• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ligji i Luftës i Greqisë me Shqipërinë DE FAKTO dhe DE JURE nuk ekziston

October 16, 2013 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Vizita e delegacionit grek të kryesuar në zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm Elefteros Venizelos nxori në pah përsëri problemet e thella që ekzistojnë midis dy vende, ndër to edhe Ligjin e Luftës. (Vizita u realizua më 14 Tetor, pikërisht në ditën kur, 99 (14.10.1914), vite më parë ushtria greke që kishte pushtuar Jugun e Shqipërisë u tërhoq si pasojë e presioneve të fuqive të mëdha).

Ligji i Luftës që Greqia i ka shpallur Shqipërisë DE JURE dhe DE FAKTO nuk ekziston. Presionet për ekzistimin e Ligjit të Luftës bëhen vetëm për dy çështje: 1).Shqipëria të njohi autonomin politike, ekonomike dhe kulturore të minoritetit greke në Jugun e Shqipërisë ose e thënë në gjuhën që shprehen grekët Autonominë e Vorio Eopirit. 2). Përvetësimin përgjithmonë të pronave të shqiptarëve në Greqi dhe mos rikthimin e tyre në Çamëri në bazë të Konventave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Historia e Ligjit të Luftës fillon më 10 nëntor 1940 kur u shpall dekreti mbretëror grek – ligji 2636 mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë dhe Shqipërinë. (Shqipëria kishte më shumë se një vit e pushtuar nga Italia fashiste e Musolinit). Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë që udhëhiqej nga kryeministri Jorgos Xolagoklus e hoqi Ligjin e Luftës. Por pas përfundimit të luftës qeveria e sapo formuar në vitin 1945 e rikthen atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë me një dekret të ri numër 13.

Një dokument i Departamentit të Veçantë Ligjor të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Departamenti i së Drejtës Publike Ndërkombëtare, dhe shteteve të datës 16 nëntor 2007, thuhet se: “Ne Ju njoftojmë se aq sa dimë, nga 10 nëntor 1940 NW Përcaktimi si shtete armiqësore në kuptimin e Ligjit të Emergjencave Nr 2636/1940 të Italisë dhe Shqipërisë dhe pozitës në aplikimin për vende anëtar dispozitat e ligj. (Qeveria Gazeta Një 379), u kthye në Forca me Ligjin 13/1944 (Qeveria Gazeta 1944)”.

Më poshtë, në këtë dokument shkruhet se është raportuar se në kontrast me Shqipërinë, të gjitha çështjet e pazgjidhura me Italinë, natyrës politike dhe ekonomike, janë zgjidhur nga një seri prej traktateve, marrëveshjeve dhe konventave në mes të 1946 dhe 1949.

Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946 Greqia kërkoi ndryshimin e kufirit me Shqipërinë duke kërkuar jugun shqiptar. Gjithashtu nuk pranoi që Shqipëria të konsiderohej aleat i vendeve fituese kundra fashizmit. Më 1949 ushtria e Greqisë afroi forcat e saja në kufi për të hyrë në Shqipëri, atëherë pati shumë provokacione me të vrarë nga të dy palët dhe në historinë shqiptare këto ngjarje njihen si provokacionet e Gushtit të 1949. Më 1968 marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës arritën deri në një luftë të hapur pas pretendimeve greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Në gusht të atij viti Greqia mbajti Kongresin e Vorio Epirit ku pjesëmarrësit dolën me deklaratën se Greqia duhet të çlirojë Vorio Epirin (Jugun e Shqipërisë) të pushtuar nga shqiptarët. Siç duket emocionet e suksesit të Kongresit çuan deri aty sa politikanët dhe ushtarakët grek të bëjnë gabim drastik duke mbledhur forca të mëdha ushtarake në kufi për të sulmuar Shqipërinë. Në 1 shtator 1968 forcat e mëdha të ushtrisë greke u tërhoqën nga fronti njëherë e përgjithmonë, duke lënë vetëm ato forca ushtarake që i mbanin zakonisht për ruajtjen e kufirit. Këto do të ishin edhe përpjekjet e fundit të grekëve për të bërë presion për pushtimin e jugut të Shqipërisë me pretekstin për mbrojtjen e “voriepiriotëve”. Që nga ajo kohë nuk ka pasur acarime të ngjashme midis dy vendeve.

Në vitin 1971 Kryetari i sapo zgjedhur i Republikës së Greqisë me anë të puçit ushtarak koloneli Jorgos Papadhopulos, më 6 Maj vendosi për marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Shqipërisë. Që nga vitit 1939 e deri më 1971 Shqipëria dhe Greqia nuk kishin marrëdhënie diplomatike midis tyre. Në fillim u hap pika kufitare midis Follorinës dhe Kapshticës. Në vitin 1978 filluan edhe fluturimet e para të linjës ajrore midis Athinës dhe Tiranës.

Gjatë një fjalimi në Janinë më 23 shkurt të vitit 1984 kryeministri Andrea Papandreu deklaroi se Greqia nuk kishte pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, por i kërkonte Tiranës respektimin e minoritetit grek në Shqipërisë. Më 28 gusht 1987 Qeveria e Andreas Papandreu, i pranishëm dhe Karolos Papulias në pozicionin e ministrit të jashtëm, heq Ligjin luftënxitëse mes Greqisë dhe Shqipërisë. Ky vendim u zbatua nga një akt i kabinetit dhe të lidhura në thelb për të rregulluar komponentin civil të situatës së përgjithshme situatat ekzistuese midis dy vendeve, të cilat kanë qenë të tensionuara që prej themelimit të shtetit shqiptar. Ky veprim është bërë me arsyetimin se ishin pjekur kushtet për afrimin e të dy vendeve dhe për të siguruar kushtet më të mira të jetesës së minoritetit grek në Shqipëri.

Disa vite më vonë Ministria e Jashtme greke botoj një shkresë me titull: “Korniza konvencionale”, brenda të cilës në themel të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve u përcaktua Pakti i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë Fqinjësisë së Mirë të nënshkruar më 21 mars, 1996 (ratifikuar nga N.2568 / GG A8/13-1-1998).

Dokumenti zyrtar i dërguar nga Ministria e Jashtme e Greqisë më 1999 që tregon mbi Ligjin e Luftës që ekziston midis dy vendeve nuk është një dokument seriozë në bazë të Ligjeve Ndërkombëtare, por një letër presioni për ti treguar qeverisë së brishtë shqiptare të atyre viteve se mund ta rrëzojnë nga pushteti kur të duan. Të mos harrojmë se ajo letër ka ardhur në kohën kur Ballkani ziente nga lufta në Kosovë dhe Greqia për të treguar besnikëri ndaj Serbisë e ka dërguar atë shkresë jo-serioze dhe jo-diplomatike fill pasi u nënshkrua kapitullimi i regjimit të Millosheviçit në Kumanovë.

Në të vërtetë Ligji i Luftës i Greqisë nuk ekziston De Fakto dhe De Jure, nuk ekziston as dokumenti origjinal zyrtar i Mbretërisë së Greqisë të vitit 1945, me numër 13. Nëse do ekzistonte Ligji i Luftës, atëherë përse Greqia që nga vitit 1990-1998, lejoj mijëra emigrantë shqiptar pas asnjë dokument identifikimi të jetonin dhe punonin atje? Përse Greqia ka lejuar mijëra shqiptar pas vitit 1990 të blejnë shtëpi, dyqane dhe toka? Përse Greqia votoj Pro anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kur kishte mundësi të votonte kundër ashtu siç bëri me Republikën e Maqedonisë?

Besoj se ka ardhur koha që politikanët shqiptar të shfrytëzojnë fatin që u ka ardhur tek dera këto për një politikë më dinjitoze dhe kombëtare për ballë Greqisë me qëllimin e mirë që mos të biem në kurthet e shitjeve të pasurisë kombëtare për karrigen e karrierës politike, por të flasin me Greqinë si dy anëtarë të barabarta në NATO, dhe jo si marrëdhënie të pronarit me çirakun.

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, ligji i Luft

Përgjumja e shqiptarëve në Maqedoni

September 19, 2013 by dgreca

“Një popull që flen, ai popull vdes”. (Ismail Qemal Bej Vlora)/

Shkruan: Arben LLALLA/

Më në fund partitë politike shqiptare hoqën dorë butësisht nga kërkesat e shqiptarëve për barazi me qytetarët sllavë në Maqedoni. Prej shumë vitesh shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të mashtrohen nga intelektualët me kapacitete të kufizuara për interesa të tyre personale. Kaluan kaq vite dhe shqiptarët ende janë qytetarë të kategorisë së dorës së dytë ku i mohohet shkollimi në gjuhën amtare si në shek.19, flamuri kombëtar tashmë me ligj është zvogëluar duke e humbur krenarinë shqiptare, shkatërrimi ekonomik i ndërmarrjeve të mëdha, degradimi i fesë etj. Për të larguar vëmendjen nga këto probleme shoqërore që ndeshen shqiptarët në Maqedoni prej shumë vitesh sistemi shtetëror i ndihmuar nga grupe të ndryshme intelektualë shqiptar të vënë në shërbim të interesave sllave shpikin probleme të reja të cilat nuk kanë lidhje fare me atë se çfarë po ndodh në të vërtetë me shoqërinë shqiptare. Kjo lloj metodë hynë në luftërat e qeta të cilat zhvillohen me “Armët e heshtur”. Armët e heshtura janë avancuar si pasojë e zhvillimit ekonomik dhe teknologjik këto 30 vitet e fundit. Kjo ka bërë që pushteti të veprojë në kohën e duhur me anë të elitave të saja për të ndalur zhvillimin e klasës së mesme e cila gjithnjë historikisht ka udhëhequr revolucionet. Kështu, sistemi shtetëror ka më shumë kontroll mbi popullin dhe pushtetin e gjerë duke bërë të mundur izolimin e tyre. Kuptohen se të gjitha këto bëhen që shqiptarët të mbeten të prapambetur dhe mos të kenë informacionet e duhura se çfarë po ndodh me botën përreth.

Kujtesa e dobët e votuesve shqiptar ka bërë që askush të mos flasin dhe të shkruaj për të dënuarit padrejtësisht të rastit të Sopotit, për vrasjen dhe burgosjen e ish-ushtarëve të UÇK-së, rasti i Kondovës, për vrasjen e një studenti shqiptar më 2005 në dhomën e tij nga policia në Tetovë, për të burgosurit e Brodecit, për vrasjen e Harun Aliut dhe Shaban Zenun, për burgosjen e shqiptarëve, rastit Mostra, për rrahjet e nxënësve shqiptar nëpër autobuzë, për premtimet që partitë shqiptare u betohen votuesve të tyre, etj.

Shqiptarët në Maqedoni protestuam disa herë për luftërat qytetare në Egjipt dhe Siri duke kërkuar me të drejtë ndaljen e tyre dhe paqja të mbizotërojë në këto shtete, por shqiptarët kanë disa vite që nuk po protestojnë për të drejtat e tyre që shkelen çdo ditë me të dyja këmbët në Maqedoni. Deputet shqiptar, ata papagallët xhuxh maxhuxh që dikur çirreshin në emër të luftës dhe viteve të burgjeve të ish-Jugosllavisë janë fshehur pas gishtit sepse i mbushën xhepat duke siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre me pasuri të bërë në emër të Patriotizmit.

Është për të zënë kujën kur shikon familjet e dëshmorëve dhe të invalidëve të luftës së 2001 në një varfëri të thellë, prej kaq vitesh ata u mashtruan për pensione dhe përkrahje nga partia që thirren në emër të luftës, por në të vërtetë ajo është thjeshtë parti si shumë partitë të tjera që u përkasin vetëm 2-3 personale për përfitime biznesesh personalë. Dikur një ministër çirrej se janë ngritur komisione të punës për të krijuar bazën ligjore për tu dhënë pensione, por në të vërtet asgjë nuk u bë, çdo deklaratë e këtij ministri kokëtul kishte qenë gënjeshtër si shumë gënjeshtra që thonë përditë përfaqësuesit e votës shqiptare në Maqedoni.

            Ende vazhdon të qarkullojë Enciklopedia e famshme sllave që ofendon kombin shqiptar dhe asgjë nuk u bë, as nuk u ndal e as nuk u korrigjua. Fëmijët shqiptar mësojnë nëpër shkolla me tekste shkollor që ofendohet kombi i tyre dhe asnjë inspektor i arsimit nuk ka kërkuar ndalimin e këtyre teksteve shkollorë.

Jemi dëshmitarë që arsimi shqip po degradon sot duke e ulur cilësinë e sajë dhe na ushqyer me injorancë dhe mediokritet. Shtresat e ulëta sociale shkollohen me modesti duke bërë të mundur që hendeku midis klasës shoqërore të lartë dhe të ulët të ketë një hapësirë ndarje të pakapshme. Shumë njerëz janë pajisur me diploma të pamerituara, në fund të çdo viti shkollor brenda natës 10 njëshat mund të bëhen 10 dysha.

Dikur studentët shqiptar quheshin me të drejtë studentë heronj, por sot Unionet e studentëve janë kthyer në vegla të partive politike edhe një Union i studentëve të pavarur që funksionojnë diku nga viti 2005-2007 u zhduk bashkë me daljen në “pension” të kryetarit të saj. (Siç duket shumica e shoqatave, partive apo organizatave shqiptare funksionimin e tyre e lidhin vetëm me emrin dhe figurën e kryetarit të saj). Nuk kemi dëgjuar prej kaq vitesh që Unionet e studentëve shqiptar të protestojnë për të drejtat e tyre, siç duket studentët janë të kënaqur me jetën e tyre studentore dhe programet mësimore në universitet që ndjekin. Ishte nder të diplomoje në Universitetin e Tetovës, tashmë ndihemi në turp kur shikojmë se si diplomohen në Universitetin Shtetëror të Tetovës individë që nuk kanë mundur të marrin me meritë diplomën e shkollës së mesme. Nëpër institucionet shtetërore punësohen militant partiak të cilët i përkasin shtresës së ulët të shoqërisë dhe jo individë që mund ti ofrojnë zhvillim vendit dhe shoqërisë.

Shqiptarët në Maqedoni duken sikur janë përgjumësh, por kur do zgjohen atëherë shqiptarët në Maqedoni? Shqiptarët do zgjohen kur të hanë shpulla deputetët e tyre në Kuvendin e Maqedonisë, kur do të hanë shpulla ministrat shqiptar nga huliganët sllavë. Kjo gjë ka ndodhur edhe dikur me deputetët shqiptar në Kuvendin e Perandorisë Osmane. Ishte Marsi i vitit 1911, deputeti Ismail Qemal Vlora kërkoj llogari për shpifje në një shkrim të botuar në gazetën turke “Le Jeune Turc” dhe deputeti xhonturk Dervish Beu duke vërejtur tonin e lartë të zërit, atëherë i ra me shpullë Ismail Qemal Vlorës. Deputeti shqiptar Hasan Prishtina reagoj duke thënë “Zotërinj, ta dini mirë se kjo ngjarje do të sjellë shumë të liga”. Më tej deputetët xhonturq i kërkuan falje Ismail Vlorës, por shpulla e Dervish Beut e kishte bërë të vetën, nacionalistët shqiptar ishin zgjuar nga gjumi i thellë nën jorganin e Perandorisë Osmane dhe pas më shumë se një viti Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë më 1912.

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arben llalla, e shqiptareve ne MAQEDONI, Pergjumja

Simon Sina, Ndërtuesi i Akademisë së Athinës

September 4, 2013 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Më 6 Shtator Konsullata greke në Korçë ka paralajmëruar se do të mbaj një akademi përkujtimore për Gjergj dhe Simon Sinën, për kontributin bamirës të tyre ndaj Greqisë. Por diplomatët grek duhet të thonë atë ditë se Sinajt ishin shqiptar dhe jo “vorio epirito”, andaj për tua kujtuar grekëve po ribotoj studimin tim rreth origjinës shqiptare të familjes Sina, burimet e këtij studimi janë marrë nga bibliografi greke.

Për krijimin e shtetit grek, arvanitët kanë ndihmuar në të gjitha drejtimet për ecurinë përpara të Greqisë. Arvanitasit ishin profesorët e parë që themeluan Akademinë e Athinës.

Që në vitet e para të Kryengritjes të 1821, luftëtarët e lirisë kishin dëshirë të themelonin Akademinë, sepse besonin se arma më e fuqishme ndër të gjitha ishte ndriçimi i trurit.

U bënë shumë përpjekje për të hapur Akademinë në Athinë, por dështuan. Vetëm në vitin 1926 ministri i atëhershëm i arsimit Dhimitër Egjiniti, arvanitas nga Egjina, raportoi dhe u botua Urdhëresat Kryesore më 18 mars 1926 dhe bëhej realitet Akademia e Athinës me pamjen e brendshme dhe detyrën e sotme.

Ndërtesa ku strehohet Akademia ka një histori të veçantë sepse për ndërtimin e Akademisë të hollat i dhuroi një shqiptar nga Voskopoja, por me rrënjë nga Bithkuqi me emrin Simon Sina.

Më 1856 tregtari tepër i pasur nga Voskopoja e Korçës në Vjenë të Austrisë, Simon Sina, dëshironte ti bënte një dhuratë të madh Greqisë, brenda në Athinë. Simon Sina ishte djali i Gjergj Sinës ish-Konsull i Përgjithshëm në vitin 1834 i Greqisë në Austri. Familja Sina ishin me origjinë nga Bithkuqi (sot Vithkuq) i Korçës, por që andej ishin ngulur në Voskopojë dhe më vonë u vendosën në Vjenë. Sinajt u morën në fillim me zhvillimin e tregtisë midis Austrisë dhe Perandorisë Otomane. Më vonë themeluan fabrika të penjve dhe të stofave të pambukta. Themeluan Bankën Kombëtare të Austrisë. Familja Sina bënë shumë dhurata bamirëse, midis tyre urën e varur të Budapestit e cila kushtoi atëhere 500 mijë stërlina angleze.

Gjergj Sina ishte nënkryetar i Bankës Austriake, kryetar i shoqërisë së hekurudhave në Austri, pronar tokash në Austri, Bohem, Moldavi, Rumani, Serbi etj. Familja Sina është dekoruar nga qeveritë Ruse, Turke, Greke për bamirësitë e tyre në këto vende. Gjergj Sina ishte edhe qytetar nderi në disa qytete të Hungarisë. Ai vdiq më 18 maj 1856. Kështu që djali tij Simon Sina ndoqi gjurmët e të atit duke bërë edhe ky dhurata të mëdha bamirëse. Sinajt nuk harruan kurrë atdheun e tyre Shqipërinë. Ata dërguan shumë bij shqiptarësh me bursa falas në Universitetet e Europës. Kështu Simon Sina për dhuratën që dëshironte të bënte në Athinë e bisedon me ambasadorin e Greqis në Austri, z.Skina dhe ai menjëherë i diktoi të ndërtojë pallatin e Akademisë. Sina e pranoi dhe i paraqiti planet inxhinierit Teofil Hanse, i cili na dha kryeveprën që është akoma sot ndërtesa e Akademisë.

Natyrisht punuan shumë artistë, mjeshtra ndërtimi, skluptorë dhe piktorë, por çelsi ishte Teofil Hanseni.

Më 1859 filluan punimet e para. Por më 1863 Sina ndërpreu punimet, sepse, siç thotë, erdhi në front mbreti Oton. Mërzia i kaloi pas disa vitesh, më 1868, vendosi të rifillojë punimet. Më 15 prill 1876 Simon Sina vdes duke lënë trashëgimtar vetëm dy vajza dhe, në bazë të trashëgimisë të tij, e vazhdoi dhe e mbaroi veprën gruaja e tij Ifigjenia Sina më 1885. Kur u hapën portat e Akademisë më 1885, Ifigjenia Sina i dha si dhuratë kryeministrit Deljani 800.000 mijë dhrahmi, por ai nuk e pranoi dhuratën. Vitin tjetër Harrilla Trikupi u interesua për atë shumë tepër të madhe për kohën, por atëherë trashëgimtarët e Sinës ishin varfëruar.

Kështu, hapja e Akademisë së Athinës u dedikohet, pra, dy arvanitasve të vërtetë, Teodoros Pangallos, që ishte atëherë në brendësi të punimeve, dhe arvanitasit tjetër Dhimitri Egjiniti, që ishte atëherë ministër i Arsimit.

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, ndertuesi i akademise, se Athines, Simon Sina

SHENJTORJA SHQIPTARE QË I LUTEN SERBËT

August 26, 2013 by dgreca

Mendoj që ka ardhur koha për ti thënë të vërtetat historike të kombit tonë, por e vërteta nganjëherë është edhe e dhimbshme./

Nga Arben LLALLA*/

Ne Foto:Shen Angjelina, shenjetorja shqiptare qe i luten serbet/

Shqiptarët janë një popull euforik, me ndjenja të forta emocionale dhe tolerant, të cilët nuk janë kujdesur shumë për të shkruar historinë e tyre në përgjithësi. Kanë qenë të huajt ata që kanë shkruar në përgjithësi historinë e popullit shqiptar, dhe është e kuptueshme që këta të huaj të bëjnë shpeshherë edhe shtrembërimet e ngjarjeve historike ose të fshehin të vërtetat e krenarisë të kombit shqiptar.

Arkivat dhe bibliotekat e botës dhe manastiret e vendeve fqinje me Shqipërinë fshehin shumë të dhëna rreth shqiptarëve, ndoshta në këto vende gjenden edhe libra të shkruar në gjuhën shqipe të shek.XI. Si pasojë e këtyre që thamë më lart kemi mungesa të lidhjeve të shumë ngjarjeve duke krijuar një boshllëk të madh në historinë tonë kombëtare.

Shën Angelina ose Nëna Angelinë që serbët i përkulen dhe i falen me aq dashuri dhe përkushtim është një vajzë shqiptare. Për këtë figurë ne do japim disa të dhëna për tia bërë të njohur opinionit se shqiptarët janë një popull vital e me kulturë dhe nga ky popull kanë dalë shumë Shenjtor që bota e krishtere i respekton dhe përkulet para tyre. Prandaj është më e pëlqyeshme kështu se sa të mbahet në heshtje dhe ky fakt i vërtetë që Shën Angelina e Serbisë është shqiptare me gjak, gjuhë dhe edukatë.

Angelina Komneni-Brankoviç (1440-1520) ishte e bija e princit Gjergj Arianit Komnenit (1383-1462). Gjergj Arianit Komnen Golemi Topia kishte për grua Marinë e cila ishte e bija e Despot Gjin Muzakës. Angjelina Komneni u martua me Despotit serb Stefan Brankoviç (1417-1476), i cili ishte i verbër, ceremonia e kurorëzimit të tyre u bë në qytetin e Shkodrës në Nëntor 1460. Nën mbrojtjen e Skënderbeut çifti i ri qëndroj një vit në Shqipëri ku lindi edhe djali i tyre i parë Georgio Brankoviçi. Më tej me këshillimin të Skënderbeut familja Brankoviç nëpërmjet Lezhës kaluan në Itali pasi Serbia ishte pushtuar nga Turqit. Derisa sa vdiq Despot Stefani jetoj me dhurata bamirësie nga Venediku, Dubroniku dhe Papa. Ai ishte Despot i Serbisë nga viti 1458-1459.

Angelina Komneni nga martesa me Despotin e Serbisë Stefan Brankoviç bëri tre fëmijë, Gjergji – Georgio, Gjoni-Jovanin dhe Marinë. Pas vdekjes së Despot Stefanit në 9 Tetor 1476, Angelina bashkë me fëmijët jetonin në mjerim dhe kështu ajo i shkroi një letër mbretit të Hungarisë Mattias i cili i ftoj për të jetuar në Hungari duke i dhënë titull Despot në Mërgim të Serbisë Georgit më 1486. Në vitin 1496 Georgi u bë murg dhe titullin mbretëro ia la vëllait të tij Gjonit-Jovanit. Georgio u bë Kryepeshkop i Beogradit me emrin Maksim-Maxim në vitin 1508, dhe ishte Argjipeshkv deri sa vdiq më 1516.(Titulli Argjipeshkv i përket kishës katolike dhe jo ortodoks).

Gjon-Jovan Brankoviçi e mori titullin Despot më 1496 dhe e mbajti këtë titull deri sa vdiq më 1502, dhe ishte trashëgimtari i fundit i familjes Brankoviçe pasi nuk lanë trashëgimtar të gjinisë mashkullore. Jovan Brankoviçi u martua me Jelenom dhe kishin pesë vajza, pas vdekjes gruaja e tij u martua me Ivanish Berisllaviç duke i dhuruar edhe titullin Despot.

Për përkushtimin dhe devotshmërisë që tregoj Angelina për familjen e saj dhe dashurisë ndaj Zotit, duke ndërtuar manastire për gra, kisha serbe e shpalli atë të Shenjtë. Angelian Komneni e arsimuar dhe e edukuar në familjen prindërore, me dashurinë e saj për bashkëshortin dhe fëmijët qartë tregon shpirtin human të femrës shqiptare. Ajo u martua me një njeri të verbër dhe nuk e braktisi atë kurrë. Kur turqit pushtuan Serbinë, Angelina mori me vete për në Hungari relikat dhe eshtrat e burrit të saj.

Dita e përkushtimit të Shën Angelinës është 30 Korriku, (me kalendari e vjetër 12 Gushti), dita e vdekjes së saj, 1520. Çdo 30 Korrik e tërë Serbia feston për të nderuar dhe kujtuar shqiptaren Angelina Komneni-Brankoviçin. Por Shën Angelina përkujtohet edhe më 10 Dhjetor bashkë me burrin e saj Despot Stefanin. Ajo nderohet si shenjtore nga Kisha Ortodokse Serbe me titullin Shën Angelina, Nënë e Nderuar.

Shumë relika dhe eshtra të familjes Brankoviç ndodhen në Manastirin e Krushedolac, midis tyre edhe krahu i majtë i Nënës së Nderuar Shën Angelinës. Ky manastir që është ndërtuar nga vetë Angelina ndodhet në Vojvodinë afër qytetit Sremit,

Nëse historianët shqiptar do të ishin marrë pak më shumë rreth Shenjtorëve me origjinë shqiptare që bota i respekton dhe i lutet, atëherë ne sot do i faleshim shenjtorëve shqiptar dhe jo atyre grek e sllavë.

Shënim: Shkrimi ka qëllime historike, ju lutemi mos e keqpërdorni politikisht

*Historian

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, Llalla Arben, qe i luten, serbet, shenjtorja shqiptare

Magarevo dhe Nizhopoli fshtrat ku banoni shqiptarët ortodoks

August 18, 2013 by dgreca

Ne Foto: Kisha e Shen Dimitrit ne Magarevo/

Nga Arben LLALLA/

Shpeshherë kemi lexuar rreth shqiptarëve ortodoksë të Rekës në Maqedoni të cilët janë asimiluar dal ngadalë si pasojë e presioneve të ndryshmet. Por për veç fshatrave të Rekës shqiptarët ortodoks kanë banuar në fillim të shek.XX në zonën e Kavadarcës në dy fshatra, KONOPIŠTA dhe MREŽIČKO. Në këto dy fshatra disa banorë janë deklaruar të fesë ortodokse me kombësi shqiptare në fillim të shek.XX, por ne, do flasim edhe për dy fshatra të tjerë që ndodhen afër qytetit të Manastirit që dikur kanë banuar shqiptar ortodoks, ndërsa sot banorët janë deklaruar maqedonas dhe vlleh. Bëhet fjalë për fshatrat MAGAREVO dhe NIZHOPOLE. Por si u asimiluan shqiptarët ortodoks të këtyre dy fshtrave?

Magarevo dhe Nizhopoli janë dy fshatra që ndodhen në Republikën e Maqedonisë afër qytetit të Manastirit, në kufi me Greqinë dhe Shqipërinë. Këto dy fshatra janë ato raste ku shqiptarët e krishterë u asimiluan ndër vite për shumë arsye.

Në shekujt e mëparshëm shqiptarët në mungesa të shkollave shqipe mësonin në shkollat turke, greke, bullgare, serbe dhe vllehe. Kjo bëri në ato vite që studiuesit e huaj ti identifikonin si popullsi jo-shqiptare. Si pasoj për fat të keq kemi mungesa informacioni për numrin e vërtetë të shqiptarëve në Ballkan gjatë shek.XIX dhe fillim të shek.XX, sidomos për shqiptarët e krishterë.

Nga shek. XVIII në Magarevo banonin rreth 5-6 familje sllave, por nga fundi i viteve 1770 në fshat u vendosën shumë familje vllehe shqip-folëse nga Linotopi si dhe shqiptar ortodoks nga Kolonja dhe Bithkuqi i Korçës. Thuhet se në këtë fshat në fillim të shek.XIX ka patur rreth 13 mullinj dhe Megarovo ose Magarevo njihej si pronë nën sundimin e Seit Rustem Beut, Kajmakam i Manastirit. Nga disa të dhëna na informojnë se në këtë fshat nga viti 1845 erdhën edhe disa familje të tjera shqiptare nga Bithkuqi të ftuar nga familjet vendase tashmë të Magarevës. Në përgjithësi banorët e këtij fshati merreshin me bagëti dhe numri i banorëve i kalonte 3.000 njerëz. Në lulëzimin e tij fshati ka patur disa shkolla ku mësohej në gjuhën greke dhe vllehe. (Asimilimi i shqiptarëve në kohën e perandorisë osmane bëhej me anë të shkollave ku pjesa e shqiptarëve mysliman mësonin në shkollat turke ndërsa shqiptarët ortodoks nëpër shkollat greke, bullgare, serbe dhe vllehe).

Në librin Etnografia e Vilajeteve të Adrianopojës Manastirit dhe Selanikut të botuar në Stamboll më 1878, në pasqyrën e statistikave shkruhet se në fshatrat Magarovo, Tërnovo dhe Nizhepole jetonin 3.000 vlleh dhe 500 shqiptar.

Historiani grek Apostol Vakalopulos (1909-2000) shkruan në librin Historia e Maqedonisë 1354-1833, se në fund të shek.XVIII në Megarovo erdhën disa familje shqiptare nga Kolonja dhe Bithkuqi. Ka edhe shumë burime të tjera greke që shkruajnë se në këtë fshat kanë jetuar shqiptar ortodoks, por për më gjerë i mbten të ardhmes për të shkruar.

Sot Magarevo është një fshat i vogël dhe në regjistrimin e vitit 2002 u deklaruan 64 maqedonas dhe 24 vlleh.

Fshati Nizhepole është tjetër fshat në Maqedoni afër qytetit të Manastirit që pothuajse ka të njëjtën histori si Magarevo. Ish-ministri i arsimit të Bullgarisë Vasili Kënçov shkruan më 1900 se në Nizhopole banojnë 250 shqiptar të krishterë, 190 bullgarë dhe 2.030 vlleh.

Në përfundim duhet thënë se e rëndësishme është se kur nuk ekzistonte shteti shqiptar dhe institucionet kombëtare, të huajt na kanë sjellë të dhëna për popullsinë shqiptare ortodokse dhe myslimane edhe pse këto të dhëna mund të jenë të cunguara duke tkurrur sa më shumë realitetin e popullsisë shqiptare në Maqedoni.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: arben llalla, fshatra, Magarevo dhe Nizhopoli, me ortodokse, shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT