për vete dhe fëmijët. Në kërkim të hapësirës, sakaq, një pikë loti fluturoi bashkë me të në lëndinat e gjelbëruara, në mes maleve të mahnitshme, luleve shumëngjyrëshe dhe cicërimës së zogjve, ku ajo kishte kaluar vitet e fëmijërisë. Por si mund të garantohej jeta e saj jashtë atyre mureve, kur i shoqi  shihej të vërtitej herë pas here si hijenë rrotull asaj godinë????? Teksa e shihja aq të pashpresë, pyesja veten, nëse kishte guxuar ajo e gjorë në rininë e saj të ëndërronte për një të ardhme ndryshe dhe të kishte mundësi të luftonte për t’a bërë atë realitet? A kishte dëshiruar të arsimohej, apo të zgjidhte vetë shokun e jetës?  Vallë, a kishte shpresuar të mirëkuptohej e të mbështetej nga ata që e kishin sjellë në jetë????

E gjendur në vështirësi, u përpoqa t’i shpjegoja zonjës besimvrarë procedurat ligjore që lidheshin me mbrojtjen e saj. Si mund ta bindja se e vetmja mënyrë për t’i garantuar jetën, ishte qëndrimi i detyruar pas atyre mureve të izoluara? Sakaq, krimineli mund të vërtitej i lirë e kërcënues, ndërsa viktima e tij, nuk kishte rrugë tjetër, veç asaj të ngujimit së bashku me fëmijët e mitur në Qendrën-burg. Cinike dhe çnjerëzore. Kështu kishte vendosur Gjykata.

Gjysëm ore më pas, u largova prej andej, duke marrë me vehte deluzionin e saj dhe pamjet e traumatizuara të vogëlushëve që po u vritej fëminia prapa atyre mureve të errta. Padrejtësia e institucionit që duhej të jepte drejtësi, më fshikullonte vetëdijen. Isha ndjerë aq e pafuqishme për të lehtësuar sado pak robërinë e asaj gruaje të mjerë. E çfarë mund të bëja kundër vendimit të gjykatës????

Të mbështetur dhe inkurajuar nga politika banditeske e korruptive e bijve dhe pinjollëve të komunizmit, shkelje të tilla të ligjeve nga institucionet  e drejtësisë, mbeten aktuale dhe sot e kësaj dite. Si në një treg kaotik perimesh, e drejta është një mall që shitet e blihet. Në këmbim shumash të majme, rrugët janë mbushur me kriminelë të padënuar, grabitës pronash të pandëshkuar, ish pronarë që sorollaten më kot për vite të tëra dyerve të gjykatave. Nën efektin depresiv të nëpërkëmbjes dhe korrupsionit galopant, ka dhe nga ata që dëshpërimisht shkojnë drejt vetëvrasjes. Lamtumira të pathëna, mbuluar trishtueshëm me mjegullën e makutërisë. Dhe gjithë kjo katrahurë ndodh me bekimin e imazhit të drejtësisë së gënjeshtërt,   dhe grackës së pabesisë .

Dhe rezultati i vajtueshëm………..Një grua e verbuar dhunshëm që kërkon pakëz siguri………..dhe katër vogëlushë që përgjërohen të jetojnë fëmijërinë e tyre duke rendur të lirë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO, Padrejtësia e drejtësisë

Pesha e kujtesës

April 3, 2017 by dgreca

Nga Alma Liço/

Ishte një mëngjes i kthjellët dhe i freskët marsi. Dielli ndriçonte me tërë shkëlqimin e tij, frymëzues, siç ai di të jetë në stinën e magjishme të pranverës. Kaosi i makinave dhe kalimtarëve në rrugët e qytetit, sikur e zbehnin disi atë magji. Muri me kangjella anash trotuarit tek i cili  po kaloja, më bëri të kuptoj se isha pranë shkollës për ku isha nisur. Teksa po hyja në ambientet e brendshme të saj, seç më pushtoi një emocion i veçantë. Ndonëse, vizita në atë shkollë ishte planifikuar nga një Organizatë që aktivizohej prej vitesh në fushën e kujtesës kolektive të periudhës së komunizmit, nuk mundesha ta shmangija dot refleksionin e një nostalgjie të hidhur. U rrethova nga retrospektiva e mjegulluar, mbuluar me re të purpurta. Ishte kaq prezent një mendim i trishtë, një marrëdhënie e vështirë, një trazim turbullues që kishte në themel të tij fyerjen, flakjen e refuzimin.

Jo pa kureshtje, ndesha fytyrat e shkujdesura të disa të rinjve që rendnin disi të përgjumur, për të mbërritur sa më parë në klasat e tyre. Ndoshta, një natë më parë kishin lundruar për shumë orë në internet, fenomen ky i kthyer tashmë në epidemi. Gjithsesi, edhe për ta, ajo ditë do të ishte disi ndryshe nga të tjerat. Sakaq, koridoret e shkallët gumëzhinin nga zërat e të rinjve që përshëndesnin dhe i uronin mirëmëngjesin njeri tjetrit.

Në pjesën ballore të hollit të shkollës, përbri shkallëve që lidhin katin e parë me të dytin, ishte vendosur një tabelë e madhe.U afrova. Mbi të ishin ekspozuar fotot e nxënësve të dalluar. Djem dhe vajza që shkëlqenin nga vlerësimi dhe suksesi. Po përpiqesha t’i përfytyroja këta të rinj rrezatues në bankat e universiteteve me prestigjioze të botës, dhe kjo ishte mëse e arsyeshme dhe e mundur. Pavarësisht vështirësive që mund të lidheshin me situatën specifike dhe gjëndjen ekonomike të familjeve të gjithsecilit, ata djem dhe vajza ishin të lirë të ëndërronin e të fluturonin drejt aspiratave të së ardhmes.

Në mënyrë të natyrshme, u vendosa nën ndikimin relaksues të një pritshmërie të ndritshme për perspektivën e tyre, por për analogji, nuk kisha si të mos kujtoja se dyzet e tre vite më parë, pranë portretit të diktatorit, slloganeve absurde komuniste, e disa fotove të tjera, ishte edhe një foto e trishtuar, pikërisht një foto e imja, e vendosur mbi një tabelë të tillë, që ishte bërë shkak për të më flakur nga shkolla. Dikush që kishte dijeni për internimin e familjes sime, më kishte njohur në atë fotografi. Përpjekja cfilitëse për të qenë e padukshme, larg çdo protagonizmi, kishte rezultuar e padobishme. Unë, vajza e një familjeje të shpallur armike për shtetin komunist, nuk kisha të drejtë të arsimohesha. Duhej të degdisesha pranë familjes sime, për t’u mbytur në baltën e shtypjes dhe mizorisë, ashtu sikurse edhe ndodhi.

Hëmmmm……Vallë, do arrinin të kuptonin këta të rinj që buzëqeshnin hareshëm nga fotot me ngjyra të krenarisë e vlerësimit, se një moshatarja e tyre, dyzet e tre vite më parë, u flak në rrugë vetëm se guxoi të prekte suksesin????? Do mundesha vallë unë, që me dëshmitë e kujtimet e mia, të hidhja dritë mbi mizorinë e viteve të diktaturës, që nuk kurseu nga represioni  i saj i përbindshëm as krijesat më të pafajshme, siç janë fëmijët ?

Sado e vështirë të dukej, duhej ta bëja. Së paku duhej të përpiqesha. Politika e post-komunizmit kishte mbuluar me pluhurin e harresës gjithë atë terror të përjetuar gjatë viteve të diktaturës. Një mungesë e theksuar vullneti kishte shoqëruar domosdoshmërinë e përballjes me krimet e regjimit komunist. Paradoksalisht, ajo periudhë aq e errët e historisë së Shqipërisë vazhdonte të ofrohej e deformuar dhe e tjetërsuar. E si mund të ndodhte ndryshe, kur ajo është konceptuar e shkruar nga pseudohistorianë, të dalë nga tunelet e errëta dhe laboratorët e demagogjisë së diktaturës?

Disa minuta më pas, zura vend në rreshtin e parë të  Bibliotekës së shkollës, e cila mesa dukej shërbente edhe si sallë mbledhjesh apo eventesh të veçanta. Përbri meje, ishte ulur organizatorja e zbatuesja e projektit, dhe fill pas saj, disa nga mësueset e asaj shkolle. Pas nesh u ulën nxënësit, të cilët përmes pëshpëritjeve dhe disa zhurmave të shkujdesura, përcillnin një lloj padurimi për gjithçka do transmetohej e dëshmohej atë ditë.

Stakimi i dritave lajmëroi se ishte gati të fillonte çfaqja e dokumentarit “Fëmijët e Diktaturës”, me protagonistë katër persona, që përmes dëshmive rrënqethëse, do të sillnin tmerret e përjetuara në kampet e internimit. Kujtime fëminore të pashlyeshme, që kishin shenjuar jetët e tyre me gjurmët e mizorisë, ndoshta nga më të pamëshirshmet dhe të pazakontat e të gjitha kohrave. Fëmijë që u dënuan për bindjet politike të gjyshërve apo baballarëve të tyre. Dhe kjo mynxyrë ndodhi në kohë “paqeje”, në periudhën e “ndritur” të ndërtimit të socializmit. Njera prej personazheve të atij dokumentari, isha unë. Ndonëse me shumë vështirësi ja kisha dalë të ballafaqohesha me kujtimet e përballesha me intervistat, të ndiqja atë dokumentar në cilësinë e spektatores, ishte më shumë se dhimbje. Sa do të përpiqesha ta kontrolloja atë, ndjeja një lëmsh në grykë që gati më merrte frymën e më bënte të lotoja në heshtje. Më dukej kaq e pabesueshme, kaq e pamjaftueshme, që ato minuta të regjistruara në atë film, të përcillnin të pacënuar imazhin e pafajësisë dhe të ofshamave të dëshpëruara e të pazëshme të keqtrajtimit, të mbanin barrën e padrejtësisë, të shtypjes, mohimit e refuzimit, të shtrirë fatkeqësisht në aq shumë vite të jetës së një fëmije……….ishte si të thuash, një rikthim i dhimbshëm, por aq i nevojshëm për të ndriçuar sado pak atë të kaluar të tmerrshme, të mbuluar në mënyrë të qëllimshme nga errësira dhe harresa. Ishte një përpjekje modeste për ta sjellë atë në vetëdijen e atyre të rinjve që nuk e kanë jetuar, dhe as e njohin atë epoke me përmbajtje çnjerëzore.

Pesëdhjetë minuta më pas, sigla muzikore dhe titrat lajmëruan përfundimin e dokumentarit. Me duar që më dridheshin u përpoqa të fshija lotët. Ndërkohë, isha e paduruar të mësoja, si i kishin përjetuar të rinjtë ato rrëfime drithëruese, dhe nëse eventualisht kishin dëshirë të drejtonin ndonjë pyetje. Ndryshova pozicion dhe zura vend në një tavolinë tjetër përballë tyre. Paksa e turbulluar, arrita të dalloj vajza të mallëngjyera, djem të emocionuar, por edhe të rinj që me vështrimet e çiltra përcillnin habi, deri në kufijtë e mosbesimit.

Mjaftuan disa minuta reflektimi që, shumë prej tyre të kërkonin më shumë detaje rreth episodeve të tmerrshme të jetës së fëmijëve të diktaturës, dhe jo vetëm. Ndërkohë, kisha arritur të rivendosja ekuilibrin emocional dhe ndjehesha e gatshme të bashkëbisedoja me ata të rinj për paqartësitë apo perceptimin e tyre rreth dëshmive tronditëse të dokumentarit, ngjarje të panjohura e paimagjinuara për ta.

Çuditërisht, fillova të ndjehesha disi e lehtësuar……….të flisja para atyre vajzave e djemve rreth vuajtjeve të jetuara, e paçensuruar, e pashantazhuar, ishte një lloj “hakmarrjeje” e paqtë ndaj mizorive të pësuara. Sa bashkëvuajtës nuk e patën kurrë fatin të ndanin dhimbjen e tyre me persona të tjerë?  Sa shumë syresh, mbyllën sytë në kampet e internimit apo prapa hekurave të burgut, pa mundur të shijojnë, qoftë edhe një ditë të vetme,  lirinë? Sa fëmijë vdiqën tragjikisht në kapanonet-stalla, rrethuar me tela me gjemba, nga uria apo i ftohti? E pra, isha e privilegjuar. Vërtet, ndjehesha me fat atë moment. Një orientim, një forcë e padukshme, më kishte dhënë të drejtën të dëshmoja dhe në emër të tyre.

Me sinqeritetin karakteristik të moshës, disa prej të rinjve sollën përvojat e vështira të qëndrimit të familjeve të tyre në raport me diktaturën. Dikush ankohej se nuk arrinte të bindte gjyshin komunist për mungesën e lirisë së atij sistemi, dhe dikush tjetër për varfërinë dhe izolimin e tejskajshëm të atyre viteve. Madje, disa syresh, sillnin histori të trishta të persekucionit familjar, të rrëfyera nga prindërit apo gjyshërit e tyre.

Papritmas, bashkëbisedimi emocional me ata të rinj u ndërpre nga një mësuese që ishte ulur në rradhën e parë. E prishur në fytyrë, ajo nuk po duronte dot që nëpërmjet fakteve të pakundërshtueshme, po guxohej të demaskohej sistemi, me të cilin, me sa dukej e lidhte indoktrinimi dhe interesat meskine të familjes së saj. Gjithçka m’u errësua. Në mënyrë të pakuptuar, imazhi i asaj gruaje të mllefosur m’u çfaq në një tjetër sfond. Në sytë e imagjinatës m’u fanitën dhjetra gra e vajza  të shfytyruara, të poseduara nga pushteti demoniak i diktatorit, që qanin e ulërinin në funeralin e tij. Disa prej tyre çirrnin fytyrën dhe shkulnin flokët. Sa tragjike, po aq dhe paranojake, ato pamje dhe fytyra të vrara e përçudnuara nga kequshqyerja dhe trajtimi kafshëror. Ajo mësuese që turfullonte, m’u duk njera prej atyre grave mjerane, që ngjasonin me paciente fatkeqe, që sapo kishin braktisur dhunshëm spitalin psikiatrik.

 

….O Zot…..Ndonëse kanë kaluar tridhjetë vite nga koha kur diktatori  ndërroi jetë, a mundet  vallë që fantazma e tij të endet e patrazuar, duke vijuar sot e kësaj dite të helmojë jetët tona ???

 

E nxirë kokë e këmbë, ajo mësuese shprehu pakënaqësinë për zhvillimin e atij aktiviteti, duke kërkuar që për ekuilibër eksperiencash të ftoheshin dhe veteranë të luftës që të rrëfenin përvojën e tyre të lumtur e të lavdishme gjatë viteve të diktaturës.

 

Ajo grua e ekzaltuar, nuk pranonte dot asnjë realitet tjetër, përveç atij të imponuar me dhunë nga idhtarët e saj. Një mësuese, një edukatore që duhej të përcillte dashuri, mirëkuptim, pse jo, dhe keqardhje prej gruaje a nëne, për terrorin e pashembullt që shqiptarët, xhelatë të regjimit,  u shkaktuan bashkëkombasve,  për më tepër,  që në rastin konkret  viktimat ishin fëmijë.

 

Reagimi i asaj mësueseje ishte surprizë e pakëndëshme për mua. Nuk isha aq naive sa të besoja se nostalgjia dhe fanatikët e sistemit komunist nuk ekzistojnë, madje për fat të keq, janë me shumicë dhe prezentë me të gjithë vrerin e tyre,  por kisha shpresuar se, së paku ajo ditë e mbushur me rrëfime tronditëse, nuk do të kishte hapësirë për kundërshti të tilla. Dëshmitë e kobshme të asaj dite, ishin mëse të mjaftueshme, që në respekt të atyre dhimbjeve, të fiksuara në vetëdijen e lënduar të katër fëmijëve, në mungesë  totale të ndjeshmërisë së asaj mësueseje, së paku të heshtej.

 

Nuk kisha asnjë shtysë të replikoja me atë zonjë të vrerosur, pasi qëllimi i bashkëbisedimit me të rinjtë, ishte përcjellja me vërtetësi e episodeve të jetuara nën terrorin e atyre viteve. Ajo nuk kishte asnjë dëshirë të zgjohej, madje e refuzonte me kokëfortësi e agresivitet një mundësi të tillë. Ishte e destinuar të qëndronte e palëkundur në letargjinë e intolerancën e saj të pafund, dhe të mos shkëputej kurrë nga indoktrinimi prej skllaveje të bindur.

 

……E çliruar, por dhe e trishtuar njëkohësisht, dy orë më pas, u larguam nga ajo shkollë, të përcjellë me falenderime të përzemërta nga nxënësit, të cilët nxituan më pas drejt klasave të tyre. Sakaq, dielli kishte vazhduar rrugëtimin e tij të pandalshëm, dhe unë ndjeja të më përshëndeste nga lartësia. Një re e bardhë, vetmitare, nxitonte për t’u larguar sa më parë nga hapësira e kaltër. Ngrohtësia e asaj dite ishte bashkuar me imazhet e qindra mijra viktimave që endeshin të pasigurt në labirintet e harresës dhe të indiferencës. Zërat e tyre në hapësirë, ngjasonin me tingujt e një simfonie qiellore që bashkohej modestisht me rrëfimin e sinqertë e drithërues të personazheve të asaj dite. Nga kullat e kështjellës së neglizhencës përsëritej ngultas refreni i lirisë së mohuar dhe drejtësisë së munguar. Ata tinguj përcillnin thirrjet inkurajuese të zërave të kujtesës….

 

……Mos harrojmë, kurrë mos harrojmë atë që ka ndodhur.Nuk mund të ecim në drejtim të dritës, pa ndriçuar më parë errësirën, në gërmadhat e së cilës kemi qenë të detyruar të përpëlitemi e zvarritemi për gjysëm shekulli. Ia kemi borxh vetes tonë, ia kemi borxh qindra- mijëra viktimave që nuk arritën t’i mbijetojnë tmerreve të diktaturës, i detyrohemi perspektivës, aktualisht të konfuzuar të fëmijëve që lindën dhe po rriten në vitet e post-komunizmit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma LIÇO, Pesha e kujtesës

Lëngim në trotuar

March 2, 2017 by dgreca

1 alma Lico ok

NGA ALMA LICO*/

E shoh cdo ditët ulur mbi një karton të vjetër të kutive të ambalazhit. Aty në trotuar, pranë portës anësore të godinës së Presidencës. Nuk e di nëse e sjell dikush në mëngjes, apo mbërrin aty duke u zvarritur. Ai nuk ngjet aspak me lypsat që kërkojnë lëmoshë, madje dhe duke fshehur njerën këmbë që të ngjasojnë si të gjymtuar. Asgjë manipuluese nuk ka në  qëndrimin e tij.  Eshtë për të ardhur keq.

Ndoshta nuk i ka mbushur ende të dyzetat. Disa rroba të rreckosura mbulojnë trupin e drobitur, që tretet dita ditës. Ndërsa gjysmën e fytyrës e ka të mbuluar me një maskë prej cope të çngjyrosur. Herë pas here mbështet kokën në murin rrethues të presidencës. Duket sikur i vjen rëndë për situatën në të cilën ndodhet. Me sytë e lodhur dhe të pashpresë veshtron kalimtarët që kalojnë indiferentë para tij, madje nuk ja hedhin as sytë. Disa qindarkave të hedhura kuturu mbi karton, u shtoj dhe unë herë pas here ndonjë të tillë. Me dhimbje has vështrimin e tij të shuar. Nuk mundet as të bëlbezojë ndonjë falenderim të mekur. Madje dhe sytë mezi përcjellin një mirënjohje të veshur me petkun e pamjaftueshmërisë. E ç’mund të bëjë me aq pak të holla? A mund ta zgjidhin hallin e tij………shumë shumë mund të mjaftojnë për ndonjë kothere bukë.

..Jam me kancer…një tabelë e shkruar nga një dorë e dridhur varet në gjoksin kockë e lekurë……Jam me kancer.

E shoh mëngjeseve, ndonjëherë dhe pasditeve. Rruga për të shkuar në punë kalon pikërisht aty. Ndonëse nxitoj për të kapur autobuzin e për të mbërritur në orar në institucionin ku punoj, në mënyrë të  pashmangshme përjetoj trishtimin e një jete të re që po shuhet, pa përpjekjen më të vogël për ta shpëtuar. Dhe pamundësia për ta ndihmuar atë të gjorë përplaset çdo ditë në vetëdijen time të lënduar. Nuk di si të jem e dobishme për të. Nuk e ndihmoj dot. Ata mbase po. Ata të pushtetshmit, ata të fortët që kalojnë çdo ditë me makina luksoze para syve të tij, ata të kollarisurit………..Por ata nuk shohin. Xhamat e errët dhe xhepat e fryrë ua kanë zënë pamjen. Janë kaq të verbuar dhe të pashpirt.

As ato të pispillosurat nuk munden ta ndihmojnë. Madje as t’i hedhin sytë. Të trukuara e parfumuara, përmes të qeshurash të shtirura dhe bajate, kalojnë me qesëndi para tij dhe rendin për t’u ulur në Baret e ish-bllokut, për të zvarritur atje orë të tëra, pa asnjë kuptim, në kërkim të ndonjë të dashuri të pasur. Ehhh……veshjet firmato janë të shtrenjta, edhe bizhuteritë, edhe gjithçka tjetër që lidhet me jetën e tyre parazitare, të shndërruar në një paradë të gënjeshtërt dhe boshe.

E shoh çdo ditë, në pritje të jetës. Instikti i mbijetesës, me instrumentat e tij të mëshirshëm, e ndikon dhe atë të ngratë. Ai nuk flet. Gojën e ka të mbuluar nga maska. Poshtë saj arrij të dalloj shkatërrimin dhe shtytyrimin që i kish shkaktuar kanceri. Dhe ai vazhdon e pret……….stoik, i mbledhur grusht…..Por çfarë pret ai i gjorë? A është shtruar ndonjëherë në spital e më pas është flakur prej andej për mungesë të hollash?……….E shoh të shuhet dita ditës.

Një muaj më pas,  ai karton në rrëzë të atij trotuari ishte bosh. Vallë ku është ai i mjerë? Ndoshta ka mbyllur sytë për të udhëtuar drejt një vendi më të mirë se ai që i rezervoi kjo botë e pandjeshme dhe cinike. Njeri nga pastruesit e rrugëve nxitoi për ta palosur me neveri atë ambalazh, për ta flakur më pas në një kazan mbeturinash. Ai dëshmitar i dhimbjes dhe indiferencës u bashkua me plehrat e tjera. Nuk mbeti më asnjë gjurmë nga ai lëngim i gjatë në trotuar.

….U largua nga kjo botë cinike, i braktisur nga të gjithë, mbuluar nga një batanije e rreckosur, aty, ngjitur me selinë e Presidentit, në shi dhe në diell…..aty ku flitet për humanizmin dhe  të drejtat e njeriut, aty ku jeta ’’vlen’’ me shumë se gjithçka.  Askush nuk do ta ndjejë ikjen e tij, as mungesën e atij qyqari të paemër. Nuk e ndihmova dot. E për çfarë vlen keqardhja ime?  Ajo nuk më bën më të mirë se të tjerët……………

* Autorja eshte mbesa e ish Editorit te Diellit, Dr. Edward Lico, Editor i Diellit në mesvitet ’80 deri në 1990. Autor i shumë artikujve, analizave, editorialeve. Ai publikoi edhe librat “Skenderbeu”, botim i Vatrës, libër studimor me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, libër i botuar me 1968, me 204 faqe. Po ashtu është autor i librin”Flamurtari i Kombit”, kushtuar Fan S. Noli, me rastin e 100 vjetorit të Lindjes.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Alma LIÇO, Lëngim në trotuar

Mikeli i vogël

February 24, 2017 by dgreca

 

Nga Alma LIÇO /1 alma Lico ok

 Ashensori filloi të ngjitej në katin e nëntë. Me tim bir për dore dhe një çantë të madhe në krahun tjetër, mezi prisja që ai të ndalej. Ajo kuti metalike sikur më merrte frymën. Si për të kundërshtuar atë hapësirë bllokuese, brenda pak sekondash solla në vëmendje rrugën që kisha përshkuar për të mbërritur në atë spital. Udhëtim mjaft i gjatë. Dy net më parë isha nisur nga porti i Durrësit në drejtim të qytetit të Barit, e më pas drejt Romës. Në mënyrë spontane, kujtesa më riktheu orët e fundit të udhëtimit me traget. Duke shpërfillur të ftohtin e orëve të para të mëngjesit, e hipur mbi kuverdën e anijes, kisha shijuar pafundësisht kaltërsinë e mrekullueshme të detit Adriatik. Në mes të shkumëzimit të lehtë të valëve, kisha kundruar vallëzimin e meduzave që si abazhurë të mahnitshëm, dukej sikur shoqëronin lundrimin tonë. Dhe në fund të horizontit, në muzgun e përhimë e të mjegulluar të atij mëngjesi,  ishte çfaqur qyteti i Barit. Dukej i përgjumur…..

E zhytur në këtë kujtim dhe ëndërrim ledhatues, harrova ku isha dhe nuk po e kuptoja se ashensori ishte ndalur në katin ku duhej të zbrisnim. Zëri i  ulët dhe i rezervuar i tim biri…..mam, arritëm, ……, më “zgjoi” nga kjo përhumbje. Vërtet. Kishim arritur në koridorin para pavionit ku ai do të shtrohej.

Një aparat vetshërbimi i kafesë, i cili mesa duket sapo ishte vendosur, shpërndante një aromë të këndshme. Disa persona po prisnin rradhën për të  pritur gotat e vogla plastike që lëshonin avull. U tundova dhe unë të ndalesha e të pija me shpejtësi një kafe, por më parë duhej të mbaroja punë me veprimet që lidheshin me shtrimin në spital të djalit tim. Gjithsesi, do të kthehesha pas pak për të shijuar kafenë e mëngjesit.

Ishte ditë e bukur shtatori, por hyrja në atë strukturë, më bënte të harroja ndriçimin e  diellit dhe gjithë ngazëllimin që përcjell ai. Pas një operacioni të komplikuar, prej disa vitesh ktheheshim periodikisht në atë spital me emër prestigjoz, në qytetin e Romës, ku im i bir  nënshtrohej kontrolleve të nevojshme. Ishim miqësuar me gjithë stafin, aq sa ndjeheshim si në familje. Me gjithë përkushtimin dhe humanizmin e mjekëve, këto ambiente, gjithsesi mbeteshin të zymta. E si mund të ndodhte ndryshe, kur aty kuroheshin të mitur me sëmundje nga më të rëndat?

Shkëputa dorën që më shtrëngonte im bir, dhe duke u përpjekur të kontrolloja emocionet, shtypa butonin e cetofonit. Nje zë i ngrohtë u përgjigj menjëherë, dhe pasi mësoi kush isha, hapi portën hyrëse të pavionit. Koridori ishte mbushur me të rritur që bisedonin me njeri tjetrin pa entuziazëm, me zë të ulët. Dalja e prindërve të pacientëve të vegjël jashtë dhomave të shtrimit, më bëri të kuptoja se ishte orari i vizitave të mëngjesit. Pasi u përshëndeta me disa prej tyre, e shoqëruar nga im bir që vinte pas meje, hyra në ambulator për të kryer proçedurat e nevojshme burokratike. Disa minuta më pas, dola prej andej dhe u drejtova drejt dhomës ku ndodhej shtrati që ishte caktuar për tim bir.

Në fund të koridorit, me tërhoqi vemendjen një grua rreth të pesëdhjetave, e veshur me rroba tradicionale të malësoreve të veriut të Shqipërisë. Rrinte me kokë ulur, ndjehej prej së largu se ishte e zhytur në mendime të trishta. E kuriozuar së tepërmi, ju afrova dhe pa u menduar e pyeta në gjuhën shqipe se kush ishte dhe pse ndodhej aty. Sytë e saj të burgosuar brenda zvavrave të thella që zinin gjysmën e fytyrës së lodhur e të dëshpëruar, shkëlqyen disi. Më së fundi dikush që fliste gjuhën e saj. Por vetëm pak çaste më pas, trishtimi mbuloi sërish pamjen e vrarë  e të pashpresë  të asaj gruaje.

Pasi drejtoi trupin dhe më zgjati dorën, me zë të shuar, më tregoi se ishte nënë e 11 fëmijëve, dhe se banonte në një fshat, diku në Qarkun e Lezhës. Djalin e vogël të familjes, Mikelin, e kishte shumë të sëmurë. Që fare i mitur ishte diagnostikuar me sëmundje të mëlçisë. Në pamundësi kurimi, në rrjedhën e viteve gjendja e tij ishte rënduar aq shumë, sa e vetmja shpresë e zbehtë ishte trapianti i saj. Ajo grua e varfër nuk kishte menduar kurrë se do t’i krijohej mundësia të shtronte të birin në një spital aq të specializuar. Falë ndihmës së meshtarit të fshatit dhe mbështetjes së një fondacioni, ajo kishte mundur të mbërrinte aty më të birin. Por ndjehej tërësisht e pashpresë. Gjithçka i dukej shumë e vonuar. Duke parë pesimizmin dhe pasigurinë e saj, u përpoqa ta ngushëlloja e t’i jepja kurajo se vogëlushi do tja dilte mbanë. Për këtë m’u nevojit  të tregoja kalvarin e operacionit të tim biri disa vite më parë, të përballuar me sukses.

Ndërsa po vijoja me fjalet e mia inkurajuese, një djalë i vogël , rreth 10 vjeç na u afrua dhe me një pamje të befasuar, më pyeti:

-A flisni shqip-a?

Me sy të shqyer, u mundova shumë të gëlltisja një britmë habie dhe dëshpërimi. Ai vogëlush i sëmurë, me pamje për t’u dhimbsur, kishte barkun të fryrë përtej çdo imagjinate, aq sa mezi mbante ekuilibrin. Ndonëse në rrjedhën e viteve, në korridoret e atij spitali kisha parë shumë fëmijë të fashuar, të operuar me sëmundje nga më të tmerrshmet, baballarë që vajtonin, nëna që shkulnin flokët, kurrë më parë nuk kisha ndeshur diçka të tillë. Fytyra e venitur, por çuditërisht dhe e lumtur e atij të mituri, si dhe pyetjet naive që më drejtoi në dialektin e bukur verior, sikur më çtensionuan dhe më kthyen disi në normalitet. Disa minuta më pas isha bërë shoqe e atij fëmije, dhe po bisedonim se bashku si dy miq të vjetër. Teksa i përkëdhelja flokët, po mendoja se bota e dlirë e fëmijëve është e aftë ta gjejë gëzimin dhe aty ku ai nuk ekziston.

Duke bërë edhe ndonjë shaka, së bashku me të ëmën e shoqërova në dhomë. Mikeli i vogël, me shumë vështirësi u ngjit në shtratin e tij. Menjëherë pas nesh aty mbërriti dhe djali im me një loje elektronike në dorë. I bërë kurioz nga aparati i lojës, por dhe nga kënaqësia se kishte mundësi të fliste gjuhën e tij,  vogëlushi u përgjërua të qëndronim aty. Kishte rreth një muaj që komunikonte veç me të ëmën, në pritje të trapiantit të mëlçisë. Pavarësisht gjendjes së tij të rënduar, dinte aq bukur ta shprehte entuziazmin. I ekzaltuar, dukej sikur fluturonte së bashku me makinat e vogla që garonin në ekranin e asaj loje, të cilën ai mësoi ta përdorte menjëherë.

Ditët në vijim, pjesën më të madhe të kohës e kaluam në shoqërinë e vogëlushit dhe të së ëmës. Mjekët e ndiqnin me kënaqësi gëzimin, që pavarësisht situatës shëndetsore, arrinte të përjetonte ai vocrrak. Më shumë se kushdo tjetër, ai fëmijë kishte nevojë për momente të bukura. Ishte aq e paqartë e ardhmja e tij .  Mikeli e dinte çfarë kishte. Madje, po aq mirë e dinte pse ndodhej aty.

Ankthi i pritjes, i shoqëruar me atmosferën mbytëse të pasigurisë të së nesërmes, ishte kaq i mundimshëm. Sidomos për nënën e tij.  Ditë e netë që rrokulliseshin në kërkim të shpresës, në kërkim të jetës. Herë pas here, vogëlushi dilte duke u mbështetur pas mureve të koridoreve, sikur të dëshironte t’u kujtonte mjekëve se ai ishte aty, duke pritur. Ndonëse të mbytur në punë, ata nuk ishin aspak indiferentë pranë atij vogëlushi aq të sëmurë që priste shërimin nga duart e tyre. Ndërsa nxitonin,  përkëdhelnin lehtësisht supet e pazhvilluara,  dhe i pëshpërisnin ndonjë fjalë ledhatuese në italisht.

Dy javë më pas,  qëndrimit tonë në atë spital i erdhi fundi. Kishim mbaruar punë me kontrollet rutinore dhe duhej të linim spitalin e të ktheheshim në shtëpinë tonë. Nuk do ta harroj kurrë dëshpërimin e Mikelit, kur mori vesh se ne po largoheshim. Për herë të parë, pas atyre ditëve të qëndrimit aty,  pashë lot në sytë e tij të bukur, por të lodhur. Fundja, ne kishim arritur të sillnim një copëz të vendit të tij, nga i cili nuk ishte larguar asnjëherë dhe që i mungonte aq shumë. Duke e përqafuar, i premtova se do ta vizitoja në shtëpinë e tij, kur të kthehej në Shqipëri , i shëruar. Këto fjalë sikur e qetësuan atë, dhe duke tundur dorën kërthi , na uroi rrugën e mbarë. E ëma na përcolli deri në fund të koridorit , dhe ajo me lot në sy…….

Tre ditë me vonë,  u kthyem në Shqipëri. Ndonëse gjithçka kishte shkuar mirë në kontrollin mjekësor të tim biri, shtrimi i fundit në atë spital më kishte lënë një shije mjaft të keqe. Nuk kishte ditë të mos e mendoja Mikelin e vogël.

Ç’bëhej vallë me të ? A kishte mundur të operohej? Si kishte shkuar operacioni që në konsideratën e atyre mjekëve të mrekullueshëm ishte aq delikat ??? …Këto pyetje po më torturonin.  Ndjeja nevojë të ethshme për një përgjigje….. Po ku? Si?….Familja e vogëlushit nuk kishte telefon. Kë të pyesja?

Ah……po……u kujtova se kisha ruajtur një numër telefoni të sekretarisë së pavionit……..Duke ngurruar, me emocion, mora në dorë receptorin e telefonit, dhe me duar që po më dridheshin formova numrin. Disa sekonda më pas u përgjigj një zë gruaje, të cilin e njoha menjëherë. Në mënyrë të sjellshme prezantoi veten dhe në të njejtën kohë kërkoi identitetin tim, si dhe të shpjegoja shkakun e telefonatës. Për një moment ngurrova. Informacioni që më nevojitej nuk kishte lidhje me tim bir. Por padurimi për të mësuar rreth fatit të Mikelit, sikur e paralizoi faktin që nuk kisha asnjë të drejtë të bëja pyetje që lidheshin me pacientë të tjerë. Sekretarja heshti pak. Më pas, ajo u kujtua menjëherë për afeksionin që unë pata për atë fëmijë. Më kishte parë me dhjetra herë pranë shtratit të vogëlushit, tek bisedoja dhe bëja shaka me të. Madje, në disa raste ishte përfshirë miqësisht në bisedat tona……..Por……nuk po më pëlqenin notat e trishtimit në zërin e saj. Nëpërmjet receptorit ndjehej dihatja e dëshpëruar…….dhe më pas arriti të më thoshte se  trapianti ishte kryer një javë pasi ne kishim lënë spitalin……ai operacion aq i vështirë që kishte zgjatur nëntë orë, ishte përballuar nga Mikeli…..por disa orë më pas, vogëlushit i kishte ndodhur një komplikacion i tmerrshëm….ai kishte hyrë në koma, dhe dy ditë me pas kishte ndërruar jetë……….

Teksa po dëgjoja këto fjalë, lotët filluan të më rridhnin mbi fytyrë…..mezi bëlbëzova një “Grazie” të thatë dhe ula receptorin. Qava e qava sikur të kisha humbur një person shumë të shtrenjtë. Një jetë e pajetuar, e shuar në mënyrë aq të padrejtë, viktimë e pamundësisë së kurimit në një vend të pashpirt  si ky i yni.  Ai vogëlush mbërriti shumë vonë atje, kur  ishte pothuajse i pashpresë. Përpjekja e dëshpëruar për t’i rikthyer shëndetin dhe bashkë me të dhe jetën, rezultoi e pamundur.

Sa dëshironte ai vogëlush të kthehej në familjen e tij të madhe që mezi e priste. Të kthehej i shëruar. Por nuk qe e thënë. Ai kishte mbërritur në fshatin e lindjes i mbyllur në një arkivol të vogël.

E brengosur sa më s’ka, kujtova premtimin që i kisha bërë. Do të shkoja ta takoja pasi të kthehej nga spitali. Disa ditë më pas udhëtova me fugon drejt fshatit të tij. Binte shi i lehtë atë ditë. Një kalimtar i rastit më tregoi ku ishin varrezat. Pa vështirësi e gjeta varrin ku prehej trupi i pajetë i Mikelit. Lulet e vendosura nga familjarët dhe të afërmit,  të njomura me bulëza uji nga shiu i asaj dite, ishin ende të freskëta. Një kryq prej druri dhe pranë tij një foto e vogëlushit, më riktheu buzëqeshjen e dlirë të atij fëmije, që nuk mundi dot të rritej e të bëhej burrë. Dukej sikur më falenderonte. I shndërruar në engjëll, isha e bindur se në ato momente e kisha pranë. Mes lotësh e përkëdhela atë foto dhe vendosa lulet që kisha me vehte. Teksa largohesha, ndjeja se më ndiqte nga pas vështrimi i tij mirënjohës, i shoqëruar nga lamtumira e pathënë.

……..Lutu vogëlush, lutu engjëll i vogël që asnjë fëmijë tjetër të mos humbasë jetën se vendi i mbrapshtë ku pati fatin të lindë, nuk  arriti ti krijojë mundësinë e kurimit. Lutu. Unë Jam me ty. Do të lutem bashkë me ty.

Më pas,  një vizitë e shkurtër në familjen e tij……..më priti  e ëma e kthyer në një statujë të zbehtë dhe shumë gra e vajza veshur me të zeza, që hynin e dilnin në heshtje……….i dhashë dorën dhe mezi bëlbëzova disa fjalë që thuhen e përsëriten në të tilla raste…..……

…..Vallë a mund të gjenden fjalë të ngushëllojnë një nënë për humbjen e të birit????

Filed Under: LETERSI Tagged With: Alma LIÇO, Mikeli i vogël, Tregim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT