• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ferik Ferra-Natë ilire dhe të tjera

September 14, 2017 by dgreca

Cikël poetik nga poeti i shquar Ferik Ferra/

FerikFerra_portret

Natë ilire/

Mbi Tarabosh shuen muzgu flakë e hire,/

në terr përzihen të butat rreze hane,/

e mbi liqe veç nji lundricë ardiane/

heshtjen ia përkëdhel natës ilire./

 

Qyteti fle i ndem në myshqe e fire,

lëkundet mbi shpinë të ujnave, ia kande,

malet të ulen shesh mbi zaje e ranë

presin si  në andërr agimin e endire.

 

Rozafa përmbi ujna feks kësaj nate,

lëpin me vravshka valët e prarueme,

valët që çohen nalt si maja shpate.

Mandej ngadalë me duert e saj të irnueme,

të bardhët gjinj letshëm i qet prej tisit,

që t’ia thëthijnë me et pinjojt e fisit.

    Nina nana

 Nina nana djepin t’përkund hana,

rrezja e dritës mbi pallate e tbana,

jepi o mal hua petkun e borës,

jepi o gji ngadalë prekjen e dorës,

jepi o diell buzqeshjen tande n’maja,

jepi o lule ngjyrë e erë ndër vllaja,

jepi o zanë çurlikimin e bylbylit,

jepi o qiell në sy bishtin e yllit,

jepi o pyll të plotë shtatin e lisit,

jepi o tamel në shpirt trimnin e fisit,

jepi mendjen t’kthjelltë si ujë burimi,

jepi nusen t’veshun n’petk florini,

jepi zemren t’bardhë si shkuma e valës.

Ky asht, bir, në shpirt bekimi i nanës.

Xheni…

                             Për njëvjetorin/

Kur Xheni qesh, dy buzët e vogla i hapen,

dy sytë e saj të zi shkëlqejnë nga gazi

e duart e vogla turren drejt hapësirës,

që atë e ndajnë nga bota e saj e vogël.

I buzëqesh botës me një ëmbëlsi fëminore

e s’din se ajo botë është lëmsh me nyje,

ku gërshetohen leqet nëpër yje,

ku helmi e gazi në çdo çast përleshen,

ku thundra e lajka në çdo çast ndërrojnë veshjen,

se bota s’është qylym i butë me u shkelë,

po një mejdan nga kohë e lashtë e ngelur,

ku lufta s’pranë e lulet zor me u çelë

gjithmonë kan për ta pasë,

n’sa sytë e fytyta jote,

gjithnjë e lajnë me gaz.

Agimin që nuk e pe            

                   Nanës/

Qielli mbeti bosh, hana perëndoi,

duke shtye me ngut jastikun e rrezeve,

mbrenda kupës së natës yjet u përhumbën,

kushedi në ç’pelerinë engjëjsh vezullojnë në ar.

Çarçafi i bardhë i dritës u ngrit mbi male,

çastet s’i kapim dot me turravrapin e zemrës,

gjumi shtriu eshtnat e lodhuna nëpër vite,

e ftohta e zbardhëllimit ngjeth trup e petale.

 

Burbuçet e rrezeve çelin mbi lavën e agimit,

fryma ngeli e varun mbi çengelin e shpresës,

gurra e lotëve nis rrugën mbi kalldramin e heshtjes,

mbi sytë e tu, nanë, që për herë të parë rrinë mbyllun.

Vajz’ e valëve 

                         … tjetër vend më pret

Mbi gjoks gërshetat deri n’hark të belit,

bardhri e shkumës tretur selvisë shtat,

ballin e hanës deti ia mban lart,

brilanti i syve ngjyen rrezet e diellit.

 

Përpara shtrihen deri n’qiell hapsira,

drejt gurit valët vijnë e lidhen lak,

pret nimfa e bukur sipër gurit plak,

shëgës së buzëve lot e psherëtima.

 

Ai asht diku në qiell ose në det,

me dashurinë lënguar malleve,

kur vala të ngrijë vajzën e valëve,

n’mos qofsha unë është kënga që e pret.

Bubi Xhefri/

Para të zotit

bubi Xhefri

me rrypin e qafës në dhambë,

hidhet gjith gaz

mbi dy kambët e para

për të dalë jasht në kopsht

ku bredh,

një copë e lirisë së lidhun

me lëkurë të butë

e ngazëllimi

sa mezi mer frymë.

  *   *   *

1-anton-cefa

Dy kujtime:

Për nji tubëz “Diell të vështirë”*

Nga Anton Çefa/

    -Mikut tim të vjetër Ferikut-

Ishtë nji kohë e largët

e pakohë,

e fjala e pafjalë,

kur u ndamë.

Vitet e udhët s’na panë.

Lakmia jonë te fjala

Delir në gur të ashtit,

se kishte pritje koha

e vargjet tona ishin mbushë me pritje.

Na rreshkej etja n’gjak

për fluturim,

por s’kishte qiell,

kur u ndamë.

Vitet e udhët s’na panë.

Po koha e ban çudinë nji ditë,

harrimin s’ia len harrimit,

përmbi tryezë pa pritë  më hedh

nji tubëz me “Diell të vështirë”.

Ah, diell i vështirë,

sa të ashpër na i solle dimnat!

Tani që bornat mbulojnë krenat tonë

po i japim pak shkëlqim lakmisë së hershme

dhe fjalës që buloi në degë të pritjes.

*Titulli i nji vëllimi poetik, që Feriku më dërgoi si kujtim.

Udhave të Kolombit

Nga Ferik Ferra

–Mikut tim Anton Çefës-

Në mëndafshin e xhamit

ishuj jargavani rrëshqasin,

udhave t’Kolombit

nata prek dherat e kontinentit të ri,

ku ditë e vite do të zbardhin qiellin

fjalën e vargun në liri.

Larg mjegullat e atdheut

kthyer në qelq

vezullojnë në kujtime trëndafili,

mure, kopshte e agime,

rrugica me pluhur

e lule mbi arkapi

ngjeshur me ditët e rinisë e të fëminisë

ku duart e të afërmve e t’miqve

presin në kthimin e një dite.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, cikel poetik, Ferik Ferra, poeti i shquar

Në kujtim të poetit të papërsëritshëm Frederik Rreshpja

September 9, 2017 by dgreca

anton-cefa

(Përgatitur për botim nga Anton Çefa)

Frederik Rreshpja

Frederik RESHPJA/

Rapsodi/

Shqipëri, kur të dëgjojë kushtrimin tënd,

Portreti im u shpëradaftë në vjeshtë dhe në hënë,

Bronxi i vdekjes sime do të kthehet përsëri te mineralet

Ku vringëllijnë armët e Lirisë.

Tokë e dashur, ku prehen ështrat e martirëve

Dhe fle mermeri i perendive ilire,

Tokë e miteve dhe e kështjellave të pafundme,

Zërin tim bëj kurorë për ty, enise!

 

Fole e fluturimeve të mia

Që asnjë qiell tjetër i botës nuk i zë,

Zëri im bie në gjunjë para teje,

Enise, enise!

 

Fëminia

Aso kohe edhe ngjyrat ishin shpirtra.

Në fund të kopshtit banonte mitologjia

Në një olimp prej trëndafilash.

 

Këndonin lulet dhe tregonin legjenda.

O! Tërë trëndafilave të botës do t’i bie në gjunjë,

Por ato legjenda s’kam për t’i dëgjuar më kurrë.

Yjet bëheshin trishtila në dritare,

Ngjyer me magjinë e pyjeve të largët.

 

Por fluturuan ato yje cicëronjës,

Yje tjerë u ngritën mbi kubenë e kohës

Dhe olimpin e trëndafilave e humba përgjithnjë,

Si perenditë e rrëzuara ilire.

Ajkuna pas betejës

Me rubën e zezë mbi sy

Thur ngadalë

Nën mjegullën e hollë te yjeve, në një dekor guri

Elegjitë epike

Dhe era thërret me kuje nëpër shkëmbinj: Omer!

Dhe ortekë rrokullisën nga dhëmbja: Omer!

Dhe vjeshta shkul flokët e gjetheve: Omer!

Dhe rrufeja ikën duke shtrënguar plagët: Omer!

Dhe hëna bën vetvrasje nëpër përrenjtë malorë: Omer!

Shtyu tutje, bir! Bëmë vend në varr, o shpirt…

Poezia

Në atë shteg ku kaloj unë e ka kasollën vjeshta.

Bile gjitha stinët janë fqinj,

Një beng si stradivarius,

Më mëson mua folklorin e zogjve.

Kasolle prej hënë! Nën qiellin tërë shi

Pikë-pikë mbi çatinë e kaltër

Trishtimi i djalërisë…

Mbeti te xhami i plasur i dritares sate

Vështrimi im i thyer.

Unë vetëm u bëj nga një vizitë stinëve, o njerëz,

Kurse zemrën e kam te ju.

Rozafa e flijuar

Ule nga supet këtë qytet, memëzo!

Kështu lutej foshnja tek floknaja e gurit.

Tutje pas mjegullës, perënditë ilire

Dëgjonin ankthin e gurit: Imzot,

Si më këmbeve me një qytet,

Ti që s’më këmbeje as me zotat?

O Medaur!

Bekoje këtë qytet që lindi nga një grua,

Tani që ra hëna e syve të mi.

Mane

Mane, të varrosën në pyll:

Bari ka mbështjellë sytë e tu,

Vesa ka mbushur pikë pikë

Qytën e koburës së komitit.

Mane të varrosën në këngë:

Telat zgjaten përmbi ty.

Mane të varrosën në muzg:

Kali yt që u bë vjeshtë

Hëngri gjelbërimin e pyllit

Edhe befas u bë dimër.

Mane me ballin prej hëne,

Ke mbuluar qiell e tokë.

Bjeshkët e Namuna

Bjeshkët e Namuna,

Magji e gurtë, vizatuar me shqetësim.

Dhembja e një rapsodi të harruar

Rënkon brenda erës, diku.

Dhjetori pikon nëpër pishat

Që mbinë mbi rininë e Omerit.

Retë mbi hone

Tundin patërshanat e shiut,

Zbardhin në fund të përrenjve eshtrat e vetëtimave.

O, ku je tretur ti që bëre tërë këtë kob të zi

Veç për një puthje të lënë përgjysmë?

*   *   *

Poezi kushtuar Frederik Rreshpes

(Nga Anton Çefa)

Ike mbas dyersh mermeri

Ike mbas dyersh mermeri

e rrasash të ftohta,

i le muret e vetmisë së botës.

I heshtun në nji botë të huaj.

për ty mbajnë jazë

zogjtë e drujtë,

të qajnë lotët e hanës në netët e vjeshtës.

Do të kujtojnë kalldramet e Shkodrës

nën shinat qi s’pushojnë.

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, Frederik Reshpja, ne kujtim, te Poetit te paperseritshem

Lamtumirë….

August 4, 2017 by dgreca

arshi_pipa 2(1)

Poezi nga Arshi Pipa/

1-anton-cefa

(Përgatiti për botim Anton Çefa)

Lamtumirë/

Delni e m’thoni udhembarë,/

mbanje veten t’forta,/

dridhnje n’erë shaminë me ojna/

prej mbi prak, o motra!/

 

Me shaminë fshini prej syshë

lotët tuej te votra,

hidhnje n’erë . . . nji dallëndyshë

ka me u ba, o motra!

Do ta shquej ndër mija tjera

te ku m’hodhi shorta

përtej detit n’dhena t’hueja

ku po shkoj, o motra!

Neli

Asnji sa Nelin s’deshta

ndër gjith’ shokët e burgut.

Kishte hijen e murgut,

kishte fjalët e thjeshta

qi n’buzë si lule çelin,

lule vjeshte të rralla,

e kundërmojnë të gjalla

te kujtesa ku ngelin.

Nji katundar ai ishte

prej Durrësi, nga rrethet.

E shtypshin keqas ethet,

me reuma ndër kërbishte,

përveç plagës mbi gju

qi mori n’arrati,

kur vëlleznit e ti

u vranë, ai vetë u zu.

 

E hiqte edhe ma keq

për ushqim, kishte lanë

tre kalamaj pa nanë

te votra me dy pleq,

por kurr s’e pata rrokë

n’aq ngushticë e nevojë

me namë e me shpërgojë,

nji herë me u grindë me shokë.

 

Shok, shpesh të kam kujtue.

Nji provë dojsha dhe e gjeta.

Prej asaj dite jeta

Pat kuptim me u jetue.

 

Mbramje katundare 

Gjallnohet mbarë katundi

kur dita vjen tue shmangë.

Bariu me dhent përpara i la fushoret

tue fishkullue nji kangë.

Ndër ara punët sosën.

Lëshoi kostari kosën,

djersën nga balli fshinë qi rrjedh mbi gushë.

E vasha e nuse me shtambat mbi krye

te kroni i lanë me u mbushë.

Blegërojnë e dhen e dhi mbledhun ndër vathë,

lodrojnë kingjat rreth nanash

tek hyjnë e dalin tbanash

kalamaj përmbas grashë me kambë zbathë.

Nji derë mbyllet e çilet,

përgjegjet pallja e lopës qi po milet.

E dyndet nata tue përzanë kuqloshe

dritën përtej kodrinash

qi shkojnë zhdërvjelltas tue value kah deti.

Nji grue i këndon foshnjes

tue e lëkundun te djepi.

Përgjumet nana foshnjen tue lëvitun,

dridhet nji maje plepi,

e mandat qi pikojnë erna përdarin

e shejin rrotull barin.

Navigare necesse

« N’oqeanin e pamasë,

lundërtarë mbi zgavrra lisi,

çka kërkoni ju me hasë

ku ndër gjire joshë avisi ?

Para jush e mbrapa mjegull,

valë qi ndiqen rretheqark

ndër bunaca e shqota shrregull,

e nji qiell qi u mbyllet çark ! »

 

« Qielli i çamë rrezitë ylbera,

fundi i detit ka visare,

na përcjellë me vringull era

anash botës kufitare.

Ndiej! Kërset me u thye anija,

vjen nji frymë, na jemi gati,

velat ndenë për ne dashnia

e lundrojmë me busull fati.”

Agim

Andrrat bahen të shkurta,

flurojnë të shpejta

n’ajrin e rralluem,

u ndihet murmurimi.

 

Te hyjzit vezullimi

Asht i shqetë,

e fryjnë era t’ imta.

 

Fërgullon tash e cikun

gjethnaja.

 

Agim te maja.

 

 

Legjenda e Drenicës

 

Uluron murrani i çmendun,

fshan si bishë me zhgjetën n’bri.

Davaritet mjeglla e dendun

mbi katundin shkrumb e hi.

 

E mbi buzën e nji rrmorje

duket tash nji kullë mënjanë.

Nji djalosh përmbas dritorje

rrin mendueshëm e nuk bzan.

 

Asht për rrugë e n’armë shtërngue:

bomba dore me gjerdanë.

“Loke, s’mundem me mungue;

lamtumirë kam ardhë me t’thanë.”

 

Qan e ama e duert i mbeten

tu’i përdredhë n’idhnim e fshan:

“Dy qi pata shkuen e mbeten…

bir o bir, ku don me m’lanë?

 

Mbushë s’i ke ti pesëmbdhetat,

kush at gja s’ta ven ty barrë…”

“Nanë, do t’shkoj me u ba me çetat,

gjakun vllezënve me u marrë!”

 

“Kanë me t’vra: si tu vëllezën,

si tët at, i pushkatue!

Ku na len, ah, mue fatzezën,

tande motër fatshkretue?”

 

“Lene, nanë! Ma keq me  e mbyllë:

ktu me e gjetë si berr e presin.

Shqe veç janë, me hyll pa hyll.

Qymen kanë ndërrue, jo vesin!

 

Lene t’shkojë, e mbarë ju dhashtë.

Ktheftë me nder. Por n’qoftë, o vlla…

(Perendija mos e thashtë!)

gjakun vetë kam me ta la!”

 

Fishkullon murrani rrmores,

me frullizë tue uturi,

hyn ndër hekrat e dritores

nalt te kulla shkrumb e hi.

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, Arshi Pipa, Lamtumire

20 vite pa Arshi Pipen

July 29, 2017 by dgreca

4arshi pipa

 

Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht./

anton-cefa

Nga Anton Çefa/Bir i një familjeje dinjitoze për ideale e virtyte atdhetare dhe krenare për traditat kombëtare, Arshiu mori drejtimin e një njeriu të ndershëm e kambëngulës në bindjet e veta, kundërshtar i çdo konformizmi. I ati, Mustafa Pipa, qe njeri me kulturë të gjanë, jurist për nga profesioni, patriot dhe demokrat për kah idealet. E ama, nanë Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye, burrneshë e vërtetë shqiptare, vdiq në internim, me shpirtin plagë. I vëllai, Myzaferi, avokat, me interesa të gjana kulturore, demokrat, kundërshtar i çdo diktature, botues i revistës “Fryma”, ku shprehi pikëpamjet e tij përparimtare politike e shoqënore, u pushkatue në terr nga organet e sigurimit, sepse kërkoi me gjetë drejtësi e rregull në gjyqet e tyne kriminale. Motrat, edhe pse të shkëlqyeshme në mësime dhe intelektuale të formueme, u detyruen me ba punët ma të randa për me fitue bukën e gojës.

Arshiu u lind në Shkodër, në vitin 1920. Kreu mësimet fillore në qytetin e lindjes dhe po ashtu arsimin e mesem, vitet e para në Shkollën Saveriane të Jezuitëve dhe të fundit në Liceun e Shtetit, Dega klasike. Studimet e nalta për filozofi i kreu në Firence (Itali), ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi, tue mbrojtë disertacionin: “Morali dhe feja tek Bergsoni”

U kthye në atdhe në vitin 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 dha landën e filozofisë në Liceun Shtetënor të Tiranës, tue dhanë mësim në të njajten kohë në Licetë Shtetnore të Shkodrës dhe të Durrësit. Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Në prill të vitit 1946, e arrestuen për shkak të refuzimit të tij kategorik me veprue në përputhje me politikën e regjimit diktaturial.

Në vitin 1957, u arratis në Jugosllavi dhe, në vitin 1958, emigroi në SH. B. A. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Veprimtaria e tij pedagogjike dhe organizative në fushën e mësimit dhe të edukimit përbën një kapitull të veçantë, të gjanë, të larmishëm e shumë të frytshëm. 1).

Në vitin 1960, filloi punnën si mësues filozofie në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas. Në vitet 61-62, drejtoi Departamentin e Gjuhës Italiane në City University, Georgia, në Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira. Po në këto vite ka dhanë italisht në Columbia University .

Në vitet 63-66, ka qenë Profesor i Asociuem në Departamentin e Gjuhës Italiane, në Universitetin Berkley të Kalifornias, ku dha mësim në kurset e lëtërsisë moderne italiane dhe drejtoi seminaret e kritkës letrare për De Sanctis (1963), Croce-n (1964), Vico-n (1965). Gjatë vitit 1965 dha mësim edhe në kurset e gjuhës shqipe, letërsisë dhe folklorit tonë. Gjithashtu dha edhe filozofi romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D).

Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. 2).

Në vitin 1966, kaloi në Universitetin e Minnesota-s, në Minneapolis, në fillim si profesor i asociuem, dhe ma vonë si profesor i gjuhës italiane në Departamentin e Gjuhëve Romane. Në Universitetin e Minnesota-s, u ba anëtar me të drejta të plota dhe kontribuoi në planifikimin, hartimin dhe ndamjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Qe, gjithashtu, drejtues i Programit Master për këtë gjuhë. Temat e diplomave për master e Ph. D. u shkruen dhe u miratuen nën drejtimin e tij. U ka dhanë mësim, gjithashtu, kurseve extraculiculare të gjuhëve, kurseve të qytetnimit dhe të kulturës dhe, në veçanti, kurseve extraculiculare për shkrimtarët e mëdhaj: Dante, Bokacio, Manxoni, Leopardi, për Poezinë Kalorsiake, Letërsinë Utopike, dhe leksionet krahasuese: Marksizmi dhe ekzistencializmi në tregim dhe dramë; ka drejtue seminaret Ungaretti dhe Monatale, Vico dhe Croce. Veç sa thamë, ka ligjërue ciklin e leksioneve: Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinnë Italiane, në kurset e përbashkëta të diplomantëve të gjuhëve frënge dhe italiane. Në Universitetin e Minesotta-s për tetë vjet me radhë mbajti falas nji kurs të gjuhës shqipe. Gjatë vitit 1970, ka konceptue dhe hartue Programet e Master-it për gjuhët frënge dhe italiane.

Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes. Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 Shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

*   *   *

Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikës, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).

Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, që  trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush. Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukurive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue. “Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).

Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri që duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shtypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des etudes sud-est euripéennes”.

Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungarettin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Review”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante’, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).

Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj. Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën). Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).

Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikës dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989.

Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj. Në “Dielli”, Pipa kritikoi ashper veprimet anti-demokratike të forcave politike qi dolen në skenë fill mbas rrximit të diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret e të dënohet pergjegjësia për atë çka ndodhi gjatë viteve të regjimit komunist.

Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe, në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos” (Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj. Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demok  rat, kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Arshiu vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe hini të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitiit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Studiues të të ndryshem dhe institucione kulturore demokratike kanë punue me sukses me e ba  të njohun jetën dhe veprën shkencore e letrare të tij. Janë botue ese, studime, monografi, janë ribotuar vepra të tij, etj. Pak asht punue në diasporen tonë në  këtë drejtim. Per t’u permendun asht artikulli me shumë vlerë i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”. Shkroi për Arshiun këto ditë Z. Frank Shkreli, i cili duhet falënderue që na kujtoi 20-vjetorin e vdekjes së Arshiut. 

Referenca

1). Për veprimtarinë mësimdhanëse të Pipës në universitetet amerikane, shih Wikipedia-Enciklopedia e lirë.

  1. Ma hollësisht për këtë problem, shih Sami Repishti, “Me rastin e pervjetorit të parë të vdekjes, shoku im Arshi Pipa”, “Phoenix”, nr. 5-6, v. 1998, Shkodër.

3). Citim simbas: Hans-Joachim Lanksch, “U shue pishtari i kulturës shqiptare dhe i mendimit nonkonformist, Arshi Pipa”, “Dielli”, July-September, 1997.

4). Eleni Karamitri, “Arshi Pipa dhe Peter Prifti: lidhje miqësore dhe shkencore”, Illyria”, 24-26 janar, 2006.

5). Italo Costante Fortino, “Dal Realismo socialista a una nuova letteratura albanese” (“Nga realizmi socialist te nji letërsi e re shqiptare”), “Hylli i Dritës”, nr. 5-6, v. 1994, f. 46

6). Astrit Lulushi, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, “Illyria”, 3-5 prill, 2007.

7, 8, 9). Shpend Topallaj, “Dy jetë paralele – Rreth librit të Uran Kalakullës me titull “Arshi Pipa njeriu dhe vepra”, “Illyria”, 14-16 dhjetor, 1999.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 20 vite, Anton Cefa, pa Arshi Pipen

Anton ÇEFA sjell Rabindranath Tagora në Sofrën Poetike të Diellit

July 9, 2017 by dgreca

1 Rabindranath

Rabindranath Tagora(1861-1941)/

“Kur mbasi të ketë dëgjuar të reçitohet një poezi imja, ndonjë më thotë: “Nuk e kam kuptuar’, unë jam i detyruar të hesht.

Në qoftë se i merrni erë një luleje dhe thoni: ‘Nuk kuptoj’ – përgjigjja ime është: ‘Këtu nuk ka gjë të pakuptueshme, është vetëm erë e mirë’.

Dhe në qoftë se, megjithëkëtë, ju ngulni këmbë duke thënë: ‘E di, po ç’kuptim ka?’, Atëherë nuk më mbetet tjetër veç të ndërroj bisedë ose të bëhem i pakuptueshëm, duke pohuar se era e mirë është forma që merr gëzimi i gjithësisë në një lule”.

Dashuria për natyrën

Cilido që të jesh ti, lexues i këngëve të mia

Pas njëqind vitesh,

Unë nuk do të mund të të çoj

As edhe një lule të vetme

Të kësaj pranvere të pasur,

Një fjollë të artë resh që shtrihen atje lart.

Hap dyert e shih jashtë,

Mblidh prej kopshtit tënd kundërmues

Kujtime të erandshme,

Të zhdukura njëqind vite më parë !

Në zemrën tënde do të mund të ndiesh

Gëzimin plot jetë

Që këndova në një mëngjes pranvere,

Duke të dërguar zërin tim të gëzueshëm

Të njëqind viteve më parë.

Përhumbje në Zotin 

Në duart tua, o Zot, koha është e pafund.

Asnjë nuk mund të numërojë minutat.

Kalojnë ditët dhe netët.

Moshat lulëzojnë dhe vyshken si lulet.

Ti di të presësh. Për ta përkryer një lulëz të egër

Shekujt Tuaj ndjekin njëri-tjetrin.

Na nuk kemi kohë me humbë . . .

Në muzg ngutem nga frika se dera Yte mbyllet,

Por . . . ka prap kohë.

Vëllazërim universal 

Hapi sytë e shih:

Zoti yt nuk është para teje.

Ai është atje ku fshatari lëron plisin e fortë

E gurthyesi punon.

Ai është me ta, në diell e në shi,

Dhe rrobët e Tij janë të mbuluara me pluhur.

Hiqe atë mantel dhe zbrit si Ai

Mbi truallin plot pluhur!

Lërim! Ku mund ta gjesh këtë lëërim?

Mësuesi ynë ka marrë mbi shpatullat e Tia

Dhimbjet e njeriut.

Është bashkuar me ne përgjithmonë.

 

Përktheu nga anglishtja: Anton ÇEFA

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Anton Cefa, Rabindranath Tagora, Sofra e Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 26
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT