Nga Anton Çefa/
Historikisht në kulturën shqiptare dhe veçanërisht në letërsinë tonë janë përvijuar dy qëndrime ndaj psikologjisë etnike të popullit tonë: përlavdimi deri në mitizim dhe kritika deri në akuzë. Të dy qëndrimet kanë synuar gjithnjë në një hulli të përbashkët: në emancipimin shpirtëror të popullit, në kulturimin dhe përparimin e tij në çdo fushë.
Si një popull i lashtë me një nivel të konsiderueshëm qytetërimi, më tepër të supozuar se të dëshmuar, duke pasë marrëdhënie afërie me popujt grekë e romakë, që arritën shkallë të larta të qytetërisë, dhe duke u ndodhur në një trevë kryqëzimi kulturor të rëndësishëm, tek ai që heret u kristalizua një psikologji e veçantë etnike, dalluese, që u bë në të njëjtën kohë një ndër faktorët përcaktues të dorës së parë të mbijetesës së tij. Kjo strukturë shpirtërore, ashtu siç na dëshmohet në folklorin, historinë, kulturën dhe aspektet e tjera të jetës materiale, shoqërore dhe shpirtërore të popullit, sa e lashtë aq edhe origjinale, erdh e u ruajt nga tjetërsimi, i ndikuar nga faktorë të jashtëm e të brendshëm shpirtërorë e joshpirtërorë deri në ditët tona. Tharmi i saj edhe sot e kësaj dite plazmon jetën e popullit tonë në të gjitha shfaqjet e saj.
Larg mendësh, sot në ditët tona ta mitizojmë e ta shpallim me mburrje, larg mendësh ta absolutizojmë pozitivitetin e saj, po edhe larg mendësh çdo mohim i origjinalitetit dhe rolit të saj në fatet kombëtare të popullit tonë.
Rilindasit u kapën më së forti ndaj këtij faktori për të realizuar qëllimin e tyre, zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, që kishte rënë në një letargji përhumbjeje gjatë shekujve të sundimit otoman dhe prandaj ata edhe e mitizuan, duke ngritur në superlativ cilësitë pozitive të popullit tonë, vlerat morale e shoqërore të tij, virtytet karakterizuese të “racës”, siç i thonin ata, bëmat e tij historike, etj. Në ballë të këtij trajtimi qe Naimi, apostulli.
Po edhe në këtë periudhë nuk mungoi ana tjetër e medaljes, ajo e kritikës që bëhej për të prekur në sedër shqiptarin me qëllimin e aktivizimit të tij në veprimtarinë e gjithanshme kombëtare.
Kronologjikisht, periudha e mitizimit të psikologjisë sonë etnike në kulturë dhe në letërsi vjen deri më 1912 dhe bile deri më 1920, kur në rend të ditës së çështjes shqiptare qëndronte pavarësia dhe formimi i shtetit shqiptar.
Mbas këtij viti, d. m. th., mbas formimit të shtetit shqiptar, për trojet që përfshinte ky, në plan të parë përvijohet formimi i ndërgjegjes së shtetasit, qytetarit.
Qëndrimi i ideologëve, shkrimtarëve, publicistëve, etj, ndaj këtij problemi lidhet natyrisht edhe me faktorë të tjerë, përveç kronologjisë historike. Rol të veçantë në këtë mes, në fushën e letërsisë artistike, lot gjinia, lloji letrar. Destinacioni i veprës letrare përbën gjithashtu një element përcaktues në këtë fushë. Nëse vepra qe sendërtuar për të huajt, atëherë po, vazhdon përlavdimi i shqiptarit, i vlerave të tij shpirtërore, i kulturës, i së kaluarës së tij historike; por ndryshon puna nëse ajo është destinuar për popullin tonë. Në këtë rast, ajo sendërtohet mbi tehun e një kritike të ashpër, shpesh edhe shumë të ashpër.
Veprimtaria letrare e Konicës, e shikuar në këtë prizëm, përbën objektin e kumtesës sonë.
Kjo veprimtari kronologjikisht i takon dy periudhave. Shkrimet e Konicës, të botuara në “Albania”, siç dihet, i takojnë fazës së dytë të Rilindjes, përkatësisht nga viti 1897 deri më 1909. Konica, lidhur me problemin që po trajtojmë, nuk i shmanget qëndrimit të përgjithshëm të rilindasve. Aq më tepër kur shkrimet janë shkruar për të huajt. Kjo është kahja kryesore e tyre. Por nuk përjashtohen rastet në të cilat ai duke iu drejtuar shqiptarëve, i kritikon, bile mjaft ashpër, ashtu siç ka ditur e ashtu siç e ka pasur zakon. Por as që nuk duhet menduar – siç fatkeqësisht është shkruar – që Konica e bën këtë për të diskredituar shqiptarin, për ta përbaltur shpirtin e tij, ose i nisur nga mosbesimi për forcat progresive të popullit tonë; përkundrazi, ai e bën këtë për ta tronditur e zgjuar ndërgjegjen e tij. Pikërisht ashtu siç bënte Vaso Pasha dhe gjithë rilindasit tjerë në raste të tilla.
Veprat kryesore në fushën e letërsisë artistike, Konica i shkroi në vitet ’20: “Një ambasadë e zulluve në Paris” (botuar më 1922), “Doktor Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurasit” (1924), “Shqipëria si m’u duk” (1929). Kjo është periudha kur para kulturës e letërsisë sonë, siç ka vënë në dukje Namik Resuli (në kumtesën “Faik Konitza në qindvjetorin e lindjes”, mbajtur në Seminarin e organizuar nga “Vatra” me rastin e këtij 100-vjetori dhe botuar në librin “Faik Konitza 1876-1976”, në N. Y. nën redaktimin e Eduard Liços), ngrihet e mprehtë detyra e formimit të qytetarit, të nënshtetasit, prandaj, ajo përdori kryesisht armën e kritikës, që parakupton vënien në dukje të të metave me qëllim përmirësimi.
Në veprimtarinë e Konicës, kjo detyrë vjen e kristalizohet në synimet dhe përpjekjet e tij për një oksidentalizim kategorik të shqiptarit, të jetës dhe të kulturës së tij, të organizmave shoqërore e shtetërore. Prandaj ai e mprehu kritikën ndaj të metave, duke përdorë me sukses, falë talentit, inteligjencës dhe kulturës së tij humporin e mprehtë, ironinë tallëse, sarkazmën e pamëshirshme, groteskun asgjësues.
Mbështetur në këtë trajtim kritik të jetës e të kulturës shqiptare, me tendencë mohimi e diskreditimi dhe me një dozë të theksuar dashakeqësie u akuzua Konica se gjoja “paraqiti në mënyrë të tillë të errët pamjen e vendit, sa ushqeu mosbesimin në një të ardhme të përparuar e përgjithësisht në forcat popullore e përparimtare…” (Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, “Historia e letërsisë shqiptare”, f. 471).
Në të njëjtën mënyrë u damkos edhe Fishta: vargje në të cilat poeti satirizonte shqiptarin për cilësitë e tij negative, sado qesharake që na duket, u trajtuan në rangun e një kredoje poetike, sikur ai i kishte shkruar me qëllim që ta diskreditonte atë. Natyrisht, këto “marifete” komentesh për një lexues të veprave të Konicës e të Fishtës nuk ecnin; por rininë shqiptare nën diktaturën e egër komuniste, që nuk i kishte lexuar veprat e tyre, lehtësisht e lajthisnin.
Tani ju marr leje të hapi një parantezë lidhur me shkakun e vërtetë të mohimit të Konicës. Eshtë thënë që Konica u mohua sepse hodhi baltë mbi kulturën shqiptare, gjë që nuk përban shkakun e vërtetë, por një argument të stisur. Në diktaturën e kuqe çdo gjë bëhej e diktuar nga lart; në më të shumtën e rasteve, e orientuar nga pozita thjeshtë personale ose teket, hujet e huqet e diktatorit. Kështu lidhur me Konicën kritikëve zyrtarë iu desh të sajonin vetë “argumentet” për “çkishërimin” e mallkimin e tij, ishin apo nuk ishin të bindur për to.
* * *
Me qëndrimin ndaj etnopsikologjisë dhe psikologjisë së personazhit të veprës letrare lidhet edhe gjinia e lloji letrar. “Një ambasadë e zulluve në Paris” është pa dyshim një vepër alegorike që aludon tek bota shqiptare; në të njëjtën kohë ajo është një vepër satirike, “një satirë par excellence”, siç e emërton shkrimtari e studiuesi Sabri Hamiti. (Sabri Hamiti, “Faik Konica jam unë”, f. 74).
A mund të pritet në një vepër satirike t’i thurën himne objektit të shkrimit, përveçse për ta tallur?
Zullutë janë në gjendjen shoqërore e psikologjike të turmës. Udhëheqësi intelektual, atdhetari idealist, Plugu, përpiqet të ndikojë dhe t’i udhëheqë drejt vetëdijësimit të etnicitetit dhe të identitetit të tyre, për t’i futur në rrugën e qytetërimit dhe për t’i shndërruar ata në një komb.
Në këtë vepër në mënyrë alegorike, Konica ka dënuar mitizimin në ballafaqim me kritikën, vënien në dukje të të metave. Dy metoda të kundërta të procesit të edukimit, kulturimit e vetëdijësimit të masave. Kështu, kur Plugu – mbasi ka mbajtur një fjalim para turmës së zulluve, duke bërë të qartë se për Evropën e qytetëruar, zullutë s’janë asgjë më tepër se negër dhe se evropianët ose i shajnë, ose i përqeshin dhe vetëm disave u vjen keq, por të gjithë i përbuzin – i vënë në ikje, sepse i ndjekur nga turma që donte ta linçonte për këtë “akuzë” të pamëshirshme, fillon të thurë këngë të bluara sipas mides logjike e estetike të turmës, kjo kënaqet. Turma ekzaltohet sidomos për faktin që këngët përfundojnë gjithnjë me glorifikimin e Zululandit: “Rroftë e qoftë Zululandi!”
Dhe këtu hapim një parantezë të dytë. Lavdërimi parapëlqehet dhe ndikon në mënyrë të veçantë tek naivët, njerëzit e pakulturuar dhe fëmijët. Njeriu i rritur, inteligjent dhe me kulturë ka nevojë t’i vihen në dukje të metat. Kështu është edhe për popujt. Na duket se populli ynë pëlqen lavdërimin më tepër se kritikën. Një situatë të tillë psikologjike na e dëshmon folklori ynë, sidomos fjalët e urta. Megjithëse populli thotë edhe: “Mos iu hidhëro pasqyrës, kur turirin e ke të shtrembër”.
“Atij nuk i pëlqejnë lëvdatat,- shkruan Namik Resuli për Konicën – vetëm lëvdatat që i thureshin këtij populli sikur të ishtë më i miri i botës; prandaj nis të nxjerrë në shesh edhe të metat, edhe veset e tij e kundra këtyre turret e lëshon shigjetat plot helm me bushtëri të hollë, pikërisht ashtu siç kishte filluar të bënte në vjershë një tjetër shok dhe mik gjenial, Gjergj Fishta.” (Libri i cituar më llart, f. 10).
Edhe një problem tjetër të rëndësishëm, lidhur me trajtesën tonë, na sugjeron vepra në fjalë. Për triumfin e idesë e të çështjes kombëtare, në përgjithësi, vetëdijësimi kombëtar i turmës kërkon trajtimin e individit e më pas të qytetarit, shtetasit. Lidhur me këtë problem kryesor, në gjithë veprën kullon një dozë e fortë skapticizmi që, për mendimin tonë, nuk duhet interpretuar si mohim i aftësisë dhe i mundësisë së shndërrimit të turmës në një element të ndërgjegjshëm.
Një gjë e tillë dëshmohet me faktin se Konica teorikisht nuk ia ka njohur shqiptarëve psikologjinë e turmës, të kopesë. Siç është shprehur ai në veprën “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, karakteristika e parë e shqiptarit është individualizmi. Në Shqipëri nuk ka turmë, shqiptari ka besim në vete, në situata të paqarta merr vendim vetë. Bindjen e vet Komica e ilustron edhe me konkluzionin e dr. Herbart Luis: “Në Shqipëri nuk ka masa indiferente popullore”. Më tej, individualizmin e shqiptarëve dhe mungesën e shpirtit të turmës, autori ynë e trajton si pengesë të dorës së parë për bashkim kombëtar. (Shih, Faik Konica, Vepra, mbledhur e përgatitur nga N. Jorgaqi dhe Xh. Lloshi, Tiranë, 1993, f. ).
Vetvetiu del pyetja: me që në Shqipëri mungon psikologjia e turmës, ç’është gjithë ajo dramë e udhëheqësit intelektual për ta vetëdijësuar atë? Apo shqiptari e humbi individualizmin karakteristik dhe u shndërrua në kope? Shkurt, këtu kemi të bëjmë me një kontradiktë e Konicës.
Vepra tjetër, më e rëndësishmja, “Dr. Gjëlpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit” është gjithashtu një vepër satirike, por në ndryshim me të parën, kjo nuk është alegorike. Kryesisht në pjesën e dytë, Konica diskuton drejtpërdrejt rreth problemeve shqiptare të kohës.
Në fillim të viteve ’20, populli shqiptar e kishte dëshmuar vitalitetin e tij. Me Kongresin e Lushnjës dhe me Luftën e Vlorës, ai shpallej para botës se është i aftë e i vendosur të marrë në dorë me çdo kusht fatet e tij. Një argument i rëndësishëm ky, për të vënë në dukje tharmin e një psikologjie pozitive. Po pikërisht, ky prag ngjarjesh – formimi i shtetit shqiptar në një pjesë të trojeve të tij – kërkonte një mobilizim të madh, ndërgjegje të lartë patriotike dhe potencë intelektuale për të bërë që ky shtet i porsa formuar të funksiononte si duhej. Ajo që kishte formuluar Fishta më 1921 shumë qartë: “Nuk asht mjaft që të jetë Shqipnija; duhet ta mbajmë!” (“Hylli i Dritës”, 1921, nr.1).
Paraqitja tek “Dr. Gjëlpëra…” e Shqipërisë së kohës me ngjyrat më të zeza, e zhytur në varfëri, iniorancë, fanatizëm, hajni, mashtrim, rushfet, dhe e shqiptarëve “si njerëz të mërzitur nga bota e vetja e tyre…” nuk dëshmon humbjen e shpresave ose mosbesimin e autorit ndaj së ardhmes së vendit. Aq më tepër, ajo nuk plazmon mesazhin e veprës.
Në këtë vepër, përballë intelektualëve të tjetërsuar: ministrit Salemboza dhe doktorëve Protagoras Dhalla dhe Emrullahut, vihet figura e intelektualit shqiptar me formim e kulturë perëndimore, i cili si atdhetar idealist do t’i përvishet punës për emancipimin e popullit. Veç përmirësimit të shëndetit, ai do të dritësojë e do të frymëzojë rrugën drejt së ardhmes.
Dr. Gjëlpëra, që është mishërimi i ideve, i idealeve dhe kulturës së Konicës, do ta projektojë shpëtimin në emancipimin shpirtëror të kombit. Dhe janë shtresat e popullit që e kanë ruajtur më mirë autenticitetin. Kur dr. Gjëlpëra bie në kontakt me to (E ku? – Në Pazar!), ai bindet për këtë dhe në ndërgjegjen e tij ravijëzohet shpresa e besimi në to.
Vepra e tretë dhe e fundit e viteve ’20 “Shqipëria si m’u duk”përbën një analizë të hollësishme shoqërore e psikologjike të shoqërisë shqiptare, bazuar në udhëtimin e autorit në Shqipëri, më 1928. Nuk kemi të bëjmë këtu me novela e romane satirike e alegorike, por me një vepër dokumentare të argumentuar, ku nuk mungojnë fare të gjitha ngjyrimet e satirës koniciane.
Ideja e trajtuar në themel të veprës është se çështja kombëtare pengohet nga vetë shqiptarët e pikërisht nga shtresa të tilla si ekspertët, robotët dhe levantinët. Këta të fundit, më të rrezikshmit, kanë humbur vetitë karakteristike kombëtare, janë çoroditur, nënvlerësojnë e mohojnë çdo vlerë kombëtare dhe mitizojnë si snobë çdo gjë të huaj. Në hullinë e ballafaqimit të psikologjisë etnike të popullit tonë me psikologjinë e tjetërsuar të levantinëve kristalizohet qartë rëndësia e ruajtjes së autenticitetit të çdo gjëje kombëtare, në fushën e psikologjisë, kulturës, zakoneve, etj.
Në vitet ’20 dhe më vonë në vitet ’30, në gjirin e kulturës shqiptare, të ideologjisë dhe të letërsisë artistike ka vepruar një rrymë e fuqishme e inteligjencës që mendonte se e ardhmja e kombit tonë, duke synuar qytetërimin perëndimor, duhej të nisej nga përpunimi e zhvillimi i vlerave të larta psikologjike të brumit tonë etnik.
Eshtë pikërisht ky një nga mesazhet më të rëndësishme që i përcjell kohës sonë jeta e veprimtaria e Konicës.
*Arkiv i Diellit- (Kumtesë e mbajtur në Seminarin e organizuar nga “Vatra” në Neë York, më 22 prill 1995)