• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori: Çfarë ka ndodhur më 20 tetor?

October 20, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

1781 – Monarkia austriake e Habsburgëve miraton të ashtuquajturën “Patenta e Tolerancës” e cila zgjeroi, por jo shumë, liritë fetare të të krishterëve jo-katolikë që jetonin në territorin e perandorisë, duke përfshirë luteranët, kalvinistët, dhe ortodoksët grekë. Sipas “Patentës së Tolerancës”, besimtarët tani lejoheshin ligjërisht për të ushtruar privatisht fenë e tyre, por në kisha klandestine.

1803 – Senati i Shteteve të Bashkuara ratifikon Blerjen e Luizianës, duke i paguar Francës rreth 234 milionë dollarë (me vlerën sotme të dollarit). Franca e kishte kontrolluar këtë zonë të gjërë nga viti 1699 deri më 1762, kur ia dha Spanjës, aleate e saj. Më 1800, nën Napoleon Bonapartin, Franca e mori përsëri territorin me shpresë për të krijuar një perandori në Amerikën e Veriut. Por revoltat në Haiti dhe një luftë e pashmangshme me Britaninë e detyruan Francën t’i braktisë këto plane dhe t’ia shesë të gjithë territorin Shteteve të Bashkuara, edhe pse qeveria amerikane kishte menduar fillimisht vetëm për të kërkuar blerjen e Nju Orleansin dhe tokave rreth tij.

1818 – Britania dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë konventën që përcaktoi vijën kufitare midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Dy vendet ranë gjithashtu dakord për zotërim të përbashkët të territorit të Oregonit për 10 vjet; dhe pastaj e vazhduan këtë zotërim edhe 10 vjet të tjera deri më 1838. Pas kësaj, çështja se kush e zotëronte Oregonin u bë gjithnjë e më e diskutueshme, sidomos kur filloi migrimi masiv amerikan në vitet 1840. Disa politikanë amerikanë filluan të kërkonin konfiskimin e Oregonit, dhe në vitin 1844, demokrati James K. Polk kandidoi me sukses për president me platformën “Oregonin ose luftë”. Por as presidenti Polk dhe as qeveria britanike nuk donin një luftë të tretë anglo-amerikane, dhe më 15 qershor 1846 i dhanë fund këtij problemi me kompromisin, që njihet në histori si Traktati i Oregonit.

1900 –

“Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

O moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjerë.”

Me këto vargje, Çajupi qau kur mësoi se vdiq Naim Frashëri; gjithkush sikur humbi një pjesë nga vetja; dhe Poeti qante për gjithë. Pa Naimin si poet pak mund të thuhet se ndjenja e zgjimit kombëtar do të kishte arritur deri tek shqiptari më i thjeshtë – nga fshatari i robtuar deri tek “nizami” që luftonte pa ditur pse në dhera të huaj ndërsa vend për vete s’kishte. Por nuk ishte vetëm Naimi; ai ishte 1/3, sepse Vëllezërit Frashëri i ngjajnë trinisë, pa njërën prej të cilave njeriu a kombi nuk mund të qëndrojë në këmbë e as të jetojë – Abdyli luftëtar (Trupi); Samiu dijetar (Mendja); Naimi poet (Shpirti); së bashku ndihmuan a sollën rilindjen; u dhanë shqiptarëve kyçin për të rigjetur veten duke përdorur forcën, mendjen dhe ndjenjën – së bashku a në harmoni.Naim Frashëri (nga Çajupi)

“Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqipëri!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni

shqipëtarka, shqipëtarë!

Naimnë kur ta kujtoni,

mos pushoni duke qarë!

………..

Vdiq Naimi, që këndoi

trimërinë, Skënderbenë,

vdiq Naimi, që lëvdoi

dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

o moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjerë….”

Naim Frashëri lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit. Në vendlindje ai mori edhe mësimet e para. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea”. Më vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës në zyrën e shtypit, por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë më të mirë. Në fillim ishte nëpunës në Berat e më pas doganier në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri shkroi edhe pozitë e para në shqip. Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe nën ndikim e veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu – Naim Frashëri iu kushtua tërësisht letërsisë shqipe. Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria” (1885), ku ai botoi edhe shumë prozë e vjersha të tij, prej të cilave:

Pellazgët-shqiptarët

(Naim Frasheri)

Ishte një ditë/Që pellasgjitë/Posi një dritë/Mbuluan dhenë/Duall ng’ Asia/Si mizëria/Dhe me ania/E hodhë denë.

Pas pakë herë,/Duke përzjerë /Ca me të tjerë,/Bënë elinët, /Dhe duke ndarë /Syresh një farë,/Si ka të ngjarë,/Bëri llatinët.

Edhe të tjerët/E më të ndjerët,/Të papërzjerët,/Pellasgjinj mbenë/Maqedhoninjtë/E ilirinjtë/E mollosinjtë,/Gjith’ ata qenë.

Dhe ata janë/Prindërtë tanë,/Pastaj na thanë/Na shqipëtarë/Mundim të themi/Ne ata jemi,/Atë gjak kemi,/Si dhe shtyparë.

Thot’ Herodoti,/Në Tomor zoti/Shtëpi qëmoti/Kishte Dhodhonë/Eshtë m’e vjetër/Ngaha çdo tjetër,/Shumë më tepër,/Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë/Burra të ndjerë/Edhe të vlerë/Jemi treguar;/Me grekërinë/Dhe me Persinë,/Me gjith’ Asinë/Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë,/Muntmë Daranë,/Datën i dhamë/Gjithë Asisë /Burr’ u dëftyem,/Të gjith’ i thyem,/Përmbys e kthyem/Fron’ e Persisë.

Të tërë dhenë,/Den’ e sterenë,/Sa kombe qenë/Në këmb i vumë/Dhe mbretëruam/Kudo që shkuam,/Tekdo lëftuam,/Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë/Romës i ramë,/Llatint’ i vramë/E i tmeruam;/Me Skënderbenë/Tyrqve sa qenë/U dhamë dhenë/Dhe i dëbuam.

Kush i goditi/Posi petriti/E i cfiliti/Tyrqit, barbarët?/Bota s’kuxonte/Që t’u qëndronte,/Po kush lëftonte?/Ne shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,/Se s’kupëtuam/Dhe nuk e çquam/Të mirën tënë/Gjaknë për botë/E derthmë kotë,/Njeri ç’të thotë?/Nuk ishte thënë!

Mbajtmë Tyrqinë,/Ngjallmë Greqinë,/Ndihm’ Italinë./Po Shqipërinë?/Pse s’u munduam?/Për kë lëftuam?/Neve ç’fituam?/Ç’kemi taninë?

1947 – Komisioni mbi aktivitetin anti-amerikan fillon hetimin rreth infiltrimit komunist në Hollivud, duke rezultuar në një listë të zezë që pengoi disa aktorë, regjisorë e skenaristë të njohur për të punuar në industrinë e filmit për vite me rradhë.

1968 – Ish-zonja e parë Jacqueline Kennedy martohet me manjatin grek të anijeve Aristotle Onassis.

2011 – Lufta civile në Libi: Forcat rebele të Këshillit Kombëtar Kalimtar kapin diktatorin e rrëzuar libian Muammar Gaddafi në qytetin Sirte dhe e vrasin menjëherë.

Mendim i ditës “Gjithçka që kam mësuar për jetën mund të përmblidhet në dy fjale: Ajo vazhdon”.Robert Frost

 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ka ndodhe me 20 tetor, Histori

Histori: Çfarë ka ndodhur më 17 tetor?

October 17, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI*/

1448 – Fillon Beteja e dytë e Fushë Kosovës midis forcave të Perandorisë Osmane nën udhëheqjen e sulltan Muratit, dhe koalicionit hungarez, shqiptar, rumun (Vllahia) dhe kryqtarë, të udhëhequr nga Janosh Huniadi. Ashtu si në Betejën e parë të Fushë Kosovës më 1389, ballkanasit do të humbisnin. Beteja zgjati 3 ditë, dhe osmanët, korrën fitore vendimtare duke shuar përgjithmonë shpresat e të krishterëve se ky rajon do të dilte ndonjëherë nga sundimi osman. Beteja e dytë e Fushë Kosovës ishte në vazhdën e fitoreve të sulltan Muratit, fillimisht ndaj kryqtarëve në Varna me 1444; pushtimit të Moresë (Peloponez) me 1446; dhe sulmi ndaj princit shqiptar Gjergj Kastriotit -Skenderbe, i cili arriti t’i rezistojë. Beteja e dyte e Fushe Kosoves ishte rezultat i perpjekjeve te Huniadit për të bashkuar forcat me Skënderbeun, por pa sukses. Por nga kjo humbje, Skenderbeu doli i paprekur, pasi nuk arriti dot në kohë në Fushë Kosovë. Historianët thonë se Skenderbeu u vonua nga princi serb Brankovic, i cili nuk e lejoi të kalonte nëpër despotatin e tij. Kur Skenderbeu mësoi se beteja morri fund dhe forcat e koalicionit ishin thyer keqaz, ai i zemeruar u lëshua me trupat e tij nëpër territoret e Brankovicit duke djegur e shkaterruar çdo gjë. Në fakt, Skenderbeu nuk dinte një gjë tjetër; se në Betejën e Fushë Kosovës, Brankovici kishte kaluar në anën e sulltanit, pas grindjejes me Huniadin se kush prej tyre duhej të udhëhiqte koalicionin – Huniadi i kishte ofruar Brankoviçit postin e nënkomandantit por ky e hodhi poshtë me përbuzje dhe nga inati u bashkua me trupat e Sulltan Muratit. Pas fitores në Betejën e dytë të Fushe Kosovës, 1448, Sulltani shkoi në Adrinopojë, për t’u kthyer vetëm pas disa muajsh, në pranverë, me një ushtri prej 80-mijë trupash – dhe me armën e tij të re (topat me gjyle) – për të larë hesapet me Skënderbeun, i cili tashmë dukej i vetëm.
1845 – Sipas një gazete të Bostonit, audienca u larguan nga salla kur autori filloi të lexojë një poemë të frikshme. Njerëzit ikën në shenjë kundërshtimi ndaj Edgar Allan Poes, i cili ishte lexuesi dhe autori i poemës i Korbi. Në vitin 1918, në kuadër të një nisme për përkthimin e kryeveprave të letërsisë botërore, Fan Noli u solli shqiptarëve edhe këtë poemë të Poes. Ja disa vargje nga:
Korbi – Edgar Allan Poe
(shqipëroi Fan Noli)

“Një mes-natë të bezdisur
Tek këndonja i zalisur
Disa pralla dhe magjira
Të një shkence të harruar,
Tek dermitnja i kapitur
Befas vjen nje e trokitur,
Me ngadalë e goditur
Përmi dere t’ odes sime.
“Dikush është, thashë, jashte
Që troket mi deren time –
Vetem kjo, dhe asgjë më.
….
Më zu gazi, më shkoi tmerri
M’ atë Korb të zi si Ferri,
Që po mbahej aq’ i rëndë
Aq’ i larte dhe i thom:
“Ndonese je perçe-prere,
S’ka dyshim, je trim i ndjerë,
Korb i mvrojtur, i vrerosur,
Arratisur zall me zall;
Thua-m’ emrin tente me nam
Ans detit Plutonian!”
Thotë Korbi: “Kurrë më,”

U-çudita fort, pa masë
Kur dëgjova Korb të flasë..”

1888 – Botohet numri i parë i revistës National Geographic. Në fillim, Revista doli jo rregullisht – materialet ishin vështirë për t’u mbledhur. Por kjo gjendje  nuk zgjati shumë; Revisa filloi të bëhej e famshme për hartat dhe persiatjet fotografike të njerëzve dhe vendeve ekzotike. Sot, revista National Geographic ka rreth  8.5 milion parapagues në mbarë botën.
1931 – Gangsteri Al Capone dënohet për shmangje pagimi të taksave mbi të ardhurat me 11 vjet burgim. Atij gjithashtu i kërkohet për të paguar të gjitha taksat e prapambetura, me interes, plus një gjobë. Në kulmin e karrierës së tij, Kapone thoshte se nuk mund të dënohej për mospagim taksash pasi fitimet e tij nga tregtia e pijeve ishin të paligjshme. Duket se Al Kapone nuk lexonte gazeta, sepse do të ishte njohur me lajmin mbi një vendim të gjykatës së lartë ku thuhej se vetëm për shkak se fitimet janë të paligjshme nuk do të thotë se ato nuk janë subjekt i taksave – Ishte ende periudha e prohibicionit, kur në SHBA ndalohej prodhimi, shpërndarja dhe shitja e pijeve alkoholike, Kjo masë kishte hyrë në fuqi në vitin 1920 dhe u shfuqizua më 5 dhjetor 1933.

1933 – Albert Einstein (Ajnshtajn) mbërriti në Shtetet e Bashkuara si refugjat politik i ikur nga Gjermania naziste. Kjo çështje sikur ishte harruar, kur në vitin 2011, zyrtarë britanikë të emigracionit njoftuan se krejt rastësisht kishin zbuluar dokumentin e emigrimit të Ajnshtajnit në Angli, pas ikjes së tij nga Gjermania naziste. Zyrtarët në Aeroportin Heathrow mbetën të habitur nga zbulimi i kartës së hyrjes (për 80 vjet e mbuluar nga pluhuri), e cila shënon ardhjen e shkencëtarit legjendar në Britaninë Madhe. Sipas dokumentit ,” ati i fizikës moderne” kishte mbërritur në Dover më 26 maj 1933 nga qyteti Ostende i Belgjikë. Në formularin e emigracionit, Ajnshtajni e përshkruan profesionin si “professor”; shtetësinë “zvicerane”;  dhe se po shkonte në universitetin Oksford. E veçanta rreth këtij dokumenti për historianët është se Ajnshtajni kishte hequr dorë nga shtetësia e tij gjermane vetëm disa javë më parë, në reagim të zemëruar ndaj politikave naziste. Anglia u bë strehë për shkencëtarin e madh për disa muaj, derisa ai u nis për t’u vendosur përfundimisht në SHBA. Policia britanike e mbajti Ajnshtajnin nën masa të rrepta mbrojtëse nga frika e ndonjë vrasje të mundëshme nga agjentët e zbulimit nazist. Fituesi i Çmimit Nobel, që nga viti 1914, kishte qenë profesor nderi në Akademinë Prusiane të Shkencave në Berlin. Por, kur Adolf Hitleri u bë Kancelar i Gjermanisë në vitin 1933, ai shpalli përndjekjen dhe urdhëroi djegien e librave të autorëve hebrenj, përfshi ato të Ajnshtajnit, Duke mos duruar dot këtë lloj klime, shkencëtari i madh u detyrua të  ikte.
1979 – Nënë Tereza nderohet me Çmimin Nobel për Paqe për punën e saj me të varfërit në Kalkuta të Indisë. Në moshën 12 vjeçare , kjo vajzë shqiptare katolike, Agnes Gonxhe Bojaxhiu, dëgjoi një thirrje. Perëndia kërkoi që ajo t’ia kushtonte jetën e Atij –  dhe kështu hyri në një manastir vajzash, mori arsimim, dhe u dërgua në Kalkuta të Indisë, si mësuese. Emri i saj i ri ishte Tereza. Në Indi, murgesha ose Motër Tereza mori një thirrje të dytë prej Perëndisë: “për të ndihmuar të varfërit, njëkohësisht duke jetuar mes  tyre” – kështu ajo themeloi një motërzim të ri që e quajti Misionaret e Bamirësisë. Nënë Tereza dhe përkrahësit e saj ndërtuan në Kalkuta shtëpi për jetimët , azile për lebrozët dhe qëndra për të sëmurët pa shpresë shërimi. Organizata Misionaret e Bamirësisë gjithashtu u angazhua në punë e ndihma në pjesët e tjera të botës. Murgesha modeste u bë i njohur në të gjithë botën. Në vitin 2003, Papa Gjon Pali i dytë mori hapin e parë drejt shenjtërimit të saj, duke e lumturuar.

Mendim i ditës
“Kushdo që rrit qoftë edhe dy kallinj misër ose dy fijet bari, i shërben vendit më shumë se të gjithë politikanët së bashku”.
Jonathan Swift

* Kortezi VOA

Filed Under: Featured Tagged With: Astrit Lulushi, cfare ndodhi, Histori, me 17 tetor, VOA

Histori: Çfarë ndodhi më 8 tetor?

October 8, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI*/

314 – Perandori romak Licinius mposhtet nga homologu i tij Konstandin, në betejën e Cibalaes, dhe humbet territoret evropiane. Konstandini është quajtur i Madh, sepse shënoi një epokë të veçantë në historinë e Perandorisë Romake. Ai ndërtoi një vendbanim të ri perandorak në Bizant dhe e quajti Nova Roma, Roma e re (Deutera Rhoma, Roma  e Dytë, është një tjetër variant); megjithatë, për nder të Konstandinit, romakët i dhanë emrin Konstandinopojë, Qyteti (i ri) Kostandin, që më vonë do të bëhej kryeqyteti i Perandorisë Bizantine deri më 1453, kur u pushtua nga otomanët. Disa thonë se krijimi i qytetit nga Kostandini, është edhe shkaku që shpesh mendohet se ai themeloi Perandorisë Bizantine, krijimi i së cilës, në fakt ishte proces, jo punë e një njeriu të vetëm, dhe as brenda ditës, madje as Roma nuk u ndërtua në një ditë, thotë epigrami. Emri i Bizantit përmendet që në vitin 660 pes., dhe  mendohet se është eponym, emër personi që quhej Byzas. Tradita e lashtë greke i referohet një mbreti me këtë emër si udhëheqës kolonistësh. Megjithatë, historianë bashkëkorë kanë dalë me idenë se emri Byzas (Biza, Bicaj) ka prejardhje trake ose ilire, dhe është përdorur shumë kohë para kolonizimit grek. Plini i vjetër në Natural History thotë se para se të quhej Byzas, qyteti njihej me emrin Lygos. Konstandini (Flavius Valerius Aurelius) lindi më 27 shkurt 280 në qytetin ilir Naissus, Nish i sotëm, nga prindër; e ëma kamariere, i ati ushtarak e më pas Cezar (zv/perandor). Vetë Konstandini do të bëhej i Madh; Perandori i 57-të i Romës dhe i pari Perandor i krishterë. Ai la pas 3 djem që u bënë perandorë; ndërsa nëna e tij e kanonizuar nga Kisha do të njihej si Shën Helena. Sa për Kostandinopojën, qyteti vazhdoi të ruajë rëndësinë e tij edhe pas rënies së perandorisë bizantine. Ndryshimi i emrit në Istambul (Stamboll) ishte gjithashtu process; Disa thonë se Istambul është shprehje që rrjedh nga greqishtja mesjetare “is tim bolin”, që do të thotë “për në qytet”, siç përgjigjej tregëtari kur i pyesnin “ku po shkon?”. Më 1930, qyteti u emërtua zyrtarisht Istanbul.

1912 – Fillon Lufta e parë Ballkanike midis Perandorisë Osmane dhe Lidhjes Ballkanike. Sipas historianëve, Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje që të reformohej, qeveriste keq , ose s’mundi të zgjidhte problemet e nacionalizmin në rritje mes popujve të saj. Së dyti, Fuqitë e Mëdha grindeshin aq shume mes tyre sa që dështuan për të siguruar që otomanët të kryenin reformat e nevojshme. Këto probleme bënë që shtetet e Ballkanit të imponojë zgjidhjen e tyre, duke krijuar Lidhjen e Ballkanit (Bullgari, Greqi, Serbi e Mal i Zi). Por ishte edhe arsyeja tjetër; deri në fillim të shekullit të 20-të, këto vende kishin arritur pavarësinë nga Perandoria Osmane, por duke parë se ajo po dobësohej e së shpeti shpërbëhej, donin të merrnin pjesët që do të mbesnin, siç ishin trojet shqiptare ende nën perandori. Brenda këtij konteksti duhen kuptuar edhe thirrjet e atdhetarëve brenda e jashtë, që shqiptarët në këtë luftë të qëndronin në anën e Perandorisë; ndërkohë që Ismail Qemali shpejtonte drejt Vlorës me sigurimet ndërkombëtare për pavarësinë që u arrit më 28 nëntor, kur Lufta e pare Ballkanike ndodhej në kulmin e saj. Lufta përfundoi në korrik 1913 me nënshkrimin e Traktatit të Londrës dhe pas 5 shekujsh, Perandoria Osmane humbi pothuajse të gjitha zotërimet e saj në Ballkan. Pastaj erdhi Lufta e Dytë Ballkanike, që filloi pa mbaruar ende e Para. Shkaku ishte pakënaqësia e Bullgarisë lidhur me ndarjen e Maqedonisë, që u bë në fshehtësi nga ish-aleatët e saj, Serbia dhe Greqia. Si rrjedhim, Bullgaria sulmon, por ushtritë serbe e greke kundërpërgjigjen më ashpër; Bullgaria sulmohet edhe nga Rumania dhe Perandoria osmane – lufta përfundon me Traktatin e Bukureshtit, dhe Bullgaria humbet shumicën e territoreve që kishte fituar në Luftën e Parë Ballkanike.

1918 – Në luftën e parë Botërore, në Argonne të Francës , tetari amerikan Alvin York vret i vetëm gjatë një beteje të vetme 28 ushtarë gjermanë dhe 132 të tjerë i kap robër. Kur e pyetën se si ishte e mundur, York tha se kishte ndjekur të njëjtën taktikë me atë që kishte përdorur në jetën civile gjatë gjyetisë për gjela të egër – në pyjet e fshatit të tij Pall Mall, Tenesi – duke qëlluar në fillim gjelin e fundit në radhë, e pastaj të tjerët që nuk shihnin se ç’ndodhte pas tyre.

1929 – Në Shqipëri, 34 vjetori i ditëlindjës së Mbretit Zog festohet me një paradë madhështore në Tiranë, që u filmua nga Fox Movietone News. Kjo kompani amerikane gjithashtu filmoi Mbretin gjatë kohës që mbajti fjalimin përshëndetës, duke u bërë i pari film dokumentar me zë në Shqiperi. Gjatë cermonisë, parada ushtarake u shoqëruar nga parakalimi i grave e vajza të veshura me kostume kombëtare. Shumë gra myslimane shqiptare për herë të parë dolën me fytyra të zbuluara këtë ditë. Rrugët e Tiranës ishin zbukuruar me sende ngjyrash festive dhe flamujt kombëtarë valviteshin nga çdo ndërtesë.

1962 – Revista gjermane Der Spiegel boton artikullin “Bedingt abwehrbereit ” (Përgatitje e kushtëzuar për mbrojtje), në lidhje me një manovër të NATO-s të quajtur ” Fallex 62 “, e cila zbuloi se ushtria gjermano-perëndimore ishte e papërgatitur për t’u përballur me kërcënimin komunist nga lindja në atë kohë. Revista u akuzua për tradhti.

Mendim i ditës

“Një udhëheqës, një popull, nënkupton një pronar dhe miliona skllevër.”

Albert Kamus

  • Kortezi VOA

Filed Under: Histori Tagged With: 8 tetor, Astrit Lulushi, cfare ndodhi

Histori: Çfarë ndodhi më 7 tetor?

October 7, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

3761 p.e.s – Dita e parë e botës – anno mundi, viti i botës – sipas traditës hebraike, në të cilën Perëndia nga asgjëja krijoi Kohën, Ekizistencën, Materien, Errësirën dhe Dritën. Të gjashtën, Zoti krijoi Adamin dhe Evën; kjo ndodhi në vitin 3760 p.e.s, ose Rosh Hashanah, Viti i ri hebraik.

1492 – Kapiteni i anijes Pinta, Martin Pinzon i sugjeron Kristofor Kolombit për të ndryshuar drejtim; ata kishin disa javë që lundronin në ujra të panjohura, dhe ende asgjë. Kolombi jep urdhër për ndryshimin e drejtimit dhe 5 ditë me vonë, me 12 tetor, vrojtuesi në majën e direkut thërret “tokë!, tokë!” – ai kishte parë ishujt Bahamas – spanjisht “baja mar” “det i cekët”  “det u ulët” ose “det pa dallgë”.

1571 – Forcat detare otomane e të krishtera përleshen në Betejën e Lepantos. Pas 4 orë luftimesh, flota otomane shpartallohet. Me këtë fitore, Lidhja e Shenjtë e Krishterë shkurajon shtrirjen kontrollit otoman në anën evropiane të Mesdheut. Disa historianë vlerësojnë se një fitore turke mund të kishte sjellë rrënimin e Evropën Perëndimore, siç kishte ndodhur me Perandorinë Bizantine më shumë se një shekull më parë.

1908 – Austria anekson Bosnje Hercegovinën duke krijuar shkëndijën për fillimin e krizës ballkanike.

1933 – Në Vienë të Austrisë, Eqrem Çabej, 25-vjeçar, përfundon doktoraturën me tezën “Studime italo – shqiptare” dhe kthehet në Shqipëri prej nga ishte larguar para 13 vjetësh. Pas një periudhe pune si mësues në shkolla e qytete të ndryshme nga veriu në jug; me shkrime e kërkime në fushën e gjuhës, historisë e folklorit, Çabej shpejt bëhet emër i njohur në rrethet intelektuale. Në shtator 1942, atij i ofrohet anëtarësia në Institutin e sapo krijuar të Studimeve Shqiptare, por për arsye politike nuk pranon t’i bashkohet. Disa burime thonë se gjatë periudhës së pushtimit gjerman, Çabej gjithashtu refuzoi postin e ministrit të Arsimit në qeverinë e Rexhep Mitrovicës. Por në “A Biographical Dictionary of Albanian History” 2013, Robert Elsie thotë se “Çabej ishte ministër i Arsimit në administratën e qeverisë së Rexhep bej Mitrovicës nga 5 nëntor 1943 deri më 7 shkurt 1944 dhe ishte në Romë deri korrik 1944.” Për hollësitë që sjell, konstatimi është i bindshëm; ndërsa burimet e para duket se i referohen ende një historiografie të politizuar dikur. Më 1947, profesor Eqrem Çabej bëhet anëtar i Institutit të Shkencave, pararendës i Universitetit të Tiranës; nga viti 1952 – 1957 ai jep mësim si profesor i historisë së Shqipërisë dhe i fonologjisë historike të shqipes. Në vitin 1972, profesor Çabej bëhët anëtar themelues i Akademisë së Shkencave. Pavarësisht se jetoi e veproi në një periudhë izolimi të rreptë stalinist, Çabej, u bë i njohur e i respektueshëm brenda e jashtë vendit si shkencëtar albanolog i mirëfilltë. Mund të thuhet se ai është i pari shkencëtar abanolog shqiptar i renditur si i barabartë mes albanologëve të huaj me famë si Kretschmer, Patsch, Jokl etj, të cilët kishin qenë edhe profesorët e tij. Eqrem Çabej vdiq më 1980, në një klinikë në Romë ku ishte dërguar për trajtim mjekësor. Gjirokastra e quan atë birin e saj dhe Universiteti atje, mban sot emrin Eqrem Çabej. Një nga bashkëpuntorët e tij të afërt, profesor Emil Lafe, thotë diku se edhe Çabej “për Gjirokastrën, kishte mall dhe dashuri të veçantë. Ndonëse në të vërtetë kishte lindur në Eskishehir të Turqisë më 6 gusht 1908, si vendlindje shënonte gjithnjë Gjirokastrën. Herë pas here kishte dëshirë të vinte në dukje qytetarinë e gjirokastritëve, seriozitetin, përmbajtjen, mirësjelljen, dinjitetin vetjak dhe familjar, ndjenjën e jetës shoqërore, dëshirën për të nxënë, aftësinë për t’i bërë ballë jetës.” Eqrem Çabej është autor i mbi 200 publikimeve; la pas shumë shkrime e studime mbi letërsinë e folklorin; si dhe dy veprat madhore: botimin studimor prej dy vellimesh “Meshari i Gjon Buzukut, 1555“, dhe“Studime Etimologjike në fushë të shqipes”. Shumë prej punimeve të tij janë përmbledhur në 9 vëllime “Studime Gjuhësore” – Nga gjithë kjo, ajo që lë mbresë është idea që krijohet, sipas së cilës; gjuha shqipe është si aisberg, më e thellë e më e lashë sesa duket.

1940 – Diktatori nazist gjerman Adolf Hitler pushton Rumaninë si pjesë e strategjisë së tij të Luftës së Dytë Botërore për të krijuar një front të pathyeshëm lindor kundër Bashkimit Sovjetik.

1945 – Krijohet në Tiranë Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve (LSHA) – me vetëm 70 anëtarë, më pas numri i tyre erdhi duke u shtuar. Si kryetar i saj u zgjodh Sejfulla Maleshova; president nderi, Fan Noli – i pari nuk qëndroi gjatë në krye dhe për bindjet e tij u internua, brenda vendit; i dyti nuk arriti të bindej për të mos qëndruar jashtë dhe për ndonjë arsye nuk pranoi të kthehej. LSHA ka kaluar shumë kohë e sprova të vështira dhe në statutin e saj ekzistues thuhet:LSHA është një institucion i lirë dhe i pavarur, një bashkësi krijuesish profesionistë, i hapur për çdo shoqatë tjetër letrare dhe artistike, i pakushtëzuar nga bindjet politike, rrymat dhe platformat artistike. Sot LSHA ka rreth 1300 anëtarë.

1949 – Shpallet krijimi i Republikës Demokratike gjermane (Gjermania Lindore) në zonën e kontrolluar nga Bashkimi Sovjetik. Kjo ndodhi më pak se 5 muaj pasi Britania, Shtetet e Bashkuara dhe Franca kishin themeluar Republikën Federale gjermane (Gjermania Perëndimore). Afërsisht sa gjysma e Gjermanisë Federale, Gjermania Lindore, në varësi thuajse të plotë të BRSS-së përbëhej nga 5 shtete gjermane, dhe nga gjysma e ish kryeqytetit Berlin. Kjo gjendje vazhdoi deri në vitin 1990, kur vendi u ribashkua.

Mendim i ditës

“Anno Mundi, a më dëgjon?
Mund të më thuash ku është lavdia?
Kalëro ditën e lundro natën
Dhe përgjigjen do t’a gjesh
Në rrjedhën e shiut që bie.”

Popullore

 

Filed Under: Histori Tagged With: 7 tetor, Astrit Lulushi, Histori

Histori: Çfarë ndodhi më 4 tetor?

October 4, 2013 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI*/

1795 – Napoleon Bonaparti del në skenën franceze si ushtarak, duke përdorur artilerinë për të shpërndarë turmat e armatosura që përpiqeshin të pengonin punimet e Konventës (legjislatura franceze) në Paris – ishte fillimi i fundit të epokës së Revolucionit. Pas 9 vjetësh, ai do të shpallej Napoleoni I, Perandor i Francës deri më 1814 kur u hoq nga froni, u burgos në  Elba, u arratis, u përpoq për t’u kthyer, por humbi në betejën e Vaterlosë më 1815, vdiq në ishullin Shën Helena, i izoluar, i sëmurë ose i helmuar. Napoleoni ishte perandori i parë francez që nga koha e Karlit të madh (881-887). Dihet se familja Bonaparti e ka prejardhjen nga Korsika – të parët e tij ishin shpërngulur aty nga Toskana e Italisë  – si të ardhur nga Morea (Peloponez), vendbanim arbëresh pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu. Historiani i njohur francez i shek XIX, Adolf Thieres citohet se kur Josef Bonaparti, vëllai i madh i Napoleon Bonapartit, u bë mbret i Napolit në vitin 1806, dhe një grup arbëreshësh shkuan për t’i uruar mirëserdhjen – Bonaparti u tha: Edhe familja ime është me prejardhje arbëreshe. Marie Josef Louis Adolphe Thiers (1797-1877) – autor i një historie shumë-vëllimëshe franceze, shërbeu për disa mandate si kryeministër i Francës mes viteve 1830 – 1845. Në historinë e tij, Thiers thotë se kur Napoleon Bonaparti zemërohej, ai shante në një gjuhë të pakuptueshme për ata që e rrethonin. Bonaparti njihet edhe për atë që quhet Kodi i Napoleonit, Kodi civil francez, baza e kodit civil mbarë-evropian – bazuar në Kodin e Justinianit – që lejon lirinë e fesë dhe i pret udhën korrupsionit në sfera të larta.

1887 – Gazeta International Herald Tribune (IHT) del për herë të parë në Paris. Kjo gazetë në anglisht sot kombinon burimet e korrespondentëve të saj me ato të gazetës Nju Jork Tajms dhe shtypet në 38 vende të botës, për shitje në më shumë se 160 vende e rajone. Me qendër në Paris, IHT –  pjesë e kompanisë New York Times – ka njoftuar se brenda këtij viti do të fillojë të quhet “The New York Times International”.

1913 – Në Shqipëri, Qeveria e Ismail Qemalit jep koncesione për dy grupe bankerësh austriakë dhe italianë për themelimin e Bankës Kombëtare Shqiptare. Marreveshja e nënshkruar, e cila dha kësaj Banke privilegjin e vetëm për t’u marrë me pasuritë e patundshme, shkaktoi mes shumë shqiptarëve humbjen e besimit për qeverinë e tyre. Frika ishte se duke shfrytëzuar varfërinë në vend, Banka Kombëtare do te ishte në gjendje të blente me çmim tepër të lirë gjithe tokën e mundshme, e cila do të kalonte në pronësi të investitorëve austriakë dhe italianë, dhe Shqipëria do të bëhej e hapur për kolonizim të huaj.

1939 – Një berber 25 vjeçar nga Kanonsburg i Pensilvanisë, hoqi dorë nga profesioni i tij; Pierino Ronald “Perry” Como, i shtati mes 13 fëmijëve të një familje emigrantësh italianë, kishte zë të mirë –  dhe klientët që u qethte flokët, e nxitën të bëhej këngëtar. Komo regjistroi këngën e tij të parë me një grup muzikantësh që kaloi rastësisht në qytetin e tij – kënga “That Old Gang of Mine” u transmetua në radio dhe brenda pak ditësh u përhap dhe shpejt u bë e famshme. Që nga ajo kohë, për vite me radhë Perry Komo do të shihej vetëm duke kënduar në klube, koncerte, opera,  filma e televizion dhe këngët e tij do të zinin vend të veçantë në repertorin e radiove. Perry Komo vdiq në gjumë më 12 maj 2001, në shtëpinë e tij në Florida, një javë përpara se të mbushte 89 vjeç – u tha se vuante nga simptomat e sëmundjes Alzheimer.

1957 – Bashkimi Sovjetik hedh satelitin e parë artificial, Sputnik, në orbitë rreth tokës –  me këtë ngjarje fillon edhe epoka e garës hapsinore Lindje – Perëndim. Amerika do të përgjigjej pas pak muajsh me hedhjen në orbitë të raketës Explorer 1, më 31 janar, 1958.

1993 – Në Moskë, tanket bombardojnë ndërtesën e parlamentit, ndërkohë që demonstruesit kundër presidentit Boris Jelcin mblidhen jashtë saj. Rusia kishte hyrë në një krizës kushtetuese.

Mendim i ditës
“Mënyra më e mirë për të mbajtur fjalën është të mos e japësh”.
Napoleon Bonaparti

(Kortezi:VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: 4 tetor, Astrit Lulushi, cfare ndodhi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT