• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fakulteti teknik – stop krimit arkitektonik

March 20, 2017 by dgreca

(Humbja e identiteti urban të Prishtinës dhe Kosovës)/

Shkruan:  arch. Ylber Vokshi -Ylli/*

Ma në fund pas 17 vite në shekullin e ri përjetova një protestë të arkitektëve dhe disa profesorëve me moton “stop krimit arkitektonik “, të cilët janë lodhur me gjithë atë që është duke ndodhur në Kosovë këto vite në fushën e ndërtimit. Shkas ishte ndërhyrja në fasadën e objektit të Fakultetit Teknik,gjegjësisht në degradimin total të një objekti të “arkitekturës brutaliste”, që është gabimi i pa falshëm,të cilin ata që e kanë bërë këtë veprim e kanë pasur obligim ligjor dhe profesional që mos ta bëjnë. E kur kjo vjen nga ata që po na i edukojnë gjeneratat e reja se si duhet punuar duke i respektuar normat,standardet teknike, ligjet dhe konventat ndërkombëtare të ndërtimit apo rehabilitimit,atëherë kjo është shqetësuese dhe kërkohet ndërhyrje urgjente e  strukturave vendimmarrëse në këtë shoqëri, sa nuk është bërë tepër vonë.

Thelbi i problemit është se edhe profesionistët tanë,të instaluar në institucionet e larta arsimore (universitete dhe kolegje),nuk e vlerësojnë dhe nuk e dinë çka është IDENTITETI URBAN I QYTETIT. Nuk ka vetëm vlera arkitektonike objektit në fjalë, i projektuar nga një arkitekt i njohur slloven me nam botëror, që askush nga këndvështrimi i sodit nuk mundet ta kontestojnë. Është vlera historike e objektit me një të kaluar specifike identitare, i ndërtuar para 45 vite (1972) në kohën kur populli shqiptar i Kosovës filloi të frymoi pak ma lirë. Atë duhet gjithsesi ruajtur me disa ikona tjera të kohës si dëshmi të një kohe,e jo në këtë mënyrë vandale ma ia zhdukur identitetin e sajë të krijuar me mund të madh.

U befasova për të mirë me reagimin e një grupi të profesionistëve të rinj,pjesa dërmuese e të cilëve ishin arkitekt të ri dhe student të arkitekturës,të cilët pakënaqësinë e tyre me disa punime ndërtimore në objektin e Fakultetit Teknik u detyruan ta shprehin edhe publikisht në formë demonstrate apo proteste kundër degradimit të objektit. Ishte i vogël numri i atyre që demonstruan por ishte veprim i madh,i pa parë deri me tani për kauzën e drejtë për të cilën protestuan, për ruajtjen e identitetit urban të Prishtinës, gjegjësisht të objektit të Fakultetit Teknik.

Nuk ishte kjo pakënaqësi e ndërlidhur me grupet e ndryshme të interesit, siç ka ndodhur disa herë në këto hapësira tipike të Ballkanit. Arkitektët në vitet e pas luftës,në shekullin 21 kanë ditur publikisht të demonstrojnë “me sukses” edhe kundër licencimit të tyre ,në mënyrë që të ketë rregull dhe ligjshmëri në fushën e ndërtimit në Kosovë, të cilën plotësisht e kanë degraduar duke bashkëpunuar me të keqen.

Askush nuk mundet të jetë kundër rehabilitimeve gjegjësisht rindërtimeve, revitalizimeve,regjenerimeve,restaurimeve arkitektonike dhe urbane,zhvillimi i shoqërisë e kërkon këtë. Është ky proces i pandalshëm nëse dëshirojmë të përcjellim dhe të aplikojmë të arriturat teknologjike në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit në botë. Për këtë ka disa rregulla dhe kritere që domosdo duhet respektuar, çka ende nuk vlen në Prishtinë dhe Kosovë. Kjo në mënyrë të pa dukshme do të na hakmerret nëse nuk i ndalojmë këto veprime të çoroditura,pa i respektuar as rregullat elementare të qytetërimit. Në rastin konkret ka metoda dhe mënyra të shumta se si të izolohet objekti në aspektin termik  dhe akustik e mos të degradohet,ndryshohet pamja e jashtme (fasada) e tij.

Kur në vitin 2010 tentova të sensibilizoi komunitetin profesional të arkitektëve dhe të tjerëve, të reagojnë me ndonjë deklaratë publike,peticion apo demonstrim pakënaqësie lidhur me degradimin e madh të disa komplekseve dhe objekteve me vlera arkitektonike dhe historike,hasa në zërin e shurdhët të atyre që ma së shumti iu përkiste mbrojtja e tyre, arkitektëve që vepronin në numër të  madh në tërë Kosovën.

Shkas ishte ndërrimi skandalozë i fasadës së  hotelit Grand në  Prishtinë mu në qendrën e ngushtë të kryeqyteti,të tëra këto veprime kaluan pa reagimin ma të vogël të arkitektëve dhe intelektualëve të shumtë që veprojnë dhe jetojnë në Prishtinë. Personalisht isha tmerruar me këtë veprim dhe u detyrova të bëjë një reagim publik personal me një shkrim kritikë i cili pati reagime të shumta e asgjë tjetër. Kjo  tregoi një të vërtetë të hidhët se sa neve dimë dhe çmojmë identitetin urban të krijuar me mund të madh me dekada dhe shekuj. Se si ne dimë me e harruar të kaluarën e cila ma së miri dokumentohet me objekte të ndërtuara në vazhdimësi deri me sot.Nuk është ky rasti i vetëm, kështu është vepruar edhe me disa objekte tjera në Prishtinë, kësaj dukurie të shëmtuar nuk kanë mundur ti ikin edhe shumë objekte në qendrat tjera komunale në Kosovë si:

  • Fasada e qelqit në objektin e Kuvendit të Kosovës në Prishtinë e cila të jep përshtypjen e një”arrne”të shëmtuar,degraduese nga aspekti arkitektonik,vepër e arkitektit të njohur Juraj Neidhart. Kush ishte ai që e bëri këtë krim arkitektonik,nga mosdija apo me qellim.
  • Bastardimi i objekti të pallatit të shtypit ,(ish Rilindja ), autori i punimit (prof. Konstadinovski),as që e njohu veprën e tij kur ishte në vizitë në Prishtinë.
  • Zhdukja e gjurmëve të ish hotelit “ Iliria “ e me te edhe të një pjese të historisë së Prishtinës,ku u ndërtua një strukturë e re hoteliere (Swiss Diamond).
  • Rrënimin e hotelit të vjetër ”Pashtriku”në Gjakovë, që me aq mund u inkorporua në strukturën e re të qendrës së qytetit.
  • Rrënimin e shumë monumenteve arkitektonike si objektet sakrale (xhamit) e shumë shtëpia banimi karakteristike, monumenteve kulturore,të cilat ishin nën mbrojtjen e shtetit për vlerat e tyre të pa mohueshme arkitektonike dhe historike,aq me lehtësi janë zhdukur nga faqja e dheut këto vite.

Përse është i rëndësishëm identiteti urban shumë pak i trajtuar në tërë Kosovën me theks të veçantë në kryeqytet. Sa lehtë e anashkalojmë e harrojmë ekzistencën tonë në këto hapësira. Gjithnjë nuk e kemi vlerësuar të kaluarën tonë e cila ma së miri identifikohet me objekte, të cilat çdo shoqëri në mënyrë institucionale i ruan për të treguar dhe dokumentuar lashtësinë e vet, ne mu këto vlera historike dhe arkitektonike i kemi zhdukur,e të njëjtën gjë jemi duke bërë edhe tani me paturpësi në shekullin 21,kjo është e pa falshme.Kjo çështje nuk i përket vetëm një objekti të degraduar me renovimin e tij,është e ndërlidhur me filozofinë primitive jetësore të mjedisit ku jetojmë e veprojmë,të trashëguar  me dhunë nga pushtuesit e ndryshëm gjatë shekujve të kaluara. Ndryshe nuk ka shpjegime logjike për veprimet vetë shkatërruese tona. A mos jemi “popull i marrë” që me dorën tonë po zhdukim identitetin tonë arkitektonik,urban dhe historik ?Uroi që në të ardhmen të mos kemi ndërmarrje të tilla destruktive,të mos  detyrojmë gjeneratat e reja që me këto forma të shprehin mospajtimet e tyre, pasi vendimmarrësit kosovar duhet të kuptojnë dhe të vetëdijesohen se një herë e përgjithmonë ka kaluar koha kur kanë bërë çka kanë dashur në fushën e Planifikimit Hapësinor,Urbanizmit dhe Arkitekturës. Janë të obliguar të zbatojnë format bashkëkohore të komunikimit, me pjesëmarrjen aktive të komunitetit në proceset vendimmarrëse me transparencë të duhur.  Kërkohet të ketë veprime konkrete për të ndryshuar situatën e krijuar e jo të jemi indiferent ndaj identitetit urban,si deri me tani duke i lejuar këto veprime të dëmshme  për të gjithë ne.

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi -Ylli

20 mars 2017                                                                                   arkitekt i pavarur

*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)…

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: arc. Ylber Vokshi Ylli, Fakulteti teknik - stop, krimit arkitektonik

Java e Arkitekturës në Prishtinë ( PAW )

July 11, 2016 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/*Për nga natyra jam optimist i pa përmirësueshëm,ndoshta kam bërë “gabime strategjike” në disa raste, pasi nuk po mundem të korrespondoi me rrethin në të cilin jam i detyruar të jetoi. Shumë dukuri që kanë ndodhur në vitet e pas luftës në fushën e Planifikimit Hapësinor,Urbanizmit dhe Arkitekturës i kam kritikuar me qëllime dhe metoda konstruktive,duke propozuar zgjidhje konkrete,për të senzibizuar së pari profesionistët e fushës pastaj vendimmarrësit dhe opinionin e gjerë publikë. Për fat të keq, në një shoqëri si e jona,jam keqkuptuar,keqpërdorur e për këtë jam anatemuar,tentuar të më izolojnë, por rrugëtimi im i drejtë ende po vazhdon.

Çdo aktivitet apo ndodhi lidhur me Arkitekturën,Urbanizmin apo Planifikimin Hapësinor të territorit në Kosovë,gjithnjë i kamë përshëndetur dhe përkrahur pa marr parasysh seriozitetin,kualitetin apo rëndësinë e tyre. Volumi dhe prezenca e tyre është simbolike në krahasim me kërkesat dhe nevojat që janë evidente, duke e perceptuar realitetin e zymtë në fushën e ndërtimit dhe organizimit të territorit në vendin tonë. Ende në Kosovë nuk e kemi komoditetin të jemi kritik konstruktiv pasi ato ndodhi mungojnë tek ne, si rezultat i qasjes negative ndaj problematikës së ndërtimit në përgjithësi, ku vendi i Arkitekturës dhe Urbanizmit  është në ekstrem i margjinalizuar.

Fajtori kryesor për këtë situatë të krijuar pa dyshim janë arkitektët dhe pjesëmarrësit e tjerë në ndërtim, të cilët në mënyrë të pa turpshme iu nënshtruan presioneve jo-parimore të vendimmarrësve në të dy nivelet shtetërore. Këto synime të politik-bërësve kanë ekzistuar,ekzistojnë dhe do të ketë edhe në të ardhmen,është obligim i profesionistëve ti bindin ata që me forcën e argumenteve të bazuara në anën kreative artistike,pastaj në anën teknike,duke u bazuar në rregullat teknike,dhe ato ligjore. Së pari duhet respektuar Kodin Etik të arkitektëve dhe të profesionit,të cilin pak kush e ka lexuar apo respektuar. Kur tërë kësaj i shtohet edhe mos dhënia e përgjegjësisë për veprimet e bëra në këto vitet e pas luftës,atëherë as që befason injorimi total i kësaj situate të krijuar në Prishtinë,nga ana e organizatorit të manifestimit të PAW-it.

Kaluan katër (4) edicione të aktivitetit e ne po sillemi thua se asgjë nuk ka ndodhur këto vite në Prishtinë, në urbanistikën dhe arkitekturën e qytetit i cili është edhe  kryeqyteti i shtetit të Kosovës,ku janë lejuar mbi 40 000 ndërtime pa leje që nënkupton pa kontroll shtetëror. Në mesin e aktorëve dhe pjesëmarrësve në PAW kishte shumë aktorë aktiv që kanë kontribuar me të madhe në krijimin e kësaj situate kaotike në kryeqytet. Në asnjë rast nuk kanë reaguar për situatën e krijuar, por me të madhe kanë bashkëpunuar me ata që tërë një qytet e kanë pru në greminën e shkatërrimit,thua se Prishtina është “tokë e huaj”në univers.

Janë të mirëseardhura këto aktivitete të zhvilluara nga organizatorët, të financuara edhe nga përkrahësit dhe partnerët të ndryshëm. Për komunitetin profesional të arkitektëve, shkëmbimi i përvojave dhe njoftimi me lëvizjet dhe trendet e reja në projektimin arkitektonik dhe urban në regjion e ma gjerë, vetëm do të jenë një motiv shtesë për punë kreative. Por zhvillimi i këtyre ndodhive duke e apstrahuar realitetin e zymtë të gjendjes reale në tërë territorin e Kosovës e posaçërisht në Prishtinë,sipas meje është një mashtrim optik,i pa tolerueshëm pasi një qasje e tillë vetëm rritë ndasitë e mëdha në mes realitetit dhe dëshirave tona. Kjo qasje mundet të jetë kontra-produktive për shumicën e banorëve të kryeqytetit ,të cilët shumë vështirë janë duke e përjetuar situatën e krijuar urbane ku të bukurit në arkitekturë është vetëm një nocion për ta dëshiruar. Në këtë mënyrë, kjo vetëm po rritë ndasitë e mëdha në shoqëri që janë rrezik i madh për shtetin në të ardhmen, që disa po e neglizhojnë.

A ka arkitekturë autoktone në Prishtinë,sa është ndikimi i të kaluarës në veprat e sotme,si janë edukuar gjeneratat e reja të arkitektëve,sa janë ndikimet e trendeve ndërkombëtare tek ne,a ka  raste origjinaliteti apo e tëra ajo që është projektuar dhe ndërtuar në Prishtinë dhe Kosovë,është vetëm kopje e zbehtë e asaj çka ka ndodhur dhe ndodh në botën e arkitekturës. Ka raste të rralla ku janë tentuar imitime të së kaluarës autoktone,ato orvatje zakonisht kanë dështuar si vepra të kiçit klasik në arkitekturë me porosi dhe pamje neveritëse që irritojnë.

Ana urbane e tërësive të ndërtuara në vitet e pas luftës as që ia vlen të përmendet,është ndërtuar me leje e pa leje, fare duke mos i përfillur rregullat dhe standardet elementare të urbanistikës. Janë punuar disa dokumente urbane gjysmake fare pa respektua legjislacionin në fuqi,kualiteti i atyre “planeve rregulluese” të punuara nga arkitektët dhe urbanistët e “shpifur” ishin ekstrem të dobëta,të pa realizueshëm pasi nuk ishin të bazuara në të dhënat reale. Kështu projektuan arkitektët në Prishtinë duke iu nënshtruar disa kritereve in-ekzistonte të fushës që i përkasin, fare duke mos u brengosur për kualitetin e jetës së varfër urbane në kryeqytet dhe për perspektivën e gjeneratave të ardhshme.

Prishtinës tani i duhen  rehabilitimet urbane detale e të gjitha zonave të qytetit gjegjësisht të gjitha planeve rregulluese ekzistuese,që duhet punuara me profesionalizëm të lartë, në frymën e të gjitha të arriturave urbanë në praktikën ndërkombëtare të harmonizuara me traditën dhe kulturën e mjedisit, kjo deri me tani i ka munguar asaj. Çdo kopjim i teorive dhe eksperiencave tjera do të na dërgon në një humnerë të re urbane si deri me tani.

Sa kisha pas dëshirë që këto aktivitete të javës së Arkitekturës në Prishtinë (Prishtina Architecture Week-PAW) ti përjetojmë si shtytje të reja për të inspiruar, motivuar arkitektët e rinj të vazhdojnë rrugëtimin e tyre profesional drejt arritjeve të reja në fushën e Arkitekturës dhe Urbanizmi. Ketë që po e mundësojnë teknologjitë e reja në botën e re globale,ku tendencat e uniformimit të artit dhe arkitekturës,do të jenë sfida madhore në mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit autokton urban dhe arkitektonik  të Kosovës. Për fat të keq me sjelljet tona të deri tanishme shumë pak iu kemi ofruar gjeneratave të reja të profesionistëve të ardhshëm, të cilët i pretë punë e mundimshme shumëvjeçare për të korrigjuar gabimet e shumta të bëra, aty ku është e mundur.

Uroi që këto vasha dhe djelmosha të zgjedhin rrugën origjinale të profesionit të tyre pa marr në konsideratë kualitetin e varfër të afruar nga shkollat e arkitekturës në Kosovë. Në botën globale dhe arritjet teknologjike në internet dhe rrjetet sociale, qasja drejtë diturive dhe arritjeve të reja në arkitekturë dhe urbanizëm është lehtësuar shumë,vetëm duhet pasur vullnet të madh për punë kreative dhe durim të çeliktë për të vepruar në mjedisin tonë. Trashëgimia e kaluar,posaçërisht e viteve të fillim shekullit të ri,nuk duhet të iu shërben si model i punës së tyre kreative por si një realitet i hidhët,si një e dhëne se si nuk duhet punuar në të ardhmen.

Prishtinë                                                                             arch. Ylber Vokshi -Ylli

11.07.2016                                                                                arkitekt i pavarur

ylberv@yahoo.com

*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: arc. Ylber Vokshi Ylli, Java e arkitektures, Prishtine

Kisha Ortodokse në Prishtinë

February 15, 2016 by dgreca

“Ndryshimet dhe plotësimet e planeve hapësinore dhe urbanistike bëhen sipas mënyrës dhe procedurës së përcaktuar për miratimin e tyre fillestar”/
Nga: arch. Ylber Vokshi – Ylli/
Ndërtimit të kishës ortodokse në vitin 1995 në Prishtinë,i paraprinë disa veprime të pa kontrolluara të pushtetit të atëhershëm komunal,ai nuk i respektoi së paku rregullat morale e pastaj ato elementare të urbanistikës, që ishin shumë mirë të precizuara në ligjet e kohës për urbanizëm në Kosovë. Kisha ortodokse Serbe, pas viteve 1992-93, duke i shfrytëzuar rrethanat e krijuara pas suprimimit të autonomisë së Kosovës, në mënyrë të kundërligjshme e arbitrare, në vitin 1995 kishte filluar të ndërton këtë tempull fetar,në pronën e Universitetit të Prishtinës, duke uzurpuar një sipërfaqe toke të destinuara për objektin dhe oborrin e saj. Në një far mënyre ata mundet të ishin si “model” i ndërtimeve të shumta pa leje që ndodhën në Kosovën e pas luftës.
Ishte tmerruese situata e krijuar në atë kohë, me fillimin e ndërtimit të kishës ortodokse mu në qendrën e kryeqytetit të Kosovës, në kundërshtim me Planin Detal Urbanistik të Qendrës Universitare në Prishtinë ku ishin përcaktuar kufijtë e planit,të aprovuar, miratuar shumë vite më parë, e të formësuar ligjërisht me një vendim të marrë më 12 Dhjetor 1975 në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Një veprim i tillë arbitrar ma së paku duhej ti konvenonte popullatës ortodokse në Prishtinë e ma gjerë,por ja që ndodhi nga pushteti i dhunshëm i asaj kohe. Ishin të verbërua me retorikë të dëmshme nacionaliste,së pari tragjike për popullin e vet e pastaj edhe për të tjerët,si e vërtetoi realiteti i ri i krijuar pasi ndërtimi i saj ishte ndërprerë gjatë luftës në vitin 1999. Është kjo një histori me pasoja të rënda në vitet nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, me pasojat e të cilës ende po duhet të merremi edhe sot në shekullin e ri.
Pas luftës me rregullore të veçantë nr 1999/24 UNMIK-u kishte suprimuar të gjitha ligjet apo rregulloret,i kishte shpallur të pazbatueshme në Kosovë,pasi që ishin nxjerrë pas 23 marsit të vitit 1989 e të cilat kanë pasur karakter diskriminues. Pa dyshim se edhe vendimi për ndryshimin e zgjidhjes urbanistike ishte njeni prej tyre. Ai nuk iu ka përmbajtur të gjitha dispozitave ligjore të kohës pasi aty shumë mirë theksohet se citoi: “Ndryshimet dhe plotësimet e planeve hapësinore dhe urbanistike bëhen sipas mënyrës dhe procedurës së përcaktuar për miratimin e tyre fillestar”. Punë e cila sigurt nuk është bërë,mu ky fakt teknikisht dhe ligjërisht mundet dhe duhet të shërbejë si bazë ligjore për të kontestuar veprimin e pushtetit të asaj kohe,që kishte filluar kundërligjshëm të ndërhyjë-uzurpoi pronën e huaj, dhe të filloi ndërtimin e kishës ortodokse serbe “Shën Nikolla” në vitin 1995,në brendi të oborrit të Universitetit të Prishtinës.
Këto vite ka pasur dhe ka shumë sugjerime se si të veprohet me këtë objekt i cili ka mbetur i pa përfunduar,nuk e ka vendin në atë ambient,tmerrësisht pengon në funksionimin normal të kampusit të Universitetit,ashtu si është projektuar dhe miratuar ai kompleks në vitet 80 të shekullit të kaluar. Muze holokausti,muze i tmerreve të luftës,ri-kujtesa e memories,shkohet në ekstrem që ai objekt të përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore. Ka kritere precize se si një objekt mundet të përfshihet në listën e trashëgimisë të cilat ky objekt nuk i plotëson, pasi nuk ka qenë funksional kurrë dhe ka filluar të ndërtohet në rrethana të çuditshme,ka uzurpuar pronën,nuk ka respektuar asnjë kriter urbanistik. Ka edhe shumë propozime tjera që në një far mënyre e legalizojnë ekzistencën e objektit, që kurrsesi nuk korrespondon me rrethin për shkak të formës specifike që ka si objekt i kultit.
Në aspektin urbanistik aspak nuk mundet mu u inkorporua në hapësirën në të cilën janë të definuara përmbajtjet e tjetra universitare, të pyeten edhe ekspertët e huaj urban. Ky objekt i kultit duhet ta ketë hapësirën e veçantë ku do të vinin në shprehje të gjitha ato atribute për të cilat është i destinuar. Përzierja e funksioneve me katapulltimin e tij të dhunshëm në një hapësirë – ambient tërësisht tjetër, vetëm do të dëmtonte në skajshmëri funksionin fetar që e ka të destinuar.
Le të ndërtohet ky tempull fetar ortodoks ne një lokacion adekuat, mirë të studiuar nga aspekti urban. E kamë theksuar shumë herë se në shekullin e ri, ku të arriturat teknologjike janë marramendëse,lokacioni i objekteve fetare qendrore në një qytet nuk duhet domosdo të jenë në pjesën qendrore të qytetit. Të lirohet hapësira e kampusit të Universitetit të Kosovë,pasi ashtu ishte definuar nga dora e profesionistëve pa paragjykime fetare dikur. Në fund të fundit ajo është pronë e tyre e destinuar shumë vite ma parë,askush nuk ka të drejtë që në një shoqëri demokratike të lejoi gjëra të tilla, që ndërlidhën edhe me uzurpimin e tokës urbane.
E drejta e predikimit fetar e komunitetit ortodoks të Kosovës është legjitime,atë domosdo duhet respektuar,atë e garantojnë të gjitha konventat ndërkombëtare,të cilat jemi të detyruar ti respektojmë. Shpenzimet materiale për ç’vendosje të objektit do të ishin minore në krahasim me efektet që do të kishte, me të cilën do të duhej të ishin të pajtuar të gjithë,si pronarët legjitim të tokës së Universitetit të Kosovë ashtu edhe përfaqësuesit legjitim të kishës ortodokse,duke mos iu mohuar kultivimin e ritualeve fetare ortodokse të garantuara me ligjet pozitive të shtetit të Kosovës.
Për të mundësuar realizimin e një ndërmarrje të tillë duhet ti paraprijë formimi i një grupi ekspertësh të përbashkët shqiptaro – serb,nga Prishtina dhe Beogradi, i përbërë nga profesionistët e vërtetë,pa paragjykime fetare apo partiake,njohës të mirë të urbanistikës të cilët propozimet e komunës së Prishtinës (Drejtorisë për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm),duhen shqyrtuar,analizuar,studiuar,në mënyrë që të përcaktohen për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme urbanistike për kishin ortodokse në Priishtinë.
Befason neglizhenca ekstreme e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare se si e kanë trajtuar objektin në shtatëmbëdhjetë (17) vitet e pas luftës, duke krijuar konfuzion dhe nervozë si në komunitetin shqiptarë ashtu edhe në atë serb. Nëse do ë aktivizohej forca e argumenteve si dhe diturit e avancuara të urbanistikës,ky problem i krijuar në mënyrë artificiale nga ana e kishës ortodokse në Prishtinë,që moti do të zgjidhej pasi ka mundësi teknike për një veprim të tillë,ku të dy palët si shqiptarët edhe serbët do të ishin ndarë të kënaqur.
Po jetojmë në botën e globalizuar ku liria dhe garancia fetare është një nga parakushtet themelore i të drejtave të njeriut,të cilat deshëm apo nuk deshëm jemi të obliguar ti respektojmë. Dikujt kjo situatë latente si duket po i konvenon,kush janë ata ?, me mjete dhe metoda demokratike duhet me i demaskuar sa ma parë.
Prishtinë
15.02.2016 ylberv@gmail.com
Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: Opinion Tagged With: arc. Ylber Vokshi Ylli, Kisha Ortodokse, ne Prishtine

Drejtoria e re e Planifikimit në kryeqytet

February 8, 2016 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/
Lajm i mirë i fillim-vitit 2016 pa dyshim është ai që me një vendim të kryetarit të kryeqytetit, i nënshkruar me 29 Janar, tre sektorë që funksiononin në kuadër të drejtorive, janë shndërruar në drejtori të reja. Nga Drejtoria e Urbanizmit e Planifikimit, është themeluar Drejtoria e Planifikimit (Drejtoria për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm), si një domosdoshmëri e kamotshme e cila ma në fund po realizohet.
Duke u nisur nga vëllimi i madh dhe kompleks i problematikës urbane në kryeqytet, si komuna me numrin ma të madh të banorëve në Kosovë, krijimi i kësaj drejtorie të re u imponua pasi ishte e pa mundu që i tërë vëllimi i madh i punëve hapësinore dhe urbane të zhvillohet në kuadër të një drejtorie. Të vetëdijshëm për këtë, hapi i ndërmarr është i qëlluar, dobi-dhënës, efektet e të cilit shumë shpejt do të vërehen, në të ardhmen e afërme, nëse fillohet të punohet me përkushtim profesional. Prishtina posaçërisht në vitet e pas luftës, ka përjetuar një degradim urban dhe rural të pa parë në regjion, si rezultat i sjelljeve tona që nuk përkasin as me rregullat morale të një shoqërie e për ato profesionale as që duhet diskutuar.
Ishte e domosdoshme ndërprerja e ndërtimeve pa leje e cila u arrit pas 14 vite me sakrifica të mëdha nga qeverisja aktuale e Prishtinës. Por a është e mjaftueshme kjo me siguri se jo, duke marrë parasysh se në cilën gjendje ishte sektori i urbanizmit për shumë vite, dhe se si ishte lejuar me u punuar dhe me ndërtuar në Prishtinë. Në këto vite ishte ferr i vërtetë, për ata të cilët e njihnin problematikën hapësinore dhe urbane, se çka ndodhte me hapësirën urbane të kryeqytetit dhe vendbanimeve tjera në Kosovë. Kjo qasje ndaj problematikës urbane, tërësisht e gabuar, ka filluar dhe do ti hakmerret Prishtinës në të ardhmen, që po rezulton me kualitetin e ulët të jetës urbane në kryeqytet dhe shumë probleme tjera funksionale urbane.
Natyrisht jeta vazhdon,duhemi sanuar situatën e krijuar urbane në kryeqytet, e kjo do të merr kohën e çmueshme të cilën ne e kemi me “bollëk”. Pos angazhimit të profesionistëve të vërtetë,pagave të dinjitetshme,punës permanente,angazhimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm profesional të fushave adekuate,nevojitet përkrahja e tërë spektrit politik komunal. Planifikimi hapësinor dhe urban duhet trajtuar drejtë si një disiplinë multi-sektoriale, atëherë edhe sukseset nuk do të mungojnë. Për këtë formimi i Drejtorisë për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm shumë shpejtë do ta arsyeton vet-veten.
Duhet të jetë një institucion kompetent i cili duhet të iu paraprij të gjitha ndodhive hapësinore dhe urbane në komunën e Prishtinës. Sigurimi i të dhënave reale hapësinore dhe urbane,analizat e indikatorëve,hulumtimet,përgatitja e konkurseve lokale apo ndërkombëtare si dhe përcjellja permanente e ndodhive në hapësirën komunale dhe inovacioneve në botë,duhej të ishin detyra parësore. Kryesore duhet të ishte realizimi i dokumenteve hapësinore komunale,si detyrat kryesore të drejtorisë së re.
Nuk duhet pasur pritje dhe rezultate të menjëhershme,e tërë ajo çka ka ndodhur posaçërisht me hapësirën urbane të kryeqytetit në këto vite nuk mundet të korrigjohet me “shkop magjik”. Domosdo duhet të ketë edhe intervenime të vështira urbane, që nënkupton edhe krijimin e pa kënaqësive të momentit, për disa që kanë ndërtuar pa respektuar asnjë ligj ndërtimi dhe planifikimi si dhe institucionet shtetëror.
Bazamenti kryesor i përgatitjes së dokumenteve hapësinore të kryeqytetit duhet të punohet duke u bazuar në të dhënat hapësinore dhe urbane faktike. Saktësia e të dhënave hapësinore,caktimi real i kufijve të ri të kryeqytetit i bazuar në të dhënat kadastrale (numri i parcelave). Këto elemente kryesore do të mundësonin të definohen zgjidhjet dhe aktivitetet urbane saktësisht, atëherë do të kemi rezultate të kapshme dhe funksionale,ku do të vinte në shprehje edhe kreativiteti artistik i përpiluesve të dokumenteve. Kjo punë merr kohë,angazhim gjithëpërfshirës i të gjithë pjesëmarrësve në proces. Dokumente hapësinore konvencionale të punuara deri me tani kanë mangësi elementare dhe janë treguar të pa zbatueshëm.
Ka shumë çështje të cilat nuk janë kërkuar as në dokumentet ekzistuese hapësinore dhe urbane të komunës,të aprovuara formalisht në vitin 2013,të cilat duhet korrigjuar dhe plotësuar. Si shembull konkret është çështja e rehabilitimeve urbane të cilat janë zhvilluar jashtë kornizave institucionale për fajin tonë. Është kjo një sferë veprimi e cila nëse studiohet dhe analizohet ,do të ishte burim i madh i kapaciteteve të reja ndërtimore në zonat urbane ekzistuese. Njëjtë është edhe trajtimi dhe analiza e kërkesave reale për kapacitetet e objekteve fetare (sakrale) në tërë komunën,e kjo mundëson të bëhen gabime të dëmshme, lojëra të ndyta manipuluese,të pa qëndrueshme në aspektin urban.
Gjatë këtyre viteve janë përpiluar shumë plane rregulluese urbane , aspak të bazuara në të dhëna reale, duke mos përfillur ligjin, standardet ndërkombëtare për ndërtimet, rehabilitimet apo zgjerimet urbane. Janë shpenzuar mjete të konsiderueshme material,e keqja ma e madhe e tyre ishte ajo se ishin tërësisht të pa zbatueshëm në teren. Është ky edhe një nga shkaqet që kemi pasur shumë ndërtime pa leje në Prishtinë. Qëllimi duhej të ishte të punohet sipas atyre dokumenteve por realiteti ishte i kundërt,me pasoja të mëdha,në shumë raste të pa riparueshme.
Me një punë permanente, të bazuar në ligjet e Planifikimit dhe Ndërtimit, kjo drejtori do të fillon të stabilizon situatën e vështirë hapësinore dhe urbane në komunë,kryeqytet të krijuar nga vetë ne. Të aplikoi planifikimin strategjik hapësinorë e jo si deri me tani planifikimin konvencional hapësinor i cili është i tejkaluar sot,i përket të kaluarës.
Sfidë kryesore do ta ketë përgatitjen dhe përpilimin e dokumenteve të reja hapësinore, sipas Ligjit të ri të Planifikimit Hapësinor nr 04/L-174 të vitit 2013,pasi ka ndryshime substanciale nga mënyra e deri tanishme e përpilimit të këtyre dokumenteve, edhe në nivelin lokal.
Uroj që do të ketë përkrahjen politike dhe institucionale,pa marrë parasysh se kush do ta udhëheq kryeqytetin në të ardhmen,pasi ky duhet të ishte interes madhor i të gjithë neve që jetojmë,punojmë dhe veprojmë në kryeqytetin e Kosovës.

*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Filed Under: Analiza Tagged With: arc. Ylber Vokshi Ylli, Drejtoria e re e Planifikimit, në kryeqytet

Parkingjet publike në Prishtinë

July 25, 2014 by dgreca

Nuk duhemi toleruar që të bëhemi robër të automjeteve,/
duke i humbur të gjitha vetit e një jete të dinjitetshme urbane./
Corbusier/
Nga arch. Ylber Vokshi-Ylli/Prishtinë/
E mirëprita njoftimin e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun të Komunës së Prishtinës,lidhur me paraqitjen e “Projektit për rregullimin e komunikacionit në lëvizje dhe krijimin e parkingjeve në territorin e Komunës se Prishtinës”. Aspak nuk është e rëndësishme se kush është angazhuar në ketë projekt,thelbësore është që në mënyrë profesionale të bëhen analizat e duhura të ndërlikuara hapësinore dhe urbane,që si rezultat të kemi të definuara të gjitha elementet që nevojiten për të caktuar vendet, numrin e duhur,llojet e parkingjeve që i duhen kryeqytetit të Kosovës,Prishtinës.
Mendimi i im profesional është që së pari është dashur të bëhet projekti i REKONSTRUIMIT apo RENOVIMIT urban të Qendrës së kryeqytetit,nga ai studim do të shiheshin nevojat dhe kërkesat për hapësira të reja të parkingjeve,të cilat së bashku me ato ekzistueset,duke aplikuar të arriturat teknologjike të shekullit të ri, deri diku do të plotësonin nevojat minimale për parkim të banorëve rezident dhe atyre të tjerëve si vizitor ditor,të cilët janë të shumtë në Prishtinë.
Pik së pari me mjete dhe mekanizmat që i disponon shoqëria jonë,duhet me e ndryshuar filozofinë e të menduarit dhe vepruarit, ku lëvizja me automjet në qendrën e kryeqytetit duhet minimizuar në maksimum,si dhe propozuar parkingje kolektiven,në etazh apo nëntokësore,si një nga mundësit e preferuara për të zbutur ketë problematikë. E di kjo kushton por duhemi me u mësua të paguajmë për luks,si të tjerët në qendrat e kryeqyteteve në tërë rruzullin tokësor.
Si rezultat i një pune të keqe me dekada të cilën e ka trashëguar Qeveria e re e Komunale,ndoshta si një nga problemet ma emergjente që urgjentisht kërkon zgjidhje,nuk duhej të ishte arsye për të marrë veprime të ngutshme si është vepruar në rastin konkret. Caktimi i lokacioneve për parkingje kërkon një punë komplekse ku duhet me qenë të përfshirë shumë profile ekspertësh ku kryesorët duhet me qenë Planerët hapësinor dhe urban e si ndihmës munden me u inkuadrua edhe profilet tjera si janë gjeografët, inxhinierët e komunikacionit dhe të tjerët sipas nevojës,së bashku me bashkëpunëtor të jashtëm si inxhinierët e ndërtimit,gjeometrat,sociologët etj.
Nga ajo çka u prezantua në opinion vërehet se kjo mënyrë e caktimit të lokacioneve të parkingjeve është bërë formalisht,janë paraparë aty ku ka pasur mundësi fizike,hapësira të lira,e jo si rezultat i një studimi të Qëndrueshëm kompleks urban. Nga një vështrim sipërfaqësorë i një pjese të qendrës,fitohet bindja se i tërë ai kompleks i banimit individual dhe kolektiv,si dhe ai i veprimtarive biznesore është i rrethuar nga automjetet,dhe krijon një ndjenjë të keqe të pa sigurisë së lëvizjes së lirë të banorëve,e posaçërisht të fëmijëve dhe të moshuarve. Si mundet të arsyeton një profesionist një mënyrë të tillë të parashikimit të parkingjeve kur një objekt banimi kolektiv në të tri anët është i rrethuar me parkingje,e pa shpjegueshme,kjo të asocion në një burg kolektiv të imponuar !
ME vetëdije apo pa atë është ngulfatur funksionimi normal i aktiviteteve private dhe publike,jeta urbane në atë pjesë të qendrës së kryeqytetit është degraduar me të madhe. As që bëhet fjalë për një rrugë pa automjete që lidhet me sheshin “Nëna Tereze”,ajo është uzurpuar nga parkingjet. Si munden të parkohen automjetet në disa pjesë të parkingjeve ku nuk ekziston as mundësia teknike e funksionimit të tyre. Nuk duhet projektuar sipas asaj se si është duke funksionuar sistemi i parkimit anarkik në këto vite në Prishtinë dhe në tërë Kosovën. Duhet me i respektuar normat dhe standardet ndërkombëtare të planifikimit urban nëse dëshirojmë të kemi zgjidhje të qëndrueshme urbane,dhe të jemi pjesë e shoqërive të civilizuara.
Trotuaret dihet për cilin funksion ndërtohen,nga presionet e mëdha dhe kërkesat në shumë raste të pa arsyeshme,u bënë vendqëndrim i shërbimeve të taksistëve. Një dukuri e tillë e shëmtuar iu mundësoi qeverive komunale të kaluara që të “lejojnë” në fillim parkingje të automjeteve në disa rrugë duke uzurpuar një pjesë të trotuareve në ato pjesë të qytetit jo shumë të frekuentuara. Kjo praktik e vjetër e komunës ende po vazhdon edhe në qendrën e ngushtë të kryeqytetit,duke harruar se trotuaret e qytetit janë të destinuar për lëvizjen e lirë të qytetarëve,e jo për parkim pa marr parasysh kërkesat e mëdha të arsyeshme për parkingje.
Një praktik e tillë në bërthamën e qytetit të vjetër dhe në atë të renë të kryeqytetit, shëmton pamjen e tij dhe e humb kualitetin e rrugës këmbësore “Nëna Terezë”,në të cilën frekuentojnë rrugët tjera që duhej të kishin trajtim “pedonal” pa automjete,nëse Prishtina donë ti ngjason qendrave të tjera evropiane,alternativ tjetër nuk ka. Për ketë ekzistojnë mundësit teknike por ende nuk ka veprime konkrete, përkundër presionit të profesionistëve ( demonstrimi i arkitektëve të PAW-it në muajin korrik),të cilët po dëshirojnë që edhe Prishtina të iu ngjaj kryeqyteteve tjera në botë, ku komunikacioni dhe parkingjet tërësish janë larguar për vizitorët,nga qendra e Kryeqytetit.
Pagesa e parkingjeve dhe kufizimet kohore janë domosdoshmëri,kanë ekzistuar edhe përpara në Prishtinë,ajo nuk është garanci për funksionim normal të komunikacionit dhe shërbimit të parkingjeve në qendër,ajo mënyrë pas një kohe është larguar nga vetë qeveria komunale e asaj kohe. Nuk duhet me u bazuar shumë në ato metoda,duhet me iu përshtatur filozofisë jetësore të banorëve të Prishtinës dhe Kosovës,e cila nuk është as përafërsish e ngjashme me popujt e regjionit dhe ma gjerë.
Besoi se ky projekt i parkingjeve është si një zgjidhje e përkohshme,për të korrigjuar sado pak anomalit e shumta që kanë ndodhur në vitet e pas luftës në Kosovë, e posaçërisht në Prishtinë,ku ka dhe ka pasur përvetësime dhe uzurpime të shumta,në emër të caktimit të lokacioneve për parkingje publike dhe individuale. Gëzon fakti që për problematikën e komunikacionit urban dhe ndër-urban si dhe parkingjeve për tërë kryeqytetin dhe Komunën e Prishtinës,vendimmarrësit komunal janë në kontakt me zyrtarët e kryeqytetit të Kroacisë,Zagrebit, nga të cilët kanë çka të mësojnë.
Së fundit edhe në Planin Zhvillimor Urban (PZhU) i cili është aprovuar në Shtator të vitit 2013,në listën e përpilimit të projekteve prioritare për vitin 2014 parashihen dy projekte që trajtojnë ketë problematik jetike për Prishtinën si:
P1. Hartimi I MASTER PLANIT për transportin në Prishtinë. dhe
P2. Hartimi I Planit për Masat e përkohshme për rregullimin e Parkimeve në Prishtinë në bashkëpunim me policinë e trafikut.
Duhet vetëm angazhim gjithëpërfshirës i të gjithë faktorëve vendimmarrës të nivelit komunal i cili në ketë periodë nuk ka munguar si dhe përkrahja morale dhe financiare e nivelit Qendror pasi Prishtina është kryeqyteti i Kosovës dhe është pasqyrë e të gjithë neve që ne shumicën e rasteve kemi qenë indiferent me atë se çka është duke ngjarë në mjedisin që na kushtëzon një jetë normale urbane.
arch. Ylber Vokshi-Ylli
23.07.2014 arkitekt i pavarur
ylberv1@yahoo.com

Filed Under: Opinion Tagged With: arc. Ylber Vokshi Ylli, ne Prishtine, Parkingjet publike

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT