• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Herman D. Berstein, urëlidhëse mes SHBA-së e Shqipërisë

July 12, 2013 by dgreca

Nga Prof. Dr. Uran ASLLANI/

Duke filluar nga 28 korriku 1922, kur për herë të parë filluan marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-së dhe Shqipërisë, me Maxwell Blackun, në ofiqin e komisarit, më pas me ministrat fuqiplotë Grant Smithin, po brenda atij viti, duke vazhduar më tej me Charles C. Hart, Herman Bernstein, Post Wheeler dhe së fundi me Hugh Gladney Grant, më filoshqiptari ka rezultuar të ishte Herman David Bernstein.Në almanakun e diplomatëve amerikanë për Herman D. Bernstein shkruhet: shkrimtar izraelit amerikan, korrespondent dhe reporter amerikan, editor gazetash amerikane dhe angleze, diplomat amerikan, ministër fuqiplotë në Shqipëri, përkthyes nga rusishtja.Diplomati amerikan me prejardhje izraelite nga Rusia kishte lindur në fshatin kolonësh gjermanë Neustadt Scherwindt (Vladislavor) të Donit, më 21 shtator 1876. Në vitin 1893, në moshën 17-vjeçare emigroi në SHBA, tek i ungji, që ishte një botues i njohur gazetash.Pas mbarimit të studimeve në SHBA, në vitin 1900 bëhet gazetar dhe bashkëpunoi me disa gazeta amerikane të kohës, si “The New York Evening Post”, “The Nation”, “The Indipendence” dhe “Ainslee’s Magazine”. Nga viti 1908 e deri në vitin 1912 ai ishte gazetar i “New York Times”, por personalisht ai themeloi dhe botoi edhe gazetat dhe revistat “New London Day”, “The Jewish Tribune”, “Jewish Daily Bulletin”.Me fillimin e Luftës I Botërore, në vitin 1915 vjen ne Evrope, si korrespondent i gazetës “New York Herald”, për të vrojtuar dhe raportuar mbi gjendjen e çifuteve në zonat e luftimeve.Në vitin 1917 botoi korrespondencën e Carit rus me Kaiser Wilhemin, në formë telegramesh të shumta, në rubrikën “Willy Nicky” e “Celebrities of our Time”, që më vonë i boton si libër me parathënien e ish-presidentit Theodhor Roosevelt. Në vitin 1921 botoi librat “History of a Lie”dhe “The Protocols of the Elders of Zion”. H. Bernstein njihet edhe si nga përkthyesit më të njohur të Cehovit, Tolstoit, Andrejevit dhe Gorkit. Njëkohësisht ai entuziazmohet nga veprimet e bolshevikëve, të cilët, fillimisht, kishin udhëheqës politike e shtetërore izraelite, ishin kundër pogromeve e të tjera persekutimesh. Me këtë bindje merr pjesë në fushatën prosovjetike në shtypin amerikan. Në vitet 1919-1920, si gazetar merr pjesë në stafin e Presidentit W. Wilson, në Konferencën e Paqes në Paris, ku në miqësi të ngushtë me filoshqiptarët e njohur si kolonelin, këshilltar i Presidentit Charles House, senatorin Walter Evans Edge, diplomatët Charles R. Crane, Fred Williams, profesorët Paul Monroe, dr. Telford Ericksonin diplomati Herman Bernstein vepron si një shqiptar i vërtetë.Herman Berstein ka shërbyer si ministër fuqiplotë SHBA në Tiranë, nga 11 marsi i vitit 1930 deri në 15 shtator 1933. Duke njohur qëndrimin proshqiptar të këtij diplomati pritja që i është bërë tij ka qenë e veçantë.Bashkangjitur me artikullin po botojmë një fotografi origjinale e marsit 1930. Në atë foto gjenden të vendosur nëpër shkallët e Legatës, gjithë personeli amerikan dhe shqiptar i përfaqësisë diplomatike, duke filluar nga ministri H. Bernstein, bashkëshortja Evelinë, sekretari Holmes, shqiptarët Loni Adhami, bashkëshortja e tij Melpomeni e tij. Në këtë foto janë pothuaj të gjithë personalitetet shqiptare të kohës, duke filluar nga ministrat shqiptarë Rauf Fico, Xhafer Ypi, Xhafer Vila, Hiqmet Delvina, Dhimitër Berati, Fuad Asllani etj.Gjatë kohës së shërbimit në Tiranë, ai u përpoq dhe arriti të tërhiqte interesin e gazetarëve dhe shkencëtarëve amerikanë. Këta si turistë vizituan Shqipërinë, madje disa prej tyre edhe dy-tre herë dhe me mbresat më të mira shkruajnë një seri artikujsh shumë dobiprurës. Të tillë ishin dr. David Fairchild, botanist dhe funksionar i Departamentit të Bujqësisë, që në fund të qershorit të vitit 1930, së bashku me miq të tij vizitojnë Shqipërinë mbështesin dhe shtojnë rekomandime të dobishme për zhvillimin e bujqësisë, arsimit bujqësor dhe fshatit shqiptar.Po në atë periudhë vijnë në Shqipëri, të ftuar nga H. Berstein edhe personalitete shtetërore, si nënsekretari i shtetit për financat, Ogden J. Mills së bashku me një grup specialistësh financiarë. Edhe ky grup dha këshilla të vlefshme ekonomike-financiare për shtetin shqiptar.Për ta bërë edhe më interesante Shqipërinë dhe traditat e saj, ministri amerikan solli në Shqipëri, në korrik 1930, edhe muzikologen dhe kompozitoren e njohur amerikane, mis Stela Cushing. Kjo e fundit mblodhi dhe koleksionoi shumë këngë, rapsodi dhe balada popullore. Njëkohësisht me mis Cushingun, shkrimtaret e publicistët e njohura amerikane May Mott dhe Ethel Watts vizituan çdo skutë të Shqipërisë Veriore dhe të asaj jugore edhe kur u kthyen në SHBA botuan një seri artikujsh dhe reportazhesh në gazetat e Bostonit.Disa muaj me vonë, H. Berstein solli në Shqipëri edhe gazetarët Floyd Gibbons dhe William McNutt të gazetave të Çikagos dhe Bostonit. Veprimtaria e Bersteinit në Shqipëri është komplekse, por pjesa më e rëndësishme, më kuptimplotë e saj është ajo që lidhet me kontributin e tij, themelor, për ngritjen dhe fillimin e punës të Institutit Amerikano-Shqiptar Bujqësor të Kavajës.Përpjekjet e mikut të madh të shqiptarëve dr. Telford Eriksonit për të hapur dhe mbarëvajtur një shkollë vajzash dhe djemsh në Kavajë arritën që ta realizonin vetëm për tri vite pune. Ndërprerja e veprimtarisë së saj u shkaktua nga mungesa e fondeve amerikane të Bostonit dhe nga pamundësia e mbështetjes financiare shtetërore.Në vazhdim të kësaj veprimtarie u tentua të ngrihej një institucion arsimor nga S. Irwingu, por edhe ky projekt u neglizhua për shkak të Krizës Ekonomike Botërore. Ndaj për shkak të nevojës së madhe për një arsimim bujqësor të rinisë shqiptare në këtë nismë u angazhua edhe vetë ministri fuqiplotë Herman Bernstein. Ai kërkoi ndihmën e një shoqate mirëbërëse amerikane, që kishte emrin Fondacioni i Lindjes së Afërme (The Near East Foundation), që gjatë 14 viteve kishte kryer veprimtari mirëbërëse në Siri, Palestinë, Egjipt, Turqi dhe në Armeni, duke mbajtur financiarisht 17 kolegje arsimore, kryesisht në fushën e bujqësisë. Fondacioni i Lindjes se Afërme, qysh në vitin 1927, ishin të mirinformuara për nevojat emergjente të popullit shqiptar, nga një studim që kishte kryer specialist i bujqësisë dr. Luther C. Fray.Më 1shtator 1930, vijnë në Shqipëri dr. James L. Barton, nënpresidenti NEF, shoqëruar nga dr. Barclay Acheson dhe më 2 shtator takojnë Kryeministrin Pandeli Evangjelin, së bashku me ta ishte ta ishin H. Bernstein, dr. Archer dhe sekretari i Legates, mr. Holmes. Bisedimet përfunduan me sukses. Një ditë më vonë, më datën 3 shtator në qeveri miratohet projekti i posaçëm i Institutit Shqiptaro-Amerikan, ndërsa nga parlamenti miratimi do të bëhej disa ditë më vonë, më 15 shtator.Një rol të madh në gatishmërinë e fondacionit për të ngritur shkollën në Shqipëri ka lozur dr. James L. Barton ose siç njihej plaku i mirë. Tek ndihma e tij u mbështet ministri amerikan, dr. J. Barton kishte qenë lidhur me problemet shqiptare qysh në vitin 1914, kur si mik i G. Fred Willamsit kishte themeluar organizatën filantropike “Albanian Relief Society”, me qëllimin e vetëm grumbullimin e ndihmave për muhaxhirët e Vlorës dhe dërgimin e tyre me një vapor në Shqipëri.Më 18 tetor 1930, përurohet fillimi i ndërtimit të Shkollës së Vajzave ku do të mësonin deri 100 vajza, ndërsa disa ditë më vonë, më 29 tetor, përurohet edhe ndërtimi i Shkollës Bujqësore Amerikane, për 100 djem. Me atë rast lexohet mesazhi i Mbretit Zog dhe mbahen fjalime nga James Barton, Hilë Mosi dhe H. Berstein;Për ndërtimin e këtyre shkollave u investuan 50000 dollarë, nga të cilat qeveria shqiptare pagoi 33%, ndërsa pjesa tjetër u përballua nga Near East Foundation si edhe nga grupi filantrop dr. Harold Marshall. Ndërkohë që ndërtimet në Kavajë vazhdonin, edhe procesi mësimor si edhe praktikat mësimore nuk u ndërprenë asnjëherë, Herman Berstein vazhdonte veprimtarinë njohëse dhe vlerësuese të gjendjes së Shqipërisë dhe qyteteve të saj. Ai filloi vizitat në qytetet kryesore shqiptare. Më 10 gusht 1931 i shoqëruar nga Mehmed Konica, vizitoi Korçën, ku mbeti shumë i kënaqur për arritjet e qytetit në arsim, kulturë dhe atdhetarizmin që kishin shfaqur. Këto kënaqësi i shprehu me telegramin e falënderimit dërguar prefektit Abedin Nepravishta. Aty nga fundi i gushtit dhe gjatë shtatorit ai vizitoi edhe Shkodrën, Vlorën e deri në Gjirokastër, duke u mahnitur me mikpritjen shqiptare dhe me natyrën e mrekullueshme të Shqipërisë.Në 12 shtator të vitit 1931, gazeta frënge “Le Temps” njoftonte se Herman Bernstein ishte zgjedhur një nga të tetë anëtarët e Akademisë Ndërkombëtare Diplomatike, përkrah Kryeministrit indian Khan Bahaduri, ministrave fuqiplotë gjermanë Von Wesendonk dhe Renwer, belgut Jansen, marokenit Ben Chabrit etj.Më 22 shkurt 1932, u mbush 200-vjetorin i lindjes së George Washingtonit dhe me këtë rast Legata Amerikane bëri një pritje, ku morën pjesë personalitetet shqiptare, po ashtu edhe përfaqësitë diplomatike evropiane. Me atë rast Eqerem Libohova lexoi telegramin e urimit të dërguar nga Mbreti Zog, Presidentit amerikan Hoover. Pas tij Herman Bernstein mbajti një fjalim të cilin po e citojmë më poshtë, me disa shkurtime:

“Sot populli amerikan feston 200-vjetorin e lindjes se George Washingtonit. Emri dhe vepra e tij e pavdekshme nderohen në shumë shtete jo vetëm në SHBA, por edhe prej të tjerësh, të cilët e dinë dhe e çmojnë punën e kryemjeshtrit të indipendencës s’Amerikës.Ne nuk e adhurojmë Washingtonin si një i shenjtë pa të meta njerëzore, as nuk e lavdërojmë vetëm si një hero viktorios në fushën e tij militare, sepse megjithëqë ai kishte një ushtri të vogël dhe të organizuar keq, që i mungonin ushqimet, municionet dhe uniformat, ai shpesh kthente humbjet e tija militare në fitore të përfundshme……… Besonte fort në fuqinë e së drejtës. E kontrollonte mjeshtërinë e udhëheqjes pa u diktuar. E drejta e çështjes së popullit dhe drejtësia e hidhërimeve të tij i kishin hyrë në shpirt……. Dhe kur ngadhënjimi i independencës kombëtare u realizua, vetëm prej mendshmërisë se madhe të tij. Dhe atëherë kur periudha e ndërtimit të lirisë së porsalindur kish mbaruar dhe Washingtoni u zgjodh i pari President i Shteteve të Bashkuara, bashkëpunoi me shokët e tij dhe bashkë me ta të ndërtonte urtësisht dhe ndërgjegjësisht godinën që i thonë Amerikë…

…Ishin kohëra kur Washingtoni u vu nën një mësymje politike të pajustifikuara dhe mizore, ashtu si u vunë Presidentit Linkoln, ashtu sikurse tani Presidenti Hoover… Dinjiteti i tij dhe ndjenja e përgjegjësisë në ofiq të lartë, besnikëria e tij dhe kuptimi i nevojave të popullit dhe shpresave të kombit, dija e tij profetike në të trajtuarit të politikes së Amerikës në marrëdhëniet e saj me kombet e tjera, të gjitha këto e përshenjtëruan Washingtonin në zemrat e popullit amerikan për gjithmonë….

…Është privilegji im që këtu në Shqipëri te celebroj këtë rast historik, populli i së cilës ka vuajtur dhe është munduar aq shumë përpara se të fitonte independencën e tij dhe heroi kombëtar i të cilëve, Skënderbeu, ishte një personalitet nga më të mëdhenjtë e botës, si prijës burrash ashtu si edhe kampion i independencës së popullit të tij.Shumë shqiptarë, të cilët emigruan në SHBA, janë bërë pjesë dhe ngastër e Amerikës, por ata e kane mbajtur dashurinë e tyre të thellë për vendin e tyre të lindjes dhe kanë ndihmuar si moralisht, po ashtu edhe materialisht për të mbrojtur dhe përparuar independencën e Shqipërisë. Ka një lidhje të fortë miqësie midis kombeve tona. Në shumë e shumë raste kam dëgjuar gjithkund nga qarqe të ndryshme të Shqipërisë shfaqjet e kthjellëta të falënderimit dhe të mirënjohjes së thellë të popullit shqiptar ndaj SHBA-së për shërbimet e saj për çështjet e independencës dhe ruajtjes territoriale të Shqipërisë.Për të përkujtuar këtë 200-vjetor të ditëlindjes të G. Washingtonit kam nderin, që këtu në tokën e Legatës Amerikane, këtu në Shqipëri, të mbjell farat e drurëve të mbjellë nga G. Washingtoni në kopshtin e tij, në Mount Vernon”. Në 5 prill 1932 Mbreti Zog priti në audiencë ministrin fuqiplotë Herman D. Berstein, si edhe Barclay Acheson; Harold B. Allée; Laird Archer Scarsdale; Joseph Beach Bangor, të cilët i falënderoi përzemërsisht.Në fund të prillit 1932, H. Bernsteini shkoi në SHBA, ku qëndroi rreth një muaj, ndërkohë që atë e zëvendësoi si Charge d’afaire, sekretari Charles A. Bay. Gjatë vizitës së tij në SHBA ai i bëri shërbime të mëdha Shqipërisë. Mbi të gjitha më i rëndësishmi ishte takimi i tij me Presidentin Taft, të cilin e informoi për punët dhe problemet e Shqipërisë, duke nxjerrë në pah se përpjekjet e qeverisë dhe popullit shqiptar dalëngadalë po jepnin frutet e tyre. Në bankete të ndryshme të shtruara për nder te tij, duke filluar nga ai Faik Konicës e të tjerë të shtruara nga miqtë e shqiptarëve, ai pati mundësinë që përveç miqve të njohur e të vjetër të Shqipërisë, bisedoi dhe bëri një prezantim dinjitoz të Shqipërisë dhe shqiptarëve miqve të rinj, siç ishin koloneli House, ish-ambasadorët Henry Morgenthau, Norman Hodgood, Frank Polk, gjykatësit Johan Goldstein, Shotwell etj.Më 22 qershor 1932 bëhet përurimi i ndërtesës se djemve, ku morën pjesë përveç amerikanëve të Shkollës Bujqësore e të fondacionit, edhe ministri i Arsimit Hilë Mosi, si edhe ministri fuqiplotë amerikan, H. Berstein.I pari e mori fjalën ministri i Arsimit Hilë Mosi, i cili lëvdoi nismën shumë të dobishme të shoqërisë amerikane NEF për përkrahjen që ajo i jepte zhvillimit të arsimit ne Shqipëri. Pastaj, ministri amerikan mbajti një fjalim përshëndetës, i cili në fillim lexoi mesazhin që kishte marrë nga Mbreti Zog dhe i dorëzoi shkollës flamurin kombëtar prej mëndafshi, dhuratë të tij.Më tej, vijoi duke e quajtur privilegj pjesëmarrjen në ceremoni dhe e ndiente veten të lumtur që merrte pjesë në atë ngjarje. Më tej, ai foli shkurt për rëndësinë e veçantë të përmbajtjes mësimore praktike të shkollës.E mbylli përshëndetjen, duke theksuar interesimin e amerikanëve për të ndihmuar.Sipas traditës amerikane, në themele u vu një arkë me zhavorr dhe përmbi të një kuti bakri ku u vendosën dokumentet kryesore të ngritjes së institucionit.Bashkangjitur po botojmë një fotografi, të nxjerrë me këtë rast, ku janë (nga e majta në të djathtë) Ralph Harold Allen, drejtor i arsimimit NEF; Laird Archer Scarsdale, nëndrejtor NEF; Sander Saraçi, ministër i Botores; Reshad Asllani, nëndrejtor i shkollës; Herman Bernstein, ministri fuqiplotë amerikan; Barcelay Acheson, sekretar NEF; zonja Bernstein, Joseph W. Beach, drejtori i përgjithshëm dhe Mehdi Frashëri, kryetari i Këshillit të Shtetit.Gjate periudhës kësaj periudhe u lidhën dhe u ratifikuan dy traktate dypalëshe, të cilat edhe sot e kësaj dite janë në fuqi. Ata ishin traktati “Mbi natyralizimin e qytetarëve” si edhe ai i “Ekstradimit”. Herman Bernstein u largua nga Shqipëria në 15 shtator 1933, por para largimit të tij, Mbreti Zog e dekoroi ministrin amerikan me dekoratën më të lartë shqiptare, “Kumandar i Urdhrit të Skënderbeut”. Dy vitet e fundit ai i kaloi i sëmurë dhe në 17 korrik të vitit 1935, vdiq në moshën 59-vjeçare.

 

Filed Under: Histori Tagged With: ambasadori, Amerike, Herman D Berstein, shqiperi, urelidhes

GËZUAR DITËLINDJEN AMERIKË!

July 3, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Ne Foto: Skenë e artistit nga nënshkrimi i Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, 4 Korrik, 1776./

Me 4 Korrik, 1776, Kongresi i dytë Kontinetal,  miratoi Shpalljen e Pavarësisë të 13 kolonive amerikane duke shpallur kështu ndarjen, njëherë e mire,  të kolonive nga Britania e Madhe dhe shënon ditën ku iu shpallë mbarë botës se, “Të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta.”   Në thelbin e revolucionit amerikan, ishte ideja e vet-qeverisjes, dmth. e drejta e një populli për të ushtruar vet të gjitha kompetencat e pushetit pa ndërhyrje nga dikush tjetër.  Tomas Xhefersoni, kryeautori i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka thënë se vetqeverisja është një e drejtë që njerëzit e kanë, në bazë të “ligjeve të natyrës dhe të  Perendisë”.

Historia  e kombit te ri amerikan ishte plot e për plot konflikte të mbrendshme por edhe të jashtme, me vendet që kërcënoheshin nga krijimi i një sistemi republikan të qeverisjes, siç ishte sistemi i republikës së re amerikane.

Por pas shumë debatesh dhe argumentash, Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë, 237 vjetë më parë nga kolonitë amerikane, vendosi bazën e një kombi të ri, — që sot quhet Shtetet e Bashkuaratë Amerikës — një dokument ky që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si një frymëzim për  mbrojtjen e të drejtave të njeriut si edhe për sovranitet dhe pavarësi.    Anë e mbanë botës, për ata që duan t’i degjojnë dhe për ata që nuk duan, gjithnjë  bën  jehonë deklarata e Kushtetutës amerikane se, “Perëndia  i ka pajisë të gjithë njerzit me disa të drejta të pa tjetërsueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për  të qenë i kënaqur në jetë”.   Fjalët e para të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, se “ne besojmë në këto të vërteta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta”, kanë  bërë jehonë gjatë  histories së tre shekujve të kaluar, duke nxitur bërjen e ndryshimeve  për të siguruar barazi  për të gjithë, duke filluar nga zhdukja e skllavërisë e deri tek miratimi i ligjeve për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të barabarta për burrat dhe për femërat.  Dokumenti i  Shpalljes së Pavarësisë Amerikane, që zyrtarisht zyrtarizoi pavarësinë nga Britania e Madhe,  është në të vërtetë një përmbedhje e 10-amandamenteve të kushtetutës amerikane, dokument ky  që njihet si ”Bill of Rights”, që sot njihen si të drejtat bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe të fesë, ndër të tjera.

Në Filadelfia të shtetit Pensilvania, 56 burra nga te gjitha kolonitë hodhën votën e parë për pavarësi nga Britania e Madhe duke nënshkruar  Shpalljen e Pavarësisë së Amerikës  më 4 Korrik, të vitit 1776 dhe njëkohësisht duke i shpallur  edhe botës  së atëhershme parimin radikal për kohën, se qeveria duhet të bazohet në pëlqimin  dhe miratimin e saj nga  populli.   Ndonëse natyrisht  4 Korriku është një festë amerikane,  parimet e Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara  janë bërë bazë gjithashtu edhe e kushtetutave të shumë vendeve të botës, por mbi të gjitha, ato janë përfshirë edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Andaj si e tillë, këjo ditë mund të konsiderohet si një ditë feste e të drejtave të përbashkëta dhe universale të njerëzimit.   Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ka ndikuar dhe ka bërë jehonë në zhvillimet historike të shumë vendeve, përfshirë edhe Francën.   Në dokumentat e Revolucionit francez mund  lexohet, se “Njerëzit janë lindur të lirë dhe mbeten të tillë, me të drejta të barabarta”.
Historianët thonë se ndikimi i Shpalljes së Pavarësisë amerikane ishte i drejtë për drejtë, në valën e shpalljeve për pavarësi të shumë vendeve pas Luftës së Parë Botërore me shëmbjen e perandorisë osmane, ruse dhe austro-hungareze, si dhe gjatë periudhës deri në fund të shekullit të kaluar, me shpartallimin e perandorive të tjera,  përfshirëa tëë komuniste, kur nga shpartallimi i  këtyre perandorive lindën një numër shtetesh të pavarura anë e mbanë botës.
   

Edhe Shqiptarët kudo kanë të drejtë të festojnë sot 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, pasi ishin parimet për të drejtat universale të njeriut dhe për vetvendosje dhe sovranitet të shteteve që rrjedhin nga këjo deklaratë — ato që shtynë Presidentin amerikan Uilson të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqës në Paris në fillim të shekullit të kaluar —  dhe ishte  besimi në këto parime dhe si rrjedhim, detyrimi moral, ai që detyroi Shtetet e Bashkuara, me në krye Presidentin Klinton, të  ndërhynin ushtarakisht në Kosovë, në fund të shekullit që kaloi,  për të  ndaluar shfarosjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga ushtria dhe policia terroriste serbe.  Politika uilosniane, “se çdo popull ka të drejtë të zgjedhë sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë dhe të veprojë”, u çua në vend.

Në të vërtetë, ishin parimet që rrjedhin nga deklarata e Pavarësisë së Shteteteve të Bashkura, se qeveritë duhet të kenë pëlqimin dhe miratimin e popullit, ato që çuan në prishjen e marrëdhënjeve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur në vitin 1945, Enver Hoxha refuzoi të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira, gjë që  përfundoi në mbylljen e misionit diplomatik amerikan në Tiranë.  Me rivendosjen e marrëdhënjeve diplomatike midis tyre në vitin 1991, dy vendet kanë zhvilluar marrëdhënjeve të mira, në bazë të parimeve të përbashkëta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të drejta të barabarta për të gjithë. Dhe duke u bazuar në parimin mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve — Shtetet e Bashkuara, sipas zëdhënsve amerikanë, vazhdojnë të jenë të angazhuara dhe të vendosura seriozisht që Shqipëria  dhe Kosova — si shtete sovrane dhe të pavarura — të realizojnë aspiratat e tyre për integrimin e plotë të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike, dhe në një Evropë, “të lirë, të tërë dhe në paqë”, aty ku e ka vendin dhe karrigën e vet.
Mesazhi i kësaj dite të rëndësishme për kombin amerikan — por edhe për të gjithë ata që vlersojnë dhe besojnë në parimet e Shpalljes së Pavarësisë amerikane — është i thjeshtë por edhe i rëndësishëm sa vet jeta.   Është një mesazh që jehon sot e kësaj dite anë e mbanë botës — se të drejtat tona bazë, si qenje njerëzore, e “që janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i kënaqur në këtë jetë “, vijnë nga Perëndia dhe jo nga ndonjë autoritet qeveritar ose shtetëror i kësaj bote. Dhe si të tilla, qeveritë ekzistojnë me pëlqimin dhe miratimin e popullit, për t’i mbrojtur këto të drejta, dhe jo për t’i shkelur ato.  Në të vërtetë ky ishte një mesazh radikal  për kohën, por është i tillë edhe sot në shumë vende autoritare të botës ku shkelen të drejtat e njeriut dhe ku nuk merret parasyshë dëshira e shumicës.   Prandaj, mesazhi i kësaj dite është se, qytetarët kudo kanë jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë  të  heqin qafe cilindo regjim që përpiqet t’i dhunojë këto të drejta.

Sot, në këtë ditë të shënjtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm amerikanët, por edhe popujt anë e mbanë botës, duhet të jenë krenarë dhe të kujtojnë  ata që shpallën  pavarësinë e Shteteve të Bashkuara, sepse ata hodhën në veprim një forcë pozitive  që solli dinjitet, dhe njëherazi çimentoi idenë e të drejtave të barabarta për të gjithë njerërzit jo vetëm sot, por  edhe për breznitë e ardhëshme anë e mbanë botës.   Ishin këto parime morale dhe jehona e tyre — nevoja pra për lirinë dhe respektimin e të drejtave bazë të njeriut — që çuan më në fund në shëmbjen e komunizmit në Evropë, duke bërë që qindra miliona njerëz të gëzojnë jetën në liri.   Ishin idetë e themeluesve të kombit amerikan, Xhorxh Uashingtonit, Tomas Xhefersonit, Xhon Adamsit, Benjamain Franklinit e shumë të tjerë, por dhe të vërtetat morale të tyre, ato që edhe sot vazhdojnë të frymëzojnë të shtypurit e botës.

Filed Under: Editorial Tagged With: Amerike, Frank shkreli, Gezuar ditelindjen

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT