NGA ANTON ÇEFA*/
Festa e 28-ës na përndizet të gjithëve me një hov të fuqishëm ndjenjash që trazojnë zemrën e çdo shqiptari dhe zgjojnë një mori refleksesh.
Një zjarr dashurie për tokën tonë, për fjalën, për frymën, na përflak; një etje e pashuar, e përgjithmonshme, e të gjitha brezave për lirinë na dëshirohet; një dell manifestues krenarie për lavdinë e bëmave të dikurshme na vezullon në sy e në ballë; një dhimbje e thellë për fatkeqësitë e panumërta na shtrëngon në gjoks; të gjitha të plazmuara në palat e atij Flamuri të Shenjtë, para të cilit qëndrojmë në këmbë, në më të bardhën ditë të kohëve të reja të kombit tonë-në Ditën e Madhe të 28-ës.
U ngrit, së pari, në epopenë më të lavdishme të popullit tonë, në dorën e Skendërbeut, për të zëvendësuar flamujt përçarës të principatave, duke mishëruar vullnetin e një prijësi dhe gjakimin e një populli, që nuk pranon të nënshtrohet.
Ai u ngrit për t’i dhënë qenies sonë një frymë harmonie, vetëdijes shqiptare një parim kombësie, ndjenjës popullore një shkëlqim vëllazërie, vullnetit tonë një forcë bashkimi.
Sado që 500 vitet turke u përpoqën ta hedhin atë në hauret më të errta të kujtesës kombëtare, ai shkëndijoi gjithnjë në kraharorët shqiptarë dhe u ngrit herë pas here nga duar kryengritëse, që nuk munguan kurrë, deri në Ditën e Bardhë të 28-ës, kur Plaku i Kombit e fisnikëroi në Vlorë, duke e qarë me lot gëzimi e malli, dhimbjeje e përkushtimi.
Ai qe lartësuar më parë në Prizren, qe përgjakur në Deçiç, dhe në ditët tona shkëlqeu në Prishtinë.
Në këmbë përpara asaj pëlhure të kuqe me shkabën e zezë, “lagur me lot, djegur me flakë”, përjetojmë edhe reflekse tejet të dhimbshme, kur e kujtojmë të rënduar e të përdhosur nga simbolet e huaja, spatave të Liktorit dhe yllit gjakatar të internacionalizmit proletar pansllavist.
Qëndrojmë më këmbë me nderim të thellë, në atë Ditë të Madhërishme, para asaj pëlhure të kuqe me atë shpendin e zi, zemërak për padrejtësitë, përbuzës ndaj shovinistëve, mospërfillës ndaj ksenofobisë së huaj, kërcënues për armiqësitë, por zemërhapur për miqësitë dhe krahështrirë kurdoherë për të përfshirë dhe mbrojtur të gjithë bijtë e tij.
E kush nuk shpirtësohet në vetëdijesimin e atij simboli identifikues që të prushit në gjak shqiptarësinë, duke na yshtur të ripërtërijmë me vlera më të freskëta trashëgimitë tona të gjakut, ato që janë më të denja për ngjyrat e këtij Flamuri të magjishëm, të përtërijmë përvojat tona, ato më të fismet, që i bëjnë nder atij, të këndellim vullnetin tonë këmbëngulës për të shmangur ndasitë e ushqyera nga të gjitha izmat e hisës së zezë të shpirtit tonë, që fatkeqësisht na e fali natyra!
E kush nuk tronditet për ditët e bardha, sado të pakta, të valëzimit të tij në fllade lirie ngazëlluese !
E kujt nuk i dhembin plagët që hoqi e heq ai stinë pas stine, dikur dhe sot ! E kush nuk gazmohet nga një vizion plot shkëlqim dëshirak i së ardhmes së këtij Flamuri, që pau aq pak ditë të bardha !
E kush nuk akullohet e ngrin menjëherë porsa refleksi të zbresë me këmbët në tokë dhe të prekë me duar të sotmen!
Mungesë e plotë parimësie në politikë, mohim idealesh kombëtare, luftë e paprinciptë për sundim, etje e çmendur për pasurim, lojë e ndyrë pushtetarësh mbi kurrizin plagë të një populli, mjerim e varfëri, krim e korrupsion .
Por, edhe në këto ditë të vështira, që po kalon vendi, në Ditën ogurmire të 28-ës, gjithsesi, kur ndodhemi para tij, shpresa na përkëdhel dhe besimi na forcohet, mendja na e thotë dhe zemra na e ndjen që ky Flamur i Shenjtë, me shtizën të ngulur thellë në zemrën e kombit, do të valëvitet triumfues në përjetësi, se
“Zoti vetë e tha me gojë,
që kombe shuhen përmbi dhe,
por Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne.”
* Autori Anton Çefa, Ish editor i DIELLIT
Poezia – kjo materie e prekshme që shpirti i poetit e kthen në materie hyjnore
Intrevistë me poetin Ferik Ferra/
Nga Anton Çefa/
I dashur Ferik, i gëzohem kësaj bisede me ju për artin poetik si një poet që u vetëmohove, në kohën kur Fjala e Lirë qe ndaluar, por që gjalliste e njomë dhe e freskët në shpirtin tënd dhe strukej nën hijen e dendur të sirtarëve. Por, kur fitoi të drejtën për të qenë e lirë, ajo u shpall para lexuesve me gjithë hijeshinë e saj, e bukur dhe dinjitoze . Heshtja e gjatë, që “ka tingull guri”, siç e kam quajtur në një nga poezitë e mia, e kishte stolisur atë me dhuntitë e një arti të pjekur. Deri atëherë i vetvetes u bëre poeti i të tjerëve. Kjo datoi në vitin 2000, me botimin e përmbledhjes së parë poetike “Duke kapërcyer shekullin”. Mbas atij botimi, ju i dhuruat dashamirëve të poezisë pothuajse nga një vëllim poetik për çdo vit, dhe vazhdoni me të njëjtin ritëm, edhe pse tanimë i moshuar.
Pyetje: Poezia është arti më i vështirë për t’u përcaktuar. Më duket se poeti ynë hermetik i heshtjes 50-vjeçare, Zef Zorba, i ka dhënë zgjidhjen më mbushamendëse kësaj çështjeje, kur ka thënë: “Si të na shkojë mendja me përkufizue të pakufizueshmen? E pikërisht poezia asht e pakufizueshme.” Me gjithë këtë, ajo është arti që është çanësuar më shumë se çdo art tjetër. Poeti nobelist italian Salvatore Quasimodo(1901-1968), duke bërë fjalë për poezinë lirike ka shkruar: “Kur poezia fillon të thotë pushon së qeni”, duke nxjerrë në pah natyrën evokuese e sugjestionuese të saj; ndërsa poeti amerikan Archibald MacLeish (1892-1982), në esenë e tij poetike “Ars Poetica”, e ka përforcuar këtë mendim, duke thënë: “Poezia nuk duhet të thotë, por të jetë”. “Ajo që mund të shpjegohet nuk është poezi”, ka shkruar poeti i madh irlandes William B. Yeats (1865-1939). . Cili do të ishte përkufizimi i poezisë simbas përvojës suaj?,
Përgjigje: Të përkufizosh poezinë në mbështjelljen e nji formule për t’i dhënë formulës nji pamje algjebrike nuk është e mundur ose më mirë të themi është e pamundur.
Ç’është poezia lind pyetja? është grumbull shekujsh, ndoshta edhe më tutje se Gilgameshi, që përjetësia e ka marrë nën sqetull dhe shpirti i njeriut e kthen atë nga materia e prekshme në materie hyjnore. Flas për atë poezi që hyn në tempullin e pavdeksisë, se ka edhe poezi që kanë jetë fare të vogël e treten si bora e maleve nën rrezet e nxehta.
Vizitoja muzeun e Luvrit. Mona Liza “banonte” në nji sallë të veçantë me një xham katër gishta të trashë para portretit. Sytë e vizitorëve rrotulloheshin nga të gjitha anët sikur kërkonin diçka që s’e kapnin dot. Ajo vinte nga vinte Vinçi, kishte ndaluar në rrugë dhe na shikonte me at buzëqeshjen e saj pa na i hequr sytë, katër shekuj para. Po ç’është kjo buzëqeshje, kuriozitet, mospërfillje, dashamirësi, ambëlsi, vanitet, dashuri, e kënaqur nga jeta, e zhgënjyer, ia vlen jeta me gjithë ëndrrat e saj a po jo. Arti i Leonardos kishte kapur majën me atë buzëqeshje, të cilën na e la ta shpjegojmë ne që deri sot nuk arrijmë ta zbërthejmë.
I dashur Anton, kjo është poezia, kur kujton se e prek, ajo të rrëshqet nga duart e mendjes e s’e kap dot as atëherë e as sot dhe as në të ardhmen. Materia hyjnore s’ka kohë e s’ka kufij. Bokaçio thonte sa më shumë kalon koha vijnë e bëhen më brilante tercinat e Dantes. Kjo është poezia, ajo çka mbetet në duart e çdo shpirti, lumturia e atij që e ka krijuar, e pavdekshme si drita. Kishte shumë të drejtë i ndjeri Zef në këndvështrimin e tij. Poezia nuk thotë, nuk i tregon kurrë “këmbët e veta”, por nuk duhet që poezia të mos thotë asgjë, ruajna, o Zot nga absurdi! Tani që po u përgjigjem pyetjeve tuaja kam në dorë poezitë e Silvia .Y. E shkreta poete, pati nji jetë të turbulluar, e të them të drejtën, e vështirë poezia e saj, duhet ta lidhësh kokën me shami, si i themi ne shqiptarët.
Pyetje: Poezia juaj, në përgjithësi, është realizuar në kapërcyell mes epikës dhe lirikës. Në dukje parësia i takon epikës, por janë hovet shpirtërore të shprehura shpesh përmes një figuracioni të ndërlikuar, që i japin tonin lirik motiveve. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë çështje?
Përgjigje: Un linda dhe u rrita në Krujë. Shtëpia ime është në pikën më të lartë të qytetit. Në mëngjes kur zgjohesha nga gjumi gjeja në xhamin e dritares sime kalanë, kodrat e Krastës, fushën e Krujës dhe kaltërsinë e Adriatikut. Syri prekte me një rreze të vetme nga mali, kodrën, fushën e detin e anasjelltas. Ne si shqiptarë lindim epikë, por ndryshon shpirti nga shpirti dhe epika në lindje gjen lirikën në jetë, pak a shumë poezia ime, e miqve të mi, poezia jonë shqiptare.
Pyetje: Esteti i talentuar dhe analisti i aftë Defrim Cani, që e ka shoqëruar poezinë tuaj që nga botimi i vargut të parë deri tek i sotmi, ka shkruar: “Poezia e Ferrës ka një ‘ingranazh’ me shumë hallka, e cila mbahet fort pas elementeve fondamentale të strukturës poetike dhe të origjinës simboliste, pavarësisht sa të dukshëm e bën atë poeti.” A mund të na i tregoni dhe të na i bëni sa më të dukshme për lexuesin këto hallka poetike?
Përgjigje: Po, është një libër i shkruar posaçërisht për fenomenin poetik timin në një studim të imët, të një zëri të veçantë të studimit dhe të kritikës së letërsisë në Shqipëri. Autori (Dëfrim Cani) e ka titulluar librin “Dielli i vështirë’ – dhe koha e poezisë”, të cilin unë e konsideroj një titull emblematik, pasi brenda tij ka metaforën e diellit të vështirë, për të cilin unë do të flas më poshtë, në një çështje tjetër të intervistës, dhe kohën, një nocion po kaq i diskutueshëm për letërsinë artistike.
Studiuesi e ka quajtur vargun tim “ingranazh” me shumë hallka, dhe këtë ide e ka ezauruar në të gjithë shtrirjen e vargut. Po ashtu, studiuesi ka një qasje të imët dhe për figurën në poezinë time, veçmas mbi simbolin si një kryefigurë. Besoj ka të drejtë, ashtu si e ndjej dhe unë. Ngado të sillemi, poezia që na vjen në buzë dhe që e shkruajmë shpejt e shpejt dhe ajo që rrin gjatë deri kur gatuhet, ka një simbol të thellë, ndryshe ajo nuk do t’i rezistonte kurrë kohës. Na ka ndodhë mua dhe ty, kujtdo poeti, që një poezi ka fjetur brenda nesh vite të tëra dhe pastaj është shkruar. Unë jam i mendimit se simboli që ka brenda ajo poezi e ka ruajtur gjatë atë brenda poetit.
Në hallkat e tjera të vargut, studiuesi ka vërejtur zgjedhjen e fjalës, ritmin, strukturën e komunikimit, strukturën poetike, ekonominë e shprehjes, gjithmonë nën nji petk poetik. Ndoshta kjo ka të bëjë me pasurinë e madhe leksikore që ka fjala gege, e cila zë vend shumë në poezinë time, veçanërisht në poezinë që është shkruar deri në vitin 1990. Fjala është gjëja më e rëndësishme në poezi. Besoj se dhe marrëdhënien që ajo krijon me bazën simbolike të poezisë, për të cilën flet autori, kjo ka rëndësi, për të kuptuar pastaj dhe metaforën, që zakonisht e ka çdo poezi dhe krijim letrar.
Ndërsa për kohën në poezi, mendoj se studiuesi përmes poezisë sime është përpjekur të shtojë koncepte fondamentale mbi nocionin kohë në letërsi, të cilën ai e konsideron një të “tashme” të përjetshme, d.m.th që një poezi e mirë duhet ta ketë këtë kohë edhe po të lexohet mbas 100 a më shumë vitesh. Kjo lidhet natyrshëm me aftësinë e poetit e të shkrimtarit për të sjellë apo “ndërtuar” metafora universale, ashtu siç kanë bërë poetët më të mirë të botës dhe ata shqiptarë.
Pyetje: Po ky estet, fillesën e botimit të poezive pas rënies së diktaturës e ka shpjeguar me Mitin prej Antigonës, ose me “të drejtën për të qëndruar”, a edhe më përtej me “çështjen e refuzimit”. Si e shpjegoni ju këtë fakt të jetës dhe të veprimtarisë suaj letrare?
Përgjigje: I dashur Anton, kjo është e vërtetë, mbasi Antigona shkëlqeu në vuajtjen dhe kalvarin e Edipit. Qe njëra nga vajzat, e cila nuk e braktisi kurrë babanë e saj, deri në vdekje. Unë besoj se pak a shumë dhe unë dhe ti e kemi pasë fatin prej poeti të njëjtë. Më vjen mirë që studiuesi ka marrë në referencë nji mit antik, jo për mua apo dhe të tjerë si unë, por për të respektuar dhe nderuar poezinë, letërsinë në përgjithësi, që në afër 50 vjet është masakruar, është dhunuar, është skllavëruar, e çfarë nuk i kanë bërë letërsisë. E kam fjalën për atë letërsi, që nuk iu bind rregullës ideologjike të kohës.
Poeti i mirë, shkrimtari i mirë, gjuhëtari i mirë dhe cilido i çdo fushe qoftë nuk duhet të lëkundet dhe të përulet para presionit dhe të poshtërojë dijen e vet, mendimin e vet. Ky është dhe një pakt për të mos u nënshtruar. Është një pakt burrnor, i njour nga shumë poetë të huaj dhe shqiptarë. Dhe pse kaluam gati një gjysmë shekulli, poezia ime dhe jotja, por dhe e shumë të tjerëve, arriti të dalë në dritë. Ajo ka pasur të drejtë të qëndrojë, të përkojë me një “disidencë” të heshtur, mbasi ajo nuk e pranoi rregullën dhe imponimin. Dhe heshtja në kësi rastesh është sfidë dhe rezistencë. Dhe studiuesi Defrim Cani këtë çështje e ka pleksur me një mit antik, i cili është modeli sipëror i të drejtës për të qëndruar.
Pyetje: Krimitaria juaj dëshmon për një vlerësim të traditës, në të njëjtën kohë ajo është sa tradicionale aq edhe novatore, sa klasike aq edhe moderne, si në përmbajtje ashtu edhe në formë. Çfarë mund të na thoni për këto dy kahje të poezisë tuaj?
Përgjigje: Tradicionalen e mësuam në djep. Kuptohet, ishin këngët që na vënin në gjumë, këngë djepi, po ato rima folku u rritën bashkë me ne. Mandej shkolla. Vitet e para në “Këndimet” simbas klasave të fillores. Kështu nisi mësimi i vargut vertikal, të cilin e kishim të detyruar për ta mësuar përmendësh. Autorët e këndimeve kishin shkruar poezi të mrekullueshme, të cilat e përgatitnin nxënësin me një dashuri të pafund për jetën, për artin, për dijen, nëpërmes të një metodike pedagogjike adapte për moshat. Ata na mësonin për atdheun, për lirinë, për botën që na rrethon si afër nesh ashtu dhe larg nesh. Kjo valë na mbeti në shpirt për gjithë jetën, e megjithëse ndjekim zhvillimin e vargut horizontal, si i thonë, hap mbas hapi ajo dashuri e parë për klasiken nuk na hiqet nga shpirti. Bile kemi një repekt të madh për ata poetë që frymën e mënyrën poetike moderne e shkruajn me vargun vertikal, kam parasysh midis të tjerëve Mendelshtajnin.
Pyetje: Lidhur me ndikimin e traditës, poeti i shquar modern Thomas Eliot ka thënë: “Asnjë poet, asnjë artist, vetëm nuk e ka kuptimin të tejdukshëm. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur . . . Me kënaqësi flasim për hollësitë e ndryshimit të poetit nga paraardhësit e tij, veçmas nga ata menjëherë para tij; orvatemi të gjejmë diçka që mund të izolohet me qëllim që të kënaqemi me të. Ndërkaq, nëse i qasemi një poeti pa këtë paragjykim, shpesh do të vërejmë se jo vetëm pjesët më të mira të veprës së tij, por edhe ato më individualet mund të jenë mu ato me të cilat poetët e vdekur, stërgjyshërit e tij, e kanë siguruar pavdekshmërinë e tyre në mënyrën më të fuqishme. Dhe nuk e kam fjalën për periudhën impresioniste të rinisë, por për atë të pjekurisë së plotë.” A jeni i një mendimi me Eliot-in?
Përgjigje: Po jam dakord me Eliotin. Paraardhësit nuk janë vetëm mësuesit tonë po edhe ata poetë që pavdekësia i ka marrë në ndërtesën e vet. Danteja kishte nji adhurim për Virgjilin me të cilin bëri atë udhëtim në “Komedinë Hyjnore”. Le të mos nisemi nga Homeri, kur Platoni na thotë se nuk bëjmë gjë tjetër vetëm se kthejmë nga njëra anë në anën tjetër të gojës vargjet e mjeshtrit të madh të antikitetit. Mësuesi është mësues, dhe ai do të ketë vendin e tij sa herë që do t’i drejtohemi atij si në rini dhe në pjekuri.
Pyetje: Cilët prej poetëve të traditës, tanë ose të huaj, vlerësoni më shumë dhe mendoni se kanë ndikuar në formimin tuaj poetik?
Përgjigje: Krahu verior pesëqindvjeçar i gjuhës e i poezisë (krah nga jam edhe unë), kuptohet duke u nisur nga eposi e deri te Martini, Arshiu, Zorba, Reshpja e Çefa, kanë vendin e vet në zemrën e poezis sime. Kuptohet, vendin e parë e zë Fishta, mandej Mjeda, Koliqi, Gaspër Pali, gjithë gama e Veriut, që më mësoi atë që e ka emrin poezi dhe më mban gjallë shpirtin poetik. Duhet t’i njohim merita edhe Jugut me vargun e shtrirë, sidomos te Lasgushi, Asdreni, Asllani e të rinjve si Pogoni e Arapi etj. Nuk po shkoj më larg se dy gjigantët Dante e Shekspiri, mandej radha është aq e madhe si në klasikët ashtu edhe tek modernët, në shkolla e në rryma. As sot nuk di kë të vë më parë, kush na bie në dorë dhe nuk e lexojmë me gjithë vëmendjen tonë!
Pyetje: Në një analizë timen vite më parë, ju kam cilësuar si një poet veprimtaria e të cilit lidhet me Dy Shkollat Letrare Shkodrane, të cilat i ka studiuar dhe klasifikuar Koliqi. A pajtoheni me mendimin tim ?
Përgjigje: Është një mikst letrarësh e përkthyesish pa harruar Frano Alkajn e Dom Lazër Shantojën, është djepi i artë i vargut tonë poetik, që sa më shumë shkon koha aq ma shumë bën dritë e zë vend në mjeshtërinë poetike, në gjuhën e psikologjinë e vendit.
Pyetje: Si poet që gjatë gjithë periudhës së sundimit të diktaturës keni shkruar në heshtje, ju lidheni gjithashtu me poetët e disidencës së heshtur shkodrane: Zorbën, Perdodën, Krroqin, Gerën (pjesërisht), Shllakun dhe mua. A mendoni se me ata keni afri edhe në çështje që lidhen me veprimtarinë poetike dhe mjeshtërinë artistike si tematikën e motiveve, gjuhën, mesazhet, metrikën, figuracionin, etj.?
Përgjigje: Plotësisht. Shkruam në heshtje, nuk kishim me kë ta matnim vargun, nuk kishim komunikim midis nesh, ndoshta shumë rrallë. Nuk dinim se ku kishte arritur njëri ose tjetri. Ndoshta ky moskomunikim, kjo heshtje shkrimi ishin ato vargje që prisnin një kohë tjetër, një stinë tjetër. Vargjet tona e pritën atë ditë. Ato e ndjenin që do të vinte ajo ditë. Ne ishim aq shumë afër njëri- tjetrit në mendime, në gjuhë, në stil, në figuracion. Na afronte moskomunikimi. Ne e gjenim rrugën në errësirë, sepse ishte drita e vargut tonë që na çonte aty ku duhej. Paraardhësit tonë na i kishin ngulur piketat e ne duhej t’i gjenim ato. Ishte ajo shkollë disa shekullore që na çonte në drejtimin e duhur.
Pyetje: “Çdo vepër duhet të vlerësohet si e zbrazët dhe e pavarur kur nuk ka domethënie të thellë, një diell të brendshëm, por synon vetëm të kënaqë ose të dëshmojë se autori i saj është i shkathët.”, ka thënë De Rada. Si mund të përcaktohet shkurt ky “diell i brendshëm” në poezinë tuaj?
Përgjigje: Pa diell s’ka jetë. Ai duhet të jetë kudo, po në radhë të parë në shpirtin e njeriut, të njeriut që shkruan. Un nuk mund të them, nuk kam se si të flas për diellin e brendshëm të poezive të mia. A ka me të vërtetë diell në poezinë time? Këtë duhet ta shohin e ta gjejnë ata që e lexojnë.
Pyetje: Në “Credo-n” tuaj, të shkruar në vitin 1961, keni shprehur kënaqësinë që ndjeni për rrezatimin e një dielli mëngjesor dhe për dëshirën që zemra juaj të ngjitet në lartësitë diellore, por keni ndjerë edhe nevojën që “sytë me i ruajtë t’mos bien n’këtë gardh shkëlqimi.” Një shpjegim më i plotë për Credo-n tuaj poetike, në përgjithësi, dhe për frikën nga “gardhi i shkëlqimit”, në veçanti, mendoj se do të ishte i dobishëm për një lexues të zakonshëm.
Përgjigje: Po i referohem tingëllimit tim “Credo”. Dëshira e madhe e imja ishte që kredoja t’i kushtohej artit, vargut. Dëshiroja që vargu të kishte diell duke iu referuar atij. Po më e madhe ishte dëshira për të mos e tepruar me atë kërkesë, mund dhe t’i afrohesha aq shumë sa mund të digjesha në atë gardh shkëlqimi. Deri në kufijt e të mundurës, por gjithnjë me dëshirën e diellit, pa e tepruar ambicien, ndoshta ashtu siç e kishin dëshiruar paraardhësit e mi.
Pyetje: Në poezinë “Në diellin e vështirë”, keni shkruar për vështirësitë që krijonte koha e diktaturës, “kur agimet binin në prita të çdo dite / po zemrat shkulnin gardhet e çdo prite / e jeta kapej në diellin e vështirë”, një simbolikë që lidhet sa me jetën, aq edhe me kushtet e krijimtarisë poetike. Për hir të lexuesve të rinj, që nuk e kanë jetuar kohën e diktaturës, do të ishte i nevojshëm një koment sqarues për këto “prita”, shkuljen e tyre dhe për simbolikën e diellit të vështirë.
Përgjigje: Sa nga ata që shkruan e punuan me dëshirën e lirisë, nuk pyetën se çdo t’i gjente po të zbuloheshin se kishin shkruar vargje e prozë ku nuk flitej për partinë, për jetën që po lulëzonte, jo në një stinë po në gjithë vitin. Realiteti duhej të hidhej në vargje se ndryshe priste gijotina. Pat nga ata djem trima që shkruan të vërtetën e gjetën burgun, torturën, vdekjen. Disa dolën hapët e disa u mbyllën në burgun që i bënë vetvetes. Jeta ishte ekstremisht e vështirë, ku në çdo hap duhesh t’i hapje sytë për të mos rënë në pritë, se ndryshe e paguaje tepër, aq sa nuk ta priste mendja. Burgu ishte afër derës së shtëpisë, në fillim përçmimi, pastaj dënimi në lagje, pastaj hekurat, burgu dhe a do të dilje gjallë se po të vdisje në burg, për familjarët ishte nji këngë iso, që nuk mbaronte kurrë, ata mund të internoheshin ose depërtoheshin diku në malësi ose afër kënetave. Dielli i bukur që jep jetë, dritë ngrohtësie, shpresë, kthehej në nji kalvar të përditshëm, sa vinte puna të mallkoje veten dhe ta prisje ditën e re e ta masje atë me vuajtjen e përditshme, dhe çdo diell dite, agimi kthehej në diell të vështirë, që duhej ta bartje në shpinë çdo ditë. Ky ishte “Dielli i vështirë” i atyre ditëve, i atyre kohëve.
Pyetje: Në përgjithësi, është pranuar që në procesin krijues poetik merr pjesë edhe nënvetëdia. Për Pipën, poezia në hullinë e procesit krijues është “ankth i pavetëdishmes instinktive për me dalë në pastërtinë e mendimit, në shpirtin e kthielltë. Pse poezia kjo asht: krymbi qi bahet flutur, e dheshmja qi bahet qiellore, errësina qi bahet dritë.” A jeni i këtij mendimi dhe nëse po, a mund të na e ilustroni me ndonjë fakt konkret ?
Përgjigje: jam i një mendjeje me të ndjerin Arshi. Ngacmimi më vjen si një prekje jo në portë po në derë. Në atë moment zgjohet gjithçka. Hapet dera dhe çdo gjë hyn fluturimthi. Nënvetëdija zotëron deri caqet më të largëta të shpirtit. Ajo fillon të “vjellë” brumin me të cilin gatuhet buka poetike. Ka raste që ajo është e momentit, sikur preket një tast pianoje po ka dhe raste kur trokitja mund të ketë goditur para, jo disa javësh, muajsh apo viti, po para disa dhjetëra vitesh në vetëdije. Kështu ndodhi me një poezi timen me titull “Semaforët”. Makbethin e kishim lexuar e komentuar aty kah viti 1952-53, po ajo goditje ose prekje ta quajmë, erdhi më 2014. Gjatë kësaj kohe ajo kishte fjetur për vite e vite të tëra. E kam shkruar me një frymë fillim e mbarim brenda disa minutave. Çfarë nuk ban nënvetëdija! Nënvetëdija është zgjim vullkani, zgjimi nga “koma” poetike, pastaj vesh pulovrin e kohës kur lind me shpresën e rritjes e të mosplakjes.
Pyetje: Është thënë se kur prania e nënvetëdijes është e gjerë, poezia lirike fiton edhe një funksion parathënës, parafolës, profetik. Mitologjia greke, në figurën e Orfeut ka çanësuar një kuptimësi tejet të vlertë të poezisë, në kohën kur ajo nuk ishte ndarë ende nga melodia. Aq e magjishme ishte kënga e tij e shoqëruar me lirë, sa që qetësonte kafshët e egra, i bënte pemët të përkuleshin për ta dëgjuar, shkëmbinjtë të afroheshin, tallazet e detit të qetësoheshin … Kur xhelozia e grave që e dashuronin e copëtoi kortarë-kortarë dhe kokën ia hodhi në lumin Ebro, ajo nuk u mbyt, por qëndroi mbi valë dhe vazhdoi të këndojë. Më vonë ajo u shndërrua në orakull. Epistemologjia ia njeh rolin njohës mitologjisë. Edhe Frojdi e psikanalistët tjerë pas tij kanë parë tek mitet dukuri të nënvetëdijes. Duke u nisur nga përvoja juaj krijuese, a i njihni lirikës këtë rol parathënës?
Përgjigje: Lirika është mbretëresha e poezisë. Ajo kap të gjitha anët e shpirtit me një ngacmim të atillë, sa bën të lëvizin gurët dhe drunjtë. Miti në themel të lirikës krijon një gjendje shpirtërore, sa e prek tjetrin deri në thellësitë e shpirtit. “Ajkuna vajton Omerin”. Kush nuk ndjeu dhimbjen e nënës që në rreze të hanës e vajton të birin në bjeshkët e Jutbinës. Spektri lirik këtu është i pakapshëm, miti, nata, vdekja e 12 vjeçarit, hëna që zverdhet edhe më në lotët e nënës, kërkesën e nënës për t’i ruajtur të birit varrin, veç ta shihte gjallë e duke çetuar me agët. Epika legjendare kthehet në lirikë legjendare, për t’iu afruar mitit, që me Orfeun nuk ka ngjashmëri .
Kur Fishta dëgjoi poezinë e Prendushit, qëndisjen e flamurit kombëtar nga vajza shqiptare, e cila dha frymën në momentin e mbarimit të qëndisjes, atij iu mbushën sytë me lot. Dikush i tha: Atë Gjergj, si kështu ty, që s’të kanë bërë me lot sa e sa ndeshtrasha të prekesh kaq thellë. Atë Gjergji iu përgjegj: kjo poezi bën të qajë edhe arushat e malit.
Nënvetëdija e kishte kryer efektin e vet, lirika në këtë rast kishte prekur thellë shpirtin e epikut të madh të letrave tona, i cili ishte edhe lirik. Kur lirika kthehet në mit dhe miti vishet me lirikë, poezia ka hapësirë të pafund e kohë të pafund.
Pyetje: Në procesin krijues të poezisë dhe të çdo arti, momentin e zanafillës e përbën frymëzimi. Mendohet se ai ka origjinë hyjnore. Poetë dhe estetë tanë dhe të huaj i kanë njohur vlera hyjnore frymëzimit poetik, e kanë trajtuar atë si dhunti të blatuar prej së larti. Homeri i pari ka shprehur mendimin e vet mbi poezinë si dhunti shpirtërore. Poeti dhe esteti ynë De Rada ka shkruar: “Poezia është një privilegj si dhe Profecia, nuk bëhet sipas vullnetit të njeriut. Vizioni i veprimit hyjnor për ndryshimin e fateve të njerëzve është një dhunti e Profetëve, përgatitja për jetën e lartësive u përket Poetëve të lindur.” Për Fishten, Poetin tonë Kombëtar, që na ka lënë edhe një trashëgimi të vlertë lënde estetike, poeti është “i lindur”. Ndërsa Lasgushi, poeti i fluiditeteve më të brishta lirike, ka thënë: “Poezia është divine”. Estetë të tjerë mendojnë që frymëzimi është një atribut psikologjik që e kanë njerëz të veçantë, si edhe atributet e tjera të kësaj natyre. Cili është mendimi juaj ?
Përgjigje: Është divine poezia, pa dyshim që është divine poezia. Ajo është shpirti dhe materia bashkë, por pa një shtysë (ngacmim) ajo nuk fluturon nga shpirti për të marrë rrugët e hapësirës e për të hyrë në shtëpinë e përjetësisë. Çdo gjë i jap jetës, tha Esenini, po lyrën jo. Këtë ma ka besuar mua zana (frymëzimi) divinja. Këtë e kanë disa njerëz e quhen poetë, të cilët në botë janë shumë e të rrallë janë pak.
Pyetje: Lidhur më këtë çështje, më kujtohet që kur u ndamë prej njëri-tjetrit në vitin 1954, në Derjan të Matit, ku jetuam dhe punuam bashkë vetëm katër muaj, i kushtuam njëri-tjetrit si kujtim nga një poezi; të cilat mjerisht “i dogji” koha. Kujtesa ime riprodhon sot nga poezia yte vetëm këto vargje:
“Po shkoj,
e vetmitar qendroj përmbi rrugnajë,
tue t’ përshëndetë ngadalë e zemërthye
e n’zemër ndjej nji vaj të pashpërthye
qi tash largimi ngjallë,
se ndamja therëse mërriti.”
Këto pak vargje të një 19-vjeçari, me kumtin e zymtë të ndarjes dhe nënvetëdijen e pasigurisë për të ardhmen, me një tekst leksikor të hijshëm, në të cilin zotëron ajo rimë oksitone me një “y” të theksueme, mbasi në prozodinë gege diftongjet nuk lexohen të plota, dhe me atë kadencë ritmike që i shkon përshtat aq natyrshëm motivit, dëshmojnë se poezia yte që heret kishte filluar të merrte krahë për fluturim hapësirave të mirëfillta të qiellnajeve poetike. Si e shpjegoni këtë pjekuri poetike të hershme?
Përgjigje:Të falënderoj nga zemra që i ke ruajtur në kujtesën tënde ato vargje të asaj poezie, që shkrova në prag të ndarjes sonë!
I dashur Anton, si ty ashtu edhe mua Zoti na dha dhuntinë vargut. Më vjen keq që këtë poezi s’e kam të gjithë, se siç e di, më 1956, unë i eliminova shumë poezi, ndoshta edhe këtë. Pata një moment pasigurie me frikën se po të binin në dorë të “dikujt” puna do të shkonte ndryshe, ndoshta shumë keq. Do të mundohem ta shtie diku këtë poezi, që tani ka mbetur vetëm me gjashtë vargje, dhimbja e ndarjes me një mik. Sa për efektin e saj, ç’të them më shumë. Megjithëqë kishim pak eksperiencë poetike, po … e kishte dhënë dozën tamam.
Pyetje: Me që e kemi fjalën për prozodinë, vihet re që më së shumti, sidomos në poezi të tilla si sonetet, poezitë strofike, po edhe në vargjet e lira, ju përdorni prozodinë gege. P. sh., këto dy vargje të nxjerra nga soneti “Në kapërcyell të qiellit”: “Ngec kundërshtimi yt në një gjuhë të mekur” dhe “Tërmeti ndjehet poshtë deri në themele”, vetëm simbas prozodisë gege, ku nuk numërohet ë-ja fundore, janë 11 rrokëshe, çka e kërkon soneti, ndërsa në atë toske dalin 13 rrokëshe. Pyesim: cila prozodi ju duket më e natyrshme dhe më e përshtatshme për poezinë, prozodia gege apo ajo toske?
Përgjigje: Pa dyshim prozodia gege. Në botimin e dy vëllimeve me poezi të zgjedhura nga ç’kam shkruar, botuar me rastin e urimit të 80 viteve, e gjithë poezia është gegënisht. Unë nisa ta shkruaj vargun gegënisht, po kur erdh rasti i botimit të parë më sugjeruan standardin, e kështu gegënisht mbetën fare pak vargje. Tani unë i jam kthyer gegënishtes letrare, po për këtë do të flas më poshtë. Poezia gege është e bukur, epike, lirike, satirike, sepse e kursen “ë-n” dhe e ndihmon apostrofi, duke i dhënë atë forcë, që Lasgushi e quan energji të brendshme, “potencë”. Kështu në vargjet me rimë gegënishtja ka nji avantazh të pa treguem, forcë magjike do ta queja unë.
Pyetje: Që nga viti 1945, filloi të zbatohet një politikë kulturore e gjuhësore e mënjanimit të kulturës gege dhe të gegënishtes letrare, që zëvendësoi politikën e mëparshme të Komisisë Letrare Shqipe të afrimit të dy dialekteve, e cila vlerësonte variantin letrar të Elbasanit, si urë për të shkuar drejt një gjuhe letrare të njësuar. Politika e re u kurorëzua me Kongresin e Drejtëshkrimit në vitin 1972. Askush, nëse do të flasë me ndershmëri, nuk mund të mos pranojë që në këtë Kongres ka munguar liria e fjalës. Kongresi vetëm i vuri vulën një gjendjeje që ishte praktikuar më parë, duke e mbuluar “teorikisht” me një mantel të ashtuquajtur “koine”- një gjuhë e njësuar sui generis, me ndonjë element të gegënishtes. Rrjedhimi social-psikologjik i këtij Kongresi qe jashtëzakonisht i rëndë. Veç faktit të përshpejtuar të miratimit të toskërishtes si standard gjuhësor, ai krijoi një përçarje të re në popull, duke ia shtuar përçarjes së madhe të luftës së klasave. Me keqardhje konstatohet sot se për çdo toskë mbahet i drejtë e shkencor mënjanimi i gegënishtes. Si e mendoni të ardhmen e këtij standardi dhe të gjuhës letrare shqipe?
Përgjigje: Në vitin 1972, u mblodh Kongresi i Drejtshkrimit, i cili sanksionoi diktaturën mbi gjuhën shqipe, duke vendosur dialektin e Jugut, pa marrë parasysh se ç’të mira kishte dhe çfarë i mungonin këtij dialekti për ta vendosur në themel e deri në tavan si gjuhë letrare. Veç kësaj, nuk u mor parasysh që pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare fliste gegënisht dhe as nuk u pyet, qoftë edhe për kortezi. Gjithashtu, nuk u mor në konsideratë se çfarë të metash kishte ky dialekt kundrejt gegënishtes letrare, e cila kishte jo pak po rreth gjashtëqind vjet që shkruhej e flitej dhe që gëzonte një gramatikë e sintaksë përfekte.
Do t’i duhej kësaj gjuhe, të quajtur standarde, të bënte kurban në gramatikë, në leksik, në rregulla ortografike, në atë të shkretën zanore “ë”, që merrte një hapësirë të pa kufizuar. Me ndonjë përjashtim të rrallë si Mjeda e Migjeni, për autorët e tjerë të Veriut nuk bëhej fjalë më veç për diskreditim. Kështu, me nji të rënë të kalemit, u fshi çdo gjë sikur nuk kishte ekzistuar. Thuhej se në gegënishte kishin shkruar autorë reaksionarë, dekadentë me një gjuhë të rëndë, të cilën nuk e fliste më Shqipëria. Dëgjohej vetëm gjuha e bukur e zyrave, të cilën e fliste gjithë Shqipëria dhe Kosova. Kosovarët për t’ iu bashkuar atdheut bënë si bënë dhe e pranuan standardin.
E gjithë kjo që ndodhi mori vulën e formës së prerë. Të ndjerit përkthyes të Iliadës iu desh të shtonte jo pak, po 340 vargje, se në gegnënishte nuk e kuptonte kush, po duhej kthyer në standard. Erdhi një moment që gjuha letrare gege u hodh në grumbullin e harresës si shumë gjëra të tjera. “O ha këtë supë o hidhu nga dritarja!”. Standardi u kthye në gjuhën e ditës, e gjygjit, e urdhërit, e gazetës, e poezisë, prozës letrare e shkencore, etj.
Nuk përmendej se në dialektin e Jugut patën shkruar në “Hyllin e Dritës” Faik Konica, Lumo Skendo, Eqren Çabej, Spiro Konda, Namik Resuli e të tjerë. Lavrohej pa asnjë diskutim fjala e bukur shqipe gege dhe toske. Po gjatë këtyre kohëve u bënë përpjekjet serioze shkencore nga Komisia letrare e Shkodrës të afroheshin dy dialektet, duke u mbështetur tek gjuha e Elbasanit. Ndërsa sot po ndodh ajo që nuk pritej. Disa akademikë- senatorë, një ditë u hodhën përpjetë të revotuar se po cenohej standardi, dhe bile pati edhe urdhëra nga dikushi që të merren masa ndaj atyre që nuk respektonin standardin.
Me interes vërejmë se sot në Tiranë po tretet standardi me gjuhën e bukur që e flasin vajzat dhe djemtë e rinj, një gegënishte të përzier me pak standard, që po shkon gjithnjë drejt Veriut, po pa influencën e asnjë dialekti, me diksionin e Shqipërisë së Mesme, një shqipe e re që na i lë me gojë hapët senatorët akademikë, të cilët nuk pushojnë së mallkuari me nostalgjinë e zemrës, që i karakterizon. U ruajt infinitivi dhe gjuha mori bukuri, sa çuditem se si ndodhi kjo.
Jeta dhe dëshira u jep të drejtë atyre që e kanë. U krijua gjuha letrare e Tiranës, që e flasin ato që vijnë në Tiranë, të rinjtë e të vegjëlit, gjuhën që rrjedh dhe shkon drejt burimit nga ka ardhur, në formë të re, të ëmbël, të hijshme, të saktë, me të gjitha kohët gramatikore, ku fjalori shtohet e pasurohet me fjalë të rralla, me stil të rrjedhshëm, duke e lënë pak nga pak standardin në hije.
Ka disa autorë që shkruajnë në gjuhën letrare të Veriut, midis të cilëve jam dhe unë. E nisa vargun tim në gegënisht, kalova në botimet e para në standard, siç e thashë më lart, po në përmbledhjen e poezive të mija të zgjedhura do t’i gjejsh të gjitha në dialektin verior, me përjashtim kur vargjet u takojnë ngjarjeve ose ndeshtrashave në Jug.
Pyetje: Arshi Pipa lidhur me problemin e gjuhës letrare ka shprehur mendimin që shqipja të përfaqësohet me dy gjuhë letrare, toskërishten dhe gegënishten. Dukuri që e kanë edhe popuj të tjerë. Veç të mirave në fushën e gjuhësisë dhe të letërsisë, duke begatuar lakmueshëm shqipen, kjo gja do të ishte një faktor psikologjik pozitiv shumë i fuqishëm, sepse do të shmangte situatën përçarëse që përmendem më lart. Si ju duket një mendim i tillë?
Përgjigje: I ndjeri Arshi e mendonte drejt. Ai ishte me origjinë nga Jugu po u rrit në Shkodër dhe kuptohet se qëndronte mes ishujve gjuhësorë. Kjo nuk ia prishte qejfin askujt, po jeta na çoi diku tjetër, që ndoshta nuk do ta mendonte kush. Kryeqyteti lind e rrit atë që Komisia gati një shekull më parë parashikoi me shumë largpamësi.
Pyetje: Çdo poet ka një marrëdhënie të veçantë me fjalën. Tek poezia juaj qëmtohet një respekt i thellë në disa rrafshe për këtë element themelor ndërtimi: respekt për fjalën si strukturim gjuhësor i njëmendtë, si bartëse e kuptimësisë së parë; për fjalën si kumt që shqipton një ideal në jetë; respekt për fjalën si ligjërim poetik që sublimon të bukurën; respekt për fjalën si mjet çlirimi, pasurimi dhe fisnikërimi shpirtëror vetjak dhe si mjet përçimi të vlerave humane tek të tjerët. Refleks i këtij vlerësimi është edhe përdorimi nga ana juaj i një fjalori tejet të pasur që arrin të aktivizojë edhe fjalë që vështirë pajtohen me poezinë. Çka është për poetin fjala, cili është roli i saj në krijesën poetike?
Përgjigje: Fjala për poetin asht jeta e poezisë. Ajo qe e para dhe e para mbetet. Zoti veç gjuhës, fjalës, ia dha dhe fjalën shenjave, gjuhën shenjave. Po poezia pa fjalën nuk ekziston, nuk ka jetë. Poezia pa fjalën nuk shkruhet. Ajo me fjalën lexohet, recitohet, prek shpirtin aty ku nuk arrin ta prekë shenja, po duhet të zgjidhet si kokrrat e pjekuna të frutave, të vendoset si gurët e themelit, si tullat në mur, pa teprime, ashtu si duhet, ashtu si thuhet, po gjithnjë nga arkitekti i vargut. Kësisoj ajo merr bukurinë që ka të mshefur brenda vetes, del në dritë, jep ato reflekse drite nëpër të gjitha kohët.
Pyetje: Gjithsesi, ndjenja është më e thellë se fjala, dhimbja është më e thekshme se gjuha. Është shprehur mendimi i pafuqishmërisë së gjuhës për të zbuluar në plotninë e vet shpirtin poetik. Lasgushi, poeti i brishtësisë më të epërme të fjalës shqipe, e ka vënë në dukje këtë fakt aq sa i është drejtuar gjuhës me epitetin “o mos-e kuvenduar”:
“Ti ndrin në thelb të jetës si dritë e përvëluar,
O gjuhë e zemrës sime, o mos-e-kuvenduar”.
Në këto dy vargje, ai na ka dhënë atributin e gjuhës si kumt, si burim drite (dijeje, informacioni), dashuri-dhimbjen e tij për të dhe njëkohësisht pafuqishmërinë, paaftësinë e saj për të depërtuar në skajet më të hijesuara të shpirtit. Këtë “mos-kuvendim” e pati poetizuar më parë mësuesi dhe udhëheqësi i tij i parë shpirtëror e artistik, Naimi: “E ku shkruhen në kartë / fjalët e gjuhës së zjarrtë ?” A hasni vështirrësi për këtë pafuqishmëri të gjuhës dhe si çliroheni prej saj?
Përgjigje: Në jetë nuk thuhen të gjitha, sepse jeta nuk mjafton. Shumë vargje mbesin pa e parë dritën, sepse nuk arrin të thuhen, shumë fjalë pra nuk arrin dritën, o nga mosdashja jonë, o nga pakujdesia jonë, o sepse nga ndonjëherë kushtet dhe momentet të detyrojnë të mos thuash çdo gjë. Kështu ndoshta do vinte fjala e Lasgushit – O mos-e-kuvenduar që për ne që shkruajmë do të ishte nji fatkeqësi e madhe. Po dialektika e jetës e ka edhe mos kuvendimin, kjo do të ishte një hapësirë e re për brezat që vijnë, ku ato do të mund të plotësonin atë që ne nuk kemi arritur ta kuvendojmë në vargje e në letra, në prozë e në poezi.
Pyetje: Një i urtë ka thënë: “Të mos jesh kurrë i kënaqur me atë që krijon”. A e keni provuar shpesh këtë ndjenjë ?
Përgjigje: Ne, i dashur Anton, nuk na hiqet pena nga dora. I shohim e i rishohim vargjet e mundohemi t’i përsosim. S’jemi të kënaqur me ato që krijojmë, as me sasinë, as me cilësinë. Këtë gjë ne do ta bëjmë sa të jemi gjallë. Ndoshta moskënaqja me atë që kemi bërë është bërë shtysa jonë e përditshme.
Duke ju falënderuar për përgjigjet e çlirëta dhe të një niveli të lartë kulture, ju uroj shëndet, mbarësi e suksese në rrugën e pasurimit të poezisë sonë me vlera të reja!
Intervistoi Anton Çefa/
Botime
1.Duke kapërcyer shekullin
2.Në diellin e vështirë
3.Nata e vdekjes së dytë
4.Ëndrra e bregut tjetër
5.Nata pa agim
6.Flautet e dimrit
7.Pellgje dielli
8.Katër shekuj para Krishtit
9.Sytë Kast (dy botime)
Në gjuhë të huaja
1.Diell i vështirë (anglisht)
2.Diell i vështirë (italisht)
3. Diiell i veshtire (rumanisht)
4.Perënditë e heshtjes (greqisht)
Etëhem Haxhiademi – klasicisti i letërsisë shqipe (1902-1965)
Një profil letrar/
Nga Anton Çefa/
Etëhëm Haxhiademi është përfaqësuesi i rrymës letrare të klasicizmit në letërsinë shqipe. Në vitet ’30 të shekullit të kaluar, ai botoi tragjeditë “Uliksi”, “Akili”, “Aleksandri”, “Pirrua”, “Skënderbeu”, “Diomedi” dhe “Abeli”. Penës së tij i takojnë edhe një përmbledhje poezish me titullin “Lyra” (1939), dhe përkthimi i “Bukolikeve” të Virgjilit (1932).
Kushtet politike dhe shoqërore të vendit tonë janë bërë gjithnjë pengesë që jehona e zhvillimeve letrare të Evropës të dëgjohet në kohën e vet. Kështu ndodhi edhe me klasicizmin. Ardhja e kësaj rryme letrare në letrat shqippe përmes penës së Haxhiademit qe tejet e vonuar. Kjo rrymë letrare që lindi, u zhvillua dhe lulëzoi në Evropë, fillimisht dhe kryesisht në Francë, në shekujt XVII-XVIII, tek ne lindi , u zhvillua, lulëzoi dhe përfundoi në dekadën e katërt të shekullit të kaluar, me veprat që përmendëm.
Nëse romantizmin në letërsinë tonë e përfaqësojnë De Rada e Naimi, e themi me plotgojë që klasicizmin e përfaqëson Haxhiademi. Nëse Naimi është “pjellë e vonë e romantizmit”, siç e ka cilësuar Çabej, Haxhiademi është pjellë tepër e vonë e klasicizmit.
Ashtu si përfaqësuesit e mëdhenj të klasicizmit evropian, Rasini, Kornej, Bualo, La Fonteni, Molieri, etj., i lidhen veprat e tyre me problemet e kohës, edhe Haxhiademi, duke i marrë subjektet nga antikiteti grek, bibla ose nga historia jonë e hershme dhe mesjetare, trajtoi probleme aktuale shoqërore e morale të shoqërisë shqiptare. Kështu që veprat e tij kanë karakter të theksuar edukativ dhe didaktik.
Edhe në pikëpamje të formës, veprat e tij i kanë qëndruar me besnikëri tragjedisë klasike; ato janë shkruar në poezi, në vargje 12-rrokëshe.
Në vitet ’30 të shek. të kaluar, kur u botuan dhe u shfaqen në skenë, tragjeditë e Haxhiademit patën jehonë në mendimin kritik letrar, pozitiv e negativ, ndër gazetat e revistat e kohës si në gazetat “Arbënia” dhe “Drita”, në revistat “Minerva”, “Perpjekja shqiptare”, etj. U prit jashtëzakonisht mirë dhe u shoqërua me një entuziazëm të papërshkruar popullor drama “Skënderbeu”, që u shfaq në Tiranë, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Delvinë, Sarandë, etj.
Më vjen mbarë të bie këtu një vlerësim të njërit prej yjeve më të shkëlqyer të gazetarisë sonë të viteve ’30, Branko Merxhanit, për këtë vepër: “Libri i fundit dhe ma i bukur i dramaturgut t’onë Etem Haxhiademit asht “Skënderbeu”, tragjedi me pesë akte, Tiranë, 1935. Fëtyra e çuditçme e fatozit t’onë legjendar, symbolizon typin e njeriut tragjik, të cilit nuk i mungon elementi demonik për të frymëzuar tragedinë ma të goditur, jo vetëm të jetës së tij private, por edhe të mjerimeve historike të së gjithë jetës së populit shqiptar. Vepra e Haxhiademit, që zë një vend të posaçem nëpër botime letrare të vitit të kaluar, asht prova e parë guximtare për të krijuar një Typologi të shpirtit rreth epokës karakteristike të Skënderbeut. Fatozi i ynë kombëtar, ky burrë i math me origjinën e tij shqiptare, me edukatën bizantino-islamike dhe me shpirtin e shqiptarit të kulluar dhe ‘par excenllence’, produkt gjigand i mythit primitiv të Malsisë s’onë, është Titani që ngreh lart grushtin e vet kundrejt dënimit të fatit, që tyranizoi qysh prej shekujve Gjenin t’onë dhe që ka mbyllur, me zemrim dhe me keqdashje, udhën e madhështisë s’onë mun në pragun e historisë. Njerz që rrojnë jetën si nji tragjedi, kanë vdekjen e nji heroit . . .”
Në vitet e diktaturës, veprat e Haxhiademit u hoqën nga qarkullimi dhe shkrimtari atdhetar që vuante në burgun e Burrelit si “armik i popullit” u mohua plotësisht. As studentët që kryen fakultetin e letërsisë shqipe gjatë atyre 50 viteve të çmendura nuk mësuan se letërsia shqipe ka pasur edhe rrymë klasiciste dhe një përfaqësues të saj. Në tekstet e historisë së letërsisë sonë u kritikuan ashpër shkrimtarë si Fishta, Konica, Vinçenc Prenushi, Anton Harapi, Bernardin Palaj, gazetarët e shquar të viteve ’30 si Branko Merxhani, Vangjel Koça, Tajar Zavalani, etj., po emri i tij nuk u përmend asnjëherë.
Haxhiademi fatkeqësisht vdiq në burgun e Burrelit. Ish – të burgosur kanë folur edhe për dy vepra të shkruara në burg: “Jeta e njeriut” (roman) dhe “Koha e premtueme” (dramë), të cilat nuk i njohim.
Mbetet detyrë e dorës së parë po aq letrare sa edhe patriotike, që historia e letërsisë dhe kritika letrare të pasqyrojnë e të analizojnë veprimtarinë letrare të shkrimtarit Etëhem Haxhiademi, që ky të jetojë në letërsinë dhe në kujtesën e popullit tonë për të cilin punoi dhe vdiq.
“Vatra”, Noli, Konica dhe Wilsoni
* “S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri . . . . Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe na sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësinë tonë kombëtare.” – Woodrow Wilson/
* “Wilsoni bëri më tepër se çdo njeri për indipendencën e Shqipërisë” – Fan Noli/
* “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre.” – Faik Konica/
NGA ANTON CEFA/
Me hyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Luftë, udhëheqësit e “Vatrës” erdhën në përfundimin se fitorja kaloi nga Forcat e Boshtit, tek të cilat kishin shpresuar deri atëherë në zgjidhjen e çështjes shqiptare, në anën e Forcave Aleate (Antantës). Në mënyrë të veçantë, atyre ua ngrohi zemrat qenia në krye të këtij shteti të madh e presidentit Woodrow Wilson që “predikonte me gjithë zellin e një profeti biblik nevojën për një kod moral në politikën ndërkombëtare” 1).
Wilsoni qe përpjekur me ngulm ta mbante vendin e tij jashtë konfliktit dhe të zbatonte planet e tij reformiste, por me provokimet e herëpashershme të Gjermanisë dhe, sidomos, kur ajo fundosi katër anije amerikane, ai i kërkoi Kongresit t’i shpallte luftë asaj. 2).
Në fjalimin e tij historik para Kongresit Amerikan, më 2 prill 1917, ai deklaroi se “lufta qe bërë e paevitueshme, në emër të ruajtjes së paqes dhe demokracisë në botë. . . Ne nuk kemi asnjë dëshirë për pushtim apo dominim . . . nuk është gjë e lehtë të udhëheqësh këtë popull të madh e paqedashës në luftë. . . . Por e drejta është më e çmueshme se paqja dhe ne duhet të luftojmë për ato gjëra që janë të shtrenjta për ne . . . . Sot ka ardhur dita që Amerika të derdhë gjakun për parimet të cilat i dhanë jetën, lumturinë dhe paqen që ajo ruan . . . . Zoti e ndihmoftë!”3).
Më 8 janar 1918, Wilsoni propozoi “14 Pikat” e tij të njohura si bazë të bisedimeve për paqen. “Si njëri nga katër udhëheqësit e Konferencës së Paqes, ai luftoi burrërisht për të kontrolluar lakminë e vendeve fituese dhe u përpoq për të vendosur drejtësi për të gjitha kombet.” 4).
“14 Pikat”, ndër të tjera, kërkonin qw: politika e jashtme e një shoqërie demokratike të mbështetej në baza të shëndosha morale; zgjidhja e konflikteve të bëhej nëpërmjet marrëveshjeve të hapura, drejtësisë dhe vetëvendosjes së popujve; të kufizoheshin armatimet në maksimum dhe të përdoreshin ato thjesht për sigurimin e brendshëm; lundrimet e lira në detra të hapura.
Një nga arritjet më të mëdha në planin 14 Pikësh ishte formimi i Lidhjes së Kombeve. Në pikën e fundit të planit të Wilsonit për paqën, thuhej: “Një shoqatë e përgjithshme e kombeve duhet formuar . . . me qëllimin e sigurimit të garancive të ndërsjellta të pavarësisë politike dhe integritetit territorial të shteteve të mëdha e të vogla” 5).
Ai arriti t’i bindë shtetet fituese të pranojnë formimin e Lidhjes së Kombeve, të parën organizatë të madhe ndërkombëtare, tek e cila ai varte shpresën e një paqeje të qëndrueshme; por u zhgënjye thellësisht, kur, pasi u kthye në Amerikë, Senati – armik i tij – nuk e ratifikoi Traktatin.
Në këtë dokument përmendeshin zgjidhjet konkrete të shteteve të veçanta si Rusisë, Belgjikës, Francës, Italisë, Austro-Hungarisë, Turqisë, Polonisë. Në pikën 11 (po e japim të plotë në referencat) (6), flitej për shtetet e Ballkanit, por nuk përmendej Shqipëria.
* * *
“Deklaratat e Wilsonit rreth ‘luftës për t’i dhënë fund luftës’ dhe ‘e drejta e vetëvendosjes së kombeve’ u ngjalli shpresat popujve të shtypur për drejtësi në vendimet e bisedimeve për paqen. Vatra u bë një avokat militant i kauzës së aleatëve. Anëtarët e saj nënshkruan huat për luftën dhe I Përndritshmi Fan Noli vizitoi kampet ushtarake në Massachusetts, duke u mbajtur fjalime të zjarrta të rinjve guximtarë (është fjala për ushtarët shqiptaro-amerikanë, – sqarimi im, A. Ç)” 7).
Ja si shkruan Qerim Panariti: “Me hyrjen e Amerikës në luftë në Prill 1917, shpresat për çlirimin e Shqipërisë nga okupatorët u shtuan, po me zgjerimin e shpresave për shpëtimin e Shqipërisë, u zgjerua dhe aktiviteti i Nolit. Nolit tani s’i zinin këmbët dhe. Detyrat kishëtare s’mund t’i neglexhonte, Vatrën s’mund ta neverite. Personi i Nolit, oratori më i shënuar i racës Shqiptare n’Amerikë, u detyrua të bredhë nëpër kampet e rekrutimit ku ndodheshin djem Shqiptarë duke i këshilluar se hyrja e Amerikës në luftë do të shpëtonjë Shqipërinë dhe botën nga tirania militariste e autokrative monarqike të Evropës Qëndrale.” 8).
Në përpjekje për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë, të mohuar nga Anglia, Franca, Italia, udhëheqësit e “Vatrës” i joshi kërkesa e Presidentit për vetëvendosjen e popujve dhe ndalimin e traktateve të fshehta.
Më, më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti Wilson në Mount Vernon, vendi historkik ku është varrosur presidenti i Parë i Amerikës, George Washington, “Vatra” dërgoi Nolin, kryetarin e saj, për të përfaqësuar Shqipërinë. Në këtë mision, Nolit iu dha rasti të shtrojë shkurtazi problemin e Shqipërisë. Pas takimit që pati me Wilsonin, ai i dërgoi Komisionit Qëndror të “Vatrës” nga Washingtoni këtë mesazh: “Udhëtimi im këtu triumfoi. Fola dy herë me Presidentin Ëilson, i cili më dha shpresa të mëdha . . .” 9).
Fakti që nuk përmendej Shqipëria në Planin 14 pikësh qe shumë shqetësues si për të gjithë shqiptarët ashtu edhe për shqiptarët e Amerikës. Gjithsesi, Noli dhe drejtuesit e “Vatrës” kishin besim tek Wilsoni, tek premtimi që ai i kishte dhënë Nolit në Mount Vernon dhe sepse në pikën 11 flitej për garancitë ndërkombëtare për pavarësinë politike e ekonomike dhe integritetin tokësor të disa shteteve ballkanike; dhe, mbi të gjitha, sepse fryma e Fjalimit të Presidentit në planin e paqes ishte plotësisht në hullinë e vendosjes së të drejtave të popujve. Nga fundi i Fjalimit të tij, Wilsoni thonte: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për gjithë popujt dhe shtetet, dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të barabarta të lirisë dhe sigurisë me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët”. 10).
Takimin e tij me Wilson-in, Noli ka për ta kujtuar me admirim e mirënjohje të thellë e vlerësim të lartë në disa raste. Në Fjalimin e tij drejtuar ushtarëve amerikanë me prejardhje shqiptare në Camp Devens, më 8 shtator 1918, ndër të tjera, ai tha: “Ne i kemi sytë nga Amerika për mëkëmbjen e pavarësisë shqiptare. Duke gjykuar nga rrjedha e zhvillimit të ngjarjeve në fushën e betejës, tani nuk ka asnjë dyshim që kjo luftë do të përfundojë me fitoren e Amerikës, që do të jetë një triumf për demokracinë botërore dhe kushtet e palës do të diktohen brenda territorit gjerman nga një arbitër botëror, që e do drejtësinë, siç është presidenti Wilson.” 11).
Po në këtë fjalim, duke bërë fjalë për takimin me Wilsonin, shkruan: “Kam patur nderin në një rast historik ta takoj këtë njeri të madh që tani është bërë orakulli i njerëzve të vuajtur. Ishte Dita e Pavarësisë, kur përfaqëusesit e të gjitha grupeve nacionale në Amerikë ishin ftuar nga presidenti Wilson për ta shoqëruar si miqtë e tij të huaj në jahtin Mayflover gjatë pelegrinazhit në Malin Vernon. Gjatë kthimit unë si lutës i përulur iu afrova dhe i thashë ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë, dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë. Dhe përgjigjja e tij fisnike ishte: ‘Unë do të kem një zë (votë) në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”. Dhe shton: “Unë nuk kam nevojë t’ua tregoj sa i fortë është ai zë dhe se çfarë vëmendje të respektueshme dhe të bindshme ka ai në gjithë botën, i shtyrë nga drejtësia dhe i përkrahur nga miqtë e fuqishëm amerikanë, më të fuqishëmit që bota ka parë ndonjëherë.” 12). Po në këtë Fjalim, duke folur për Wilsonin, thotë: “Wilsoni është i sigurt se do të fitojë e do të zërë vend në histori si Linkoln-i për humanizmin dhe si çlirimtar i të gjithë kombeve të mëdhenj dhe të vegjël. Kur do të shpallet paqja, Shqipëria do të rifitojë pavarësinë.”
Në mbrojtje të çështjes shqiptare, Noli, udhëheqësit e tjerë të “Vatrës” dhe personalitete amerikane, miq të Shqipërisë, botuan, në këtë periudhë, shkrime në “Dielli” dhe në revistën “The Adriatic Review”. Revista “Adriatic Review” u botua në Boston në gjuhën angleze, në vitet 1918-1919. Ajo i dërgohej zyrtarëve të lartë të qeverisë amerikane dhe personaliteteve tjera të shquara amerikane. 13). Në një nga numrat e kësaj reviste, u botua një memorandum, dërguar presidentit Wilson, më 27 nëntor 1918, në kohën kur Aleatët po planifikonin rishtas copëtimin e Shqipërisë. Memorandumi u firmos nga këta klerikë ortodoksë shqiptarë: At Fan S. Noli, At Naum Cere, At Marko Kondili, At Damiani, At Pando Sinica dhe At Vangjel Camçe, 14). Mbasi jepet një historik i shkurtër i copëtimit të Shqipërisë, etj., në këtë dokument thuhet: “Shqiptarët shpresonin që Amerika dhe Aleatët do ta ndihmonin me zemërgjerësi Shqipërinë të rimëkëmbej, duke zgjidhur çështjen ballkanike në baza të forta, duke shpëtuar një racë të lashtë e mjaft premtuese nga zhdukja dhe skllavërimi, e duke i dhënë asaj vendin që i takon midis kombeve të qytetëruara të botës, vend për të cilin u zhvilluan betejat më të ashpra e më të gjata në shekuj.”15). Stili i memorandumit është dëshmi e qartë e dorës së Nolit.
Noli dhe vatranët e konsideronin Wilsonin si të vetmin përkrahës në radhët e aleatëve fitues të luftës dhe kishin bindje të plotë që ai do ta mbronte Shqipërinë në Versajë. Edhe pse Wilsoni në “14 Pikat” nuk e kishte përmendur Shqipërinë, ata, vlerësonin frymën e propozimeve të Presidentit Amerikan, i cili në fund të Fjalës së tij, mbasi parashtroi planin për paqën botërore, pati theksuar: “Një parim evident përshkon gjithë programin që unë kam paraqitur. Është parimi i drejtësisë për të gjithë popujt e shtetet dhe e drejta e tyre për të jetuar në marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, qofshin të fortë a të dobët” 16). Në shkrimin “Peshkop Noli dhe bashkësia shqiptare në SHBA”, Peter R. Prifti ka shkruar: “I impresionuar thellë nga idealizmi i Wilsonit, Noli u bë një përkrahës i pasionuar i demokracisë wilsoniane. Drejtësia ndërkombëtare, vëllazërimi njerëzor, simpatia për të dobëtit, paqja botërore qenë idealet dhe vlerat që Noli dhe shqiptarët e Amerikës i bënë të tyret dhe u përpoqën të jëtojnë në përputhje me to.” 17).
Vlërësimi i lartë i Nolit për Wilsonin shkëlqen në mënyrë të veçantë në Panegjerikun që ai mbajti në Kuvendin Themeltar të Shqipërisë, më 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson. 18). “Amerika dhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Wodrov Wilsonit, të njëzetetetit President të Shteteve të Bashkuar. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi edhe Shqipëria e cila qanë në fytyrën e amerikanit të madh, idealistin bujar dhe mbrojtësin e tij më të fortë.” Mbasi vë në dukje të mirat ekonomike e politike që ka pasur Shqipëria prej shqiptarëve të mërguar atje dhe prej vetë shtetit amerikan, ai thotë: “Dhe kur themi Amerika, na kujtohet një emër, se të gjitha këto kanë ngjarë, kur nga Shtëpia e Bardhë e Washingtonit, administronte Shtetet e Bashkuara i shkëlqyeri dhe i shumëvuajturi President Wilson.”
Spikat, në Fjalimin e Nolit, idealizmi i Wilson-it dhe i vetë Amerikës.”Veç titullit ‘Amerikan’, Wilsoni ka për mirënjohjen tonë edhe një titull tjetër, atë të idealistit dhe të profetit të vëllazërimit ndërkombëtar dhe të paqes së përbotshme. Presidenti Wilson ishte idealist se ishte amerikan. Ata që kujtojnë se Ameriaka është vendi ku njerëzia kujdesen vetëm për të bërë dollarë, nuk e njohin Amerikën aspak. Fakti që një idealist si Wilsoni u zgjodh dy herë President, arrin për të provuar thezën tonë.”
Më pas me penelata të shpejta, në këtë panegjerik, që është një nga perlat më të çmuara oratorike të Nolit dhe gjithë oratorisë shqiptare, ai na jep mjedisin familjar e shoqëror ku u rrit e u formësua karakteri i Presidentit: “Wilsoni u rrit në kishë, në një rrethim fetar me ungjillin në dorë, i predistinuar apostull i një ideali kristianik e njerëzor”, dhe më poshtë: “në çdo gjest e në çdo fjalë çfaqej njeriu mistik i iluminuar, i dërguar prej Përendisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çelniktë kishte mirësinë e Shën Françeskut.”
Duke cituar nga Fjalimi i Nolit, është vështirë të nxjerrësh citate të shkëputura për të dhënë vlerësimin e tij për Presidentin, sepse të trazon tundimi për ta përfshirë tërë fjalimin. Një tundim disi i veçantë të shtyn të mendosh dhe të bësh paralelizma mes idealistit tonë të madh, Nolit, dhe idealistit të madh, amerikan Wilsonit (A nuk qe edhe Noli një “apostull i një ideali kristian e njerëzor” e po aq edhe kombëtar?) Ngjan se kur flet për Wilsonin, Noli mediton për veten e vet, që, si Presidenti Amerikan, “Fuqinë e qeverisë e kërkoi dhe e fitoi si një qëllim, jo si një mjet për apostullatën e tij.”
Wilsoni u përpoq t’u detyrojë të dy palëve, fituesve dhe të mundurve, një paqe të drejtë të bazuar në idealet e tij, të përvijuar në “Katërmbëdhjetë Pikat”, “po në Versailles Wilsoni u ndodh si Danieli në shpellën e luanëve … Aleatët kujtonin se tërë programi idealistik i Wilsonit s’ishte veç një propagandë hipokrite për të gënjyer opinionin e përbotshëm”, thotë Noli. Dhe, vazhdon, duke përgjithësuar fatin e idealistëve, gjithnjë sikur mediton per veten e tij: “Se kjo është tragjedia e të gjithë idealistëve, që bota kujtojnë se idealizma është vetëm një maskë për të fshehur qëllime egoistike dhe materialiste të pavjelura.”
Drama e Wilsonit bëhët më e rëndë, kur kthehet në atdhe, sepse “dhe atë copkë të fitorjes që mundi të çkëputë nga thonjtë e luanëve të Versailles tani vendi i tij do t’ia rrëmbente nga duart … Senati Amerikan refuzoi të ratifikojë Paqen e Versailles, të kryesuar prej Paktit të Lidhjes së Kombeve . . . Dhe Evropa vazhdoi luftën nën maskën e paqes”. “Partizanllëku i vërbër më shumë se çdo faktor tjetër e shkatërroi Lidhjen e Kombëve.” 19), ka shkruar historiani amerikan Thomas A. Bailey, duke komentuar mosmiratimin e vendimeve të Versajës nga Senati.
Rishtas, por me detaje më të hollësishme, edhe në këtë Fjalim, ai rikujton takimin me Wilsonin në Washington, duke e cilësuar atë “kalorës të kohëve të kaluara në një kohë tragjike”. “Atëherë iu afrova – dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj mend sikur po e dëgjonj sot … Dhe e mbajti fjalën. Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjitha anët e vendit tonë, i cili qe si i vdekur në agoni. Projektet e copëtimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej fakt definiti. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Wilson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë. Presidenti Wilson, jo vetëm që nuk vuri firmën, po u përgjigj dhe me dy nota, në të cilat mpronte të drejtën e Shqipërisë së vogël për vetëqeverim, dy nota që janë dy nga xhevahirët më të ndritshëm të karrierës së tij të shkëlqyer. Ato nota ndaluan copëtimin e Shqipërisë dhe na dhanë rasje të marrim frymë e të gatitim lirinë e Shqipërisë që gëzojmë sot. Që Prefekturat jugore nuk u invaduan para se të caktoheshin kufiret, kanë një shkak dhe shkaku është Presidenti Wilson.”
Noli e rikujton Wilsonin, gjithashtu, në Gjenevë, kur Shqipëria, e përfaqësuar prej tij, u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe pavarësia e vendit tonë u njoh zyrtarisht: “Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Wilson.”
Duke na dhënë me ngjyra të gjalla vdekjen e Presidentit Amerikan, Noli e vazhdon fjalimin me vlerësimet e panumërta për ëWlsonin, duke e quajtur atë: “profeti bujar i paqes njerëzore, ati spiritual i Lidhjes së Kombeve, titani dhe kalorësi idealist”. Dhe më poshtë: “Fara e idealit që mbolli do të rrojë e gjallë sa kohë ka zemra njerëzore në botë”; dhe më pas, duke iu drejtuar Kuvendit Themeltar në emër të tij dhe të shokëve të tij idealistë demokratë, Noli e tradhton veten kur thotë: “Lufta jonë s’ka qenë e kotë (është fjala këtu për luftën për demokraci gjatë viteve 1920-1923; shënimi im, A. Ç). Se atje ku ka varre si yti, atje ka jetë e ngjallje”.
Sikurse idealistët e mëdhenj, ëndërrimtarë dhe fisnikë, në vizionet e të cilëve ravijëzohet profecia e një të ardhmeje më të ndritur, Noli e përfundon panegjerikun e tij për Wilsonin dhe Amerikën: “Amerika, ajo nënë bujare që i ka dhënë botës Wilsonin, ka për të lindur edhe të tjerë kalorës si ay, kalorës të cilët të kenë sqytin e tyre kryefjalën e Virgjilit: “Regere parvos, debellare superbas” (Të mbrosh të vegjëlit, të mposhtësh kryelartët), të cilët mprojnë të vegjëlit dhe përunjin kryelartët, kalorës të cilët të vazhdojnë dhe të mbarojnë veprën e paqes, e vëllazërimit, e mirëdashjes ndërkombëtare.” Dhe vërtet, Amerika, në ditët më të vështira për kombin tonë, kur barabaria serbe e etur për gjak u përpoq të zhdukë nga faqja e dheut një pjësë të gjakut tonë, e lindi kalorësin e madh Bill Klinton që “të mbarojë veprën e paqes, të vëllazërimit e të mirëdashjes ndërkombëtare”. Dhe, po ashtu, ajo lindi George W. Bushin, i cili në vizitën më 10 qershor 2007, në Tiranë, deklaroi qëndrimin amerikan: “Kosova do të bëhët e pavarur.” Dhe, në emër të Amerikës, e njohu Pvarësinë e saj të shpallur më 17 shkurt të këtij viti.
* * *
Po, nga ledhet e fortesës së “Vatrës” qe edhe një tjetër shqiptar i madh që falënderoi Amerikën dhe presidentin Wilson për të mirat që blatuan për vendin dhe popullin tonë dhe vlerësoi lart idealet e tyre. Ai qe Faik Konica. “Jemi bindur se çdo shqiptar di dhe kupton – shkroi ai – se ç’borç të madh i kemi Wilsonit. Në qoftë se ka ndonjë shqiptar që s’merr vesh se shpëtimi dhe liria e vendit (të) tij i detyrohet kryesisht Wilsonit, ai nuk është njeri dhe duhet të kemi mëshirë për verbësinë dhe errësirën që i ka mbuluar trutë”. Dhe më poshtë: “Shqipëria ishte dënuar me vdekje, dënimi do të zbatohej doemos, asnjë rreze shprese s’ndritte gjëkundi. Po e papritura ngjau, dhe kjo e papritur erdhi nga qëndrimi i Woodrow Wilsonit . . . Ndërgjegja e drejtësisë njohu përsëri zërin e madh, dhe u drodh nga gëzimi; se Wilsoni duke mbrojtur Shqipërinë nuk e mbronte një popull të vetëm, por mbronte gjithë popujt, e mbronte parimin” 20).
Kur vdiq presidenti Wilson, ai shkroi: “Gjithë shqiptarët duhet t’i ngrenë Wilsonit një monument të pavdekur në zemrat e tyre. Edhe po t’ish i vogël për të tjerët, Wilsoni duhet t’ish i madh për Shqipëtarët”. 21).
Për ta përjetësuar emrin e këtij mbrojtësi të madh të atdheut tonë, Konica, në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”, i propozoi, me anën e një kabllogrami, Kuvendit Themeltar në Tiranë që emri i Presidentit Ameriakn të regjistrohet në toponiminë shqiptare. Ja telegrami i Konicës:
“Ju lutem të shtroni një proponim për kqyrjen mirëdashëse të deputetëve pa ndryshim partie: Me vdekjen e ish-presidentit Wilson u çduk mbrojtësi i popujve të vegjël dhe shpëtimtar’ i Shqipërisë. Proponimi im është t’i jepet emëri Wilsonville ose Shën Gjergjit ose Sarandës. Juaji me respekt: (Nënshkruar) Faik Konitza.
Përgjigjja Konicës i erdhi më 11 gusht 1924: “Me vendim ministerial, Shën Gjini u pagëzua Ëilson” (Nënshkruar) Noli. 22). Dihet që në periudhën e diktaturës komuniste u zhduk nga harta e Shqipërisë emni i këtij Presidenti të lavdishëm.
Konica nderoi Mikun e Madh të Shqipërisë, duke nderuar kështu veten, “Vatrën” dhe gjithë kombin tonë. Disa ditë pas vdekjes së Wilsonit, pikërisht më 12 mars 1924, ai i dërgoi zonjës së nderuar të ish-Presidentit, Edith Bollin Galt Wilson, një kurorë të bukur prej njëqind trëndafilash, 50 të kuqe e 50 të bardha, të lidhur me një kordelë me ngjyrat e flamurit të Shqipërisë, ku qe shkruar me dorë: From the Albanian Federation Vatra, Boston, Massachussets”. 23). Veç kësaj, Konica i dërgoi zonjës së nderuar Wilson telegramin: “Jepmëni leje, Zonjë, të bëhem me respekt dragoman i hidhërimit të thellë e të kthiellët që ndjejnë Shqipëtarët, të cilët te personi i Presidentit të madh, burrit tuaj, kanë humbur mbrojtësin e të drejtave të tyre, një mik mirëdashës e të fuqishëm në orët më të zeza të rrezikut e të brengjeve.” 24).
Mirënjohja e popullit tonë për presidentin ëWlson dhe Amerikën, falëlënderimi dhe nderimi gjetën pasqyrim edhe në një këngë popullore të thjeshtë e të bukur, “Këngë për Madhërinë e Tij Wilsonin”. Për popullin tonë kënga është vlerësimi më i lartë, që ai i jep një njeriu për bëmat e tij të shquara, është një lapidar përjetësimi. Ja disa vargje të kësaj kënge:
Thërresim ‘Rroftë Amerika’
Madhëri e Tij Wilsoni,
Me katërmbëdhjetë pika,
I thotë Evropës qëndroni!”
“Një profesori amerikan, të quajtur Elmer J. Jones, – shkruan Jup Kastrati në biografinë e tij për Konicën – i bie puna të vizitojë vendin tonë. Në fshatin ku kalon, dëgjon një këngë për Wilsonin. Ia përkthejnë dhe ky ia dërgon Presidentit amerikan. Atëherë ky i fundit shfaq mirënjohjen e vet me letrën që po riprodhojmë poshtë:
“Vashington D.C. 26th January 1922
I dashur z. Profesor Jones,
Ju falënderoj sinqerisht për letrën tuaj dhe për përmbajtjen e saj. S’ ka dyshim se më gëzohet zemra kur mësoj për ndjenjat e bukura që ushqejnë kundrejt meje në Shqipëri. Duket se do të keni pasur një eksperiencë plot interes. Kujtoj se çdo takim me të tilla kombe ma sqaron më së miri pikëpamjen tonë përmbi rastet dhe përgjegjësitë tona kombëtare.
Me urime të përzemërta,
(Nënshkruar) Woodrow Wilson. 25).
Referenca dhe shënime
1). University of Knowlledge, “Great Leaders”, Edited by Franklin J. Meine, Ph. B., M. A. and Harris Gaylord Warren, Ph. D., p. 379.
2). “The New Webster’s International Encyclopedia”, Edition published by Trident Press International, Fl., 1998, p. 1188
3). Albana Mëlyshi Lifshin, “Udhëtim në Historinë Amerikane”, “Dita”, Tiranë, 2003, f. 225).
4). “Great Leaders”, p. 385.
5). Arthur S. Link “The Papers of Woodrow Wilson, vol. 45, 1984, p. 536.
6). Arthur S. Link. “14 Pikat”, Pika XI – “Rumania, Serbia dhe Mali i Zi duhet të zbrazen (nga forcat e huaja ushtarake – shënimi im, A. Ç), t’u rikthehen territoret e tyre; Serbisë t’i jepet dalje e lirë dhe e sigurt në det, dhe marrëdhëniet e disa shteteve ballkanike me njëri-tjetrin të përcaktohen nga negociatat miqësore, në vijat kufitare të vendosura historikisht, dhe, gjithashtu, t’u jepen garancitë ndërkombëtare për pavarësi ekonomike e politike dhe integritet tokësor për disa shtete ballkanike sipas kombësisë.”
7). The Albanian Struggle in the Old =orld and Ne+” – Compiled and +written by members of The Federal =riters’ Project of The =orks Progress Administration of Massachusetts, The =riter, INC. publishers, Boston, 1939, p.58.
8). Qerim Panariti, Fan S. Noli, Albumi II”, botuar në Boston, Massachusetts, 1966, f. 67
9). Idem, ibidem, f. 68.
10). Arthur S. Link, vepër e cituar.
11). ‘Noli: ‘Shqipëria i ka borxh Amerikës, përgatitur nga E. Alliu, gazeta “Illyria”, dt. 31 janar-3 shkurt, 2003″, f. 24.
12). Po aty.
13). Shih “The Albanian Struggle in the Old =orld . . .”, p. 59-60.
14). Refat Xh. Gurrazezi: “Historia e Federatës ‘Vatra”, Shtëpia botuese Globus R., Tiranë, 2006, f. 93-94.
15). “Noli: “Shqipëria i ka borxh Amerikës”, “Illyria”, 31 janar -3 shkurt 2003.
16). Arthur S. Link “The Papers of =oodro+ =ilson, vol. 45, 1984, 536.
17). Peter R. Prifti “Land of Albanians: A Crossroads of Pain and Pride”, Tiranw, “Horizont”, 2001, p. 229.
.18). Fan S. Noli, “= =ilson”, në”Portrete dhe skica”, Mbledhur dhe përgatitur nga dr. Nasho Jorgaqi, Shtëpia Botuese Enciklopedike, Tiranë, 1995, f.123-129. Të gjitha citimet nga ky fjalim janë marrë nga ky botim.
19). Thomas A. Bailey Woodrow Wilson and The Great Betrayal”, Published 1963 by Quadrangle Paperback, p. 38. Për këtë problem, po në këtë vepër, f. 187, lexojmë: “Prokurori i përgjithshëm i Amerikës në kohën e =ilson-it, Thomas G. Gregory, ka thënë: “Lidhja u hodh poshtë në SHBA jo pse ajo qe Lidhja e Kombeve, por sepse ajo qe Lidhja e =ilson-it, dhe sepse udhëheqësi i madh qe rrëzuar dhe nuk kishte asnjë tjetër që mund ta përdorte shpatën e tij të fuqishme”.
20). Muin Çami, “Jehona e vdekjes së Uodrou Uilsonit në mjedisin shqiptar”, Studime historike, Tiranë 2004, f. 35.
21). Prof. Dr. Jup Kastrati, “Faik Konica” (monografi), Gjonlekaj Publishing, New York, f. 173.
22). Idem, f. 174-175.
23). Idem, ibidem.
24). Idem, ibidem.
25). Idem, ibidem.
NE FOTO: Presidneti Wilson dhe delegatet e Kombesive ne SHBA, te ftuar nga presidenti me rastin e 4 Korrikut 1918. Shqiptaret u perfaqesuan me ikonen e tyre, Fan S. Noli, qe duket ne foto ne te majte te Presidentit. Dallohet lehte nga Jaka Prifterore.
Profili filozofik i Pipës
Nga Anton CEFA/
Filozofia duket se e joshi Pipën që në moshë të re. Në vitet e mëvonshme, ai e përjetoi shkencën e mendimit universal jo thjesht e vetëm si prirje, po më së tepërmi si preference dhe si një nga synimet e tij kryesore në fushën e veprimtarisë shkencore. I pajisur me pajën e një inteligjence të mprehtë, ai u shqua në shtjellimin e temës së doktoranturës “Morali dhe feja tek Bergsoni”, ku spikat taltenti i tij padiskutueshëm.
Siç na e ka treguar Uran Kalakula, në veprën e tij “Arshi Pipa – Njeriu dhe vepra”, Arshiu me një guxim të pashembullt shpalosi pa ndrojtje pikëpamjet e tij kritike ndaj Bergsonit, filozofit të njohur francez, një prej përfaqësuesve më të mëdhenj të intuitivizmit, pa u merakosur fare sa për habinë aq edhe për kundërvënien e rektorit të madh të Universitetit të Firencës, Paolo Lamanna, që aso kohe ishte një nga patriarkët europianë të filozofisë.
Që në fillimet e veprimtarisë së tij shkencore e artistike, në revistën e tij “Kritika” (1944) dhe me botimin e vëllimit poetik “Lundërtarët” (1944), u ravijëzua portreti i tij krijues në tri rrafshe: kritikë letrare, filozofi dhe krijimtari artistike. Eseistika e revistës nxjerr në pah natyrën e tij kritike ndaj çdo dukurie shoqërore, shkencore dhe artistike, e cila është dëshmuar, po aq, edhe në jetën e tij të përditshme.
Përgatitja teorike dhe veprimtaria e tij mësimdhënëse lidhet me filozofinë. Ai kreu studimet në degen e filozofisë, në Universitetin e Firencës, ku mori gradën shkencore të doktorit në filozofi dhe qe mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës (1941-1944); duke filluar nga viti 1960, dha kurse të kësaj disipline në disa kolegje dhe universitete të Shteteve të Bashkuara: në Kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas (v. 1960); në Kolegjin e Arteve të Lira në City University, Georgia (1962-63); në Universitetin Berkley, California (1963-1965); në vitin 1966, drejtoi këtu disertatcionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph. D). Në Universitetin e Minnesotas (1966-1970), trajtimin teorik në kurset e qytetërimit dhe të kulturës, letërsisë dhe teorisë letrare e mbështeste gjithnjë mbi mendimin teorik filozofik, duke zhvilluar cikle tematike të kësaj natyre, si p. sh. “Marksizmi dhe ekzistencializmi në dramë dhe në tregim”, etj.
Dëshmi e preferencës për filozofi dhe e tendencës së gjykimit kritik është traktati filozofik: “Abbozzo di una concezione della vita- Sul Genio”, “Skicë e një konceptimi mbi jetën”, ku është përfshirë edhe eseja “Mbi gjeniun”. Kjo vepër u shkrua në kondita të vështira të burgut të Burelit, në vitin 1955, mbasi kishte kaluar burgjet e Durrësit, Tiranës, Gjirokastrës dhe kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, ku kishte humbur krejtësisht shëndetin.
Vepra, e shkruar në gjuhën italiane, u botua kohët e fundit në dy gjuhët, në shqip dhe italisht, me përkthimin e motrës së autorit, Nedrete Kalakula, në saje të kujdesit të çmuar të Myftar Gjanës, që ka marrë përsipër t’i zbulojë botës shqiptare sa më të plotë veprimtarinë e Pipës. Botimi u bë në shtëpinë botuese “Princi”.
Kështu, dalëngadalë, po thellohet tek lexuesit njohja e kontributit madhor shkencor e artistik të Pipës, një prej personaliteteve më të afta e më të frytshme të kulturës së anatemuar gjatë kohës së diktaturës. Ndihmesa e tij në fushën e filozofisë do të ishtë më e plotë sikur mos të kishte humbur dorëshkrimi i një vepre tjetër të kësaj natyre, me titullin “Letra didaktike”. Kësaj çështjeje, d. m. th., një njohjeje më të plotë të profilit të tij filozofik, do t’i shërbente edhe botimi i disertacionit të dokturanturës, i eseistikës filozofike të botuar në atdhe para vitit ’44, dhe ajo e botuar në revista të huaja a e mbajtur në mbledhje të ndryshme akademike ndërkombëtare jashtë atdheut.
Libri hapet me një paraqitje të Ardian Marashit, drejtor i Qendrës së Studimeve Albanologjike. “Skicë e një konceptimi mbi jetën’ është, për shumë arsye, unik në historinë e letrave shqipe e madje i veçantë në krejt historinë moderne të mendimit universal.”, shkruan ai. Më pas vjen parathënia e Arshiut. Botimi është pajisur me foto e faksimile të arkivit familjar të Pipejve.
Në parathënie, Pipa shkurtazi na tregon kushtet në të cilat është shkruar libri: “Erdhën vitet monotone të burgut tim. Kohët e para nuk kam mundur të përqendrohem aq sa duhej që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin serioz dhe, në anën tjetër, duke jetuar i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një seri fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme – më shumë personale, më është dashur, për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin duke u shprehur në të, si dhe me studime të një angazhimi më të vogël. Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar.”
Më poshtë, pas disa radhëve për përvojën e hidhur të burgut, shkruan: “nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art, në anën tjetër ajo ka ushqyer dhe mbarsur mendimin tim. Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar. Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë…”
Kur lexon këto fjalë, pa dashur të shkon mendja tek dëmtimi aq i madh që i bëri kulturës shqiptare politika diktatoriale e mohimit të shprehjes së mendimit të lirë, të drejtën më të parë të njeriut, që është mishërimi i vetë njeriut, qenësia e tij: “Corgito ergo sum”, pikënisja e pikënisjeve të dijes njerëzore, siç e ka përmbledhur kuintesencën e filozofisë së vet Rene Descartes që në fillimet e shek. XVII. Me energjitë që të blaton vetëm një shpirt energjik tejet i pamposhtur nga pengesat, tejet i paepur në vuajtjet dhe mundimet, tejet i shpërfillur nga të gjithë ata që i rrinë mbi krye për t’ia bërë jetën ferr, Pipa thotë: “Unë mendoj të heq dorë nga gjithçka, por jo nga mendimi, kjo është e mira ime më e lartë, madje e mira më absolute”; fjalë që himnizojnë personalitetin e tij dhe vetë dinjitetin njerëzor.
Na zbulohet në këtë vepër jo më poeti i talentuar, jo më historiani i aftë i letërsisë, kritiku i mprehtë letrar, politologu polemizues, përkthyesi i palodhur, mbledhësi i durueshëm i folklorit dhe studiuesi i zellshm i tij, linguisti i përkushtuar, por mendimtari origjinal që rreh t’i japë shpjegim jetës njerëzore, kuptimit të saj, trajtuesi risor i problemeve të përgjithshme të filozofisë, të teorisë së artit, dhe po aq edhe të çështjeve themelore të kritikës së artit, sidomos atij letrar. Një demiurg i pashoq që lavron në zagna kulture të palavruara ndonjëherë në kulturën tonë kombëtare.
* * *
Lënda në “Skicë e një konceptimi mbi jetën” shtjellohet në15 kapituj: “Koncepti i së vërtetës, “ Metodologjia e veprimit”; “Rruga e veprimit”; “Arsyeja praktike”; “Veprimi moral”; “Mbi vetëdijen”; “Mbi intuitën”; “Domethënia e artit”; “Kontakti me materien”; “Burimi i fesë”; “Probleme false”; “Eksperienca shqisore”; “Shkallët e ndërgjegjes”; “Spontaniteti në univers”; “Edukim dhe personalitet”. Ndërsa eseja “Mbi Gjeniun” ka dy kapituj: “Fizionomia dhe forma të gjenialitetit”; “Kulti i eonëve”. (Në një rast tjetër, do të paraqesim idetë rëndësore për secilin kapitull, ndërsa sot, po japim vetëm një ide të përgjithshme të veprës).
Në mungesën e një biblioteke të nevojshme për këtë qëllim, autorit iu desh të shkruante lirshëm, vetëm duke u mbështetur në erudicionin e tij, kështu që problemet që trajtohen vijnë si rezultat i mendimit të tij të bazuar jo vetëm në filozofi, po edhe në shkenca të tjera si etikë, psikologji, sociologji, logjikë, teori arti, kritikë arti, sidomos atij letrar, etj. Veç kësaj, kjo ecuri pune i ka krijuar autorit mundësinë e trajtimit të lëndës, parashtrimit të ideve, duke iu shmangur referencave spekulative teorike, çka i rrit vlerën origjinalitetit dhe përfton një stil më të komunikueshëm me lexuesin.
Bota shpirtërore e njeriut është botë e mendimit, e vullnetit që shfaqet në veprim, dhe e ndjenjës. Nëpërmjet ndjenjës, simbas Arshiut, ne njohim botën, e pasqyrojmë atë në ndërgjegjen tonë. Shpjegimi i problemit të burimit të njohjes historikisht është luhatur mes arsyes dhe intuitës; por nuk ka munguar edhe ndjenja. Paskali ka thënë: “Ne e njohim të vërtetën, jo vetëm prej arsyes, po edhe prej zemrës”, çka nënkupton ndjenjën. Ndërsa Pipa, duke folur për shkallët e ndërgjegjes, shkruan: “Veprimi dhe mendimi nuk e shterojnë jetën psikologjike. Është një element i tretë që vazhdon të ekzistojë, edhe kur dy të parët mungojnë; dhe ky element është ndjenja. Ndjenja është kuptimi i jetës. Nëse, çfarë është vepruese dhe çfarë është e vetëndërgjegjshme, është gjithmonë shprehje jete, ndjenja duhet t’i përmbajë logjikisht të dy këta elementë.”
Ndërsa, duke shpjeguar domethënien e artit, shkruan: “Me anë të ndjenjës, më fort se me anë të arsyetimit, njeriu zbulon . . . . Ndjenja e kulluar . . . , që na përshkon kur vihemi në pozicionin e spektatorit përpara natyrës, është ajo që quhet soditje . . . . Gjatë soditjes shpirti është i prirur të njohë. Cili është objekti i soditjes? Vetja ime, së pari, dhe pastaj të ngjashmit e mi; por edhe ata të ndryshmit, bimët e kafshët, gjithçka që jeton në përgjithësi. Pastaj edhe çka nuk jeton . . . . Soditja është qëndrimi karakteristik i ndërgjegjes para ndjeshmërisë, është perceptimi që s’ka lidhje me një qëllim praktik, është përceptim i painteresuar.”
Si në një traktat të plotë filozofik, Pipa shtron e argumenton problemet themelore të kësaj shkence, siç na e dëshmojnë edhe titujt e kapitujve të trajtimit të lëndës që i dhamë më lart; por një nga shqetësimet dhe synimet e tij kryesore është të na japë një koncept human e dinjtoz për jetën, për kuptimin e saj, “një konceptim të plotë harmonik të jetës, me anë të të cilit njeriu të ekzaltojë vetveten në dritën e vlerave të pavdekshme të shpirtit”, siç shprehet ai. Ndriçimit të këtij problem kardinal i shërben e gjithë vepra. Sipas tij, njeriun e krijoi Zoti nën shëmbëlltyrën e vet. Nëpërmjet mendimit të tij dhe veprimit moral, njeriu duhet të realizojë gjithë potencialin e vet njerëzor, të gjitha kapacitetet e veta krijuese, gjë që bëhet e mundur në bazë të vënies në jetë të imperativit “Vepro në interes të njerëzimit!”, sepse kështu, duke vepruar për të mirën e njerëzimit, individi vepron në interes të vetës.
Në dy kapitujt e fundit tek eseja “Mbi Gjeniun” është dhënë profili i njeriut të realizuar, në plotërinë e tij, sipas konceptimit filozofik të autorit.
Veç vlerave shkencore dhe edukative të gjithmbarshme, vepra ka një vlerë të veçantë, në radhë të parë, për ne shqiptarët. Ajo është si një vravashkë dritëdhënëse që na ndriçon rrugën e një ringjalljeje dhe fisnikërimi shpirtëror. Duke konstatuar këtë aspekt të veprës, linguistja Merita Bruçi, e cila ka transliteruar dorëshkrimin, ka shkruar me çiltërinë e një ndjenje atdhedashurie: “Kur e lexova m’u duk si njëlloj testamenti që ai i lë bashkatdhetarëve të tij”.
“Skicë e një konceptimi mbi jetën” është i pari dhe i vetmi traktat integral filozofik për mendimin filozofik shqiptar. Megjithëse ai u botua me një vonesë prej një gjysmë shekulli, si një traktat filozofik origjinal, ai përbën një ndihmesë për kulturën europiane dhe botërore në fushën e mendimit universal.
Me emrin e Arshiut, kultura shqiptare është bërë e pranishme në kulturën botërore edhe në fushën e kritikës letrare, me veprën e tij “Montale dhe Dante”, pa të cilën, siç ka shkruar Astrit Lulushi, “kritikka letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”.
Po në këtë fushë, në fushën e gjykimit kritik letrar, është me rëndësi të përmendet studimi i thellë dhe serioz i Pipës për De Radën, në veprën “Hieronymus De Rada”, (vëllimi II i “Trilogia Albanica”, botuar në Münhen në v. 1978), që e paraqet poetin tonë të Rilindjes përkrah romantikëve më të njohur europian. Dihen vlerësimet superlative të Hygoit, udhëheqësit të shkollës romantike franceze; poetit dhe diplomatit francez, Lamartinit; poetit të njohur francez, Frederik Mistral, dhe dhjetëra personaliteteve të tjera për “Këngët e Milosaos”; por është vula e kritikës moderne komparative e Pipës që argumenton vlerat europiane të kësaj poeme.
Si eksponent i kulturës sonë në kulturën europiane dhe botërore, Pipa rreshtohet në rrethin më të ngushtë të atyre personaliteteve kulturore shqiptare që kanë dhënë kontributet e tyre në këtë drejtim.
***
Historia e librit
Nga Nedrete Kalakula
Ky libër ka një histori të veçantë. Ai nuk u shkrua në ndonjë studio, në kushte të rehatshme apo të favorshme për mendimin. Ai u shkrua ndenjur mbi një dyshek të shtruar mbi çimenton e një dhome të burgut të Burrelit, në zhurmën e të burgosurve të tjerë të asaj dhome dhe nën trysninë e rreptë të kontrolleve të herëpashershme të gardianëve.
Arshi Pipa kishte bërë nëntë vjet burg kur arriti të shkruante në një fletore të vogël të maskuar me një kopertinë me figurën e Stalinit, “Konceptin e tij mbi jetën”. Ai e ruajti atë fletore të vogël deri ditën që u lirua, pas një viti, më 1956.
Këtu fillon rrugëtimi i “Konceptimit. . . .” Dorëshkrimi nuk doli nga qelia, si “Libri i burgut”, në fletë cigaresh, të fshehura në ndërresat e palara, por doli i fshehur në një dyshek të vjetër, që gardianet nuk kishin marrë mundimin ta kontrollonin meqënëse ishte tepër i ronitur dhe i ndotur.
Para arratisjes së tij nga Shqipëria në vitin 1957, Arshiu i kishte besuar mikut të tij shkodran, Ruzhdi Çoba, “Konceptimin, . . .”, tezën e laurës së Universitetit të Firences, si dhe një bllok shumë të vogël me përkthime nga Lirika Evropiane.
Vite më vonë, kur u dëbova nga Tirana, u ktheva me banim në Shkodër. Ruzhdiu, sikur ta parandiente arrestimin e vet të dytë dhe dënimin me dhjetë vite të tjera burg, m’i dorëzoi këto vepra të Arshiut. Kështu, unë i ruajta me kujdes dhe ato më ndoqën në internim dhe, pas lirimit, sërish në Shkodër, deri ditën që u bë e mundur t’i shkonin në dorë Arshiut, mbas vitit 1991.
Në njërën nga vizitat e mia në Uashington, mbas vdekjes së Arshiut, fillova të lexoja “Konceptimin . . .”, me dëshirën për të njohur më mirë një vëlla që aq pak kisha pasur mundësinë ta njoh. Dhe, meqenëse “Konceptimi, . . .” bashkë me tezën e laurës, përcaktoheshin si vepra të pabotuara nga Arshiu, mendova se duheshin përkthyer dhe botuar. Pavarësisht nga vështirësitë që ndesha, jam përpjekur t’i respektoj tërësisht, mendimin e tij dhe stilin e tij.
- « Previous Page
- 1
- …
- 20
- 21
- 22
- 23
- 24
- …
- 26
- Next Page »