• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arkitekt Sinani, shqiptari i shquar nga Sinanajt e Tepelenës

July 17, 2021 by s p

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Koha dhe politika kanë qenë të egra dhe të padrejta me shqiptarët në tërësi dhe me njerëzit e vlerave kombëtare në veçanti. Karriera e lavdishme e Arkitekt Sinanit numëron rreth 400 vepra që nga Meka, në Krime e deri në Vjenë. Ishte njeriu që i ndryshoi faqen Stambollit me ndërtime teologjike, urbane dhe ushtarake… Është ndërtues i xhamisë në qendër të Vlorës dhe i Kalasë së Aulonës së lashtë, rrënojat e së cilës sot janë varrosur nën pallatin para stadiumit “Flamurtari”. Ky artefakt historik, lëngon nën pallat për shkak të pangopësisë dhe antikombtarizmit autentik pellazgo-Iliro-shqiptar, pasi me mënyra barbare po zhdukin identitetin kombëtar. Ndërtuesit dolën me pretendimin se ishin pronar të truallit, ku janë rrënojat e kalasë së Vlorës.. Madje paraqitën dokumente pronësie (tapitë). Kjo është çudia më e madhe. Pasi xhamia e Muradijes  në Vlorë, në fillim të shek.XVI është ndërtuar në formën e një tyrbeje. Kurse në vitin 1542, u rindërtua nga Arkitekt Sinani me urdhër të Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, i cili vizitoi Vlorën. Me gurë të sjellë nga bregdeti shkëmbor i Vlorës, ndërtoi dhe Kalanë e Aulonës në lagjen Skelë, pranë portit detar(sot para stadiumit “Flamurtari”). Ndër veprat e tij vlen të përmenden 40 çezmat që i çuan ujë gjithë Stambollit, kurse kryearkitekt Sinani vdiq i etur për një pikë ujë. Nxënësi i tij, Mehmet Sedefqari, nga Elbasani ishte projektues dhe ndërtues i xhamisë Blu, në Stamboll. Ai projektoi veprën e kultit Taxh Mahall në Agra të Indisë, të cilën e ndërtoi bashkë me ndihmësin e tij, Ahmetin. Kjo njihet si  një nga shtatë mrekullitë e botës për Mesjetën. Edhe arkitekt Kasemi ishte shqiptar, bashkë me tre të tjerët, kanë lënë emër në arkitekturën osmane. Madje dhe sot në Stamboll thonë “Kalldrëmet shqiptare”, ose “sokakët e arnautve” se ishin arkitektët shqiptarë, ata që shtruan me pllaka guri të gdhendur rrugët e Stambollit. Le të shohim më hollësisht, se cili ishte Arkitekt Sinani. Mimar Sinani apo Arkitekt Sinani, lindi më, 29 maj, 1489 dhe ndërroi jetë më, 17 korrik, 1588 në Stamboll,Turqi.  Qysh në moshën 17-18 vjeç Sinani u radhit në repartet e Jeniçerëve të Perandorisë Osmane. Gjatë betejave si ushtar i Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, ai njohu arkitekturën e vendeve të ndryshme, si:Egjipt, Persi, Siri, Rodos, Moldavi, Bullgari, Itali Vjenë etj. Për prejardhjen e tij, flitet shumë. Thonë se ai është armen, grek, turk etj. Të gjithë krenohen me të, ndaj duan të njihet si bir i tyre, por e vërteta qëndron ndryshe.Janë faktet ato që flasin ndryshe. Ai e ka prejardhjen nga fshati Sinanaj (Tepelenë). Historia, ne shqiptarëve, na përmend shpesh. Herë na ka lartësuar dhe herë-herë na ka fshikulluar për kokat që ka nxjerrë ky truall në shërbim të kombeve të tjera. Me të drejtë shkrimtari Kim Mehmeti thotë:“Ne jemi një popull i vetmuar”.Mund të shtojmë se ne jemi një “popull i grabitur”, dhe historia na ka grabitur dhe mohuar ata që i kemi pjellë vetë. Nga të parët që na është vjedhur, është Arkitekt Sinani, një prej arkitektëve që në shekullin  XVI mëkëmbi dhe civilizoi arkitekurën orientale. Na është vjedhur Sami Frashëri, Aleksandër Moisiu, Karl Gega…e sa e sa të tjerë”.  Por le të kthehemi 430 vjet pas, kur jetoi një nga kolosët më të mëdhenj të arkitekturës botërore, Mimar (arkitekt) Sinani. Arkitekti i madh i quajtur “Mikelanxheloja i Orientit”, sipas studiuesit Denis Sharp, Sinani lindi në një familje ortodokse greke. Këtu nis edhe enigma e origjinës së tij, i cili nga burime të tjere,(Henry Maththwes) e quan bir të një familjeje kristiane që kishte përzgjedhur masonizmin. Historianët turq thonë se Sinani, vinte nga një familje turke dhe aktualisht trajtohet si një arkitekt turko-osmanlli.

Preardhja e tij e diskutuar shqiptare,është ajo që fiton edhe më shumë vlerë, pasi sipas burimeve historike turke, ai ka qenë mik i ngushtë me komandantin legjendar osman Sokullu Mehmet Pashën, i cili rridhte nga një familje nga Bosnja (dhe që më parë quhej Sokoloviç).

Poeti ynë i njohur dhe studiuesi, Akademik Xhevahir Spahiu shprehet:  “për hir të së vërtetës duhet kërkuar dhe gjetur prejardhja e Arkitekt Sinanit, sepse kur bëjmë shkencë duhen gjetur edhe rrënjët gnoseologjike. Për Sinanin ka rreth 1000 libra, sipas të cilëve prejardhja e tij ngatërrohet më shumë. Ai tregohet si turk, bullgar, boshnjak etj, ndërsa grekët kanë predikuar me të madhe se ai ka qenë grek. Vetëm burimet gjermane nxjerrin origjinën shqiptare të Sinanit. Sipas Xhevahir Spahiut një përpjekje kanë bërë edhe dy studiuesit, Gjergj Frashëri dhe Sul Domi. Studiuesit e nxjerrin Sinanin me origjinë nga Qesarati i Tepelenës. Kundrejt Qesaratit, përtej Vjosës, ndodhet pikërisht fshati Sinanaj, që sipas studiuesve të mësipërm ka qenë pronë e arkitekt Sinanit. Në Shqipëri me emrin e tij është e lidhur edhe xhamia Muradie, në qendër të Vlorës dhe me kështjellën, rrënojat e së cilës ndodhen në vendin ku aktualisht gjendet stadium.i “Flamurtari”. Ndërtimi i xhamisë dhe kështjellës në Vlorë përqasen me ardhjen e Sinanit dhe ushtrisë turke në Vlorë (sipas Evlija Çelebiut), në mezin e shekullit të 16-të. Poeti Spahiu parashton edhe një fakt të rëndësishëm në lidhje me prejardhjen e Sinanit. “E pra nga ishte Sinani? Nëse ai bëri Sulejmanien e famshme në Stamboll dhe ishte kryearkitekti i Perandorisë Osmane, pasardhësi i tij në këtë post ka qenë pikërisht Mehmet Sedefqari, një arkitekt nga Elbasani, autori i Xhamisë Blu po në Stamboll. Prejadhja e Sedefqarit nuk dyshohet në Turqi. Po mbas elbasanasit? Erdhi një tjetër kryearkitekt tanimë nga mali i Tomorrit, arkitekt Kasëmi. Në vakëfnamenë e tij (testamenti), ai do thotë shprehimisht : “Unë jam nga Grëmshi i Tomorricës”. Kështu pra u krijua një traditë ndërtimi arkitekturor në perandori nga arkitektët shqiptarë. Sipas Gjergj Frashërit,:“prej arkitekt Kasëmit është zbuluar një xhami dhe hamam në fshatin e tij të lindjes”. Kështu përfundon ligjëratën e tij poeti Xhevahir Spahiu, në lidhje me tre kryearkitektët gjenialë shqiptarë të perandorisë multietnike osmane. Një fakt që e mbështet prejardhjen shqiptare të tre kryearkitektëve, është edhe termi “kalldrëmet shqiptare”, që përdoret edhe sot në Turqi, dhe që simbolizon mjeshtërinë shqiptare për ndërtimin dhe ustallarë (mjeshtrat) shqiptarë, dhe për kalldrëmet e bukura që stolisnin dikur qytetet tona. 

Karriera artistike e Arkitekt Sinanit:

Si arkitekt Mimari, nisi të njihet pas ndërtimit të urës mbi Lumin Prut në Moldavi më 1538. Këtë urë, Sinani e projektoi dhe e ndërtoi brenda 13 ditëve që t’i shërbente Ushtrisë së Sulltan Sulejmanit(të ashtëquajturit “Kanuni” ose “Ligjvënësi”) i cili merrte pjesë në fushatën e Kara Budanit. Që nga kjo betejë Sulltan Sulejmani e mbante Sinanin afër dhe pak më vonë e emëroi kryeartitekt të perandorisë osmane. Kultura evropiane, Sinanin e ka  krahasuar me Mikelanxhelon dhe e thërrisnin “Mikelanxheloja i Orientit”. Sinani si kryarkitekt, punoi edhe gjatë kohës së sundimit të Selimit II dhe Muratit III. Pra ka punuar me 3 perandorë.

  Projektet e tij dhe që i zbatoi vetë apo nën drejtimin e tij ndahen ne tri grupime:

a-Ndërtimet e Kultit,

b-Ndërtimet Ushtarake,

c-Ndërtimet Civile.

      Gjatë karrierës së tij në disa dekada, arkitekti  projektoi objekte të mëdha që me kohë shërbyen si simbole të perandorisë si: Xhamia Shehzade Mehmetit (djali i vdekur i Sulltan Sulejmanit), xhamia Sulejmanie në Stamboll si edhe Selimijen në Edrene. Për shërbimet e larta ndaj perandorisë osmane,  mori titullin “Koxha Sinan” që do të thotë, Sinani i Madh.

Nga arktitektet e kohës moderne, të ditëve tona, ai vlerësohet si mjeshtër në përdorimin e gurit dhe për akustikën e objekteve.

       Historia e arkitekturës e ka ndarë aktivitetin e tij në tri periudha:

1-Faza e çirakllëkut(ndihmës arkitekt), ku hynë Xhamia e Shehzade Mehmetit në Stamboll.

2-Faza e kallfës(mjeshtrit)gjatë së cilës ndërtoi Sulejmanien Madhështore,në Stamboll në 7 vite, kushtuar Sulltan Sulejmanit.

3-Faza e ustallëkut ose Krye-mjeshtërit, Sinani ndërtoi Selimijen në Edrene, kur mbretëronte Selimi i Dytë.

    Arkitekt Sinani ka meritën e ndërtimit të ujësjellësit“40“çezmat (Kërkçeshme) në Stamboll. Ai që çoi ujin në gjithë Stambollin, vdiq me buzë e shpirt të tharë për një pikë ujë.

Sinani ndertoi 92 xhami,52 mesxhide (xhami të vogla),55 medrese, 7 daryl-kurra(shkolla për kuran), 20 tyrbe, 17 imarete (vende ku shpërndahet ushqim për të varfërit),13 daryshifa (spitale), 6 rrugë uji, 10 ura, 20 karvansaraje (hotele), 36 saraje, 8 bodrume, 48 hamëme (banja avulli) dhe gjithsej bëjnë 384 vepra. Në Shqipërinë Otomane të asaj kohe, Arkitekt Sinani ka ndërtuar xhaminë Muradie -Vlorë, xhaminë e Plumbit- Shkodër dhe kalanë e Vlorës te stadiumi “Flamurtari”, sot nën pallatin e ndërtuar në ditët tona.

Vepra e Mimar Sinani, arkitekti i bërë copash Ballkanit…
     Ishte djalë i ri kur Sinani hyri në radhët e jeniçerëve, ku luftoi për vite të tëra. Gjatë betejave në shtete të ndryshme si në Egjipt, Irak, Rodos, Krime, Beograd, e deri në Vjenë, ai njohu arkitekturën e tyre dhe mësoi autodidact, duke mbajtur shënime. Më pas lundroi në Korfuz dhe Pulje të Italisë. Viti 1538 shënoi një kthesë në jetën e tij. Projektimi e ndërtimi i urës në Moldavi, në 13 ditë, ndikoi te sulltani, i cili e vlerësoi shumë. Ndaj kërkoi që ai të qëndronte pranë tij.      Qysh aty nisi karriera e lavdishme e Sinanit, i cili ndërtoi rreth 400 vepra që nga Meka, në Krime e deri në Vjenë. Me punë dhe talent të pakrahasueshëm, Sulltani e emëroi kryearkitekt të oborrit perandorak. Sinani ia ndryshoi faqen Stambollit. Xhaminë Sulejmanie( Stamboll)  e projekoi dhe e ndërtoi në 7 vite. Për shërbimet u quajt Koxha Sinan (Sinani i Madh). Ai  njihej për thjeshtësinë dhe vullnetin  për punë. Arkitektët evropianë, e kanë quajtur:

“ jashtëtokësor”, ose “kulmi i punës me gurë”. Ai merret si një nga shembujt e mjeshtërisë më të mirë të akustikës deri në atë kohë. Me punën e tij kolosale ai u shërbeu 3 sulltanëve. Jo vetëm ishte i zgjuar, por dhe me dinjitet, gjë që e bënte të veçantë personalitetin e tij.  Si njeri me karakter të papërkulur,ai përherë mbronte tezën, njohuritë dhe punën e tij. Ndaj ishte i pabindur dhe në mosmarrëveshje me 3 sulltanët për të cilët punoi. Për shkak të dhuntive të tij gjeniale, afërsisë me sulltanin, privilegjeve që gëzonte, shkaktuan zili në oborrin perandorak.  Ishin shumë smirëzinjtë që shpifnin kundër tij. Arritën deri sa i çuan fjalë sulltanit se, Sinani bënte qejf në xhaminë e Shehzade Mehmetit, kushtuar djalit të vdekur të Sulejmanit. Sulltan i Madhërishëm shkoi në xhami dhe e gjen mjeshtrin në mes të xhamisë ulur këmbëkryq duke pirë nargjile (lloj duhani turk që pihet me një llullë të gjatë). Ai turret drejt Sinanit, i cili me qetësi ngrihet në këmbë. “Për këtë të paguaj unë ty?“,-pyeti Kanuni ndërsa ai iu përgjigj:“Dëgjo! Ai i fryn nargjiles së tij, ndërsa shushurima e saj shpërndahet nëpër gjithë xhaminë,”- me shumë takt e mençuri ai i tregoi sulltanit se po maste akustikën e xhamisë, ku zëri dëgjohej në çdo kënd të saj. Dihej se mikrofonat dolën në kohët moderne. Sulltan Sulejmani vërtetoi sesa pa vend ishin thashethemet kundër Sinanit. Një fushatë kundër tij nisi edhe kur atij iu dha urdhëri të dizenjonte dhe të zbatonte projektin e quajtur “40 çezmat”(Kërkçeshme),që do t`i sillte ujë gjithë Stambollit. Ziliqarët i fryn sulltanit në vesh se. I shtyrë nga thashethemet, Kanuni përsëri i kërkoi sqarime Sinanit, i cili e qartësoi dhe së fundi e solli ujin në Stamboll. Ky projekt i synuar që nga Perandori Bizantin, Justiniani, në shek. VI pas.Kr. Sulejmani i thotë arkitekt Sinanit të kërkojë ç`të dojë për shërbimin e tij dhe për ujin që shoi etjen e kryeqytetit perandorak.

“-Madhëri, punën time Ju e paguani me para dhe unë s`kam të drejtë të kërkoj asgjë”, – iu përgjigj  Sinani.

–Nëse ti nuk ke dëshirë të zgjedhësh diçka, atëherë është dëshira ime, ajo, që do të të ofrojë diçka,”- tha sulltani, dëshira e të cilit nuk mund të thyhej.

-Madhëri, dëshira juaj u plotësoftë! Do doja që nga ujësjellësi i Stambollit, të më vinte një çezmë edhe në konakun tim”.

–Qoftë e thënë dhe e bërë!”- Sulejmani dha urdhër me gojë që të bëhet, por nuk e dha me shkrim si dokument zyrtar. Kryearkitekti deri në moshën 97 vjeç,  piu ujë nga çezma e tij. Ankesat e njerëzve të këqij, të mësuar me thashetheme, shkuan deri tek sulltani.

Në këtë kohë në fronin perandorak ishte Murati i Tretë, nipi i Sulejmanit. Këshillëtarët e sulltanit u ankuan duke shpifur se Sinani merrte ujë në rrugë jo të ligjshme. Në moshë të madhe, kryearkitekti 97 vjeç, u gjykua para parisë së Stambollit dhe u shpall fajtor për çezmën që kishte në konak. Me gjithë kundërshtinë e mjeshtrit se çezmën e kishte dhuratë nga Sulltani i Madhërishëm, Murati i tretë nuk e besoi dhe urdhëroi t’i pritej uji.  I moshuar,i fyer publikisht, dilte më rrallë nga shtëpia, çezma e mëhallës (lagjes) ishte shumë larg, mjeshtri nisi të vuante nga etja. Sa ditë kalonin gjendja e tij rëndohej, deri sa zuri shtratin. Një natë korriku të vitit 1490, ndërsa lutej për një pikë ujë, sa për të shuar zjarrin që e digjte, përpëlitej në shtratin e vdekjes pa ia ofruar askush. Arkitekt Sinani, që shoi etjen e një qyteti, dha shpirt i zhuritur nga etja për një pikë ujë mes harrimit dhe mosmirënjohjes njerëzore.

Filed Under: Histori Tagged With: Arkitekt Sinani, arkitektura, tepelena

HISTORIA, ARKITEKTURA DHE DOKET E NDËRTIMEVE NË SULOVË

April 19, 2016 by dgreca

 NGA PËLLUMB GORICA/

Sulova, është një zonë kodrinore e Elbasanit, e banuar që në periudhat e hershme historike, me veçorinë e vargut të kodrave shkëmbore, dhe shtrirjen e luginës ku rrjedh lumi Devoll. Ajo është e njohur për peizazhin e  saj të gjelbër, traditat e bukura, por edhe histori që enden të mbushura me patriotizëm. Është mëse e kuptueshme dhe e natyrshme, që një zonë, me një pozitë të tillë gjeografike, të mos mbetej jashtë vëmendjes së çdo bashkësie njerëzore. Atë e vërtetojnë zbulimet e objekteve të shumta arkeologjike, fortifikimet, dhe vendbanime të vjetra, por edhe dokumente e toponimia e shumtë. Gjatë antikitetit të vonë, në shekujt IV-VI, aty do të shfaqen karakteristika  interesante në ndërtimet me karakter fortifikues, (kala, kulla) rrugë, ura, por edhe në periudha të tjera të mëvonshme historike, e sidomos në shekujt e parë pas pushtimit turk, me ndërtime publike dhe fetare, që do të ishin të shumta në atë kohë.

Por në  këtë shkrim studimor ne do të flasim për banesat familjare në këtë zonë, të cilat nga një periudhë historike në tjetrën, dhe nën ndikimin e faktorëve luftarakë, ekonomikë e shoqërorë kanë ndryshuar në formë dhe strukturë.

Banori i kësaj zone e deshi jetën, dhe e lidhi atë fort me banesën e tij. E ndërtoi  atë prej guri, apo prej druri. Atje ku kishte gjetur tokë të përshtatshme, burim uji e mera për bagëtinë, por edhe për mbrojtje nga sulmet e pushtuesve, keqbërësve, apo edhe kafshëve të egra. Dikur si fillesë të banimit mendohet të kenë shërbyer ndërtimet brenda kalave, kullave antike, dhe pasi njerëzit janë siguruar në mundësitë e jetës në këto vende është kaluar në ndërtimet e terreneve të hapura. Ka pasur banesa brenda rrethimeve të fortifikuara si në kalanë e Qafës. “Gërmimet arkeologjike kanë nxjerrë në dritë një kompleks banesash (13 shtëpi banimi) brenda mureve rrethues të kalasë”. (Y Cerova, Iliria Nr 2, viti 1987, faqe 167). Ndërtimet aty kanë pasur karakter kryesisht mbrojtës, sepse jeta e pasigurt, dhe njerëzit preferonin të banonin brenda mureve të fortifikuara megjithëse jo në kushte të përshtatshme. Në periudha të mëvonshme u ndërtuan banesa edhe jashtë këtyre fortifikimeve ka shumë histori gojore që tregojnë në lidhje me vendbanimet e vjetra. Ndër më të njohurat janë ato që tregojnë për  Klosin, një vendbanim i vjetër e me një shtrirje të gjerë në një pllajë poshtë kalasë antike të Qafës. Një histori thotë se: “Shtëpitë  në këtë zonë ishin ngritur njëra mbi tjetrën, rrethuar me mure, përpjetë dhe tatëpjetë kodrës, me rrugë të ngushta dhe të pjerrëta”. Gjithashtu qarkullon edhe një histori tjetër se: “Aq të dendura ishin banesat sa ato ngriheshin njëra pas tjetrës nga kalaja deri te kisha dhe keci shkonte nga çatia në çati pa prekur këmbët në tokë.” Kjo histori e të tjera si kjo, në Sulovë dëshmojnë se ka pasur një bazë e mbështetje reale madhësia dhe lashtësia e vendbanimeve.

Zakonisht banesat u ndërtuan në vende të ngritura dhe zotëruese, me pamje dhe horizont të gjerë, në kodra dominuese, duke u dhënë edhe atyre  shpesh pozicione strategjike, në terrene të thyera mbi toka joprodhuese për të ruajtur arat. Toponimet me emra të vjetër në këtë zonë ruajnë dhe përcjellin ende karakteristikat e vendbanimeve të dikurshme, veçanërisht: Kloset, Vilza, Kisha, Goricë e Çalës, Bovisht, Skunaj, Guri i Bardhë, Lekri, Radësh, Zhavur, Mëhallë e Kuqe, etj. Banesat ishin të vendosura në një parregullsi, në varësi të kushteve të terrenit, të grumbulluara, të rrethuara nga gjelbërimi i drurëve të ndryshëm frutorë e jo frutorë, me mure të larta e pengesa të tjera pasi jeta e pasigurt në periudha të caktuara e bënte edhe sulovarin të mbrohej sa më mirë. Një tipar tjetër dallues, i këtyre vendbanimeve ishin banesat larg njëra-tjetrës, pasojë kjo e mundësive që të ofronte terreni në kushte të caktuara të kohës, si edhe karakterit të pronësisë,të cilat ishin ndërtesa dykatëshe prej guri me mbulese prej rrasash guri.

Mbizotëruese në periudhën e regjimit të Zogut ishin banesat njëkatëshe, apo ndryshe tip “përdhese” prej gardhi lyer me baltë dhe të pashtruar, mbuluar me kashtë. Ky tip banesash ishte shprehje e varfërisë së popullsisë, që mbizotëronte në Sulovë, sidomos në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Gjëndjen e këtyre banesave dokumentat e shtypi i kohës e nënvizonin. “Gjëndja ekonomiko-shoqërore dhe shëndetësore e kësaj prefekture nuk është e mirë, sidomos popullsia e krahinave Çermenikë, Dumre, Shpat, Mollas (Sulovë). Nuk kanë as shtëpi të mira,as jetesë të mirë dhe mungesa e komunikacionit, e arsimit i ka izoluar, i ka lënë mbrapa’’ (Letër drejtuar qeverisë në vitin 1925 nga Prefekti i Elbasanit Murat Pod Gorica).

Orientimi i banesave bëhej nga jug-perëndimi. Ky ishte dhe është një rregull i përgjithshëm, por me përjashtime në varësi të terrenit, dhe përshtatjes së ekonomisë familjare. Ndërtimi i banesave të mira dëshmonte para së gjithash edhe për forcën ekonomike të porositësve të tyre, ku pasqyrohej edhe diferencimi klasor, ndaj shumë nga ndërtimet kanë qenë njësoj. Por, për ndërtimin e e këtyre banesave vendimtare në çdo kohë kanë qenë ndikimet e mënyrës së jetesës dhe doket e popullit sulovar. Zakonisht banesat ndërtoheshin në vende të kulluara, e me taban e, por që kishin fushëpamje të gjërë, me oborr, tërësisht apo pjesërisht me kopsht të gjelbëruar pemësh frutore nga më të ndryshme, të rrethuara me mure, por ka pasur edhe  shumë shtëpi të rrethuara me gardhe ferrash veçanërisht në familje të varfra. Tokën për ndërtim e përcaktonin të moshuarit e fisit. Kushti i parë ishte të ruhej, se mos në atë vend ka pasur varre të vjetra, apo ka qenë vend i shenjtë,  e siç thuhej në popull, i nemur, në troje që banorët e tyre ishin shuar nga fatkeqësitë. Trualli për banesë duhet të ishte afër pronave, Është e njohur në traditën popullore, që në zgjedhjen e trojeve për banim një faktor i rëndësishëm ka qenë mundësia e sigurimit të ujit të pijshëm, dhe që në mjaft raste largësia e burimeve diktonte transportin me krahë e kafshë ngarkese. Sipas mënyrës së atëhershme popullore, një truall konsiderohej i mbarë  vetëm mbas disa provave më të përhapura, sidomos ajo e vathëve të dhenve. Në truallin që mendohej për ndërtim tufa e bagëtive lihej tre net me radhë, nëse delet pushonin të qeta ai truall konsiderohej i mbarë dhe fillohej ndërtimi i saj. Provë tjetër, ishte ajo me tre rrasa guri. Nëse ato mbusheshin me milingona ai konsiderohej përsëri i mbarë, dhe vetëm mbasi përcaktohej trualli fillonte grumbullimi i materialeve të ndërtimit. Si materiale bazë janë ato prej guri dhe druri. Prania e gurit edhe sot është e dukshme në këtë krahinë, dhe nuk ka qenë asnjëherë problem e shfrytëzohej bollëku i gurëve nga rrënojat e vjetra, por edhe të diktuara nga terreni,nga lartësitë shkëmbore, dhe gurët e përrenjve. Përpara se të ndërtohej banesa apo diçka tjetër, guri duhej të gjendej sipas cilësisë së kërkesave të përdoruesit të kohës. Me gurë të gdhendur në mënyrë mjeshtërore përgatiteshin qoshet e pragjet, por edhe shkallët nga jashtë. Guri përdorej edhe për mullinjtë e blojës, për të larë rrobat e trasha në dërstila, apo për të pirë ujë bagëtia. Me gurë ndërtoheshin edhe çezmat, ledhet e arave, vetulloret e ullinjve, apo pendat mbrojtëse nga vërshimet e përrenjve. Si material mbulimi të shtëpive përdorej rrasa e gurit. Me rrasa guri shtrohej edhe para shtëpisë oborri, rrugica, lëmenjtë e shirjes së të lashtave, kasollet e bagëtive, dhe gardhecët e drithërave. Gati çdo gjë ishte e ndërtuar apo e mbuluar më këtë material të fortë dhe me kosto të ulët. Por, ndërtimi i gjithçkaje prej guri në ndërtimin e shtëpive është një dëshmi i një pune të madhe e të mundimshme, duke marrë parasysh gjëndjen e tij për ta sjellë në formën e dëshiruar, si për qoshet apo edhe për portikët, pragjet, etj. Teknika e ndërtimit me baltë dhe gëlqerja e përzier me rërë lumi, preferohej shumë nga banorët, pasi ajo përmbante elementë lidhës, dhe ka përbërë një traditë ndërtimi. Druri përdorej për trarët, duke e mbushur çatinë me një katrahurë trerësh, çatmash, dërrasash, të cilat janë përdorur shumë edhe për dyshemetë e ndarjet e kthinave, por edhe për dyert e dritaret. “Punimet e drurit dyer e dritareve qenë të punuara nga duart e ustait më të zotë e mjeshtrit Elmas Qosja nga Dragoti”, shkruan autori nga Gramshi Shyqyri Tafa në librin e tij “Në mes njerëzve të thjeshtë”, faqe 45. Në shumicën e familjeve tavanet mungonin,dhe rrallë herë me kallama. Hapësira në mes gurëve të mëdhenjë mbushej me gurë të vegjël. Në banesat e vjetra deri në periudhën e mbretërimit të mbretit Zogu nuk është përdorur suvaja në mure. Vetëm në vitet ‘30 të shekullit të kaluar u vu re prirja për të futur në përdorim suvatë, e për të ndërtuar tavane e dritare të pajisura me xham, madje në ndërtimet e asaj kohe është vënë re në mënyre të natyrshme faktori klasor, i pashkëputur nga faktorë të tjerë. Dhe shtëpi të tilla në atë kohë ishin një luks i rrallë për atë kohë, që jo çdo familje e pasur mund ti kishte. Tipi më i përhapur i banesave me dyer e dritare të ngushta, ishte banesa me hajat, tip dykatëshe, që më vonë pati përmirësime në materialet e përdorura në përmasat, shtrirjen, orientimet etj.

Themelet e banesave sipas besytnive të kohës hapeshin vetëm ditën e shtunë. Ndërtimi shoqërohej me ceremoni të shumta. Festohej kur nisnin punimet, por edhe kur hyhej në shtëpinë e re. Zakoni i cili ishte aq i vjetër sa s`mbahej mend, kur hidheshin themelet therej një kurban, (zakonisht dash.) Urohej “qoftë truall i mbarë”, “për hajër trualli i ri”,“ta gëzoni me fëmijë e të dashur” etj.

Për ndërtimin e banesave deri në vitet `50 të shekullit të kaluar, ustallarët më të dëgjuar më së shumti vinin nga krahina të tjera. Të moshuarit e kanë çmuar punën shumë të mirë të ustallarëve nga Opari. Historitë gojore tregojnë se ata vinin në formë grupi, 5-6 vetë kryesisht në muajt e verës. Në të gjithë vendin, nuk ka mjeshtër më duarartë se ustallarët oparakë për punimin e gurit në ndërtim. Ata ndërtuan në Sulovë jo vetëm shtëpi, por edhe rrugë, ura, kisha, xhami, dhe është fakt që këto objekte në përgjithësi kanë një teknikë të lartë. Gurët ata i gdhëndnin me kujdes, dhe i lidhën me llaç gëlqere të përzier me lesh dhie, mjeshtri që trashëgohej qysh prej ndërtimeve në periudhën e Arbërisë së herëshme. Në ndërtimin e këtyre shtëpive, mendimi i ustallarëve oparak zinte vend në zgjedhjen e materialeve, por edhe të vendit për ngritjen e saj. Për punën që bënin, sulovarët i shpërblenin ata jo vetëm me para, por edhe me mikpritje e urime të shumta.

Kohërat zëvëndësojnë kohrat dhe gjurmëte këtyre banesave tashmë pothuajse janë zhdukur. Diku janë kthyer në gërmadha, e të mbuluara nga ferrat e fieret, aq sa nuk përcaktohen më se ç’janë, dhe se ç’kanë qënë dikur, e ç’kohë i përkasin, por e ruajnë lashtësinë e tyre.

Është e vërtetë që në formatin e një shkrimi të tillë e pamundur të pasqyrosh të plotë historinë e ndërtimeve dhe arkitekturës së një zone, por me aq sa shkruajtëm shkurtimishi mendojmë se kemi thënë diçka.

 

Filed Under: Histori Tagged With: arkitektura, e ndertimeve, historia, ne Sulove, Pellumb Gorica

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT