• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Betohen 36 vullnetarë të rinj të SHBA nga Korpusi i Paqes

August 10, 2018 by dgreca

-Deri tani 180 vullnetarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Korpusit të Paqës kanë ardhur në Kosovë/1 Betohen-Ambasadori i SHBA-së në Republikën e Kosovës, Greg Delawie: Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës.  Përkundër çka mund të lexoni në shtyp, kjo gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.  Partneriteti ndërmjet vendeve tona është i thellë dhe shumëdimensional dhe ne punojmë çdo ditë me mund për t’i çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta për demokraci, siguri dhe begati/

-Ministri Kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,  Shyqiri Bytyqi:  Sot mësojmë anglisht me vullnetarë amerikanë, jetojmë dhe i takojmë botës së lirë, andaj edhe standardet e arsimit duhet ti arrijmë po ato që ka edhe bota perëndimore/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI*

PRISHTINË, 10 Gusht 2018/ Është Zhvilluar sot në Prishtinë ceremonia e betimit solemn të 36 vullnetarëve të rinj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Korpusit të Paqes, pasi para shërbimit përfunduan trajnimin 10 javësh të mbajtur në komunitetet kosovare të Kamenicës, Koretinit, Topanicës dhe Roganës.

Drejtoresha e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant prezantoi këtë grup të pestë të vullnetarëve amerikanë në Kosovë për t’u betuar solemnisht.

Pas betimit solemn, të administruar nga Ambasadori i SHBA-së në Republikën e Kosovës, Greg Delawie, 36 vullnetarët e arsimit në  gjuhën angleze fillojnë tani shërbimin e tyre vullnetar dyvjeçar në Kosovë.

Ambasadori i SHBA-së  tha se, vullnetarët e Korpusit të Paqes përfaqësojnë një partneritet ndërmjet dy vendeve tona për promovimin e zhvillimit dhe përparimit të Kosovës dhe për të ndërtuar një themel të fortë të mirëkuptimit mes popujve të dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër miqtë dhe mbështetësit më të ngushtë të Kosovës.  Përkundër çka mund të lexoni në shtyp, kjo gjë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë.  Partneriteti ndërmjet vendeve tona është i thellë dhe shumëdimensional dhe ne punojmë çdo ditë me mund për t’i çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta për demokraci, siguri dhe begati”, theksoi Ambasadori Delawie.

Ai vijoi se, nuk ka manifestim më të prekshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e shtrijnë dorën e miqësisë se sa prania dhe përkushtimi i vullnetarëve të Korpusit të Paqes.

“Korpusi i Paqes paraqet simbol të qëndrueshëm dhe të dukshëm të kontributit të Amerikës për përpjekjet për paqe në botë.  Tre qëllime e kanë përkufizuar misionin e Korpusit të Paqes prej fillimit të programit gjatë presidencës së John F. Kennedy-t në vitin 1961. Ato janë: T’ju ndihmojë popujve të vendeve të interesuara për t’i përmbushur nevojat e tyre për personel të trajnuar; Të ndihmojë në promovimin e njohjes më të mirë të popullit amerikan nga ana e popullit të cilit i shërben; Të promovojë njohjen më të mirë të popujve të tjerë nga ana e popullit amerikan”, u shpreh Ambasadori i SHBA, Delawie.

Vullnetarët u trajnuan intensivisht 10 javë për aspekte kulturore, gjuhësore dhe teknike, gjithashtu u informuan rreth sistemit arsimor të Kosovës dhe morën pjesë në praktikum për mësimdhënie, ku janë përfshirë edhe arsimtarë vendorë të gjuhës angleze me përgatitje universitare.

Çdo vullnetar i Korpusit të Paqës jetoi me një familje mikëpritëse vendore për 10 javë për të përfituar më shumë njohuri për komunitetin dhe kulturën kosovare si dhe për të zhvilluar aftësitë e tyre gjuhësore.

Anëtarët e familjeve mikëpritëse ishin të pranishëm në ceremoninë e betimit dhe ata kanë qarë dhe qeshur për momentet e mira që kanë kaluar së bashku, pasi kjo ishte edhe lamtumirë mes tyre, sepse menjëherë pas ceremonisë vullnetarët udhëtuan për vendet e tyre të shërbimit 24 mujor në gjithë Kosovën tek familjet e reja mikëpritëse, si dhe për detyra të reja në shkollat e tyre.Me kërkesë të qeverisë së Republikës së Kosovës, Korpusi i Paqës sjell burra dhe gra të kualifikuar amerikanë për të ndihmuar Kosovën në përmbushjen e qëllimeve të arsimit fillor dhe të mesëm duke nxitur gjithashtu një mirëkuptim më të mirë mes njerëzve të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

Në gusht të vitit 2014 Korpusi i Paqës i Kosovës betoi solemnisht grupin e parë të 25 vullnetarëve të Korpusit të Paqes të Edukimit në Gjuhen Angleze, të cilët shërbyen në fshatra dhe qytete anembanë Kosovës.

Deri tani 180 vullnetarë të Korpusit të Paqës kanë ardhur në Kosovë për të shërbyer.

Edhe këta vullnetarë të grupit të pestë do të jetojnë me familjet mikëpritëse vendore, do të punojnë krah për krah me mësuesit e gjuhës angleze në shkollat fillore dhe të mesme dhe do të punojnë me komunitetet për të forcuar kapacitetet lokale, për të shkëmbyer kulturat dhe për të ndërtuar marrëdhënie që do të zgjasin përgjithmonë.

Në ceremoninë e betimit ishte edhe Ministri Kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë,  Shyqiri Bytyqi,  i cili mbajti një fjalë rasti  për grupin  e ri të vullnetarëve. “Sot mësojmë anglisht me vullnetarë amerikanë, jetojmë dhe i takojmë botës së lirë, andaj edhe standardet e arsimit duhet ti arrijmë po ato që ka edhe bota perëndimore”, u shpreh ai.

Ministri Bytyqi shtoi se, duke njohur nevojat e vendit për arsim të mirë, pa të cilin nuk ka cilësi jete, as ekonomi që garanton cilësinë e saj, jemi vënë përkushtueshëm në rritjen e standardeve.

“Andaj, praktikat që Korpusi i Paqes kultivon në përvojën e tij dhe traditën e arsimit amerikan janë një vlerë të cilën duhet të përpiqemi orë e çast ta përvetësojmë në vazhdimësi”, tha ministri i Arsimit të Kosovës.

Përfaqësues të ministrive të ndryshme, drejtorët e shkollave dhe partnerë tjerë të agjencive gjithashtu morën pjesë në këtë ngjarje.

Ambasada e SHBA në Prishtinë thekson se Korpusi i Paqës i falënderohet sinqerisht secilit përfaqësues që ndihmoi në këtë program të trajnimit dhe të cilët do të ndihmojnë në punën e vullnetarëve gjatë dy viteve të tyre në Kosovë së bashku me miqtë e shumtë, familjet mikëpritëse, stafin e trajnues  dhe  personelin e Korpusit të Paqës në Kosovë.

Grupi i parë i Korpusit të Paqes i SHBA-ve prej  25 vullnetarësh kanë mbërritur në Kosovë në 8 qershor 2014, ndërsa betimin solemn e dhanë në 20 gusht, poashtu pas trajnimit parapërgatitor në komunitetet kosovare.

Para se të shkonin në pikat e tyre të shërbimit, vullnetarët u aftësuan për tre muaj në mënyrë gjithëpërfshirëse për aspektet ndërkulturore, gjuhësore, dhe teknike.

Korpusi i Paqës filloi programin e tij të parë në Kosovë me ftesë të presidentes së atëherëshme Atifete Jahjaga, e cila në 9 shtator të vitit 2013 me ambasadoren në atë kohë të SHBA-së në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson, nënshkruan marrëveshjen ndërshtetërore për hapjen e programit të Korpusit të Paqes në Kosovë.

“Me këtë marrëveshje, Kosova bëhet shteti i 140 nikoqir i Korpusit të Paqes, organizatë kjo e vullnetarëve amerikanë e themeluar nga Presidenti Kenedi, që me dekada kanë ndërtuar ura të miqësisë mes popujve përreth botës”, theksoi atëherë presidentja në ceremoninë ku ishte edhe drejtoresha e Korpusit Amerikan të Paqes, Helen Lowman.

Vullnetarët e Korpusit të Paqes janë të përkushtuar ndaj ndërtimit të kapaciteteve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm  në nivelin bazë, për dallim nga financimi tradicional i zhvillimit.

*Per me shume foto shko ne facebook(dielli vatra)

Filed Under: Featured Tagged With: Amerikan, Behlul Jashari, betohen 36 vullnetaret, Kosove

Incident mes avionëve kinezë dhe një avioni amerikan

May 20, 2016 by dgreca

Kina i kërkoi Uashingtonit të ndalojë mbikqyrjen nga afër të bregdetit, pas një incidenti që Pentagoni e quajti një shkëmbim të rrezikshëm ndërmjet dy avionëve luftarakë kinezë dhe një avioni amerikan. Pentagoni tha se dy avionët kinezë interceptuan një avion amerikan gjatë një patrullimi rutinë të martën në hapësirën ndërkombëtare mbi Detin e Kinës Jugore. Por, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme kineze, versioni i Pentagonit për ngjarjen nuk është i vërtetë dhe se dy avionët kinezë kishin gjurmuar dhe monitoruar avionin amerikan në bazë të rregullave dhe duke ruajtur një distancë të sigurtë, pa ndërmarrë veprime të rrezikshme. Sipas autoriteteve kineze, interceptimi u bë pranë ishullit jugor kinez, Hainan, dhe se ai përfaqëson një kërcënim serioz ndaj hapësirës ajrore kineze. Incidenti ndodhi ndërkohë që Presidenti Obama po përgatitet për një udhëtim historik në rajon, si presidenti i parë amerikan që do të vizitojë Hiroshimën, në Japoni, si dhe Vietnamin. Gjithashtu, në javët në vazhdim pritet të jepet një vendim për padinë ndërkombëtare të ngritur nga Filipinet kundër Kinës për uzurpimin e pjesës më të madhe të Detit të Kinës Jugore. {SH.K}

Filed Under: Kronike Tagged With: Amerikan, dhe një avioni, Incident mes avionëve kinezë

Papa Françesku, fjalim historik në Kongresin Amerikan

September 24, 2015 by dgreca

Papa Françesku mbajti një fjalim historik në Kongresin amerikan gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara. Ati i Shenjtë, në fjalimin e tij shprehu respektin ndaj Amerikës dhe vlerave të këtij vendi, preku temat më të mëdha që shqetësojnë botën sot dhe frymëzoi sallën ku ishin mbledhur dy dhomat e Kongresit me mesazhet e tij.Eshtë hera e parë që një  Papë flet në një Kongres amerikan.  Dhe fjalimi ishte një ndër vetëm katër gjatë vizitës që ai mbante në anglisht. Të tjerët po i mban në gjuhën e tij spanjolle.

…dhe Ati i Shenjtë e përcaktoi tonin e fjalimit të tij që në fillim, duke thënë një nga shprehjet më simbolike amerikane.“Jam mirënjohës që jam këtu në tokën e të lirëve dhe në atdheun e trimave”, tha ai. Dhe duartrokitjet shpërthyen në atë moment dhe gjatë gjithë fjalimit. Pas tij ishin ulul dy katolikë amerikanë: Nënpresidenti Joe Biden dhe kreu i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner.Papa Françesku e hapi fjalimin e tij historik në Kongres duke e përshkruar veten si një “bir i këtij kontinenti të madh” i bashkuar me Amerikën në një qëllim të përbashkët.Papa preku të gjitha çështjet që shqetësojnë sot botën. Ai shprehu shqetësimin që bota është sot në konflikt. Papa bën thirrje për një “ekuilibër delikat” në luftën kundër ekstremizmit fetar për të garantuar se liritë themelore të njeriut nuk do të shkelen. Ai tha në fjalimin e tij para Kongresit se asnjë fe “nuk është e imunizuar nga format e keqkuptimit individual ose nga ekstremizmi ideologjik.”Papa Françesku shprehu shqetësim të thellë në lidhje me masakrimin e të krishterëve dhe pakicave të tjera fetare në Lindjen e Mesme nga duart e ekstremistëve islamikë, me frikën se prania e krishterë në rajon është e rrezikuar.Papa tha se liritë fetare, intelektuale dhe individuale duhet të mbrohen, ndërkohë që luftohet dhuna që kryhet në emër të fesë.Papa bëri thirrje që të tregohet kujdes për të mos e ndarë botën në mënyrë simpliste në dy kampe – e mira dhe e keqja.

Ati i Shenjtë foli me ndjeshmëri të lartë për çështjen e emigracionit, madje edhe me nota personale.“Të gjithë në kemi qenë dikur të huaj diku. E them këtë si bir imigrantësh”, tha ai duke iu referuar faktit që prindërit e tij ishin imigrantë italianë në Argjentinë.Duke folur për krizën e imigracionit në Evropë, si dhe për debatet në Shtetet e Bashkuara mbi emigracionin nga Amerika Latine, Papa Françesku u bëri thirrje ligjvënësve “për t’u përgjigjur në një mënyrë që është gjithmonë humane, e drejtë dhe vëllazërore.”“Ne nuk duhet të trembemi nga numri i tyre, por t’i shohim ata si njerëz, duke vështruar fytyrat e tyre dhe duke dëgjuar historitë e tyre, duke u përpjekur për t’iu përgjigjur sa më mirë që mundemi gjendjes së tyre,” tha Papa.Ai përdori si ilustrim atë që e quajti rregull të artë:“Trajtoi të tjerët ashtu siç do doje të të trajtonin ata ty. Kjo na jep një drejtim të qartë”, tha ai duke shtuar se gjithkush duhet të trajtohet me respekt.Nëse duam më shumë siguri, le të japim siguri, nëse duam jetë le të japim jetë, nëse duam mundësi, le të krijojmë mundësi.Papa Françesku foli për pabarëzinë dhe drejtësinë sociale dhe klimën. Papa bëri thirrje që t’i jepet fund dënimit me vdekje në SHBA dhe në botë. Ai tha se çdo jetë është e shenjtë dhe shoqëria vetëm mund të përfitojë nga rehabilitimin i njerëzve të dënuar për krime.Gjatë gjithë fjalimit, Papa përmendi katër figura qendrore amerikane, jetët e të cilëve mund të shërbejë si frymëzim ndërsa bota përballet me sfidat e vështira të sotme. Dy prej tyre ishin Abraham Lincoln dhe Martin Luther King. I pari për rolin e tij në lirinë dhe demokracinë amerikane. I dyti për ëndrrën, të drejtat civile. Ai tha se amerika vazhon të jetë tokë e shumë ëndrrave.Dy të tjerët ishin Dorothy Day, themeluese e Lëvizjes së Punëtorëve Katolikë që përdori fenë e saj për të punuar për drejtësi sociale. Ndërsa I katërti ishte Thomas Merton, që nuk pati patur origjinë katolike u bë një murg I njohur dhe autor I njohur që nxiste paqen.Pas fjalimit që u përshëndet me duartokitje të gjata, Papa foli edhe para të gjithë admiruesve të mbledhur para Kapitolit duke i përshëndetur ata ngrohtë.Ishte një ditë e pazakontë për Washingtonin dhe papa dukej në humor shumë të mirë. Solemniteti ishte kudo që nga pritja në Shtëpinë e Bardhë, tek entuziazmi i turmave në rrugët e Uashingtonit, tek Bazilika ku mbajtin meshën. Papa nuk hezitoi të përmendte tema delikate për politikën globale dhe amerikane si për shembull ngrohja globale. Papa Françesku u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin hapa urgjente për të parandaluar shkatërrimin e mjedisit në botë dhe për të lehtësuar problemin e varfërisë. Ai tha se problemi i ndryshimeve klimatike, nuk mund t’i lihet brezit pasardhës.Pas një parade në Parkun Kombëtar të Uashingtonit, Papa do të drejtojë një takim lutjesh me peshkopët amerikanë, si dhe një meshë ceremoniale për shpalljen shenjtor të Junipero Serras, priftit françeskan, i cili themeloi misionin katolik në brigjet e Kalifornisë, gjatë marshimit me pushtuesit spanjollë.Shenjtërimi i atit Serra është një çështje që ka lënduar shumë amerikanë indigjenë, të cilët thonë se prifti Serra kontribuoi në abuzimin dhe eliminimin e shumë fiseve indigjene nga skllavërimi dhe sëmundjet.Papa, foli dje gjithashtu edhe për çështjen e abuzimit seksual nga priftërinjtë katolikë. Kjo ishte një nga pikat ku ai u kritikua nga avokatët e viktimave të këtij abuzimi, pasi sipas tyre ai tregoi mëshirë dhe kujdes për kishën for jo viktimat.Para se të shkojë në Nju Jork, papa do të shkojë në një kishë ku do të hajë drekë me të pastrehët dhe të varfrit. Në Nju Jork ai do të shkojë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të mbajë një shërbim ndërfetar në Muzeun për Nder të 11 shtatori. Më pas ai do të vizitojë edhe Filadelfian.

Filed Under: Kronike Tagged With: Amerikan, fjalim historik, në Kongresin, Papa francesku

Endrra amerikane e shqiptarit

August 19, 2015 by dgreca

Kristian Sokoli, shqiptari i parë që ka nënshkruar një kontratë me Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan/
Më 15 gusht, Kristjan Sokoli – i pari person i lindur në Shqipëri që ka nënshkruar një kontratë me Ligën Kombëtare të Futbollit Amerikan – luajti ndeshjen e tij të parë me skuadrën e Seattle Seahaëks. Ne kontaktuam me familjen e tij dhe Kristjan dërgoi një mesazh ekskluziv për të gjithë shqiptarët, nëpërmjet faqes sonë në Facebook. “Për mua kjo është një ëndërr që bëhet realitet. Dua të dërgoj një falenderim shumë të madh për të gjithë shqiptarët që më kanë shfaqur mbështetjen e tyre, anembanë vendit dhe botës. Ne jemi një komb i madh, me njerëz punëtorë. Kam respektin më të madh për të gjithë vëllezërit dhe motrat shqiptarë kudo në botë,” thotë Kristjani.
Ju mund të lexoni më shumë për të në artikullin e revistës Rolling Stones, “Ëndrra Amerikane e Kristjan Sokolit: Nga Shqipëria në Ligën Kombëtare të Futbollit”, duke klikuar këtu: http://goo.gl/ZFq16t
On August 15, Kristjan Sokoli – the first Albanian to ever make the National Football League – played his first game with the Seattle Seahawks. We got in touch with his family and Kristjan sent an exclusive message to all the Albanians through our Facebook Page. “This has truly been a dream come true. I would like to give a big thank you to the Albanians who have showed me support across the country and the world! We are a great nation of hard working great people. I send my love and respect to all my Albanian brothers and sisters in the world!” says Kristjan.
You can read more about him in the Rolling Stone magazine article, “Kristjan Sokoli’s American Dream: From Albania to the NFL”, by clicking here: http://goo.gl/ZFq16t
The Rolling Stones logo and article are copyrights of the Rolling Stones Magazine
Photo: Rolling Stones/ Kirk Irwin/Getty Images

Filed Under: Sport Tagged With: Amerikan, Kristian Sokoli, shqiptari i parë që ka nënshkruar një kontratë me Ligën Kombëtare, të futbollit

UDHËHEQSI I RI I SENATIT AMERIKAN DHE SHQIPTARËT

November 12, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Në zgjedhjet e fundit që u mbajtën javën e kaluar në Shtetet e Bashkuara për anëtarët e ri të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqsuesve, Partia Republikane fitoi shumicën në të dyja Dhomat e Kongresit, duke thelluar kështu shumicën që gëzonin më parë në Dhomën e Përfaqsuesve dhe si përfundim i zgjedhjeve të fundit, republikanët tani kontrollojnë edhe Senatin. Nga kjo fitore, Partia Republikane do të ketë në janar nën kontroll të dyja Dhomat e Kongresit. Pritet që kryetar i Senatit të ri që fillon punën në janar të vitit 2015, të zgjidhet Senatori Mitch McConnell i shtetit Kentaki.
Si emër, Senatori McConnell ndoshta nuk njihet mirë në trojet shqiptare, siç njihen për shëmbëll ish-Senatori Robert Dole, Hillary Clinton, Kongresmeni Eliot Engel e shumë të të tjerë republikanë e demokratë, gjatë tri dekadave të fundit, si mbështetës të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në Ballkan. Por e vërteta është se edhe Senatori Mitch McConnell ka merita pasi ishte dhe është një mbështetës i të drejtave të shqiptarëve, gjë që e tregoi sidomos gjatë luftës në Kosovë. Nja dy javë para zgjedhjeve të 4 nëntorit, Senatori Mitch McConnell ishte ftuar të takohej në Nju Jork me disa përfaqsues të komunitetit shqiptaro-amerikan, nga aktivisti i shquar dhe biznismeni më i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe miku i tij i ngushtë prej shumë vitesh i Senatorit McConnell, Xhim Xhema. Nuk mund të flitet për Senatorin Mitch McConnell dhe mbështetjen e tij për të drejtat dhe lirinë e shqiqptarëve, pa folur për Xhim Xhemën. Xhim Xhema, është i lindur në Preshevë, por thotë se familja e tij është me origjinë prej Shkrelit të mbi Shkodrës. Ai ka ardhur në Amerikë dekada më parë dhe njihet si një shqiptaro-amerikan, i cili me devocionin e tij ndaj çështjes kombëtare dhe mbështetjes së tij ndaj interesave dhe të drejtave kombëtare të shqiptarëve kudo. Ai së bashku me disa bashkatdhetarë të tjerë nga komuniteti — ka luajtur një rol të rëndësishëm, për të mos thënë jetik në përpjekjet për të bindur asokohe qeverinë dhe Kongresin amerikan për të miratuar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s më 1999, gjë që i dha fund shtypjes brutale të forcave terroriste të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës si dhe spastrimit etnik të shqiptarëve nga trojet e veta. Xhim Xhema vetë është tepër modest dhe nuk i pëlqen aspak publiciteti, sepse ai me të vërtetë beson në ato që bën dhe nuk pret asnjë shpërblim as njohje nga askush. E kisha takuar Xhimin për herë të parë në Washington diku nga fillimi i 1980-ave dhe gjatë viteve e dekadave që pasuan, shpeshë më ka ndodhur të jem dëshmitar i influencës dhe rolit që Xhim Xhema ka luajtur dhe luan gjithnjë në favor të kauzës shqiptare, të drejtave të tyre të njeriut për ta dhe në përmirësimin e jetës së të gjithë shqiptarëve në trojet e veta, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor. Nuk besoj të ketë ndonjë shqiptar tjetër në Amerikë apo kudo gjetkë që të ketë kontribuar mund, djersë dhe fonde sa Xhim Xhema – me objektivin për të bërë të njohur çështjen shqiptare në Amerikë e në botë, dhe si rrjedhim të veprimtarisë së tij të palodhur, të ketë kontribuar për një jetë më të mirë të shqiptarëve kudo, por sidomos për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për disa dekada tani, Xhimi është dalluar në komunitetin shqiptaro-amerikan si një veprimtar që kishte lidhje të ngushta me një numër të madh personalitetesh të politikës amerikane. Ai i përdori këto lidhje me shumë mjeshtëri për t’i bindur ata se shqiptarët meritonin të drejtat, lirinë, paqën dhe stabilitetin si çdo popull tjetër në Ballkan dhe në Europë. Ndër politikanët më të dalluar që Xhim Xhema kishte zhvilluar një miqësi të gjatë dhe të frutshme, ishin ndër të tjerë, ish-Senatori republikan i shtetit Kansas, Robert Dole dhe Senatori i tanishëm Mitch McConnell nga shteti Kentaki, i cili janarin që vjen — në rolin e tij si kryetar i shumicës republikane — pritet të zgjidhet Kryetar i Senatit të Shteteve të Bashkuara.
Ishte viti 1998 kur Serbia ndërmori një fushatë terrrori kundër popullësisë civile të pafajshme dhe të pa armatosur të shqiptarëve të Kosovës duke i masakruar ata, duke u djegur shtëpitë, duke dhunuar dhe duke kryer një numër barbarizmash e mizorishë, me qëllim për të spastruar etnikisht Kosovën nga popullësia autoktone shqiptare. Ishte kjo një dhunë barbare e pa parë në Europë ç’prej hollokaustit të Luftës së Dytë Botërore. Dhe ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara Bill Klinton ai që më në fund bindi botën dhe Aleancën e Atlantikut Verior, NATO, Kongresin dhe opinionin amerikan dhe botëror, se ndërhyrja ushtarake kundër Serbisë ishte e vetmja zgjidhje për të ndaluar masakrën e popullit shqiptar në Kosovë nga forcat brutale policore dhe ushtarake të Millosheviçit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndruan në krye të përpjekjeve ndërkombëtare duke luajtur rolin kryesor para dhe pas luftës, si udhëheqse për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga shfarosja. Ishte ky një mesazh nga Washingtoni zyrtar se gjenocidi dhe spastrimi etnik nuk do të toleroheshin në shekullin 21.
Por ndërhyrjes ushtarake perëndimore kundër Serbisë i kishte paraprirë një fushatë e gjatë dhe shpeshherë e lodhëshme nga aktivistë të komunitetit shqiptaro-amerikan si Xhim Xhema për të bindur Shtetet e Bashkuara dhe përfaqsuesit e saj politikë në Washington, si Senatorin Mitch McConnell dhe shumë të tjerë si ai, se gjenocidi kundër popullit shqiptar në Ballkan nuk duhej të tolerohej.
Sipas një video të vendosur në “youtube” nga gazetari Halil Mula, në takimin e fundit parazgjedhor me Xhim Xhemën dhe me përfaqsues të tjerë të komunitetit shqiptaro-amerikan në Nju Jork, Senatori McConnell pohoi se është njohës i çështjeve shqiptare duke shtuar se “Të gjitha njohuritë e mia për Shqipërinë dhe për Shqiptarët i kam nga Xhim Xhema”. Ndërsa Z. Xhema përshëndeti Senatorin McConnell dhe të pranishmit, duke thënë se, “Jemi këtu sepse dua që miku i ynë i mirë Mitch McConnell të bëhet udhëheqsi i shumicës në Senat. Duam të kemi një agjendë të re në vitin 2015. Shpresojmë që të çojmë këtë vend përpara dhe të ndryshojmë për më mirë të gjithë atmosferën në Washington”, shtoi ai. “Të ndërtojmë vendin tonë, ta bëjmë atë përsëri, ndonëse jemi gjithnjë në vend të parë – po pësojmë zmbrapsje. Ne jemi më të mirët, ne prodhojmë më së shumti, ne jemi më të mençur, gati për të luajtur rolin që ky vend (Amerika) ka luajtur shekullin e kaluar.” Këtë, theksoi Xhim Xhema, “mund ta bëjë vetëm Washingtoni dhe udhëheqës si miku im këtu sonte, Mitch McConnell.”
Gjatë krizës në Kosovë, Senatori Mitch McConnell së bashku me disa ligjvenës të tjerë të Kongresit amerikan të dy partive kryesore amerikane, ishte në krye të përpjekjeve për të bindur opinion amerikan dhe Kongresin se diçka duhej bërë për të ndaluar gjenocidin kundër shqiptarëve në Kosovë, duke mos përjashtuar edhe ndihmën ushtarake për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai së bashku me një mbështetës tjetër të shqiptarëve në Kongres, ish-Senatorin Joe Lieberman kishin propozuar një fond prej 25-milion dollarësh për të armatosur UÇK-ën për ta aftësuar atë të vet-mbrohej nga sulmet serbe. Ndërhyrja eventuale e NATO-s kundër Serbisë, bëri që ky propozim të mos miratohej nga Kongresi. Argumenti i Senatorit McConnell dhe të tjerëve ishte se Shtetet e Bashkuara e kishin për detyrë morale që të mundësonin popullin e Kosovës të mbronte veten nga sulmet e ushtrisë dhe të policisë serbe.
Por, Senatori McConnell vazhdonte të mbështeste kauzën e shqiptarëve për liri e pavarsi edhe me mënyra të tjera. Në një kryeartikull për gazetën e kryeqytetit, Washington Post të datës 22 shkurt 1999, pasi jep një pasqyrë të situatës në Kosovë, përfshirë edhe masakrën në Raçak, Senatori McConnell shkruante se “Ka ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të pranojnë realitetin: të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të furnizojnë udhëheqjen (shqiptare) në Prishtinë me ndihmat e nevojshme politike dhe ushtarake për të ndaluar luftën e Serbisë të përmasave prej gjenocidi.” Senatori McConnell i bënte thirrje opinionit publik amerikan 15 vjetë më parë në Washington Post se, “Politika jonë duhet të njohë një objektiv thelbësor: Pavarësinë e Kosovës.”
Gjatë kohës që kam punuar si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në vitin 2005 — në përpjekjet tona për të përshpejtuar njohjen sa më parë të Pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara — më kujtohet se ishte Senatori Mc Connell dhe stafi i tij ndër më aktivët në Kongres që i kërkonin administratës së Presidentit George W. Bush që të njifte sa më shpejtë pavarësinë e Kosovës, pasi me të drejtë mendohej se nëqoftse Kosova njihej më së pari nga Shtetet e Bashkuara, njohjet e tjera do të pasonin, ashtu siç edhe ndodhi.
Ngërçi politik në Kosovë tash më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të lira dhe të drejta të qershorit është një pasqyrë e tmershme e mosaftësive të klasës politike të shtetit të ri për të krijuar institucionet e reja të Republikës së Kosovës. Kjo krizë politike e stërgjatur është këthyer një çështje shqetësimi me pasoja të pa parashikueshme për vendin, kryesisht për vet popullin e Kosovës por edhe për miqët ndërkombëtarë të cilët janë të interesuar dhe ia duan të mirën Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Shtetet e Bashkuara, si vendi më i angazhuar në mbështetje të Kosovës gjatë gjithë kësaj kohe, si dhe përfaqsuesit e saj në Kongres, por mbi të gjithë komuniteti shqiptaro-amerikan – siç përfaqësohet me dinjitet nga Xhim Xhema dhe të tjerë — do të dëshironin që sa më shpejt klasa politike e Republikës së Kosovës të krijojë qeverinë dhe institucionet e reja, ashtuqë vet Kosova të mos pësoj dëme të tjera mbrenda vendit, por as në fushën ndërkombëtare, nëqoftse vendi kërkon njohje të tjera. Kosova ka nveojë për stabilitet politik. Moska e Beogradi kënaqen me situatën e tanishme politike në Kosovë!
Populli amerikan, nepërmjet qeverisë dhe përfaqsuesve të saj në Kongres e kanë ndihmuar Kosovën dhe shqiptarët në momentet më të vështira të tyre, por siç tha gjatë një interviste kohët e fundit edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobsen, “Kosova nuk është koloni e Shteteve të Bashkuara”. Kosova, shtoi diplomatja amerikane në Prishtinë, “është vend i pavarur dhe nëse do të ketë sukses, atëherë prijësit politikë të Kosovës, njerëzit të cilët ju i keni votuar dhe i keni zgjedhur, duhet të mësojnë artin e ndërtimit të konsensusit politik.” Kjo është shpresa dhe dëshira e miqëve të shumtë të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – siç është udhëheqsi i ri i Senatit amerikan, Senatori Mitch McConnell dhe i veprimtarit të palodhshëm shqiptaro-amerikan Xhim Xhema — si një përfaqsues i denjë i këtij komuniteti — që gjatë periudhave më të vështira të saj janë gjëndur gjithmonë afër Kosovës dhe shqiptarëve.
Populli shqiptar i vuajtur i Kosovës meriton më shumë se kaq nga politikanët që i ka zgjedhur me vota të lira dhe të drejta, por ama as miqët që i kanë ndejtë afër Kosovës gjatë tre dekadave të fundit nuk duhet ta ndjejnë veten të zhgënjyer nga mos aftësia e politikanëve shqiptarë për të arritur një konsensus politik për qeverisjen e vendit, pasi ata mund të kenë nevojë në të ardhmen, ashtu si në të kaluarën, për mbështetjen e tyre ndaj Republikës së Kosovës, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Sa të mos bëhet tepër vonë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Amerikan, dhe shqiptaret, UDHËHEQSI I RI I SENATIT

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT