• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryepeshkop Anastasios rreshton KOASH kah kishave grekofone

June 10, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Ashtu siç pritej, Ministri i jashtëm i Greqisë z. Nikos Kotzias vizitoi edhe “kryebariun” e shqiptarëve, kryepeshkop Anastasin në selinë e tij. Kështu, ministri grek, nuk bëri asgjë më tepër nga çdo të kishte bërë çdo zyrtar i lartë i Greqisë, nëse do të vizitonte kishat helenofone të botës. Me këtë praktikë, shteti grek tregon haptazi se e konsideron dhe e trajton KOASH-in, ashtu si Patrikanat e tjera greko-ortodokse. Në MPJ greke, ekziston zyra e çështjeve kishtare (EE), që koordinon politikat dhe lëvron fondet për kishat greke të botës, me anë të të cilave arrihet edhe e ashtuquajtura diplomacia kishtare, për përhapjen e helenizmit në botë. Këtë gjë, pra që KOASH është mjet diplomatik i Greqisë, Kotziasi ia tha natyrshëm Janullatosit kur e vizitoi, dhe bëri gjënë më tëkuptueshme, sepse shteti grek, me këtë sy i sheh kishat autoqefale grekofone.

Që të kuptohet më mirë këtë iden, ortodoksia botërore konsiston në një organizatë federative prej 14 kishash autoqefale, të cilat ndajnë të njëjtën doktrinë dhe jetë religjioze. Brenda kësaj “konfederate” kishash, ka disa kisha greke, pastaj ruse, rumune, bullgare, serbe, arabe, gjeorgjiane, etj. Si çdo organizatë që ndikon në disa dhjetëra milionë njerëzish, është normale që brenda të lëvizin qëllimshmëri politike. Dy janë polet kryesore që duan të ndikojnë mbi politikat kishtare ortodokse. Poli grek, me në krye Fanarin, por që varet direkt nga shteti grek, dhe poli rus, me në krye Patrikanën e Moskës, sigurisht nën ndikimin e Kremlinit. Kishat e tjera, janë satelitë të këtyre dy poleve, pak a shumë si shtetet e vogla, që janë o me perëndimin o me lindjen, kur votojnë në OKB.

Për më shumë se 50 vjet, këto 14 kisha po përpiqeshin të mblidheshin në një forum të përbashkët botëror, i quajtur Sinod i Madh, siç mblidheshin dikur në koncilet ekumenike, por pa rezultat, pasi përplasjet e brendshme dhe debatet se kush është i pari e kush i fundit ua bënin të pamundur këtë akt. Më së fundi, u vendos që në fund të qershorit të mblidhen në Kretë, por ditët e fundit, disa kisha, e Serbisë, e Bullgarisë, e Gjeorgjisë dhe Patrikana e Antiokisë, dhe nuk dihet nëse më vonë ndonjë tjetër, po deklarojnë bojkotimin e këtij sinodi. Si pasojë, shqetësim i madh është krijuar brenda lobit grek që po lufton me thonj për të mbajtur primacinë brenda këtij forumi religjiozo-politik, pasi bëhet qesharak autoriteti i Fanarit që e shpall veten si froni i parë i ortodoksisë dhe që kur thërret sinod panortodoks, gati 1/3 e kishave e injorojnë me bojkot. Këtë panik, e ka ndarë këto ditë edhe Anastas Janullatosi, ku në një deklaratë zyrtare të KOASH, e dt. 8 qershor 2016, e quan mbledhjen e këtij sinodi të domosdoshëm dhe kritikon kishat e tjera, (ato jo greke sigurisht), se po luajnë politikisht, dhe i quan madje ato “palë”, thua sikur i konsideron kundërshtarë, duke harruar që u flet kishave simotra, për të përdorur terminologjinë kishtare. Por Athina i dha urdhër dhe duhet t’i bindet. Me këtë veprim, ai përligj më së miri, pritshmëritë e Fanarit dhe shtetit grek, që KOASH, sa herë të ketë debate brenda ortodoksisë, të rreshtohet kah kishave grekofone. Për herë të parë në historinë e kishës, mblidhet një sinod, ku harrohet modeli i lashtë kishtar, ai i votimit prej të gjithë peshkopëve, dhe imitohet modeli i OKB, ku çdo kishë disponon një votë, ndaj shqetësimi i politikës së jashtme greke, është të pushtojë dhe të ketë sa më shumë frone me orientim grekoman, brenda konfederatës prej 14 kishave. Në këtë mënyrë, lobi grek, me dinakëri odiseane imponohet me vota fronesh, pasi ka më shumë frone grekofone, edhe pse ka më pak besimtarë grekë sesa sllavë apo rumunë në botën ortodokse. Gjeniale, këtu grekët duhen lavdëruar për strategji të hollë. Por qëpo u kuptohet dhe po u hidhet në erë nga rrymat kishtare që nuk preferojnë të jenë në ombrellën e tyre.

Ndaj, shteti grek, me anë të Janullatosit, e ka arritur më së miri këtë qëllim, duke shfrytëzuar më së miri verbërinë dhe indiferencën e politikës shqiptare që u shkon shumë për shtat. Kur dikur, politika shqiptare veproi me efikasitet, e arriti marrjen e plotë të autoqefalisë. Ndërsa kur sot, ajo merret me vogëlsira dhe interesa të ditës, shteti grek, me anë të ministrit të jashtëm Kotzias, na e thotë në mes të Tiranës se Janullatosi ka bërë punë të mirë, pasi jo vetëm që ka bërë çfarë ka dashur me kishën shqiptare, që vetëm shqiptare nuk ka mbetur më, jo vetëm që greqizoi çdo ambient ortodoks të gjallësh e të vdekurish, por tani është edhe kartë e hapur dhe votë e fuqishme progreke, sa herë që forumi ortodoks botëror do të mblidhet në sinod.

Burimet e mia më thonë se Anastas Janullatosi ka përgatitur edhe një spektakël PR-i të lezetshëm, për të na hedhur hi syve, pasi ai është mjeshtër i komunikimit publik. Ai do të meshojë në shqip në Kretë, shoqëruar edhe nga kori kishtar shqiptar, si për të na thënë, që ja, ju më akuzoni për predikime greqisht, e unë jua çoj shqipen në zemër të ortodoksisë, por harron hirësia e tij, se shqiptarët janë aq të mençur sa të shohin përtej skenës, deri tek regjia matanë kufirit, që e drejton atë në misionin e tij antishqiptar për çerek shekulli. Këtë spektakël mund ta përdorë sigurisht, vetëm për konsum të brendshëm, pasi aty i duhet, ngaqë me veprimtarinë e tij politike dhe antikishtare, ka arritur ta zbresë anëtarësinë ortodokse në minimume historike.

Dy gjëra bëjnë njerëzit kur ndihen të ofenduar dhe të papërfaqësuar fetarisht, ose ndërrojnë fe, ose e lënë fenë. Por lobit grek, të dyja këto alternativa i interesojnë, pasi një kishë e vogël, pa besimtarë, që nuk protestojnë, është me e lehtë për t’u kontrolluar. Shteti shqiptar duhet të kuptojë, që i pëlqen apo jo, KOASH në Shqipëri do të jetë sa të jetë vetë shteti. A dëshiron politika jonë t’ia lërë fronin shqiptar, dhe votën që ne disponojmë në forumin e 14 kishave autoqefale ortodokse, grekëve, duke e dorëzuar KOASH-in pa kushte? Apo do të ishte më mirë, që këtë votë, këtë zë, këtë ndikim sado të vogël në ortodoksinë botërore, t’ua kthejmë sërish shqiptarëve?

Për të mos thënë, a do ta lërë akoma shteti shqiptar KOASH, si vegël e diplomacisë greke, sipas deklaratës së hapur të Kotziasit në mes të Tiranës, si mjet greqizimi të shqiptarëve ortodoksë, apo do përpiqet ta kthejë në natyralitetin e saj, si përhapëse të krishtërimit ortodoks dhe të atdhedashurisë për Shqipërinë?

Këto i shkruaj, që të mos më thotë dikush nesër justifikimin e famshëm: “Po si nuk na i the këto gjëra, se ne nuk i dinim…”. Tani përgjegjësia ju takon juve që më lexuat.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Kryepeshkop Anastasios rreshton KOASH, Nikos Kotzias

“Kolaboracionistët grek projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri”

June 7, 2016 by dgreca

Doli në qarkullim libri: “Kolaboracionistët grek projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri” i historianit Arben P. Llalla. Në këtë libër autori sjellë fakte rreth Genocidit grek kundër popullsisë shqiptare në Çamëri si dhe dëshmi se nuk ka patur asnjëherë bashkëpunim kolektiv të popullsisë çame me pushtuesit italian dhe gjermanë, qëllimi i Genocidit grek ishte për të spastruar Çamërinë-Epirin e Jugut nga shqiptarët myslimanë, grabitja e pasurisë si dhe vendosja e refugjatëve ortodoksë të ardhur ndër vite nga Azia e Vogël.

Gjatë operacionit në shpërnguljen e hebrenjve të Janinës për në kampet e përqendrimit dhe shfarosjes, gjermanët në bashkëpunim me xhandarmërinë greke shpërngulën edhe dhjetëra çam antifashistë. Kjo tregon qartë se shqiptarët e Çamërisë ishin në anën e partizanëve grek.

Konservimi nga ana e shtetit grek, të shtëpive dhe tokës private që pronarë të vërtetë janë shqiptarët, tregon qartë se spastrimi etnik i Çamërisë nga elementi shqiptar ka patur prapavijë politike e pa mbështetur në asnjë fakt për akuzën e bashkëpunimit me gjermanët.

Pa një zgjidhje të çështjes kaq delikate çame nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, miqësi të sinqertë midis grekëve dhe shqiptarëve të cilëve më shumë i bashkojnë lidhjet e interesave se sa i ndajnë.

Që mbi pasionin të dalë vlerësimi objektiv shkencor i dukurive dhe fakteve që parashtron e analizon, historiani Llalla sjellë rreth 60 fotografitë origjinale ku tregohet qartë bashkëpunimi i shtetit grek dhe klerikëve të lartë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Greqisë me pushtuesit italian dhe gjermanë.

PASTHËNIA E AUTORIT

Nuk ka asnjë dokument dhe fotografi që vërteton bashkëpunimin e popullsisë shqiptare në Çamëri me pushtuesit italian dhe gjermanë gjatë viteve 1941-1945. Kanë bashkëpunuar me gjermanët individë dhe kjo është më se e logjikshme se çdo etnitet ka edhe njerëz të tillë. Në Greqinë e viteve 1941-1945, shumica e popullsisë, klerikë të lartë ortodoksë, politikanë, intelektualët grek, vlleh, sllavë bashkëpunuan me pushtuesit e Greqisë, bullgarët, italianët dhe gjermanët.

Të gjithë ato histori se ekzistojnë fotografi apo dokumenta që implikojnë popullsinë shqiptare në Çamëri si bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve nuk ekzistojnë, janë gënjeshtra, histori të shpikura. Teoria e bashkëpunimit të çamëve me gjermanët dhe italianët është teori e konspiracionit e cila u ndërtua nga vllehët për të mbuluar historinë e tyre të errët për Pavarësinë e Principatës së Pindit apo themelimin e shtetit të vllehve. Pas vitit 1944, politikanë, qeveritarë, kisha greke, historian, publicistë, etj., ju përveshën punës për të hedhur baltë mbi shqiptarët e Çamërisë. Nuk mund të vërtetohet apo të dokumentohet që shqiptarët e Çamërisë kanë bashkëpunuar me italianët dhe gjermanët, sepse historia e gënjeshtrës nuk mund të quhet histori e vërtetë. Asnjë akademik apo historian grek nuk ka vërtetuar shkencërisht bashkëpunimin e masës së gjerë të çamëve me italianët dhe gjermanët. Ata gjithnjë kanë ngritur akuza politike, një metodë klasike e njohur tashmë për tu mbyllur gojën atyre që thonë dhe mbrojnë të vërtetën.

Mundet të ketë pasur individë çamë që kanë qenë spiunë të gjermanëve, por nuk mundet të përfaqësojnë të tërë Çamërinë dhe të persekutohet një popull i tërë në emër të tyre edhe pse nuk është faktuar shkencërisht që kishte çamë spiunë. Bashkëpunimi i Dinojve me italianët dhe gjermanët është më se i logjikshëm nëse shihen me gjakftohtësi gjërat. Shteti grek u kishte sekuestruar pa të drejtë pasurinë e tyre të trashëguar dhe i kishte përzënë nga Greqia. Kështu, pushtimi i Greqisë nga Italia dhe Gjermania u shfrytëzua si një mundësi për tu rimarrë pasuria, për tu vendosur e drejta e pronës. Deri më sot ende nuk është vërtetuar se Dinojt bashkë me rojet e tyre që akuzohen se kanë bashkëpunuan me italianët dhe gjermanët të kenë marë pjesë në ndonjë masakër kundra grekëve. Grupacion i tyre jo i rregullt ushtarak kanë luajtur rolin e ruajtjes së rendit dhe qetësisë në vendbanimet shqiptare në Çamëri nga keqbërësit e shumtë që qarkullonin si pasojë e urisë së zezë që kishte kapur Greqinë ato vite.

Historiani grek Jorgos Margaritis shkruan se shqiptarët e Çamërisë u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare Popullore Greke e Shqiptare në shifra rreth 3.000 njerëz.

Në fillim të vitit 1944, në Qeramicë të Filatit u krijua Batalioni IV i përbashkët shqiptaro-grek “Ali Demi” diku me 500 luftëtare, Batalioni hyri në përbërjen e Regjimentit te XV të Ushtrisë Nacional-çlirimtare greke. Në komandën e tij ishin Spiro Shqevi, Muharrem dhe Tahir Demi, Dervish Dojaka, Vehip Hyso, Ali Shane, Kasem Demi, Izet Osmani, Hasan Minga.

Nga Greqia u përzunë për mos tu kthyer më edhe ata shqiptar që ishin rradhitur në forcat partizane greke, një rast të tillë kemi të dokumentuar të prof.Petrit Demi, babai i politikanit të njohur Leonard Demit. Mësuesi Panajot I. Mici nga Finiqi, kujton se Petrit Musa Demi ishte partizan në rradhët e ushtrisë greke ELAS. Në Mars të vitit 1943, një grup partizanësh greke kishin qenë në disa fshatrat e minoritetit për t’i mbrojtur nga gjermanët. Midis këtyre partizanëve grek kishte qenë edhe Petrit Musa Demi. Minoritari Panajot I. Mici, ka edhe një foto të këtyre partizanëve ku tregon se cili ishte Petrit Musa Demi.

Nuk mund të ketë asnjëherë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë të grekëve me shqiptarët përderisa Greqia nuk kërkon falje për genocidin e 1944-1945. Greqia si anëtare e BE-s, NATO-s dhe e shumë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet t’ju kthejë pasurinë e grabitur çamëve dhe të krijojë kushtet e rehabilitimin në trojet e tyre. Por a do të rikthen ndonjëherë çamët në shtëpitë e tyre? Kjo pyetje ngjall pesimizëm dhe emocione të forta tek shqiptarët. Unë besoj se shqiptarët e Çamërisë do të rikthen një ditë sepse historia e botës ka njohur Perandorinë Romake e cila u zhduk me gjuhë e kulturë, kishim Perandorinë e Bizantit e cila u shpërbë, më tepër se 500 vjet Perandoria Osmane kishte pushtuar popujt e tjerë të Ballkanit e më gjerë dhe u tkurr. Për 50 vite kishim ndarjen e Gjermanisë, por një ditë ata u bashkuan, ashtu siç kishim Çeko-Sllovakinë të cilët u ndanë paqësisht.

Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht, dhe mirësia e dashuria të mbretërojë përfundimisht midis dy fqinjëve që më shumë i lidhin gjërat me njeri-tjetrin se sa i ndajnë. Të mos harrojmë se grekët dhe shqiptarët kanë më shumë martesa midis tyre se me popujt e tjerë, ky është një fakt i pamohueshëm.

Tashmë e vërteta dihet, përse shqiptarët e Çamërisë u përzunë nga Greqia dhe ju hoq pa të drejtë shtetësia greke. Pas shumë vite kërkimesh dhe vizitash që kam bërë në Epirin grek, në disa fshatra që njihen historikisht si vendbanimet që kanë jetuar shqiptarët erdha në përfundimin se në shumicën e këtyre fshatrave janë vendosur vlleh dhe emigrantë të ardhur nga Azia e Vogël. Këta ardhacak u grabitën shqiptarëve të Epirit të Jugut, historinë e lavdishme, veshjen popullore, këngët, shtëpitë dhe pronat. Pjesa më e madhe e shqiptarëve ortodoks nga Çamëria emigruan për t’i shpëtuar racizmit shtetëror jashtë Greqisë dhe brenda saj, thellë në Athinë e Selanik. Disa familje ndërruan mbiemrat e tyre për të humbur gjurmët. Sot, shumë deputet dhe kryetar bashkie në Çamëri janë njerëz që vijnë nga familjet e vllehve që kanë qenë bashkëpunëtor të italianëve dhe gjermanëve dhe nuk u dënuar asnjëherë kolektivisht.

Historia e vërtetë, pavarësisht shtrembërimeve që mund t’i bëhet gjatë viteve, ajo nuk mund të zhbëhet, por do dali në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për t’na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.

Filed Under: Histori Tagged With: “Kolaboracionistët grek, arben llalla, dhe udhëheqësit e genocidit, ne cameri, projektuesit

Deklarata e Ministrisë së Jashtme greke….Për inferiorët mediatikë të Greqisë

June 5, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Pas deklaratës së Ministrisë së Jashtme greke ka një farë ngazëllimi dhe zelli për ta përcjellë këtë kumt, thua se ka ndodhur fundi i botës. Makina inferiore e propagandës që është instaluar në Shqipëri qysh prej çerek shekulli të paktën duhet të ndiqte reciprocitetin e përçimit të lajmit si ndodh rëndom në gazetari. Pa dëshiruar të bëj analistin, komentatorin, sepse ky nuk është lëmi im i veprimtarisë, më ka bërë përshtypje që një sërë mediumesh dje folën pak ose aspak për Kongresin e PDIU-së, tezat e hedhura atje, programin e shpalosur e padyshim edhe për përshëndetësit, mes të cilëve kryeministri Edi Rama. Heshtje e plotë. Përse? Sepse dikush me pushtet politik apo ndonjë tjetër që drejton Ekzekutivin foli copë për Çështjen Çame. Nuk duhet shkruar asnjë rresht, sepse ndoshta në ambasadën e Greqisë ndonjë shkrues mban shënim dhe e nis në Athinë.

Pikërisht, këto media sot janë ekzaltuar që reagoi Ministria e Jashtme greke. Nuk përbën lajm për ne. E dinim qysh dje që do reagonin. Kështu ka ngjarë përherë, por një makinë e vërtetë bën jehonë një deklarate, tek e fundit armiqësore ndaj shqiptarëve. Theksoj ndaj shqiptarëve jo çamëve, sepse nuk po flasim vetëm për 27 qershorin e vitit 1994, por për dhunën, genocidin, rrëmbimin e pronave në mënyrë sistematike të shqiptarëve në Greqi.

Le të bëjmë për një çast sikur e besojmë që nuk ekziston Çështja Çame, ashtu si thotë deklarata e së dielës nga Athina zyrtare. Po për shqiptarët e Kosturit, Follorinës, Konicës, Selanikut dhe gjetkë çfarë do të themi? Këta “patriotë” mediatikë a e dinë që Faik bej Konica është pa nam e nishan sipas Greqisë. Nuk ekziston as çështja e tij. Një nga gurët themelues të gazetarisë shqiptare, publicistikës, diplomacisë është muhaxhir pas vdekjes.

Po mirë, nuk ka Çështje Çame, nuk ka Çështje Shqiptare për Greqinë, po Çështja Hebre a ka vallë? Për tre orë i çuan në kampet naziste të përqendrimit hebrenjtë e Epirit. Bashkë me ta shumë familje të shqiptarëve të Çamërisë. Po, për sllavomaqedonët, po për pakicat turke e kështu me radhë? Sërish edhe për ta nuk ka një çështje në Greqi. Ky është shteti i vetëm në botë që krenohet se nuk ka minoritete. Atëherë një shtet me këtë mendësi si do të ketë mundësi të pranojë që ka një Çështje Çame?

Kjo është arsyeja që unë them se ka ardhur koha të bisedojmë si të barabartë me Greqinë, jo si inferiorë e me frikë në zemër. Nëse nuk ia dalim duhet aplikuar e famshmja diplomaci publike. Ne jemi dy shtete anëtare të NATO-s. Ndaj, në këtë ministral të NATO-s duhet folur për Ligjin e Luftës që nuk pengon Çështjen Çame, por Çështjen Shqiptare, si e shpjegova më lart. Dy vende anëtare të NATO-s nuk mund të jenë në luftë, ndaj ky paradoks duhet shoshitur një herë e mirë. Ka ardhur koha që Greqia ose na pranon si fqinj të mirë prej Traktatit të Miqësisë, ose të na shpallë armiq dhe të aplikojë Ligjin e Luftës.

Dje, në Kongresin e PDIU nuk ndodhi ndonjë gjë skandaloze që ka habitur grekofonët e medias, thjesht u fol për Çështjen Shqiptare me të njëjtin bindje si për Çamërinë, ashtu edhe për Plavën, Gucinë, Preshevën, Shqipërinë, Kosovën, sepse izolimi i një çështje në sinore krahinore do të thotë vdekje e një çështje.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, Për inferiorët mediatikë, te Greqise

Kryepeshkop Anastasi, gardiani i varrezave të ushtrisë greke në Shqipëri

June 5, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Në prag të vizitës së ministrit të jashtëm grek, Nikos Kotzias, në vendin tonë, siç është bërë tashmë praktikë rutinore diplomatike, titullarët respektivë të të dyja anëve, filluan të japin deklarata për shtyp, si për të përgatitur klimën apo kontekstin e kësaj vizite. Nga pala jonë, përsëritet zgjidhja e çështjes çame, e cila duket se nuk ekziston aspak për palën greke, që këmbëngul vetëm në marrëveshje të favorshme, siç është mbjellja e përhershme e qindra trupave të ushtarëve grekë, në disa varreza, që do të shënojnë vijën imagjinare të një kufiri të ri shqiptaro-grek. Përveçse po përfiton hapësirë tokësore me zhvendosje klonesh të varrosurish, pala greke, tenton gjithashtu të përfitojë edhe hapësirë detare, të çmuar për pasuritë me naftë dhe gaz.

Ndaj për këto qëllime të tij, shteti grek, arriti të sillte dhe të fronëzonte në Shqipëri, një nga njerëzit që kishte vite që e përgatiste me grada shkencore e kishtare, kryepeshkopin Anastasios, që për çerek shekulli, po zbaton me durim e përpikmëri një plan të sofistikuar për helenizimin e kishës ortodokse shqiptare, e për pasojë të të gjithë besimtarëve ortodoksë. Nuk e dimë sot, nëse këtë gjë e kishin parasysh politikanët e fillimit të tranzicionit, që firmosën ardhjen e tij dhe pushtimin e fronit historik të kishës shqiptare prej një të huaji. Por ne nuk e dimë, nëse edhe sot, politikanët dhe organet që garantojnë integritetin dhe sigurinë tonë kombëtare, a e kanë parasysh se çfarë dëmi kolosal është duke na bërë ky njeri. Sigurisht, sinjali që u dha prej tyre, kur në bllok, e braktisën Anastas Janullatosin duke mos ia uruar pashkët, na jep idenë se e kanë kthyer shikimin drejt tij dhe po e monitorojnë me shumë kujdes. Për herë të parë, sivjet, seriali i lajmeve plot dritë të pashkëve, nuk u mbyll me fotot klasike të shtrëngimit të duarve të politikanëve me dhespotin grek, madje, nga trishtimi i madh, ai padrejtësoi edhe popullin e thjeshtë apo dashamirësit e botës civile, të cilët e uruan, por Janullatosi urdhëroi që për pritjen zyrtare në selinë e tij, këtë vit, të mos dilte asnjë lajm dhe të censurohej çdo foto, me qëllimin e fshehjes së këtij mesazhi indirekt të politikës, që e konsideroi non grada, apo të padëshiruar. Kështu, për herë të parë, ai prishi traditën mediatike të zyrës së shtypit, e cila këto kohë, edhe për shkak të shkrimeve tona, gjendet nën një presion të jashtëzakonshëm për të prodhuar argument. Por aty ku nuk ka ç’të thuash, është më e mençur të heshtësh.

Një nga detyrat e shumta që kishte Janullatosi në favor të interesave greke në Shqipëri, ishte të përdorte gjithë makinerinë e tij kishtare, priftërinjtë dhe mercenarët e paguar, për të lokalizuar, gjetur, zhvarrosur e rivarrosur nëpër varreza ushtarake, trupat e të rënëve në luftën italo-greke të 1940. Shteti grek, kishte favorin se nuk përfshihej direkt, duke ia lënë këtë detyrë KOASH, e cila do tërhiqte më pak vëmendje, ndërsa Janullatosi, duke treguar gatishmëri maksimale për t’i shërbyer shtetit të tij, do të përfitonte kalimin e miliona eurove investime, për të ndërtuar kisha e shkolla greke, e për të ngritur kultin e tij të individit, e për të fituar adhurimin e atyre ortodoksëve, që u dhemb kisha. Dhe nga dashamirësia nuk i hapin sytë të shohin se ç’po i bën kombit shqiptar, prellati i tyre i dashur. Por nëse shteti grek, zgjodhi e gatoi një nga njerëzit më finokë për ta instaluar si kryepeshkop në Shqipëri, në shërbim të interesave greke, ky i fundit, Janullatosi pra, gjithë zinxhirin poshtë vetes, e përzgjodhi me qëllim ta mbushte me njerëz injorantë e të pagdhendur, me kulminacion peshkopët myslimanë, të cilët i garantonin kontrollin e sigurt mbi sinodin. Ndërsa rasti i priftit të pashkollë të Kosinës, i shkaktoi Janullatosit ndoshta një nga skandalet më të mëdha e të paharruara, që frymëzuan më vonë, romane e filma tragjikomikë, do sillnin përjetësimin e kësaj historie të turpshme, ku civilë, gra e fëmijë shqiptarë, shkuleshin dhunshëm nga vendprehjet e tyre, për të mbushur gropat e varrezave të ushtarëve grekë, e gjerdanët e unazat e florinjta, me të cilat ne shqiptarët i zbukurojmë të vdekurit, ktheheshin në mollë sherri mes priftit e punëtorëve, që nga zbulues kokallash, u kthyen në gjuetarë thesaresh, duke u përdhosur të afërmit bashkëfshatarëve të tyre. Makabritete të tilla, nuk ka mendje që t’i rrokë. Kështu, vetë Janullatosi e vuri për të disatën herë në pozicion të pafavorshëm shtetin grek, që u detyrua për shakë edhe të ndjeshmërisë së madhe të opinionit publik, të shtynte finalizimin e zbatimit të marrëveshjes ndërshtetërore që garanton ndërtimin e këtyre varrezave. Po mirë, do pyesë dikush, po nëse ka marrëveshje ndërshtetërore, pse e ngarkoni me faj Janullatosin për këtë çështje? Ja pse e bëjmë. Në një marrëveshje ndërshtetërore, Janullatosi nuk ka asnjë punë të ndërhyjë për zbatimin e saj. Zhvarrimin e ushtarëve të rënë, duhet ta bënin strukturat shtetërore, me mbikqyrje ekspertësh nga të dyja palët, që ata që nxirreshin prej varreve, të ishin realisht ushtarë. Emisari grek u përzier aty ku nuk duhej, dhe pa dashje u tall me shtetin e tij, kur një prift i ulët, po u shiste grekëve sapunin për djathë. Imagjinoni grekët e shkretë, që në vend që të qajnë të afërmit e tyre, të jenë duke i ndezur qiri, ndonjë fshatari të Kosinës, apo ndonjë fëmije a nuseje të vdekur para kohe.

Personalisht jam pro zbatimit të konventave ndërkombëtare të luftës, të cilat sanksionojnë se të rënët varrosen përkohësisht afër fushëbetejave, por ata tërhiqen pas mbarimit të luftës. Këtë gjë bëri dhe Italia, por Greqia refuzon ta bëjë, se këto varreza, i duhen si dokumente të gjalla të historisë moderne të saj, ku pretendimet irredentiste për Vorioepirin, duket se janë riaktivizuar fuqishëm. Megjithatë, shteti ynë, ndoshta nga presionet për bllokimet integruese e bëri edhe këtë lëshim. Dhe këtu, sërish hyn ai, kapiteni ushtarak Tasos Janullatosi i njohur në popull si kryepeshkop Anastasios tinëzisht, duke i bërë shtetit dhe kishës shqiptare një dëm të dytë kolosal. Pasi njollosi priftërinjtë dhe imazhin kishtar duke e kthyer KOASH-in në firmë funerale zhvarrimesh, dhespoti grek avancoi duke i grabitur popullit shqiptar, prona të paluajtshme, blerë me gjak e mund. Ç’punë kishte Janullatosi dhe kisha shqiptare të lëshonte prona e manastire të saj historikë, që të ktheheshin në varreza greke? A nuk përcaktonte marrëveshja caktimin dhe blerjen e truallit për një qëllim të tillë? Por jo, shteti grek nuk kishte pse harxhohej kot. Sërish Janullatosi u hodh në veprim dhe u fali grekëve manastirin e Grykës së Këlcyrës, duke ua grabitur atë shqiptarëve. Ose i fali shtetit grek një copë tokë shqiptare, duke shkelur rëndë integritetin territorial. Sot tokat nuk pushtohen më me luftë, ato ose blihen ose falen. Këto gjëra dihen prej shtetarëve dhe ndërkombëtarëve. Në një kabllogram diplomatik, dëshmohet se peshkopi i Elbasanit i njoftonte zyrtarët e një ambasade për masakrën që po bënte Janullatosi i koordinuar nga Athina zyrtare. Por peshkopit të konvertuar fatkeqësisht iu zbulua “tradhëtia” dhe për këtë gjë, u degdis nga Tirana me ngritje, pasi mbante detyra të cilat e pajisnin me informacione konfidenciale dhe delikate. Me dyshime për tradhti u pa gjithashtu edhe udhëheqësi i tij shpirtëror, po ashtu i konvertuar nga islami, në pritje të pasojë vetë Janullatosin, nëse nuk ka ndonjë surprizë tjetër apo plan sekret që ta shmangë nga kjo rrugë. Sigurisht, që shteti grek, me durim e taktika të holla, po i fiton njëra pas tjetrës kauzat e veta. Ne, para pak kohësh denoncuam një nen të rrezikshëm të shtuar në statut (63/2), që e rrëzon praktikisht de facto, Autoqefalinë e KOASH. Nuk dihet nëse gjatë vizitës së tij, ministri i jashtëm grek do të rezervojë ndonjë takim zyrtar me Janullatosin, siç rëndom kanë bërë zyrtarët më të lartë grekë kur kanë vizituar Shqipërinë. Ajo që zyrtarët tanë duhet të dinë, para se të fillojnë zbatimin e marrëveshjes sërivarrosjes së ushtrisë greke në thellësi të territorit shqiptar, është se këto varreza janë klone simbolikë të një kufiri të ri helenizmi. Dhe, gjenerali i ri i kësaj ushtrie pushtuesish të vdekur, do të varroset ne mes te Tiranës, sipas një plani të mirëmenduar. Ai, kur ta thërrasë Perëndia, do t’i lërë  edhe reliket e tij, brenda katedrales bardheblu të Tiranës, që simbolikisht do të jetë flamuri grek që do të mbulojë trupin e prehur të dhespotit që i shërbeu me besnikëri maksimale shtetit të tij. Dhe Greqia, do të ketë edhe një shenjtor të ri, që do të tërheqë mijëra pelegrinë, që do ta fillojnë udhëtimin e tyre nga varrezat e jugut, për të përfunduar në nderimin e varrit të Shën Anastasiso në mes të Tiranës.

Ikonat po mbarojnë, kripta është gati, shpallja e shenjtërimit është bërë premortum. Flaka e kauzës së helenizmës, tashmë e ka pishtarin e ngulur ne zemrën e kryeqytetit shqiptar. A jemi ende në kohë ta pengojmë që kjo të mos ndodhë?

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, gardiani i varrezave, Kryepeshkop Anastasi, ne Shqiperi, të ushtrisë greke

Kushtëzimet e rrezikshme të ministri grek Nikos Kotzias(Koxha)

June 4, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Në shkrimet e më parëshëm kemi shkruar se gjyshi i ministrit të jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias, Konstandini kishte lidhje të ngushta me partinë naziste gjermanë, bile ai gëzonte mbështetjen direkt të ministrit të propagandës Joseph Goebbels.

Edhe Nikos Kotzias ashtu si gjyshi i tij ka sot lidhje të ngushta me partinë naziste ruse Fronti Nacionalistë Bollshevik që drejton Aleksandër Dugini, i cili është këshilltar i kryetarit të Rusisë Putinit.

Ministri i jashtëm grek që do të vizitoj Tiranën nga 6-7 qershor, Nikos Kotzas ka ndjenja të theksuara raciste që shpesh herë ai i shpreh haptazi. Në një intervistë që ai ka dhënë para disa kohës shqiptarët i ndante në dy kategori a) Shqiptar normal, b) Shqiptar jo normal. Kotzas shqiptarët nga Çamëria i quan shqiptar jo normal sepse këta kërkojnë pronat e tyre të grabitura pa të drejtë nga Greqia. Por nga burojnë ndjenjat raciste të Kotzas? Nikos Kotzias ka kaluar një fëmijëri dhe rini të dëshpëruar, ku shpeshherë ai është injoruar dhe ofenduar rënd nga moshatarët e tij për të kaluarën naziste të gjyshit Konstandin Kotzias i cili ishte pro Gjermanisë naziste. Ai ka kaluar një fëmijëri të mbyllur, plot urrejtje. Kjo ka ndikuar thellë në botën e tij shpirtërore. Publicisti grek Failos Kranidhitotis ka thënë: “Nikos Kotzias është ende fëmi, kjo nuk është rastësi aksidentale. Ai ka në zemër dhe mendje qartë nacionalizmin“.

Në valixhen diplomatike të ministrit grek Nikos Kotzias që do e shpalosi në Tiranë më 6-7 qershor ka disa kërkesa ekstremiste që dëmtojnë rëndë shqiptarët. Në atë valixhe ndodhen kushtet për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE si dhe njohjen nga Greqia të pavarësisë së Kosovës. Për këto dy vendime që duhet të votoj Greqia ka vënë disa kushte si: 1.Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do bëhet me anë të një marrëveshje të përjetshme ku Shqipëria dhe shqiptarët s’do të kërkojnë kurrë Çamërinë dhe pronat e tyre në tërë Greqinë. 2.Ndërtimin edhe të pesë varrezave të tjera për ushtarët grek të vrarë gjatë luftës italo-greke më 1940-1941, ku numri i varreve bosh të jetë 7.000. 3.Njohjen e Autonomisë së Veriut të Epirit (aneksimi i jugut të Shqipërisë) ku gjuha greke do jetë zyrtare në jugun shqiptar. Shqipëria të jetë e varur De Jure nga Greqia ku në të ardhmen të bashkohen në një Federatë të përbashkët.

Kushtet ekstremiste që mban valixhja diplomatike e Nikos Kotzias duhet përbuzur dhe flakur tej, prandaj shqiptarët që kanë mend dhe duan mend ditën e hënë më 6 qershor të dalin në protestë ora 8.30 minuta për ti treguar grekut Kotzias se nuk do arrihen asnjë marrëveshje midis dy vendeve në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Kushtëzimet e rrezikshme, Nikos Kotzias(Koxha), të ministri grek

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT