Llalla: Elida Jorgoni arriti të realizojë atë që për vite çirret një parti shqiptare në Maqedoni/
Mitropolia e kishës ortodokse e Tetovës që shtrihet deri në Rekën e Epërme ka dhënë leje që mesha të mbahet në gjuhën shqipe për nder të Kristo Bagerit, babait tëJosif Bagerit, njofton gazeta “Lajm”.
“Kjo arritje arritje është vepër e Elida Jorgonit (aktiviste e cështjes kombëtare) e cila me një dëshirë dhe këmbëngulje arriti të realizojë atë që për vite çirret një parti shqiptare në Maqedoni se do e realizonte, por nuk e ka realizuar ende”, konfirmon historiani Arben Llalla./lajmpress/
Historia kërkon fakte, citime dhe jo fjalë ofenduese, gjuhën e urrejtjes
Replikë për gjuhën e urrejtjes së Halit Agës/
Ne Foto: Esat Pashe Toptani në Selanik pranë oficerëve të lart/
Nga Arben LLALLA/
Në gazetën Metropol dhe Dielli online, ishte botuar një intervistë e Halit Agës rreth vrasjes së Esat Pash Toptanit, ku ai si familjarë i Esatit pretendon me gjuhën e urrejtjes dhe ofenduese se Avni Rustemi se ka vrarë Esat Pashën, por e ka vrarë shefi i policisë së Parisit, Francua Laskia. Që në fillim të intervistës së tij Halil Aga shpreh qartë urrejtjen që ka për Avni Rustemin duke përdorur terma ofenduese si Injorantë (I paditur-I pashkolluar), opingar, rrjepacak. Në periudhën e atyre viteve 1920-1924, rreth 90% e shqiptarëve ishin të pashkolluar, të paditur apo ashtu siç i pëlqen Halitit të shprehet INJORANTË, shqiptarët ishin edhe leckaman ashtu siç i pëlqen ti ofendoj Haliti përsëri shqiptarët e kohës. Por zotëria duhet ta dijë se këta shqiptar “injorantë”, “leckaman”, “opingat”, “rrjepacak”, luftuan pa interes personal për Shqipërinë, nuk luftuan për të ruajtur pasurinë e tyre personale ashtu siç kanë luftuar dhe bashkëpunuar me çdo pushtues Pashët, Agat apo tregtarët e mëdhenj. Ishin “Leckamanët” dhe “Injorantët”, Bajram Ligu dhe Hito Lekdushi që më 1908 vranë në Gjinokastër Bimbash Turkun, mikun dhe kolegun e Esat Pashës. Në kohën kur Toptanët dhe shumë pashallarë të tjerë, kënaqeshin me çingiet,shqiptarët e vërtetë mendonin se si të bënin shtetin e tyre të zhvilluar dhe të pavarur.
Me këtë intervistë shprehësi Halit Aga kërkon të rrëzojë historinë e aktit kombëtar të Avni Rustemit i cili qëlloj mbi Esat Pash Toptanin në Paris, më13 Qershor 1920 , por z.Halit e di mirë se historia nuk përmbyset me fjalë ofenduese, as me të holla, por me burime, citime, gazetat e kohës dhe shumë dekumenta të tjera që sot nuk është vështirë të gjenden në Paris, Selanik, Beograd, Tiranë apo gjetkë. Në këtë intervistë Halit Aga qartë shpreh ndjenjat e tij të urrejtjes dhe vlla-vrasjeve që kërkon të nxisë, kur sot shqiptarëve u duhet bashkim dhe vëllazëri, duke falur çdo pik gjaku hasmërie njeri-tjetrit.
Sa për pretendimet se Esat Pashën e vrau shteti francez, kjo bie poshtë sepse Esat Pash Toptani kur mbërriti në Selanik më 27 Gusht 1916 u prit me paradë madhështore nga gjenerali francez Emanuil Serraili. Për shërbimet që i bëri Francës, Esat Toptani, do të nderohej nga gjeneral Serrail me Kryqin e Luftës në një ceremoni të madhe të organizuar më 18 Gusht 1917, në qendër të Selanikut.
Për bashkëpunimin e Esat Pash Toptanit me Serbin, do të ribotoj fotot nga takimet që ka patur me oficerët e lartë serb në Selanik më 1916-1917. Nëse Halit Aga pretendon se Esat Pasha nuk është tradhtar i Kombit shqiptar, unë kam për ti bërë vetëm një pyetje të thjeshtë: Përse familjarët e tij pas ka vitesh demokraci nuk i kanë sjellë eshtrat e tij në Tiranë, por ende varri i Esat Toptanit gjendet madhështor në varrezat serbe? Tek e fundit ska asnjë ligj që i ndalon kockat e Esatit të prehen në atdheun e tij. Përse Serbia është kujdesur me aq dashuri që eshtrat e Esat Toptanit nga Parisi për në Beigrad të udhëtojnë madhërishëm? Përse Serbia pranoj që ky njeri të varroset midis ushtarëve serb? Këto janë pyetje që presin përgjigje nga ju z.Halit.
E pash të arsyeshme të reagoj ndaj një Palo intervistë të shprehur me ofendime dhe gjuhën e urrejtjes nga trishtimi apo nga mos përfitimi i pozitave të lartë që kanë gëzuar dikur në perandorinë osmane familjarët e Halit Agës, për ngjarjet e historisë së vërtetë që kanë lënë gjurmë në Enciklopedinë botërore.
KORÇA,200 VJET QËNDRESË PËRBALLË PRESIONIT TË KISHËS DHE SHKOLLËS GREKE PËR GREQIZIMIN E SAJ
Perse Spiro Kosturi vrau Mitropolitin e Korçës Fotis Kallpidhis?
Nga Arben Llalla/
Qyteti i Korçës gjithnjë ka qenë nën presionet e Greqisë për greqizmin e saj me anë të kishës dhe shkollave greke të cilat mundohen të krijoj një minoritet artificial që para 200 vitesh. Lufta e ashpër është zhvilluar midis patriotëve shqiptar dhe strukturave kishtare dhe shtetërore greke. Kjo luftë nuk ka kursyer shumë figura të larta shqiptare dhe greke, luftë e cila në një formë më klasike zhvillohet edhe sot.
Një ngjarje ende e pa zbardhur mirë nga historianët shqiptar është vrasja e Mitropolitit të Korçës, Fotis i cili nënrrobën e udhëheqësit shpirtëror të ortodoksëve bënte punën për greqizmin e shqiptarëve në zonën e Voskopojës, Korçës e deri në Përmet.
Vrasja e Mitropolitit të Korçës Foti Kallpidhis më 9 Shtator 1906, erdhi si hakmarrje për vrasjen e dy vëllezërve të cilët ishin mësonjës të shkollave shqipe, Theodhos dhe Kristo Harallambo- Negovani të cilët u masakruan nga grekët më 12 Shkurt 1905.
Gjithnjë është shkruar se Mitropolit Fotin e vrau çeta e Bajo Topullit, por pa përmendur asnjë emër. Studiuesi Xhevat Lluri shkrun se më 1914, në Prongji të Gjirokastrës vijnë 200 ushtarë grekë dhe gjënë e parë që bënë arrestuan Bajramin Ligun i njohur për atentatin që kishte kryer me Hito Lekdushin mbi Bimbashin e Gjirokastrës, Mars 1908. Nga torturat në burg grekët i thyen disa brinjë dhe i prenë njërin vesh pasi e akuzonin për vrasjen e Mitropolitit të Korçës, Fotis Kallpidhis. Fshati Prongji mblodhi monedha floriri dhe ia dërguan komandës greke me anë të Majko Llurit për lirimin e tij. Pasi u pranua shuma e florinjve komandanti grek dha urdhër që Bajrami i sakatuar të lirohet. Por nuk u mësua nëse Bajrami kishte qëlluar vërtetë mbi Mitropolitin grek.
Në kujtimet e tij Eqerem Bej Vlora shkruan se çetat e Spiro Kosturit dhe e Spiro Bellkamenit vrasin Mitropolitin Fotis e klerik të tjerë antishqiptar.
Studiuesi dhe shkrimtari grek, Tasos Kondojanidhis, shkruan se Mitropolitin e Korçës, Fotin e vrau Spiro Kosturi.
Gjatë kërkimeve të mia nxora përfundimit se Tasos Kondojanidhis ka të drejtë në tezën e tij se Mitropolit Fotis Kallpidhin e ka vrarë Spiro Kosturi. Këtë tezë e mbështesë edhe unë në bazë të ngjarjeve që u zhvilluan pas vrasjes së Mitropolitit grek dhe të disa të dhënave që gjeta gjatë kërkimeve në lidhje me këtë ngjarje.
Mihal Grameno në një shkrim të botuar në gazetën Drita të Sofjes, më 1 Shkur 1908, shkruan se Spiro Kosturin e vranë grekët sepse ata mendonin se familja Kosturi ka gisht në vrasjen e Mitropolitit. Familja e Jovan Kosturit ka qenë njëra nga mbështetësit kryesor të Komitetit të Fshehtë të Manastirit, vetë Jovan Kosturi ka qenë anëtarë i degës së Korçës të këtij Komiteti. Ka të dhëna se kryetar i vërtet i Komitetit të Fshehtë të Manastirit ishte Jovan Kosturi, por kjo gjë mbahej shumë e fshehtë. Në të vërtetë Komiteti i Fshehtë i Manastirit është projekt i familjes Kosturi sepse ata ishin drejtuesit kryesorë dhe financuesit e saj.
Mitropolitin Fotis, nuk e vranë shqiptarët mysliman, nuk e vranë as komitët bullgarë dhe rumunë, atë e vranë ortodoksit shqiptar të Korçës për veprimtarinë antishqiptare që bënte ky klerik i ardhur nga Azia e Vogël. Korçarët e vranë atë, për greqizmin e shqiptarëve duke përhapur gjuhën greke dhe mallkuar gjuhën shqipe. Por Patriarkana e Stambolli nuk hoqi dorë lehtë për të dërguar misionarët e saj për përhapjen e greqizmit tek shqiptarët. Në vend të Foti Kallpidhis, ajo dërgoj Mitropolitin Gjervasio, i cili edhe ky ishte pondios, pra sllavë nga Azia e Vogël.
Mitropoliti i Korçës Foti Kallpidhis renditet në historigrafinë greke tek Heronjtë e luftës për Maqedoninë greke e cila u zhvillua nga viti 1904-1908. Ai renditet si martiri i parë me rrobën e një kleriku fetar i kësaj lufte. Fjala është për atë Maqedoni që pretendonin grekët nga Manastiri, Ohri, Prespën, Korça, Pogradeci.
Kush është Foti Kallpidhis
Mitropolit Foti Kallpidhis ka lindur më 1865 në Çakrak- Giresun, të Turqisë, afër kufirit me Gjeorgjinë dhe Armenin. Foti Kallpidhi i përket grupit ortodoksë të Azisë së Vogël, ata identifikohen si ortodoksë Pondios. (tradiat, zakohet, veshjet dhe ana antropologjike e pondiove është më afër sllavëve të Azisë së Vogël dhe osmanëve se sa evropianëve, dhe më larg me grekët antik). Familja e tij ishte shumë e varfër dhe e dërgoj për të mësuar në shkollën fetare. Kallpidhis i ngjit shpejtë shkallët e karrierës duke zënë poste të rëndësishme në Patriarkanën e Stambollit të cilit i besoj detyra të rëndësishme. Në vitin 1897, ai caktohet një nga drejtuesit kryesorë të revistës javore “EKKLISIASTIKI ALITHEIA” (E Vërteta Kishtare), organ zyrtar i Patriarkanës së Stambollit.
Në Maj të 1902, Foti Kallpidhis u caktua Mitropolit i Voskopojës, Korçës dhe i Përmetit. Ai filloj aktivitetin për greqizimin e ortodoksëve shqiptar ashtu si shumë klerikë të tjerë. Fotis Kallpidhis financojë hapjen e disa shkollave greke në Prefekturën e Korçës ku mësonin fëmijët shqiptar. Për këto veprime Mitropolit Foti mori lëvdata edhe nga shteti grek. Në përfundim të vitit shkollor më 1905, Konsulli grek i Manastirit në ndarjen e diplomave të nxënësve shqiptar që ndiqnin shkollën greke të Korçës e mbylli fjalimin e tij përshëndetës me fjalët: “Ky është greqizmi i pastër! Rroftë Korça greke”! (ka mundësi që ky konsull të ketë qenë Stamatios Kuzes Pezas, sepse ai lëvizte shumë në fshatrat shqiptar ato vite nga Follorina-Korçë)
Në Qershor të vitit 1905, Mitropoliti Fotis i shpëtoj një atentati në fshatin Plasë. Pas këtij atentati ai i kërkoj autoriteteve turke që ta ruanin, por shqiptarët kishin vendosur ta vrisnin. Në fillim të Shtatorit të vitit 1906, rrugës për në fshatin Bradvicë, Spiro Kosturi vret Mitropolitin Fotis Kallpaidhis. (Bradvica i përket Komunës së Hoçishtit).
Greqia dhe Patriarkana e Stambollit kërkojnë gjetjen e vrasësit të Mitropolitit
Revistës javore “EKKLISIASTIKI ALITHEIA” (E Vërteta Kishtare), organ zyrtar i Patriarkanës së Stambolli, i kushtoj vëmendje të veçantë vrasjes dhe figurës së Mitropolitit Fotis Kallpidhis. Në numrin e 16 Shtatorit, 1906, shkruhet një faqe për vrasjen dhe biografinë e tij. Lajme rreth vrasjes, meshën që mbajti në Korçë Mitropoliti i Kosturit, Germanos Karavangjeli për nder të Mitropolitit të vrarë Fotis dhe shqiptarëve që akuzoheshin për këtë vrasje u botuan në disa numra të revistës në fjalë.
Fjalimin gjatë ceremonisë së varrimit të Foti Kallpidhit e mbajti Mitropoliti i Kosturit, Germanos Kravangjeli i cili u betuar se do ti gjende vrasësit e klerikut grek. Mitropoliti Karavangjelis hapët shprehu para besimtarëve shqiptar se misioni i Mitropolit Fotit për përhapjen e greqizmit do të vazhdojë sepse gjaku u derdh për çlirimin e Greqisë. (Grekët, Korçën e kanë quajtur dhe e quajnë tokë të tyre). Në përfundim të fjalës ai mallkoj shqiptarët dhe vrasësit.
Mitropoliti Germanos Karavangjeli kishte raporte shumë të mira me qeveritarët turq dhe u angazhua personalisht për të gjetur vrasësit e Foti Kallpidhit. Mitropoliti Karavangjeli kishte patur shumë lidhje të ngushta me Kallpidhis. Ata kishin qenë shokë klase gjatë studimeve dhe midis tyre ruhej një lidhje e fortë miqësie, Foti Kallpidhis dhe Karavangjeli i përkisnin grupit të ortodoksëve Pondios, nga Azia e Vogël.
Mitropoliti i Kosturit, Germanos Karavangjeli, kur gjendej në vështirësi kërkonte ndihmën e ushtrisë turke. Më 1903, turqit vranë komitin bullgar Lazar Poptrajkov i cili ishte nga fshatrat bullgar të Kosturit. Karavangjeli ua kërkoj trupin e tij turqve dhe pasi i preu kokën e mbante në zyrën e tij si triumf ndaj luftës bullgaro-greke të viteve 1904-1908.
Më 11 nëntor, 1906, dy grek vranë në Selanik Spiro Kosturin si i akuzuari kryesor për vrasjen e Mitropolit Fotit. Grekët nuk u mjaftuan vetëm me këtë vrasje, ata vranë edhe Kostaq Kosturin. Pas disa ditësh qeveria turke arrestojë babanë dhe vëllezërit e Spiros. Këto veprime ishin bërë në bashkëpunim me Mitropolitin e Kosturit, Karavangjelin dhe qeveritarëve turq kundra patriotëve shqiptar. Gazeta Drita e Sofjes më 26 Shkurt 1907, botonte një artikull të bujshëm i redaksisë me titull “Pse grekët vranë Spiro Kosturin?, “Ç’bëri qeveria barbare, ç’duhet të bëjnë shqiptarët? Pas shumë presioneve nga mediat shqiptare dhe pagesës që paguan shoqatat patriotike, qeveria turke për mungesë provash i lirojë nga paraburgimi Jovan Kosturin dhe dy djemtë e tij.(Ne Foto:Spiro Kosturi)
Kongresmenët amerikan vijnë në Tiranë për çështjen e pronave dhe jo për ndarjen e territoriale
Nga Arben LLALLA/
Është paralajmëruar se më 11 Tetor në Shqipëri do bëjnë takime me përfaqësuesit e shtetit shqiptar tre Kongresmen amerikan, republikani me origjinë greke Gus Biliraqis, Gregory Meeks dhe Jack Kingston të cilët do të takohen me kryeministrin Rama, Ilir Metën, kryepeshkop Anastasin, Vangjel Dulen dhe përfaqësues të Komunës së Himarës.
Propaganda greke shkruan se tre Kongresmenët amerikan vijnë për ti bërë presion kryeministrit Rama rreth ndarjes së re territoriale për pikën e nxehtë rreth bashkimit të Himarës me Vranishtin. Por e vërteta është krejt ndryshe. Duke parë që komuniteti himarjot në SHBA llogaritet mbi 1.500 anëtarë, janë një grupim i mirë votash pasi në Nëntor në disa zona mbahen zgjedhjet për në Kongres. Të gjithë e dinë se fushata e politikanëve amerikan është demokratike, ku çdo kandidat për në Kongres, Senat apo kandidat për presidentë ka nevojë për çdo votë, ka nevojë për 1 dollarë dhe komuniteti himarjot se ka problem që të sponsorizojë rreth 150.000 dollarë për takimet e tilla të kongresmenëve që të thonë diçka rreth pronave dhe të drejtave të njeriut për Himarën. (Shqiptarët kanë përvojë rreth sponcorizimeve për fushatat e tilla, kjo tashmë është dëshmuar me suksese).
Në të vërtetë tre Kongresmenët amerikan, Gus Biliraqis, Gregory Meeks dhe Jack Kingston vijnë në Tiranë për të lobuar rreth zgjidhjes së pronave të Himarës pas kërkesave të shumta dhe takimeve që kanë patur me Komunitetin himarjot në SHBA, si dhe me Vasil Bollanon dhe Jorgo Goron. Gjatë vizitave në SHBA, dy kryetarët e Komunës së Himarës, Vasil Bollano dhe kryetari aktual Jorgo Goro i kanë premtuar himariotasve në SHBA se problemin e pronave do e zgjidhin por pengesa ndeshin nga qeveritë. Kongresmeni greko-amerikan Gus Biliraqis, direkt ka konflikt interesi me politikën shqiptare pasi është zgjedhur me votat e greko-amerikanëve, kështu nuk do mund të shprehi sinqeritetin e një kongresmeni të vërtet amerikan, por ato greke. Kongresmeni Gus mund të ketë edhe interesa familjare në lidhje me pronat në Himarë, pasi para disa vitesh ai është shprehur se familja e bashkëshortes së tij është me origjinë nga Jugu i Shqipërisë.
Kongresmeni Gregory Meeks njihet si një përfaqësues i korruptuar i Kongresit Amerikan. Ai është përfolur dhe akuzuar për shpërdorim të fondeve bamirëse dhe çështje të tjera korrupsioni me karakter të përfitimeve ekonomike.
Megjithatë, vizita është më shumë private se sa zyrtare, për tju treguar votuesve greko-amerikan se diçka po bëjnë në favor të tyre në politikën greko-shqiptare.
Brenda pak kohe përfaqësuesit e komunitetit himarjot në SHBA kanë bërë shumë takime ku kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth së drejtës së pronës private.
Më 18 janar 2012, kryetari i Komunës së Himarës, Jorgo Goro u takua në Uashinton me Kongresmenin greko-amerikanin Gus Biliraqin. Në këtë takim u diskutua rreth çështjeve të të drejtave të minoritetit grek dhe pronave të kishës ortodokse.
Më 14 Nëntor 2013, përfaqësuesit e komunitetit të himarjotëve me banim në SHBA u takuam me ambasadorin grek me seli në Washington Kristo Panagopulos dhe biseduan me diplomatin grek rreth problemeve të së drejtës së pronave dhe perspektivën e Shqipërisë në BE. Ku morën garanci se Greqia do ta mbështesë Shqipërinë për tu anëtarësuar në BE dhe zgjidhjen në bazë të ligjeve çështjen e pronave në Himarë.
Në 14 Shkurt 2014, përfaqësuesit e shoqatës së himarjotëve u takuan me ambasadorin e Shqipërisë në SHBA z.Gilbert Galanxhin dhe diskutuan rreth çështjeve politike dhe problemet për zhvillimin e ekonomisë dhe turizmit në zonën e Himarës. Në fund të takimit përfaqësuesit e organizatës së himarjotëve në SHBA falënderuan përzemërsisht ambasadorin e Shqipërisë Galanxhin për kohën dhe respektin që tregoj me këtë përfaqësi.
Komuniteti himarjot në SHBA i shkruan letër Sekretarit të Shtetit të SHBA z.John Kerry dhe ambasadorit të SHBA në Tiranë z. Arvizu. Në letrat që i dërguan dy personaliteteve të qeverisë së SHBA, komuniteti himarjot në asnjë rresht të tyre nuk përmendnin ndonjë problem fetar, gjuhësor apo etnik që mund të ekzistojë në Himarë, por ata ishin të interesuar për pronat e tyre të konfiskuara në vitin 1945 dhe Ligjin 7501 për shpërndarjen e vetëm 20% të tokës së Himarës.
Më 28 Mars 2014, përfaqësuesit e komunitetit të Himarës në SHBA u takuan me Christopher Carver, zyrtar i Departamentit të SHBA për Shqipërinë, ata diskutuan rreth çështjeve për rikthimin e pronave të himarjotëve që jetojnë dhe punojnë prej shumë dekadash në SHBA.
Më 21 Maj 2014, komuniteti himarjot në SHBA bënë takim me Kongresmenin amerikan me origjinë greke z.Gus Biliraqis për ta njohur rreth problemeve të pronave në Himarë.
Shoqata e Himariotasve të SHBA nderon me Mirënjohje Vangjel Dulen
Më 18, Gusht 2014, shoqata e Komunitetit himarjot në ShBA nderoj me Mirënjohje Kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule. Mirënjohja ju dorëzua në Himarë gjatë kohës që Vangjel Dule kalonte pushimet me familjen e tij nga anëtar i bordit HSA Petro Gjikuria, Vasil Bollani dhe Beleris. Ceremonia e dorëzimit të Mirënjohjes linte shumë për të dëshiruar nga veshja e z.Dule dhe të përfaqësuesve të Komunitetit të Himarës. Nga fotografia publikuar për mediat duke qartë se Mirënjohja nuk i jepet kryetarit të PBDNJ që ka postin e zëvendëskryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, por një sportisti i ndodhur rastësisht në Himarë.
Kongresmeni greko-amerikan, Gus Bilirakis i shkruan znj. Kondoliza Rajs për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri
Më 28 maj 2008, Kongresmeni Republikan greko-amerikani Gus(Kostandin) Bilirakis i shkruan znj.Kondoliza Rajs Sekretare e Sh.B.A-as. Duke i shprehur shqetësimin e tij për mungesën e informacionit dhe mosveprimin e autoriteteve shqiptare, në respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që të ofrojë të drejtat themelore të njeriut për pakicën greke në Shqipëri. Ndër të tjera z.Bilirakis thotë: “Unë mendoj se do të ishte më mirë që ambasada e SH.B.A në Tiranë, duke mbledhur të dhëna të sakta statistikore, të bëjë një vlerësim në lidhje me atë se çfarë veprimesh janë ndërmarrë që të bindë qeverinë shqiptare të përmbushë obligimet e saj ndaj pakicave. Shqipëria është e obliguar që të realizojë analiza që të përcaktojë se a është dhe deri në ç’masë është gjendja e rëndë e disa minoriteteve, rezultat i diskriminimit etnik ose racor kundër tyre”.
Kongresmeni i Lobit greko-amerikan z.Gus para se ti shkruante Sekretares së Shtetit znj.Rajs kishte zhvilluar një takim në Amerikë me kryetarin e Omonia-s dhe të bashkisë së Himarës Vasil Bollanon duke dëgjuar nga ai ankesa të shumta për keqtrajtimin që Shqipëria u bën minoritetit grek si “refuzimin nga qeveria shqiptare për të miratuar legjislacionin që të sigurojë titujt e pronës dhe tokave kullota që u përkasin familjeve të minoritarëve grek”. Gjithashtu Bollano shfaqi shqetësimin e mos kthimit të pronës së kishës ortodokse dhe artifaktet fetare të përvetësuara gjatë diktaturës komuniste.
Letrën rekomande z.Gus drejtuar znj.Kondoliza Rajs e përfundonte: “Shtetet e Bashkuara kanë qenë kampionë të të drejtave të njeriut për gjithë pakicat etnike dhe fetare në botë. Unë kam çdo besim që SH.B.A-ës do të marrin udhëheqjen në sigurimin e mbrojtjes së pakicës greke në Shqipëri. Unë do ta çmoj shumë të di se çfarë veprimesh planifikon Departamenti i Shtetit që të bindë zyrtarët shqiptarë të përmirësojnë trajtimin që ata u bëjnë pakicave në vend, dhe çfarë bën për momentin ambasada amerikane drejt këtij qëllimi. Çështja është personale për mua, pasi shumë nga zgjedhësit e mi duke përfshirë edhe familjarët e gruas sime, vijnë nga një rajon i Shqipërisë jugore i njohur si Epiri i Veriut ku është i koncentruar minoriteti grek. Unë besoj fuqimisht, se është në interesin më të mirë të Shqipërisë që kërkon integrimin në Europë, që të trajtojë pakicat e veta në atë mënyrë që insiston të trajtohen shqiptarët etnikë në vendet fqinje. Ju Faleminderit për kohën dhe konsideratat tuaja. Unë shikoj para që të punoj me ju që të garantojmë që gjithë pakicës greke në Shqipëri ti sigurohet liria fetare, politike dhe ekonomike”.
Kush është Kongresmeni Gus Bilirakis
Kongresmeni Republikan Gus Bilirakis (greket e thërrasin Kostandin) ka lindur më 1963 në Florida. Babi i tij Michael Bilirakis është zgjedhur disa herë Kongresmen nga viti 1983-2006, duke ja pasuar më tej frontin të birit. Gus Bilirakis është zgjedhur për herë të parë Kongresmen më 7 nëntor 2006. Momentalisht ai gëzon mandatin e dytë si Kongresmen dhe shërben në Komitetin e Sigurisë së ShBA-ës, në çështjet e Veteranëve dhe Punëve të Jashtme, është kryetar i nënkomitetit për emergjencë. Jeton në Palm Harbor, i martuar dhe babai i katër fëmijëve. Kongresmeni z.Bilirakis është shumë aktivë në Lobin greko-amerikan në çështjet e minoriteti grek në Shqipëri dhe për zgjidhjen e çështjes së Qipros.
SI MBËRITI ANASTAS JANULLATOS NË KRYE TË KISHËS AUTOQEFALE TË SHQIPËRISË
Ne Foto: Anastasi ne shtepin e Micotaqit , Krete 2012/
Nga Arben LLALLA/
Shumë pak dihet se si mbërriti Anastas Janullatos në krye të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, por opinioni shpesh herë ka lexuar akuza se atë e solli ish-kryetarit të Shqipërisë Ramiz Alia ose Sali Berisha.
Ardhja e z.Anastas në Shqipëri është sa enigmatike dhe e njohur. Ishin rrethanat e kohës dhe e shkuara e tij në rini që e solli me marrëveshje përkohësisht z.Janullatos në krye të Kishës Autoqefale të Shqipërisë për riorganizimin e saj. Ai erdhi me një marrëveshje midis dy vendeve të nënshkruar në fillim të vitit 1991, në ishullin e Korfuzit.
Në një intervistë shumë vite më parë akademiku z.Ylli Popa ka deklaruar se ka qenë viti 1991, kur ndodhej në Athinë për çështjen e refugjatëve politik në Greqi si përfaqësues i Forumit për të Drejtave të Njeriut dhe u takua për herë të parë me Anastas Janullatosin. Më tej, akademiku Popa thotë se ishte takuar pak kohë më parë edhe me At Artur Liolin për të diskutuar për Kishën Ortodokse Shqiptare sepse akademiku nuk kishte asnjë njohje rreth probleme të kishës.
Por, unë nuk besoj që një Akademik dhe një personalitet i njohur siç ishte z.Ylli Popa dhe me lidhje shumë të forta me pushtetin e ortodoksinë të mos kishte njohje se çfarë po ndodhte me Kishën Ortodokse të Shqipërisë. Kjo deklaratë e tij më duket sa ironike dhe qesharake. Pra, duke u ndodhur në Athinë akademiku Popa i bënë një vizitë në shtëpi peshkop Anastasit në të njëjtën ditë ku ministrat e jashtëm të Shqipërisë z.Muhamed Kapllani dhe ai i Greqisë, Kryeministri i sotëm z.Andoni Samaras nënshkruan marrëveshjen që z.Janullatosi të vihet në krye të kishës ortodokse të Shqipërisë. Besoj që nuk ka qenë rastësi vizita e z.Popa në të njëjtë ditë kur ministrat e jashtëm të dy vendeve vendosin Anastas Janullatosin në krye të kishës sonë, ashtu siç nuk është rastësi që kjo marrëveshje u nënshkrua në ishullin e Korfuzit. (Më 1914, qeveritarët shqiptar në Korfuz nënshkruan shpallej e Autonomisë së Vorio Epirit, pasi forcat paramilitare dhe ushtarake të mbretërisë së Greqisë kishin pushtuar jugun e Shqipërisë. Me marrëveshjet e tilla të riciklimit historik Greqia i rikujtoj shqiptarëve se grekët kanë mbetur po ato grek të dikurshëm që kanë si projekt primar aneksimin e jugut).
Takimi i z.Muhamed Kapllani me z.Andoni Samaras është bërë 27.6.1991, në Korfuz ku marrëveshja që Greqia i pranonte refugjatët shqiptar me statutin ekonomik dhe jo politik u nënshkruar si haraç për pranimi e z.Anastas Janullatosit si drejtues i përkohshëm në Kishën Ortodokse të Shqipërisë. Ishte koha kur Shqipëria kalonte çaste të vështira, ku z.Nano ishte vetëm disa muaj Kryeministër dhe pasuesi i tij z.Ylli Bufi nuk i rezistojë psikologjikisht krizës ekonomike dhe deklaroj për një çast deklarojë se Shqipëria kishte vetëm 6 ditë bukë. Pra, në gjendje kaq të rëndë që kalonte Shqipëria, Greqia përfitoj duke i vënë kushte të rënda për lejimin e refugjatëve ekonomik që mund të punon ilegalisht.
Për ardhjen në krye të kishës Autoqefale të Shqipërisë të Anastas Janullatosit kanë gisht Ramiz Alia, Fatos Nano, Muhamed Kapllani, Ylli Popa, at Artur Lioni dhe Sali Berisha, të cilët pasi pranuan me marrëveshje që z.Janullatos të jetë drejtues i përkohshëm për riorganizimin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, disa vite më vonë i dhanë atij statutin e përjetshëm si Kryepeshkop i Kishës Autoqefale të Republikës së Shqipërisë, duke shkelur me të dyja këmbët atë që kishin nënshkruar në Korfuz më 1991. Një mëkat në lidhje me forcimin e pozicionit të z.Janullatos ka edhe ish-kryetari i Republikës së Shqipërisë z.Rexhep Meidani për të cilin thuhet se ka nënshkruar dhënien e shtetësisë shqiptare Kryepeshkop Anastasit. Besoj se historia do tua japi vendin që meritojnë më tej të gjithëve pavarësisht se çfarë mendojnë sot këta aktorë të këqinj të botës së politikës së tranzicionit. Nuk është rastësi takimi me Ylli Popën në shtëpinë e Kryepeshkop Anastasit, ashtu siç nuk janë rastësi shumë gjëra të tjera që lidhen me ardhjen në Shqipëri të Anastas Gjerasimo Janullatosit.
Ndoshta ishin kushtet e rënda ekonomike dhe politike që politikanë e fillim të viteve 1990, nënshkruan marrëveshjen e përkohshme për drejtimin e Kishës Ortodokse të Shqipërisë nga një klerik grek, ishin pozicionet e forta politike në Greqi në ato vite që gëzonte peshkop Anastasi që e sollëm aq fuqishëm në Shqipërisë sepse ai kishte miqësi të ngushtë me kryeministrin grek Kostandin Miçotaqin, me ministrin e jashtëm, Andoni Samaras, Petro Moliviatin, i cili ishte Sekretari i Përgjithshëm i Presidentit të Greqisë dhe ka qenë shok klase në shkollën dy vjeçare ushtarake me Anastasin (1952-1954). Peshkop Anastasi ishte edhe një ferr nëpërkëmbët e kryepeshkopit të Greqisë z.Serafin i cili nuk e simpatizonte aspak atë. Për shumë vite derisa në krye të Kishës Ortodokse të Greqisë ishte z.Serafin, Anastasi nuk e fitoj asnjëherë titullin Mitropolit.
Por sot Shqipëria është më mirë politikisht dhe ekonomikisht se në fillimet e viteve 1990, shumë shqiptar ortodoks mund ta drejtojnë tashme Kishën Autoqefale të Shqipërisë, do të ishte në nder të Kryepeshkop Anastasit që të largohet nga ky post me krenari sepse nëse ai largohet nga ligjet e natyrës, figura e këtij kleriku të imponuar herë do ndriçohet edhe herë do të errësohet duke krijuar probleme midis ortodoksëve shqiptar. Ndoshta pas vdekjes do jetë vetë figura e tij që mund të rrënojë atë që ai e riorganizoj prej kaq shumë vitesh.
Vërej: Shkrimi nuk ka qëllime politike dhe fetare, por bëhet për të ndriçuar anën historike të ngjarjeve, për të thënë të vërtetën, atë të vërtetë që duhet të mësojë njeriu dhe jo gënjeshtrën historike që shkruhet nga politika.
- « Previous Page
- 1
- …
- 32
- 33
- 34
- 35
- 36
- …
- 43
- Next Page »