Replik me z.Panajot Barkën/
“Profesori Panajot Barka në opinionin e tij tenton të na ringjalli të vdekurit e mëdhenj grek prej varri që ti shfrytëzojë për nevojat e veta kombëtare, duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë”./
Nga Arben LLALLA*/
Më 11 Qershor profesori i Katedrës së gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës prof.dr.Panajot Barka në gazetën Shekulli, botoj një shkrim me titull: “Antishqiptare nuk është Ortodoksia…”. Ku ngre shqetësimet e tij për zërat kundër pranisë së përjetshme të kryepeshkopit të Shqipërisë Hirësisë së tij z.Anastasit dhe deklaratave antishqiptare të Patriarkut serb Irinej. Z.Barka që në fillim të shkrimit të tij e nis me titullin provokues sikur ortodoksinë shqiptarët e kanë kuptuar si antishqiptare, por në të vërtetë i rikujtoj z.Barka se shqiptarët janë ata që e sollën ortodoksinë në Ballkan, tek grekët, serbët dhe bullgarët. Shenjtorët e parë të ortodoksisë ishin shqiptar, por është gjë tjetër që Greqia dhe Serbia i përvetësuan këta shenjtor.
A është ortodoksia antishqiptar? Mendoj që pyetja nuk duhet shtrohet a është ortodoksia antishqiptare, por a janë ortodoksit sllavët dhe grekët antishqiptar? A e keqpërdorin sllavët dhe grekët ortodoksinë për interesat e tyre shtetërore? Nëse do ti referohemi historisë së kombit tonë ushtritë greke e sllave me kryqin në dorë dhe në emër të kishës ortodokse kanë kryer masakra mbi popullsinë e pa mbrojtur shqiptare qoftë muhamedane apo të krishterë, pra nuk kanë bërë dallime fetare por etnie në rastin e kombit shqiptar. Kujtesën e kemi të freskët për luftën në Kosovë dhe masakrat e ushtarëve serb që i bënin më kryqin ortodoks, pa folur për ato vrasjet e shekujve 19-20.
Profesori Panajot Barka në opinionin e tij tenton të na ringjalli të vdekurit e mëdhenj grek prej varri që ti shfrytëzojë për nevojat e veta kombëtare, duke i treguar në versione në të cilat nuk kanë qenë kurrë.
Ju z. Panajot Barka, në shkrimin tuaj përmendni Riga Fereun i cili në poemën e tij i bënë thirrje popujve të Ballkanit që të ngrihen kundër Perandorisë Osmane. A e dini ju z.Barka se Riga Fereu nuk e përmend asnjëherë fjalën grek apo elenas dhe shqiptarët i quan Arvanitas? Përse?
Ju në shkrimin tuaj më tej shkruani: “Më 1, në Tiranë dhe në Shqipëri shkruhej një faqe në historinë e saj, që linte pas rëndësinë e inaugurimit të katedrales si monument. U mblodh gjithë primati i ortodoksisë botërore, i cili kishte shekuj të terë që nuk mblidhej.” Z.Barka i lini përrallat për studentët tuaj që diplomohen duke ngrohur karriget nëpër kafene, sepse e vërteta është krejt ndryshe.
Ju sjellë z. Barka disa fakte ku është mbledhur Primati Botëror i Ortodoksisë.
1). Primati i ortodoksisë botërore është mbledhur më 19 Nëntor, në Serbi me rastin e vdekjes së Patriarkut Pavlo.
2). Më 5 Tetor 2013, në Beograd u mbajt mesha me rastin e 1700 vjetorit të nënshkrimit të Ediktit të Milanos, 313. Kjo meshë u festua në katedralen e Kryeengjullit Mihal me nisjen e lutjeve nga Patriarku i Stambollit Vartholomeu, Patriarkun e Jeruzalemit Theofil i III, Patriarku i Rusisë, Kiril, Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kyrepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, etj.
3). Më 6 Tetor 2013, për në qytetin e Nishit, në vendlindjen e Kostandinit të Madh. Falja e ditës u krye në kishën e sapo ndërtuar të Shën Kostandinit dhe Elenës. Pas ritualeve fetare Patriarku i Serbisë Irinej u ndau medalje të artë të akorduar nga Sinodi i Shenjtë i Kishës së Serbisë “Perandori Kostandin”, drejtuesve të kishave ortodokse botërore, midis tyre dhe kryepeshkopit të Shqipërisë hirësisë Anastas Janullatosit.
4). Më 7 Tetor 2013 krerët ortodoks si Patriarku i Stambollit Vartholomeu, Patriarkun e Jeruzalemit Theofil i III, Patriarku i Rusisë, Kiril, Patriarku i Serbisë, Irinej Kryepeshkopi i Qipros, Krisostomos, Kyrepeshkopi i Shqipërisë, Anastasi, Kryepeshkopi i Vrashavës, Sava, vazhduan turneun për në kryeqytetin e Malit të Zi, Potgoricë ku mbajtën meshën në katedralen e “Ngjalljes së Shën Sotirit”.
Mund tju sillja edhe fakte të tjera për takimet e Primatit Botëror të Ortodoksisë , por mjaftojnë besoj këto të kohëve të fundit.
Më tej z.Barka na Amniston Shën Kozmain, ku sipas tij, ai përhapte ortodoksinë në gjuhën zyrtare greke ndaj rrezikut të përhapjes së mëtejshme të islamit në tokat e perandorisë otomane. Ky nuk është argument për ta Amnistuar Shën Kozmain tek shqiptarët sepse e dimë fare mirë misionin e tij. Shën Kozmai është babai i përhapjes së greqizimit për asimilimin e shqiptarëve (arvanitasve) dhe për asimilimin e shqiptarëve në Shqipëri. Këtë na e dëshmojnë shumë dokumente historike, njëri në to është shkrimtari grek, Thoma Paskidhus. Shën Kozmai përhapi gjuhën greke nga Suli i Çamërisë e deri në Krujën e Skënderbeut. Në gazetën “Shqip”, 7 tetor 2006, prof. Delvina solli dokumente për Shën Kozmanë, ku thuhej: “Dërgoni fëmijët tuaj të mësojnë greqisht për arsye se kisha jonë është greke. Dhe ti, vëllai im, po nuk mësove greqisht, nuk mund të kuptosh ato që thotë kisha jonë. Më mirë, vëllai im, të kesh shkollë greke në vendin tënd, se sa të kesh burime dhe lumenj. Cilido i krishterë, burrë apo grua, që më premton se brenda në shtëpi nuk do flasë shqip, le të ngrihet në këmbë dhe të ma thotë këtu. Unë do t‘i marr atij të gjitha mëkatet në qafën time, që nga dita e lindjes së tij deri sot, do t‘i porosis të gjithë të krishterët që t‘i flasin dhe do t‘i shlyej të gjitha mëkatet. Ai nuk do ta gjente këtë rast sikur të jepte para me mijëra”. (Predikimi 7 drejtuar shqiptarëve të Epirit). Një dokument tjetër për greqizimin e fshatrave shqiptare të bërë nga propaganda e Shën Kozmait janë Frashtani dhe Lugari në Dropull. Frashtani dhe Lugari banohen nga shqiptarë ortodoksë dhe kur kaloi andej Shën Kozmai, deklaroi që këto fshatra duhen të greqizohen.
Ju, Profesor Barka në tërë opinionin tuaj nuk përmendët faktin e provokimit të Patriarkut serb Irinej dhe ngritjen e flamurit serb brenda territorit e Katedrales “Rigjallja e Krishtit”. Ku përfaqësuesit e kombeve të tjera që ishin të ftuar nuk e ngritën flamurin e tyre kombëtar atë ditë, duke respektuar mikpritjen shqiptare.
Ne, shqiptarët që mendojmë dhe veprojmë me zemër e mendje shqip, nuk kemi frik nga ringjallja e ortodoksisë shqiptar, por kemi frik nga asimilimi i ëmbël i ortodoksëve shqiptar në ortodoks grek dhe sllavë, gjë që është e dëshmuar.
Në përfundim z.Panajot Braka ju rikujtoj që Ju nuk e keni të drejtën të diskutoni për Ortodoksinë shqiptare sepse s’jeni me kombësi shqiptare, për ortodoksinë shqiptare lërini të diskutojnë vetëm shqiptarët sepse ne kemi figura të ndritura që na kanë lënë disa Amaneti si: Ne vërtetë kemi Bajram dhe Pashkë, por Shqipërinë e kemi bashkë. Prandaj nuk kemi nevojë për këshilla nga ata që s’ia duan të mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku bëni pjesë edhe Ju, këtë ua dëshmojë me fakte.
Ç’ju lidh juve z. Barka me drejtuesit e disa organizatave ekstremiste greke që luftojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë? Në çfarë cilësie merrni pjesë në festimet për shpalljen e Autonomisë së Vorio Epirit? Ku ndodheni në podium në këtë foto me ekstremistin Harrallambos –Babis Karathanos, deputetin Virona G. Polidhoras.
Për çfarë qëllimi z. Barka i keni dërguar Raport mbi gjendjen e minoritetit grek Institucioneve Ndërkombëtare në vitin 2003, ku përmendni edhe Autonominë e Vorio Epirit? Ky raport është përgatitur nga Ju, ekstremisti grek Babis Karathanos, A. Soku dhe K. Saferatis.
*HISTORIAN
COMMONWEALTHI SERB ËSHTË SA ANTISHQIPTAR DHE ANTIEVROPIAN
Në shkrimin e tij”Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptare”, kolegu diplomat Shaban Murati, një think tank në mendimin aktual shqiptar, sensibilizon opinionin për një shqetësim tejet të drejtë.
Serbia, nëpërmjet Podgoricës, ka hedhur në tregun diplomatik rajonal projektin e një commonwealthi serb të quajtur “Unioni Ballkanikoperëndimor”, në përbërje të të cilit do të ishin, përveç Serbisë, edhe Mali i Zi, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova. Pra, do të ishte një Jugosllavi minus Kroacinë dhe Slloveninë, plus Shqipërinë, që do të zëvendësonte ekuacionin hegjemonist të Beogradit të perënduar në fund të viteve 1990 me luftërat e Millosheviçit në rajon dhe do të rilindte projektin e Serbisë së Madhe.
Commonwealth (komënuelth), nga anglishtja e vjetër, do të thotë e mirë e përbashkët. Në praktikën ndërkombëtare ka komënuelthet ndërtohen mes qendrave të ish perandorive me ish kolonitë e tyre. Më klasiku i tyre në epokën moderne është komënuelthi britanik. I quajtur Komënuelth i Kombeve, ai përfshin shtete që kanë qenë më parë pjesë e Perandorisë Britanike, disa prej tyre shtete të pavarura. Një komënuelth tjetër i deklaruar është ai midis Rusisë dhe ish republikave sovjetike, të cilat dolën të pavarura pas shpërbërjes së BRSS. Një formë më të moderuar ka zgjedhur Franca nëpërmjet Aelancës Frankofone, ku përfshihen përveç kolonive të dikurshme dhe vendet më të ndikuara nga kultura franceze.
Iu jam trembur lëvizjeve të viteve të fundit në kryeqyteteve e vendeve të mësipërme ballkanike dhe kam pasur arsye për të dyshuar se ato bëheshin, në mënyra të ndryshme, për të mikluar Serbinë.
Nisur nga praktikat e tipeve të komënueltheve moderne të përmendura më lart, ku interesat dhe përfitimet shkojnë në përpjesëtueshmëri të pajtueshme me dëshirat dhe synimet për përparim të përbashkët dhe për ndikime pozitive e konstruktive të ndërsjellëta, ky i nxitur nga Beogradi dhe i popozuar nga Podgorica më duket kundër interesave të shqiptarëve, kundër interesave të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe kundër projekteve bashkëkohore dhe perspektive të Evropës në pjesën perëndimore të gadishullit të Ballkanit.
Dihet historikisht roli tejet i rëndësishëm i Komënuelthit Britanik si në hapësirën e tij, ashtu edhe në proceset botërore, qoftë si precedent pozitiv, qoftë për peshën që kanë mbajtur, mbajnë e do të mbajnë në kuadrin e aleancave dhe organizmave të mëdha botërore. Interesat e përbashkëta, përparësitë e ndërsjellëta në marrëdhëniet e tyre në kuadrin botëror, qëllimet dhe parimet e përbashkëta i kanë mbajtur së bashku këto shtete dhe do të vazhdojnë t’i mbajnë shumë kohë në të ardhmen.
Edhe komënuelthi rus është deri diku i shpjegueshëm dhe i natyrshëm, për shkak të infrastrukturave të përbashkëta të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, për shkak të popullsive ruse që mbetën atje gjatë pushtimit rus, për shkak të peshës së gjuhës ruse dhe kulturës ruse në identitetin e atyre vendeve, si dhe për shkak se elitat e këtyre vendeve ishin ish më të privielegjuarit e Moskës, ishin pikërisht klasat udhëheqëse të republikave para shpërbërjes së BRSS.
Në këtë kontekst, është e kuptueshme edhe që Mali i Zi kërkon të jetë nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë. Ky vend i vogël trashëgon një nga infrastrukturat fizike më të kushtueshme të Jugosllavisë së atëhershme (siç është, për shembull hekurudha Beograd-Podgoricë) dhe një ndër më të kushtueshmet në rajon e Evropë, të cilën mund ta mirëmbajë, ta shfrytëzojë dhe ta shndërrojë në të mirë të përbashkët të të dy vendeve. Është e kuptueshme që Bosnjë-Hercegovina, me peshën që ka atje Republika Serbe, ta dëshirojë veten po ashtu nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë. ‘Maqedonia’ do ta kishte si strehim Serbinë në interesin e tyre të përbashkët antishqiptar.
Ndërsa, çfarëdo pranie e Kosovës dhe e Shqipërisë në këtë komënuelth serb, në këtë federatë serbe, Jugosllavi të re, siç e quan me të drejtë Shaban Murati, do të ishte drejtpërdrejt në favor të frymëzimeve serbomëdha, në favor të hegjemonizmit të Beogradit në rajon. Një nga të mirat e tragjedisë së viteve 1990 në Ballkanin Perëndimor, shkaktuar nga shovinizmi serbomadh millosheviçian, ishte pikërisht dhënia fund e hegjemonizmit serb në Ballkan, dhënia fund e serbocentrizmit në politikën evropiane në rajonin e gadishullit tonë. Një “Union Ballkanikoperëndimor” do të ishte thjesht për të ngjallur dhe për të ushqyer orekset e Serbisë së Madhe.
Ky projekt nuk ka si të mos shihej me frikë dhe shqetësim nga dy vendet ish jugosllave, tashmë anëtare të NATOs dhe BEsë, të cilat janë prej më herët në qendër të iniciativave të Ballkanit Perëndimor. Një “Union” si ai që kërkon Podgorica dhe propozon Beogradi do të shmangte dhe përjashtonte rolin e Zagrebit e të Lubjanës. Serbia i sheh me sy të keq sidomos marrëdhëniet e mira mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, marrëdhëniet e mira kroato-shqiptare në tërësi, të cilat paskëtaj do të kontrolloheshin përherë e më tepër nga Beogradi.
Shaban Murati sjell në shkrimin e tij argumente dhe fakte bindëse sa iu druhen dhe sa i refuzojnë Zagrebi dhe Lubjana të gjitha projektet për ringjalljen e Jugosllavisë së vjetër, në çfarëdo mënyrash, të drejtpërdrejta apo të kamufluara. Në këtë mënyrë, “Unioni” është një sabotim i hapur i integrimeve të rajonit në hapësirën evroatlantike, është një mjet diversioni ndërfqinjësor rajonal në duart e Beogradit.
Nëpërmjet këtij mjeti diversioni, Beogradi do t’i sabotonte edhe integrimet shqiptare në dy shtetet e tyre si dhe në Maqedoni, ku janë komb shtetformues, në Mal të Zi e në Republikën e Serbisë (Lugina e Preshevës). Vitet e fundit, ne jemi dëshmitarë se si Serbia ka arritur të nxitë mes Tiranës dhe Prishtinës garën se kush do të jetë më e parapëlqyera e Beogradit. Edhe Marrëveshja e 19 prillit nga Beogradi synohet për sabotimin e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare dhe faktorëve të tjerë shqiptarë në rajon, të cilët unë sapo i përmenda.
Shaban Murati për shkrimin e tij merr pikënisje nga njoftimi që gazeta malazeze “Dan” se në fund të shtatorit në Nju Jork, në kuadrin e takimeve vjetore në Kombet e Bashkuara, do të zhvillohet një takim i nivelit më të lartë i këtyre gjashtë vendeve “ballkanikoperëndimore” dhe një udhëzues paraprak me parimet dhe detajet e kësaj nisme iu është dërguar ministrave të Jashtëm të gjashtë këtyre vendeve.
Murati thotë se qeveria e mëparshme e ka dhënë pëlqimin e saj për projektin dhe kjo e vë para një fakti të kryer qeverinë aktuale, e cila vetëm se mund të kërkojë kohë për t’u njohur më mirë me nismën. Unë, nga ana ime, nuk mund të parashikoj sa do të jetë ndikimi i Prishtinës ndaj Tiranës për ta përfshirë Shqipërinë në “Union”. Republika e Kosovës, në të vërtetë, nuk ka trashëguar nga Jugosllavia ndonjë infrastrukturë kurrkund të ngjashme me atë të Malit të Zi, nuk ka pse ta shohë veten pjesë të infrastrukturave të ardhshme të përbashkëta fizike me Serbinë, nuk mund të presë ndonjë investim serioz apo me qëllime të mira nga ana e Serbisë në përparimin e vendit apo në kuadrin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nga ana ime mendoj se vizioni që shpalosi në Prishtinë kryeministri i ri i Republikës së Shqipërisë, ku ai e ftoi Kosovën që bashkë me Shqipërinë të jenë pjesë e pesëkëndësisht me Turqinë, Greqinë dhe Italinë, është vizion i të sotmes dhe të ardhmes përparuese dhe integruese perëndimore për të dyja shtetet shqiptare. Pra, qeveria Rama nuk ka pse të braktisë një projekt vizionar integrues shqiptar dhe perëndimore për hir të një projekti të errët antishqiptar dhe antievropian që e ka gatuar Beogradi dhe satelitët e tij. Nuk ka pse të braktisë një projekt vizonar madhor sa dhe transparent, për hir të një projekti që vetëm sa do ta legalizonte rajonin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë të mafies ndërkombëtare.