Nga Ramiz LUSHAJ/
1.Në historinë botërore tashmë ka hyrë një datë e vecantë: 11 shtatori i vitit 2001, që sivjet i përkujtojmë 13-vjetorin, çka na bën të kemi dhimbje e nderim për tragjedinë e viktimave njerëzore të kësaj dite; formon një apel ndërkombëtar për luftën e pambaruar kundër terrorizmit në kohën e hapësirat e shfaqjes së tij; përbën një epope qëndrese të shumanshme amerikane e solidarizim shumplanësh të komunitetit ndërplanetar .
Kjo datë në paralelet dhe meridianet e globit tokësor nuk është start i një Lufte të Tretë Botërore të një lloji tjetër dhe nuk përbën as Luftën e 11-të të SHBA, por është një Luftë e Pambaruar për Paqe Botërore.
Kjo datë nuk e ka ndrruar Botën e sotme, por tregoi faktin se sa shumë ka ndrruar Bota në këtë Mijëvjecarin e Tretë.
Kjo datë dëshmoi edhe dicka tjetër: Kush është Amerika për Amerikën dhe kush është Amerika për Botën.
2.11 Shtatori tragjik i vitit 2001 është një histori e përseritur e Peal Harbor të 7 dhjetorit 1941 në ishujt Hauai të SHBA, me të vetmin ndryshim se para 13 vitesh Amerika u sulmua nga brenda hapësirës gjeopolitike të saj, ndërsa para 73 vitesh u sulmua nga jashtë territorit të saj.Po ka edhe dicka tjetër: Në rast se më 1941 kamikazët kishin për adresë një shtet të vetëm ndërluftues, tashmë ishte një armik i pa atdhe, i pa ngjyrë, i pa fe, i pa besë – terrorizmi ndërkombëtar i sofistifikuar pas emra organizatash e individësh, që në gjak kanë bomba e trurin e droguar për gjakderdhje.
Në të dy rastet Amerikën e sulmuan për t’ia humbur krenarinë e sovranitetin e saj dhe në të dy rastet Amerika fitoi në vetëvete e doli përtej vetëvetes për të ruajtur e lartësuar dinjitetin, paqen e lumturinë e Botës.
Sot Amerika është strategjike për Vetëveten dhe për Botën në të dy anët e saj: në Lindjen Atlantike për Europën dhe në Perëndimin Paqësor për Azinë, cka i ngjan një peshoreje graviteti ekonomik e ushtarak për këto dy kontinente, që aktualisht në lidhjet e saj anon nga ana europiane me Bashkimin Europian, Federatën Ruse e shtete te tjera mesdhetare e nordike, por në të nesërmen e afërt e të shpejtë mund të anojnë edhe nga ana aziatike me Kinën e Indinë të shumëpopulluara e të tjera shtete të kësaj hapësire…
Sot Bashkimi Europian, për nga ana e konsolidimit si Union, është 200 vjet pas Amerikës, ndërsa nga ana ushtarake, Amerika është 50 vjet përpara Europës..
Sot Amerika, për nga tregtia shumëplanëshe, mbulon 51 për qind të asaj botërore.
Pra, Amerika është Amerikë.
Ndaj 11 shtatori 2001 nuk e donte të tillë.
3.11 shtatori nuk është ngjarje tragjike e një date, por janë disa ngjarje të këtilla në Amerikë, të drejtuara kundër Amerikës, që cuan te kjo ngjarje tragjike: është vendosja e bombës në Uorld Trade Center në vitin 1993: është goditja terroriste me bombë në një pallat me zyra në qytetin Oklahama më 19 prill l995; është tjetër goditje në një pallat banimi në Khobar Touers; është akti terrorist në ambasadat amerikane në Kenia e Tanzani; ështeë goditja me bombë në USS Cole në vitin 2000.
4.11 shtatori Amerikën nuk e gjeti në gjumë, por Bota kishte rënë disi në qetësi, biles edhe pas goditjes në Kullat Binjake e në Pentagon shumëkush priste rënien e Amerikës dhe kundërgoditje ndaj terrorizmit të rishfaqur në mënyrën më cnjerëzore e me gjakderdhje të mijëra viktimave të pafajshme
Cuditërisht Jelcini në Pallatin e Bardhë në Moskë i fërkoi duart e trumbetoi se tashmë kemi vetëm “Shtetet e Shpërbëra të Amerikës” e nuk apelonte menjëherë për luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Sadam Hyseini ia shkelte brutalisht rezolutat e përseritura OKB-së dhe ia përzente inspektorët, ndërsa Pallati i Qelqtë në Nju York nxirrte rezoluta të reja e priste që djalli të bëhej ‘”engjëll”.
Gjykata e Hagës e linte të lirë kriminelin Milloshevic e oborrtarët e tij duarpërgjakur në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë e së fundit në Kosovë e lëshonte deklarata e fletë-arreste të risigluara duke vënë në shpërblim për kapjen e tij miliona dollarë.
Talebanët në Afganistan i gjuanin me top portretet e Budës të skalitura në male duke i shkatërruar ato e budistët rrinin duke i vajtuar në mënyrë mediatike.
E shembuj të tillë mund të sjellim prapë, por duam të nënvizojmë se kjo qetësi e botës së vitit 2001 ishte kaq e cuditshme, burokratike e individualiste saqë lejoi e coi në faktin e ditën që në një pjesë të Globit, në Amerikë, në Tempullin e Demokracisë, në selinë e Organizatës Botërore të Tregtisë, terrorizmi të godiste kaq ashpërsisht e pabesisht.
5.Amerika e ka përgjegjësinë e vet që u goditë në Nju York e vecanërisht në Pentagon, por, për këtë, askush nuk mund ta paragjykojë, ta gjykojë apo pasgjykojë Amerikën, se përse u goditë e aq më tepër që Bota të largojë përgjegjësitë e veta në këtë histori, në këtë tragjedi, në këtë datë, në këtë ditë.
Oktapodi i terrorizmit ndërkombëtar duke sulmuar Amerikën kërkonte të gjunjëzonte Botën.
Po të rrëzohej Amerika në një ditë, në atë 11 shtator 2001, Bota do ta kishte të vështirë, në mos të pamundur, që të ringrihej deri në kapërcyell të shekullit tjetër, sepse botës do ‘i mungonte shembulli amerikan, sipërmarrjet ndërkombëtare amerikane, konkurimi ndërplanetar amerikan nga nëntoka e deri tek yjet e galaktikës sonë.
Amerika ka dëshmuar në këta shekujt e fundit se nuk rrëzohet nga lufta e me luftë, por vecse duke e konkuruar me vlera nivele larta, të cilat i ka në stadrritjeje, biles edhe me 11 shtator 2001 i tregoi botës vlera të saj të reja si në përballimin njerëzor e organizativ të kësaj tragjedie dhe në kundërpergjigjen ndaj terrorizmit ndërkombëtar.
6.Amerika gjithënjë e ka paralajmëruar Botën për rrezikun imediat e katastrofal të terrorizmit ndërkombëtar, ndërsa Bota nuk e ndjente sa e sic duhej këtë rrezik real e me kosto tepër të lartë njerëzore, ekonomike e ushtarake.
U deshtë, ndoshta 11 shtatori 2001, kur terrorizmi ndërkombëtar sulmoi nga Qiejt e Amerikës, që njerëzit e shtetet e planetit të ecnin me këmbë në tokë e mend në kokë në luftën ndaj terrorizmit, qoftë në Afganistan e në Irak apo kudo gjendet ose shfaqet në hartën e Globit.
Amerika, edhe nga 11 shtatori 2001 e këtej, e ka kryer detyrën e lartë përballë kombit të vet e historisë, për kohën e sotme e të nesërme, duke luftuar me të gjitha format e mjetet, në krye të Koalicionit Botëror kundër Terrorizmit Ndërkombëtar.
Amerikën nuk do ta mbante Toka po të mos përgjigjej denjësisht kur iu sulmuan Qiejt e saj.
AMERIKA NUK DO T’I IMPONOJË SHQIPËRISË SHKATËRRIMIN E ARMËVE KIMIKE TË SIRISË
Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje./
Nga Frank Shkreli/
Siç është njoftuar dhe komentuar ditë e fundit në median shqiptare dhe botërore, Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime me Shqipërinë dhe me disa vende të tjera europiane për të ndihmuar në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Janë bërë komente se Shtetet e Bashkuara do t’ia imponojnë Shqipërisë një gjë të tillë, pasi Shqipëria na qenka ”vasale” e Shteteve të Bashkuara dhe se autoritetet shqiptare gjithmonë i thonë, ”Po” Amerikës për çdo kërkersë që ajo u bën atyre, pa marrë parasyshë interesat e vendit. E vërteta është se Shqipëria si anëtare e NATO-s është tani në valle dhe si e tillë konsultohet dhe shqyrtohen mundësitë për kontributin e saj për sigurinë e përbashkët të vendeve aleate dhe të paqës në botë. Por Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë, as ndonjë vendi tjetër shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Ky është dhe duhet të jetë një vendim, ekskluzivisht, i popullit shqiptar dhe i qeverisë që e përfaqëson atë, bazuar në sigurinë dhe interesat kombëtare të vendit. As NATO as Shtetet e Bashkuara nuk do t’ia imponojnë Shqipërisë shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në territorin e saj, nëqoftse Tirana zyrtare e konsideron një gjë të tillë si diçka që është kundër interesave të saja. Nuk është në natyrën e NATO-s që t’i imponojë gjëra të tilla një vendi anëtar, as nuk është në natyrën e Shteteteve të Bashkuara që t’i imponojnë një gjë kaq serioze një vendi mik si siç është Shqipëria. Ështe e pa-imagjinueshme që Shtetet e Bashkuara të tërheqin armët kimike nga Siria për të shpëtuar sirianët dhe t’i dërgojnë ato në Shqipëri për të dëmtuar shqiptarët. Siç tha edhe ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu gjatë një vizite dje në Kukës, në lidhje me këtë, nuk është marrë asnjë vendim, por sipas tij, “Gjëja jetike është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë mike e Shqipërisë dhe shqiptarëve” duke shtuar se, “mirëqenia e popullit shqiptar, është një ndër konsideratat më të rëndësishme të Amerikës. Dhe kjo përfshin edhe dinjitetin e vendit e të qytetarëve të tij”, tha përfaqsuesi amerikan në Tiranë.
Por siç sugjeron edhe ish-ministri jashtëm i Shqipërisë, Marko Bello në faqen e tij në “Facebook”, se këjo zhurmë e madhe në lidhje me këtë çështje mund të jetë shkaktuar nga zelli i tepëruar i autoriteteve shqiptare, duke zmadhuar dhe ekzagjeruar situatën. Këjo situatë bëhet edhe më e vështirë nga mungesa e transparencës zyrtare në lidhje me këtë çështje, pasi në një boshllëk të tillë informacioni, të pavërtetat dhe thashë-e-themet përhapen shumë shpejt dhe bëhen realitet. Jam i sigurt se qeveria shqiptare, në konsultime me aleatët në NATO dhe me Shtetet e Bashkuara – dhe nëqoftse i kërkohet një gjë e tillë zyrtarisht — do të arrijë vendimin e duhur, në interesin e shëndetit dhe mirëqenjes së qytetarve si dhe në interesin e kombit dhe të marrëdhënjeve të mira me aleatët dhe njëkohsisht të paqës dhe të një bote pa armë kimike. Shkaërrimi i armëve kimike në Shqipëri mund të jetë një ndërmarrje tepër e madhe për mundësitë logjistike dhe teknike që ka Shqipëria në këtë fushë, e nëqoftse është kështu, atëherë autoritete qeveritare në Tiranë duhet t’i thonë, JO qoftë dhe mikes më të ngushtë, Amerikës dhe NATO-s, duke thënë në mënyrë transparente për publikun, se nuk kemi mundësi të bëjmë një gjë të tillë, për këtë e këtë arsye. Jam i sigurt se Shtetet e Bashkuara, NATO dhe Bashkimi Europian nuk do e përdorin këtë refuzim kundër Shqipërisë në të ardhmen.
Por siç ndodhë gjithmonë me probleme të mëdha rajonale ose botërore, janë Shtetet e Bashkuara ato që — në mungesë të të tjerëve, ose kur të tjerët rrinë duar kryq — marrin përsipër zgjidhjen e sfidave ndaj sigurimit botëror dhe në mbrojtje të drejtave të njeriut anë e mbanë botës, siç është shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë. Dhe si rrjedhim Uashingtoni akuzohet për motive të mbrapshta që nuk kanë të bëjnë me realitetin. Armët kimike në Siri janë një problem i madh për të gjithë botën, sepse nëqoftse këto armë bien në dorë të terroristëve dhe personave ose orgnizatave të pa-autorizuara, pasojat janë të pa-parashikueshme për të gjithë. Si e tillë këjo është një emergjencë — jo vetëm për Amerikën, NATO-n, Bashkimin Europian, Shqipërinë dhe vendet e tjera me të cilat po bisedohet për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë, por është një çështje edhe e sigurimit ndërkombëtar, pikërisht një çështje me të cilën, që po të ishte e mbara, do të merrej Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ndonëse ishte Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ai që shtatorin e kaluar miratoi rezolutën për të siguruar dhe për të shkatërruar armët kimike të Sirisë me qëllim që t’i tërheqë ato nga zona e luftës.
Vendimi për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë e ka adresën, jo në Tiranë as në ndonjë vend tjetër të Europës, por tek Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, megjithë shantazhet e Rusisë dhe të Kinës brenda këtij këshilli. Në lidhje me këtë, agjencia japoneze e lajmeve Kyodo citoi dje Sekretarin e Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon se ai është duke marrë në konsiderim t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të mbështetë një propozim të tijin që Siria vet të shkatërrojë armët e saja kimike, brenda territorit të saj. “Jam duke marrë në konsideratë që t’i bëjë thirrje Këshillit të Sigurimit që të kërkojë menjiherë transferimin e armëve kimike të Sirisë në qendra të sigurta mbrenda Sirisë ku mund të vendosen dhe ku njëkohsisht mund të shkatërrohen ato armë.” Ban Ki Moon, sipas agjencisë japoneze të lajmeve, shprehu gjithashtu zemërimin e tij në lidhje me ndasitë dhe përçarjet, si dhe pamundësitë dhe paralizimin brenda Këshillit të Sigurimit për të marrë ndonjë vendim të përbashkët mbi krizën në Siri, ndërkohë që Rusia, aleate e dikatorit sirian Assad dhe Kina kanë përdorur veton ndaj tri rezolutave mbi Sirinë, ndërsa deri tani në atë vend kanë humbur jetën më shumë se 110,000 njerëz.
Iniciativa e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për t’i paraqitur Këshillit të Sigurimit propozimin që Siria vet të shkatërrojë armët kimike brenda territorit të saj, e transferon zgjidhjen e këtij problemi në prak të derës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, aty ku edhe e ka vendin dhe njëkohsisht ka mundësi të zgjidhë dilemën përballë të cilës gjëndet qeveria shqiptare në lidhje me këtë çështje.
NUK MUND TË HARROHET AMERIKA
Shkruan: Neki Lulaj/ Gjermani/
Në kuadrin e fotografive të shumta dallohen: Një pikturë e rrallë e Presidentit historik Dr. Irahim Rugova në biblotekën e Vatrës; moment duke ia dhuruar librat me poezi Kryetarit të Federatës Panshqiptare “Vatra”, Dr. Gjon Buçaj; Znj. Nikoleta Buçaj dhe editori i gazetës” Dielli”, Dalip Greca; atdhetari Adem Saliu dhe kryetari i Vatrës duke m’i dhuruar disa libra; unë me kryetarin e Vatrës, Dr Gjon Buçaj dhe editorin e gazetës “Dielli”, duke shfletuar ca dokumente interesante nga arkivi; mysafiri i Vatrës nga Gjermania duke firmosur në librin e përshtypjeve të Vatrës; pamje në sallën e Konferecave të Vatrës mes dy kolosëve, Nolit dhe Konicës; me Rita Saliun dhe Lisa Gregory në Kishën Ortodokse në Massachusetts; me Gregory Steffon dhe Rita Saliun në Massachusetts; moment duke ia dhuruar librin “Balada e heshtje” Kryetarit të Festivalit të 15 Shqiptar, Zt. Frankli Zdrulli; në foltoren e Fan S. Nolit në Boston; kosovari i Gjermanisë në karrikën e Nolit në Boston; pranë varrit të editorit të parë të Diellit, Fan S. Noli, në Forest Hills Redwooo Ave 36; pranë pllakës përkujtimore të Konicës në Forest Hills Redwooo Ave 29, eshtrat e të cilit tashmë prehen në Atdhe.
***
Ç’është jeta pa dritën që ta jep dashuria, pyeste Schileri në kohën e tij. Një vizitë në Nju York, por edhe një ribashkim i përmallshëm me antarët e ngushtë të familjes së ndodhur larg trungut të Atdheut, i dha impuls përforcimit të dashurisë. Një vizitë në tokën e premtuar, tejmatanë brigjeve të mëndafshta rë Oqeanit, të bind se edhe këtu jetohet, madje më mirë se në disa vende tjera të globit tonë. Në ceremoninë e parapërgaditjes për një dasmë madhështore dugagjinase, zotit të dasmës Xhevat Lulaj dhe bashkëshortes së tij, Emines, u qeshët fytyra nga gëzimi për martesën e djalit të vetëm.
Lëvizje të palodhshme njerëzish në përhapje të dasmës. Pritje e përcjellje grupesh të ndryshme bashkatdhetarësh nga Shqipëria e Kosova dhe trevat e tjera të banuara me shqiptarë. Të gjitha këto m’i ripërkujtojnë ngazëllimet e moçme të trevave të Dukagjinit. Harroja se ku jam. Më dukej se isha në Kosovë, por kur dilja jashtë dhome t’i prisja e përcjellja dasmorët, para syve më dilnin ndërtesat e larta me një arkitekturë të përkryer, bulevarde të gjera dhe rrugë moderne me një infrastrukturë tipike amerikane. E dija se jam larg Kosovës, në Njy Jorkun e famshëm të Amerikes mike.
Më bëri përshtypje fakti se edhe këtu ruhen me xhelozi traditat tona, pritja, përcjellja, shërbimi me mirëseardhje, shërbimi me cigare e kafe, dhe pritje tjera të përzemërta. E unë, në heshtje, lexoj në fytyrat e secilit brengat e familjes, të vendlindjes, dhe mallin për Atdhe. Po qasej mbrëmja dhe njërëzit nuk kishin të ndalur. Ishte nata e parë për mua përtej oqeanit, edhe pse këtu koha ndryshon për gjashtë orë me atë të Europës. Si për çudi unë nuk ndjeja kurrfarë lodhjejeje. Në çdo anë ndjehej një atmosferë e veçantë dhe e papërshkruar gëzimi.
Rreth orës 18.00, në Odën e burrave, me një celular në dorë hyri vajza e vëllait, Albulena, dhe m’u drejtua: Xhaxhi im i dashur, një telefonatë për Ju! Në anën tjetër të telefonit më lajmërohet Rita Saliu, më fjalë shumë të ngrohta: Vëlla Neki, mirëse ke ardhur në shtetin tonë! Po si e kalove rrugëtimin, si e ke lënë familjen dhe si i gjete më të dashurit tu në New Jork? Uroj që të kaloni mirë! Rita, pa vonuar kalon në temë: Neki vëllai! Ademi dhe unë vijmë nesër në mëngjes, dhe shkojmë së bashku për t’a vizituar Federatën Panshqiptare të Vatrës. Takimin zyrtar e kemi pregaditur me kohë, andaj kaloni mirë deri nesër!
Oda e Nju Jork-ut, me burra nga Kosova, kishte renë në qetësi duke e përcjellur me vëmendje telefonatën time me motrën end të dashur, Rita. Daja im që ka lënë të tetëdhjetat, e then qetësinë e end duke mu drejtua me këto fjalë: Valla bre lum daja, ne këtu jetojmë qe sa dekada, e Vatrën ende nuk kemi pasë rastin ta vizitojmë. E ty dhe mikut end që te ftoi në telefon, I lumtë! Kurse unë nga modestija nuk doja që të bisedoja para kohe për këtë vizitë të caktuar, për kohën e rezervuar enkas për mua nga miku im, Ademi dhe Rita Saliu, andaj doja të kalonim në një temë tjetër. Një zile tjetër ndërpreu bisedën dhe një grup bashkëkombasish, erdhën me rastin e dasmës dhe vërtetë u ndryshua tema e bisedës.
Tani, në shpirtin tim kishte filluar të ndërtohet porta e një muri të ri të fantazisë për vizitën që do t’ia bëjmë nesër Federatës Panshqiptare ”Vatra”, Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, çerdhes së ngrohtë të organizatës më të fuqishme patriotike të diasporës shqiptare dhe organizatës më jetëgjatë të emigracionit shqiptar gjatë shek. XX, aty ku dikur Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica dhe patriotët e tjerë shkrinë kohën, mundin dhe pasurinë për çështjen e shenjtë në ndihmesë të shtetit I cili gjendej në udhëkryqin më të rrezikshëm, me ç’rast, më 20 dhjetor 1912, siç pat shkruar një analist I kohës “kish lindur Shqipëria, fëmija më I vogël I Europës, një fëmijë I vogël e I sakatuar, me kumbar”. Sir E. Grein. (“N.Jorgaqi, Jeta e Fan S. Nolit, fq. 278).
Vatra e bekuar e rilindsëve tanë /
Të nesërmen në mëngjes herët, mysafirë të parë në përharje ishin Adem e Rita Saliu, ku pas një qëndrimi të shkurtë vazhduam rrugëtimin në drejtim të Federatës Panshqiptare “Vatra” në New York. Makina na ndali para hyrjes ku bëmë përpjekje që t’i bejmë ca foto, por pa pritur u hap dera dhe u duk një burrë i pashëm që në shiqim të parë lënte përshtypjen e një diplomati amerikan. Në shoqeri me Ritën u ngjitëm shkallëve të Vatrës. Burri para derës na uroi mirëseardhje në shtëpi, duke na u prezentuar me emrin Dalip Greca, dhe na shoqëroi në dhomën e pritjeve zyrtare. Urdhëroni e uleni se kryetari pasë pak do të vijë. Është këtu, por për momentin i zenë me një delegacion.
Veprimtarja e pa lodhur dhe aktivistja e humanistja e çështjes shqiptare, Znj. Rita Saliu, si bija e shtëpisë në Vatër, bëri prezantimin tim para miqve në pika të shkurta. Njëkohësisht edhe mua më njoftoi me Nikoletë Buçaj, si dhe me Dalip Grecën, ish editorin e Illyrisë dhe editorin aktual të Gazetës Dielli. Pastaj filloi biseda e njoftimeve miqësore e individuale. Ne selinë e Federatës Panshqiptare “Vatra” na rrethonte një ambient i rrallë e i paparë. Më dukej se muret dhe të gjitha ato foto historike në kornizë, përshpërisnin dhe buzëqeshnin shqip. Më dukej se krenoheshin me punën e tyre, e bashkë me ta krenohesha edhe unë. Mua që m’u dha rasti t’i vizitoj, falë Adem dhe Rita Saliut, të cilën vizitë e kisha ënderruar që nga koha kur kisha lexuar e mësuar për emrin e Fan Nolit, Kristo Floqit dhe Faik Konicës. Shpalimet historike për aktivitin e shqiptarëve që bashkëvepronin me Federaten Panshqiptare ”Vatra” janë të paharruara.
Biseda jonë e përzemërt vazhdonte tempon e vet, sikur të ishim miq të vjetër, si nga ana e sekretareshës së Vatrës, si nga ana e editorit të Diellit. Nga kjo pritjeje e përzemërt e miqësore unë ndjehesha para një befasie të këndshme të një ambienti të ngrohtë. Në bisedë e sipër, Zt. Adem Saliu rrëfente diçka shumë interesate për aktivitetin e Vatrës, për punën e vatranëve dhe të komunitetit shqiptar në Nju York e mbarë Amerikës. Papritur u hap dera dhe të gjithë brofëm në këmbë në shenjë respekti. Edhi Kryetari i Federatës Panshqiptare të “Vatrës”, Zt. Ghon Buçaj. Edhepse e kishte njoftuar me kohë për vizitën tonë, Ademi bëri prezentimin tim: Është Neki Lulaj, një veprimtar dhe një poet nga Europa. Në shtrëngim duarsh e përqafim e sipër si dy vëllezër të një gjuhe e të një gjaku, mua më tradhëtuan ndienjat dhe me rrodhën lotët e përmallimit.
Biseda jonë miqësore dhe e përzemërt vijoi në një ambient të shoqëruar nga miqtë e Vatrës, Adem e Rita Saliu, Dalip Greca dhe prania e Znj. Nikoleta Buçaj, si dhe me blicat e foto kamerave në sallë. Kryetarin rrjedhimisht e njoftova për aktivitetin dhe punën time në Gjermani, pastaj e njoftova për rrjedhat e Akademisë solemne qe u organizua nga Lidhja e Shqiptarëve në Botë me qendrën në Frankfurt, që u mbajt më 20 tetor të vitit 2012 në shenjë të 100 vjetorit të Pavarësisë, ku kërkoi falje për pamundësinë e pjesëmarrjes së tij në atë manifetsim shkencor, duke theksuar se me kohë ka qenë i ftuar. Pastaj e njoftova për bashkëpunimin e ngushtë dhe korrespodencën e rregullt që e kemi me një veteran nga diaspora shqiptare e Rumanisë, duke folur shkrutimisht edhe mbi aktivitetin e Lidhjes së Shoqatës së Shkrimtareve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, nënkryetar i cilës jam.
Në shenjë respekti Krytarit Buçaj ia dhurova pesë librat e mia me të poezive dhe antologjinë ”Trinomi i lirisë”, të bashkautorve Lulaj dhe Qyqalla. Ishte shumë i kenaqur për punën dhe aktivitetin që e zhvillon diaspora shqiptare e Gjermanisë me Bukureshtin dhe me dy gazeta të famshme, Bota sot dhe Zemra Shqiptare, duke na uruar suksese të mëtejshme. Më pastaj, me insiativën e krytarit Buçaj, vizituam bibliotkën e Vatrës, duke na njoftuar me një mori gjërash shumë të vjetra si thesar i trashëgimisë së vatranëve me një lashtësi mbi një shekullore, pastaj me procesverbalet që nga koha e Nolit dhe e Konicës, si dhe e patriotëve të tjerë shqiptarë që kishin kontribuar në mbajtjen gjallë të kësaj “Ambasade” shqiptatre. Njëkohësisht, ata më dhuruan libra, broshura e studime që janë bërë për ”Vatrën” dhe disa ekzemplarë të gazetës “Dielli” e shumë gjëra të tjera me vlera të veçanta kombëtare.
Nga Kryetari Buçaj mësova për punën e palodhur studioze në sistemimin e arkivit dhe gjërave të tjera interesante që i bën editori i palodhur i gazetës “Dielli”, Zt. Dalip Greca, një shqiptar i pajisur me një vullnet të pashoq dhe me një pedantëri të rrallë. Në bibliotekë kishte shumë fotografi interesante të kohërave dhe dekadave të ndryeshme: At Fan Noli, Kristo Floqi, Faik Konica, Paskal Aleksi, Kristo Kirka, Lambri Çirkozi, Elia Tromara, Kosta Vasili dhe të delegacioneve të ndryshme shqiptare që kishin vizituar Amerikën. E pamë edhe shtypshkronjën e vjetër të vatranëve tanë, pastaj uniformën e parë ushtarake shqiptare të vitit 1916, një gjë që nuk e kisha parë kurrë më parë. Një vend të veçantë ishte një pikturë e madhe e presidentiti të parë historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova me flamurin dardan dhe shumë objekte tjera interesante.
Njëkohësisht m’u ofrua libri i përshtypjeve të mia që mes tjerash shkrova: “Këtu, përtej Oqeanit takova botën shqiptare, njerëzit e vyer, Gjon Buçaj, Dalip Greca, Nikoleta Buçaj, vravashkat që së bashku me aktivistët e tjerë shqiptarë nuk e lejojnë kurrë të shuhet kjo prushnajë mbarëshqiptare. Lavdi! Pas shumë fotosh e njoftimesh që patëm atë ditë me një shpirt të pasuruar me një mësim të ri mbi figurat e kombit të cilë shkrijnë djersë, mund e pasuri për shqiptarinë, u ndamë me shtërngime duarsh e me një shpirt të zhurritur nga malli, duke i dëshiruar njeri-tjetrit punë të pa lodhur e mbarësi në jetë. I shoqëruar nga aktivistët Adem e Rita Saliu, vizituam Qendrën Tregtare Shqiptare në Bronx, ku edhe drekuam së bashku në një restoran shqiptar. Në mbremje u përshëndetëm me kujtimet më të bukura që i fitova unë, falë Ademit dhe Ritës.
Dasma shqiptare në trojet amerikane /
Dita e Dielë. Dasma në Nju York ishte tipike kosovare. Ndryshonte ngase dasmorët niseshin për te shtëpia e nuses me dy flamuj, ate amerikan dhe shqiptar, dhe se krushkët shkonin të gjithë një një autoveturë speciale, kurse krushqit me autovetura të tjera. Edhe tek miqët e ri çdo gjë ishte e traditës. Për mua kishte karakteristika të tjera, sepse pata fatin të takohem me bashkëmoshatarët e mi të studimeve, profesorë të mi të dikurshëm dhe bashkëfshatarë qe i kisha takuar para njëzete e pesë viteve. Edhe te miqët e ri pat muzikë burimore shqiptare të traditës. Çifti i ri me i lumtur, Alberti dhe Shkurta, ishin aktorët kryesorë të kesaj dite dhe mbrëmjeje të hareshme e që dasma e filluar pasditën e shtunë, do fa ketë kulmin e saj në restorantin e zgjedhur për karërqind dasmorë, të cilët i argëtoi muzika e zgjedhur popullore dhe vallëzimet tipike shqiptare, të ruajtura brez pas brezi me një xjelozi dhe besnikëri të pashoqe, ketu përtej brigjeve të mëndafshta të oqeanit Atlantik.
Rëndësi të veçantë pati edhe një vizitë në Mannhetan, të shoqëruar me dhëndërrin e ri, Albertin, unë dhe mesuesi im i dikurshëm në tetëvjeçare, vëllau i madh Demushi, tashmë i pensionuar. Një sheti e vizitë nga Bronxi, Albany e Mannhetani, buzë oqeanit. Çfarë të shikonin sytë më shumë se ndërtesat e mëdha që preknin me buzë majat e qiellit të kaltërt! Pasoi pastaj një vizitë Biblotekës me të vjetër të New Yorkut, e posaçërisht Qendrës Ndërkombëtare të Tregtisë, që ta përkujton me keqardhje tragjedinë e Shtatorit të Zi (2001), kur humbën jetën mbi tremijë njerëz të pafajshëm.
U kthyem në mbrëmje pas një lodhjeje të këndshme. Një ditë e veçantë për mua ishte dita kur pata caktuar t’i bëj një vizitë motrës sonë Rita. U takuam së pari në shtëpi, e më pastaj na u dha rasti të rrugëtojmë së bashku për në Boston. Kisha plane të ndryshme se si të shkoja, por fati i prin njeriut që për pakë ditë nuk mund ta shohë Amerikën. Nipi im, Zt. Fatmir Krasniqi, me banim në Nju Xhersi, më lajmërohet me telefon dhe më thotë: Dajë, nesër kam huazuar nga puna e përditshme një ditë të lirë, dhe jam në dispozicionin tënd që të shkojmë kah t’i kesh ti planet! Mos llogarit në asgjë se unë jam në disponimin tënd! Mirë, i përgjigjem, nesër e kisha në plan ta vizitoj motrën Rita Saliun dhe bashkë me të kemi një takim të paralajmeruar me Adem Saliun që të takohemi me At Arthur Liolini, pasardhësin e At Fan Nolit në Boston.
Diku rreth orës gjashtë të mëngjesit jam aty dhe fillojmë rrugëtimin. Kaluam disa qinra kilometra dhe arritëm tek shtëpia e Adem e Rita Saliut. Një mikpritje bujare në një dhomë modeste e dekoruar për mrekulli. Në një vend të veçantë kishin zenë medaljet, diplomat, mirënjohjet, dekoratat, fotografitë me President Rugovën e president Bil Klintonin, me Merlin Olbrajtin, me President Bamir Topin, me Akademik Mark Krasniqin, me Vesley Clarkun, me shumë foto refugjatësh nga Kosova që i kishin strehuar bashkëshortët Saliu në shtëpinë e tyre muze. Veprimtarja, humanistja, atdhetarja e poetja Rita Saliu ishte shumë e përmbajtur dhe nuk lavdërohej për shërbimin e bërë bashkatdhetarëve tanë, të sëmurëve e të plagosurve që i kishte marrë vullnetarisht nga Kosova në shërbime vetanake. Ajo kurrë nuk ishte ndjerë lodhje për mundin e vullnetin dhe punën e saj 24 orëshe, pa pushim e gjumë dhe lodhje mes tjerash pohon: “Nuk është kurrë lodhje as molisje kur njeriut i jepet shansi të sakrifikohet e të puojë për Atdheun e vet.” Dhe, pas një kaftjalli të lezetshëm dhe një kafeje tradicionale, e morrëm rrugën për në Boston.
Kryekisha Orthodokse Shqiptare e Bostonit me vlera të shejta
Gjatë rrugës bisedat ishin ndër më të ndryshmet. Rita na shpjegonte se në cilat pjesë të Amerikës gravitojnë me shumë shqiptarë përveç Nju Yorkut. Me t’u ofruar në Massachusetts, më njofton se më 31 maj dhe 1 e 2 qershor, në Kishën Ortodokse shqiptare “Fjetja e Shën Mërisë”, mbahet Festivali i 15-të Shqiptar, ku pritet të marrin pjesë mbi 20 mijë bashkatdhetarë. Neve rastësisht gjendeshim pranë asaj Kishe, dhe i them unë Fatmirit: “Pa ndale çik këtu, të lutem, se ajo Shqiponjë e madhe po me jep me kuptue se jemi dikund afër, në komunitetin shqiptar.” Me të ndaluar, shof një pllakatë të madhe në gjuhën shqipe ku shkruate YLIRIA. E Rita na thotë se pikërisht për këtë kishë e pata fjalën, se mu në këtë kishë kam mbajtur disa takime në Informimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Posa e ndalëm makinën, ajo nxitoi tek hyrja e Kishës kur doli një grua e cila na urdhëroi të hyjmë brenda. Unë u prezentova, por edhe ajo më tha: “Më quajnë Lisa Gregory. Prindërit e mij janë të ardhur moti nga Drenova e Korçës, por unë nuk di mirë të flas shqip.”
Sa bukur dhe sa dhembshëm, flisja me vetëveten: Asdreni i Drenovës dikurë në Bukuresht, dhe Lisa Gregory me origjinë drenovare sot në Amerikë. Me të hyrë në Shtëpinë e Zotit, para se të arrijmë te altari, më ranë në sy librat e zeza me shqiponjë ngjyrë ari në kopertinë. Me të shfletuar, pamë se gjysma ishin anglisht e gjysma shqip. Të gjitha freskat bukura të punuara ishin vetëm në gjuhën shqipe. Bëmë ca foto të bukura dhe pa u përngutur dolëm jashtë, dhe në dalje u takuam me famullitarin e kishës, Zt. Gregory Steffon dhe me Zt. Frankli Zdrulli, me të cilët bëmë ca foto dhe na ftuan në Festivalin e 15 Shqiprar, kurse unë ua dhurova librat “Balada e Heshtjes” dhe “Bukuri e bekuar”.
Pasi u përshëndetëm përzemërsisht me ta, vazhduam rrugën për në Boston, ngase atje e kishim orarin e caktuar të një takimi të ri. Ishte pakë sa e gjatë rruga dhe nuk mundëm të arrijmë me kohë që të takohemi më At Arthur Linolinin (pasuesin besnik të Nolit), por ai ngase kishte paur një takim tjetër kurse ne ishim vonuar duke e porositur sekretareshën që të takohemi bashkë në Kryekishën e Orthodokse Shqiptare ne Boston, themeluar nga Fan Noli.
Mikprita ishte e shkëlyeshme me një buzqeshje bujare në sallën e rezidencës për mysafirë. Çdo gjë ishte e nivelit të lartë, nga sekretaresha e Kishës e cila e fliste një shqipe të pastër duke pohuar: Unë nuk di shumë fjalë shqipe, por vehten e ndjej si shqiptare. Pastaj nga ajo mësuam për aktivitetin e shqiptarëve në Boston dhe rrethinë, si dhe mbi punën shumëvjeçare të pasardhësit besnik të Nolit. I shoqeruar nga Rita Saliu dhe Fatmir Krasniqi, bëmë disa foto në foltoren e Nolit. Si shumë bij të shquar të shqipes që e kanë vizituar këtë vend të shenjtë, edhe unë pata rasti që të ulem në karrikën e Nolit.
Sekretareshës së Kishës ia dorëzova për bibliotekë pesë përmbledhjet e poezive të mia dhe pas ca fotove tjera u ndamë miqësisht me një lamtumirësi të përzemërt jetësore. Neve vazhduam rrugëtimin për në varrezat Forest Hills-Boston, në Redwooo Ave 36, ku pushon trupi i pa jetë i Fan S. Nolit, dhe mu në të njejtën rrugë është Pllaka përkujtimore ku deri para ca vitesh kanë pushuar eshtrat e Faik Konicës. Ne të tre, me tufa lulesh dhe me nga një minutë heshtjeje, i uruam lavdi jetës dhe veprës së pavdekshme të Nolit dhe Konicës. Pas qëndrimit dhe shoqërimit dyorësh me burrat e kombit, neve vazhduam rrugën e kthimit për në Mansfield në shtëpinë e Adem e Rita Sliut.
Pas një darke solemne me Ademin, Veliun babain e Ritës, Fatmirin, dhe pas shumë dhuratave (Kompleti i Nolit nga studijuesi Nasho Jorgaqi që ma dhuroi Adem Saliu dhe disa dhuratave të tjera), në mbrëmje udhëtuam për në New York, pas një dite të ngjeshur me aktivitete kulturore, falë çiftit të mrekullueshëm bashkëshortor, Adem e Rita Saliut. Në ndarje Rita më premtoi se do përpiqet të ma mundësojë një takim me Editorin e gazetës Iliria, Vehbi Bajrami, që ishte shumë i zënë, ndaj këtë e lamë për një herë tjetër, për një takim të ri me Amerikën mike. Të gjitha këto vizita, mbresa, e takime do të më ngelën ndër kujtimet më të çmueshme të jetës sime. Më vjen keq, sepse për një kohë kaq të shkurtë, nuk mund të shifet krejt Amerika.
AMERIKA PËR ZGJEDHJET E 23 QERSHORIT NË SHQIPËRI
Nga Frank Shkreli/
Të Hënën që kaloi, më 6 Maj, Komisioni amerikan i Helsinkit mbajti një seancë ku zyrtarë të Departmentit të Shtetit, anëtarë të Kongresit dhe eskpertë të çështeve shqiptare diskutuan për zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Seancën e hapi Senatori Ben Cardin , demokrat nga shteti Marilënd, i cili vuri në dukje se këjo ishte seanca e dytë për të diskutuar për një vend mik dhe aleat të ngushtë të Shteteve të Bashkuara dhe anëtar i OSBE-ës dhe njëkohsisht, një vend aleat i NATO-s. Duke thënë se seanca tjetër e Komisionit amerikan të Helsinkit ishte përqëndruar kohët e fundit mbi Hungarinë, Senatori Cardin theksoi se, “është e mundur që me vendet me të cilat jemi aleat dhe miq të ngushtë, të bisedojmë haptazi dhe sinqerisht në lidhje me përparimin e bërë në procesin e zgjedhjeve, në ndërtimin e institucioneve demokratike, si dhe mbi angazhimet ndaj OSBE-ës.” Qëllimi i kësaj seance, tha Senatori Cardin, është që të shprehim shqetsimet tona dhe të përpiqemi të gjëjmë mënyra pozitive për avancimin e duhur për zbatimin e parimeve të OSBE-ës. Këtë, tha ai, do ta bëjmë edhe me Shtetet e Bashkuara, kur mendojmë se ato nuk veprojnë në përputhje me parimet e OSBE-ës.
”Unë besoj”, shtoi ai, “se populli shqiptar meriton zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shqiptarët meritojnë zbatimin e parimeve dhe premtimeve të demokracisë, në kuptimin e plotë të fjalës, në përputhje me angazhimet e OSBE-ës.”
Anëtari tjetër i Komisionit amerikan të Helsinkit, Kongresisti Robert Aderholt republikan nga shteti Alabama, tha se në Shqipëri ka “mendje të ndritura si në radhët e shumicës ashtu edhe të pakicës, të cilët duan që vendi i tyre të shkojë përpara.” OSBE-ja tha ai i konsideron zgjedhjet e qershorit si shumë serioze dhe këjo seancë synon, shtoi ai, që të inkurajojë procesin, ashtuqë OSBE-ja të mund të thotë në fund të këtij procesi se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme.
Kongresmenët filluan dëshmitë duke ftuar Zevëndës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Filip Riker i cili foli për marrëdhënjet shumë të mira midis dy vendeve dhe identifikoi disa prej sfidave që mbeten, sidomos në lidhje me procesin zgjedhor. Z. Riker nënvijoi mbështetjen historike të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, duke filluar nga Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Ai përmendi periudhën e izolimit komunist duke thënë se ishte Zëri i Amerikës, ai që solli lajmet dhe informacionin, por edhe frymëzimin për liri e demokraci, një Shqipërie tepër tepër të izoluar.Ai nënvijoi mbështetjen e vazhdueshme të gjitha adminstratave amerikane –demokrate dhe republikane — për Shqipërinë, dhe theksoi rolin pozitiv që Tirana zyrtare luan në fushën ndërkombëtare, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë kontributet e mëdha që Shqipëria ka dhënë drejtë realizimit të objektivave të përbashkëta”.
Diplomati amerikan, gjatë dëshmisë së tij në Kongres, shprehu përkrahjen e SHBA-s për qendrimin e njohur tanimë të Komisionit Evropian se zgjedhjet e 23 qershorit janë një provë kritike për dhënjen Shqipërisë statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian, duke cituar nga fjalimi i ish-Sekretares së Shtetit Hillari Klinton në Kuvendin e Shqipërisë se, “Shqipëria dhe Shqiptarët meritojnë vendin e tyre në familjen e kombeve evropiane”.Filip Riker, në emër të Departamentit të Shtetit dhe rrjedhimisht në emër të Shteteve të Bashkuara tha se, “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qendrimin e tyre se për zbatimin e standardeve ndërkombëtare, është i nevojshëm respektimi i pavarësisë së institucioneve, se diskursi politik duhet të mbetet konstruktiv dhe i qyterëruar dhe se populli shqiptar duhet të ketë besim në procesin si edhe në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve”, dhe shtoi se “Shtetet e Bashkuara janë posaçërisht të shqetësuara në lidhje me pavarësinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.”
Z. Riker tha se “udhëheqsit politikë të Shqipërisë duhet të bashkpunojnë, ata duhet të bëjnë kompromis”, ashtuqë ky institucion — që është përgjegjës për mbarvajtjen e zgjedhjeve — të forcohet dhe njëherazi të gjëndet një zgjidhje që bën të mundur që KQZ të ushtrojë mandatin e tij.”
Riker shtoi se, “ne kemi besimin se udhëheqsit shqiptarë do të bëjnë një gjë të tillë.” Diplomati amerikan , përgjegjës për politikën amerikane karshi vendeve të Ballkanit vazhdoi duke thënë se, “Mënyra se si do të zhvillohen zgjedhjet e 23 qershorit, do të jetë një treguesi rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe do të dërgojë një sinjal të qartë se Shqipëria është gati për statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian”.
Me një zë të patundur dhe të qartë, Filip Riker theksoi qendrimin amerikan duke thënë se ecuria e zgjedhjeve të 23 qershorit, “Do të ketë ndikim në marrëdhënjet tona dypalëshe me Shqipërinë.”
Në seancë mori pjesë edhe kongresmeni Eliot Engel, bashk-kryetar i Grupit të Çeshjteve Shqiptare në Kongres, mbështeti deklaratën e Z. Riker mbi zgjedhjet e ardhëshme në Shqipëri dhe si mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, ai iu drejtua klasës politike shqiptare me këto fjalë, ndër më seriozet, që kma dëgjuar prej tij: “Unë u bëj thirrje të gjitha partive politike që të zbatojnë premtimet që Shqipëria i ka bërë OSBE-së për mbajtjen e zgjedhjeve dhe për fushatën që i paraprinë atyre. Zgjedhjet duhet të konsiderohen nga OSBE-ja si të lira dhe të drejta. Një gjë e tillë jo vetëm do t’u jepte legjitimitet rezultateve për elektoratin shqiptar dhe komunitetin ndërkombëtar, por do të ishte një mandate,ashtuqë që të gjitha partitë politike të pranonin rezultatet përfundimtare dhe të zënë vendet e tyre në parlament. Këjo fatkeqsisht nuk ka ndodhur në të kaluarën”.
Z. Engel u shpreh se “Amerika nuk ka miqë më të mirë se shqiptarët, pa marrë parasyshë se ku jetojnë ata në Ballkan. Ata kanë qëndruar pranë Shteteve të Bashkuara dhe ne gjithmonë kemi qendruar pranë tyre.” Në këtë frymë, Eliot Engel, si mik i vjetër i shqiptarëve, me pasion u bëri thirrje politikanëve të pozitës dhe opozitës në Shqipëri që, ”të ushtrojnë kurajo politike dhe të bëjnë atë që është e drejtë për të ardhmen e vendit të tyre dhe të popullit të vet, që ata aspirojnë ta udhëheqin drejtë Bashkimit Evropian. Politikanëve, zyrtarëve qeveritarë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarëve të të gjitha niveleve në Shqipëri, u kërkohet që qershorin që vjen të bëjnë, as më shumë as më pak, se ç’pritet prej zgjedhjeve të vendeve të tjera, anëtare të komunitetit euro-atlantik.”
Kongresmeni Engel e pyeti diplomatin Riker nëse udhëheqsit politikë shqiptarë do të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve, cila do palë të fitojë? Përfaqsuesi i Departamentit të Shtetit u përgjigj duke thënë se shpreson që zgjedhjet do të mbahen bazuar në ligjin dhe ashtu siç i ka hije një vendi anëtar i NATO-s. Politikanët shqiptarë, tha ai duhet të “tregojnë para popullit të vet, si edhe para aleatëve dhe para botës, se në të vërtetë, ata mund të bëjnë ato që pritet prej tyre dhe se janë të zotët të zbatojnë angazhimet e marra. Është detyra e udhëheqsve politikë që jo vetëm të sigurojnë ecurinë e rregulltë por edhe të pranojnë dhe të respektopjnë rezultatin.”
Zyrtari i lartë Riker përfundoi duke thënë se për Shtetet e Bashkuara, rëndësi ka procesi dhe jo se kush humb ose kush fiton, duke shtuar se, “Është e rëndësishme që të thuhet në këtë ambient të Kongresit se nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara, por edhe populli shqiptar, do të jenë shumë të zhgënjyer, nëqoftse ndodhin manipulime në zgjedhjet ose ushtrim presionesh mbi insitutcionet siç është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nëqoftse ndodhë një gjë e tillë, ne nuk do qëndrojmë në heshtje”, paralajmëroi në dëshminë e tij në Kongres, diplomati amerikan Filip Riker.
AMERIKA BOJKOTOI JEREMIÇIN NË OKB
Nga Frank Shkreli/
Shtetet e Bashkuara ishin në krye të bojkotimit të të ashtuquajturit “debat”, të organizuar të mërkurën nga Vuk Jeremiqi, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara,(OKB) mbi punën e gjykatave ndërkombëtare. Por në të vërtetë, qëllimi i tij kryesor ishte të nënvlersonte, duke kritikuar ashpër në një forum ndërkoombëtar, punën e deritanishme të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi. Përdorimi i OKB-ës, në kapacitetin e tij si president ceremonial i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për qëllime personale dhe të interesave të Serbisë, shkaktoi kundërshtime të mëdha nga vende të ndryshme si dhe nga organizata ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Vende të ndryshme bojktouan mbledhjen dhe ato që morën pjesë simbolikisht, dërguan diplomatë ose zyrtarë të rangut të ultë, ndërsa shumë organizata të ftuara jo-qeveritare refuzuan të merrnin pjesë. Javën e kaluar, një zyrtar i pa identifikuar i Shteteve të Bashkuara u citua në media të ketë thënë se sesjoni në OKB, i organizuar nga Jeremiçi, do të përdorej për qëllime propagandistike serbe. Ashtu edhe ndodhi. Presidenti i Serbisë, Nikoliç, për dyzet e pesë minuta shfaqi helm e vrer ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi duke u ankuar për trajtimin e serbëve nga gjykata mbi krimet në ish-Jugosllavi, dhe njëkohësisht kritikoi median perëndimore që, sipas tij, ka krijuar një imazh në botë se vetëm Serbia është fajtore.Shtetet e Bashkuara, duke shfaqur pakënaqsinë dhe zemërimin e tyre me këtë të ashtuquajtur “debat”, ishin në krye të bojkotimit të sesjonit duke refuzuar të merrnin pjesë ndërsa kritikuan ashpër iniciativën e ish-ministrit të jashtëm serb për mabjtjen e një mbledhjeje të tillë. Në një deklaratë të lëshuar për median të mërkurën, Misjoni i Shteteve të Bashkuara pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njoftoi se, pasi që “Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë ashpër vendimin e Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme për të mbajtur sot një debat ndezës dhe të pa balancuar mbi rolin e gjykatave ndërkombëtare, si rrjedhim, SHBA nuk do të marrë pjesë.” Në deklaratën amerikane për shtyp shfaqet gjithashtu pakënaqësia e thellë e Uashingtonit, posaçërisht për faktin se debati ishte organizuar në atë mënyrë që të mos lejonte pjesëmarrjen e viktimave të barbarizmave të luftërave në ish-Jugosllavi. Në deklaratë theksohet gjithashtu qendrimi amerikan se ata që kanë kryer vepra të tilla tmershme gjatë lutërave në ish-Jugosllavi, duhet të mbahen përgjegjës për krimet e tyre, duke shtuar se, “Shtetet e Bashkuara nuk do të pushojnë së punuari, për derisa të gjithë ata që kanë kryer vrasje në masë, të përballen me drejtësinë….” Ndërkaq, kongresistja amerikane Eddie Bernice Johnson nga shteti Teksas, në një deklaratë në Kongres çfaqi shqetësimin e saj në lidhje me mbledhjen e të mërkurës në OKB, ndërkohë që u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të njohin gjenocidin e kryer në Srebrenicë, duke shpallur 11 Korrikun, si Ditën Përkujtimore të viktimave të Srebrenicës.
Edhe Shqipëria reagoi ashpër ndaj këtij takimi në OKB, nepërmjet Ambasadorit të saj të Përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara, Z. Ferid Hoxha. Në deklaratën e tij, ndërsa thotë se Shqipëria i bashkohet deklaratës së Bashkimit Evropian në lidhje me këtë çështje, Ambasadori shqiptar kritikon ashpër mënyrën se si është organizuar këjo mbledhje dhe shprehë rezervimet e tija mbi motivet e vërteta politike të një debati të tillë. Përfaqsuesi i Tiranës shprehet se ai nuk mban mend ndonjë rast tjetër si ky që Kombet e Bashkuara të organizonin diçka të tillë me fshehtësinë dhe mungesën e transparencës siç u organizua ky debat, duke përjashtuar krejtësisht pjesëmarrjen e viktimave. Ambasadori shqiptar kritikon gjithashtu caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes si edhe këmbënguljen për të mos e ndryshuar atë, një datë këjo që sipas tij, ka një domethënje historike për rajonin. Përfaqsuesi shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara thotë në deklaratën e tij se, “duke venë në dyshim meritat e Gjykatës (Ndërkombëtare), në ndjekje të çfardo agjende specifike politike, është një përpjekje e dobët që shtrëmbëron, për të mos thënë minon, rolin që duhet të luaj Asambleja e Përgjithshme. Ky (debat) është një vlerësim jo i drejtë ndaj punës së Gjykatës dhe përbën një kërcënim serioz ndaj procesit në vazhdim e sipër për pajtimin në rajon. “Rajoni ynë nuk ka nevojë për këtë, dhe ne nuk duam të kemi të bëjmë asgjë me objektivat e këtij debati”, përfundon deklaratën e tij, Ambasadori i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara.
Jeremiqi dhe Serbia nuk i shpëtuan as kritikave të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, i cili u paraqit shkurtazi në mbledhje, por këjo mjaftoi që ai të shprehte mbështetjen e tij të padyshimtë ndaj gjykatave ndërkombëtare dhe të kritikonte ashpër ata, që sipas tij, “përpiqen të minojnë punën e gjykatave”. Sikurë po u drejtohej udhëheqsve serbë drejtë për së drejti, Ban Ki Moon tha se askush nuk ka të drejtë të minojë punën e këtyre gjykatave, sidomos, “për arsye — të cilat kanë më shumë të bëjnë me politikën — se sa me drejtësinë.” Sekretari i Përgjithshëm i OKB-ës vazhdoi duke thënë se, “pandëshkueshmëria për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, gjenocidit dhe krimeve të tjera serioze ndërkombëtare, nuk është e pranueshme dhe as nuk do të tolerohet më.” Ai vazhdoi duke thënë se personat “që përhapin urrjetje dhe ndasi – qofshin ata udhëheqës shtetesh, grupesh policoro-ushtarake, individë civilë ose ushtarakë –nuk kanë ku të fshihen më prej drejtësisë.” Zoti Ban Ki Moon u takua më vonë më përfaqsueset e organizatës boshnjake, “Nënat e Srebrenicës” , të cilat në një veprim skandaloz, rojet e OKB-ës i detyruan të largoheshin nga salla e mbledhjes sepse mbanin një pllakat në dorë. Srebrenica është vendi, ku në vitin 1995, forcat serbe masakruan mbi 8000-mijë burra dhe të rinjë boshnjakë.
Kritikat ndaj kësaj mbledhjeje të organizuar nga Jeremiçi nuk munguan as nga vende të tjera. Ndër to, Britania e Madhe dhe Jordania, sipas agjencisë së lajmeve Rojter, shprehën shqetsimin e tyre se viktimave të Srebrenicës nuk iu dha rasti të flisnin. Ambasadori i Jordanisë pranë OKB-ës u shpreh para gazetarëve se qendrimi i Serbisë ndaj gjykatave ndërkombëtare “është një shkelje ofenduese e ligjit që meriton të censurohet”. Edhe përfaqsuesi i Lichtenshtajnit kritikoi ashpër presidentin e Asamblesë së Përgjithshme duke shfaqur shqetësimin e tij se, ‘’Jeremiçi po shfrytëzon pozitën e tij për realizimin e objektivave të tij politike, që qartë nuk është diçka që ai duhet të bëjë si president i Asamblesë së Përgjithëshme.” Ndërkohë, Drejtori për drejtësi ndërkombëtare në organizatën e të Drejtat e Njeriut, Human Rights Watch, Richard Dicker, në një artikull për gazetën Huffington Post shkruan se themelimi i Gjykatës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi avancoi respektimin ndaj të drejtave bazë të njeriut, si dhe përpjekjet në përgjithësi, për vendosjen e një drejtësie ndërkombëtare, janë duke rishkruar rregullat kyçe të marrëdhënjeve dhe të diplomacisë ndërkombëtare”. Edhe ai kritikoi debatin e organizuar nga Jeremiçi, duke thënë se duhet të gjënden mënyra më të mira për diskutimin e çështjeve të tilla.
Jeremiçi dhe Beogradi zyrtar organizuan “debatin” kundër gjykatave ndërkombëtare në OKB, në të njëjtën ditë që kryeminsitri Daçiç u takua në Moskë me udhëheqsit më të lartë të – siç u shpreh ai, të popullit “vëlla” rus, Presidentin Putin dhe kryeministrin Medvedev. Ishte këjo një fushatë frontale dhe mbarë kombëtare e diplomacisë serbe për të kundërshtuar vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe njëkohësisht për të siguruar mbështjetjen e Moskës për politikën serbe ndaj Kosovës. Të dy këto objektiva siç duket dështuan. Kryeministri serb, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin rus, sipas medias, falenderoi Rusinë për përkrahjen që Moska dhe populli rus po i japin politikës serbe ndaj Kosovës. “Populli serb” theksoi Daçiçi, “e di dhe nuk harron se Rusia është mikja e tij më e madhe.” Megjithëse ai në sipërfaqe u prit ngrohët nga Putini, sipas agjencisë së lajmeve Rojter, kryeministri rus Medvedev gjatë takimit me Daçiçin, mund të ketë humbur durimin me qendrimin serb ndaj Kosovës, pasi citohet t’i ketë thënë udhëheqsit serb — se në lidhje me Kosovën — Moska ka përshtypjen se serbët, “presin më shumë nga Rusia se sa nga vet Serbia.” Ky është një qendrim i gabuar, citohet ti ketë thënë Medvedevi Daçiçit, dhe se Serbia duhet të kujdeset vet për këtë proces, dhe jo Moska, sipas kryeministrit rus.
Kështu pra mori fund edhe një përpjekje tjetër e shëmtuar serbe për të hedhur pluhur në sytë e botës mbi rolin e Serbisë në luftërat e ish-Jugosllavisë, mbi politikën së saj shterpë ndaj Kosovës dhe vendeve të tjera që përbënin ish-federatën jugosllave. Por siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, humbjet dhe dështimet, historikisht Serbia i ka konsideruar si fitore. Edhe këjo përpjekje e dështuar në OKB mund të radhitet si një “fitore”.
- « Previous Page
- 1
- …
- 4
- 5
- 6
- 7
- Next Page »